Pages

Pjesa Pare - Kreu 2 - Romani Zonja Bovari i Gustav Flober

http://libratonline.blogspot.com/search/label/Zonja%20Bovari
PJESA PARE
KREU II

Një natë, rreth orës njëmbëdhjetë, ata u zgjuan nga rraptima e këmbëve të një kali që ndaloi mu para derës. Shërbëtorja hapi baxhën e pullazit dhe bisedoi një copë herë me një njeri që rrinte aty poshtë, në rrugë. Ai kishte ardhur për të kërkuar mjekun; me vete kishte një letër. Nastazia zbriti shkallët duke u dridhur nga të ftohtët dhe shkoi hapi bravën e hoqi shulet e derës njërin pas tjetrit. I porsaardhuri e la kalin dhe, duke shkuar mbrapa shërbëtores, hyri menjëherë pas saj drejt e në dhomë. Aty nxori nga kapuçi i tij i leshtë me tufa qimesh të përhirta një letër të mbështjellë me një leckë, dhe ia dha gjithë
mirësjellje Sharlit, i cili u mbështet me bërryl mbi jastëk për ta lexuar. Nastazia që rrinte pranë shtratit, i bënte dritë. Zonja, nga turpi, ishte kthyer me fytyrë nga muri, kështu që i dukej vetëm kurrizi.
Me anën e kësaj letre, të vulosur me një vulë të vogël dylli të kaltër, i luteshin zotit Bovari të shkonte menjëherë në fermën e Bertosë, për të vënë në vend një këmbë të thyer. Mirëpo për të shkuar nga Toti në Berto duheshin bërë nja gjashtë lega të mira rrugë, duke kaluar nëpër Langëvilë e Shën Viktor. Nata ishte e errët pus. Nusja, zonja Bovari, kishte frikë se mos i ndodhte gjë të shoqit gjatë rrugës. Prandaj u vendos që kafshari të ikte përpara. Sharli do të nisej pas tri orësh, si të dilte hëna. Përpara do t’i dilte një çun që t’i tregonte udhën drejt fermës dhe t’i hapte trinat e gardheve.
Aty nga ora katër e mëngjesit, Sharli i mbështjellë mirë e mirë me qyrkun e vet, mori rrugën për në Berto. Ende si i kotur nga që s’i kishte dalë mirë gjumi, ai përkundej i tëri nga troku i qetë i kafshës. Kur kjo ndalonte vetë përpara gropave të rrethuara me gjemba që kishin hapur buzë brazdave. Sharli, si zgjohej befas, kujtonte këmbën e thyer, dhe mundohej të sillte nëpër mend gjithë thyerjet që dinte. Shiu kishte pushuar; dita filloi të agonte dhe, mbi degët e zhveshura të mollëve, rrinin pa lëvizur zogjtë të cilëve u ngriheshin përpjetë puplat e imëta nga thëllimi i mëngjesit. Fusha e rrafshët shtrihej pa fund, ndërsa tufat e pemëve rreth e rrotull fermave, dukeshin në largësi të mëdha, si ca njolla ngjyrëvjollce të thelë mbi atë sipërfaqe të madhe të errët, që fshihej në horizont mes përhimjes së qiellit. Herë pas here Sharli hapte sytë, pastaj, si i lodhej mendja i vinte një si dremitje, ku duke iu përzier ndjenjat e çastit me kujtimet, atij i dukej vetja e dyzuar, njëkohësisht edhe si student, edhe si burrë i martuar, edhe i shtrirë në krevat si pak më parë, edhe në sallën e të operuarve që e përshkonte si dikur. Era e ngrohtë e jakisë i ngatërrohej në mendje me erën e freskët të vesës; dëgjonte si lëviznin rreth shufrave metalike unazat e hekurta të shtretërve si dhe gruan që po flinte... Kur po kalonte nëpër Vasanvil, vuri re buzë një hendeku, një djalë të vogël të ulur në bar.
- Mos jeni mjeku ju? – e pyeti fëmija.
Dhe me t’u përgjigjur Sharli, ai mori këpucët prej druri në duar dhe u nis me vrap përpara tij.
Rrugës, mjeku mori vesh, sipas fjalëve të udhërrëfyesit se zoti Ruo duhej të ishte një nga fermerët më të pasur të asaj ane. Ai kishte thyer këmbën një natë më parë, kur po kthehej nga një fqinj tek i cili kishte festuar ujët e bekuar. E shoqja i kishte vdekur para dy vjetësh. Kishte ngelur vetëm pra, me zonjushën, e cila e ndihmonte për të mbajtur shtëpinë.
Vragat e rrotave të karrocave sa vinin e bëheshin më të thella. Ishin afër Bertosë. Djali i vogël si depërtoi nëpërmjet një vrime gardhi, u zhduk, pastaj doli përsëri në fund të një oborri për të hapur trinën. Kali rrëshqiste mbi barin e lagur, ndërsa Sharli ulte kokën që të mos përplasej me degët e pemëve. Qentë e rojës lehnin në kolibe, duke tërhequr zinxhirët. Kur hyri në Berto kali u tremb dhe kërceu shumë mënjanë.
Që aty dukej që ishte alamet ferme. Nga sipër dyerve të hapura të stallave, shiheshin ca kuaj të mëdhenj lërimi që hanin qetë-qetë nëpër grazhde të reja. Anës ndërtesave shtrihej një shtresë e gjerë plehu që nxirrte avull, dhe aty midis pulave dhe gjelave të detit, çukitnin nja pesë a gjashtë pallonj, salltanet i vërtet i oborreve të shpendëve të Kosë. Vatha ishte e gjatë, hambari i lartë me mure të lëmuara, si dorë njeriu. Në hangar kishte dy qerre të mëdha si dhe dy parmenda, me gjithë kamxhikët, qaforet dhe takëmet e tyre të plota, mbulesat e të cilave të bëra prej leshi të kaltër, i ndoste pluhuri i imët që binte nga hambarët. Oborri vinte në ngjitje dhe ishte i mbjellë me pemë në largësi të barabartë dhe diku aty pranë një pellgu me ujë ushtonte gagaritja gazmore e një tufe patash.
Mu te pragu i derës së shtëpisë doli një vajzë e re, veshur me një fustan të leshtë të kaltër, me tri pala, për të pritur zotin Bovari, të cilin e futi në kuzhinë ku flakërinte një zjarr bubulak. Pranë tij ziente nëpër ca tenxherka me përmasa të ndryshme mëngjesi për shërbëtorët. Në buhari po thaheshin disa rroba të lagura. Kacia, masha dhe sqepi i gjyrykut, që të tre jashtëzakonisht të mëdhenj, shkëlqenin si çelik i lëmuar, ndërsa nëpër mure ishte varur një arsenal i tërë me enë kuzhine, mbi të cilat vezullonte flaka e ndritshme e vatrës, bashkë me rrezet e para të diellit që hynin nga xhamat e dritareve.
Sharli u ngjit në kat të dytë për të parë të sëmurin. E gjeti shtrirë në krevat ku djersinte i mbuluar me kuverta dhe kapuçin e pambuktë e kishte hedhur diku larg vetes. Ai ishte një shkurtabiq trashaluq pesëdhjetëvjeçar, me një lëkurë të bardhë, me sy të kaltër, tullac në pjesën e përparme të kokës, dhe me vath varur në vesh. Pranë vetes mbante, mbi një karrige, një kanë të madhe me raki, të cilën e kthente herë pas here për t’i dhënë zemër vetes, mirëpo sa pa mjekun iu fashit dalldia dhe në vend që të shante siç po bënte qysh prej dymbëdhjetë orësh, zuri të rënkonte me zë të ulët.
Thyerja e kockës ishte e zakonshme, pa asnjë lloj ndërlikimi. Më të lehtë se ajo Sharli s’kishte për të gjetur. Atëherë, duke u kujtuar se si silleshin profesorët e tij me të plagosurit e shtruar, ai i dha zemër të sëmurit me gjithfarë fjalësh të mira, përkëdheljesh kirurgu që janë si ai vaji me të cilin lyhen bisturitë. Për të sajuar fortesa druri, shkuan kërkuan poshtë në bodrum një tufë me dërrasa. Sharli zgjodhi një prej tyre, e preu copa-copa dhe e lëmoi me një cifël xhami, sakaq shërbëtorja griste ca çarçafë për të bërë fasha dhe zonjushë Ema përpiqej të qepte jastëçka të vogla. Meqë ajo u vonua shumë për të gjetur kutinë me veglat e qepjes, i ati e humbi durimin dhe nisi ta qortonte; ajo nuk e hapi gojën, mirëpo gjatë qepjes shponte gishtërinjtë, të cilët i fuste pastaj në gojë për t’i thithur.
Sharli u habit nga bardhësia e thonjve të saj. I kishte të shkëlqyeshëm, të hollë në majë, më të pastër sesa stolitë e fildishta të Diepës, dhe në trajtë bajamesh. Megjithatë duart nuk i kishte të bukura, ndoshta jo aq të zbehta sa duhet, dhe disi të thata nëpër nyja; i kishte tepër të gjata dhe linjat në përkulje, nuk vinin ëmbël rreth e rrotull tyre. Të bukur ajo kishte sytë ndonëse të errët si në gështenjë, ata dukeshin të zinj nga qerpikët, dhe vështrimin e kishte të drejtpërdrejtë e të patutur në çiltërsinë e tij.
Si mbaroi fashimi i këmbës, vetë zoti Ruo e ftoi mjekun të hante një kafshatë bukë, para se të ikte.
Sharli zbriti poshtë në sallën e ngrënies në katin e parë. Aty kishin shtruar për dy veta një tryezë të vogël me gota të argjendta, pranë një krevati të madh me një baldakin të veshur me një basme mbi të cilën ishin endur portrete turqish. Ndihej një erë luleshpatash dhe rraqesh të lagështa që vinte nga dollapi i lartë prej lisi, i vendosur përballë dritares. Përdhe, nëpër qoshe, ishin radhitur, në këmbë, thasë me grurë. Ishte teprica e grurit që nuk e nxinte hambari aty pranë, ku hipej nëpërmjet tri shkallëve të gurta. Për zbukurim, kishin varur në një gozhdë, në mes të një muri, boja e gjelbër e të cilit ciflosej nga nitrati i potasit, një kokë Minerve të vizatuar me laps të zi, futur në një kornizë të praruar, dhe poshtë të cilës ishte shkruar me gërma gotike: “Babait tim të dashur”.
Në fillim u bisedua për të sëmurin, pastaj për motin që po bënte, për acaret e mëdha, për ujqit që vinin natën vërdallë nëpër ara. Zonjusha Ruo mërzitej në fshat sidomos tani që i kishte rënë pothuajse vetëm asaj gjithë barra e fermës. Meqë salla e bukës ishte e ftohtë, ajo dridhej duke ngrënë e kështu i përvisheshin disi buzët e mishta, të cilat, kur heshtte, e kishte zakon t’i kafshonte nga pakëz.
Qafa i dilte nga një jakë e bardhë, e kthyer. Flokët, me dy jetulla të zeza aq të lëmuara sa dukeshin si të ishin një, ndaheshin në mes të kokës me një vijë të hollë, që thellohej lehtë sipas lakores së rrashtit; dhe si linin paksa zbuluar majën e veshëve pasi mbi tëmtha merrnin një të valëzuar, mblidheshin nga mbrapa në një topuz të madh, i pari që po shihte mjeku i fshatit në jetën e tij. Mollëzat e faqeve i kishte ngjyrë trëndafili. Ndërmjet dy kopsave të jelekut, mbante, si të qe burrë, një palë syze prej gualli nga ata që kapen te hunda me një sustë.
Sharli, pasi u ngjit lart t’i linte shëndenë xha Ruoit, u kthye në sallën e ngrënies para se të largohej dhe e gjeti atë në këmbë, me ballë mbështetur pas dritares, dhe me vështrim nga kopshti ku ishin rrëzuar përdhé nga era hunjtë e fasuleve.
- Mos kërkoni ndonjë gjë? – e pyeti ajo.
- Kamxhikun tim, ju lutem, - iu përgjigj ai.
Dhe zuri të rrëmonte në krevat, mbrapa dyerve poshtë karrigeve; ai kishte rënë për tokë midis thasëve dhe murit. Zonjushë Emës ia zunë sytë, ajo u përkul mbi thasët me grurë. Sharli, për mirësjellje, u turr, dhe, si zgjati shpinën e vajzës së re, që ishte përkulur nën të. Ajo u çua flakë e kuqe në fytyrë dhe e vështroi me bisht të syrit, duke i dhënë kamxhikun.
Në vend që të vinte në Berto pas tri ditësh, ashtu siç kishte dhënë fjalën, ai erdhi aty që të nesërmen, pastaj vinte rregullisht dy herë në javë, pa llogaritur vizitat e papritura që bënte herë pas here, gjoja si rastësisht.
Sidoqoftë gjithçka shkoi mbarë, shërimi u bë ashtu siç ishte parashikuar, dhe kur pas dyzet e gjashtë ditëve panë xha Ruoin që përpiqej të ecte vetëm në gërmadhën e tij, filluan ta mbanin zotin Bovari si njeri me aftësi të mëdha. Vetë xha Ruoi thoshte se as doktorët më të mëdhenj të Ivtotos, bile as ata të Ruenit s’kishin për ta shëruar më mirë.
Kurse Sharlit as që i shkoi mendja të pyeste veten se pse vinte me kënaqësi në Berto. Sikur ta kishte bërë këtë gjë, me siguri që zellin e tij kishte për ta shpjeguar me rëndësinë që kishte ky rast ose ndoshta me fitimin që priste prej tij. Mirëpo të ishte vallë kjo arsyeja që vizitat e tij në fermë përbënin, ndër ato punët e rëndomta të jetës së tij, një përjashtim të këndshëm? Ato ditë çohej herët, nisej revan, e ngiste kalin shpejt sa i hanin këmbët, pastaj zbriste për të fshirë këpucët në bar, dhe para se të hynte në shtëpi, vishte dorashkat e zeza. Donte ta shihnin kur futej në oborr, të ndiente nga mbrapa shpatullave trinën që mbyllej, dhe gjelin që këndonte mbi mur, djemtë që vinin ta takonin. E donte hambarin dhe stallat; e donte xha Ruoin, që i rrihte dorën duke e quajtur shpëtimtarin e tij; i donte ato këpucë të vogla prej druri të zonjushës Emës mbi pllakat e lara të kuzhinës, takat e saj të larta që e zgjatnin disi, dhe kur ajo ecte përpara tij, tabanet e drunjta që ngriheshin shpejt kërcisnin me një zhurmë të thatë duke u fërkuar pas lëkurës së këpucëve me qafa.
Ajo e shoqëronte gjithmonë deri në shkelzën e parë në krye të shkallës. Kur nuk ia kishin sjellë ende kalin, ajo qëndronte aty. Meqë ishin përshëndetur një herë, nuk flisnin më; aty jashtë në mes të shkulmeve të ajrit, era ia çonte lëmsh përpjetë fijëzat e pabindura të zverkut, ose i lëkundte mbi ije lidhëset e përparëses që përdridheshin si flamuj të vegjël. Një herë, kur u zbut koha, nga lëvorja e pemëve pikonte ujë, bora po shkrinte mbi çatitë e ndërtesave. Ajo ishte te pragu i derës; shkoi mori çadrën dhe e hapi. Çadra prej mëndafshi ngjyrë gushëpëllumbi, që e përshkonte dielli, ia ndriçonte lëkurën e bardhë të fytyrës me reflekse të lëvizshme. Ajo buzëqeshte nën të, në atë afsh të vakët, dhe mbi copën e mëndafshtë të tendosur dëgjoheshin pikat e ujit që binin një nga një.
Në fillim, kur Sharli shkonte në Berto, zonja Bovari, e reja, pyeste vazhdimisht për të sëmurin, bile ajo kishte zgjedhur edhe një alamet faqe të bardhë për zotin Ruo në librin ku mbante llogari të dyfishtë. Mirëpo kur mori vesh se ai kishte një vajzë, kërkoi të dhëna për të; dhe mësoi se zonjusha Ruo, e rritur në një manastir, tek Yrsylinat Footnote , kishte marrë, siç thonë, një arsim të mirë, për rrjedhim dinte vallëzim, gjeografi, vizatim, qëndisje si edhe t’i binte pianos. Ky ishte kulmi!
“Domethënë, prandaj, - thoshte ajo me vete, - çelet i tëri ai në fytyrë kur shkon ta takojë, më vesh edhe jelekun e ri pale; që t’ia zërë edhe shiu? Ah, ç’na gjeti me këtë femër!...”
Dhe e urreu vetvetiu. Në fillim, nisi ta nxirrte mllefin duke e sjellë fjalën rreth e rrotull. Sharli nuk e kuptonte ku e kishte hallin; pastaj i bënte vërejtje larg e larg të cilave ai nuk u përgjigjej nga frika se mos plaste tamam sherri, dhe së fundi iu përvesh mbarë me qortime të drejtpërdrejta, të cilave ai s’dinte si t’i kundërvihej. - Ç’punë kishte ai që vazhdonte të shkonte në Berto, në një kohë që zoti Ruo ishte shëruar dhe që akoma nuk e kishin paguar? Oh, po s’do mend, na ishte dikush atje, që dinte të bënte muhabet, një nga ato që ç’i sheh syri i bën dora, një mendjendritur. Ja se ç’na dashkësh ai: një nga ato zonjushat e qytetit! Dhe vazhdonte:
- E bija e xha Ruoit, zonjushë qyteti! Ç’të thotë mendja! Çoban e kanë pasur gjyshin, pale që një kushërinë e tyre qenë gati duke e hedhur në gjyq për rrahje, kur u zu me ca. Sido që të sajohet me gjithë atë salltanet e kapardiset të dielave në kishë me fustan mëndafshi, si ndonjë konteshë, kot e ka. I ziu xhaxha po mos t’i kishin bërë lakrat vitin e kaluar, do të hiqte të keq për të shlyer detyrimet e prapambetura!
Si u mërzit, Sharli nuk shkoi më në Berto. Heloiza, pas shumë e shumë ngashërimesh e të puthurash, në një shpërthim të fuqishëm dashurie, e bëri atë t’i betohej mbi librin e saj të meshës, se nuk do të shkonte më aty. Kështu pra ai u nënshtrua, mirëpo në brendësi të vetvetes, dëshira e papërmbajtur që kishte iu kundërvu qëndrimit të tij të përulur, dhe mendoi, me njëfarë hipokrizie naive, se ndalimi për ta takuar atë ishte për të si një e drejtë për ta dashur. Pastaj vejusha ishte e thatë; dhëmbët i kishte të gjatë; dimër verë mbante një shall të zi të vogël cepi i të cilit i varej midis shpatullave; vishte ngjitur pas trupit të saj gjithë kocka ca fustane të ngushta që i rrinin si këllëf shpate, pastaj ishin tepër të shkurtra, sa i dukeshin nyjat e këmbëve dhe lidhëset e këpucëve të mëdha që kryqëzoheshin mbi çorapet e përhirta.
E ëma e Sharlit vinte t’i shihte herë pas here; mirëpo s’kalonin shumë ditë dhe nusja e mprehte atë dhe e bënte brisk si vetja; fillonin pastaj, si dy thika, i merrnin atij shpirtin me vërejtje e qortime: jo pse hante kaq shumë, jo, pse i nxirrte raki kujtdo që vinte në shtëpi, jo, pse tregohej kaq kokëngjeshur sa s’pranonte të vishte fanellën!
Në fillim të pranverës ndodhi që një noter nga Inguvila, i cili mbante pasurinë e vejushës Dybyk, i hipi vaporit një ditë të bukur, duke marrë me vete të gjitha paratë që kishte në zyrë. Heloiza, ç’është e vërteta, përveç një pjese të një anijeje që llogaritej gjashtë mijë franga, kishte edhe shtëpinë e saj në rrugën Shën Fransua; mirëpo megjithatë, nga gjithë ajo kamje që e kishin fryrë aq shumë, në shtëpinë e të shoqit, nuk ishte dukur asgjë, me përjashtim të atyre pak mobilieve dhe disa leckave. Kështu lindi nevoja të sqarohej kjo çështje. Doli se banesa në Diepë ishte krimbur deri në qerestenë e saj nëpër hipoteka; shumën që ia kishte besuar noterit, një zot e dinte sa kishte qënë, dhe pjesa që i takonte nga anija, nuk i kalonte të një mijë skudet. Paskësh gënjyer pra zonja! Në pezmatim e sipër, zoti Bovari, babai që theu dhe një karrige duke e përplasur mbi pllakat e dyshemesë, ia hodhi fajin të shoqes për fatin e zi të të birit që e kishte lidhur pas një gërdallë si ajo, të cilës pajimet nuk i vlenin më shumë sesa lëkura. Ata erdhën në Tot. Biseduan. Plasën sherre. Heloiza e mbytur në lot, iu hodh në krah të shoqit, iu lut ta mbronte nga prindërit e tij. Sharli deshi të fliste në emër të saj. Ata u zemëruan, dhe ikën.
Mirëpo goditja ishte dhënë. Pas tetë ditësh, kur po nderte ndërresat në oborr, asaj iu shkrepën të vjella gjaku, dhe të nesërmen, ndërsa Sharli i kishte kthyer shpinën për të mbyllur perden e dritares, ajo tha: “Oh! O zot!” nxori një psherëtimë dhe i ra të fikët. Kishte vdekur! Sa çudi!
Si përfundoi gjithçka në varrezë, Sharli u kthye në shtëpi. Poshtë në katin e parë s’gjeti njeri, u ngjit në të dytin, në dhomë, pa fustanin e saj ende të varur pranë alkovit, atëherë, si u mbështet mbi tryezë, ndenji deri në mbrëmje i zhytur në ëndërrime të dhimbshme. Në fund të fundit ajo e kishte dashur.