Kreu IV
Që në ditët e para të të ftohtës, Ema iku nga dhoma e vet dhe u vendos në
sallonin e ndenjjes, që ishte një odë e gjatë me tavan të ulët, me një skelet të
dendur polipi mbi oxhak, i nderur pranë një pasqyre. Ulur në kolltuk afër
dritares, ajo shikonte banorët e fshatit që ecnin në trotuar.
Leoni shkonte dy herë në ditë nga zyra te Luani i artë. Ema që së largu e
dëgjonte kur vinte; ajo përkulej duke
mbajtur vesh; ndërsa djaloshi futej
shkarazi pas perdes, gjithmonë i veshur njëlloj dhe pa e kthyer kokën fare.
Mirëpo, në buzëmbrëmje, kur ajo, me mjekër mbështetur mbi pëllëmbën e
dorës së majtë, e kishte hedhur mbi prehër qëndisjen që kishte filluar, shpesh
herë dridhej e tëra sa shihte atë hije që rrëshqiste. Menjëherë çohej dhe
urdhëronte që të shtronin tryezën.
Zoti Ome vinte në kohën e darkës. Me kapuçin e tij të rrafshët në dorë, ai
hynte pa u ndier që të mos shqetësonte njeri dhe duke përsëritur gjithmonë të
njëjtat fjalë: “Mirëmbrëma të gjithëve!” Pastaj, si ulej në vendin e tij, pranë
tryezës, në mes të dy bashkëshortëve, e pyeste mjekun për të sëmurët, dhe ky
këshillohej me të për shpërblimin që mund të merrte. Pas kësaj, bisedonin për
ato që kishte gazeta. Në atë orë Omeu e dinte pothuajse përmendsh dhe tregonte
të plotë gjithë përmbajtjen e saj pa i shpëtuar vërejtjet e redaksisë dhe
përshkrimet e fatkeqësive që kishin ndodhur në Francë apo në vende të tjera.
Mirëpo si shteronte tema e bisedës, ai nuk vononte të bënte ndonjë vërejtje për
gjellët e shtruara. Nganjëherë bile, duke u ngritur përgjysmë, i tregonte gjithë
kujdes zonjës pjesën më të butë të mishit, ose, duke u kthyer nga shërbëtorja, i
jepte këshilla për gatimin e raguve dhe për përdorimin e erëzave e salcave; për
aromën, për nënproduktet e mishit, lëngjet dhe xhelatinën, fliste aq bukur sa të
mahniste. Madje Omeu, që e kishte kokën më të mbushur me receta nga ç’ishte
farmacia e tij me kavanoza, s’e kishte shokun në përgatitjen e lloj-lloj recetave,
uthullave dhe likereve të ëmbla, dhe njihte gjithashtu shpikjet e fundit të sobave
ekonomike si dhe mjeshtërinë e ruajtjes së djathërave dhe të trajtimit të
verërave të dobëta.
Në orën tetë vinte Justini që e kërkonte për të mbyllur farmacinë. Zoti
Ome e shikonte me një sy qesëndisës, sidomos po të ndodhej aty Felisiteja,
sepse e kishte vënë re që çirakut të tij i pëlqente të dukej në shtëpinë e mjekut.
- Këtij qerratait tim, - thoshte ai, - çoç ka filluar t’i pjellë mendja dhe më
duket se, dreqi ta marrë, ka rënë në dashuri me shërbëtoren tuaj.
Mirëpo e meta më e madhe e tij, për të cilin ai e qortonte, ishte se
dëgjonte vazhdimisht bisedat. Të dielave për shembull, ishte e pamundur ta
nxirrje nga salloni, kur e thërriste zonja Ome për t’i marrë fëmijët, që i kishte
zënë gjumi nëpër kolltukë dhe që tërhiqnin me shpinë mbulesat tepër të gjera
prej kambriku.
Këtyre mbrëmjeve që organizonte farmacisti nuk vinin shumë veta, sepse
mjaft njerëz të ndryshëm të nderuar i ishin larguar njëri pas tjetrit prej shpifjeve
që bënte dhe mendimeve politike që kishte. Sekretari ishte gjithmonë i
pranishëm aty. Sa dëgjonte zilen, vraponte t’i dilte përpara zonjës Bovari, i
merrte shallin, dhe pantoflat e mëdha me thekë që i vinte mbi këpucë, kur binte
dëborë, ia vinte mënjanë, poshtë tryezës së farmacistit.
Në fillim bënin ca duar tridhjetë e njësh; pastaj zoti Ome luante me Emën
ekarte,
Leoni që rrinte mbrapa saj, i jepte këshilla. Ashtu në këmbë dhe me
duar mbështetur mbi shpinën e karriges së saj, ai i vështronte dhëmbët e krehrit
që ishin ngulur në topuz. Në çdo lëvizje që bënte për të hedhur letrat, i ngrihej
fustani nga ana e djathtë. Nga flokët e saj të mbledhur i zbriste një si ngjyrë e
murrme mbi shpinë, që vinte duke u zbehur shkallë-shkallë derisa shuhej
krejtësisht në errësirë. Ndërsa fustani i varej nga të dy anët mbi ndenjëse, i
fryrë, plot me pala dhe shtrihej deri përtokë. Nganjëherë kur Leoni e ndiente se
po ia vinte përsipër fustanit tabanin e çizmes, mënjanohej rrëmbimthi sikur t’i
kishte shkelur këmbët ndokujt.
Si mbaronte loja me letra, farmacisti dhe mjeku luanin domino, kurse
Ema, pasi ndërronte vend, mbështetej me bërryla mbi tryezë që të shfletonte
Ilustrimin. E sillte me vete këtë revistë mode. Leoni ulej pranë saj; shikonin së
bashku riprodhimet dhe prisnin njëri-tjetrin në fund të çdo faqeje para se ta
kthente ajo. Shpesh herë ajo i lutej t’i recitonte vargje; Leoni ia deklamonte me
një zë të zvargur që e veniste qëllimisht gjithë kujdes gjatë strofave të
dashurisë. Mirëpo e bezdiste zhurma e dominove; zoti Ome ishte i fortë në këtë
lojë, Sharlin e mundte gjithmonë me dopjo gjashtë. Pastaj, si mbylleshin të
treqind pikët, shtriheshin që të dy pranë vatrës dhe pas pak i zinte gjumi. Zjarri
fikej në hi, çajniku ishte bosh; Leoni vazhdonte të lexonte. Ema e dëgjonte
duke rrotulluar, pa e pasur mendjen aty, abazhurin e llambës, mbi tubin e të cilit
ishin pikturuar palaço hipur mbi karroca dhe pehlivanë mbi litarë me shkopinj
ekuilibri në duar. Pastaj Leoni pushonte, duke i treguar asaj me shenjë
spektatorët që ia kishin futur gjumit; atëherë ata flisnin me zë të ulët, dhe biseda
që bënin u dukej edhe më e ëmbël, sepse nuk i dëgjonte njeri tjetër.
Kështu u vendos midis tyre njëfarë ortakërie, një shkëmbim i
vazhdueshëm librash dhe romancash; zotit Bovari që s’ishte aq xheloz, nuk i
bënte përshtypje.
Kur kishte ditëlindjen, atij i dërguan një kokë të bukur frenologjike,
të
shënuar cep më cep deri në kraharor me shifra dhe të lyer me bojë të kaltër. Për
këtë kishte pasur merak sekretari dhe s’e kishte të vetmin. Ai kishte shumë të
tjera, aq sa shkonte e i kryente porositë në Ruan; dhe kur romani i ndonjë
shkrimtari nxirrte në modë kaktuset, Leoni blinte nga to për zonjën dhe i sillte
me Dallëndyshen duke e mbajtur vetë mbi gjunjë dhe duke shpuar gishtërinjtë
me gjembat e tyre të ashpër.
Ajo kërkoi t’i vendosnin në parvazin e jashtëm të dritares një dërrasë me
listela për të mbajtur vazot që i kishte dhuruar ai. Po edhe sekretari sajoi
kopshtin e tij të vogël varur në dritare dhe duke u kujdesur për lulet që kishin
shkëmbyer, ata shikonin njëri-tjetrin.
Ndër dritaret e shtëpive të fshatit, kishte një që ishte e zënë edhe më
shpesh; sepse, çdo të diel, nga mëngjesi deri në darkë, dhe çdo mbasdite po të
ishte koha e mirë, dukej në baxhën e papafingos profili thatim i zotit Bine, i
përkulur mbi torno Laruo, gërgërima monotone e së cilës dëgjohej deri tek
Luani i artë.
Një mbrëmje, kur u kthye në shtëpi, Leoni gjeti në dhomën e tij një qilim
prej pellushi dhe leshi, me gjethe të endura mbi një fushë të zbehtë; thirri
zonjën Ome, zotin Ome, Justinin, fëmijët, kuzhinieren, i tha edhe mjeshtrit të
tij; të gjithë patën dëshirë ta shihnin këtë qilim; përse vallë e shoqja e mjekut
tregohej kaq bujare ndaj sekretarit? U çuditën të gjithë, dhe më në fund
menduan se ajo duhej të ishte thjesht mikja e tij e ngushtë.
Ai vetë u jepte shkas ta merrnin si të tillë, sepse vazhdimisht fliste hapur
aq shumë për nurin dhe zgjuarsinë e saj saqë një herë Bineu ia ktheu shumë
ashpër:
- Ç’më hyn në hesap mua, kur s’rri me të!
Ai vuante shpirtërisht duke vrarë mendjen se si t’ia shfaqte dashurinë; dhe
gjithmonë i pavendosur nga frika se mos e fyente dhe nga turpi që tregohej aq i
dobët, qante i dëshpëruar dhe zemërzhuritur. Pastaj merrte vendime të
vrullshme; shkruante letra që i griste, caktonte ditë që i shtynte e matanshtynte.
Shpesh nisej me mendje se nuk do të tutej nga asgjë; mirëpo kjo vendosmëri i
binte shumë shpejt në prani të Emës, dhe, kur Sharli, që vinte papritur, e ftonte
të hypte në kaloshinin e tij, për të vizituar ndonjë të sëmurë në rrethina, ai
pranonte menjëherë, përshëndeste zonjën dhe dilte jashtë. A s’ishte vallë i shoqi
një pjesë e saj?
Përsa i përket Emës, ajo as që ia bënte pyetjen vetes për të ditur në e
donte apo jo. Dashuria, mendonte ajo, duhej të vinte përnjëherësh, me
shpërthime të fuqishme e me shkreptima – si stuhi qiellore që bie mbi jetë, që e
trondit atë, i shkul dëshirat si gjethet e pemëve dhe i vërvit zemrat në humnerë.
Ajo nuk e dinte që ullukët ishin të zënë, shiu bënte pellgje të mëdhenj me ujë
mbi tarracat e shtëpive, dhe kështu rrinte e qetë derisa, papritur, i zunë sytë një
plasaritje në mur.