PJESA E DYTË
Kreu X
Pak nga pak frika e Rodolfit iu ngjit dhe asaj. Në fillim e dehu dashuria,
dhe veç kësaj nuk mendonte për asgjë tjetër. Mirëpo, tani që ajo i ishte bërë një
domosdoshmëri për jetën, kishte frikë se mos humbiste diçka prej saj, ose bile
se mos i trazohej. Kur kthehej prej tij, shikonte rreth e rrotull e shqetësuar, duke
përgjuar gjithçka që dukej edhe larg në horizont dhe çdo baxhë shtëpie në fshat
prej nga mund ta vinin re. Mbante
vesh hapat, brimat, zhurmën e parmendave; dhe ndalej më e zbehtë e duke u dridhur më keq sesa gjethet e plepave që fërfëritnin mbi kokën e saj.
vesh hapat, brimat, zhurmën e parmendave; dhe ndalej më e zbehtë e duke u dridhur më keq sesa gjethet e plepave që fërfëritnin mbi kokën e saj.
Një mëngjes, kur po kthehej në këtë mënyrë, pandehu sikur shqoi befas
tytën e gjatë të një karabine që dukej sikur e kishte marrë në shenjë. Ajo dilte
pjerrtas përmbi buzët e një fuçie të vogël, gjysmë të fshehur në bar, në anë të
një hendeku. Ema, që gati sa s’i ra të fikët nga tmerri, bëri si bëri dhe eci
përpara, sakaq nga fuçia doli një njeri, si ata djajtë me sustë që kërcejnë nga
fundi i sëndukëve. Ai mbante dollakë të mbërthyer deri në gjunj, një kasketë të
rrasur deri mbi sy, buzët i dridheshin dhe hunda i qe skuqur. Ishte kapiten
Bineu, që u kishte zënë pritë rosave të egra.
- Duhej të kishit folur që për së largu! – i bërtiti ai, - kur sheh njeriu
pushkë, duhet gjithmonë të bëjë zë.
Tagrambledhësi, me këtë mënyrë, mundohej të fshihte frikën që ndjeu pak
më parë; sepse, duke qenë se gjuetia e rosave përveçse në anije, kudo gjetkë
ishte e ndaluar, në bazë të një urdhërese të prefekturës, zoti Bine, ndonëse i
respektonte ligjet, ndodhej në kundërvajtje. Kështu që në çdo çast i dukej sikur
dëgjonte të vinte bekçiu. Mirëpo ky shqetësim ia shtonte edhe më kënaqësinë,
dhe, duke ndenjur fillikat vetëm në fuçi, shkrihej fare me lumturinë dhe hilen e
tij.
Kur pa Emën, sikur u lehtësua nga një barrë e rëndë dhe menjëherë ia nisi
bisedës:
- Bën ftohtë, të thahen turinjtë!
Ema nuk i dha asnjë përgjigje. Ai vazhdoi:
- Edhe ju paskeni dalë kaq herët?
- Po, - i tha ajo duke belbëzuar, - po vij nga taja që më mban fëmijën.
- Aha! Shumë mirë! Shumë mirë! Ndërsa unë, siç më shihni, kam ardhur
këtu qëmenatë; mirëpo koha është kaq e zymtë saqë veç në më ardhtë gjahu
përpara hundës...
- Natën e mirë, zoti Bine, - e ndërpreu ajo duke i kthyer shpinën.
- Nderimet e mia, zonjë! – iu përgjigj ai ftohtë.
Dhe u fut përsëri në fuçi.
Ema u pendua, që u nda aq rrëmbimthi me tagrambledhësin. Me siguri që
ai do të thurte hamendje të dëmshme për të. Justifikim më të dobët sesa ai që
sajoi ajo për tajën nuk bëhej, sepse të gjithë e dinin mirë në Jonvil se vajza e
vogël Bovari kishte një vit që ishte kthyer te prindërit e saj. Veç kësaj rreth e
rrotull s’banonte njeri; ajo rrugë të çonte vetëm në La Yshet; domethënë Bineu
e kishte marrë me mend se ku kishte qenë ajo, dhe ai s’kishte për të heshtur, do
të llapte, patjetër. Ajo ndenji deri në mbrëmje duke shtrydhur trutë për të
trilluar gjithfarë lloj gënjeshtrash të pranueshme; dhe vazhdimisht i dilte para
syve ai budallai me çantë gjuetie.
Sharli, pas darke, si e pa të brengosur, e çoi te farmacisti, për ta zbavitur,
dhe njeriu i parë që pa ajo në farmaci, ishte përsëri ai, tagrambledhësi! Ky
rrinte në këmbë, para banakut, i ndriçuar nga drita e kavanozit të kuq, dhe
thoshte:
- Justin, - bërtiti farmacisti, - na sill acidin sulfurik.
Pastaj, duke iu drejtuar Emës që donte të ngjitej në dhomën e zonjës Ome,
i tha:
- Jo, jo, rrini këtu, mos u mundoni kot, ajo do të zbresë. Sa të vijë ajo,
ngrohuni te soba... Më falni... Tungjatjeta, doktor (se farmacistit i pëlqente
shumë të shqiptonte fjalën doktor, tamam sikur edhe ai, duke ia thënë dikujt
tjetër, kishte për të përfituar diçka nga madhështia që ajo përmbante, sipas tij)...
Po ki mendjen se mos rrëzosh havanët! Shko më mirë sill karriget nga dhoma e
vogël; ti e di vetë që kolltukët e sallonit nuk lëvizen.
Dhe, Omeu, për të vënë përsëri në vend kolltukun e tij, doli nxitimthi nga
banaku, në çastin kur Bineu i kërkoi një gjysmë onsi acid sheqeri.
- Acid sheqeri? – ia bëri farmacisti me përçmim. – S’e di, s’kam idenë
ç’është! Mos doni gjë acid oksalik? Oksalik, apo jo?
Bineu i shpjegoi se i nevojitej një gërryes, që të përgatiste vetë ujë bakri
me të cilin të pastronte nga ndryshku pajisjet e gjuetisë. Ema u drodh.
Farmacisti nisi të thoshte:
- S’është kohë për gjueti kjo, ka edhe lagështirë.
- Po megjithatë, - vazhdoi tagrambledhësi, gjithë dinakëri, - ka dhe nga
ata që s’duan t’ia dinë për të.
Asaj po i zihej fryma.
- Më jepni edhe ca...
“Ky s’paska ndër mend të shkulet!” – mendonte ajo me vete.
- Gjysmë onsi rrëshirë dhe terebentinë, katër onsë dyllë të verdhë dhe tri
gjysmë onsë çngjyrosës, ju lutem, për të pastruar rripat e lyer me vernik të
takëmit tim.
Farmacisti filloi të priste dyllë në kohën kur zonja Ome doli me Irmën në
krah, me Napoleonin përbri dhe Atalinë që e ndiqte nga pas. Ajo shkoi u ul mbi
minderin me kadife, pranë dritares dhe kalamani u mblodh kruspull mbi një
stol, ndërsa e motra e tij e madhe vinte vërdallë kutisë me hide, afër babait të
saj. Ky mbushte hinka dhe taposte shishka, ngjiste etiketa, bënte pako. Rreth tij
të gjithë heshtnin dhe herë pas here dëgjoheshin peshat që tringëllinin mbi
peshore si dhe disa fjalë me zë të ulët të farmacistit që i jepte këshilla çirakut të
tij.
- Si e keni çupën? – pyeti papritmas zonja Ome.
- Qetësi! – bërtiti i shoqi, që shkruante shifra në fletoren e shënimeve.
- Përse nuk e morët me vete? – vazhdoi ajo me gjysmë zëri.
- Shëët! Shëët! – ia bëri Ema duke treguar me gisht farmacistin.
Mirëpo Bineu, zhytur i tëri në llogaritë e faturës, kishte mundësi të mos i
kishin kapur veshët asgjë. Më në fund ai doli. Atëherë Ema, si u çlirua prej tij,
nxori një psherëtimë të thellë.
- Sa rëndë merrni frymë! – i tha zonja Ome.
- Ah! Është ca nxehtë këtu, - iu përgjigj ajo.
Që të nesërmen ata vranë mendjen se si të organizonin takimet midis tyre;
Ema donte të korruptonte shërbëtoren e vet me ndonjë dhuratë; mirëpo e mira e
të mirave ishte të gjenin në Jonvil ndonjë shtëpi që s’binte në sy. Rodolfi
premtoi se do të vihej në kërkim të saj.
Gjithë dimrit, ai vinte tri ose katër herë në javë në kopsht, kur nata ishte e
zezë pus. Ema e kishte hequr qëllimisht çelësin nga trina, kurse Sharli kujtonte
se kishte humbur.
Rodolfi, që ta lajmëronte, i hidhte një grusht rërë mbi grilat e dritares. Ajo
ngrihej përnjëherë; mirëpo kishte raste që duhej të priste, sepse Sharli kishte
maninë që kur fillonte të llomotiste në qoshe të zjarrit, s’dinte të pushonte. Ajo
hante veten me dhëmbë nga padurimi; po të ishte e mundur, vetëm me vështrim
kishte për ta flakur të shoqin nga dritarja. Më në fund ajo fillonte të vishej me
takëmet e natës dhe pa e prishur fare terezinë, vazhdonte të lexonte, sikur po
zbavitej me lexime. Mirëpo, Sharli që ishte tashmë në shtrat, e thërriste të
shkonte të flinte.
- Hajde pra, Ema, - i thoshte ai, - është koha të biem.
- Po, po, ja erdha! – i përgjigjej ajo.
Sakaq, meqë e verbonin qirinjtë, ai kthehej nga ana e murit dhe e zinte
gjumi. Ndërsa ajo, ia mbathte, duke mbajtur frymën, me buzëqeshje në fytyrë,
me të dridhura të forta në trup, e veshur vetëm me petkun e dhomës.
Rodolfi mbante një pallto të madhe; e pështillte me të të tërën, dhe, duke i
hedhur krahun për beli, e çonte deri në fund të kopshtit pa folur asnjë gjysmë
fjale.
Shkonin nën tendë, mbi po atë stol me shkopinj të kalbur ku dikur Leoni e
shikonte me aq dashuri, mbrëmjeve verore. Tani asaj as që i shkonte më mendja
për të!
Yjet
e shndritshme dukeshin nëpërmjet degëve të jaseminit pa gjethe.
Mbrapa tyre, ata dëgjonin rrjedhjen e lumit, dhe, herë pas here, në breg
të tij,
kërcitjet e kallamave të thatë. Aty-këtu zmadhoheshin në errësirë ca si
grumbuj
hijesh, dhe nganjëherë, duke u dridhur të tërë përnjëherësh, ngriheshin
përpjetë
e përkuleshin si dallgë të zeza pa anë e fund që vinin deri aty për të
mbuluar ata
të dy. Të ftohtët e natës i bënte të shtrëngoheshin edhe më fort me
njëri-tjetrin;
ofshamat që u dilnin nga buzët u dukeshin dhe më të fuqishme; sytë e
njëri-tjetrit që mezi i shquanin, u ngjanin edhe më të mëdhenj, dhe, në
atë qetësi të
plotë, kishte fjalë që i shqiptonin me zë fare të ulur dhe që u binin në
shpirt me
një kumbim kristalor dhe ushtonin me dridhje të shumëfishuara.
Netëve
me shi, strehoheshin në dhomën e vizitave të të sëmurëve,
ndërmjet depos dhe stallës. Ajo ndizte një nga shandanët e kuzhinës, që e
mbante fshehur mbrapa librave. Rodolfi zinte aty vend si në shtëpinë e
tij. Kur
shihte bibliotekën dhe tryezën e punës, me një fjalë dhomën mbarë, e
kapte një
gaz i marrë; dhe s’rrinte dot pa bërë në kurriz të Sharlit gjithë ato
shaka, të cilat
e vinin në siklet Emën. Asaj ia donte zemra që ai të ishte më serioz dhe
bile-bile më dramatik, po të vinte puna, si atëherë që iu duk se dëgjoi
në udhën e
kopshtit një zhurmë hapash që afroheshin.
- Dikush po vjen! – i tha ajo.
Ai fiku dritën.
- I ke me vete pisqollat?
- Përse?
- Po... për t’u mbrojtur, - vazhdoi Ema.
- Nga yt shoq? Ah! i ziu ai!
Dhe Rodolfi e përfundoi fjalinë me një gjest që donte të thonte: “Do ta
bëja përshesh me një çokë.”
Ajo u habit me trimërinë e tij, megjithëse ndjeu në të njëfarë vrazhdësie
dhe harbutërie të rëndomtë që e skandalizoi.
Rodolfi e shoshiti gjatë e gjerë atë çështjen e pisqollave. Po ta kishte
pasur ajo me gjithë mend, kjo i dukej tepër qesharake, thoshte me vete, bile e
ndyrë, sepse ai vetë nuk kishte asnjë arsye të urrente Sharlin që ishte njeri dede
dhe që s’ishte nga ata që i gërryen xhelozia; pastaj lidhur me këtë, Ema i kishte
bërë një betim të madh, që ai nuk e honepste dot.
Veç kësaj ajo po bëhej shumë sentimentale. Prandaj u desh të shkëmbenin
portrete në miniaturë, morën nga njëri-tjetri tufa flokësh të prera, dhe tani ajo
na i kërkonte një unazë, një unazë të vërtetë martese, si shenjë lidhjeje të
përjetshme. Shpesh herë i fliste për kambanat e mbrëmjes dhe për zërat e
natyrës; pastaj i fliste për të ëmën e saj, dhe për të ëmën e tij. Rudolfit e veta i
kishte vdekur qysh prej njëzet vjetësh. Megjithatë Ema e ngushëllonte me fjalë
përkëdhelëse të shpëlara, sikur të kishte përpara ndonjë kalama jetim, dhe bile
nganjëherë, duke vështruar hënën, i thoshte:
- Jam e sigurt se ato të dyja atje sipër e miratojnë dashurinë tonë.
Mirëpo ja që ajo ishte aq e bukur! Rrallë herë kishte pasur ai femër kaq të
dëlirë! Kjo dashuri e zhveshur nga do lloj shthurjeje ishte për të diçka e re dhe
që, duke e shkëputur nga zakonet e shfrenuara, i përkëdhelte njëkohësisht si
sedrën edhe epshërinë. Dalldisja e Emës, që arsyeja e tij e shëndoshë prej
borgjezi e përbuzte, atij i dukej, thellë në shpirt joshëse, sepse i kushtohej vetes
së tij. Dhe atëherë, duke qenë i sigurt se e dashuronin, u çlirua nga
paragjykimet, dhe pa u vënë re, ndryshoi sjellje.
Ai nuk i thoshte më, si dikur, nga ato fjalë aq të ëmbla që ia mbushnin
sytë me lot, as nuk i bënte më nga ato ledhatimet gjithë afsh që ia merrnin
mendtë fare, kështu që dashuria e tyre e thellë, në të cilën ajo jetonte i zhytur,
vinte duke shteruar, si ai uji i një lumi që e përpin shtrati i vet, dhe ajo ia pa
tinën në fund. Nuk deshi ta besonte një gjë të tillë; ajo e shtoi dhembshurinë,
ndërsa Rodolfi e fshihte gjithmonë e më pak mospërfilljen e tij.
Ajo nuk dinte si të bënte, të pendohej që i ishte dhënë atij apo
përkundrazi, dëshironte të përgjërohej edhe më tepër për të. Poshtërimi i saj,
ngaqë e ndiente veten të dobët, i kthehej në mllef të cilin ia zbusnin epshet. Mes
tyre nuk kishte lidhje dashurore, por një lloj joshjeje të përhershme. Ai e kishte
vënë përfund. Ajo pothuajse e kishte frikë.
Megjithatë, në pamje të jashtme gjithçka dukej më e qetë se kurrë, për
arsye se Rodolfi ia arriti të bënte me këtë grua që tradhtonte të shoqin, siç i
tekej atij, dhe, pas gjashtë muajsh, kur erdhi pranvera, ata u gjendën njëri
përballë tjetrit si burrë e grua që mbajnë gjallë qetë-qetë flakën e vatrës
familjare.
Ishte koha kur xha Ruoi dërgonte pulën e detit në shenjë kujtimi për
këmbën e tij të shëruar. Dhurata vinte gjithmonë bashkë me një letër. Ema preu
fijen që e mbante pas shporte, dhe lexoi këta rreshta:
“Të dashur fëmijët e mi,
Shpresoj se kjo letër do t’ju gjejë shëndoshë e mirë dhe se kjo pulë do t’ju
pëlqejë më shumë sesa të mëparshmet, sepse më duket pak më e njomë, si të
them, dhe më e bëshme. Por herën tjetër, për të nderuar gojën kam për t’ju
dërguar një gjel fushe, veç në daçi më tepër ato të flamosurat, dhe më ktheni, ju
lutem, shportën, bashkë me ato dy të parat. Më polli belaja me hangarin, që iu
vërvit çatia mbi pemë një natë kur frynte një erë e tërbuar. As të vjelat nuk më
prinë aq mbarë. Nejse, nuk di se kur do të vi t’ju shoh. Sa të vështirë e kam të
largohem tani nga shtëpia, qysh se kam ngelur vetëm, e dashura Ema ime!”
Dhe këtu kishte një hapësirë boshe midis rreshtave, sikur plaku i shkretë
ta kishte lënë pendën dhe të ishte zhytur në mendime një copë herë.
“Në pyeçi për mua, mirë jam, me përjashtim të një rrufe që më zuri para
ca ditësh në panairin e Ivtotos, ku kisha shkuar për të zgjedhur një bari, pasi,
atë që kisha, e dëbova, se na ishte buzëpërdredhur. Ne e dimë ç’heqim me këta
derdimenë! Le që ishte edhe maskara.
Mora vesh nga një pramatar që kaloi këtë dimër nga fshati juaj dhe hoqi
një dhëmbë, se Bovariu punon shumë pa reshtur. E marr me mend, bile ai më
tregoi edhe dhëmbin; pimë nga një kafe bashkë. E pyeta në të kish parë, më tha
që jo, por që kishte parë në stallë dy kafshë, nga kjo arrij në përfundimin se
punët ju shkojnë fjollë. Më bëhet qejfi, fëmijët e mi të dashur, dhe i madhi zot ju
dërgoftë ç’t’ju dojë zemra!
Shpirti ma di sa keq më vjen që s’e njoh akoma mbesën time të dashur,
Berta Bovarinë. Kam mbjellur për të, në kopsht, posht dhomës tënde, një
kumbull dhe s’lë njeri t’i prekë kokrrat me dorë, se dua t’i bëj më vonë
komposto, që do ta ruaj në dollap për të, kur të vijë.
Mbeçi me shëndet, fëmijë të dashur. Të puth bija ime, ju gjithashtu
dhëndri im, dhe vogëlushen, në të dy faqet.
Mbetem, me shumë nderime,
Babai juaj i dashur.”
Teodor Ruo
Ajo ndenji disa minuta duke mbajtur mes gishtërinjve këtë copë letër të
rëndomtë. Aty gabimet e drejtshkrimit plekseshin me njëri-tjetrin, dhe Ema
ndiqte mendimin e urtë që kakariste nëpër to si ndonjë pulë gjysmë e fshehur në
një gardh ferrash. Bojën e shkrimit e kishte tharë me hi vatre, sepse asaj i ra pak
pluhur ngjyrë hiri nga letra mbi fustan, dhe iu duk gati-gati sikur po shihte të
atin duke u përkulur mbi vatër për të marrë mashën. Sa kohë kishte kaluar, që
s’ishte më pranë tij, aty mbi stol, afër vatrës, kur ajo ndizte majën e ndonjë
shkopi në flakën e madhe të xunkthave të detit që kërcisnin!... Iu kujtuan
mbasditet verore plot diell. Mëzat hingëllinin kur kalonte njeri pranë tyre, dhe
vraponin me të katra... Poshtë dritares së saj kishte një koshere, dhe nganjëherë
bletët, duke u vërtitur nëpër dritë, përplaseshin, e kërcenin mbi xhama si toptha
të artë. Eh, ç’kohëra të lumtura! Çfarë lirie! Çfarë shpresash! Sa shumë
ëndërrime! Tani s’kish ngelur asnjë prej tyre! Ajo i kishte konsumuar në tëra
ato aventura të shpirtit, në të gjitha kushtet me radhë, në vashëri, martesë dhe
dashuri, duke i humbur kështu vazhdimisht gjatë jetës, si ai udhëtari që lë diçka
nga pasuria e tij rrugës në çdo han që futet.
Po kush vallë e bënte kaq fatkeqe? Ç’ishte ajo gjëmë e madhe që e kishte
katandisur në tjetër njeri? Dhe ajo ngriti kokën duke vështruar rreth e përqark,
si të kërkonte shkakun që e bënte të vuante.
Mbi porcelanet e raftit vezullonte një rreze prilli; zjarri digjej; ajo ndiente
nën pantofla butësinë e qilimit; dita ishte e kthjellët, ajri i ngrohtë dhe ajo
dëgjoi fëmijën e saj që shkrihej gazit.
Dhe me të vërtetë, vajza e vogël po rrokullisej në ato çaste në lëndinë,
mbi barin që kishin mbledhur grumbull për ta tharë. Ishte shtrirë barkas majë
një mullari. Shërbëtorja e mbante nga fustani. Letibuduai mblidhte me grabujë
të kositurat aty pranë, dhe, sa herë që i afrohej, ajo përkulej duke përplasur
krahët në ajër.
- Ma sillni mua! – tha e ëma që vrapoi ta puthte. – Sa të dua, moj fëmijë!
Sa të dua!
Pastaj, si vuri re që ajo i kishte majat e veshëve pak të pisët, i ra
menjëherë ziles që t’i binin ujë të ngrohtë dhe e lau, i ndërroi ndërresat, çorapet,
këpucët, s’la pyetje pa bërë për shëndetin, si të ishte kthyer nga ndonjë
udhëtim, dhe më në fund, pasi e puthi përsëri dhe u ngashërye paksa e la në
duart e shërbëtores, e cila ngeli pa mend, nga kjo dhembshuri e tepruar.
Në mbrëmje Rodolfit iu duk më fytyrëngrysur se herët e tjera.
“Ka për t’u çelur, - mendoi ai, - kush e di ç’i ka shkrepur në mendje.”
Dhe nuk i doli në tri takime rresht. Kur erdhi sërish, ajo u tregua e ftohtë
dhe gati-gati mospërfillëse.
- Aha! Kot e ke, bukuroshja ime...
Dhe bëri sikur nuk i vuri re fare psherëtimat e saj të trishtuara, as shaminë
që nxirrte.
Pikërisht atëherë ajo u pendua!
Bile pyeti veten se përse nuk e shihte dot Sharlin me sy, dhe se mos do të
bënte më mirë po të mundohej ta donte. Mirëpo ai nuk i përgjigjej sa duhej
këtyre reagimeve ndjenjësore të saj, kështu që ajo vihej në siklet të madh nga
ajo dëshirë e zbehtë për të bërë sakrifica, kur papritur farmacisti, si me porosi, i
dha një rast të mirë.