Pages

Kapitulli 1 - Romani ''MISIONI SEKRET'' i Muharrem Blakaj



http://libratonline.blogspot.com/search/label/Misioni%20Sekret
Kapitulli - I
Tymi i gazit lotsjellës ishte ngjitur lart, deri te dritaret e banesës. Bardha, ashtu e tmerruar nga skenat e llahtarshme që i shikonte tutje në sheshin e gjerë, i mbylli dritaret. E strukur te këndi i dritares prapa perdeve, shikonte rrugën matanë, të mbushur plot me demonstrues. Turma brohoriste me të madhe. Të shtënat ishin shpeshtuar. Alarmi i makinave të policisë, si dhe buritë e makinave zjarrfikëse, e mbushën tërë qytetin dhe jehona e tyre dukej sikur e thernin kupën e qiellit, duke ua futur të dridhurat në palcë nënave, motrave, nuseve dhe fëmijëve, të dashurit e të cilëve gjendeshin midis turmës, duke u kacafytur me policinë. Nga rruga anësore Bardha pa të vraponin në drejtim të turmës trupat e njësisë speciale. Krejt në fundin e tyre pa të çapitej komandanti
i njësisë speciale. Ai dha urdhër për sulm. Të veshur me xhaketa antiplumb, me maska kundër helmeve, me helmeta në kokë, me mburoja në duar dhe me shkopinj, të gatshëm për të goditur, policët u futen si pykë në mes të demonstruesve. Të shtënat u shpeshtuan. Alarmet vazhdonin me tinguj të frikshëm dhe të përvajshëm njëherësh. Pasoi një rrëmujë e vërtetë. Dëgjoheshin britma të mbytura, fjalë teke, të shara, klithma, dhembje… o Zot! Sheshi filloi të boshatisej. Makinat e policisë silleshin vërdallë. Tymi i kaltër ngrihej përpjetë si re. Bardha pa sesi i arrestonin pjesëmarrësit në demonstratë, veçanërisht të rinjtë. Kishte edhe vajza që policët i godisnin pa mëshirë, të cilat, ashtu të gjakosura, duke i tërhequr zvarrë, i futnin në autoburg. Në mes të sheshit dalloi një njeri të shtrirë. Ai nuk lëvizte. Policia nuk i lejoi të afroheshin ca djem të rinj, të cilët u shkëputën nga turma dhe u sulën drejt tij. U bë një përleshje e vërtetë dhe pas pak dëgjoj të shtëna. Ata u goditën ashpër me shkopinj gome dhe, në fund, u tërhoqën në distancë. Pas pak të shtririn në mes të sheshit, policët e tërhoqën zvarrë, duke e hedhur në automobilin e policisë dhe, e ndjekur nga zhurmërima e alarmit, vetura mori drejtimin e spitalit. Ndoshta është vetëm i plagosur, mendoi Bardha me dhembje. Zemrën e kishte të ngrirë. Shpirti i përvëlohej, kur i shikonte ato skena rrëqethëse, pa qenë e zonja t’u dilte në ndihmë. Kishte merakun e vëllait. Ishte e pamundur që ai të mos kishte qenë në ballë të demonstruesve. Nuk i pritej derisa të vinte Feri. Ndoshta ai do t’i tregonte diç më shumë për ngjarjen. Pas pak nata mbështolli çdo gjë. Në rrugët e boshatisura nuk shihej njeri. Rrëmuja kishte mbetur, megjithatë. Dritat e neonit kishte kohë që ishin ndezur. Vetëm makinat e policisë kalonin përmes shesheve, duke lënë prapa zhurmën mbytëse. E molisur, Bardha u lëshua në minder. Se nga i erdh një urrejtje për komandantin e njësisë speciale, që kohë më parë kishte ardhur nga kryeqyteti. Befas ju kujtua biseda e parë që kishte pasur me gruan e tij, kur Feri i kishte ftuar për drekë në shtëpinë e tyre, pak kohë pasi ata e kishin pranuar detyrën e re. Gordana i kishte treguar për shkollimin e saj, për aventurat, dashurinë dhe martesën. Të gjitha këto sesi e kishin trazuar, edhe pse nuk ishte hera e parë që dëgjonte rrëfime të tilla nga vajzat apo nuset e fisit të gjerë të familjes së saj dhe të familjes së burrit. Këso rrëfimesh kishte dëgjuar edhe nga vajzat e fshatit, ku ishte rritur, ku ishte shkolluar dhe ku kishte dashuruar një herë në jetë. Por, aventurat e Gordanës i qenë dukur disi ndryshe. Në renditjen e ngjarjeve ajo herë pas here zinte në gojë hotelet, restorantet, baret, muzikën, diskotekat, pastaj argëtimet gjatë netëve, bile ndonjëherë deri në agim. Pastaj, ajo kishte zënë në gojë alkoolin, drogën… bërrrr, ishte rrëqethur e tëra, kur Gordana kishte përmendur drogën. Mentori i kishte treguar për efektet e drogës. Ai kishte takuar në kryeqytet të droguar dhe kishte parë veprimet, sjelljet, harenë, gëzimin e tyre, gjumin buzë trotuareve, agresivitetin dhe dehjen e atyre që e përdorin drogën. Gordana i kishte thënë se ndjehej shumë e mërzitur në këtë vend të humbur. Këtu unë nuk njoh askënd dhe assesi nuk po e gjejë veten në këtë shoqëri të re. Edhe serbët këtu me dukën sikur janë disi ndryshe, me ngjajnë më tepër si shqiptarë se sa serbë. Nuk e lidhi dot bisedën me ta! Pastaj, këto fytyra të urryera të shqiptarëve, o zot nuk i duroj dot! Më fal, Bardha, se nuk e kam fjalën për ty, i kërkonte falje. Bardha ishte inatosur. Shtriga, kishte thënë me vete. Ke ardhur këtu, të flasësh me atë gjuhën e gjarprit, si ata që të kanë dërguar. S’kam ç’t’i bëj burrit tim, se ty shpejt ta kisha treguar vendin! E shtrirë në shtrat, Bardha përpiqej ta largonte gjumin. Dëshironte me çdo kusht të priste derisa të vinte i shoqi. Ai po vonohej. Kishte shpresuar se sonte do të kthehej. Koha ecte dhe, si për inat, ai nuk po vinte. Kishte disa ditë që ai, pa asnjë shkak, nuk kishte bërë gjumë në shtëpinë e tij. As nuk i tregonte se ku shkonte, më kë rrinte, ç’bënte gjithë kohën rrugëve, restoranteve, hoteleve apo bareve. Bardha nuk e pyeste. Një herë kishte gabuar dhe e kishte pyetur, por ishte ndëshkuar rëndë. Qysh nga e mërkura, kur kishte shkuar në punë, nuk ishte kthyer më. Para se të martohej më të, ajo kishte menduar se në qytet ndoshta do të ishte më e qetë dhe plaga e rëndë e shpirtit do t’i shërohej. Mjerisht, nuk kishte ndodhur ashtu. Kishte ndodhur krejt e kundërta. Në vend që të gjente dashurinë që e kishte humbur dikur, kishte gjetur ferrin, bashkë me të nëmurit e tij; kishte gjetur përbuzje, nënçmim dhe pranga të vrazhda, që ia kishin lidhur të dy duart e saj të buta, në vend të hallëhalleve e byzylykëve. Në shpirtin e saj prapë kishte zënë rrënjë pema e mallit dhe kujtimet e shkuara. Çdo mëngjes, kur zgjohej nga gjumi, e ndiente një lloj ngufatjeje nga ajo qetësi e rëndë dhe e trishtë e asaj shtëpie të heshtur si varri. I vetmi ngushëllim i kishin mbetur lotët. Mbyllej në dhomën e gjumit dhe shkrehej në vaj. Edhe tani kujtimet i vinin vërdallë dhe ishte gati të shpërthente. I bëhej se ishte hirushe në këtë shtëpi plot mërzi. Me këto kujtime e kishte zënë gjumi. Si në ëndërr, e kishte dëgjuar kur i shoqi ishte shtrirë pranë saj me trupin e tij të ftohtë. Bërrrr, ishte rrëqethur një herë, pastaj ishte rrotulluar në krahun tjetër dhe, sakaq, ishte tretur thellë në gjumin e rëndë të mesnatës. Hapi sytë. Ishte dritë. Qenka gdhirë, mendoi, duke e hedhur vështrimin nga i shoqi që flinte qetë. Pastaj vështrimin e hodhi nga dritarja. Jashtë binte shi përzier me erë. Xhamat ishin të lagur. U ngrit qetë nga shtrati. Me pelerinën krahëve, u afrua edhe më pranë dritares. Dukej se jashtë bënte ftohtë. Era kryente me tallaze, duke hedhur shiun zhurmshëm në dritare. Gjurmët e rrëmujës së mbrëmshme dukeshin qartë në sheshin e gjerë. Bardha i shikonte nga dritarja. Mendjen e kishte të Mentori. Shikimin e hodhi nga shtrati, ku flinte i shoqi. Deshi ta zgjonte e ta pyeste, por, pasi qe afruar fare pranë, u pendua. Po të kishte ndodhur diçka e keqe, ai do ta kishte zgjuar që mbrëmë për t’ia thënë. Ai kënaqej kur në familjen e saj ndodhte ndonjë zezë ditë. I vinte keq vetëm për Ademin. Me hapa të lehtë hyri në banje. Dera kishte mbetur pakëz e hapur. Në brendi ajo dalloi uniformën e Ferit të hedhur pa kujdes në dysheme. E mori ta paloste, por në çast pa se qe përlloçur, ndërsa në mëngën e xhaketës kishte njolla gjaku. Ah! bëri me vete, qenka me gjak! Prapë?!... Mjerë ai që ka pasur punë me të! Si zakonisht, ajo filloi t’i kontrollonte xhepat e rrobave, në mënyrë që pastaj rrobat e palara t’i hidhte në shportë. Në xhepin e xhaketës prapë gjeti najlonin e vogël, me pluhurin e bardhë brenda. Nuk ishte hera e parë që në xhepat e tij gjente gjëra të tilla. Ai i kishte thënë se ky pluhur ishte ilaç, të cilin ia kishte preferuar mjeku. E mori me mend se ai kishte rrahur dikë, gjatë përleshjeve të mbrëmshme me demonstruesit. Kur ina10 tosej, ai ishte shumë agresiv, sidomos kundër atyre që ishin më të dobët se ai. Sa e sa herë e kishte përjetuar inatosin e tij mbi trupin e saj. Ia kishte mësuar mimikën dhe rregullat e tjera që kurrë në jetën e saj as që i kishte shkuar mendja se ekzistonin. Në prani te të tjerëve ata linin përshtypjen e një çifti të lumtur, për një dashuri të përsosur, për një çift të kulturuar, kurse në anën tjetër e provokonte pa shkak, derisa ajo e humbiste durimin. Pastaj e shtronte në dajak. Derisa ajo ishte nën peshën e vuajtjeve të shkaktuara nga rrahja, ai nuk e linte të qetë, i hidhej mbi trupin e saj fillak dhe i shfrynte epshet e tij shtazarake. Pas gjithë këtyre vuajtjeve, pasonin miklimet dhe fjalët e mëdha të dashurisë. Sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, ai ishte edhe gjysmë narkoman. I kishte rastisur disa herë ta gjente në dhomën e gjumit në agoni të trishtë, apo të tretur thellë në ekstazë. Herën e parë, kur e kishte parë, ishte stepur nga tmerri. Sikur ta kishte lajmëruar dikush, kishte ardhur Mentori. „Sa mirë bëre që erdhe! Të lutem, shpejt, shpejt se ai po vdes!“ – kishte thirr Bardha e tmerruar, pa u përshëndetur fare me të. „Kush po vdes? Ç’ka ndodhur!?” “Feri!… Eja në dhomën e gjumit!” Mentori kishte hyrë me të shpejtë në dhomë. Era e rëndë e mariuhanës e bëri Mentorin të dridhej. Ishte e mundur që edhe dhëndri i tij ta përdorte drogën?! O bobo, edhe policia qenka e droguar?! “Mos u shqetëso, Bardha. Nuk ka gjë. Është i droguar. Do t’i kalojë shpejt!” – i kishte thënë Mentori. Bardha nuk kishte dashur t’i besonte. Pastaj i kishte 11 treguar se çfarë duhani kishte pirë. “Ky është duhan burrash, duhan kaçak”, i kishte thënë ai. Në mënyrë të tërthortë Bardha ishte përpjekur që marrëdhëniet me Babiqin të ftoheshin. Të vepronin si edhe të tjerët, ngadalë dhe pa u vërejtur të largoheshin dhe… “Mbylle moj ti, kur u bërë ti të këndosh këtu? Ti s’di gjë!“ – e kishte ndërprerë Feri dhe kishte vazhduar: „Ne kemi nevojë për të, prandaj duhet të mos i shkëpusim marrëdhëniet e mira që i kemi. Është kohë e keqe, s’i dihet, ndoshta do të na nevojitet ndonjëherë.” Bardha i kishte treguar se Babiqi nuk ishte serioz me të, kishte një shikim jo të zakonshëm, pastaj kishte shumë dëshirë të fërkohej rreth saj, me një kujdes të tepruar. „Ka bërë shaka me ty“, i kishte thënë Feri. Bardha i kishte treguar Mentorit, i cili kishte marrë flakë, sa pastaj ishte penduar pse kishte folur. Kishte frikë se do t’i dilte të vëllait ndonjë telashe me të, gjë që Bardha nuk e dëshironte. Edhe pa telashet e saj, Mentori kishte mjaft telashe me policinë. I mori rrobat dhe u vesh. Doli në rrugë. U nis drejt dyqanit për të blerë bukën. Në çdo skaj të rrugës shiheshin gjurmët që kishin lënë demonstruesit një natë më parë. Gurë të shpërndarë, shishe të thyera, copa dërrasash, gëzhoja, këpucë të mbetura teke gjatë shpërndarjes së turmës, rroba, pllakate të shkatërruara, parulla, trakte dhe copa gazetash. Te fundi i rrugës së gjatë dukeshin punëtorët e ndërmarrjes “Putnik”, që kishin filluar pastrimin. Kohë e keqe, mendoi. Të gjithë shokët e tij e lëshuan punën, kurse ky... „Jo, jo, më mirë kështu“, i kishte thënë ai sa e sa herë, „ndoshta do të 12 rregullohet kjo gjendje dhe unë do të triumfoj... me kupton? Do të triumfoj!“ Furra e bukës ishte e demoluar. Dritarja ishte e thyer, kurse dera ndodhej disa metra larg, e përplasur në asfalt. E paskan shkatërruar edhe furrën, mendoi dhe prapë iu kujtua Mentori. Ai i kishte treguar se në demonstratat mëparshme kishte njohur Zllatkon me disa serb të tjerë, që ishin përzier me turmën e demonstruesve shqiptarë dhe pastaj kishin filluar nga shkatërrimet, thyerjet dhe demolimet e vitrinave, xhamave të dritareve, duke i vënë në shënjestër dyqanet e rralla serbe, derisa ishin diktuar nga turma. Policia kësaj radhe e kishte arrestuar Mentorin, por me ndërhyrjen e Ferit ishte liruar. Në mënyrë të tërthortë, pastaj, i kishte kërkuar bashkëpunim. Mentori ia kishte zgjatur duart dhe i kishte thënë: „M’i vër prangat, por atë mos ma kërko kurrë. Nuk i kam mbajtur unë pesë vite burg për të bashkëpunuar me ty dhe me ata të sojit tënd“. Mori rrugën për te furra e Kalldrëm-Sokakut, e cila ndodhej në mes të qytetit. Edhe atje ishte e njëjta pamje. Me hapa më të shpejtë arriti te furra e madhe e qytetit. Nga larg dalloi se aty çdo gjë ishte në rregull. Këtë e vërtetonte grumbulli i njerëzve, të cilët prisnin para sportelit. Pasi mori bukën, me hapa të shpejtë u nis për në shtëpi. Kaloi pranë klinikës private të gjinekologjisë, të cilën nuk kishte shumë kohë që e kishte hapur një mjek i specializuar nga Beogradi. Thoshin se ishte shumë i aftë në punën e tij. Gordana këtë mjek e njihte qysh nga gjimnazi, kur kishte qenë nxënëse. Ai kishte qenë në klasën paralele me klasën e saj, por një vit më i ri se 13 ajo. Thuhej se ai ishte në gjendje që, vetëm me barëra popullore, gratë që nuk kishin lindur kurrë fëmijë, t’i bënte të pëlleshme. Prandaj edhe kishte ardhur këtu, që t’u dilte në ndihmë grave dhe nënave të reja. Fare në fillim, Feri i kishte thënë se edhe ajo duhej ta bënte një vizitë të ky mjek. Por Bardha nuk kishte pranuar. Kishte dëgjuar nga Merimani, nusja e Mentorit, të cilën të gjithë e thërrisnin me emrin përkëdhelës Meri, se ai kishte ardhur për t`i shteruar apo t`i shtynte drejt abortit nënat e reja shqiptare. Ndaj kishte pasur frikë të vizitohej te ai mjek. „Më mirë mos shko“, i kishte thënë i shoqi në një rast tjetër. „S’ke nevojë. Ti je shterpe!“ Kishte arritur te rruga e Terzive. Çdo gjë dukej e përmbysur, e hallakatur, e luajtur nga vendi, si të kishte ndodhur tërmet. Në skajin matanë rrugës, pa një veturë të ndaluar dhe katër policë që kontrollonin dy djem të rinj, të heshtur dhe me duar të lëshuara poshtë. U tmerrua kur dëgjoi të përmendej emri Mentor, nga njëri polic. Për një çast iu duk sikur vërtet ishte Mentori dhe, sakaq, me hapa të shpejtë u drejtua nga policët. Në fillim e gënjyen edhe sytë, por kur u afrua më pranë, u qetësua. Nuk ishte Mentori, edhe pse nga larg iu duk ashtu. Ishte dikush tjetër. Pasi mori frymë pak e lehtësuar, me dëshpërim vazhdoi rrugën. Nga prapa shpine dëgjoi zërin e njërit nga policët, duke bërtitur dhe duke sharë me fjalë fyese. Këto sharje e bënë që të kthente kokën prapa. Ishte kureshtare të dinte se si do të përfundonte fati i atyre çunave. Edhe pse nuk i njihte, kishte dhembje dhe parandjenjë ogurzezë për ta. Kur i pa policët të hakërryer duke goditur me gjithë fuqinë që kishin mbi trupin e kërrusur të çunit, zemra ra iu tkurr, sikur trumcakut kur e sulmon skifteri. Nga pesha e të rënave, çuni u kërrus pakëz nga e majta dhe bëri të largohej, por nga ana tjetër mori një goditje të fuqishme nga polici tjetër, pastaj edhe disa goditje të tjera, derisa u plandos përtokë. Shoku i tij u përpoq t`i vinte në ndihmë, por edhe ai e pësoi të njëjtin fat. Ashtu, me fytyra të gjakosura, ua lidhën duart dhe i futën në autoburgun e policisë. Bardha u trishtua nga kjo skenë. Nuk ishte hera e parë në jetë që shihte policët duke i torturuar të tjerët. Këto ishin bërë tanimë skena të përditshme. Kështu i torturon të rinjtë edhe Feri… o Zot, të dyja duart ju thafshin! Nëmi me gjithë afsh dhe me zë të lartë. Ishte një skenë e tmerrshme, që për një çast e la të lemerisur, në mes të trotuarit, duke e mbajtur dorën te goja. Tani iu kujtuan fjalët e Ferit, që ia kishte thënë sa e sa herë, se çdo ditë e më tepër gjendja po shkonte duke u përkeqësuar dhe për policët ishte shumë e vështirë të qëndronin në krye të detyrës. Këta s`duan të dinë për rregullat, për ligjet, por dalin në rrugë si të tërbuar, thërrasin e brohorasin lloj-lloj parullash, pastaj bëjnë teatër nxënësit se gjoja janë helmuar nëpër shkolla, e dokrra të tilla! Dokrra i duken atij, ishalla kryet e vet e hanë këta policët këtu, me gjithë atë policin tim atje, mendoi e tmerruar dhe me hapa të shpejtë iku në drejtim të shtëpisë. Mendimet i kishte të ngatërruara. E ndjente veten të lodhur dhe disi të harruar nga bota. Kishte kohë që nuk kishte kontakte me shumë shoqe, burrat e të cilave e kishin lënë punën e policit, sepse ata nuk ishin pajtuar me ndryshimet kushtetuese që kishin filluar të 15 bëheshin në mbarë Jugosllavinë. Pastaj, kontaktet me prindërit dhe me Mentorin ishin ftohur kohëve të fundit. Bardha ishte në pozitë të keqe. Në njërën anë Mentori ishte kundër këtyre ndryshimeve dhe ishte lidhur ngushtë me mbarë protestat gjithë popullore për ndalimin e këtyre ndryshimeve, kurse në anën tjetër Feri ishte për mbrojtjen e tyre dhe ishte i lidhur ngushtë me urdhrat që vinin nga kryeqyteti. Dallimet në mes tyre ishte thelluar dhe, sa herë që takoheshin, ata ziheshin me njëri-tjetrin. Në fund ndaheshin shumë të zemëruar. Sikur nuk mjaftonin të gjitha këto, ajo ishte e rrezikuar edhe nga ai ujku që i vardisej. E kishte kuptuar që nderin e burrit nuk e ruante dot, sepse ai nuk kishte nder fare, por ishte e vendosur ta ruante nderin e vet, të prindërve dhe të atij!… Ah sa budallaqe që bëhem! Nuk gjente qetësi. Skena që pak më parë e kishte parë në rrugë, disi e kishte molisur fare. Qëndronte në këmbë, prapa perdeve, me shikimin e humbur dhe të hedhur ashtu kot, diku në mesin e oborrit të shkollës së shkretuar. Sa tmerr ishte ta shikoje shkollën pa nxënës. Në vend të fëmijëve, në atë shkollë shiheshin ushtarë me mjekra të gjata, që çdo mëngjes në orën gjashtë zgjoheshin me zhurma të frikshme. Sa herë që ndihej e mërzitur dhe e vetmuar në këtë shtëpi të zbrazët, Bardha afrohej pranë perdeve dhe me shikimin e mbërthyer në oborrin e boshatisur të shkollës, tretej në kujtimet e së shkuarës. I dukej se e dëgjonte zilen e shkollës, kur i binte axha Lekë, atje, në fshatin e saj. Dhe, ja, si vraponin fëmijët të futeshin në rresht. Pastaj, kur mësuesja u jepte shenjë, ata i lëviznin këmbët e tyre të vogla në mënyrë të harmonishme dhe hynin në klasë. Ja dhe 16 fusha e sportit, bosh… dhe në fundin e saj muri i ulët, me kangjellat e ndryshkur sipëri. Për një çast ju duk se e pa Besën, e cila atëherë ishte e rritur dhe ashtu kokulur truponte oborrin e shkollës, me çantën e librave të hedhur në krah. Kalonte murin, duke u mbajtur pas hekurave të rrethojës dhe dukej se, që andej, nisej për në shtëpi. Te kaçubet, tutje, e priste Keri. Bardha i kishte parë shumë herë, të lidhur dora-dorës, duke biseduar me zë të ulët dhe duke i buzëqeshur ëmbël njëri-tjetrit. Sa të lumtur i qenë dukur. Sa mirë! Sa qejf! kishte menduar me vete, duke ndaluar hapin për t’i parë sa më gjatë ashtu. Si nëpër ëndërr. Iu kujtua se, pasi kishin përfunduar atë vit shkollor, kishte dëgjuar se Besa kishte lindur një djalë… „Marrja e zotit! Lindi kopil!“ - i kishte dëgjuar kur thoshin të rriturit. Bardha kishte mësuar shumë vjersha epike. Ato i gjente në librat e trashë të Mentorit, të cilat me ëndje i mësonte dhe ia recitonte babait, i cili i regjistronte në shiritin e manjetofonit dhe i merrte me vete në Zvicër, ku ishte duke punuar. Bardha shumë herë e kishte parë babin e saj duke i fshirë lotët, kur ajo e recitonte „Këngën e Rozafatit“. Edhe në shkollë, kur ajo recitonte, të gjithë e dëgjonin me vëmendje. Disa herë ajo ishte shpallur recituesja më e mirë shkollës dhe kishte marrë dhurata nga drejtori. Sesi iu kujtuan vargjet e një vjershe, të cilën, kur qe dashuruar me Agronin, e recitonte me gjithë afsh, sepse tamam ashtu e kishte pritur, që trimi të vinte e ta rrëmbente, sikur se djali që e kishte rrëmbyer atë vashën belkëputur të poezisë… dhe në heshtje filloi ta recitonte, por kësaj radhe me lot në sy. 17 …thoni se tek burimi me të parë fluturën, thoni se ç’e zuri trimi atë belkëputurën… ...dhe në vend që të dëgjonte zërin e mësueses kur i thoshte „shkëlqyeshëm“, ajo ndjeu derën të hapej dhe që andej të dilte Feri, si lugat. * “Punët i kam keq“ – i tha i shoqi, porsa hyri në dhomën e pritjes. “Pse, ç`ka ndodhur?“ – pyeti disi e shqetësuar, duke qenë akoma nën presionin e ngjarjes që pak çaste më parë e kishte parë në rrugë. “Mbrëmë janë vrarë dy policë.“ “E pastaj?“ – pyeti ajo, pa interes. “Gjatë përleshjes me demonstruesit, më ka humbur revolja. Kur turma u shpërnda në një skaj të rrugës, në trotuar, ishin gjetur dy policë të vrarë. Unë e lajmërova rastin për humbjen e revoles. Pastaj më dërguan te komandanti i njësisë speciale, i cili për dy orë me mbajti në arrest. Assesi nuk bindej se vërtet më kishte humbur revolja. Ai më tha se, pasi të bëhej ekspertiza, do të zbardhej çdo gjë”. “I pe ti policët e vrarë?” “Jo, nuk i pashë!” “Kush të tha se janë vrarë?” “Babiqi.” “Pse ke frikë, pra? Ti e ke Babiqin që të mbron! E ke ruajtur për këtë ditë!“ – ia ktheu Bardha me ironi. 18 “Në fillim ashtu mendova edhe unë, por tani, pasi bisedova gjerë e gjatë me të, me duket se çdo gjë ka ndryshuar… Të shohim! Këtë punë nuk e di askush, përveç nesh. Edhe gazetat do të shkruajnë se ata e kanë humbur jetën aksidentalisht, në krye të detyrës. Do të shpallen heronj, kurse hetimet do të vazhdojnë në mënyrë sekrete”. “Kundër teje?” – pyeti Bardha. “Ndoshta, të shohim se çfarë do të sjellë ekspertiza.” Ra heshtja. Bardha iku në kuzhinë, që të përgatiste kafenë e mëngjesit, kurse Feri mbeti në dhomë, me fytyrë të ngrysur. Ishte ndoshta tepër vonë të ndërmerrte diçka. U përpoq me kot ta sillte ndërmend rrjedhën e ngjarjes. Bëri edhe një herë rikonstruktimin e ndodhisë, duke rikujtuar sesi kishte mundur t`i humbte revolja, më kë ishte kacafytur, cilin e kishte goditur me shkopin e gomës, distanca, lëvizjet, rrotullimet, përleshjet dhe mundësia që kundërshtari t`ia rrëmbente revolen nga brezi, pa e diktuar ky fare. Megjithatë, një gjë e kishte të qartë: Që në fillim të përleshje e kishte diktuar Stojanin që sillej rreth tij, në vend që të sulmonte turmën. Në fillim kishte menduar se këtë e bënte nga frika. Ndoshta ai... kush e di?! Për të satën herë e solli ndërmend bisedën e gjatë e të mundimshme që kishte pasur me Babiqin: „Ti je njëri ndër shqiptarët e rrallë, që akoma ndodhësh në mesin tonë. Ne kemi besim të plotë në ty, ndaj edhe të mbajmë pranë. Ndodhi një vrasje, ta zëmë! Mirë. Në kohë trazirash, ndodhin edhe vrasje, por, megjithatë, kjo vrasje nuk do të kishte peshë të 19 madhe, sikur të kishte ndodhur në një kohë dhe vend tjetër. Ne duhet t’i zhvillojmë hetimet, por jo në adresën tonë. Nuk do t’i kërkojmë kriminelët në radhët tona, edhe nëse vërtet ata ndodhen mes nesh. Pra, kriminelët do t’i kërkojmë në adresë të armiqve tanë, edhe nëse ata nuk ndodhën në mesin e tyre. Dhe, ja, fare lehtë u gjend zgjidhja. Me kaq problemit i vihet kapak. Por, a mjafton kjo? A e kemi përfunduar detyrën tonë? Unë them, jo! Ti sigurisht se do të pyesësh: pse? Unë do të përgjigjëm se terroristët shqiptarë po bashkohen secilën ditë e më tepër kundër nesh. Ata kanë avancuar shumë në punë të kundërshtimit të ligjit, por ajo që është më e tmerrshmja, më e rrezikshmja, pra, është se ish-kolegët tuaj, që e kanë braktisur detyrën e policit, ata që e kanë braktisur detyrën e ushtarakut, intelektualët, mjekët, mësuesit, po përgatisin plane të fshehta kundër nesh. Ata kanë krijuar polici paralele, institucione paralele dhe, ç’është më e keqja dhe më e rrezikshmja për ne, ata kanë krijuar edhe Ministri të Mbrojtjes, mu nën hundët tona! Ç’i thua ti kësaj, ë?... Ti mund të na ndihmosh. Ndaj unë pres nga ti më shumë. Ti ke lidhje me ushtarakë, ndaj përdori taktikat tuaja dhe më se largu pasnesër, dua një raport në lidhje me ushtarakët. Më kupton? Po e përsëris: për ushtarakët! Nëse nuk sjell gjë, mjerisht, ne duhet t’i fillojmë hetimet kundër vetes sonë. E kam fjalën, kundër teje. Është tragjike, apo jo?!” Bardha i solli kafetë. Feri sikur u përmend. Pasi u shkund pak, mori filxhanin në dorë. Bardha e shikonte profilin e fytyrës së tij të hequr, hutueshëm. Nuk kishte guxim ta pyeste për Mentorin. Në këso rastesh, ai 20 të mbetej në qafë për hiçgjë, e jo ta pyesje për ata që gjatë gjithë natës kishte luftuar kundër tyre. Shenjat e trishtimit ai nuk i fshihte dot. E ndjeu se ai ishte i mbushur me pezëm dhe para se të zbrazej, e pa të udhës të largohej. Feri e ndoqi me sy, kur ajo çapitej për të dalë në dhomën tjetër. I pëlqente kjo çapitje e saj, por kësaj radhe nuk i bëri përshtypje. E ndjeu të rëndësishme të fillonte nga detyrat, pa humbur kohë. “Bardha, bëhu gati se do të dalim!” – tha me një zë lutës, që ishte jashtë zakonit të tij. “Ku?” – pyeti Bardha, duke larguar blerin e flokëve nga fytyra. “Përgatitu, thash, e mos pyet shumë!” Ishte fillimi i prillit. Koha ishte e ftohtë dhe me shi. Fusha kishte filluar të bleronte. Pemët kishin nxjerrë sythat. Në rrugë pellgjet ishin mbushur me ujë. Diku të fshehur nën strehë, zogjtë kishin filluar të këndonin. Bardha rrinte e ulur në ndenjësen e parë të veturës. Vështrimin e mbante diku jashtë, duke i përkëdhelë butësisht me shikimin e saj shkurret dhe kaçubat, që dukej se iknin vetëtimthi prapa, kur vetura afrohej pranë tyre, sikur edhe ato të ishin të frikësuara nga polici i saj, edhe pse tani ishte i konvertuar në civil, por njësoj i rrezikshëm. Feri e ngiste veturën me atë pamjen tij të rëndë. Nuk fliste. Shikonte tutje rrugën dhe, herë pas here, shante nëpër dhëmbë, kur rrota e veturës binte në ndonjë pellg. Në kohën e drekës, arritën në fshat. Në dhomën e pritjes, përveç nënës, ishte edhe gjyshja. E shtrirë në minderin e saj, ajo kalonte ditët e fundit të jetës, në atë pleqëri të thellë, duke u treguar stërnipave dhe stërm21 besave përralla të bukura. Kur Bardha e përqafoi, ajo ndjeu të ftohtit dhe me zërin e saj të shterur, pyeti: “Qenke bërë akull, moj bijë. Është ftohtë jashtë?” “Si në dimër, gjyshe!” – u përgjigj Bardha. “E, moj bijë, tash janë Plakat e Marsit“, - tha ajo mendueshëm. „U ngrohe tani ?” “Po gjyshe, u ngroha !” - ia ktheu Bardha, duke e shikuar me dashuri fytyrën e saj plot rrudha. Iu bë se çdo rrudhë në fytyrën e saj tregonte një brengë, një mërzi, një gjëmë apo një mall, që me vite iu kishin grumbulluar, duke krijuar rrudhë pas rrudhe dhe tani e plakur, e lodhur dhe e sfilitur ishte detyruar të shtrihej në shtrat dhe t’u nënshtrohej qetë peshës së tyre. Feri kishte zënë vend në minderin e gjerë, pranë dritares. Ademi i rrinte pranë, duke i uruar mirëseardhje. Mentori, me fytyrë të skuqur lehtë dhe me sy të qullur, rrinte pak i mënjanuar. Meri i solli kafetë. Pas përshëndetjeve të para, ra heshtja. Feri, me shikimin e tij zhbirues dhe të mprehtë prej spiuni herë shikonte Mentorin, herë Ademin, i cili me të rrallë kollitej, duke mbështjell duhan. “Kohë e keqe” – tha Ademi, sa për të thyer atë heshtje. Nuk u mor vesh në e kishte fjalën për motin e lig, apo për situatën politike, e cila ishte rënduar tepër kohëve të fundit. Sikur ishte duke e pritur këtë fjalë, Feri u lëkund qetë, duke zënë vend më mirë në minder dhe duke marrë pamje serioze. Sikur ajo fjalë të kishte qenë çelësi i muhabetit, ai, duke shikuar herë nga Mentori, herë nga Ademi, filloi të fliste për situatën: “Vërtet kohë e keqe! Mua me duket se politika serbe tani më është e tejdukshme. Të gjitha këto trazira 22 kanë një qëllim të caktuar: ruajtjen e gjendjes ekzistuese dhe të kufizimeve kushtetuese për shqiptarët. Askush nuk i sheh më mirë lëvizjet politike, se sa masat e gjëra!…” “Qenke bërë patriot, o dhëndër? Hajde, me hair, me hair! Që kur kështu?”- e ndërpreu Mentori, i befasuar me fjalët e tij. Ishte hera e parë që e dëgjonte duke mbajtur anën e popullit të vet. “Unë gjithmonë kështu kam qenë!” “Ti!? Po me gëzon shumë! Më sa e di unë, ti gjithmonë ke qenë në anën e shkieve. ‘Kosova nuk humb asgjë me ndryshimet kushtetuese’, ke thënë dikur!” “Pse i quan shkie?” – tha Feri me sedër të fyer. “Si ti quaj, pra?” “Serbë!” “Unë i quaj shkie me një emërtim shumë më të butë se sa emërtimi “serbë”, që ata e quajnë veten. Fjala serb rrjedh nga latinishtja, serpent, që do të thotë: gjarpër, kurse fjala shkie rrjedh nga fjala skizmë, që do të thotë: kishë e ndarë nga mospajtimet e brendshme. Pra, do të thotë ndarje, shqyerje e në këtë rast e ka kuptimin ortodoks.” “Ke të drejt, por, megjithatë, ata ndjehen të fyer nga ky emërtim. Edhe ne ndjehemi të fyer nga emërtimi i disa serbëve të pandërgjegjshëm që na quajnë ‘shiftari!’” “Pajtohem! Ne ndjehemi të fyer, nga se ata qëllimisht emërtimin ‘shqiptar’ e deformojnë në ‘shiftari’, kurse unë nuk e deformova emërtimin për ta, i cili zanafillën e ka nga koha e ndarjeve të kishave latino-romane, me ato greko-bizantine, në vitin 1054 dhe…” - 23 tha Mentori i nxehur dhe desh të vazhdonte, por në çast ndërhyri Ademi, siç dukej, për të larguar konfliktin: “Mbrëmë dëgjova se janë vrarë dy paramilitarë serbë. Di gjë ti si ka ndodhur?” - tha ai duke ndërruar temën e bisedës. “Kam dëgjuar se gjatë përleshjeve me demonstruesit janë vrarë dy policë, por rrethanat nuk i kam ende të qarta!” “Si? Policë të vrarë gjatë demonstratave!?” – pyeti Mentori kureshtar dhe vazhdoi: „Jo, jo, e ke gabim. Gjatë demonstratave është vrarë një demonstrues, një njëzet e një vjeçar nga fshati Eshkë dhe kufomën e tij e ka marrë policia!“ “Ne kemi dëgjuar se ata nuk kanë qenë policë, por paramilitarë dhe se janë vrarë për qërim hesapesh brenda tyre. Vrasja e tyre ka ndodhur në një lokal nate, e jo gjatë demonstratave”, – ndërhyri Ademi, duke mos e fshehur habinë. “Thash, nuk i kam të njohura rrethanat për këtë rast. Dëgjova se dikush është vrarë, por saktësisht nuk e di se kush dhe si ka ndodhur”, – tha Feri me një zë të zbutur dhe njëherësh ngriti vështrimin drejt Bardhës, e cila ishte bërë gati të fliste. Shikimi i rreptë i Ferit e bëri atë të ulte kokën. Feri e ndjeu veten në pozitë të keqe. Gjithë ato që i kishte menduar t’i shtronte në këtë ndejë gjoja të rastit, tani iu fashitën befas. Edhe me bisedën e fillimit ishte tradhtuar. E kishte ndjerë veten të pazotin, që t’i dilte mbanë qëllimit të depërtimit të tij në cakun për të cilin ishte i ngarkuar. Ishte e pamundur që brenda një kohe kaq të shkurtër ta bënte grumbullimin e të dhë24 nave që i kërkoheshin. Edhe prezenca e Mentorit ishte një pengesë serioze, bile në një çast iu duk pengesë e pakalueshme. Befas mendja i shkoj te kompromisi i dikurshëm që kishte pasur me Ademin, përmes të cilit atëherë kishte siguruar fejesën dhe martesën me Bardhën. Një fije e hollë shprese ia përshkoj gjithë fytyrën dhe buza i shkoj në gaz. Mentori, ashtu me sy të qullur dhe të skuqur, u ngrit dhe doli. Bardha i shkoi pas. Në dhomë ra heshtja. Pas pak iku edhe Meri, duke lënë vetëm Ademin me Ferin dhe gjyshen plakë, e cila tani kotej e ulur në divan, pranë stufës. “Me duhen shënimet e Mentorit!” – tha Feri me zë pëshpërime, duke e zgjatur kokën pranë veshit të Ademit. “Cilat shënime?” – pyeti Ademi me sy të zgurdulluar nga kjo kërkesë e papritur e Ferit. “Shënimet që i ka marrë gjatë mbledhjeve!” “Kush i ka marrë?“ – pyeti Ademi i befasuar, pa qenë në gjendje të kuptojë se për çka ishte fjala. “Mentori, thash! Mua me duhen sa më parë ato shënime, që ai i ka marrë gjatë mbledhjeve! Shfrytëzoje rastin, kur ai nuk është në shtëpi dhe merri. Sa më parë m’i sill! A more vesh?” “Luj vendit, he burrë!” – tha Ademi, duke i ra në të kërkesës së tij. “Hë!... Unë nuk të luta, por të urdhërova! Prandaj, po e përsëris edhe një herë: Të gjitha shënimet i dua nga ti! Mos, vallë, e ke harruar që të kam në dorë e të shtypi si pleshtin, kur të dua, ë!? E harrove atë që e ke plagosur për vdekje dikur? E harrove mbrojtjen 25 time?...” – ia ktheu Feri me një zë të ulët dhe kërcënues bashkë. “Jo, nuk i kam harruar, por… Për kompromis, Bardhën e kërkove atëherë, Bardhën e more… kurse kjo kërkesë e sotme me dukët e tepërt”, – tha Ademi pak i zbutur. “Leri ato tani!… Afati është i shkurtër. Më se largu nesër në mëngjes i dua. Sa për fillim, bën t’i sigurosh edhe pjesërisht, pastaj shohim”, – tha Feri, pa ia vënë veshin ankesave të Ademit dhe përnjëherësh u ngrit në këmbë. – „Bardha le të mbetët këtu për disa ditë“, – tha ai dhe doli. * Koha ishte të paraqitej të shkonte te gjykatësi hetues, për të dhënë deklaratën mbi humbjen e revoles dhe për rastin e vrasjes se policëve. Pasi mbërtheu edhe kopsën e fundit të xhaketës, u kujtua se nuk e kishte përgatitur raportin me shkrim. Në ndonjë rast tjetër, ky raport nuk do të kishte peshë aq të madhe. Zaten, kjo i kishte ndodhur në krye të detyrës. Por, vrasja e dy policëve ishte thelbi që ngatërronte çdo gjë. Humbja e revoles, kush e gjeti? Ku e gjeti? Dhe, në fund, zbrazja e disa plumbave mbi policët dhe hedhja e revoles në prapavijë, atje ku ishte komanda. Se si i dukej e gjithë kjo. Ku u zhduk pastaj Stojani? Gjatë gjithë përleshjeve, nuk e pashë më, bile as kur turma u shpërnda. Dreq o punë! Raportin zyrtar do ta shkruaj pastaj. Tani duhet të jap një deklaratë formale… mos vallë Stojani?… Një pjesë të kolegëve të punës i gjeti në sallë. Rrinin të heshtur. Kur Feri u duk në derë, të gjithë e kthyen 26 kokën nga ai. Për një moment iu bë se kokat e tyre ktheheshin aq ngadalë nga ai, sikur të kishin përdredhje qafe dhe çdo lëvizje e kokave të tyre bëhej me një „ngërç“ të zgjatur, si hapja e derës së pojatës së vjetër, atje në fshat. U afrua pranë vendit të tij të përhershëm dhe tërhoqi karrigen që të ulej, por Stojani e ftoi të ulej pranë tij. Ende pa u rehatuar në karrigen e drunjtë, në derë u duk një burrë i veshur civil. Ishte një punëtor i ri, që kishte ardhur nga kryeqyteti, specialist në degën e kriminalistikës. Sot ishte hera e parë që e takonte. Pasi shikoi të gjithë me radhë, vështrimin e ndali te Feri. Ngriti dorën dhe e drejtoj kah ai. Me një lëvizje të ngadaltë të gishtave, ia bëri me shenjë që ta ndiqte pas. Kishte shumë vite që punonte në këtë kolektiv, por asnjëherë nuk kishte qenë në këtë zyre. Kurrë nuk i kishte shkuar ndërmend që në këtë ndërtesë mund të kishte kthina të tilla, sekrete. E po, ndërtesë shtetërore, mendoi. Burri që e përcolli i tha se duhej të priste pak. Për çudinë e tij, ai, pasi doli, e mbylli derën nga jashtë. E dëgjoi rrotullimin e çelësit në bravë. Ndoshta iu duk. Provoi ta hapte derën, por ajo vërtet ishte e mbyllur. Tani çdo gjë është e qartë, mendoi, jam i arrestuar. Ç`po ndodh me mua, vallë? I kishte rënë të rrinte i vetëm në dhomë me derë të mbyllur, por kurrë nuk i kishte shkuar në mendje se një mbyllje dere nga ana e jashtme, nga një person tjetër, mund të shkaktonte një zbrazëtirë kaq të madhe në shpirtin e tij. Për një çast vetja iu duk krijesa më e mjerë në botë. Iu duk se ishte njeri i braktisur, i tretur, i humbur, që askujt nuk do t’i dhimbsej, madje as Bardhës. Pritja në këtë zyre ishte tmerrësisht e gjatë. Dera 27 e zyrës ishte e veshur më saftjan të zi dhe në shumë vende, në formë paralele, ishte e mbërthyer me pulla, të cilat ishin të tërhequra me forcë nga ana e jashtme, ku formoheshin në mënyrë të harmonishme disa gjysmë gropëza të vogla. Dera duhej të ishte shumë e trashë, ndoshta edhe e blinduar. Në çast iu kujtua se kjo dhomë duhej të kishte edhe dritaren. Ktheu kokën nga ana e kundërt e derës dhe pa një dritare mesatare, me perde të lëshuar deri poshtë mbi qilim. U afrua më pranë dhe në anën e jashtme të dritares pa hekurat e trashë vertikal. „O perëndi, ku ndodhëm kështu?“ - pyeti veten i tmerruar dhe i tëri zu të dridhej. „Kjo nuk është aspak e drejtë të më mbyllin këtu! Do të kërkoj të më dërgojnë menjëherë të drejtori. Unë, edhe pse e kam kryer punën e policit, jam ekspert i diplomuar i zbulimit dhe kundërzbulimit. Nuk ma hedhin dot mua. Unë nuk vras policë. Nuk ka asnjë provë!“ Ndryshimi i tillë nga jeta normale dhe kthimi i ngjarjeve në anormalitet, si dhe këto që i përjetonte, i dukej se të gjitha këto nuk ishin të vërteta. I bëhej se ishte në një makth, që ia kishte mbërthyer tërë qenien e tij, sikur të ishte në ëndërr të një nate të gjatë dimri, kur acari dhe stuhia, e mbështjellë me borë dhe e përzier me uturimën e ujqërve, e kishte rrethuar nga të gjitha anët. Në çastin kur i humbi shpresat se do t`ia hapnin derën, u dëgjua rrapëllima e bravës nga ana e jashtme. Ishte po ai që më herët ia kishte mbyllur derën. Edhe kësaj radhe, si edhe më parë, zgjati dorën dhe i dha shenjë që ta ndiqte pas. „Ku po më çon, vallë?“ “Më falni, por desha të di se kush jeni ju, ku po 28 me çoni dhe ç`lojëra po bëni me mua?” “Hyr në këtë dhomë, të lutem”, – tha ai, duke ia hapur derën. Edhe kjo ishte një kthinë tjetër, që nuk i kishte rastisur ta kishte parë ndonjëherë më parë. Porsa hyri brenda, u përsërit skena e njëjtë. Dera u mbyll nga jashtë. Dallimi ishte se këtu ishte terr, nuk kishte dritare. Në të majtë, lart në tavan ishte varur një llambë elektriku, me një dritë jashtëzakonisht të dobët. Në atë gjysmerrësirë dalloi siluetën e një burri, që i doli para nga e djathta. Ashtu i trembur nga kjo befasi, deshi të pyeste se kush ishte, por në çast në anën e poshtme të gjoksit ndjeu një të goditur grushti, sa që edhe frymëmarrja ju ndërpre. I gërmuqur dhe pa mundur t`i mbushte mushkëritë me ajër, përjetoi edhe një goditje të dytë në fytyrë dhe ndjeu trupin e tij që tani më nuk e kishte nën kontroll, të mbështetej pas murit. Se nga kishte mbirë edhe një burrë tjetër. Nuk qe më në gjendje t`i numëronte të rënat. Ju bë se u përplas diku pas murit, por sakaq e kuptoj se nuk ishte përplasur gjëkundi, por ishte rrëzuar mbi dysheme. I kujtohej se në fillimin e goditjeve kishte dëgjuar një klithmë, por nuk e dinte se e kujt kishte qenë. Ndoshta e atij vetë. Bëri përpjekje që të ngrihej në këmbë, por ndjeu goditje mbi kurriz, sa që e plandosi për dysheme. Goditjet vazhduan edhe ca, por tani, për çudi, nuk i ndiente më dhembjet e tmerrshme, si ato të fillimit. Pasi erdhi në vete, hapi sytë. Ishte qetësi absolute. Bëri të ngrihej, por nuk ia doli. Ndjeu dhembje të tmerrshme, pothuaj në të gjitha pjesët e trupit. Në fillim iu duk se edhe gjymtyrët i kishte të thyera. Fy29 tyrën e kishte të përgjakur. U përpoq të fshinte gjakun me mëngën e xhaketës. I dha vetes me të gjitha forcat dhe arriti të ulej disi. Deshi të ngrihej në këmbë, por as këmbët nuk i bindeshin më. E ndiente një shkapërderdhje në trup, që nuk e kishte përjetuar asnjëherë në jetën e tij. Nuk i kujtohej që ndonjëherë të kishte përjetuar një zbrazje kaq të tmerrshme, sa shpirtërore aq edhe fizike. Ishte e çuditshme se një ditë më parë ai kishte goditur si i çmendur mbi demonstruesit dhe kurrë nuk i kishte shkuar ndërmend se një ditë më vonë do të shkokërdhohej dajak nga urdhërdhënësit e tij. Tani disi i mbushej mendja se sa dhembje u kishte shkaktuar ai të tjerëve, ndërsa i kishte rrahur deri në alivanosje. Nga jashtë, në derë, u dëgjua rrotullimi i bravës. Si zakonisht i njëjti person, me gjestet e njëjta, prapë ngritja dorës dhe shenja që ta ndiqte pas. “Nuk mundem!” – tha me një zë të mekur, që për një çast ju duk se nuk ishte i tij, por një zë i dalë nga dheu. “T`i thërras ata te të ndihmojnë?” – tha ai, duke i dhënë theks ironik fjalës “ata.” Ferit ju kujtuan grushtet e shqelmat që i kishte përjetuar pak më parë nga “ata.” “Jo, jo, nuk ka nevojë, çohem vetë!” – tha dhe i dha trupit me të gjitha forcat, sa mëzi u ngrit në këmbë, duke u mbajtur pas murit. Koka i rëndonte. Që nga brenda ndiente një buçimë dhe sytë filluan t`i errësoheshin. E hetoi se do të binte, prandaj u përpoq të mbahej edhe më fort pas murit. Ishte e kotë. Më nuk kishte fuqi as gishtin e vogël ta përdorte për shpëtim. Frymëmarrja i qe shpeshtuar. Për një çast iu bë se ishte 30 duke u shtrirë në një shtrat të butë. Lehtë u shkëput nga muri dhe ra pa ndjenja mbi dysheme. Kur i hapi sytë, së pari pa mbi vete tavanin e bardhë. Diku afër mesit të atij tavani, pa një llambë elektriku, që ishte e fikur. Drita vinte nga jashtë. Me mundim e ktheu kokën anash dhe pa një shtrat të rregulluar bukur, me çarçaf të bardhë. U përpoq të kujtonte se ku ndodhej. Ku kishte qenë për herë të fundit, me kë kishte qenë dhe çfarë kishte ndodhur me të. Në murin përballë tij pa të varur një orë të madhe. Dhjetë e tridhjetë e pesë minuta. Ishte e mundur të ishte akoma mëngjes? “Si e ndjen veten tani?“ – dëgjoi një zë t`i vinte nga ana e tjetër e shtratit. Me mundim ktheu kokën dhe e pa atë që foli. Ishte një burrë me mustaqe të zeza. - „Ke dhembje? Mos u mërzit, do të kalojë. Tani je në vend të sigurt.” Tani filloj ngadalë t`i sillte ndërmend të gjitha me radhë. Më paskan bërë për spital. Ç`po ndodhë me mua, vallë? Deshi të fliste, të kërkonte shkakun dhe shkaktarin për gjithë këtë hata, të thërriste në ndihmë, të ulërinte, të ngrihej dhe të largohej nga ky vend i mallkuar, por ishte shumë i lodhur. Dua të fle njëherë! Të pushoj! Pastaj do t`i tregoj drejtorit për të gjitha, dhe ai… sa mirë të fle, të fle qetë…qetë… Dhe u tret prapë në agoninë e mëparshme. * Radovan Babiqi qëndronte në këmbë, në anën e kundërt të tavolinës. Para tij ndodhej një dosje e hapur. Edhe pse shikimin e kishte përqendruar mbi germat e saj, nuk ishte në gjendja të lexonte se ç’kishte të shë31 nuar në atë dosje, nga distanca që ishte, por e ndjeu se diçka e tmerrshme po përgatitej kundër tij. Një frikë tinëzare ia përshkoi shpirtin dhe nga jashtë i tërë trupi ju rrëqeth. Babiqi i zgjati dorën, duke e shkundur nga dyshimi. Sikur gjithmonë i buzëqeshur, ia përgatiti kërrigën të ulej dhe pasi e rehatoi, pas shpinës së tij u soll dhe u ul në anën tjetër të tavolinës. “Së pari të kërkoj falje në emrin tim dhe të kolektivit për torturën që ta kanë shkaktuar me urdhrin tim por, pa dashjen time. Ka ndodhur një keqkuptim në mes të urdhrit tim dhe të atyre që e kanë zbatuar atë urdhër. Ti e di që një ditë më parë ka pasur demonstrata dhe shumë të arrestuar. Unë kam dhënë urdhër që të torturohej një person tjetër, por ata të njësisë sime, pa dashje, e kanë bërë ndryshimin e qelive të burgut dhe gabim kanë hyrë në qelinë tënde. Unë i kam dënuar ashpër ata për këtë sjellje brutale. Ata janë të gatshëm të vijnë vetë dhe te të kërkojnë falje, nëse ti e dëshiron dhe e kërkon një gjë të tillë.” “Mjafton fjala juaj, shoku Babiq”, – tha Feri qetë, sikur ishte duke folur me veten e tij dhe ndjeu një siguri të theksuar. Lëvizi pak nga vendi, duke u afruar më pranë tavolinës. Duart i vuri lehtë mbi syprinën e tavolinës, e cila për një çast iu duk jashtëzakonisht e lëmuar dhe shkëlqyese. Iu bë se pa fytyrën e vet si në pasqyrë. Pa edhe fashat që ia mbështillnin një pjesë të kokës dhe iu duk se ishte i ënjtur dhe i zbehtë në fytyrë. I trembur, hoqi shikimin nga syprina e tavolinës, duke ngritur pak kokën . “Sipas ekspertizës del se policët janë vrarë me revolen tënde. Ndaj…” 32 “Nuk ka pasur policë të vrarë, shoku Babiq. Atë natë në një kafene të qytetit, për qërim hesapesh, janë vrarë dy paramilitarë. Kurse vrasja e policëve është…” “…shpikje nga ana jonë, do të thuash? Është më mirë të dëgjosh njëherë, pastaj do të vijë radha edhe ty të përgjigjesh dhe të japësh mendimin tënd! Pra, siç të thashë, policët janë vrarë me revolen tuaj, ndaj Prokuroria e Qarkut ka dhënë urdhër për arrestimin tënd dhe fillimin e hetimeve. Ti mos ke frikë, kjo nuk do të ndodhë! Ti do të dërgohesh në një kazermë dhe do të stërvitesh fizikisht dhe moralisht për aksione diversive. Gjatë kësaj kohe, nga ana jonë, ti do të shpallësh i burgosur. Pas përfundimit të fazës fillestare të stërvitjeve, do të pasojë faza e dytë, për të cilën do të njoftohesh me kohë, duke i marrë nga ne edhe instruksionet e punës që janë përpiluar në detaje! Besoj se e ke të qartë?” “Po nëse unë nuk e pranoj këtë detyrë?” – pyeti Feri, duke shikuar Babiqin në dritë të syrit. “Do të zhvillohen hetimet! Megjithatë, edhe për këtë do të bësh koncesione.” “Çfarë koncesionesh?“ – pyeti Feri, duke e parë veten pisk, por jo edhe aq sa e kishte menduar këto ditët e fundit. “Për një kohë të pacaktuar do të mbetesh vetëm… dua të them pa familje. Pastaj do të jesh nën urdhrat dhe mbikëqyrjen e rreptë të njerëzve tanë. Moszbatimi i urdhrave është vetëvrasje. Pra, mendoj se koncesioni është i domosdoshëm… gjithsesi me i lehtë se burgu!” “Vetëvrasje apo vrasje?” – pyeti Feri, duke e shikuar zhbirueshëm. 33 “Edhe vrasje, edhe vetëvrasje, merre si të duash. Unë të thashë se do t’i japim instruksionet dhe do të fillosh aty ku je caktuar.” “Ku jam caktuar? – pyeti prapë. “Është tepër herët të flasim për këtë temë. Tani mjafton të me përgjigjesh: je apo nuk je për koncesione?” – pyeti Babiq, duke vënë pak buzën në gaz. “Pa një sqarim nga ana e juaj, e kam të vështirë të jap një përgjigje të plotë!” – tha Feri, duke e shikuar në sy. “Ja ku po ta them troç. I ke dy rrugë: e para, rrugën e koncesionit me ato të dhëna që ti dhashë dhe, e dyta, rruga e qelisë. Zgjidh tani!” – tha Babiq, duke e humbur atë buzëqeshjen e akullt, që pak më parë i varej në buzën e poshtme. “Jam për koncesione,” – tha kësaj radhe Feri, prerazi. “Je i sigurt? - pyeti Babiq, duke e vënë prapë buzën në gaz. “Po, jam i sigurt për atë që e them.” “Mirë. Edhe për pak kohë, pra, derisa të shërohesh plotësisht, do të qëndrosh në spital. Prej aty do të dërgojmë në një kazermë, nuk e di as unë se në cilën, por atje do t’i gjesh të gjitha, fjalën e kam për planet, ushtrimet, stërvitjet e shumë të tjera. Deri në atë kohë, ti do të shpallësh i burgosur. Nuk do të lejohet askush te të vizitojë. Kur të vijë koha t’ia fillosh detyrës së re, ne do të shpallim person në kërkim, pra si i arratisur nga burgu!… Plan i mrekullueshëm, apo jo!?” – pyeti Babiq. “Shumë i mrekullueshëm!” - tha Feri, që akoma 34 nuk e kishte të qartë për çfarë koncesionesh ishte fjala. Ishte i ndërgjegjshëm se koncesionet do të ishin të rënda dhe ndoshta tepër tragjike për të, por si do që të bëhej, më të lehta se sa burgu sigurisht se do të ishin. E kishte të qartë se, nëse do të fillonin hetimet kundër tij, do të ishte i detyruar të pranonte atë që nuk e kishte bërë. Sa e sa të akuzuar vetë i kishte detyruar, përmes torturave, të pranonin veprat e pakryera. Iu kujtua rasti i një të riu, që dy vjet më parë, përmes torturave çnjerëzore, vetë e kishte detyruar të pranonte se e kishte dhunuar një vajzë të mitur serbe. Feri e kishte zbuluar se vajzën e kishte dhunuar ungji i saj, por për t’i humbur gjurmët e turpit, ata ia kishin hedhur fajin të riut shqiptar, i cili ishte dënuar me tetë vjet burg. Pastaj ishte rasti i rrënimit të varrezave, që e kishte bërë një serb dhe për këtë vepër ishin dënuar tre të rinj shqiptar, e sa e sa raste të tjera. “Offff!...” – ofshau dhimbshëm, pa gjetur dot ngushëllim. 35