Pages

Pjesa Trete - Kreu 6 - Romani Zonja Bovari i Gustav Flober

http://libratonline.blogspot.com/search/label/Zonja%20Bovari
Pjesa Tretë
     Kreu VI
Gjatë udhëtimeve që bënte për të takuar atë, shpesh herë Leoni hante darkë nga farmacisti, dhe e ndiente veten të detyruar, për njerëzi, ta ftonte dhe ai nga ana e tij.
- Me gjithë dëshirë! – i ishte përgjigjur zoti Ome. – Edhe unë duhet të vihem në lëvizje për të marrë disi fuqi, se këtu po zë myk. Do të shkojmë në shfaqje, në restorant, kemi për të bërë qejf sa t’i
luajmë fenë!
- Oh! I dashur! – pëshpëriti me dhembshuri zonja Ome, e frikësuar nga rreziqet e papërcaktuara që po përgatitej të përballonte.
- Epo, ç’të keqe ka? Pse mos kujton ti se pak e shkatërroj shëndetin unë, duke jetuar vazhdimisht mes avujve të farmacisë? Po ja që kështu janë gratë: bëhen xheloze për shkencën, pastaj na bëhen pengesë dhe kur duam të kalojmë argëtimet që na takojnë më se me të drejtë. Punë e madhe, lëmani në dorë mua këtë; një nga këto ditë aty më keni në Ruan dhe kemi ç’kemi byk do t’i bëjmë.
Njëherë e një kohë farmacisti nuk kishte për të përdorur një gjuhë të tillë; mirëpo tani ishte dhënë pas stilit gazmor dhe parisian që i dukej më me shije, dhe ai gjithashtu, si zonja Bovari, fqinja e tij, e pyeste sekretarin gjithë kureshtje për zakonet e kryeqytetit, bile fliste argo që të mahniste... banorët e Jonvilit, duke thënë për shembull karakatinë, rrangullinë, cigarinë, gërnjar, Breda-strit, ose po avulloj në vend të: po iki.
Kështu pra, Ema, një të enjte, u çudit që takoi, në kuzhinën e Luanit të artë, zotin Ome, të veshur me rroba udhëtimi, domethënë me një pallto të vjetër që s’ia kishte parë njeri ndonjëherë, ndërsa në njërën dorë mbante një valixhe dhe në tjetrën, ngrohësen e këmbëve, të farmacisë. Askujt nuk i kishte treguar për këtë projekt të vetin, nga frika se mos shqetësoheshin njerëzit me mungesën e tij.
Vetëm mendimi që do t’i shihte përsëri vende ku kishte kaluar rininë me siguri që ia çonte zemrën peshë, sepse gjatë gjithë rrugës s’i pushoi goja; pastaj, sa mbërriti, u hodh përnjëherësh nga karroca që të kërkonte Leonin, dhe sido që sekretari u përpoq të shkëputej, zoti Ome e mori me vete në Kafen e madhe Normandia, ku hyri gjithë madhështi, pa e hequr kapelën, duke e quajtur si diçka tepër katundarçe të zbulonte kokën në një vend publik.
Ema e priti Leonin treçerek ore. Më në fund, vrapoi në zyrën e tij, dhe, mendjeprishur nga gjithfarë gjasash, duke ia veshur fajin atij që s’e kishte përfillur dhe duke e qortuar veten për dobësinë që kishte, e kaloi mbasditen me balli ngjitur pas xhamit të dritares.
Deri në orën dy ata ishin ende të ulur në tryezë njëri përballë tjetrit. Salla e madhe po boshatisej; tubi i sobës në formë palme, hidhte rrathë-rrathë mbi tavanin e bardhë, gjethnajën e tij të praruar; dhe aty pranë tyre, mbrapa xhamtinës, në mes të diellit, gurgullonte një shatrivan i vogël në një hauz mermeri, ku, midis lakërishtes dhe shpargujve zgjateshin deri te një pirg shkurtëzash të shtrira të tëra mbi ije njëra sipër tjetrës, tre karkalecë të mëdhenj deti të mpirë.

Omeu po shkrihej nga kënaqësia. Ndonëse më tepër e dehte luksi sesa të ngrënët e shijshëm, vera e Pamarit  po e ndizte disi, dhe, kur erdhi omëleta me rum, ai ia nisi nga teoritë e pamoralshme për femrat. Gjëja që e magjepste mbi të gjitha, ishte eleganca. E adhuronte veshjen e hijshme në një apartament të mobiluar bukur dhe, sa për cilësitë trupore, i pëlqenin ato të mbushurat mirë...
Leoni shikonte nga sahati me dëshpërim. Farmacisti vazhdonte të pinte, të hante, të fliste.
- Besoj se këtu në Ruan, - i tha ai papritmas, - ju ndiheni i vetmuar, po fundja, dashnorja nuk ju banon larg.
Dhe, meqë atij po i hipte një i skuqur në fytyrë, shtoi:
- Hajde tani, tregohuni i çiltër! Mua do të ma mohonit ju që në Jonvil...?
Djaloshi belbëzoi:
- Nuk i vinit rrotull ju te zonja Bovari?...
- Kujt pra?
- Shërbëtores!
Ai nuk e kishte me shaka; mirëpo duke qenë se mburrja s’pyet për asnjë lloj maturie, Leoni pa dashur as vetë, e kundërshtoi. Pastaj atij i pëlqenin vetëm zeshkanet.
- Me ju jam edhe unë, - i tha farmacisti, - janë më me temperament ato.
Dhe, duke iu përkulur mikut në vesh, i tregoi shenjat nga njihet një femër me temperament. Bile u hallakat dhe nëpër vlerësime etnografike; gjermanet ishin si vegim, francezet të shthurura, italianet të përvëluara.
- Po zezaket? – e pyeti sekretari.
- Duhet të jesh artist që t’i shijosh ato, - i tha Omeu. – Kamerier! Na sill dy kafe!
- Do të ikim! – ia pati më në fund Leoni që po e humbiste durimin.
- Jes.
- Mirëpo, përpara se të largohej, ai deshi të takonte të zotin e lokalit dhe i bëri atij disa përgëzime.
Atëherë djaloshi, që të mbetej vetëm, i tha se kishte punë:
- Ah! Po ju shoqëroj! – i propozoi Omeu.
Dhe, duke zbritur nëpër rrugë me të, i foli për të shoqen, fëmijët, për të ardhmen e tyre dhe farmacinë e tij, i tregonte se si ishte katandisur ajo dikur, dhe se në ç’shkallë përsosmërie e kishte ngritur ai vetë.
Si arriti përpara Hotel Bulonjës, Leoni u shkëput prej tij përnjëherësh, u ngjit shkallëve, dhe e gjeti dashnoren shumë të tronditur.
Sa dëgjoi emrin e farmacistit, ajo shpërtheu nga tërbimi. Megjithatë ai i solli një sërë arsyesh të forta; pse kishte faj ai, pse s’e njihte ajo zotin Ome? Si mund të besonte ajo që atij mund t’i pëlqekësh më shumë të rrinte me farmacistin se sa me të? Mirëpo ajo po bënte të ikte, ai e mbajti dhe, si i ra në gjunjë, e kapi për beli me të dy krahët, në një pozë lënguese gjithë epsh e lutje.
Ajo rrinte në këmbë; sytë e ndezur flakë ia kishte ngulur atij rëndë-rëndë dhe gati-gati si me tmerr. Pastaj iu errësuan nga lotët, uli qepallat ngjyrëtrëndafil, i lëshoi duart dhe Leoni po i çonte te buzët e tij kur në atë çast u shfaq në shërbyes, që lajmëroi se zotërinë e kërkonin.
- Do të kthehesh përsëri? – i tha ajo.
- Po.
- Po kur?
- Menjëherë.
- Më ra ndër mend një marifet, - tha farmacisti kur pa Leonin. – Doja ta ndërprisja këtë vizitë që më dukej se ju bezdiste. Hajde shkojmë te Briduja të pimë nga një gotë garys. Footnote
Leoni iu betua se duhej të kthehej në zyrë. Atëherë farmacisti nisi të tallej me shkresurinat, me procedurën.
- Lërini një çikë mënjanë Kyzhasin me Bartolin, Footnote dreqi e mori! Kush ju pengon? Bëhuni burrë! Hajde të shkojmë të Briduja; keni për të parë edhe qenin e tij. Është shumë interesant.
Dhe, meqë sekretari ngulmonte gjithnjë në të tijën, ai shtoi:
- Po vij fundja edhe unë me ju. Do të lexoj ndonjë gazetë duke ju pritur ju, ose do të shfletoj ndonjë kod.
Leoni, i hutuar nga zemërimi i Emës, nga dërdëllisja e zotit Ome dhe ndoshta ngaqë i kishte rënë rëndë edhe dreka, rrinte i pavendosur dhe si i magjepsur prej farmacistit që s’pushonte.
- Hajde të shkojmë te Briduja! Ja mu këtu afër e ka shtëpinë, në rrugën Malpaly.
Atëherë, nga dobësia, nga budallallëku, nga ajo ndjenjë e papërcaktueshme që të shtyn të bësh veprimet më antipatike, ai pranoi të shkonte të Briduja, të cilin e gjetën në oborrin e vogël, ku po mbikëqyrte tre çuna të cilët gulçonin duke rrotulluar rrotën e madhe të një makine që gazonte ujë Selci. Omeu u dha ca këshilla dhe përqafoi Bridunë, pinë garys. Leoni u mat kaq herë të ikte, mirëpo farmacisti e mbante nga krahu duke i thënë:
- Ja dhe pak! Po dal edhe unë. Do të shkojmë bashkë te Feneri i Kuq, të takohemi me ata zotërinjtë. Do t’ju prezantoj me Tamasenin.
Megjithatë ai e hoqi qafe dhe vrapoi vetëtimthi drejt e në hotel. Ema s’ishte më aty.
Ajo sapo ishte nisur, e pezmatuar. Ajo e urrente atë tani. Mosmbajtja e fjalës për takim i dukej një fyerje, dhe kërkonte akoma arsye të tjera që të shkëputej prej tij; ai ishte i paaftë për heroizma, i dobët, i rëndomtë, më i mefshët se një grua, koprac, bile, dhe frikacak.
Pastaj, si u qetësua, e kuptoi dhe vetë më në fund se me siguri kishte shpifur për të. Mirëpo përçmimi ndaj atyre që duam gjithmonë na largon disi prej tyre. Idhujt s’duhen prekur: prarimi i tyre të mbetet në duar.
Me kalimin e kohës filluan të flisnin më shpesh për gjëra që s’kishin të bënin me dashurinë e tyre; dhe, në letrat që i dërgonte Ema, bëhej fjalë për lule, për vargje, për hënën dhe për yje, burime naive këto të një pasioni të venitur, që përpiqej të ndizej me të gjitha mjetet e jashtme. Vazhdimisht shpresonte në vetvete se në udhëtimin e ardhshëm do të gjente një lumturi të madhe, pastaj në vetvete e pranonte se nuk ndiente asgjë të jashtëzakonshme. Ky zhgënjim i zhdukej shpejt nga një shpresë e re, dhe Ema vinte tek ai më e ndezur, më e pangopur. Zhvishej menjëherë, duke tërhequr me forcë lidhësen e hollë të korsesë, që fishkëllente rreth ijeve të saj si ndonjë bollë që rrëshqet. Zbathur, në majë të gishtërinjve shkonte të shikonte dhe një herë nëse ishte dera mbyllur, pastaj me një lëvizje të vetme i hidhte përdhe njëherësh të gjitha rrobat që kishte në trup – dhe e zbehtë, pa folur, hijerëndë, i hidhej atij në kraharor, me një drithërimë të gjatë që i përshkonte tërë trupin lakuriq.
Megjithatë, mbi atë ballë të mbuluar me pika djerse të ftohta, të zhvishej menjëherë, duke tërhequr me forcë lidhësen e hollë të korsesë, që fishkëllente rreth ijeve të saj si ndonjë bollë që rrëshqet. Zbathur, në majë të gishtërinjve shkonte të shikonte dhe një herë nëse ishte dera mbyllur, pastaj me një lëvizje të vetme i hidhte përdhe njëherësh të gjitha rrobat që kishte në trup – dhe e zbehtë, pa folur, hijerëndë, i hidhej atij në kraharor, me një drithërimë të gjatë që i përshkonte tërë trupin lakuriq.
Megjithatë, mbi atë ballë të mbuluar me pika djerse të ftohta, mbi ato buzë belbëzuese, në ato bebe sysh të përhumbura, në shtrëngimin e atyre krahëve, kishte diçka të pamasë, të papërcaktuar dhe të zymtë, që Leonit i dukej se rrëshqiste midis tyre pa u ndier, sikur do t’i ndante njërin nga tjetri.
Ai s’guxonte t’i bënte pyetje, mirëpo, duke vënë re që ajo ishte me aq përvojë, thoshte me vete, se duhej t’i kishte kaluar të gjitha provat e vuajtjes dhe të qejfit. Ajo që më përpara e magjepste tani e frikësonte disi. Nga ana tjetër, i vinte plasje që çdo ditë e më tepër personalitetin e tij sikur e thëthinte diçka. Inatin e kishte me Emën për këtë fitore të përhershme. Bile përpiqej që të mos përgjërohej për të; mirëpo, sa dëgjonte kërcitjen e këpucëve të saj me qafa, e ndiente veten të dobët, si pijanecët kur shohin pije të forta alkoolike.
Ajo, në të vërtetë, s’linte përkujdesje pa i kushtuar, që nga gatimet e zgjedhura deri te veshjet e saj me shije dhe shikimet zemërcopëtuese. Sillte nga Jonvili trëndafila që i mbante në gji dhe që ia hidhte atij në fytyrë, tregohej e shqetësuar për shëndetin e tij, i jepte këshilla për sjelljen dhe, që ta bënte më shumë pas vetes, me shpresë se ndoshta dhe zoti do të vinte dorë në këtë drejtim, i vari në qafë një medaljon të shën Mërisë. Si ndonjë nënë e virtytshme, i kërkonte të dhëna për shokët. Pastaj i thoshte:
- Mos rri me ta, mos dil, mendo vetëm për veten tonë; më duaj mua!
Dëshira ia kishte ta mbikëqyrte jetën e tij, dhe iu shkrep ndër mend t’i vinte njeri që ta ndiqte nëpër rrugë. Aty pranë hotelit gjendej gjithmonë njëfarë endacaku që kapte udhëtarët dhe që kishte për të pranuar... Mirëpo s’e la krenaria.
“Ehu! Punë e madhe! Le të më tradhtojë, s’më bëhet vonë! Pse ta vras mendjen?”
Një ditë që ishin ndarë herët nga njëri-tjetri dhe ajo po kthehej vetëm bulevardit, i zunë sytë muret e manastirit të saj; atëherë u ul mbi një stol, në hijen e vidheve. Çfarë qetësie në atë kohë! Sa zili i kishte ndjenjat e patregueshme të dashurisë që përpiqej t’i parafytyronte sipas librave!
Muajt e parë të martesës, shëtitjet me kalë në pyll, viskonti që kërcente vals, dhe Lagardi që këndonte të gjitha këto iu shfaqën para syve... Dhe Leoni papritmas iu duk po aq i largët sa edhe të tjerët.
“Megjithatë e dua!” – thoshte ajo me vete.
Po ç’rëndësi kish! Ajo e lumtur nuk ishte, as kishte qenë ndonjëherë. Nga t’i vinte vallë kjo zbrazësi e jetës, ky kalbëzim i menjëhershëm i gjërave mbi të cilat mbështetej ajo?... Mirëpo në qoftë se kishte diku një njeri të fuqishëm dhe të hijshëm, burrë të vërtetë plot afsh dhe sqimë njëkohësisht, me zemër poeti si engjëll i lirë me korda tunxhi, që ngre lart në qiell tingujt e një poeme elegjiake të vajtueshme, përse rastësisht të mos e gjente ajo? Oh! sa e pamundur që ishte! Madje nuk ia vlente të kërkoje asgjë! Gjithçka ishte gënjeshtër! Ç’do buzëqeshje fshihte një gogësimë mërzitjeje, çdo gëzim një mallkim, çdo kënaqësi neverinë e vet, dhe puthjet më të zjarrta të linin mbi buzë një dëshirë të ndezur të parealizueshme për të shuar një epsh edhe më të përvëluar.
Në ajër u zvarg një rënkim metalik dhe në kambanën e manastirit u dëgjuan katër të rëna. Ora katër! Dhe asaj i dukej se kishte qenë aty, mbi atë stol, tërë jetën e jetëve. Mirëpo një minutë mund të nxërë një pafundësi pasionesh, si një hapësirë e vogël një turmë të tërë njerëzish. Ema jetonte e dhënë plotësisht pas atyre të sajave, ndërsa për para në sa mund ta vriste mendjen një akridukeshë aq e vriste dhe ajo.
Megjithatë, një ditë, i erdhi një burrë i pakët, fytyrëkuq dhe tullac, i cili i tha se e kishte dërguar zoti Vensar nga Ruani. Ai hoqi karficat që i mbanin mbyllur xhepin anësor të redingotës së gjatë të gjelbër, i nguli në mëngë dhe i zgjati asaj me mirësjellje një letër.
Ishte një kambial pesëqindfrangësh, i nënshkruar prej saj dhe që Lërëi, me gjithë kundërshtimet që kishte bërë ajo, e kishte kaluar në emër të Vensarit.
Ajo dërgoi shërbëtoren ta thërriste në shtëpi. Ai s’mund të vinte.
Atëherë, i panjohuri, që kishte ngelur në këmbë, duke hedhur djathtas-majtas shikime kureshtari që ia fshihnin vetullat e trasha të verdha, pyeti si pa të keq:
- Ç’përgjigje t’i jap zotit Vensar?
- Mirë, pra, - iu përgjigj Ema, - thuajini... që s’kam... javën që vjen... Le të presë... po, po, javën që vjen.
Dhe burri i shkretë u largua pa nxjerrë fjalë nga goja.
Mirëpo të nesërmen, në mesditë, ajo mori një akt proteste, dhe sa pa letrën e vulosur, mbi të cilën ishte shënuar disa herë dhe me gërma të mëdha: “Zoti Aran, ftues gjyqi në Byshi”, u frikësua aq shumë, sa vrapoi në çast te tregtari i stofave.
E gjeti në dyqanin e tij, duke lidhur një pako.
- Jam në shërbimin tuaj, - i tha ai, - urdhëroni.
Lërëi, megjithatë, vazhdoi të bënte punën e vet, i ndihmuar nga një vajzë e vogël rreth të trembëdhjetave, paksa gungaçe, dhe që i shërbente njëkohësisht edhe si çirake edhe si kuzhiniere.
Pastaj, ai, duke kërcitur nallanet mbi dërrasat e dyshemesë së dyqanit, i paprapriu zonjës nëpër shkallë për t’u ngjitur në katin e dytë, dhe e futi atë në një dhomë të vogël e të ngushtë, ku mbi një tryezë të madhe prej bredhi ishin vendosur disa regjistra, që ruheshin nga një cep te tjetri me një shufër hekuri me dry. Pas murit, nën disa copa basmeje, dukej një kasafortë, por që kishte përmasa aq të mëdha, saqë duhej të kishte brenda dhe gjëra të tjera, përveç kambialeve dhe parave. Zoti Lërë, me të vërtetë, jepte hua duke mbajtur pengje, dhe pikërisht aty kishte futur zinxhirin e artë të zonjës Bovari, bashkë me vathët e të gjorit xha Telie, i cili, si u detyrua më në fund të shiste gjithë katandinë, kishte blerë në Kenkampua një dyqan të vobektë bakalli, ku po fikej pak nga pak nga katarri, mes qirinjve që s’ishin aq të verdhë nga ç’e kishte fytyrën ai.
Lërëi u ul në kolltukun e gjerë prej kashte, duke thënë:
- Ç’kemi ndonjë të re?
- Ja, shikojeni.
Dhe ajo i tregoi letrën.
- Mirë pra, po unë ç’mund të bëj?
Atëherë, ajo u zemërua dhe i përmendi fjalën e dhënë se nuk do t’i vinte në qarkullim kambialet e saj; ai e pranonte dhe vetë.
- Po as unë s’kisha nga t’ia mbaja, e kisha thikën në fyt.
- Dhe ç’do të bëhet tani? – vazhdoi ajo.
- Oh! është shumë e thjeshtë: një vendim gjyqi dhe pastaj vjen konfiskimi... Çudi e madhe!
Ema e mbante veten që të mos e rrihte. E pyeti me të butë mos kishte ndonjë mënyrë si ta qetësonte zotin Vensar.
- Ama i keni rënë në të! Të qetësosh Vensarin; duket që s’e njihni fare; ai është më i egër se një arab.
Megjithatë duhej që zoti Lërë të ndërmjetësonte për këtë çështje.
- Dëgjoni këtu! Mua më duket se deri tani jam treguar goxha i mirë me ju.
Dhe duke hapur një nga regjistrat e tij, i tha:
- Shikoni!
Pastaj duke kaluar faqen nga poshtë-lart me gisht, shtoi:
- Ja të shohim..., të shohim... Më 3 gusht dyqind franga... më 17 qershor, njëqind e pesëdhjetë... më 25 mars, dyzet e gjashtë... Në prill...
Aty u ndal sikur të kishte frikë se mos bënte ndonjë marrëzi.
- Dhe s’po them gjë për kambialet e nënshkruara nga zotëria, njëri shtatëqind frangësh, tjetri treqind frangësh! Sa për paradhëniet tuaja të vogla, kamatat, at s’kanë të sosur, ngatërrohesh keq aty. s’dua më të përzihem me to!
Ajo qante, e thirri atë bile “zoti i mirë Lërë”. Mirëpo si ia hidhte gjithnjë fajin atij “dreq Vensari”. Pastaj ai s’kishte asnjë dysh, tani nuk e paguante njeri, po e nxirrnin me gisht në gojë, një copë shitësi si ai, s’kishte se si të jepte hua.
Ema nuk e hapte gojën; ndërsa zoti Lërë, që kafshonte nga pakëz fije te një pende, me siguri e shqetësoi heshtja e saj, prandaj vazhdoi:
- Po të kisha të paktën këto ditë ndonjë të ardhur... edhe mund...
- Fundja, - i tha ajo, - sapo të vijë pagesa e prapambetur e Barnvilit...
- Si?...
Dhe, kur mori vesh se Langluai nuk kishte paguar akoma, ai u duk shumë i habitur. Pastaj, me një zë miklues, shtoi:
- Domethënë do të biem në ujdi, kështu thoni ju...
- Oh, për çfarë të doni ju!
Atëherë, ai mbylli sytë për t’u menduar, shkroi disa shifra, dhe, pasi tha se do të hiqte keq, se ishte punë me spec dhe se po rrënohej, ai përgatiti katër kambiale nga dyqind e pesëdhjetë franga secili, me afat pagese prej një muaji njëri nga tjetri.
- Vetëm në dashtë të më mbajë vesh Vensari. Tek e fundit, këtë e vendosëm, nuk sorollatem kot unë, s’jam i dallavereve, atë që them s’e luan topi.
Pastaj i tregoi si pa qëllim disa mallra të reja, mirëpo asnjëra prej tyre, sipas mendimit të tij, nuk ishte për zonjën.
- Pale kur mendoj që kam këtu fustane si ky me shtatë grosh metri, dhe të garantuara që nuk u del boja! Blerësit i hanë të gjitha këto! Kush ju thotë se ç’mall janë në të vërtetë, e merrni me mend vetë, duke dashur në këtë mënyrë që ajo të bindej plotësisht për ndershmërinë e tij ndaj saj, përderisa ai e pranonte dhe vetë që ua hidhte të tjerëve.
Pastaj e thirri, për t’i treguar tri pashë dantellë që i kishte gjetur kohët e fundit “në një ankand”.
- Me të vërtetë e bukur! – i thoshte Lërëi, tani e përdorin shumë, si mbulesë për kokat e kolltukëve, është fjala e fundit e modës.
Dhe, më i shpejtë se një prestidigjitator, e mbështolli dantellën me letër të kaltër dhe ia vuri Emës në duar.
- Po më thoni të vërtetën?...
- Ah, më vonë! – iu përgjigj ai, duke i kthyer shpinën.
Që atë mbrëmje, ajo e shtyu Bovariun t’i shkruante së ëmës që t’u dërgonte sa më parë gjithë pagesën e prapambetur të trashëgimisë. Vjehrra u përgjigj se nuk kishte ngelur më gjë; likuidimi ishte bërë, dhe atyre u mbeteshin, përveç Barnvilit, gjashtëqind livra të ardhura, të cilat do t’ua paguante kokërr më kokërr.
Atëherë zonja u nisi fatura nja dy a tre klientëve, dhe pas pak kohësh e përdori në stil të gjerë këtë metodë, që i dilte për mbarë. Ajo kishte gjithmonë kujdes të shtonte në fund: “Mos ia zini fare në gojë këtë tim shoqi, ju e dini sesa krenar është ai... Ju kërkoj ndjesë... E juaja...” Pati disa ankesa; asaj i ranë në dorë para se të shkonin aty ku ishin nisur.
Që të siguronte para, ajo filloi të shiste dorashkat, kapelat e saj të vjetra, hekurishtet e mbetura, dhe në Pazar tregohej lakmitare e madhe – e shtynte drejt fitimit gjaku i saj prej fshatareje. Pastaj, sa herë që shkonte në qytet, merrte çikla-mikla, të cilat zoti Lërë, nga e keqja, do t’ia pranonte me siguri. Për vete bleu pendë struci, enë porcelani kinez dhe baule, borxh merrte nga Felisiteja, nga zonja Lëfransua, nga zonja e hotelit Kryqi i Kuq,nga çdo njeri, ku të mundej. Me paratë që i erdhën më në fund nga Barnvili, bleu dy kambiale, ndërsa një mijë e pesëqind frangat e tjera u tretën. U fut përsëri në borxh, dhe kështu vazhdoi gjithmonë!
Nganjëherë, ç’është e vërteta, ajo përpiqej të bënte llogari, mirëpo zbulonte gjëra aq të jashtmasshme, saqë nuk i besoheshin. Atëherë fillonte nga e para, ngatërrohej shpejt, i plaste të gjitha në vend dhe s’mendonte më për to.
Tani shtëpinë e kishte mbuluar një trishtim i madh! Furnitorët dilnin prej saj të xhindosur në fytyrë. Shamitë hidheshin sa andej-këndej mbi stufa; dhe Berta e vogël mbante çorape të grisura, sa zonja Ome ngelej pa mend. Po të guxonte Sharli t’i bënte gjithë druajtje ndonjë vërejtje, ajo i përgjigjej me të egër se s’ishte aspak faji i saj!
Ç’t’i kishte këto gjaknxehje? Ai gjithçka e shpjegonte me sëmundjen e saj të dikurshme të nervave dhe, duke qortuar veten që i kishte marrë dobësitë e saj shëndetësore për të meta, vetakuzohej për egoizëm dhe i vinte t’i hidhej ta puthte.
“Oh! Jo, - thoshte ai me vete, - kam për ta mërzitur!”
Dhe s’lëvizte nga vendi.
Pas darke, shëtiste vetëm nëpër kopsht, merrte Bertën e vogël mbi gjunjë dhe, pasi hapte gazetën e mjekësisë, përpiqej ta mësonte të lexonte. Fëmija, të cilës s’i kishte dhënë kurrë njeri mësime, pas pak shqyente sytë me trishtim dhe ia plaste të qarit. Atëherë ai e merrte me të mirë; shkonte i mbushte ujë në vaditëse që të bënte lumenj mbi rërë, soe thyente degë vashtrash që të mbillte pemë në lehe, gjë që s’ia prishte dhe aq bukurinë kopshtit, të cilin e kishin zaptuar krejtësisht barërat e gjata; sa ditë pune u kishin ngelur pa paguar Letibuduasit! Pastaj fëmija mërdhinte dhe kërkonte të ëmën.
- Thirre shërbëtoren, - i thoshte Sharli, - Ti e di mirë, shpirt i vogël, se mami nuk do t’i prishet qetësia.
Vjeshta kishte hyrë dhe tashmë gjethet po binin – si para dy vjetësh, kur ajo ishte e sëmurë! – Kur do të merrte fund e gjithë kjo?... Dhe ai vazhdonte të ecte, me duar mbrapa shpinës.
Zonja rrinte në dhomën e vet. Aty s’i shkonte njeri. gjithë ditën e ditës qëndronte brenda, e mpirë, gati-gati e zhveshur, dhe, herë pas here, digjte pastilje aromatike, që i kishte blerë në Ruan, në dyqanin e një algjeriani. Për mos e pasur natën pranë atë burrë të shtrirë që flinte, ajo, arriti më në fund, me ngërdheshje pas ngërdheshjesh, ta degdiste në kat të tretë; dhe vetë lexonte deri në mëngjes libra të allasojshëm që përshkruanin skena me orgjira dhe ngjarje të përgjakshme. Shpesh e pushtonte tmerri, nxirrte ndonjë klithmë dhe Sharli vraponte drejt saj.
- Oh! Largohuni! – i thoshte ajo.
Ose, herë të tjera, e djegur dhe më keq nga zjarri i brendshëm që ia shtonte dëshira për të bërë dashuri jashtë martese, ajo me gulçima, të dridhura dhe gjithë epsh, hapte dritaren, thithte ajrin e freskët, lëshonte në erë floknajën e saj shumë të rëndë, dhe, duke soditur yjet, uronte t’i jepej ndonjë princi. Mendonte për atë, Leonin. Në ato kushte ishte gati të jepte gjithçka për një takim të vetëm dashurie nga ata që e ngopnin.
Ato ishin ditët e qejfit të saj të vërtetë. I donte të ishin të shkëlqyera! ehe, atëherë kur ai s’mund t’i përballonte gjithë shpenzimet vetëm, ajo e plotësonte pa u kursyer fare pjesën që ngelej, gjë që ndodhte pothuajse në të tëra rastet. Ai u mundua t’i mbushte mendjen se do t’ia kalonin po aq mirë dhe gjetkë, në ndonjë hotel tjetër më të thjeshtë, mirëpo ajo me kundërshtimet e saj s’deshi të luante vendit.
Një ditë, nxori nga çanta e saj gjashtë lugë të vogla prej argjendi të praruar (ishin dhurata që i kishte bërë xha Ruoi për martesë), dhe iu lut të shkonte menjëherë t’i linte, për llogari të saj, në degën e pengjeve, dhe Leoni iu bind, ndonëse nuk i pëlqente një veprim i tillë. Kishte frikë se mos komprometohej.
Pastaj, si u mendua mirë, arriti në përfundimin se dashnorja e tij po merrte kot, dhe se ndoshta nuk e kishin gabim ata që donin ta shkëpusnin prej saj.
Në fakt, dikush i kishte dërguar së ëmës një letër të gjatë anonime, për t’i bërë ët ditur se ai po humbte jetën e vet pas një gruaje të martuar; dhe menjëherë zonja e shkretë, si e solli ndër mend gogolin e përjetshëm të familjeve, domethënë atë qenien e mjegullt dhe të rrezikshme, sirenën, përbindëshin, që jeton si në ëndrrat e këqija në thellësitë e errëta të dashurisë, i shkroi mjeshtër Dybokazhit, padronit të tij, i cili u tregua njeri i përkryer në këtë çështje. Ai i foli treçerek ore të mira, duke u përpjekur t’i hapte sytë, ta paralajmëronte se ç’humnerë e priste. Këto lloj marrëdhëniesh kishin për ta dëmtuar më vonë në pozitën e tij të ardhshme. Iu lut që t’i ndërpriste, dhe, në mos e bënte këtë sakrificë për interesin e vet le ta bënte të paktën për hir të tij, Dybokazhit!
Më në fund Leoni u betua se nuk do ta takonte më Emën, dhe i vinte inat që nuk e kishte mbajtur fjalën, duke menduar gjithë telashet dhe llafet që mund t’i sillte ende kjo grua, pa llogaritur talljet e shokëve në mëngjes rreth stufës. Veç të tjerash, ai së shpejti do të bëhej sekretar i parë: ishte tamam koha të tregohej serioz në jetë. Prandaj po hiqte dorë nga flauti, nga ndjenjat e zjarrta, nga fantazia, - sepse çdo borgjezi të vogël, në afshin e rinisë, i është dukur vetja, qoftë edhe një ditë, një minutë, i zoti të përballojë pasione të pafundme, ndërmarrje fisnike. Dhe ai i shthururi më i rëndomtë ka ëndërruar për sulltanesha; çdo noter përmban në vetvete mbeturinat e një poeti.
Tani mërzitej kur Ema papritur e pa kuptuar ngashërehej mbi kraharorin e tij, dhe zemra, si ata njerëzit që mund të durojnë vetëm njëfarë doze muzike, i dremiste nga mospërfillja ndaj zhuzhurimës së një dashurie tek e cila nuk i dallonte dot më ndjenjat e holla.
E njihnin aq shumë njëri-tjetrin sa s’mund të shijonin më nga ato mahnitje të zotërimit dashuror që njëqindfishojnë kënaqësinë. Prej tij ajo ishte neveritur po aq sa ç’ishte lodhur ai prej saj. Dhe në këto marrëdhënie jashtë martesës ajo gjente të gjitha ato bajati si brenda saj.
Po si mund ta hiqte qafe? Pastaj, sado që ajo e ndiente veten të poshtëruar nga një lumturi aq e zvetënuar, pa të s’bënte dot, sepse i ishte bërë ves dhe ishte përlyer me të; dhe, jepej çdo ditë e më shumë pas saj, duke shteruar çdo kënaqësi, si e si që ta bënte sa më të fortë. Ajo ia hidhte fajin Leonit se kish mbetur shpresëzhgënjyer, sikur ai ta kishte tradhtuar, dhe bile uronte ndonjë gjëmë që të çonte në ndarjen e tyre, meqë ajo vetë s’kishte guxim të vendoste për një gjë të tillë.
Megjithatë ajo vazhdonte t’i shkruante letra dashurie në bazë të atij koncepti, sipas të cilit është gruaja ajo që duhet t’i shkruajë gjithmonë dashnorit të vet.
Mirëpo, gjatë kohës që shkruante, asaj i dilte parasysh një tjetër njeri, një fantazmë e përbërë nga kujtimet e saj më të zjarrta, nga leximet e saj më të bukura, nga epshet e saj më të afshta, dhe më në fund i bëhej aq i vërtetë dhe aq i kapshëm, saqë ajo dridhej e mahnitur, pa arritur, prapëseprapë, ta përfytyronte qartë, ngaqë ai tretej aq shumë, si ndonjë perëndi, në morinë e vlerave që i vishte ajo. Ai rrinte në një vend të kaltërremë ku lëkunden shkallë të mëndafshta varur ballkoneve, në erën e luleve, në dritën e hënës. Ajo e ndiente pranë, ai do të vinte dhe do ta rrëmbente të tërën me një të puthur. Pastaj ajo binte përsëri përtokë, e dërrmuar fare, sepse këta vrunduj dashurie të mjegullt e rraskapitnin më keq se sa orgjitë më të tërbuara.
Ajo ndiente tani një këputje të vazhdueshme dhe të gjithanshme. Shpesh herë bile, Emës i vinin thirrje dhe letra me akte zyrtare të cilave pothuajse s’ua hidhte sytë fare. Dëshira ia kishte mos të jetonte më, ose të flinte pa pushim.
Të enjten e javës së tretë të kreshmëve, ajo s’u kthye fare në Jonvil, në mbrëmje shkoi në ballon me maska. Veshi një pantallon kadifeje, çorape të gjata të kuqe, në kokë vuri një parukë me gërshet si dhe një kapelë trecepëshe që e mbante të kthyer mënjanë. Tërë natën kërceu nën tingujt e furishëm të tromponeve; gjatë vallëzimit atë e vinin në mes dhe të nesërmen në mëngjes ajo u gjend në peristilin e teatrit midis ca të maskuarve si hamej porti dhe marinarë, shokë të Leonit, të cilët bisedonin se ku do të hanin.
Lokalet rreth e përqark ishin plot e përplot. Më në fund gjetën në port një restorant nga më të rëndomtët, i zoti i të cilit u hapi, në katin e pestë, një dhomë të vogël.
Burrat pëshpërisnin në një qoshe, me siguri po diskutonin për shpenzimet. Aty ishin një sekretar, dy studentë mjekësie dhe një shitës; çfarë shoqërie për të! Sa për femrat, Ema e vuri re menjëherë, nga timbri i zërit të tyre, se duhej të ishin, pothuajse të gjitha të shtresës më të ulët. Atëherë i hipi një frikë, zmbrapsi karrigen dhe uli sytë.
Të tjerët nisën të hanin. Ajo s’vuri gjë në gojë; balli i ishte ndezur zjarr, qepallat i cuksnin, ndërsa në lëkurë ndiente një të ftohtë akull. Në kokë i gumëzhinte dyshemeja e ballos, që kërcente akoma përpjetë nga të rrahurat ritmike të mijëra këmbëve vallëzuese. Pastaj u trullos fare nga era e ponçit e përzier me tymin e purove. Po i binte të fikët e morën e çuan pranë dritares.
Dita po fillonte të agonte, dhe në qiellin e zbehtë, nga ana e Shën Katerinës sa vinte e zgjerohej një njollë e madhe me ngjyrë të purpurt. Lumi i irun dridhej nga era; mbi urë s’kishte këmbë njeriu; fenerët po fikeshin.
Ndërkaq ajo erdhi në vete, dhe mendja i shkoi te Berta, që flinte atje larg, në dhomën e shërbëtores. Mirëpo në atë çast kaloi një qerre e ngarkuar deng me shufra të gjata hekuri, duke shkaktuar mbi muret e shtëpive një dridhje metalike shurdhuese.
Ajo u largua përnjëherësh pa u vënë re, hoqi veshjet që kishte, i tha Leonit se duhej të kthehej në shtëpi dhe, si përfundim, mbeti vetëm në Hotel Bulonja. S’duronte dot më asgjë, bile as lëkurën e vet. I vinte të fluturonte si zog, të shkonte të rinohej diku, sa më larg, nëpër hapësira të virgjëra.
Doli jashtë, kaloi bulevardin, sheshin Koshuaz dhe lagjen e jashtme, pastaj u fut në një rrugë të hapur, përmbi kopshte. Ecte shpejt, ajri i freskët po e qetësonte dhe pak nga pak, fytyrat e turmës, maskat, kadrilet, llambadarët, ato gratë, të gjitha me radhë i fshiheshin nga mendja si ato mjegullnajat që i merr era. Pastaj, si u kthye te Kryqi i Kuq, u hodh mbi krevat, në dhomën e vogël të katit të tretë, ku kishte figura të Kullës së Nelit. Në orën katër mbasdite, erdhi e zgjoi Iveri.
Kur u kthye në shtëpi, Felisiteja i tregoi mbrapa orës së murit një letër ngjyrë hiri. Ajo lexoi: “Në bazë të njoftimit noterial, për zbatimin e vendimit...”
Çfarë vendimi? Me të vërtetë, një ditë më parë kishin sjellë një letër tjetër për të cilën ajo s’kishte më dijeni; prandaj u shtang nga këto fjalë:
“Në emër të mbretit, të ligjit dhe të drejtësisë, zonjës Bovari...”
Atëherë, pasi kapërceu disa rreshta, sytë i ngelën te:
“Brenda njëzet e katër orëve afat i prerë.” - Çfarë pra? “Të paguhet shuma e përgjithshme prej tetë mijë frangash”. Dhe bile më poshtë shkruhej: “Për këtë do të detyrohet me të gjitha mjetet ligjore, dhe në mënyrë të veçantë nëpërmjet sekuestrimit të mobilieve dhe sendeve të tjera të saj...”
Çfarë të bënte?... Afati ishte njëzet e katër orë, nesër! Lërëi, mendoi se ajo me vete, me sa dukej donte ta frikësonte edhe një herë sepse i mori përnjëherësh me mend të gjitha manovrat e tij, synimin e mirësjelljeve të tij. Në të vërtetë u qetësua nga vetë zmadhimi i tepruar i shumës.
Megjithatë, ajo, pasi ngeli tërë kohën duke blerë, duke mos paguar, duke marrë borxhe, duke nënshkruar kambiale, pastaj duke i përsëritur këto kambiale, që pas çdo afati të ri, vinin e shtoheshin, si përfundim, s’kishte bërë gjë tjetër veçse i kishte gatitur zotit Lërë një kapital, që ai e priste me padurim për spekulimet e tij.
Ajo u paraqit tek ai e lirshme.
- E dini se ç’më ka gjetur. Me siguri është ndonjë shaka!
- Jo.
- Si kështu?
Ai u kthye me ngadalë dhe, si lidhi duart, i tha:
- Mos kujtoni gjë, zonjë e dashur, se do të isha për jetë të jetëve furnitori dhe bankieri juaj vetëm për mëshirë? Të flasim copë, tani mua më duhet t’i hedh në dorë paratë e mia!
Ajo protestoi për shumën e borxhit.
- Ah! s’kam ç’të bëj! E ka pranuar gjyqi! Është vendimi! Ju është komunikuar! Pastaj, s’jam unë në këtë mes, po Vensari.
- S’do të kishit mundësi ju...?
- Oh! Absolutisht asgjë.
- Po... sidoqoftë..., le të arsyetojmë.
Dhe nisi të fliste përçart; s’kishte ditur asgjë... kjo ishte një e papritur për të...
- Kush ua ka fajin? – i tha Lërëi me një përshëndetje qesëndisëse. – Unë rropatem si zezak, ndërsa ju ma kaloni kohën qejfe më qejfe.
- Ah! Mos na shitni moral tani!
- S’ju bën kurrë dëm, - ia ktheu ai.
Ajo u tregua e dobët, iu lut e iu stërlut; bile vuri dhe dorën e saj, të bukur, të bardhë e të gjatë mbi gjunjët e tregtarit.
- Lëmni rehat tani! Duket që doni të më prishni mendjen!
- Ju jeni maskara! – bërtiti ajo.
- Oh! Oh! Sa bukur folkeni! – i tha duke qeshur.
- Do t’ja kallëzoj të gjithëve se cili jeni ju. Do t’i them tim shoqi...
- Epo mirë, dhe unë do t’i tregoj diçka tët shoqi!
Dhe Lërëi nxori nga kasaforta dëftesën prej një mijë e tetëqind frangash, që i kishte dhënë ajo kur i kishte bërë Vensari zbritjen nga kambialet.
- Mos pandehni, - shtoi ai, - se nuk e kupton dot, këtë vjedhje të vogël ai burrë i gjorë?
Këto fjalë e dërrmuan më keq se sa po ta kishin goditur me vare në kokë. Ai bënte ecejake nga dritarja te tryeza, duke përsëritur:
- Ah! do t’ia tregoj që ç’ke me të... do t’ia tregoj që ç’ke me të...
Pastaj iu afrua asaj, dhe me një zë të butë i tha:
- E di që s’ju vjen mirë, po, në fund të fundit, s’ka vdekur njeri prej dëftesave, dhe, përderisa është e vetmja rrugë që ju mbetet për të më kthyer paratë...
- Po ku t’i gjej unë? – i tha Ema duke përdredhur duart.
- Ehu! Kur ke miq siç keni ju!
Dhe ai i kishte ngulur një vështrim kaq depërtues dhe kaq të tmerrshëm saqë ajo u drodh e tëra deri në palcë.
- Ju jap fjalën, - i tha ajo, se do të firmos...
- Jam ngopur deri në fyt me firmat tuaja!
- Do të shes edhe...
- Lërini këto! – iu përgjigj ai duke ngritur supet, - ju s’keni më gjë.
Dhe bërtiti nga dritareza që binte mbi dyqan:
- Anetë, mos harro tre kuponat e Nr.14.
- Shërbyesja hyri. Ema e kuptoi, dhe pyeti “sa para duheshin për të ndaluar gjithë ndjekjet ligjore”.
- Është tepër vonë!
- Po sikur t’ju sillja disa mijëra franga, një të katërtën, një të tretën e shumës, pothuajse të tërën?
- Eh! Jo, është e kotë!
Ai e shtynte me ngadalë drejt shkallës.
- Aman, zoti Lërë, prisni dhe ca ditë!
Ajo qante me ngashërim.
- Hajde tani! Edhe lotët na duheshin!
- Më dëshpëruat fare!
- Aq më bën! – tha ai duke i mbyllur derën.