Pages

Pjesa Pare - Kreu 4 - Romani Zonja Bovari i Gustav Flober

http://libratonline.blogspot.com/search/label/Zonja%20BovariPJESA PARE
KREU IV

Dasmorët mbërritën herët në mëngjes, hipur nëpër karroca të ndryshme, kaloshina, pajtone dyrrotëshe, karro të vjetra e të vogla pa mbulesë, të tjera të mbuluara nga sipër, anash të hapura dhe me perde prej lëkure, ndërsa të rinjtë e fshatrave më të afërme kishin hipur nëpër qerre dhe qëndronin në këmbë, njëri pas tjetrit, me duar mbështetur në anë të karrocerisë së të mos binin, se e ngisnin me revan dhe tundeshin shumë. Kishte nga ata që erdhën nga dhjetë lega larg, prej Godervilit, Normanvilit dhe Kanit. Ishin ftuar të gjithë të afërmit e të dy familjeve, ishin pajtuar
me miqtë me të cilët qenë prishur, iu kishin shkruar të njohurve që s’i kishin parë prej kohësh.
Herë pas here dëgjoheshin mbrapa gardhit fshikullima kamxhiku; atëherë hapej trina: hynte një karrocë. Kjo ecte me revan deri në shkelzën e parë të shkallës, ndalonte aty në vend, dhe pastaj boshatisej nga dasmorët, të cilët zbrisnin nga të gjitha anët, duke fshirë gjunjët dhe duke shtriqur krahët. Zonjat, me kapuçë në kokë, ishin veshur me fustane si ato të qytetit, mbanin zinxhirë sahati prej ari, pelerina me kinde të kryqëzuara në bel ose shalle të vogla me ngjyra, të ngjitura mbas shpinës me një paramane dhe që ua linin zverkun zbuluar. Çunat, të veshur njëlloj si baballarët e tyre, dukeshin në siklet nga rrobat e reja, (madje shumë prej tyre atë ditë kishin mbathur çizme për herë të parë në jetën e tyre) dhe pranë tyre, qëndronte gojëkyçur, veshur me fustanin e bardhë të kungimit të parë, të cilin e kishin zgjatur për këtë rast, ndonjë vajzë katërmbëdhjetë deri gjashtëmbëdhjetëvjeçare, pa dyshim ndonjë kushërirë apo motër e madhe e tyre, faqekuqe, e trallisur, flokëlyer me vaj erë trëndafili, duke u ruajtur se mos bënte pis dorashkat. Meqë stallierët s’mjaftonin për të zgjidhur kuajt nga të gjitha karrocat, zotërinjtë përveshnin mëngët dhe i futeshin vetë kësaj pune. Sipas pozitës shoqërore të ndryshme që kishin, ata ishin veshur kush me frak, kush me redingotë, kush me pallto të shkurtër, kush me frak-pallto; petka të mira këto që i vishte si për nder një familje e tërë dhe që dilnin nga dollapi vetëm në raste festash; këtu futeshin redingotat me shkëlqim të varura lirshëm, me qaforen cilindrike, me xhepa të gjerë si thasë; palltot e shkurtra prej cohe të trashë, që zakonisht shkonin me ndonjë kasketë me tegel bakri rreth strehës; fraqet-pallto shumë të shkurtër, që kishin në shpinë dy kopsa pranë njëra-tjetrës si dy sy, dhe kindet e të cilave dukeshin si të ishin prerë me një të rënë të vetme nga sëpata e karpentierit. Kishte dhe disa të tjerë (por këta me siguri do të zinin vend nga fundi i tryezës) që mbanin bluza feste, domethënë nga ato me jakë të kthyer mbrapa përmbi supe, të mbledhura në shpinë rrudha-rrudha dhe të shtrënguara më tej se poshtë belit me një brez të qepur.
Dhe këmishat mbi kraharor u rrinin të fryra si parzmore! Të qethur të gjithë taze, u dukeshin veshët e zbuluar si llapa. Kishin hequr gjithashtu dhe nga një brisk të fortë; disa prej tyre bile, që ishin çuar qëmenatë, duke mos parë mirë kur po rruheshin, kishin nga të prerat e briskut, shenja të gjata të tërthorta poshtë hundës ose gjatë nofullave, rrjepje të lëkurës sa një skudë trifrangëshe dhe që ishin acaruar më keq e ndezur flakë nga era e madhe gjatë rrugës, duke i laruar disi me pllanga të kuqe të gjitha ato fytyra të bëshme, të bardha dhe të ngazëllyera.
Meqë bashkia ndodhej një gjysmë lege larg fermës, shkuan dhe u kthyen në këmbë, sa mbaroi ceremonia në kishë. Vargu i dasmorëve, në fillim i bashkuar si një shall ngjyra-ngjyra, që valëzonte nëpër fushë, gjatë shtegut të ngushtë, i cili gjarpëronte nëpër grunajën e gjelbër, u zgjat pas pak dhe u nda grumbuj-grumbuj të ndryshëm, që duke biseduar, ngeleshin mbrapa njëri-tjetrit. Sazexhiu shkonte në krye, me violinën e tij të stolisur me shirita guaskash deti; pastaj vinin nusja me dhëndrin, të afërmit, miqtë pa kurrëfarë rregulli, ndërsa mbrapa rrinin fëmijët, të cilët argëtoheshin duke bërë camunza me fije tërshëre ose duke luajtur me njëri-tjetrin, pa i vënë re njeri. Fustani i Emës, tepër i gjatë, zvarritej pakëz nga poshtë; herë pas here ajo ndalej që ta ngrinte dhe niste, gjithë kujdes, të hiqte me gishtërinjtë e saj të mbuluar me dorashka, barërat e ashpra dhe gjembat e vegjël të rrodheve, sakaq Sharli, duarbosh, priste që ajo të mbaronte. Xha Ruoi me një kapelë të re mëndafshi në kokë dhe me frak të zi, mëngët e të cilit ia mbulonin duart deri në majë të gishtërinjve, i kishte dhënë krahun zonjës Bovari, nënës. Kurse zoti Bovari, babai, që i urrente në të vërtetë të gjithë ata njerëz, ishte veshur thjesht me një redingotë me prerje ushtarake e me një rresht kopsash, dhe i ishte qepur me lajka si ndonjë pijanec një fshatareje të re flokëverdhë. Kjo e përshëndeste, skuqej, pa ditur se ç’t’i thoshte. Dasmorët e tjerë bisedonin për punët e tyre ose bënin shaka pas shpine me njëri-tjetrin, duke u ngazëllyer para kohe; dhe po të mbaje vesh, dëgjoje vazhdimisht xërr-vërin e violinës së sazexhiut, i cili vazhdonte t’i binte nëpër fushë. Kur vinte re që dasmorët kishin ngelur shumë mbrapa tij, ai ndalej të merrte frymë, lyente mirë e mirë harkun me kolofan, që të tingëllonin telat më shumë, dhe pastaj vazhdonte rrugën, duke ulur e ngritur bishtin e veglës së tij, që ta mbante mirë masën. Zhurma e instrumentit i bënte zogjtë e vegjël të fluturonin larg.
Tryeza ishte shtruar mu në mes të hangarit të qerreve. Mbi të ishin vendosur katër pjesë ijesh të pjekura kau, gjashtë pula frikase, mish viçi i fërguar, tri kofshë dashi dhe, në mes tyre, një alamet gici pirës i pjekur, rrethuar me katër suxhukë me uthullishte. Nëpër qoshe ishte vënë rakia, në poçe qelqi. Mushti i ëmbël i mollëve nëpër shishe nxirrte shkumën e tij të trashë rreth tapave, dhe të gjitha gotat ishin mbushur qysh më parë me verë deri në buzë. Pjatancat e mëdha me krem të verdhë, që me tundjen më të vogël të tryezës, luhateshin vetvetiu, kishin mbi sipërfaqen e tyre të lëmuar, gërmat e para të emrave të bashkëshortëve, të stolisura me ca lajle që se kishin shoqen. Për tortat dhe ëmbëlsirat me mjaltë e bajame kishin marrë një pasticier nga Ivtotoja. Meqë ky kishte pak kohë që e ushtronte zanatin në këtë vend, tregoi kujdes të madh në përgatitjen e gjërave; dhe pas të kripurave, solli vetë një tortë me kate që i mahniti të gjithë sa lëshuan dhe britma. Në themel ajo fillonte me një katror prej kartoni të kaltër, ku të binte në sy nga të gjitha anët një tempull me portikë, kolona dhe shtatore të vogla prej stukoje, futur nëpër zgavra gjithë yje prej letre të praruar; pastaj në katin e dytë ngrihej një kullë prej paste savoje, rrethuar me kala të vogla prej lëvoreje bimësh aromatike, bajamesh, stafidhesh, rriska portokallesh; dhe së fundi, në pjesën e sipërme, që ishte si një lëndinë e blertë ku kishte shkëmbinj dhe liqene reçeli si dhe anije me lëvozhga lajthish, shihej një Amur i vogël që lëkundej mbi një kolovajzë çokollate, të dy shtyllat e së cilës përfundonin në majë me dy gonxhe trëndafili të vërtetë, në vend të topthave.
Vazhduan të hanin deri në mbrëmje. Kur mpiheshin ulur, dilnin shëtitje nëpër oborr, luanin me tapa në hangar, pastaj ktheheshin përsëri në tryezë. Nga fundi disa i zuri gjumi mu aty dhe filluan të gërhisnin. Mirëpo kur erdhi kafeja, të gjithë u gjallëruan; ua morën këngëve, bënin ushtrime të vështira fizike, ngrinin pesha të rënda, luanin me duar, provonin të ngrinin qerret me supe, bënin shaka, përqafonin zonjat. Në mbrëmje kur do të niseshin, kuajt e dendur me tërshërë deri në fyt, mezi hynë midis biqeve; hidhnin vicka, ngriheshin në këmbët e mbrapme, iu këputeshin takëmet, të zotët e tyre shanin ose qeshnin; dhe gjithë natën e natës, në dritën e hënës, nëpër rrugët e fshatit kishte karroca që ia mbathnin me revan të madh, duke u hedhur përpjetë nëpër kanalet kulluese, duke kaluar përmbi grumbuj guriçkash, duke u përplasur nëpër shpatet e rrugës, ndërsa gratë përkuleshin jashtë derës për të kapur frerët.
Ata që ngelën në Berto e kaluan natën me të pira në kuzhinë. Fëmijët i kishte zënë gjumi nën stola.
Nusja i ishte lutur të atit që të mos t’i binin në qafë me ato shakatë që bëheshin në kësi rastesh. Mirëpo ja që një tregtar peshku, kushëriri i tyre (i cili si dhuratë për dasmë kishte sjellë nja dy gjuca) nisi t’i spërkaste me ujë nga vrimat e bravës, por pikërisht në atë çast erdhi xha Ruoi, i cili nuk e la duke i shpjeguar se këta numra ishin të pahijshëm për vetë pozitën e rëndësishme që kishte dhëndri i tij. Megjithatë kushëriri iu bind me zor këtyre arsyeve. Me veten e tij, ai e quajti xha Ruoin hundëpërpjetë dhe u bashkua në një qoshe me katër a pesë mysafirë të tjerë të cilët gjithashtu, meqë u kishin rënë rastësisht disa herë pjesë të këqija mishi ishin në një mendje se i kishin pritur keq, pëshpërisnin kundër të zotit të shtëpisë dhe i uronin gjithë të zezat me fjalë të tërthorta.
Zonja Bovari, nëna, s’kishte hapur gojën gjithë ditën e ditës. Asaj nuk i kishin kërkuar mendim as për tualetin e nuses, as për menunë e dasmës; u tërhoq mënjanë herët. Bashkëshorti i saj, në vend që t’i shkonte pas, çoi e bleu puro në Shën Viktor dhe tymosi deri sa u gdhi, duke pirë ponç me raki qershie, përzierjeje kjo që nuk e njihnin dasmorët dhe që i jepte atij akoma më shumë rëndësi në sytë e tyre.
Sharli nuk ishte aspak natyrë shakatari, gjatë dasmës nuk u shqua fare. Thumbave, lojëfjalëve, fjalëve me dy kuptime, furçave dhe rromuzeve me të cilat iu përveshën qysh sa erdhi supa, ai iu përgjigj kot më kot.
Ndërsa të nesërmen, ai dukej krejt tjetër. Gjatë darkës së dasmës më tepër mund të merrje atë për virgjëreshë sesa vetë nusen, të cilën s’kishe ku ta kapje. Dhe ata më të prapët nuk dinin ç’të thoshin, bile kur ajo kalonte pranë tyre, e shikonin me një vëmendje jashtëzakonisht të madhe. Mirëpo Sharli sillej si t’i vinte. E thërriste “grua”. I fliste me “ti”, pyeste këdo për të, e kërkonte gjithandej, dhe shpesh e nxirrte në oborr, ku e shihnin për së largu, midis pemëve, që i hidhte krahun për beli dhe ecte gjysmë i përkulur mbi të, duke i zhubravitur me kokë dantellën e jelekut.
Dy ditë pas dasmës, bashkëshortët ikën nga shtëpia: Sharli nuk mund të qëndronte më gjatë se kishte hallin e të sëmurëve. Xha Ruoi u dha karrocën e tij, bile i shoqëroi dhe vetë deri në Vasonvil. Aty ai e puthi të bijën për herë të fundit, zbriti poshtë dhe u nis të kthehej. Pasi bëri njëqind hapa, u ndal, dhe, kur pa që po largohej karroca, rrotat e së cilës vërtiteshin nëpër pluhur, nxori një psherëtimë të thellë. Pastaj iu kujtua dasma e tij, jeta e tij e dikurshme, barra e parë e së shoqes. Dhe ai kishte qenë shumë i lumtur ditën që e kishte marrë nga i ati i saj në shtëpinë e vet, kur e mbante nga mbrapa në vithe të kalit, duke ecur me cak nëpër dëborë; sepse po afronin krishtlindjet dhe fusha ishte krejt e bardhë; ajo me njërën dorë mbahej tek ai, ndërsa në tjetrën kishte bohçen; era ia valëviste dantellat e gjata që ishin lidhur pas flokëve të saj, të bëra sipas modës së Kosë dhe që nganjëherë i binin mbi gojë, ndërsa ai, kur kthente kokën, shihte pranë vetes, mbi supin e tij, fytyrën e saj të imët, të skuqur që i buzëqeshte në heshtje, nën rrethin e artë të kapuçit. Që të ngrohte gishtat, herë pas here, ajo ia fuste atij në gji. Ah sa kohë kishte kaluar qysh atëherë! Tani djali i tyre do të ishte tridhjetë vjeç! Vështroi nga prapa, po s’pa asgjë në rrugë. E ndjeu veten të trishtuar si shtëpi e boshatisur nga mobiljet; dhe si u përzien në trurin e tij të turbulluar nga avujt e pijes të gjithë asaj darke kujtimet e përmallshme me mendimet e kobshme, iu shkrep për një çast, t’i binte njëherë vërdallë kishës. Mirëpo meqë pati frikë se mos kjo shëtitje e hidhëronte akoma më shumë, u kthye drejt e në shtëpinë e vet.
Zoti dhe zonja Bovari mbërritën në Tot rreth orës gjashtë. Fqinjët dolën nëpër dritare që të shikonin gruan e re të mjekut të tyre.
Shërbëtorja e vjetër iu paraqit, e përshëndeti, kërkoi të falur që darka s’ishte gati dhe e ftoi të zonjën që, ndërkohë, të shihte shtëpinë.