PJESA PARE
KREU I
Ne ishim në sallën e studimit kur hyri drejtori, pas tij një i ri jo me
uniformën e shkollës dhe një shërbyes që mbante një bankë të madhe. Ata që
flinin u zgjuan, dhe të gjithë u çuan si të ishin kapur befas në punë e sipër.
Drejtori na bëri shenjë të uleshim, pastaj, duke u kthyer nga kujdestari, i
tha me gjysmë zëri:
- Zoti Rozhe, po ju paraqes këtë nxënës që hyn në klasën e pestë. Po të
mësojë dhe të sillet siç duhet, do të kalojë me të rriturit, moshatarët e vet.
I riu, ngaqë rrinte në qoshe, mbrapa derës, mezi shquhej, megjithatë dukej që ishte një djalë rreth të pesëmbëdhjetave dhe më shtatlartë se ne të gjithë. Balluket përmbi ballë i kishte të prera drejt si ndonjë psalt fshati, dukej njeri i shtruar dhe i vënë në siklet të madh. Ndonëse nuk ishte i gjerë në shpatulla, xhaketa prej cohe të gjelbër me kopsa të zeza, me sa duket e shtrëngonte nën sqetulla dhe nga e çara e mëngëve binin në sy kyçet e skuqura të duarve që ishin mësuar të rrinin zbuluar. Poshtë pantallonave të verdhemta, të tërhequra fort nga askitë, i dilnin kërcinjtë e këmbëve të veshura me një palë çorape të gjata kaltëroshe. Mbante ca këpucë të mëdha, të palustruara, të mbathura me gozhdë.
Filloi përsëritja me zë të lartë e mësimeve. Ai dëgjoi gjithë kohën
veshëngrehur, i vëmendshëm si në predikimin e kishës, pa guxuar bile as të
kryqëzonte këmbët, as të mbështetej mbi bërryl, saqë edhe kur ra zilja në orën
dy, kujdestarit iu desh t’i bënte zë që të vihej në rresht me ne.
Kur hynim në klasë, e kishim zakon t’i hidhnim kasketat përdhe, që t’i
kishim pastaj duart të lira; i vërvitnim që nga pragu i derës poshtë bankave, në
mënyrë që të përplaseshin pas murit dhe të ngrinin sa më shumë pluhur; kështu
ishte stili.
Mirëpo i riu që, a nuk e vuri re këtë hile, a nuk guxoi të bënte si të tjerët,
vazhdonte ta mbante mbi gjunjë kasketën dhe pasi kishte mbaruar lutja. Ajo
ishte një nga ato kapela të sajuara që s’merren vesh se ç’soj janë, në të cilën
gjeje diçka nga kallpaku, nga shapka ushtarake polake, nga kapela e
rrumbullakët, nga kasketa prej gëzofi vedre dhe nga kapuçi i pambuktë, me një
fjalë ishte një nga ato gjërat kot më kot që me shëmtimin e tyre të heshtur
s’shprehin ndonjë gjë më tepër sesa fytyra e një budallai. Vezake dhe e fryrë
me balena, ajo fillonte me tri rrathë; pastaj vinin, njëra pas tjetrës, të ndara nga
një shirit i kuq, ca rombe kadifeje dhe lëkure lepuri; së fundi dilte një si qese që
mbaronte me një poligon kartoni, qëndisur cep më cep me një gajtan të
ndërlikuar dhe prej të cilit varej në fund të një gjalme tepër të hollë një
tërthorëse e vogël kryqi prej fijesh të arta, në trajtë lëndeje. Kasketa ishte e re,
streha i shkëlqente.
- Ngrihuni, - i tha kujdestari.
Ai u çua dhe kasketa i ra përtokë. Gjithë klasa ia plasi gazit.
U përkul ta merrte. Njëri nga ata që kishte pranë, ia rrëzoi me bërryl. Ai e
mori përsëri.
- Hiqeni qafe atë dreq kaske, - i tha kujdestari, që ishte njeri me mend dhe
me humor.
Nxënësit ia shkrepën një gazi që ia humbi fare toruan djalit të gjorë sa
s’dinte më ç’të bënte, ta mbante kasketën në dorë, ta linte përtokë apo ta vinte
në kokë. U ul përsëri dhe e vendosi mbi gjunjë.
- Ngrihuni, - ia pati dhe njëherë kujdestari, - dhe më thoni si quheni.
I riu murmuriti me një zë belbëzues një emër të pakuptueshëm.
- Përsëriteni!
U dëgjua sërish i njëjti belbëzim rrokjesh, që e mbytën vërshëllimat dhe
“ua”-të e klasës.
- Më fort, - i bërtiti kujdestari, - më fort!
Atëherë i riu, si mori një vendim të prerë, çapëleu gojën dhe shqiptoi me
sa i hante fyti, sikur të thërriste dikë larg, emrin “Sharbovari”.
Në çast shpërtheu një poterë e madhe që sa vente bëhej më e fortë, e
shoqëruar me klithma çjerrëse (ulërinin, sokëllinin, përplasnin këmbët,
përsërisnin: “Sharbovari! Sharbovari!”), pastaj u zgjat me ca britma të veçuara,
që mezi rreshteshin, dhe herë pas here rifillonte përnjëherësh në një rresht të
tërë banke ku plaste ende aty-këtu, si fishekzjarr i pashuar mirë, ndonjë e
qeshur e mbajtur me zor.
Mirëpo nga frika e breshërive të detyrave ndëshkimore, pak nga pak në
klasë u rivendos rregull, dhe kujdestari, që arriti më në fund të merrte vesh
emrin Sharl Bovari, pasi e bëri t’ia thoshte rrokje për rrokje, gërmë për gërmë
dhe t’ia rilexonte, e urdhëroi menjëherë të gjorin djalë të ulej në bankën e
përtacëve, ngjitur me katedrën. Ai u vu në lëvizje, por para se të dilte, pati një
ngurrim.
- Çfarë po kërkoni! – e pyeti kujdestari.
- Kas..., - tha gjithë druajtje i riu, duke vështruar i shqetësuar rreth e
përqark.
- Pesëqind vargje për dënim gjithë klasës, - urdhër i shqiptuar ky me një
zë të xhindosur, që e ndali në vend si ajo Quos ego,
një zallahi tjetër. – Mbani
pra qetësi! – vazhdonte kujdestari i zemëruar dhe duke fshirë ballin me një
shami që sa e kishte nxjerrë nga kapela e tij shtoi: - Ndërsa ju i riu, do të më
shkruani pastër njëzet herë foljen ridiculus sum.
Pastaj me një zë më të butë, i tha:
- Kasketën keni për ta gjetur; s’jua ka vjedhur njeri!
Më në fund ra një qetësi e plotë. Kokat u përkulën mbi fletore, dhe i riu
ndenji plot dy orë në mënyrë shembullore, ndonëse herë pas here e gjuanin me
nga një topth letre që ia hidhnin me majë pene dhe që i stërkiste fytyrën.
Mirëpo ai fshihej me dorë dhe rrinte pa lëvizur, me sy përdhe.
Në mbrëmje, në studim, nxori nga banka penat, vendosi në rregull sendet
e veta, vizoi gjithë kujdes një copë letër. Ne vumë re që ai punonte me
ndërgjegje, s’linte fjalë pa kërkuar në fjalor dhe mundohej shumë. Me siguri, në
sajë të gjithë atij vullneti që tregoi, ai nuk zbriti në një klasë më të ulët, sepse në
të vërtetë edhe pse i dinte njëfarësoj rregullat në ndërtimin e fjalive të tij
s’kishte pikë bukurie.
Latinishten e kishte filluar me famullitarin e fshatit, meqë prindërit për
arsye kursimi, ia kishin shtyrë sa kishin mundur regjistrimin në shkollë.
I ati, zoti Sharl-Dëni – Bartoleme Bovari, ish-ndihmës kirurg ushtarak, si
u ngatërrua aty nga viti 1812 në një çështje rekrutimi dhe u detyrua në atë kohë
të largohej nga shërbimi, nuk la t’i shpëtonte një rast martese me leverdi, që do
t’i siguronte një shumë gjashtëdhjetëmijë frangëshe, të cilën e kishte në prikë e
bija e një tregtari kapelash, e dashuruar pas hijeshisë së tij. Burrë i pashëm,
fjalëshumë, që e ngiste kalin si ai, me ca favorite që i bashkoheshin me
mustaqet, me gishtërinj të stolisur gjithmonë me unaza dhe veshur me rroba në
ngjyra që të binin në sy, ai dukej burrë trim dhe i hedhur si ndonjë tregtar
shetitës. Si u martua, nja dy-tre vjet e shtyu mirë me pasurinë e së shoqes, hante
bollshëm, çohej vonë në mëngjes, pinte duhan me llulla të mëdha porcelani, në
mbrëmje kthehej pasi mbaronte shfaqja, shkonte dhe nëpër kafene. Një ditë të
bukur i vdiq vjehrri dhe s’i la ndonjë gjë të madhe; u prek nga kjo humbje,
investoi në industri, ku humbi një sasi parash, pastaj u tërhoq në fshat ku
mendoi se do t’i shtonte të ardhurat. Mirëpo, meqë nga bujqësia s’merrte gjë
vesh më shumë sesa nga basmat, kuajt në vend që t’i mprihte në parmendë, ua
hipte për të shëtitur, mushtin e mollëve në vend që ta shiste me fuçi, e pinte për
qejfin e tij, hante ajkën e shpendëve që mbante dhe këpucët e gjuetisë i lyente
me dhjamin e derrave të shtëpisë, atij shumë shpejt do t’i mbushej mendja se
ishte më e udhës të hiqte dorë nga çdo lloj spekulimi.
Me dyqind franga në vit, gjeti më në fund me qira në një fshat, diku aty në
kufi midis Kosë dhe Pikardisë, një tip ndërtese, gjysmështëpi ferme,
gjysmëvilë, dhe i pikëlluar e i sfilitur nga brejtjet e ndërgjegjes, ndërsa fajin ia
hidhte zotit, tërë smirë ndaj të gjithëve, u mbyll brenda që dyzet e pesë vjeç, i
neveritur nga njerëzit, siç thoshte vetë, dhe i vendosur të jetonte i qetë.
E shoqja dikur çmendej pas tij; e kishte dashur sa s’i kishte lënë përulje pa
i bërë, gjë që atë e largonte akoma më tepër prej saj. Gazmore, zemërhapur e
me shpirt në dorë në të kaluarën, duke u plakur, ajo u bë (si puna e verës të
hapur që kthehet në uthull), e sertë, grindavece, nevrike. Sa kishte vuajtur ajo,
në fillim pa u ankuar kur e shihte t’iu qepej pas gjithë kurvave të fshatit dhe kur
kthehej në mbrëmje nga mejhanet e ndyra, i nginjur e i dehur që kundërmonte
nga pija! Më në fund ajo u prek në sedër. Qysh atëherë e mbylli gojën, duke
gëlltitur tërbimin me një stoicizëm të heshtur, që e mbajti deri sa vdiq.
Vazhdimisht ajo bënte pazarin dhe punë të ndryshme. Shkonte te përfaqësuesit
ligjorë, te kryetari, kujtohej për mbarimin e afateve të kambialeve, iu shtynte
atyre datat; dhe në shtëpi hekuroste qepte, lante, mbikëqyrte punëtorët, shlyente
dëftesat e borxheve, kurse zotëria, pa e prishur terezinë, i topitur si gjithmonë
nga dremitja e rëndë, që edhe kur i dilte s’bënte gjë tjetër veç i thoshte asaj fjalë
fyese, rrinte e pinte duhan pranë zjarrit, duke pështyrë në hi.
Kur ajo lindi, fëmijë, u desh t’ia linin një taje. Sa u kthye në shtëpi,
vogëlushi u llastua si ndonjë princ. E ëma e ushqente me glikora, i ati e linte të
vraponte zbathur, dhe, për t’u hequr si i ditur, shkonte deri aty sa thoshte që
mund të dilte dhe krejt lakuriq, si këlyshët e kafshëve. Në kundërshtim me
prirjet amënore, ai kishte në kokë njëfarë ideali mashkullor për fëmijërinë, me
të cilin mundohej të edukonte të birin, duke dashur që ai të rritej në kushte të
ashpra, si spartanët, me qëllim që të arrinte një zhvillim fizik të fuqishëm. E
çonte të flinte në dhomë pa zjarr, e mësonte të pinte me gllënjka të mëdha
rumin dhe të shante procesionet. Mirëpo vogëlushi, i qetë prej natyre, nuk u
përgjigjej dot sa duhej përpjekjeve të tij. E ëma e mbante gjithmonë pranë
vetes, i priste figura në karton, i tregonte përralla dhe pa marrë ndonjë
përgjigje, i fliste e i fliste atij pa pushim, me gjithë atë gëzim të trishtë dhe me
lloj-lloj përkëdhelish, si gojëpapërtuar. E ngujuar për së gjalli, ajo ia përkushtoi
kësaj koke fëmije gjithë krenaritë e saj të hapërdara, të thyera. Ëndërronte për të
pozita të larta, e përfytyronte të rritur, të bërë burrë, të pashëm, mendjehollë,
me punë si inxhinier ose si gjykatës. I mësoi të lexonte, bile me një piano të
vjetër që kishte, e ushtroi të këndonte nja dy-tri romanca të shkurtra. Mirëpo
për të gjitha këto, zoti Bovari që s’e çante fort kokën për kulturën letrare,
thoshte se nuk ia vlenin. Vallë do të kishin ndonjëherë ata mundësi ta mbanin të
birin nëpër shkollat e qeverisë, t’i blinin të drejtën e ndonjë profesioni apo t’i
hapnin ndonjë tregti? Në fund të fundit njeriu po qe i guximshëm e i pacipë di
gjithmonë të çajë në shoqëri. Zonja Bovari kafshonte buzët, dhe fëmija bridhte
andej-këndej nëpër fshat.
Ai shkonte mbrapa lëvruesve, dhe gjuante me plisa dheu korbat që
fluturonin. Hante manaferra buzë hendeqeve, ruante gjelat e detit me shul në
dorë, kthente kashtën për ta tharë në kohën e të korrave, vraponte nëpër pyll,
luante me peta nën portën e kishës, ditëve me shi dhe në festat e mëdha i lutej
shërbyesit të kishës ta linte t’u binte kambanave, sepse kënaqej kur varej i tëri
në litarin e madh dhe pastaj çohej peshë lart.
Kështu pra ai u rrit e hodhi shtat si lis. Duart erdhën e iu bënë të forta,
fytyra i ndrinte nga shëndeti.
Kur mbushi dymbëdhjetë vjeç, e ëma arriti ta çonte të fillonte mësimet.
Me këtë punë ngarkuan famullitarin. Mirëpo mësimet ishin aq të shkurtra dhe
aq të rralla, saqë nuk sollën ndonjë dobi të madhe. Ai ia jepte ato në çastet e
lira, në sakristi, në këmbë, shpejt e shpejt, gjatë kohës që kishte bosh midis një
pagëzimi dhe një varrimi; ose kishte raste që famullitari çonte e thërriste
nxënësin e tij pas falemimërisë, kur s’kishte për të shkuar vetë ndokund. Që të
dy ngjiteshin në dhomën e tij dhe zinin vend: mushkonjat dhe fluturat e natës
silleshin vërdallë qiriut. Bënte vapë, djalin e zinte gjumi; dhe xhaja, si dremiste,
me duart vënë mbi bark, fillonte pas pak të gërhiste gojëhapur. Herë të tjera kur
zoti famullitar, duke u kthyer nga kungimi që i kishte bërë ndonjë të sëmuri
diku aty afër, shihte Sharlin që endej kot më kot nëpër fushë, e thërriste, i bënte
moral një çerek ore dhe, duke përfituar nga rasti, i jepte për të zgjedhur ndonjë
folje rrëzë ndonjë peme. Po ja që i ndërpriste shiu apo ndonjë i njohur që
kalonte andej. Sidoqoftë ai ishte gjithmonë i kënaqur prej tij, bile thoshte se
djaloshi kishte kujtesë të fortë.
Mirëpo Sharli nuk mund të ngelej me kaq. Zonja u tregua mjaft e gjallë. I
turpëruar ose më mirë i lodhur, zotëria hapi rrugë pa kundërshtuar, pritën dhe
një vit deri sa djali të merrte kungimin e parë.
Kaluan dhe gjashtë muaj të tjerë derisa vitin tjetër Sharlin e çuan më në
fund në kolegjin e Ruanit, ku e solli vetë i ati, nga fundi i tetorit, në kohën e
panairit Shën Romen.
Tani askush prej nesh s’do ishte në gjendje të kujtonte ndonjë gjë të
veçantë prej tij. Ai ishte një djalë i matur, që luante në pushim, punonte
seriozisht gjatë orëve të studimit, ishte i vëmendshëm në mësim, flinte i qetë në
konvikt, hante si njeri në mensë. Si kujdestar kishte një shitës që bënte tregti
enësh kuzhine me shumicë në rrugën Gantri, i cili e nxirrte një herë në muaj,
ditën e diel, pasi mbyllte dyqanin, e shëtiste nëpër port që të shikonte anijet,
pastaj e sillte përsëri në kolegj, që në orën shtatë, para vaktit të darkës. Çdo të
enjte në mbrëmje, ai i shkruante një letër të gjatë të ëmës me bojë të kuqe dhe
zarfin e vuloste me tri copa të vogla brumi; pastaj përsëriste shënimet e
historisë ose lexonte një libër të vjetër të Anaharsisit
që qarkullonte sa andej-këndej nëpër sallën e studimit.
Kur dilte shëtitje, bisedonte me shërbëtorin që ishte fshatar si ai.
Falë zellit që tregonte, ai radhitej vazhdimisht ndër mesatarët e klasës;
bile një herë doli i treti në dituri natyre. Mirëpo kur mbaroi klasën e tretë
,
prindërit e hoqën nga kolegji dhe e futën të studionte për mjekësi, me bindjen
se do të ecte vetë deri në provimet e maturës.
E ëma i gjeti një dhomë, në katin e pestë, me dritare nga O-dë-Robeku, në
shtëpinë e një ngjyruesi rrobash, që njihte. Ra në ujdi me të për shumën e të
hollave të ushqimit dhe të fjetjes së të birit, siguroi ca orendi, një tryezë dhe dy
karrige, i solli nga shtëpia një shtrat të vjetër prej druri qershie të egër, bleu dhe
një sobë të vogël prej gize me gjithë stivën e druve, me të cilat do t’i ngrohej
djali i saj i gjorë. Pastaj u largua nga fundi i javës, mbasi s’i la porosi pa i dhënë
që të sillej mirë tani që do të mbetej fillikat vetëm.
Kur pa programin e mësimeve në afishe, djali i shkretë e humbi fare:
anatomi, patologji, fiziologji, farmaci, kimi, botanikë, klinikë, terapi, veç
higjienës e mjekësisë së përgjithshme, me një fjalë gjithë ato lëndë që s’dinte
nga u binte emri dhe që i dukeshin si dyer tempujsh të errët e hijerëndë.
S’ishte kurrkund; sado që tregohej i vëmendshëm, s’kuptonte asgjë.
Megjithatë punonte pa përtim, fletoret e shënimeve i kishte të lidhura mirë e
bukur, s’linte orë mësimi pa shkuar, s’linte t’i shpëtonte asnjë vizitë në spital.
Punonte si kali në lëmë që vjen vërdallë me sy mbyllur pa marrë vesh se ç’bën.
E ëma, për ta ndihmuar nga ana ekonomike, i dërgonte çdo javë me postë
një copë të madhe mishi të pjekur në furrë, me të cilën ai shtynte drekat, kur
kthehej nga spitali, duke përplasur këmbët që t’i ngroheshin. Pastaj vraponte
për të shkuar në mësim, në auditor, në spital dhe për t’u kthyer në dhomë, duke
i rënë nga ç’rrugë i vinte për mbarë. Në mbrëmje, pasi hante atë farë darke, që i
jepte i zoti i shtëpisë, ngjitej në dhomën e tij dhe i përvishej punës, ashtu siç
ishte, i veshur me rrobat qull, që i nxirrnin avull nga nxehtësia e sobës së
ndezur flakë.
Mbrëmjeve të bukura verore, atëherë kur rrugët ende të nxehta boshatisen
dhe shërbëtoret luajnë duke i hedhur njëra-tjetrës rrathë druri nëpër pragjet e
dyerve, ai hapte dritaren dhe mbështetej në parvazin e saj. Lumi që e ktheu këtë
lagje të Ruanit në surrogat të një Venecieje të vogël, rridhte dikur aty poshtë tij,
i verdhë, ngjyrë vjollce apo i kaltër, urë pas ure e grilë pas grile. Punëtorët e
ulur galiç në breg të tij, lanin duart me ujë. Varur nëpër purteka që dilnin nga
pullazet thaheshin turra pambuku. Më tej, përmbi çati shtrihej qielli i pafundmë
e i pastër me diellin e kuq që perëndonte. Sa mirë duhej të ishte aty! Sa freskët
duhej të ishte në ahishte! I pushtuar nga ky mendim, ai hapte flegrat e hundës
për të thithur erërat e mira të fushës, të cilat nuk arrinin deri tek ai.
U hollua, hodhi shtat dhe fytyra i mori një pamje të përvajshme, duke u
bërë gati-gati tërheqëse.
Natyrisht, plogështia bëri të vetën tek ai: hoqi dorë nga të gjitha vendimet
që kishte marrë dikur. Njëherë s’shkoi në spital, të nesërmen la mësimin dhe, si
i pëlqeu dembelizmi, filloi pak nga pak mos të vente më fare në shkollë.
Iu bë zakon të shkonte në kabare dhe iu fut në gjak dominoja. Të mbyllej
çdo mbrëmje në një lokal të ndyrë e aq, ku trokëlliste mbi tryezë mermeri ca
copa të vogla kockash deleje me pika të zeza përsipër, atij i dukej si provë e
çmuar e lirisë së tij, e cila ia shtonte më tepër vlerën që i jepte vetes. Kur filloi
nga qejfet e ndaluara atij i dukej se po futej në jetë dhe, sa herë që hynte në
ndonjë kabare, ndiente një kënaqësi thuajse epshore sa vendoste dorën mbi
dorezën e derës. Shumë gjëra që deri atëherë i kishte ndrydhur në brendësi të
vetvetes, filluan t’i dilnin në sipërfaqe; mësoi përmendsh kuplete, të cilat ua
këndonte femrave të lehta, u dha pas Beranzhesë
, mësoi ponçin dhe më në
fund mori vesh se ç’ishte dashuria.
I dhënë pas këtyre punëve, u rrëzua në gjithë provimet që dha për të dalë
punonjës shëndetësie. Po që atë mbrëmje e prisnin dhe në shtëpi për të festuar
suksesin e tij!
U nis më këmbë dhe u ndal aty në të hyrë të fshatit, ku dërgoi e thërriti të
ëmën, të cilës ia tregoi të gjitha fill e për pe. Ajo ia fali, duke ia hedhur fajin,
për dështimin e tij, komisionit që ishte treguar i padrejtë dhe i dha disi zemër,
duke marrë përsipër se do t’i rregullonte vetë të gjitha.
Vetëm pas pesë vjetësh zoti Bovari do të merrte vesh të vërtetën; mirëpo
qysh atëherë kishin kaluar shumë kohë, kështu që ai e pranoi pa mundur dot as
vetë ta merrte me mend se pjella e tij ishte një copë budalla.
Sharli iu përvesh sërish punës dhe përgatiti njërën pas tjetrës lëndët e
provimit, pyetjet e të cilit i mësoi paraprakisht të gjitha përmendsh. Ai kaloi në
të tëra lëndët me nota të kënaqshme. Ç’ditë e lumtur për të ëmën! U dha një
gosti e madhe.
Po profesionin ku do ta ushtronte vallë? Në Tot. Aty kishte vetëm një
mjek të vjetër. Prej kohësh zonja Bovari mezi priste që ai të vdiste, dhe pa u
larguar ende i gjori plak, Sharli zuri vend mu te turitë e tij, si pasardhës.
Megjithatë mirë që e rriti të birin, e nxori mjek, siguroi dhe një vend pune
në Tot, por nuk mjaftonte me kaq; atij i duhej edhe një nuse. Ajo ia gjeti edhe
këtë: vejushën e një nëpunësi përmbarimi nga Diega, e cila kishte mbi vete
dyzet e pesë vjeç si dhe një mijë e dyqind franga të ardhura në muaj.
Ndonëse ishte e shëmtuar, e thatë si shkarpë dhe me një fytyrë gjithë lytha
si pranvera me sytha, zonjës Dybyk nuk i kishin munguar rastet për martesë.
Për t’ia arritur qëllimit të vet, nënë Bovarisë iu desh t’i hiqte qafe gjithë ata
kandidatë, bile, me mjaft mjeshtëri, bëri të dështonin dhe intrigat e një kasapi,
të cilin e përkrahnin priftërinjtë.
Sharli e kishte menduar martesën si një mjet që do t’i krijonte kushte më
të mira, duke kujtuar se kishte për të qenë më i lirë dhe se do të mund të bënte
ç’të donte si me veten dhe me paratë e tij. Mirëpo ja që frerët ia mori në dorë e
shoqja; kur kishin njerëz në shtëpi ai duhej të thoshte këtë dhe jo atë, të
premteve duhej të hante lehtshëm pa vënë mish e yndyrë në gojë, të vishej sipas
shijes së saj, t’u merrte shpirtin, ashtu siç e urdhëronte ajo, pacientëve që nuk
paguanin. Letrat e tij, e para i hapte ajo, e vëzhgonte në çdo hap që bënte, dhe,
sa herë që kishte femra për të vizituar, e përgjonte nga mbrapa çatmës së
dhomës se si u jepte këshilla.
Çdo mëngjes duhej t’i çonin kakaon, të tregonin për të përkujdesje pa
mbarim. Ajo ankohej vazhdimisht nga nervat, nga gjoksi nga gjithë trupi. S’e
duronte dot zhurmën e hapave; po të largohej i shoqi, vetmia i neveritej; po të
kthehej ai pranë saj, ajo mendonte se, me siguri, e bënte këtë vetëm e vetëm që
ta shikonte para se të vdiste. Në mbrëmje kur vinte Sharli, ajo nxirrte nga
poshtë çarçafëve krahët e saj të gjatë e të thatë, ia hidhte në qafë dhe, si e ulte
në anë të krevatit, zinte e i fliste për brengat e saj; jo ai s’e kishte mendjen fare
tek ajo, jo donte një tjetër! Mirë i kishin thënë se kishte për të qënë fatzezë; dhe
përfundonte duke i kërkuar ndonjë shurup për shëndetin dhe pak më tepër
dashuri.