Pages

Pjesa Dyte - Kreu 11 - Romani Zonja Bovari i Gustav Flober

http://libratonline.blogspot.com/search/label/Zonja%20Bovari
PJESA E DYTË
Kreu XI

Kohët e fundit ai kishte lexuar për një metodë të re që e lavdëronin shumë, për kurimin e këmbëve të shtrembra; dhe, meqë ishte ithtar i përparimit, i lindi ideja patriotike që edhe Jonvili, të ishte në nivelin e duhur; duhej të bëheshin edhe aty operacione strefopodie.
- Sepse, - i thoshte ai Emës, - ç’humbasim? Mendojeni këtë
çështje (dhe i numëronte një nga një me gishta, dobitë e kësaj orvatjeje); sukses pothuajse i padiskutueshëm, shërbim dhe zbukurim i të sëmurit, famë e shpejtë për kirurgun. Përse, burri juaj për shembull, nuk do të kishte dëshirë ta shpëtonte atë Hipolitin e gjorë, të Luanit të artë? Mos harroni që ai s’ka për të lënë udhëtar pa i treguar për shërimin e tij dhe pastaj (Omeu ulte zërin dhe vështronte rreth e rrotull vetes) kush do të më mbante mua, më thoni, t’i dërgoja gazetës një copë shënim për këtë arritje? Po, për zotin! Artikulli qarkullon dorë më dorë..., njerëzit ngre e ul atë muhabet do të kenë..., fama ka për t’u bërë e madhe si ai topi i borës që rrokulliset! Dhe kushedi? Kushedi?
Në fakt, Bovariu mund t’ia dilte mbanë; Ema s’kishte asnjë arsye të vinte në dyshim zotësinë e tij, dhe ç’kënaqësi do të ishte për të, pasi ta kishte futur në një orvatje që do t’ia shtonte si famën edhe pasurinë? Ajo s’kërkonte gjë tjetër veçse të mbështetej te diçka më të fortë sesa dashuria.
I nxitur si nga farmacisti dhe ajo, Sharlit iu mbush mendja. Pasi i erdhi nga Ruani, me porosi të tij, libri i doktor Dyvalit, ai çdo mbrëmje, duke mbajtur kokën me duar, zhytej i tëri në lexim.
Ndërsa ai po studionte ekuinuset, varuset dhe valguset, domethënë strefokatopodinë, strefendopodinë dhe strefeksopodinë (ose, më mirë të themi, shtrembërimet e ndryshme të këmbës, qoftë nga poshtë, përbrenda apo nga jashtë), si dhe strefipodinë e strefanopodinë (me fjalë të tjera përdredhjen e këmbës nga poshtë dhe të drejtuarit e saj nga lart), zoti Ome, duke përdorur gjithfarë arsyetimesh, e shtynte shërbyesin e hanit të operohej.
- S’ke për ta ndier fare, vetëm një pickim i thjeshtë sikur të marrin pakëz gjak, më pak bile se sa të shkulin kallo nga gishtërinjtë e këmbës.
Hipoliti, duke vrarë mendjen, zgurdullonte sytë andej-këndej si i lajthitur.
- Në fund të fundit, - vazhdonte farmacisti, - se mos më hyn mua gjë në hesap! Kjo është punë për ty! Ta them vetëm për njerëzillëk! Do të më vinte mirë edhe mua, or mik, të shpëtoje njëherë e mirë nga ai çalim i shëmtuar, nga ajo lëkundje e mesit si varkë, që lëre se ç’thua ti, po ajo kushedi sa të pengon në ushtrimin e zanatit.
Më tej, Omeu i tregonte se sa të fuqishëm e të shkathët do ta ndiente veten pas asaj, dhe bile i linte të kuptonte se kishte për t’u bërë më tërheqës për femra, ndërsa stallieri fillonte të buzëqeshte si hajvan.
Pastaj e prekte në sedër:
- Dreqi ta hajë, i thua vetes burrë ti apo jo? Ç’do të bëje ti po të ishe i detyruar të shkoje ushtar e të luftoje?... Ah! Hipolit!
Dhe Omeu largohej, duke thënë se nuk e merrte vesh këtë kokëfortësi, se si i qenë zënë sytë e nuk pranonte të përfitonte nga të mirat e shkencës.
Më në fund, i gjori ai, u dorëzua, sepse ia punuan si me komplot. Bineu, që nuk përzihej kurrë në punët e të tjerëve, zonja Lëfransua, Artemiza, fqinjët, dhe bile deri kryetari i bashkisë, zoti Tyvazh, të gjithë pa përjashtim, iu qepën, e shanë e s’i lanë llaf e bënin me turp; mirëpo ajo që e bëri me të vërtetë të vendoste ishte se ndërhyrja kirurgjikale nuk do t’i kushtonte asgjë. Bile Bovariu mori përsipër se do ta siguronte vetë mjetin e nevojshëm për operacionin. Mendimi për këtë bujari i lindi Emës dhe Sharli pranoi, duke menduar thelë në shpirt, se e shoqja ishte një engjëll.
Sipas këshillave të farmacistit, dhe pasi e filloi tri herë rresht, ai sajoi me porosi te zdrukthëtari, të cilin e ndihmoi dhe riparuesi i bravave, një si punë kutie që peshonte rreth katër kile, dhe në të cilën u vunë pa hesap hekur, dru, llamarinë, lëkurë, vidha e dado.
Mirëpo, para se të përcaktohej se cili tendin do t’i pritej Hipolitit, duhej marrë vesh njëherë se çfarë lloj shtrembërimi kishte ai në këmbë.
Njërën shputë e kishte pothuajse në vijë të drejtë me këmbën, prandaj i vinte e përdredhur nga brenda, kështu që vuante nga një ekuinus i ndërlikuar me pak varus, ose nga një varus i lehtë me ekuinus tepër të theksuar. Mirëpo dhe me këtë ekuinus, të mbledhur grusht sa një këmbë kali, me lëkurë të ashpër, me deje të thata, me gishta të trashë, dhe ku thonjtë e zinj dukeshin si gozhdë patkoi, uloku, vraponte, që nga mëngjesi deri në mbrëmje, porsi ndonjë dre. Vazhdimisht te sheshi e shihje, tek kërcente hop aty e hop këtu rreth e përqark qerreve, duke hedhur përpara gjymtyrën më të shkurtër. Bile dukej se e kishte më të fuqishme këtë sesa të saktën. Ajo, ngaqë e kishte përdorur pareshtur, kishte fituar ca si veti morale durimi dhe force, dhe kur atij i jepnin ndonjë punë të rëndë, i vinte më për mbarë të mbështetej mbi të.
Mirëpo, meqë ishte fjala për një ekuinus, duhej prerë delli i Akilit, me kusht që për të zhdukur varusin, muskuli i përparmë tibial, të operohej më vonë, sepse mjekut nuk ia mbante të ndërmerrte dy operacione njëherësh, dhe bile dridhej i tëri para se të fillonte, nga frika se mos fuste dorë në ndonjë zonë delikate nervash që nuk e njihte.

As Ambruaz Paresë  , kur kreu për herë të parë, pesëmbëdhjetë vjet pas Selsit  , lidhjen e menjëhershme të një arteri, as Dypytrenit  , kur donte të shpërthente një qeskë me qelb nën një shtresë të trashë truri, as Zhansulit, kur bëri ablacionin e parë të nofullës së sipërme, nuk u kishte rrahur zemra aq fort, nuk u ishte dridhur dora aq shumë, nuk u kishte hipur gjithë ai tension në kokë sa zotit Bovari kur u afrua pranë Hipolitit, me tenotam në dorë. Dhe, tamam si nëpër spitale, aty afër, mbi një tryezë, kishte një grumbull leckash, penj të lyer me dyllë, gjithë ato fasha, një pirg i tërë me fasha, tërë sasia e fashave që kishte farmacisti. Gjithë këto përgatitje i kishte bërë që në mëngjes vetë zoti Ome, si për të mahnitur të tjerët dhe për të gënjyer veten e tij. Sharli e shpoi lëkurën, u dëgjua një kërcitje e thatë. Delli u pre, operacioni mbaroi. Hipoliti s’e mblidhte dot veten nga habia; ai përkulej mbi duart e Bovariut, që t’ia mbulonte me të puthura.
- Eja tani, qetësohu, - i thoshte farmacisti, - ke për t’ia treguar më vonë mirënjohjen bamirësit tënd!
Dhe zbriti poshtë t’u njoftonte rezultatin nja pesë a gjashtë kureshtarëve që prisnin në oborr dhe që kujtonin se Hipoliti do t’u dilte duke ecur drejt. Pastaj Sharli, si e lidhi të sëmurin e tij me aparatin mekanik u kthye në shtëpi, ku e priste gjithë ankth Ema te pragu i derës. Ajo iu hodh në qafë; u shtruan në tryezë; ai u shqep në të ngrënë, bile, kur erdhën ëmbëlsirat, kërkoi dhe një filxhan kafe, salltanet i tepruar ky që ia lejonte vetes vetëm të dielave kur kishte të ftuar.
Mbrëmjen e kaluan për mrekulli, me gjithë ato biseda e ëndërrime. Folën për pasurimin që i priste, për një rregullim akoma më të mirë të shtëpisë; ai parafytyronte sesi do t’i përhapej fama se si do t’i rritej mirëqenia, se si do ta donte gjithmonë e shoqja; ndërsa ajo e ndiente veten të lumtur që po ripërtërihej me një ndjenjë të re, më të shëndoshë, më të mirë, që kishte në fund të fundit njëfarë dhembshurie për atë njeri të shkretë, i cili e donte aq shumë. Për një çast i ra nëpër mend Rodolfi; mirëpo sytë i ktheu përsëri nga Sharli; bile vuri re me habi që ai s’i kishte aspak dhëmbët të shëmtuar.
Ata kishin rënë në shtrat kur zoti Ome, pa pyetur për kuzhinieren që s’e linte, hyri papritmas në dhomë, duke mbajtur në dorë një fije letër të porsashkruar. Ishte një artikull i shkurtër lavdërues që do t’ia dërgonte për ta botuar “Fenerit të Ruanit” e po ua sillte ta lexonin.
- Na e lexoni ju vetë, - i tha Bovariu.
Ai ia filloi:
“Me gjithë paragjykimet që, mbulojnë si rrjetë një pjesë të faqes së Evropës, drita po nis tashmë të depërtojë edhe nëpër fshatrat tona. Ja, kështu për shembull, të martën, qyteza jonë e vogël Jonvil, jetoi një eksperiment kirurgjik që përbën njëkohësisht dhe një akt filantropik të lartë. Zoti Bovari, një nga mjekët tanë më të shquar...”
- Oh! Kjo është e tepërt! Kjo është e tepërt! – i thoshte Sharli, që mezi mirrte frymë nga emocionet.
- Po jo, s’është fare ashtu! Si qenka e tepërt!... “i operoi shputën e këmbës sakate...” Nuk e kam vënë termin shkencor, sepse, ju e dini, në një gazetë..., rrezik s’kishin për ta kuptuar të gjithë; duhet që masat...
- Po, tamam ashtu është, - i tha Bovariu. – Vazhdoni.
- Po e filloj aty ku e lashë, tha farmacisti. “Zoti Bovari, një nga mjekët tanë më të shquar, i operoi shputën e këmbës sakate të ashtuquajturit Hipolit Toten, stallier qysh prej njëzet e pesë vjetësh pranë hotelit Luani i artë, që e mban vejushë, zonja Lëfransua, në Sheshin e Armëve. Ishin grumbulluar aq shumë njerëz nga kureshtja për këtë përçapje si diçka e re dhe nga interesimi për të sëmurin, saqë me të vërtetë përpara godinës mjekësore nuk kaloje dot. Përveç kësaj, operacioni u krye si me magji dhe mezi doli ndonjë pikë gjak mbi lëkurë, si dëshmi e asaj që delli i pabindur iu nënshtrua më në fund përpjekjeve të mjeshtërisë kirurgjike. I sëmuri, për çudi, (e pohojmë këtë de visu  ), nuk pati asnjë dhimbje. Gjendja e tij, deri tani është si jo më mirë. Gjithçka të bën të besosh që ka për t’u shëruar shpejt; dhe kushedi, ndoshta në festën e ardhshme të fshatit, pse të mos e shohim Hipolitin tonë të dashur në vallet e verës, mes grupit të djemve të gëzuar, dhe t’u tregojë kështu me tempin dhe kërcimet e tij, të gjithëve atyre që i kanë sytë në ballë se ai është shëruar plotësisht? Të nderuar qofshin pra, dijetarët bujarë! Të nderuar qofshin këto mendje të palodhura që ua kushtojnë netët e tyre pa gjumë përmirësimit të shëndetit apo lehtësimit të dhimbjeve të species së tyre. Të nderuar qofshin! Tri herë të nderuar qofshin! A s’është pra rasti ta themi me zë të lartë se të verbërve do t’u vijë drita e syve dhe çalamanët do të ecin për së mbari me këmbët e tyre! Por atë që dikur fanatizmi ua premtonte vetëm të bindurve të tij, sot shkenca po e kryen për të gjithë njerëzit! Lexuesit tanë do t’i mbajmë në dijeni të fazave të njëpasnjëshme të këtij mjekimi kaq të rrallë.”
Mirëpo, pas pesë ditësh, teto Lëfransuai erdhi e lemerisur duke bërtitur:
- Ndihmë! Ai po vdes!... Po luaj mendsh!
Sharli u sul drejt Luanit të artë, dhe farmacisti që e vuri re kur kalonte nëpër shesh, pa kapelë në kokë, e la në çast farmacinë. Ia behu dhe ai vetë, duke gulçuar, i skuqur në fytyrë, dhe duke pyetur të gjithë ata që po ngjisnin shkallët:
- Po ç’ka vallë strefopodi ynë interesant?
Strefopodi që e kishin kapur dhimbje të tmerrshme përpëlitej e përdridhej aq shumë saqë aparatin mekanik ku ia kishin mbyllur këmbën, e përplaste fort pas murit sa nuk e shkallmonte.
Si përfundim ia hoqën kutinë me shumë kujdes që të mos ia lëviznin gjymtyrën nga pozicioni që kishte, dhe ç’të shihnin, një llahtari të vërtetë. Format e këmbës ishin zhdukur nga një enjte e tillë saqë krejt lëkura dukej sikur do të plaste, dhe ishte mbuluar gjithë njolla të irnuara, të shkaktuara nga aparati i famshëm. Hipoliti ishte ankuar qysh më parë se ai i jepte dhimbje, po nuk ia kishte vënë njeri veshin; sidoqoftë u detyruan të pranonin se ai nuk bënte kot, dhe e lanë të lirë disa orë. Mirëpo sa iu ul paksa të ënjturit, të dy dijetarët e panë me vend që t’ia vendosnin përsëri këmbën në aparat, dhe t’ia shtrëngonin më fort, për të shpejtuar procesin. Më në fund, pas tri ditësh, meqë Hipoliti s’mund të duronte më, ata ia hoqën edhe një herë tjetër mekanizmin, duke u habitur shumë nga rezultati që vunë re. Mbi gjithë këmbën shtrihej një e ënjtur e mavijosur, dhe vende-vende kishte fshikëza nga të cilat kullonte një lëng i zi. Pisk po shkonte kjo çështje. Hipoliti filloi të mërzitej, dhe teto Lëfransuai e vendosi në dhomën e vogël, pranë kuzhinës, që të kishte të paktën ndonjëfarë zbavitje.
Mirëpo tagrambledhësi, që hante darkë atje përditë, ankohej që e kishte atë aty afër. Atëherë Hipolitin e çuan në sallën e bilardos.
Ai rrinte shtrirë, duke rënkuar, nën batanijet e trasha, i zbehur, i parruar, me sy të futur thellë në zgavra, dhe, herë pas here, kthente kokën qull në djersë mbi jastëkun e pistë mbi të cilin suleshin mizat. Zonja Bovari vinte e shihte. Ajo i sillte lecka për jaki, dhe e ngushëllonte, i jepte zemër. Atij i bënin shoqëri të tjerë, sidomos ditëve të pazarit, kur fshatarët, rreth e rrotull tij, u binin gurëve të bilardos, bënin shpatë me steka, tymosnin duhan, pinin, këndonin, ulërinin e sokëllinin.
- Si po ia çon? – i thoshin ata duke i rënë supeve. – Aha! S’qenke në formë me sa duket! Po e ke fajin vetë. Duhej të kishe bërë ashtu e kështu.
Dhe ata i tregonin si i kishte ndodhur filanit e fistekut që ishin shëruar pa përjashtim me rrugë të tjera, ndryshe nga ai; pastaj, si për ta ngushëlluar, shtonin:
- Si shumë e ruan veten! Pa ngrihu njëherë! Po e merr veten me të mirë si ndonjë mbret! Boll tani, qerrata! Pastaj kundërmon edhe një erë!
Dhe me të vërtetë, gangrena sa vinte e i përhapej më shumë. Bovariu ishte për vete në hall të madh prej saj. Ai vinte e shihte orë e çast. Hipoliti e vështronte me sy të llahtarisur dhe belbëzonte duke ngashëryer:
- Kur do të shërohem unë?... Ah! Shpëtomëni!... Ç’më gjeti! Ç’më gjeti!
Dhe mjeku largohej, gjithmonë duke e porositur të mbante dietë.
- Mos ia vër veshin ç’thotë ai, biri im, - e këshilloi teto Lëfransuai. – Boll të meruan! Do të telikosesh më keq. Na, ha tani!
Dhe i jepte ndonjë lëng mishi të mirë, ndonjë blanjë kofshe dashi, ndonjë copë sallo, dhe nganjëherë ndonjë teke raki, që atij s’ia mbante ta afronte as te buzët.
Abat Burnizieni, si mori vesh që gjendja e tij po rëndohej, kërkoi të shkonte ta shihte. Filloi t’i qante hallin për atë të keqe që e kishte zënë, duke thënë se duhej të gëzohej prej saj, meqë kështu e kishte dashur zoti, dhe të përfitonte, pa humbur kohë nga ky rast, për t’u pajtuar me qiellin.
- Sepse, - e sqaronte prifti, me një ton atëror, - ti e lije disi pas dore detyrat e tua; rrallë herë të shihnim në meshë; sa vite u bënë që nuk je kunguar? E kuptoj që punët, vorbulla e kohës së sotme, mund të mos të kenë lënë të kujdesesh për shpëtimin tënd. Mirëpo tani erdhi vakti të mendohesh. Megjithatë mos i humb shpresat, kam njohur mëkatarë të mëdhenj unë që, pak kohë para se të dilnin para zotit (ti s’ke shkuar akoma deri aty, e di mirë unë) kërkuan me lutje mëshirën e tij, dhe që me siguri vdiqën si s’ka më mirë. Le të shpresojmë, se edhe ti, ke për të na dhënë shembull të mirë! Kështu pra, për t’i dalë të keqes përpara, s’të pengon njeri të recitosh mëngjes për mëngjes e mbrëmje për mbrëmje “Ju përshëndes, Mari hirplote”, dhe një “Ati ynë, që jeni në qiell”! Po, bëje këtë! Për mua, që të të detyrohem. Ç’të kushton?... Ma jep fjalën?
I ziu djalë ia dha fjalën. Prifti erdhi edhe ditët e tjera. Ai bisedonte me hanxheshën, tregonte bile dhe anekdota të përziera me shakara, dhe lojëra fjalësh të cilat Hipoliti nuk i merrte vesh. Pastaj me t’iu krijuar mundësia, ai u kthehej çështjeve fetare, duke marrë një pamje solemne siç ia donte rasti.
U duk sikur ia doli mbanë me zellin që tregoi, sepse s’kaloi shumë kohë dhe strefopodi shfaqi dëshirën të shkonte në pelegrinazh në Bon-Skur  , po të shërohej: gjë që zoti Burnizien iu përgjigj duke thënë se s’kishte ndonjë kundërshtim; dy masa ia vlenin më tepër se sa një e vetme. S’kishin ç’humbnin.
Farmacisti u revoltua me “manovrat e priftit”, siç i quante ai; ato nuk i bënin mirë, sipas tij, shërimit të Hipolitit, dhe vazhdimisht i përsëriste zonjës Lëfransua:
- Lëreni rehat! Lëreni rehat! I turbulloni shpirtin me atë misticizmin tuaj!
Mirëpo gruaja zemërmirë nuk donte më ta dëgjonte. Ai ishte shkaktari i të gjithave. Si njeri që kishte shpirtin e kundërshtimit ajo vuri bile në kokën e shtratit të të sëmurit një enë plot me ujë të bekuar, me një degë bushi.
Megjithatë feja nuk dukej se po i bënte ndonjë gjë më shumë se sa kirurgjia dhe gangrena e papërmbajtur vinte duke iu ngjitur gjithmonë e më tepër nga gjymtyrët në bark. Sado që ia ndryshonin ilaçet dhe ia ndërronin jakitë, muskujt po i shprisheshin përditë e më shumë, dhe më në fund Sharli i pohoi me kokë teto Lëfransuait kur kjo e pyeti se po të humbnin çdo shpresë, a mund të kërkonte të vinte nga Nëfshateli zoti Kanive, që ishte i famshëm.
Doktor me titull në mjekësi, pesëdhjetëvjeçar, me nam të mirë dhe i sigurt në vetvete, kolegu si pa të keq nënqeshi me përçmim kur zbuloi atë këmbë të gangrenizuar deri në gju. Pastaj, pasi e tha troç se ajo duhej prerë, shkoi te farmacisti dhe s’la gjë pa thënë për hajvanët që e kishin katandisur atë qyqar në atë gjendje. Duke tundur zotin Ome që e kishte kapur nga kopsa e redingotës, ai sokëllinte nëpër farmaci:
- Janë shpikjet e Parisit këto! Ja ç’idera kanë ata zotërinjtë e kryeqytetit! Tamam si puna e strabizmit, e kloroformit, dhe e litotripisë  , gjithë këto lemeri që qeveria duhej t’i ndalonte. O po duan të shesin mend dhe të fusin ilaçe pa e çarë kokën më pas për pasojat e tyre. Ne të tjerët s’qenkemi aq të zotët; s’qenkemi shkencëtarë ne, bandillë, zemërxhevahirë; ne jemi mjekë të thjeshtë, që shërojmë të sëmurë, por që s’do të na shkonte kurrë nëpër mend të operonim një njeri që është shëndoshë e mirë. Të drejtosh këmbë të shtrembra! Po a bëhet kjo? Është njësoj sikur të dojë ta zëmë, të drejtosh një gungaç.
Omeu e dinte ç’hiqte kur dëgjonte këto fjalë, dhe e fshihte sikletin e tij me një buzëqeshje oborrtari, sepse s’i leverdiste të prishej me zotin Kanive, recetat e të cilit nganjëherë vinin deri në Jonvil, prandaj dhe nuk e mbrojti fare Bovariun, nuk bëri bile asnjë vërejtje, dhe, duke hequr dorë nga parimet vetjake, për hir të interesave më të rëndësishme të tregtisë, e shumëzoi me zero dinjitetin e tij.
Prerja e këmbës që do të kryente doktor Kanivei ishte një ngjarje e madhe për gjithë fshatin. Atë ditë, të tërë banorët, ishin ngritur më herët, dhe rruga e madhe, ndonëse plot me njerëz, kishte diçka të kobshme, sikur do të ekzekutohej ndonjë i dënuar me vdekje. Te bakalli bisedonin për sëmundjen e Hipolitit; dyqanet nuk shisnin asgjë, dhe zonja Tyvazh, e shoqja e kryetarit të bashkisë, s’shqitej nga dritarja, sa mezi priste të shikonte kirurgun kur të vinte.
Ai erdhi me kaloshinin e tij, të cilin e ngiste vetë. Mirëpo, meqë susta nga ana e djathtë, me kalimin e kohës, kishte rënë nga pesha e trupit të tij të rëndë, karroca anonte paksa gjatë ecjes dhe mbi ndenjësen tjetër pranë tij, dukej një kuti tepër e madhe e mbuluar me lëkurë të kuqe, mbërtheskat prej bakri të së cilës shkëlqenin si jo më bukur.
Kur hyri si shakullinë, në portën e Luanit të artë, doktori, duke bërtitur me zë të lartë, urdhëroi t’i zgjidhnin kalin, pastaj shkoi në stallë të shihte në po e hante me oreks tërshërën sepse, kur shkonte te të sëmurët, e kishte zakon të kujdesej njëherë për kafshën dhe kaloshinin e tij. Bile, lidhur me këtë gjë, njerëzit thoshin: “Ah! Zoti Kanive është tip më vete!” Dhe e çmonin edhe më tepër që s’e prishte kurrë terezinë. Edhe sikur të shuhej bota deri te më i fundit, ai s’kishte për të hequr dorë as nga zakoni më i rëndomtë i tij.
Omeu i doli përpara.
- Kam besim te ju, - i tha doktori. – A jemi gati? Le të fillojmë!
Mirëpo farmacisti, duke u skuqur në fytyrë, i tregoi haptazi se duke qenë njeri tepër i ndjeshëm, nuk mund të merrte pjesë në një operacion të tillë.
- Kur rri thjesht si shikues, - i tha ai, - të tronditet, ju e dini, imagjinata! Le pastaj që e kam sistemin nervor aq të...
- Eeuu! – ia preu fjalën Kanivei, - mua më duket se, përkundrazi mund ta pësoni nga damllaja. Bile s’më vjen fare çudi; sepse ju, zotërinjtë farmacistë, e keni kokën vazhdimisht te kuzhina, gjë që me kalimin e kohës ua prish temperamentin. Ja shikomëni mua më mirë: çdo ditë çohem në orën katër të mëngjesit, rruhem me ujë të ftohtë (s’mërdhij kurrë unë), dhe nuk mbaj fanellë në mish, s’më zë rrufa asnjëherë, top e kam trupin! Herë rroj ashtu, herë rroj kështu, si filozof, ushqehem me ç’të më dalë përpara. Prandaj dhe nuk jam i prekshëm si ju, kam për borxh ta pres copë e çikë një të krishter si të qe ndonjë pulë e aq. Ju do të thoshit se jam mësuar!... Jam mësuar!...
Dhe atëherë, pa u bërë merak fare për Hipolitin, që ishte bërë, i mbuluar në shtrat, qull në djersë nga frika e tmerrshme, këta zotërinj ia nisën një bisede, gjatë së cilës farmacisti e krahasoi gjakftohtësinë e një kirurgu me atë të një gjenerali; dhe kjo përqasje i pëlqeu Kaniveit, i cili foli gjatë e gjerë për kërkesat e mjeshtërisë së tij. Ai e quante këtë si mision të vërtetë fetar, ndonëse mjekët pa titull hidhnin baltë mbi të. Më në fund, kur u kujtua për të sëmurin, këqyri fashat që kishte sjellë Omeu, pa ato që ishin edhe kur u operua këmba shtrembaluqe, dhe kërkoi një njeri për t’i mbajtur gjymtyrën. Dërguan të thërrisnin Letibuduain dhe zoti Kanibe, pasi përveshi mëngët, kaloi në sallën e bilardos, ndërsa farmacisti rrinte me Artemizën dhe hanxheshën, që të dyja më të zbehta sesa përparëset e tyre dhe përgjonin me vesh prapa derës.
Gjatë kësaj kohe, Bovariu s’guxonte të kapërcente pragun e shtëpisë. Ai rrinte poshtë, në dhomën e ngrënies, ulur në qoshe të oxhakut pa zjarr, me kokë të varur mbi kraharor, duarlidhur syngulur në një vend. “Ç’tersllëk! – mendonte me vete, - Ç’zhgënjim!” Se mos kishte lënë masë pa marrë i ziu ai. Po ç’t’i bënte, ashtu e donte fati. Ç’rëndësi kishte! Në rast se Hipoliti vdiste më vonë, ai do të quhej vrasës. Dhe pastaj, si do të justifikohej para të sëmurëve kur ta pyesnin? Po mos ndoshta kishte bërë ndonjë gabim? Vriste mendjen, po s’gjente gjë. Sidoqoftë dhe kirurgët më të shquar gaboheshin që ç’ke me të. Po hajde mbushua mendjen njerëzve. Do të talleshin me të, bile do ta mbanin nëpër gojë. Fjala do të merrte dhenë deri në Forzh! Deri në Nëfshatel! Deri në Ruan! Gjithandej. Kushedi do të kishte edhe kolegë që do të shkruanin kundër tij! Pastaj do të ndizej polemika, duhej dhënë përgjigje nëpër gazeta. Hipoliti ndoshta mund ta hidhte në gjyq. E përfytyronte veten të mbuluar me turp, të rrënuar, të humbur! Dhe imagjinata e tij e kapluar nga një mori hamendjesh, përplasej sa me njërën ide, sa me tjetrën si ndonjë fuçi e zbrazët mes detit që e rrëmbejnë dallgët.
Ema, përballë tij, e vështronte; ajo nuk ndiente të njëjtin poshtërim si ai, por një tjetër: atë që kishte pandehur se një njeri si ai mund të vlente diçka, sikur të mos e kishin mjaftuar ato dhjetëra raste për të vënë re se sa mediokër ishte.
Sharli i binte dhomës kryq e tërthor, çizmet i kërcisnin mbi parket.
- Ulu, - i tha ajo, - po më ngre nervat përpjetë!
Ai u ul.
Si ishte e mundur që ajo (ajo që ishte aq e zgjuar!) të kishte gabuar përsëri? Përveç kësaj, ç’dreq manie e shtyu që prishi gjithë jetën e saj duke bërë vazhdimisht sakrifica? Iu kujtuan kërkesat e veta për luks, të gjitha mungesat shpirtërore, poshtërimet e martesës, të jetës shtëpiake, ëndrrat që i binin në baltë si dallëndyshe të plagosura, gjithçka që kishte dëshiruar, gjithçka që ia kishte mohuar vetes, gjithçka që mund të kishte siguruar! E përse? E përse?
Në mes të qetësisë që kishte rënë anembanë fshatit, përshkoi ajrin një klithmë rrëqethëse. Bovariut i iku ngjyra e fytyrës aq sa s’i ra të fikët. Ajo vrenjti vetullat me nervozizëm, pastaj vazhdoi me mendimet e saj. E të gjitha këto për faj të tij, të kësaj qenieje, të këtij njeriu që as kuptonte dhe as ndiente gjë prej gjëje. Sepse ja, rrinte aty, më se i qetë, dhe pa i shkuar mendja fare bile se ai me emrin e tij që do të bëhej gazi i botës do të fëlliqte si atë edhe veten. Ai ishte munduar shumë që ta donte, dhe pastaj ishte penduar duke kulluar në lot që kishte rënë pre e një tjetri.
- Po, ndofta ishte valgus? – bërtiti befas Bovariu, që ishte futur në të thella.
Ema, nga goditja e papritur e kësaj fjalie, që i ra në mendje si ndonjë plumb mbi një pjatë argjendi, duke u dridhur e tëra, ngriti kokën për të gjetur kuptimin e asaj që donte të thoshte ai; dhe që të dy vështruan njëri-tjetrin në heshtje, gati-gati të habitur që po shiheshin, aq larg njëri-tjetrit qëndruan nga pikëpamja e vetëdijes. Sharli e këqyrte me një vështrim të turbullt si ndonjë i dehur, duke dëgjuar, pa lëvizur aspak, britmat e fundit të këmbëprerit, të cilat pasonin njëra-tjetrën me dredhule të zvargura, të ndërprera nga klithma të mprehta, si ulërimë e largët e ndonjë kafshe që therin. Ema kafshonte buzët e saj gjakikura, dhe, duke përdredhur nëpër gishtërinj një fije nga të polipit që kishte thyer, ia ngulte Sharlit bebet e syve të ndezur flakë, porsi dy shigjeta me zjarr gati për t’u lëshuar. Gjithçka e tij e tërbonte tani, fytyra, kostumi, heshtja që mbante, gjithë personi, deri te të qenit e tij gjallë. Për ruajtjen e nderit të saj në të kaluarën pendohej sikur të kishte bërë ndonjë krim dhe ajo që i ngelej ende prej tij shembej nga goditjet e furishme të krenarisë të saj. Ajo shkrihej e tëra nga kënaqësia që mund të tallej mbarë e mbrapsht si burrëtradhtare ngadhënjimtare që qe. Kujtimi i dashnorit i vinte sërish në mend me një forcë tërheqëse të jashtëzakonshme; shpirtin ia dorëzonte atij; e rrëmbyer nga ajo fytyrë me një entuziazëm të ri; dhe Sharli i dukej aq i shkëputur nga jeta e saj, aq i papranishëm përgjithmonë, aq i papranueshëm e aq zero sikur do të vdiste dhe do të jepte shpirt mu aty para syve të saj.
Në trotuar u dëgjua një zhurmë hapash. Sharli vështroi andej dhe, nëpërmjet grilës së ulur, vuri re në anë të pazarit, në pikë të diellit, doktor Kanivein që po fshinte ballin me shami. Omeu, mbrapa tij, mbante në dorë një kuti të madhe të kuqe, dhe që të dy shkonin drejt farmacisë.
Aherë, si i hipi papritmas një dhembshuri dhe një dëshpërim, Sharli u kthye nga e shoqja duke i thënë:
- Më puth njëherë, e dashur!
- Më lër rehat! – i tha ajo, e bërë flakë e kuqe në fytyrë nga inati.
- Ç’ke kështu? Ç’ke kështu? – përsëriste ai i shtangur nga habia. – Qetësohu! Eja në vete!... Ti e di mirë që unë të dua!... Hajde!
- Mjaft më! – i bërtiti ajo si e tmerruar.
Dhe duke u larguar gjithë nxitim nga dhoma, Ema e mbylli derën me aq fuqi, saqë barometri u shqit nga muri dhe u bë copë e çikë përtokë.
Sharli u lëshua në kolltuk, i tronditur, vriste mendjen për të kuptuar se ç’hall kishte ajo, me vete thoshte se mos kishte ndonjë sëmundje nervash, qante dhe ndiente turbull se rreth tij po vërtitej diçka e kobshme dhe e pakuptueshme.
Kur, në mbrëmje, erdhi Rodolfi në kopsht, e gjeti dashnoren që po e priste në fund të shkallëve, në shkelzën e parë. U puthën dhe gjithë mëria e tyre u shkri si flokë bore nga afshi i asaj puthjeje.