Të nesërmen ajo u tregua stoike kur iu paraqit mjeshtër Arani, nëpunësi
përmbarues, bashkë me dy dëshmitarë, për të bërë procesverbalin e sekuestrimit
të pasurisë.
Ata ia nisën nga dhoma e vizitave të Bovariut dhe nuk e regjistruan fare
kafkën frenologjike, të cilën e quajtën si mjet të profesionit të tij; mirëpo në
kuzhinë i numëruan që nga
pjatat, tenxheret, karriget, shandanët, dhe në dhomën e saj të gjumit, s’lanë çikërrimë nga të raftit pa futur. I panë një nga një të gjitha fustanet, ndërresat, kthinën e tualetit; dhe tërë jeta e saj deri në skutat më të fshehta u duk si ndonjë kufomë së cilës po i bëhej autopsia mu para syve të këtyre tre burrave.
pjatat, tenxheret, karriget, shandanët, dhe në dhomën e saj të gjumit, s’lanë çikërrimë nga të raftit pa futur. I panë një nga një të gjitha fustanet, ndërresat, kthinën e tualetit; dhe tërë jeta e saj deri në skutat më të fshehta u duk si ndonjë kufomë së cilës po i bëhej autopsia mu para syve të këtyre tre burrave.
Zoti Aran, veshur e ngjeshur me një frak të zi të hollë, të kopsitur mirë,
me një kravatë të bardhë, dhe me dollakë të tendosur fort, përsëriste herë pas
here:
- Me leje, zonjë? Me leje?
Shpesh, nxirrte britma habie:
- E mrekullueshme!... sa e bukur!
Pastaj fillonte sërish të shënonte, duke ngjyer penën në shishen e bojës
prej briri që e mbante në dorën e majtë.
Si mbaruan me dhomat, u ngjitën lart në papafingo.
Aty ajo mbante një komodinë të vogël ku kishte mbyllur letrat e Rodolfit.
Duhej hapur edhe ajo.
- Ah! Korrespondencë! – tha zoti Aran me një buzëqeshje nën hundë. –
Po më lejoni të shoh! Sepse duhet të sigurohem që s’ka gjë tjetër.
Dhe i ktheu letrat, lehtas, sikur donte të shkundte prej tyre napoleonat.
Atëherë asaj i kërcyen nervat përpjetë, tek shihte atë dorë të trashë, me
gishtërinj të kuq e të qulltë si kërmij, që prekte ato faqe letrash mbi të cilat
kishte rrahur dikur zemra e saj.
Më në fund ata ikën! Felisiteja u kthye. E kishte dërguar të përgjonte dhe
të kthente nga rruga për në shtëpi Bovariun; dhe që të dyja e fshehën shpejt e
shpejt në papafingo rojën e sekuestrimit, i cili u betua se s’do të lëvizte vendit.
Gjatë mbrëmjes Sharli asaj iu duk i brengosur. Ema e vëzhgonte me një
vështrim gjithë ankth, sikur të shihte në rrudhat e fytyrës së tij akuza kundër
saj. Pastaj, kur i shkonin sytë mbi oxhakun me zjarrpritëse kineze, mbi perdet e
gjera, mbi kolltukët, me një fjalë mbi të gjitha gjërat që ia kishin zbutur
hidhërimin e jetës, ndiente brejtje të ndërgjegjes, ose më saktë një keqardhje
shumë të madhe, që jo vetëm s’ia shuante, por ia ndizte edhe më keq pasionin.
Sharli trazonte zjarrin me gjakftohtësi, duke mbajtur këmbët mbështetur mbi
demiroxhak.
Erdhi një çast kur roja, si u mërzit, me sa dukej, në strukën e tij, bëri
pakëz zhurmë.
- Mos ecën njeri aty lart? – tha Sharli.
- Jo! – u përgjigj Ema. – Ka mbetur hapur një bazhë që e tund era.
Të nesërmen, që ishte ditë e diel, ajo u nis për Ruan, me qëllim që të
takonte gjithë bankierët që ua dinte emrin. Ata kishin ikur në fshat ose ishin në
udhëtim. Ajo nuk u shkurajua; dhe të gjithëve sa gjeti, u kërkoi para, duke u
thënë se i nevojiteshin dhe se do t’ua kthente. Disa u tallën haptas me të; asnjeri
s’pranoi.
Në orën dy, vrapoi te Leoni dhe i trokiti në derë. S’ia hapi njeri. Më në
fund ai doli.
- Ç’të solli këtu?
- Po të shqetësoj.
- Jo..., po...
Dhe i tha se i zoti i shtëpisë nuk donte në asnjë mënyrë që të fuste
“femra” brenda.
- Dua të bisedoj me ty, - vazhdoi ajo.
Atëherë ai vuri dorën te çelësi. Ajo nuk e la.
- Oh! Jo këtu, po atje te vendi ynë.
Dhe shkuan në dhomën e tyre, në Hotel Bulonja.
Kur u futën, ajo piu një gotë të madhe me ujë. Ishte zbehur shumë në
fytyrë. Ajo i tha:
- Leon, ti do të më bësh një nder.
Dhe duke e tundur nga duart që ia shtrëngonte fort, shtoi:
- Dëgjo këtu, kam nevojë për tetë mijë franga!
- Po ti paske luajtur mendsh!
- Akoma jo.
Dhe, menjëherë, duke i treguar për çështjen e sekuestrimit, i foli dhe për
hallin e saj të madh, sepse Sharli nuk dinte asgjë, vjehrra e urrente, plaku Ruo
s’e ndihmonte dot; ndërsa ai, Leoni, duhej të vihej në lëvizje për t’ia gjetur këtë
shumë të domosdoshme...
- Po si të bëj unë...?
- Sa i poshtër bëhesh! – i bërtiti ajo.
Atëherë ai tha si budalla:
- Ti e zmadhon të keqen që të ka zënë. Ndofta me një mijë skude ai
huadhënësi yt do të qetësohej.
Kjo ishte një arsye më tepër për të bërë ndonjë përçapje; s’ishte e
pamundur që të gjendeshin tre mië franga. Për më tepër, Leoni mund të hynte
dorëzanë për të.
- Shko! Provoje! Duhen gjetur patjetër! Vrapo... Oh! Përpiqu! Do të të
dua shumë!
Ai doli, u kthye pas një ore, dhe i tha me fytyrë të vrenjtur:
- Isha te tri veta... po më kot.
Pastaj ndenjën të dy ulur, përballë njëri-tjetrit, në të dy anët e oxhakut, pa
lëvizur, pa bërë zë. Ema ngrinte supet, duke përplasur këmbët përtokë. Ai e
dëgjoi tek pëshpëriste:
- Të isha unë në vendin tënd, do t’i gjeja që ç’ke me të!
- Ku pra?
- Në zyrën tënde!
Dhe e vështroi në sy.
Nga bebet e syve të ndezura flakë i shpërthente një guxim skëterre, dhe
qepallat i mbylleshin në një mënyrë epshndjellëse dhe zemërdhënëse; - kështu
që djaloshi ndjeu se si po i bënte kuraja përpara vullnetit të heshtur të kësaj
gruaje që e shtynte drejt krimit. Atëherë e zuri frika dhe, që t’i shmangej çdo
sqarimi, i ra ballit me dorë duke bërtitur:
- Sonte duhet të kthehet Moreli! Shpresoj se nuk do të më kthejë mbrapsht
(ai ishte një mik i tij, i biri i një tregtari shumë të pasur), dhe do të t’i sjell
nesër, - shtoi ai.
Ema u duk qartë që nuk e priti këtë shpresë me aq gëzim saç e kishte
përfytyruar ai. Mos dyshonte se po e gënjente? Ai vazhdoi duke u skuqur në
fytyrë:
- Megjithatë, po s’erdha deri në orën tre, mos më prit më, e dashur. Tani
duhet të iki, më fal, mbeç me shëndet!
I shtrëngoi dorën, por e ndjeu që ajo s’kishte pikë jete. Ema s’kishte më
fuqi për asnjë lloj ndjenje.
Ra ora katër, dhe ajo u ngrit për t’u kthyer në Jonvil, duke iu bindur
shtytjes së shprehive si ndonjë automat.
Koha ishte e bukur; ishte një nga ato ditët e kthjellëta dhe të ftohta të
marsit, kur dielli shkëlqente në një qiell gjithë të bardhë. Nëpër rrugë shëtisnin
ruane të të veshur si për ndonjë rast të veçantë dhe të lumturuar në fytyrë. Ajo
arriti te sheshi para katedrales. Njerëzit po dilnin nga lutjet e mbrëmjes, turma
vërshente nga të tri portat, si ndonjë lumë nën tri harqet e një ure, dhe, mu në
mes, qëndronte, më i palëvizur se një shkëmb, shërbyesi i kishës.
Atëherë ajo solli ndër mend ditën kur, gjithë ankth dhe plot shpresë, hyri
nën atë navatë të madhe që i shtrihej përpara, jo aq e thellë sa dashuria e saj,
dhe vazhdoi të ecte duke qarë nën vel, e shastisur, me këmbët që i merreshin,
gati për t’i rënë të fikët.
- Ruhu! – i bërtiti një zë që dilte nga një portë e madhe që po hapej.
Ajo u ndal që të kalonte një kalë i zi, që çkërmonte, midis bigave të një
kaloshini të cilin e ngiste një xhentëlmen i veshur me një qyrk zibelini. Kush të
ishte vallë? Ajo e njihte... Karroca u lëshua përpara dhe u zhduk.
Po, ishte ai, viskonti! Ajo ktheu kokën, rruga ishte e shkretë. Dhe ajo e
ndiente veten të humbur, duke u rrokullisur kuturu nëpër humnera të
papërshkrueshme dhe, kur mbërriti te Kryqi i Kuq, e pa pothuajse me gëzim atë
Omeun shpirtmirë që vështronte si ngarkonin te Dallëndyshja një arkë të madhe
plot me mallra farmaceutike! Ai mbante në dorë, mbështjellë në një shami,
gjashtë simite për të shoqen.
Zonjës Ome i pëlqenin shumë këto bukë të vogla të rënda, në trajtë
çallme, që haheshin gjatë kreshmës të lyera me gjalpë të kripur: ishin mostra e
fundit e gatimeve mesjetare, që kishte mbetur ndoshta që nga shekulli i
kryqëzatave, dhe që ngopnin dikur normandët e fuqishëm, të cilët kujtonin se
shihnin mbi tryezë, në dritën e pishtarëve të verdhë, midis kënaçeve me verë të
sheqerosur aromatike dhe sallameve gjigantë, koka saraçenësh
që duheshin
gëlltitur. Dhe gruaja e farmacistit i kullufiste si ata, heroikisht, megjithëse
dhëmbët i kishte përtokë; pranaj, sa herë që zoti Ome shkonte në qytet, nuk
rrinte pa i sjellë nga ato bukë, që i blinte gjithmonë te një furrtar me emër, në
rrugën Masakrë.
- Gëzohem shumë që ju shoh! – i tha ai duke i dhënë dorën Emës për ta
ndihmuar të hipte te Dallëndyshja.
Pastaj i vuri simitet në rripat e rrjetës, dhe ndenji kokëzbuluar e duarkryq,
me një qëndrim të menduar dhe napoleonian.
Mirëpo kur doli i Verbri, si zakonisht, rrëzë kodrës, ai bërtiti:
- Nuk e kuptoj sesi i duron akoma qeveria këto maskarallëqe kaq të
mëdha! Këta fatzinj duhen mbyllur brenda dhe duhen detyruar të bëjnë ndonjë
punë! Përparimi, për fjalë të nderit, po ecën si breshka! Kemi ngecur në
barbarizëm të plotë!
I Verbri zgjati kapelën që tundej në anë të derës, si ndonjë cep tapicerie e
shqitur.
- Ja, - tha farmacisti, - një sëmundje skrofuloze. – Dhe, ndonëse e njihte
atë të mjerë; bëri sikur e shihte për herë të parë, pëshpëriti fjalët: kornea,
kornea e marrtë, sklerotike, facies, pastaj e pyeti me një ton atëror:
- Ke shumë kohë, or mik, me këtë sakatllëk të llahtarshëm? Për ty më
mirë do të ishte të mbaje regjim se sa të dehesh në pijetore.
E këshilloi të pinte verë të mirë, birrë të mirë, të hante mishra të mira të
pjekura. I Verbri s’pushonte së kënduari këngën e tij; madje dukej pothuajse si
budalla. Më në fund, zoti Ome hapi kuletën.
- Na, merre këtë grosh, më kthe gjysmën; dhe mos harro porositë që të
dhashë, kanë për të të bërë mirë.
Iveri pati guximin të shprehte me zë të lartë njëfarë dyshimi për efektin e
tyre. Mirëpo farmacisti tha me siguri se do ta shëronte vetë me një pomadë me
përbërje antiflogjistike, dhe i dha adresën:
- Zoti Ome, afër pazarit, më njohin të gjithë.
- Dhe tani, për mundimin që bëmë, - i tha Iveri, ti do të na luash atë
numrin tënd:
I Verbri u ul me gjunjë përthyer, dhe, me kokën hedhur mbrapa, duke
rrotulluar sytë gjelbëroshë dhe duke qitur gjuhën, fërkonte barkun me të dy
duart, ndërsa nga goja nxirrte një lloj hungërime të mbytur, si ndonjë qen i
uritur. Ema, e neveritur, i hodhi, që përmbi sup, një monedhë pesëfrangëshe.
Kjo ishte gjithë pasuria e saj. I dukej gjë e bukur ta flakte në këtë mënyrë.
Karroca ishte nisur, kur papritur, zoti Ome u përkul jashtë dritares dhe
bërtiti:
- Brumëra dhe bulmet mos vër në gojë! Mbaj të leshta në mish dhe pjesët
e sëmura tymosi me tym kokrrash dëllinje!
Pamja e atyre gjërave të njohura që i kalonin para syve, e bëri Emën ta
harronte pak nga pak brengën që e kishte pushtuar. Atë e dërrmonte një lodhje e
padurueshme, dhe në shtëpi erdhi e trullosur, e shkurajuar, gati e përgjumur.
- Le të behet ç’të dojë! – thoshte ajo me vete.
Pastaj, kushedi? Pse s’mund të ndodhte, nga çasti në çast, ndonjë ngjarje e
jashtëzakonshme? Madje dhe Lërëi vetë mund të vdiste.
Në orën nëntë të mëngjesit u zgjua nga një gumëzhitje zërash që vinte nga
sheshi. Në Pazar ishin grumbulluar njerëz për të lexuar një shpallje të madhe,
ngjitur në shtyllë, dhe asaj i zunë sytë Justinin, i cili hipte mbi një gur dhe e
griste atë. Mirëpo, në atë çast, e kapi pojaku prej jake. Zoti Ome doli nga
farmacia, dhe teto Lëfransuai, në mes të turmës, dukej sikur po mbante ndonjë
fjalim.
- Zonjë! Zonjë, - bërtiti Felisiteja duke hyrë. – Kjo është e tmerrshme!
Dhe vajza e gjorë, e tronditur, i nxori përpara një letër të verdhë që sapo e
kishte shqitur nga dera. Ema e përpiu njëherësh lajmin që gjithë pasuria e saj e
tundshme do të shitej.
Atëherë ato shikuan njëra-tjetrën në heshtje. Të dyja: shërbëtorja me
zonjën, nuk kishin asnjë të fshehtë midis tyre. Më në fund Felisiteja psherëtiu:
- Po të isha në vendin tuaj, zonjë, do të shkoja te zoti Gijomen.
- A thua?
Dhe kjo pyetje donte të thoshte:
- Ti që e njeh shtëpinë nëpërmjet shërbëtorit të tij, a di gjë në më ka zënë
ndonjëherë në gojë zotëria?
- Po, po shkoni tek ai, mirë do të bënit.
Ajo veshi fustanin e zi, pallton me kapuç me kokrra gagati; dhe, që të mos
e shikonte njeri (te sheshi kishte ende shumë njerëz), mori rrugën jashtë fshatit,
nëpër shtegun buzë lumit.
Mbërriti pa frymë para kangjellave të noterit; qielli ishte i errët dhe binte
pak borë.
Si ra zilja, në krye të shkallëve doli Teodori me jelek të kuq; ai ia hapi
portën gati si një njeriu të shtëpisë, si ndonjë miku, dhe e futi në sallën e
ngrënies.
Poshtë një kaktusi që zinte gjithë kamaren, zukaste një stufë e madhe
porcelani, dhe, në kornizat prej druri të zi, mbi murin e veshur me letër ahu,
ishte Esmeralda e Shtëbenit
dhe Putifari i Shopenit
. Tryeza e shtruar, dy
furnelat e argjendta, dorezat e kristalta të dyerve, parketi dhe orenditë, të gjitha
shndrinin nga pastërtia e përsosur angleze, dritaret ishin të zbukuruara në çdo
kënd me xhama me ngjyra.
“Kjo është sallë ngrënieje, - mendoi Ema me vete, - ashtu siç e desha
unë.”
Noteri hyri, duke shtrënguar pas trupit me dorën e majtë petkun e dhomës,
ndërsa me dorën tjetër hiqte e vinte shpejt mbi kokë kapuçin prej kadifeje
ngjyrë gështenje, që e mbante për t’u dukur, nga ana e djathtë, ku i vareshin
majat e tri tufave flokësh të verdhë, të cilat, ai i merrte nga pjesa e poshtme
mbrapa kokës, i vinte rreth kafkës tullace.
Pasi i dha asaj një karrige, u ul edhe vetë të hante mëngjes, duke i kërkuar
shumë herë falje për atë sjellje të panjerëzishme.
- Zotëri, - i tha ajo, - do t’ju lutesha...
- Për çfarë, zonjë? Po ju dëgjoj.
Ajo nisi t’i parashtronte gjendjen.
Mjeshtër Gijomeni ishte në dijeni të gjithçkaje pasi ishte lidhur fshehtas
me tregtarin e stofrave, tek cili gjente gjithmonë para për huatë me peng që ia
kërkonin.
Kështu pra, ai e dinte edhe më mirë se ajo historinë e gjatë të atyre
kambialeve, fillimisht shumë të vogla, me emra të ndryshëm xhiruesish, me
afate të gjata dhe që erdhën duke u përsëritur vazhdimisht, deri ditën kur,
tregtari, si mblodhi të gjitha protestimet, ngarkoi mikun e tij Vensar të bënte në
emrin e vet ndjekjet e duhura ligjore, meqë ai vetë nuk donte të dukej si tigër në
sytë e bashkëfshatarëve.
Ajo e ndërthuri rrëfenjën e saj me ankesa kundrejt Lërëit, ankesa të cilave
noteri iu përgjigjej herë pas here me ndonjë fjalë sa për të thënë. Duke ngrënë
bërxollën dhe duke pirë çaj, ai ulte mjekrën mbi kravatën bojë qielli, mbi të
cilën ishin ngulur dy karfica me diamante të lidhura me zinxhir ari, dhe bëhej
me gaz me një buzëqeshje të çuditshme, ëmbëlake dhe të dykuptimshme. Por,
si vuri re që ajo i kishte këmbët të lagura, i tha:
- Afrohuni te stufa pra... ngjitini këmbët më lart..., mbi porcelan.
Ajo kishte frikë se mos e fëlliqte. Noteri shtoi me një ton pushti:
- Gjërat e bukura s’prishin kurrgjë.
Atëherë ajo u përpoq ta prekte dhe, duke u mallëngjyer vetë, i tregoi se sa
ngushtë kishte rënë familja, i foli për grindjet, nevojat e saj. Të gjitha këto ai i
kuptonte: një grua aq e hijshme! Dhe, pa pushuar së ngrëni, u kthye plotësisht
nga ajo, saqë i prekte me gju këpucën me qafa, sholla e së cilës po tkurrej, duke
nxjerrë avull pranë tufës.
Mirëpo, kur ajo i kërkoi një mijë skude, ai shtrëngoi buzët, pastaj i tha se i
vinte shumë keq që s’e kishte pasur më parë në dorë drejtimin e pasurisë së saj,
sepse kishte njëqind mënyra tepër të volitshme, bile dhe për një zonjë, që t’i
shtonte paratë e saj. Mund të kishte ndërmarrë, pothuajse pa asnjë rrezik,
spekulime të shkëlqyera qoftë në turboret e Grymenilit, qoftë në tokat e Havrës;
dhe e la të hante veten me dhëmbë nga tërbimi, duke menduar për shumat
fantastike që do të kishte fituar me siguri.
- Si shpjegohet, - vazhdoi ai, - që s’erdhët tek unë.
- As vetë s’e di, - i tha ajo.
- Përse, ëë?... Kaq shumë ju frikësoja unë? Bile, përkundrazi, mua më
takonte të ankohesha! Ne akoma s’njihemi mirë! Megjithatë jam gati të bëj
gjithçka për ju. Besoj, se s’e vini në dyshim, apo jo?
Zgjati dorën, i kapi të sajën, ia puthi gjithë epsh, pastaj ia mbajti mbi
gjurin e tij; dhe luante lehtë e lehtë me gishtërinjtë e saj, duke i thënë gjithfarë
fjalësh të ëmbla.
Zëri i tij i shpëlarë shushuriste si ndonjë përrua me ujë; mes vezullimit të
syzave i shpërthente një shkëndijë nga bebet e syrit, dhe duart po i fuste nën
mëngën e Emës, që t’i prekte krahun. Ajo ndiente mbi faqe afshin e një
frymëmarrjeje dihatëse. Ky njeri po e bezdiste në kulm.
Ajo u çua përnjëherësh dhe i tha:
- Zotëri, unë po pres!
- Çfarë pra? – e pyeti noteri, që u bë përnjëherësh dyll i verdhë në fytyrë.
- Ato paratë.
- Po..
Pastaj, duke u rrëmbyer nga shpërthimi i epsheve të papërmbajtura, i tha:
- Eh, mirë, pra mirë!...
U zvarrit në gjunjë drejt saj, pa e vrarë mendjen për petkun e dhomës.
- Aman, rrini këtu! Unë ju dua!
Ai e kapi për beli. Zonjës Bovari i hipi përnjëherë të kuqtë në fytyrë. Ajo
u zmbraps e tmerruar, duke bërtitur:
- Po përfitoni paturpësisht nga e keqja që më ka zënë, zotëri! Jam për të
qarë hallin, por jo për t’u shitur!
Dhe doli.
Noteri ngeli i shtangur, me sy ngulur mbi pantoflat e tij të bukura me
qëndisma. Ato ishin dhuratë dashurie. Më në fund pamja e tyre e ngushëlloi.
Veç të tjerash, që po mendonte ai me vete, një aventurë e tillë mund ta çonte
shumë larg.
“Ç’maskara! Ç’zuzar!...” – thoshte ajo me vete, duke ecur shpejt me
nervozizëm nën plepat e rrugës. Zhgënjimi që pësoi nga ky dështim ia shtonte
edhe më tepër pezmin si e poshtëruar në sedër që ishte i dukej sikur i qe qepur
nga pas e s’i shqitej providenca, dhe, duke u mbushur, për këtë arsye, me
krenari, kurrë ndonjëherë s’e kishte çmuar aq shumë veten, as kishte ndier aq
shumë përbuzje për të tjerët. Shpirti i ngrihej peshë nga diçka luftënxitëse. I
vinte t’i rrihte burrat, t’i pështynte në fytyrë, t’i bënte të gjithë copë e thërrime;
ajo vazhdonte të ecte me hapa të shpejtë përpara, e zbehtë, trupdrithëruar, e
tërbuar nga zemërimi, duke këqyrur me sy të përlotur horizontin e zbehtë, dhe
sikur po shkrihej nga kënaqësia e urrejtjes që i zinte frymën.
Kur pa shtëpinë, ajo u mpi e tëra. S’i bënin këmbët më tej, megjithatë
duhej të ecte; po ku t’ia mbathte?
Felisiteja e priste te porta.
- Hë pra, ç’u bë?
- Hiç, asgjë! – i tha Ema.
Dhe, që të dyja, një çerek ore të mirë, vranë mendjen për të gjetur njerëz
të ndryshëm nga Jonvili, që ndoshta mund të tregoheshin të gatshëm për ta
ndihmuar. Mirëpo, sa herë që Felisiteja përmendte emrin e ndokujt, Ema ia
kthente:
- S’ka mundësi! S’kanë për të pranuar!
- Po zotëria, që do të vijë tani!
- E di, e di... Lërmë vetëm.
I kishte provuar të gjitha. Tani s’i ngelej më gjë për të bërë; dhe, kur të
vinte Sharli, ajo kishte për t’i thënë:
- Largohu. Ky qilim që po shkel ti me këmbë nuk është më yni. Nga
shtëpia jote, s’të përket më asnjë orendi, asnjë gjilpërë, asnjë fije kashte, dhe
ajo që të rrënoi ty, mor i shkretë, jam unë!
Atëherë ai do të ngashërehej me të madhe, pastaj do të shkrihej në lot dhe
më në fund, me të kaluar e papritura, ai do t’ia falte.
- Po, - murmuriste ajo, duke kërcitur dhëmbët, - do të ma falë ai që edhe
sikur të më jepte një milion franga, edhe më shumë, s’kisha për t’ia falur që
erdhi e u njoh me mua... Jo! Kurrën e kurrës!
Ideja që Bovariu tani qëndronte sipër saj e mbushte me pezm. Pastaj, si
t’ia thoshte, si mos t’ia thoshte të vërtetën, ai, pas pak, mbas dite, nesër, do ta
merrte vesh gjëmën; kështu pra, ajo duhej të priste atë skenë të tmerrshme dhe
t’i përkulej shpirtmadhësisë së tij. I erdhi të shkonte përsëri te Lërëi: po përse?
t’i shkruante të atit: ishte tepër vonë; ndoshta tani ishte penduar që s’i ishte
nënshtruar noterit, kur befas dëgjoi trokun e një kali në udhë. Ishte ai, e hapi
trinën, në fytyrë ishte bërë meit, më i bardhë sesa muri i lyer me gëlqere. Ajo,
duke kërcyer shkallëve, doli me të shpejtë nga sheshi dhe, kur hyri te
tagrambledhësi, e pa e shoqja e kryetarit të bashkisë, që po bisedonte përpara
kishës me Letibuduain.
Kjo vrapoi t’i thoshte zonjës Karon. Të dyja këto zonja u ngjitën në
papafingo dhe, të fshehura mbrapa ndërresave të nderuara mbi purteka, ato
zunë vend rehat-rehat që të shihnin ç’po ndodhte brenda shtëpisë së Bineut.
Ai ishte vetëm, në dhomën e vogël poshtë çatisë, duke imituar në dru një
nga ato punimet e papërshkrueshme prej fildishi, me gjysmëhëna, me globa të
futur njëri te tjetri, të gjitha këto qëndronin në këmbë drejt si ndonjë obelisk
dhe nuk hynin në punë për asgjë; tani po niste pjesën e fundit, dhe ishte afër
mbarimit! Në gjysmerrësirën e punishtes, pluhuri i verdhë përhapej nga vegla e
tij furishëm si tufë shkëndijash nga patkonjtë e kalit që vrapon me të katra; të
dyja rrotat rrotulloheshin, gumëzhinin; Bineu vinte buzën në gaz, ikulur, me
vrima të hundës hapur, dhe dukej, me një fjalë, i zhytur në një nga ato lumturitë
e plota, që u takojnë, pa dyshim, vetëm punëve të kota, të cilat e argëtojnë
mendjen e njeriut me ca vështirësi të lehta, dhe e kënaqin me një arritje, matanë
së cilës s’i ngelet më gjë tjetër për të ëndërruar.
- Ah! Ja ajo! – tha zonja Tyvazh.
Mirëpo, nga zhurma e tornos, ishte e pamundur të dëgjohej se ç’thoshte.
Më në fund këtyre zonjave iu duk sikur u kapën veshët fjalën frangë, dhe
teto Tyvazhi pëshpëriti krejt mbyturazi:
- Po i lutet t’i shtyjë afatin e taksave.
- Ashtu duket! – tha tjetra.
E ndoqën me sy tek ecte poshtë e përpjetë, duke këqyrur nëpër mure
hallkat e pecetave, shandanët, mollëzat e parmakëve, ndërsa Bineu ledhatonte
mjekrën i kënaqur.
- Mos ka shkuar për të porositur ndonjë gjë? – pyeti zonja Tyvazhd.
- Po ai s’shet asgjë! – Vërejti fqinja e saj.
Tagrambledhësi dukej sikur e dëgjonte me vëmendje, duke zgurdulluar
sytë, sikur nuk kuptonte. Ajo vazhdonte t’i fliste me të butë, me të lutur. Iu
afrua, kraharori i dihaste; s’bisedonin më.
- Mos i bën gjë shenja për dashuri? – pyeti zonja Tyvazhd.
Bineu ishte skuqur deri te veshët. Ajo i kapi duart.
Oh! Ky ishte kulmi!
Dhe me siguri që ajo po i propozonte ndonjë gjë të ndyrë; kjo u ndje
ngaqë tagrambledhësi – ai, sidoqoftë ishte njeri i mirë, kishte luftuar në Boxen
dhe në Lyxen
, kishte marrë pjesë në fushatën e Francës, dhe bile ishte
propozuar për medaljen e kryqit – papritmas, sikur të kishte parë ndonjë
gjarpër, u zmbraps tutje, duke bërtitur:
- Zonjë! Çfarë keni ndër mend?...
- Gratë si kjo, duhen rrahur me kamxhik! – tha zonja Tyvazh.
- Ku është futur tani? – pyeti zonja Karon.
Sepse në këto fjalë e sipër, ajo ishte zhdukur; pastaj, si e vunë re që kishte
hyrë në Rrugën e Madhe dhe po kthehej në të djathtë, sikur donte të shkonte në
varreza, ato u hutuan me hamendjet e tyre.
- Teto Role, - tha ajo kur mbërriti te taja, - po më zihet fryma!... Më
shkopsitni.
Ra mbi shtrat; qante me dënesë. Teto Roleja e mbuloi me një këmishë
grash dhe qëndroi në këmbë pranë saj. Pastaj, meqë ajo nuk po i përgjigjej,
mori qerthullin dhe nisi të tirrte li.
- Oh! Mjaft më, - pëshpëriti ajo, duke kujtuar se po dëgjonte tornon e
Bineut.
“Çfarë e shqetëson vallë? pyeste me vete taja. – Përse erdhi këtu.”
Ajo kishte vrapuar atje, e shtyrë nga një lloj tmerri që e ndiqte nga
shtëpia.
Shtrirë në shpinë, pa lëvizur dhe me sy të ngulur, ajo i dallonte turbull
gjërat, megjithëse përqendronte në të gjithë vëmendjen me një ngulmim prej
idioti. Sodiste ciflosjet e murit, dy ura zjarri puq majë më majë që nxirrnin tym,
një rrjetë merimange të gjatë që endej mbi kokë të saj, në të çarën e trarit. Më
në fund e mblodhi veten. I kujtohej... një ditë, me Leonin... oh! sa e largët ishte
ajo ditë... Dielli shkëlqente mbi lumin e vogël dhe kulprat kundërmonin...
Atëherë, e rrëmbyer nga kujtimet si nga ndonjë përrua që gufon, ajo arriti pas
pak të sillte ndër mend ditën e djeshme.
- Sa është ora? – pyeti ajo.
Teto Roleja doli, ngriti gishtat e dorës së djathtë andej nga ishte më i
kthjellët qielli, dhe hyri ngadalë duke thënë:
- Gati tre.
- Ah! Falemnderit! Falemnderit!
Sepse ai do të vinte! Ishte e sigurt! Do t’i kishte gjetur paratë. Mirëpo
ndoshta do të shkonte atje, pa i rënë ndër mend se ajo ndodhej aty; dhe e
urdhëroi tajën të nisej vrap drejt e në shtëpinë e saj për ta sjellë me vete.
- Nxitoni!
- Po, po shkoj, e dashur zonjë, po shkoj!
Ajo çuditej tani që s’i kishte shkuar mendja qysh në fillim tek ai; dje, ai ia
kishte dhënë fjalën, s’kishte për ta shkelur; dhe e shihte tashmë veten te Lërëi,
duke i numëruar mbi tryezë tri kartëmonedhat. Pastaj duhej të trillonte një
histori që të sqaronte Bovariun. Ç’histori?
Ndërkaq taja po vonohej shumë. Mirëpo, meqë s’kishte orë në kasolle,
Ema dyshonte se mos e zmadhonte në mendjen e saj masën e kohës. Nisi të
vinte ngadalë vërdallë nëpër kopsht; shkoi te shtegu anës gardhit, dhe u kthye
përnjëherësh, me shpresë se mos e shkreta grua kishte ardhur nga ndonjë rrugë
tjetër. Më në fund, si u lodh së prituri, e sfilitur nga dyshimet që mundohej t’i
largonte, duke mos ditur në ishte aty qysh prej një shekulli apo prej një minute,
u ul në një qoshe dhe mbylli sytë, zuri veshët. Trina kërciti: ajo u hodh përpjetë;
përpara se të hapte gojën, teto Roleja i tha:
- S’ka njeri në shtëpinë tuaj!
- Si?
- Oh! Asnjeri! Dhe zotëria po qan. Ju thërret ju. Po ju kërkojnë.
Ema nuk u përgjigj fare. Gulonte, duke rrotulluar sytë rreth e përqark
vetes, ndërsa fshatarja e tmeruar nga fytyra e saj, zmbrapsej instinktivisht, duke
kujtuar se ajo ishte çmendur. Papritmas ajo i ra ballit me dorë, lëshoi një
klithmë, sepse i vezulloi në shpirt si ndonjë vetëtimë e madhe në një natë të
errët, kujtimi i Rodolfit. Ai ishte aq i mirë, aq i njerëzishëm, aq bujar! Dhe,
bile, po të ngurronte t’i bënte këtë nder, ajo do të dinte si ta shtrëngonte duke i
kujtuar me një të shkelur të syrit dashurinë e tyre të perënduar. Kështu pra, ajo
u nis për në La Yshet, pa u kujtuar se po vraponte t’i nënshtrohej asaj gjëje që
pak më parë e kishte pezmatuar aq shumë, dhe pa i shkuar aspak mendja te
kurvërimi i saj.