Pages

Pjesa 2 Kapitulli 8 - Romani ''Ne Vorbullat e Jetes'' i Adnan Abrashi

http://libratonline.blogspot.com/search/label/N%C3%8B%20VORBULLAT%20E%20JET%C3%8BS
PJESA II - Kapitulli VIII
17.dhjetori i vitit 200. do të jetë për mua një ditë e paharruar, i cili, seriozisht vuri në sprovë të gjitha mësimet e gjertanishme në rrugën time të filluar të vetëngritjes shpirtërore. Ajo çfarë përjetova atë ditë, denjësisht më ngjalli dyshimin se mos vallë isha në rrugën e çmedurisë. Fatkeqësisht, as Mixhën Dilë nuk e kisha pranë. Ndërsa Zanës, si mund t’i thuhen asaj këto gjëra? Vërtetë, për këtë rast ajo më tepër do të kishte kompetencën profesionale. Mirëpo, si ta pyes atë? Si t’i them asaj, mos jam çmendur?! Pastaj, dihet, mjekët, kur merren me shërimin e të afërmve, dyshojnë në më të keqen, dhe
janë labilë në diagnostifikim. Vendosa të hesht! As me Zanën nuk do të flas për këtë. Çfarë kishte ndodhur vërtetë me mua atë ditë?! Një mbrëmje, praktikoja meditimin e zakonshëm rutinor, në qetësinë e plotë mentale, si “flesh” figurë e qartë psikike, m’u parafytyrua pamja e një plaku të moshuar, kokë tullace, me mjekër dhe flokë të varura anash në formë të fijeve të parregullta, që të krijonin përshtypjen se nuk ishin krehur kaherë. Ishte kjo një figure e njohur për mua. Ishte disi, si ajo fotografi e Leonardo da Vinçit nga Libri i Enciklopedisë. Po, po ishte vetë Leonado. Ai i njëjti si nga Enciklopedia. Në parafytyrimin tim, figura u shfaq aq e qartë sikur t’ishte vërtetë i gjallë. Para se të zhdukej, tek ai regjistrova një buzëqeshje të lehtë që shprete disponimin e tij miqësor. Këtë veprim e identifikova si porosi: të mos kem fikë dhe se ai është miku im. Ky parafytyrim zgjati fare pak, mund të thuash vetëm disa sekonda, por rrënjosja e pamjes së plakut në kujtesën time nuk më linte të qetë me ditë të tëra. Pranoj se në fillim u frikësova. Aq shumë isha frikësuar, saqë më lindën disa dyshime të çuditshme: m’u paraqiten halucinacionet... ndoshta diçka nuk është në rregull me mua... mos vallë kam filluar të çmendem?... U desh të përmbahem! Duke i dhënë pandërprerë vetes sugjestione pozitive, me një vetëkontroll të shpejtë, mënjanova këto zëra, të cilat i cilësova si provokacione të EGO-s . Gjatë disa seancave të ardhshme të meditimit, sërish e kërkova parafytyrimin e Leonardos, por, çuditërisht, përpos disa konturave të paqarta, ai nuk m’u paraqit më si herën e parë. Këmbëngula që në asnjë mënyrë të mos heq dorë nga ky qëllim. Patjetër duhet provuar një herë, edhe një herë... gjithnjë sa të arrij cakun e duhur. Një ditë, derisa meditoja në qetësi, sërisht m’u paraqit qartë figura e kërkuar. Në krahasim me herën e parë, tani Leonardo në parafytyrimin tim qëndroi më gjatë, dhe unë kisha më tepër kohë që ta analizoja dukjen dhe detajet e mënyrës së paraqitjes së tij. Me një përqëndrim të koncentruar të vëmendjes, vërejta se dalja e kësaj pamjeje psikike gufonte nga një amë, shkëndijë e vogël drite me ngjyrë të verdhë ari, e cila gradualisht rritej, duke u qartësuar si pamje e gjallë fizike. Kuptohet, ishte kjo vetëm një personifikim i figuracionit konkret në psikën time që unë në fakt e përjetoja sikur ajo edhe vërtetë të jetë prezente. Leonardo më shikonte drejt në sy. Këtë shikim e cilësova si “shikim fascinues”. Pasi m’i kishte ngulitur sytë thellë në rrënjëzën e hundës, nga buzët e tij, që si kontura më të shprehura dallonin prej qimeve të mustaqeve dhe mjekrës, përjetova qetësisht jehonën e fjalëve: - “Mos u frikëso! Unë jam miku yt i vjetër!”. Këto fjalë i dëgjova tejet të qarta. Më pastaj, gradualisht, qartësia e figurës filloi të zbehej, duke humbur tërësisht. Gjatë meditimit të mbrëmjes doja ta takoja sërish. Ashtu edhe ndodhi. Gjersa isha në dhomë, u ula këmbëkryq në tokë dhe me shpinë të drejtë. Duart i kisha në prehër. Ishte kjo një pozitë e zakonshme që e praktikoja rregullisht gjatë seancave të meditimit. Para se t’i mbyllja sytë, këtë herë, përballë vetes vendosa një qiri të ndezur. Flakën reflektuese të saj e fiksova me sy disa minuta. Ritualin me qirinj qëllimisht e futa në praktikën time meditative si risi, sepse më nevojitej asociacioni i pikës shndëritëse ngjyrë ari, nga e cila, si shkëndijë në rritje, duhej të paraqitej figura e kërkuar e Leonardos. Arti i të vepruarit me qiri të ndezur pati sukses. Posa e fiksova me koncentrim disa minuta, mbylla sytë dhe para vetes parafytyrova këtë dritë që në intervale vinte e rritej. Derisa në mendje ndjeja rritjen graduale të formës së flakës, shpejt e dëshirova para vetes pamjen e Leonardos, që m’u shpreh qartë. I ardhur në këtë gjendje, isha plotësisht i qetë dhe e shikoja me vëmendje krijesën e mrekullueshme që paraqitej. Kësaj radhe, çudiëtrish e pashë edhe me trup. Ishte në mes si një siluetë e mjegulluar në formë vezore. Qëndronte i stepur në vend, duke m’i ngulitur sytë. Pas disa sekondash filloi të lëvizë, së pari dorën e djathtë, duke e drejtuar me gishtin tregues kah qielli dhe, pastaj, ngadalë, me dorën e majtë poshtë, duke treguar me gisht tokën. U bëra plotësisht vrojtues neutral dhe lejova që gjërat të shkojnë me rrjedhën e vet. Heshtje! Pas disa sekondasah, nga buzët që më buzëqeshnin, dallova fjalët: “Ashtu siç është lart është edhe poshtë... Ashtu siç është lart, është edhe poshtë...!” Këtë e kuptova si një porosi, që tentonte të ma jepte. - Duhet të jetë një porosi e rëndësishme - mendova. U koncentrova edhe më tepër në domethanien e këtyra fjalëve, por, në moment ai u zhduk shpejt nga qartësia e parafytyrimit tim. Patjetër se duhet të jetë një porosi e rëndësishme. “Ashtu siç është lart, është edhe poshtë... Ashtu siç është lart, është edhe poshtë...” Edhe pse e lodha kot mendjen, nuk kisha ide se çfarë dëshironte të më porosiste me këtë gjestikulacion. Gishti tregues lart në drejtim të qiellit dhe gishti tregues i dorës tjetër poshtë, në drejtim të tokës!? Mendja më shkoi sërish te Mixha Dilë. Patjetër se ai do ta zgjidhte me sukses edhe këtë enigmë. Sa më mungon ky njeri?! Sido që të jetë, u ndjeva i kënaqur. Pas një muaj tentimesh të njëpasnjëshme, ai përsëri u shfaq i qartë në parafytyrimin tim. E quajta mik dhe besova se ishte ashtu. Miku im Leonardo? Udhërëfyesi im! Në të ardhmen, kontaktet e mia me Leonardon u shpeshtuan dhe përherë ndjeja kënaqësi të veçantë kur e parafytyroja. Ai filloi të bëhet çdo ditë i pranishëm tek unë dhe unë, pa ndonjë vështërsi, shkëmbeja mendime me të. Tek paraqitja e këtij parafytyrimi vetëm një karakteristikë ishte specifike: ai, edhe pse dukej sikur fliste, kurrë nuk e bënte këtë aq gjatë. Fjalët e tij ishin të shkurtra. Rëndomë me: “po”, “jo”, “mirë!”, “tani”, etj. Por, ndonjëher Leonardo dinte që pyetjeve të mia vetëm t’u buzëqeshte, pa dhënë asnjë përgjigje konkrete. Duke i vrojtuar me vëmendje në të ardhmen, edhe vetë u binda në praktikë se pohimet apo mohimet e Leonardos si përgjigje ishin tërësisht të sakta. Andaj, më nuk kisha fare arsye të dyshoja në to. Me kalimin e kohës, fillova seriozisht të merrem me mundësinë e qartësimit racional të domethënies së fenomenit Leonardo, shkaktarin e dukjes së tij në parafytyrimet e mia dhe deshifrimin e porosive që m’i bënte. Konsultova disa literatura profesionale që disponoja dhe i tërë rezultati i këtij hulumtimi përfundonte në vërtetësinë e dyshimit që veç ishte formuar në mua, se unë vërtetë kisha përjetuar halucinacione. Edhe pse, në njëfarë forme, të gjitha parasimtomat anonin kah diagnoza e ekzistimit të elementeve halucinoze në mua, nuk më kënaqte ky vlerësim. Intimisht isha i sigurt se shfaqja e parafytyrimit të qartë të Leonardos e kishte edhe kuptimin e vetë irracional? Një mëngjes, rrugës, derisa shkoja në punë, papritmas, së pari në mendime, dhe më pastaj, gradualisht duke u qartësuar si parafytyrim, m’u shfaq figura e njohur, e cila më shikonte drejtëpërdrejt në sy dhe i buzëqeshur si çdoherë. Për një çast mbretëroi një heshtje e shkurtër dhe më pas ndjeva jehonën e fjalëve: “Unë jam TI në TY, kupton, TI në TY dhe asgjë tjetër...” U stepa në vend. Pas persiatjeve të gjata, këto fjalë ishin asociuse, që më mundësuan në mendje ta ndjej zbardhjen e përgjigjes që kaherë e prisja. I ngazëllyer nga ky zbulim, duke troikitur me shuplakën e dorës në kokë, brohorita: - “ E U R E K A !” Si nuk më shkoi mendja? Leonardo është intuita ime. Po, pra, INTUITA ime e cila ka filluar t’i thejë barrierat e pengesave të EGO-s, duke m’u paraqitur permes formës së re si një shprehje e fërkimit, mes dëshirës së flaktë që të komunikoj me të, nga njera anë, si pjesë racionale dhe e vetëdijshme e shpirtit, dhe nga ana tjetër, e principeve shprehimore dominuese materiale të rrënjosura në bindjet e mia. Produkti i ri nga ky fërkim, pra, ishte zëri i intuitës sime që fliste përmes Leonardos në mua. Ndjeva një gëzim të papërshkuar. Së pari, për shkak se klinikisht isha normal. Çdo dyshim për mundësinë e ekzistimit të simptomave patogjene halucinoze në mua, ishte tretur. Përgjigjja ishte e qartë dhe racionale: Me Leonardon si ndërmjetësues, unë tanimë kisha tejkaluar barrierat e kontaktit të papenguar të pjesës sime të vetëdijshme me atë të ndërvetëdijshme. Zakonisht intuita komunikon me sinalet e ndjenjës së caktuar si përjetim shpirtëror, por këtë herë, jo edhe rastësisht, me mua komunikonte përmes personifikimit si përcepcion fizik. Unë, si krijesë e dualitetit trup - shpirt, në nivelet e caktuara të zhvillimit tim mental, përmes ushtrimeve të pandërprera të teknikave shpirtërore, në ndërtimin e komplikuar të sistemit tim nervor, kam stimuluar aktivizimin e disa qendrtve të heshtura funksionale. Kështu të paktën ishte shpjegimi im. Ah, sikur ta kisha mixhën Dilë! Sa e ndjeja mungesën e tij. Mungesën fizike të tij, sepse ai, përmes mësimeve të veta, ishte i pranishëm në të gjitha situatat konfuze me të cilat ballafaqohesha në jetë. E doja mendimin e tij meritor edhe për sqarimin e personifikimit të intuitës përmes Leonardos. Mixha Dilë më kishte mësuar se EGO-ja jonë është filtër, apo cenzor i komunikimit të mendjes së vetëdijshme racionale dhe të nënvetëdijshme irracionale, dhe se ajo nuk mund të zhduket tërësisht, por vetëm të riedukohet. Unë, në fakt, kisha filluar që me pranimin e bindjeve të reja, dita-ditës, dhe gradualisht, ta riedukoj atë. Edhe pse e riedukuar, realisht EGO-ja ime ka edhe balansin e të kundërtës tjetër, pra të anës materiale. Nga vetë fërkimi i këtyre dy të kundërtave duhej ta përjetoja paraqitjen e Leonardos si ralitet i ndërvetëdijshëm, në njerën anë, dhe, nga ana tjetër, pamjen tredimensionale përmes personifikimit të këtij personaliteti, si bindje e rrënjosur e kuptimit materialist. EGO-ja jonë është sa shpirtrore, aq edhe materiale. Andaj, edhe njohja e impulseve në realitetin objektiv duhet të jetë me këto elemente të përbashkëta. Pra, ajo është balans i realitetit material dhe shpirtëror në të cilën formë ekziston edhe vetë qenia jonë njerëzore. Leonardo, pra, është zëri i potencialit tim të pastër, që në realitetin objektiv shprehet si personifikim përmes ndjenjës së dokjes tredimensionale. Por, pse kjo figurë misterioze e Leonardo da Viçit me atë pamje sikurse nga një vizatim i tij kur ishte në vitet e moshuara? Pse pikrisht prototipi i Leonardo da Vinçit nga perioda e renesansë mesjetare? Mu këtij personaliteti, emri i të cilit ishte shënuar me shkronja të arta në historiografinë e mendjes gjeniale njerëzore të të gjitha kohëve? Nuk më kujtohej të kasha lexuar diç kohën e fundit ose për çfarëdo arësye të isha marrë më me përkushtim me Leonardo da Vinçin, edhe pse, pa dyshim, vërtetë kisha një konsideratë të jashtëzakonshme për veprën e tij të madhe dhe mençurinë e rallë enciklopedik të cilën e dispononte për kohën e vet. E lodha gjatë veten me këto mendime të shkakut, por nuk kisha ndonjë përgjigje që do të pranohej si shpjegim adekuat dhe i arsyeshëm. - Edhe këtu ka zgjidhje- i fola vetes. - Jam i bindur se do të kem përgjigjen së shpejti. * * * Kaptullin tjetër, qo do ta paraqitja në romanin tim të ardhshëm, e shpalla si pjesë më interesante të ditarit. Prandaj, e shkrova më ngadalë dhe më me përkushtim, përveçse këtu bëhehej fjalë për mbrëmjen e parë dhe të paharruar romantike që kaluam së bashku në banesën e Zanës. Në shtjellimin e këtij kapitulli m’u desh të konsultoja edhe disa fjalorë dhe literaturë medicinale. Kërkova edhe ndihmën e Zanës, por pa i treguar ende qëllimin e vërtetë. Me të veprova në mënyrë identike, por me një përmbajtje tjetër, sikur nga vetë fabula e kësaj kaptine që pason.