Pages

Pjesa Dyte - Kreu 9 - Romani Zonja Bovari i Gustav Flober

PJESA E DYTË
Kreu IX
Kaluan gjashtë javë. Rodolfi nuk erdhi. Një mbrëmje, më në fund, u duk.
Të nesërmen e panairit bujqësor, ai kishte thënë me vete:
- Do të bëja gabim, po të shkoja andej kaq shpejt.
Dhe nga fundi i javës, doli për gjah. Pas gjahut, mendoi se ishte tepër vonë, pastaj bëri këtë arsyetim:
- Në fund të fundit, në më dashuroi që ditën e parë,
duhet të më dojë akoma më shumë, nga padurimi që të më shohë përsëri. Le të vazhdojmë, pra, atë që kemi nisur!
Dhe e kuptoi se i kishte bërë mirë llogaritjet kur vuri re se Ema u zbeh në fytyrë, ndërkohë që ai po hynte në dhomë.
Ajo ishte vetëm. Dita po perëndonte. Perdet e vogla prej byrynxhyku, përmbi xhama, e meknin më tej dritën e vobektë të muzgut, dhe prarimi i barometrit, mbi të cilin binte një rreze dielli, përhapte vezullime në pasqyrë, midis copave të prera të polipit.
Rodolfi ndenji në këmbë; dhe Ema mezi iu përgjigj përshëndetjeve të tij të para.
- Kam pasur shumë punë, - i tha ai. – Kam qenë edhe i sëmurë.
- Rëndë? – bërtiti ajo.
- Po ja, si të them! – u përgjigj ai duke u ulur në krah të saj mbi një stol, jo tamam... Në fakt s’kam dashur të vij.
- Pse?
- S’e kuptoni pse?
Dhe e vështroi edhe një herë, po aq rreptë saqë ajo uli kokën e skuqur. Ndërsa ai u drejtua përsëri:
- Ema....
- Zotëri! – ia bëri ajo, duke u larguar paksa prej tij.
- Ah! E shikoni edhe vetë, - reagoi ai me një zë të trishtueshëm, - se kisha të drejtë që s’doja të vija; sepse këtë emër, këtë emër që më ngop shpirtin dhe që më del vetvetiu nga goja, ju nuk ma lejoni! Zonja Bovari!... Eh! Dhe të gjithë ju quajnë kështu!... S’është emri juaj. Ky është emri i dikujt tjetër!
Ai përsëriti:
- I dikujt tjetër!
Dhe mbuloi fytyrën me duar.
- Po, vazhdimisht te ju e kam mendjen!... Sa herë ju kujtoj, më hipën një dëshpërim! Ah! Më falni!... Po largohem... Lamtumirë!... Do të shkoj larg..., aq larg sa s’do të ma dëgjoni më zënë!... Mirëpo..., sot..., as vetë s’e di se çfarë force më shtyu përsëri drejt jush! Sepse nuk lufton dot me qiellin, nuk e përballon dot buzëqeshjen e engjëjve! Rrëmbehesh pas së bukurës, të mrekullueshmes, së adhurueshmes!
Ishte hera e parë që Ema dëgjonte t’i thuheshin këto fjalë; dhe krenaria e saj, si ai që çlodhet në një banjë me avull, shtrihej dalëngadalë dhe fund e krye nga ngrohtësia e këtyre fjalëve.
- Por ama edhe pse nuk kam ardhur, - vazhdoi ai, - edhe pse nuk kam mundur t’ju shoh, ah! prapëseprapë kam soditur të paktën sa e sa herë gjithçka që ju rrethon ju. Natën, çdo natë, ngrihesha, vija deri këtu, vështroja shtëpinë tuaj, çatinë që shkëlqente nën dritën e hënës, pemët e kopshtit që lëkundeshin para dritares suaj, dhe një llambë të vogël, një dritë të vobektë, që vezullonte nëpërmjet xhamave, në errësirë. Ah! Juve as që ju shkonte mendja fare se aty, aq afër dhe aq larg ndodhej një fatkeq i mjerë...
Ajo u kthye nga ai e ngashëryer.
- Oh! Sa i mirë që jeni! – i tha.
- Jo, unë ju dua, kjo është e gjitha. Ju këtë nuk e vini në dyshim apo jo! Ma thoni! Një fjalë! Një fjalë të vetme!
Dhe Rodolfi, rrëshqiti, pa u ndier, prej stolit në tokë, mirëpo në kuzhinë u dëgjua një zhurmë nallanesh, dhe ai vuri re se dera e dhomës nuk ishte mbyllur.
- Sa e mirë do të ishit, - vazhdoi ai, duke u çuar, - po të më plotësonit një dëshirë!
Donte që ajo të vizitonte shtëpinë e tij; kishte dëshirë t’ia tregonte; dhe, meqë zonja Bovari nuk shihte asnjë të keqe në këtë mes, ata po çoheshin që të dy, kur hyri Sharli.
- Tungjatjeta, doktor, - i tha Rodolfi.
Mjeku, i përkëdhelur në sedër nga ky titull i papritur, u tregua jashtë mase i sjellshëm, ndërsa ai përfitoi nga rasti për ta përmbledhur disi veten.
- Zonja po më fliste, - i tha ai, - për shëndetin e saj...
Sharli ia preu fjalën; ai kishte rënë me gjithë mend në hall të madh; së shoqes kishte filluar përsëri t’i merrej fryma. Atëherë Rodolfi pyeti nëse i bënte mirë shëtitja me kalë.
- Sigurisht! Mendim i shkëlqyer, i përsosur!... Ja ç’ide! Kështu është e mira të bësh.
Dhe, meqë ajo kundërshtonte duke thënë se s’kishte kalë, zoti Rodolf i premtoi t’i jepte një, ajo nuk pranoi; ai nuk ngulmoi; pastaj, për të përligjur ardhjen aty, tha se karrocieri i tij, që i kishin hequr gjak, ndiente vazhdimisht marrje mendsh.
- Kam për të ardhur ta shoh, - u përgjigj Bovariu.
- Jo, jo, po jua dërgoj unë këtu; do të vimë bashkë që të dy, është më e volitshme për ju.
- Ah! Bukur fort. Falemnderit.
Dhe, sa ngelën vetëm, ai e pyeti të shoqen:
- Përse nuk e pranon propozimin e zotit Bulanzhe, që është me të vërtetë i shkëlqyer!
Ajo vari turinjtë, u mundua të gjente gjithfarë arsyesh justifikuese, dhe më në fund tha se mbase kjo mund të dukej si gjë e çuditshme.
- Ah! As e çaj kokën nga ajo anë! – tha Sharli duke bërë një rrotullim të plotë rreth vetes mbi majën e një këmbe. Shëndeti mbi të gjitha! E ke gabim!
- Eh! Po si thua ti t’ia hipi kalit, kur s’kam një kostum amazone.
- Të të porosisim një! – iu përgjigj ai.
Me kostumin e amazonës iu mbush mendja.
Kur ky ishte gati, Sharli i shkroi zotit Bulanzhe se e kishte të shoqen në dispozicion të tij, dhe se kishte besim te dashamirësia e tij.
Të nesërmen, në mesditë, Rodolfi mbërriti para portës të Sharlit me dy kuaj shale. Njëri kishte xhufkat ngjyrë trëndafili mbi veshë dhe shalë grash prej lëkurë dreri.
Rodofli kishte mbathur një palë çizme të gjata lëkurëbuta, duke menduar se me siguri ajo s’kishte parë ndonjëherë si ato; dhe me të vërtetë, Ema u mahnit me pamjen e tij, kur ai u shfaq në shkallë veshur me frak të madh kadifeje dhe pantallona të bardha të trokitura. Ajo ishte gati, vetëm atë priste.
Justini ia mbathi nga farmacia që të shikonte atë, dhe farmacisti e ndërpreu punën. Nisi t’i jepte porosia zotit Bulanzhe.
- Bëhet në vend e keqja! Kini kujdes! Mos i keni gjë kuajt të hazdisur?
Ajo dëgjoi sipër një zhurmë: ishte Felisiteja që iu binte xhamave të dritares për të zbavitur Bertën e vogël. Fëmija i dërgoi nga larg një të puthur; e ëma iu përgjigj duke i bërë shenjë me mollëzën e kamxhikut.
- Shëtitje të mbarë! – bërtiti zoti Ome. – Dhe para së gjithash, me mend e me mend!
Dhe ai bëri shenjë me gazetë, duke i ndjekur me sy tek largoheshin.
Kali i Emës ia nisi me revan që në hapin e parë. Po ashtu vraponte dhe Rodolfi me të vetin krah saj. Herë pas here ata shkëmbenin ndonjë fjalë. Me fytyrë paksa të ulur, me dorë të ngritur lart dhe me krahun e djathtë të shtrirë drejt përpara, ajo lëshohej e tëra sipas ritmit të lëvizjes që e përkundte mbi shalë.
Rrëzë kodrës, Rodolfi i lëshoi frerët; rendën së bashku me të njëjtin vrull: pastaj, kur mbërritën lart, papritmas, kuajt u ndalën, dhe asaj i ra veli i madh i kaltër.
Ishin ditët e para të tetorit. Mbi fushë kishte mjegull. Ca avuj shtriheshin deri në horizont, përreth kodrave; ca të tjerë që vinin duke u shpërndarë, ngjiteshin lart, zhdukeshin. Nganjëherë, kur përhapeshin retë, shiheshin larg në një rreze dielli, çatitë e shtëpive të Jonvilit, me kopshtet buzë lumit, oborret, muret, dhe kambana e kishës. Ema i mbyllte përgjysmë qepallat që të dallonte shtëpinë e saj, dhe ai fshat i mjerë ku jetonte ajo nuk i ishte dukur kurrë ndonjëherë aq i vogël. Nga lartësia ku ndodheshin ata, gjithë lugina ngjante si ndonjë liqen i pafund dhe i zverdhët, që avullohej në ajër. Vende-vende shfaqeshin tufat e pemëve si shkëmbinj të zinj; dhe rreshtat e lartë të plepave, që dilnin përmbi mjegull, dukeshin si brigje që i tundte era.
Anash, mbi bar, midis bredhave, endej nëpër ajrin e ngrohtë një si dritë e murrme. Toka e kuqërremtë, e shkrifët si pluhur duhani, e zbuste zhurmën e hapave; dhe kuajt, duke ecur, shtynin me majën e patkonjve boçet e pishave që kishin rënë përdhé.
Rodolfi me Emën shkuan rrëzës e rrëzës pyllit. Herë pas here ajo kthehej nga ana tjetër, që t’i shmangej vështrimit të tij dhe atëherë, shikonte vetëm trungjet e bredhave që, duke ardhur njëri pas tjetrit pa mbarim e trullosnin disi atë. Kuajt turfullonin. Meshini i shalave kërciste.
Në çastin kur po hynin në pyll, doli dielli.
- Zoti na ruajtë! – tha Rodolfi.
- Besoni kështu? – ia bëri ajo.
- Ejani të shkojmë më tutje! – vazhdoi ai.
Ai kërciti gjuhën. Të dyja kafshët filluan të vraponin. Fieri i gjatë buzë rrugës kapej pas yzengjive të Emës. Rodolfi, në ecje e sipër, përkulej dhe ia hiqte një nga një. Herë-herë ai kalonte pranë saj që t’i largonte degët, dhe Ema ndiente gjurin e tij që i fshikte këmbën. Qielli ishte bërë i kaltër. Gjethet nuk lëviznin. Kishte sipërfaqe të mëdha plot me shqopa gjithë lulëzim; dhe mbas çdo shtrese manushaqesh vinin korije me pemë ngjyrë hiri, të kuqërremta ose ngjyrë ari, sipas larmisë së gjethnajave. Shpesh dëgjohej nëpër kaçube, ndonjë e rrahur e lehtë krahësh, ose klithma e çjerrë dhe e butë e korbave, që fluturonin nëpër dushqe.
Ua zbritën kuajve, të cilët i lidhi Rodolfi. Ajo ecte përpara, nëpër myshk, në pjesën midis vragave.
Mirëpo e pengonte fustani tepër i gjatë, megjithëse e mbante ngritur nga fundi,d he Rodolfi, që i vinte nga mbrapa, sodiste midis asaj cope të zezë dhe këpucëve të zezë me qafa, bukurinë e çorapes së bardhë, që i dukej si pjesë e lakuriqësisë të saj.
Ajo u ndal.
- Jam e lodhur, - tha.
- Mundohuni të ecni edhe pak! – vazhdoi ai. – Kurajë!
Pastaj njëqind hapa më tej, ajo u ndal përsëri dhe, nëpërmjet velit, i cili nga kapela e saj prej burrash i binte pjerrtas mbi ije, i shquhej fytyra me një tejdukshmëri kaltëroshe sikur të kishte notuar nëpër valë kaltërsie.
- Ku po shkojmë kështu?
Ai nuk i dha asnjë përgjigje. Ajo dihaste. Rodolfi i hidhte sytë rreth e përqark tij dhe kafshonte mustaqet.
Arritën në një vend më të gjerë, ku kishin prerë lisa. Ata u ulën mbi një trung të shtrirë peme, dhe Rodolfi nisi t’i fliste për dashurinë e vet.
Në fillim nuk e trembi aspak me komplimente. Ishte i qetë, serioz, melankolik.
Ema e dëgjonte kokulur, duke trazuar me majën e këmbës ashklat që ishin përdhe.
Mirëpo ai tha fjalët:
- A nuk janë tani njësh fatet tona?
- Ja që jo! – iu përgjigj ajo. – Ju e dini mirë. Është e pamundur.
Ajo u ngrit të ikte. Ai e kapi nga kyçi i dorës. Ajo u ndal. Pastaj, si e soditi një copë herë me ca sy dashurie dhe krejt të përlotur, ajo i tha me rrëmbim:
- Ah! Dëgjoni këtu, të mos e zëmë më në gojë atë... Ku janë kuajt? Ejani të kthehemi.
Ai bëri një gjest zemërimi dhe mërzitjeje. Ajo përsëriti:
- Ku janë kuajt? Ku janë kuajt?
Atëherë duke bërë një buzëqeshje të çuditshme dhe me shikim të ngulur, me dhëmbë të shtrënguar, ai iu afrua duke hapur krahët. Ajo u zmbraps duke u dridhur, dhe belbëzoi këto fjalë:
- Oh! Ju po më frikësoni! Më brengosni! Ejani të ikim prej këndej.
- Po si jo, derisa duhet të ikim, - tha ai duke u ndryshuar në fytyrë.
Dhe u bë menjëherë respektues, përkëdhelës, i druajtur. Ajo i dha krahun. U kthyen. Ai i thoshte:
- Ç’patët ashtu? Përse? S’e mora vesh. Mos më keqkuptuat? Ju jeni në shpirtin tim si trupore shën Mërie mbi piedestal, në një vend të lartë, të fortë dhe të papërlyer. Por që të jetoj kam nevojë për ju! Kam nevojë për sytë tuaj, për zërin tuaj, mendimin tuaj. Bëhuni mikesha ime, motra ime, engjëlli im!
Dhe ai zgjaste krahun dhe e pushtonte prej beli. Ajo përpiqej t’i shqitej me të butë. Ai vazhdonte ta mbante ashtu, duke ecur.
Mirëpo dëgjuan të dy kuajt që hanin gjethurina.
- Oh! Edhe pak! – i tha Rodolfi. – të mos ikim! Qëndroni!
Ai e çoi më larg, rreth një pellgu të vogël, që e kishte sipërfaqen të mbuluar me thjerrëza uji. Midis kallamave rrinin pa lëvizur ca zambakë të fishkur. Bretkosat kërcenin të fshiheshin sa dëgjonin zhurmën e hapave të tyre në bar.
- Vetë e kam fajin, vetë, - i thoshte ajo. – Jam e marrë që rri e ju dëgjoj ju.
- Përse?... Ema! Ema!
- Oh, Rodolf!... – ia bëri me të butë nusja e re, duke u mbështetur mbi supin e tij.
Coha e fustanit të saj ngjitej pas kadifes së frakut të tij. Ajo nxori gushën e bardhë, që i fryhej nga një psherëtimë dhe, e sfilitur fare, tërë lot, duke u dridhur pa pushim dhe duke mbuluar fytyrën me duar, e lëshoi veten.
Qielli po muzgej; dielli ndaj të perënduar, duke përshkuar degët e pemëve, ia verbonte sytë. Aty-këtu, rreth e rrotull saj, mbi gjethe ose mbi tokë, fërgëllonin ca si njolla drite, sikur të kishin shpërndarë, duke fluturuar, pendët e tyre kolibrat. Qetësia mbretëronte gjithandej; nga pemët dukej sikur dilte njëfarë ëmbëlsie; ajo ndiente zemrën që filloi përsëri t’i rrihte, dhe gjakun që i rridhte nëpër trup si ndonjë lumë qumështi. Atëherë, dëgjoi diku, shumë larg, matanë pyllit, në kodrat e tjera, një si britmë të paqartë dhe të zgjatur, një zë që zvargej, dhe e ndiente me veshë në heshtje, që përzihej si ndonjë melodi me dridhjet e fundit të nervave të saj të tronditura, Rodolfi, me puro shtrënguar midis dhëmbëve, ndreqte me bixhak njërin nga frerët që ishte këputur.
Ata u kthyen në Jonvil nga e njëjta rrugë. Panë mbi baltë gjurmët e kuajve pranë njëri-tjetrit, si dhe po ato kaçuba, po ato gurë mbi bar. Asgjë nuk kishte ndryshuar rreth tyre; por megjithatë, për Emën kishte ndodhur diçka më me rëndësi sesa të kishin luajtur vendit malet. Rodolfi, herë pas here, përkulej dhe i merrte dorën për t’ia puthur.
Ajo dukej një mrekulli ashtu e hipur mbi kalë. E drejtë, belhollë, me gju përkulur mbi krifën e kafshës dhe me fytyrë paksa të skuqur nga ajri i freskët, në muzgun e purpurt.
Kur hynë në Jonvil, ajo filloi të lodronte me kalë sa andej-këndej mbi kalldrëm. Njerëzit e shikonin nga dritaret.
Në darkë i shoqi i tha se i kishte hipur një nur në fytyrë; por kur ai e pyeti se si ia kishte kaluar gjatë shëtitjes ajo bëri sikur nuk e dëgjoi; dhe rrinte me bërryl mbështetur pranë pjatës, midis dy qirinjve të ndezur.
- Ema! – i tha ai.
- Çfarë ke?
- Po ja, sot e kalova mbasditen te zoti Aleksandër; ai ka një pelë të moshuar, që është akoma goxha e bukur, e vrarë pak në gju, dhe që mund t’ia blinim, jam i sigurt, për nja njëqind skude...
dhe shtoi:
- Bile duke menduar se ty do të të bëhej qejfi, e mbajta..., e bleva... Mirë bëra? Hë de më thuaj pra!
Ajo tundi kokën në shenjë miratimi; pastaj, pas një çerek ore, e pyeti:
- Do të dalësh sonte?
- Po. Pse?
- Jo, hiç, kot, i dashur.
Dhe, sa e hoqi qafe Sharlin, ajo u ngjit dhe u mbyll në dhomën e saj.
Në fillim pati një si trullosje, i dilnin para syve pemët, rrugët, hendeqet, Rodolfi, dhe e ndiente akoma se si e shtrëngonte ai në krahët e tij, ndërkohë që gjethnaja dridhej dhe kallamat fishkëllenin.
Mirëpo, kur pa veten në pasqyrë, u çudit me fytyrën e saj. Kurrë ndonjëherë nuk i kishte pasur sytë aq të mëdhenj, aq të zinj, as aq të thellë. I kishte rënë një si vesk i lehtë që e shndërronte të tërën.
Me vete përsëriste: “Kam një të dashur! Kam një të dashur!” dhe shkrihej fare me këtë mendim, sikur t’i kishte ardhur, papritur e pa kujtuar, një rini e dytë. Kështu pra, më në fund, ajo do të shijonte ato gëzime të dashurisë, ato ethe të lumturisë, për të cilat kishte humbur çdo shpresë. Po hynte në një si botë të mrekullueshme ku gjithçka do të ishte pasion, mahnitje, kllapi, ishte e rrethuar nga një pafundësi kaltëroshe, majat më të larta të ndjenjës i xixëllonin në mendje dhe ndërmjet këtyre lartësive jeta e rëndomtë i dukej tashmë larg, poshtë fare në errësirë.
Atëherë iu kujtuan heroinat e librave që kishte lexuar dhe legjioni lirik i grave kurorëshkelëse nisi t’i këndonte në mendje me ca zëra motrash që e magjepsnin. Ajo vetë po bëhej si një pjesë e pandarë e këtyre përfytyrimeve dhe po vinte në jetë ëndërrimin e gjatë të rinisë së saj, duke e mbajtur veten për atë lloj dashnoreje siç e kishte pasur aq shumë zili. Bile Ema ndiente një kënaqësi shpagimi. Pse pak kishte vuajtur ajo! Mirëpo tani doli ngadhënjimtare, dhe dashuria, e ndrydhur për një kohë aq të gjatë, gufonte e tëra me gul të gëzueshme. Ajo e shijonte pa e brejtur ndërgjegjja, pa u shqetësuar, pa e prishur gjakun.
Dita e nesërme kaloi me një ëndje të re. Iu betuan njëri-tjetrit. Ajo i rrëfeu brengat e saj. Rodolfi e ndërpriste me të puthura; dhe ajo i kërkonte, duke e soditur me sy gjysmë të mbyllur ta thërriste akoma me emrin e saj dhe t’i thoshte vazhdimisht që e donte. Kjo ndodhte në pyll, si një ditë më parë, në një kasolle këpucëdrurëbërësish; muret i kishte prej kashte dhe çatia ishte aq e ulët, saqë duhet të rrije i përkulur. Ata ishin ulur njëri pranë tjetrit, mbi një shtrat gjethesh të thata.
Qysh nga ajo ditë, ata i shkruanin njëri-tjetrit rregullisht çdo mbrëmje. Ema e çonte letrën në fund të kopshtit të saj, pranë lumit, në një të çarë të tarracës. Rodolfi vinte e merrte dhe linte aty të tijën, për të cilën ajo ankohej se ishte gjithmonë tepër e shkurtër.
Një mëngjes që Sharli kishte dalë pa aguar dita, asaj i shkrepi të takonte në çast Rodolfin. Mund të mbërrinte menjëherë në La Yshet, të qëndronte aty një orë dhe të kthehej në Jonvil kur të gjithë të ishin akoma në gjumë. Ky mendim e bëri të gulçonte nga epshi, dhe pas pak u ndodh në mes të livadhit, ku ecte me hapa të shpejtë, pa parë nga mbrapa.
Dita filloi të agonte. Ema dalloi që nga larg shtëpinë e dashnorit të saj, dy flugerët e së cilës, me bishta të hapur, nxinin në agimin e zbehtë.
Pas oborrit të fermës, kishte një godinë banimi që duhej të ishte kështjella. Ajo hyri brenda, sikur muret para saj të ishin hapur vetvetiu. Ca shkallë të mëdha të drejta të çonin në një korridor. Ema hoqi rrezen e një dere, dhe vuri re, përnjëherësh, në fund të dhomës, një njeri që po flinte. Ishte Rodolfi. Ajo lëshoi një britmë.
- Ua ti qenke! Ti qenke! – përsëriti ai. – Si munde të vije?... Ah! Fustani të qenka bërë qull!
- Të dua! – i tha ajo duke i hedhur krahët në qafë.
Meqë i eci me guximin që tregoi herën e parë, tani në çdo rast kur Sharli dilte herët nga shtëpia, Ema vishej shpejt e shpejt dhe, pa u ndierë, zbriste shkallët që të çonin buzë lumit.
Mirëpo, kur e hiqnin dërrasën mbi të cilën kalonin bagëtia, i duhej të kalonte anës mureve gjatë buzës së lumit, bregu ishte i rrëshqitshëm; që të mos rrëzohej, ajo mbahej me dorë pas tufave të rrepave të egra, të fishkura. Pastaj i binte përmes arave të punuara, ku fundosej, i merreshin këmbët dhe i ngecnin këpucët e holla me qafa. Shalli që kishte lidhur mbi kokë, valëvitej në erë mes livadhit. Kishte frikë nga qetë, dhe ia niste vrapit; mbërrinte pa frymë, me faqe të skuqura, dhe nga i tërë trupi i dilte një afsh i freskët e i këndshëm jete, blerimi dhe ajri të pastër. Në atë orë, Rodolfi vazhdonte të flinte. Ajo ishte si një mëngjes pranvere që hynte në dhomën e tij.
Nga perdet e verdha të varura në dritare, depërtonte lehtë-lehtë një dritë e rëndë e verdheme. Ema ecte verbazi duke picërruar sytë, ndërsa bulëzat e vesës që i kishin mbetur mbi flokët e ndarë në mes, krijonin një si kurorë topazesh rreth e përqark fytyrës së saj. Rodolfi, duke qeshur e tërhiqte nga vetja dhe e shtrëngonte në kraharor.
Pastaj, ajo këqyrte dhomën, hapte sirtarët e komove, krihej me krehrin e tij dhe shihej në pasqyrën e rrojës. Bile shpesh herë, mbante me dhëmbë bishtin e një llulle të madhe që ishte mbi tryezën e natës, midis limonëve dhe copave të sheqerit, pranë kanës së ujit.
U duhej një çerek ore e mirë për t’i lënë lamtumirën njëri-tjetrit. Në atë çast Emës i shkrepeshin të qarat; asaj dëshira ia kishte të mos ndahej kurrë nga Rodolfi. Diçka më e fortë se vetja e shtynte drejt tij, aq sa një ditë, kur ajo i erdhi befas, ai u ngrys në fytyrë, si njeri qejfprishur.
- Ç’ke kështu? – e pyeti ajo. – Mos je gjë sëmurë? Fol pra.
Më në fund ai i tha, fytyrëngrysur, se vizitat e saj kishin filluar të binin në sy dhe ajo rrezikohej në këtë mënyrë.