Pages

Kapitulli 7 - Romani ''Te Jetosh Ne Ishull'' Ben Blushi

Ndërsa Arianit Komneni rrëfente historitë e tij, Ali Tepelena nuk kishte lëvizur nga vendi duke menduar se ky plak i krishterë kishte vendosur t’i tregonte rrënjët e familjes së tij njëlloj si një rrap i moçëm që i nxjerr rrënjët mbi tokë pas tërmetit.
Ndoshta mendon se madhështia e emrit të tij do të më bindë ta lë të qetë për të zotëruar fshatin, siç kishte bërë me sa duket në gjithë këto vite. Arianit Komneni ishte shumë i zgjuar, por vitet ia kishin humbur prakticitetin. Megjithatë, ky arsyetim nuk e ngopi Aliun. Nuk është llafazan, mendoi, diku do të dalë. Ali Tepelenës i kishin bërë përshtypje sidomos historitë mbi Janinën, një qytet që ai e kishte për zemër. Duke u rropatur të nguliste në mendjen e tij të re ato që kishte dëgjuar nga Arianiti, dera u hap dhe vajza e vogël me gërshet të zi u afrua tek i ati dhe i zgjati një enë të mbushur me arra të mëdha bojëkafe. Vajza doli pa ia hedhur sytë, por Aliut iu duk sikur gërsheti i saj filloi t’ia lidhte jetën me historinë e Arianitëve dhe sidomos me Janinën nga ku e kishte zanafillën historia shqiptare e Komnenëve. Arianit Komneni e tërhoqi nga këto mendime kur i tha: Jam nëntëdhjetë e dy vjeç. Kam tre djem. I madhi quhet Gjergj si Arianit Komneni i madh. I dyti quhet Mihal si Mihali që ngriti të parën principatë shqiptare të krishterë në Janinë. I treti quhet Gjon dhe ka marrë emrin e djalit të Skënderbeut, nipit të Arianitit dhe që përbën të vetmen lidhje mes dy burrave, të cilët Islami i ndau në fe dhe krishterimi nuk i bashkoi dot në pushtet. Sara është vajza ime e vetme. Është pesëmbëdhjetë vjeç dhe besoj se pas saj nuk do kem më fëmijë. Mori një arrë të madhe dhe, duke e shtyrë me një thikë të vogël që nxori nga poshtë velenxës, filloi ta hapte pa u ngutur. Merr dhe ti një, i tha Aliut. Arianit Komneni i Madh i kishte qejf dhe luante shumë me to. Një herë hapi një arrë më të madhe se kjo, shumë më të madhe, në dysh dhe duke lexuar fletët dhe rrudhat e saj të njoma i tregoi Skënderbeut se njëlloj si arra edhe truri i njeriut formohet nga dy pjesë. Në qoftë se nuk e di ato quhen hemisfera, i tha me modesti Aliut, i cili nuk bëri asnjë shenjë. As Skënderbeu nuk e dinte, por i tha Komnenit se kur kishte vrarë njerëz gjatë betejave shpesh i kishte rastisur të shihte tru të ndarë më dysh që i ngjanin kësaj arre. Arianiti kishte qeshur dhe i kishte thënë: Ja pra, ky është ndryshimi mes ne të dyve. Ti do ta ndash trurin në dysh, kurse unë dua ta lexoj. Aliu sërish nuk lëvizi dhe Arianiti vazhdoi: Arianit Komneni nuk pati asnjë djalë me Maria Muzakën dhe kjo e mërziti shumë derisa u tërhoq nga luftërat, të cilat nuk i jepnin më kënaqësi. Besoj se përveç zhgënjimeve familjare dhe ato që gati nga gënjeshtrat e Skënderbeut, ai nuk besonte më se Shqipëria mund t’i rezistonte pushtimit turk. Me Maria Muzakën u mundua, por ajo i dha njëra pas tjetrës nëntë vajza. Kur humbi shpresat, iku në Itali dhe u martua me një italiane, e cila i dha atij tre djem. Por djemtë lindën kur Arianiti ishte në fund të jetës dhe kur mundësitë për të rivendosur pushtetin që kishte ishin zvogëluar sa nga turqit, po aq edhe nga Skënderbeu. Krushqitë që ai bëri për vajzat e tij tregojnë se ishte jo vetëm një strateg i madh, i cili synonte të zbuste gjithë pretendimet për territore që vinin nga brenda dhe nga jashtë Shqipërisë. Siç të thashë, njërën vajzë, të madhen, ia dha Skënderbeut. Vajzën e dytë, Vojsavën e martoi me princin e Malit të Zi, Ivan Cernojeviçin, i cili ishte një nga njerëzit më të shquar të kohës së tij. Tri vajza të tjera i martoi në derën e Dukagjinëve, princave të veriut të Shqipërisë duke forcuar kështu aleancën me një nga familjet më të mëdha shqiptare me të cilat nuk kishte lidhje gjaku. Një vajzë tjetër e martoi me Gojko Balshën, edhe ky nip i Gjergj Stres Balshës së madh. Tre të tjera i dha në Itali kryesisht në Venedik dhe Napoli nëpër dyer të mëdha me lidhje politike. Ndërsa Angjelinën, vajzën e tij më të dashur që ai thoshte se i ngjante gjyshes së tij, ia dha Stefan Brankoviçit princit të Serbisë dhe stërnipit të Stefan Dushanit të madh. Kur Stefani u martua, ai sapo ishte qorruar nga Sulltani, të cilin e kishte kunat dhe thonë se Angjelina qau kur e pa ashtu dhe deri në fund të jetës e mbajti për dore. Krushqitë e Arianit Komnenit ishin krushqi me shije perandori siç ishte në të vërtetë ai. Siç të thashë, vetëm gruaja italiane i dha atij djemtë që i kishin munguar për të mbretëruar Shqipërinë. Ata ishin Kostandini, të cilit Mbreti i Francës i fali një dukat në veri të Italisë, Arianit dhe Thomai. Ky i fundit ishte i vetmi që u kthye në Shqipëri. Me sa duket çdo derë e madhe ka tradhtarët e vet dhe Thomai qëlloi plëngprishësi i Arianitëve sepse u vu në shërbim të turqve, të cilëve u kërkoi pjesë nga zotërimet e shumta që ata i kishin marrë babait të tij. Për t’u bërë më i besueshëm, Thomai u bë mysliman dhe turqit i dhanë Himarën ku ai u bë një sundimtar mizor. Thonë se Thomai natën shkonte dhe i merrte me forcë gratë dhe vajzat fshatarëve të bregut dhe pastaj i ndante ato me ushtarët e tij. Një ditë, fshatarët u mblodhën dhe e vranë. Kjo ndodhi në vitin 1486. Djali i vogël i Thoma Komnenit ishte stërgjyshi im. Ai bashkë me farefisin dhe të ëmën u fshehën për pak kohë sa të harroheshin zullumet e babait dhe më pas u vendosën këtu ku ngritën këtë fshat, të cilin stërgjyshi e zgjodhi pranë Janinës, duke jetuar me shpresën se kur të ikin turqit ne do t’i kthehemi historisë së Komnenëve shqiptarë, aty ku ajo nisi: në Janinë. Unë nuk e besoj më këtë ëndërr të plakur dhe jam i sigurt se as djemtë e mi nuk do t’ia arrijnë asaj dite. Islami sapo ka ardhur në këto troje dhe dita kur ai të ikë është akoma shumë larg. Arianit Komneni pushoi, por nuk dukej i lodhur. Pas historive që kishte dëgjuar Ali Tepelena dukej më miqësor se në fillim. Tani ai e shikonte plakun si një libër me shumë faqe dhe me sa duket kjo e zbuti, siç zbutet çdo njeri që lexon mes dy betejave. Kur kishte ardhur ta takonte, Ali Tepelena mendonte se nëse pleqësia do ta kundërshtonte, ai do ta zgjidhte çështjen e Ibrahimit me ndihmën e trimave të tij, të cilët ishin të gatshëm në çdo kohë të masakronin një fshat të krishterë. Por tani Aliu që e kishte ndjekur me vëmendje Arianitin, mendonte se duke e zbutur plakun marrëveshja e tij me fshatin do të mund të ishte më e plotë dhe më e respektueshme nga të gjithë. Duke marrë arrën e fundit që kishte mbetur, Aliu e pyeti: Po ti Arianit si i ke jetuar këta 92 vjet? Arianiti që duket se e priste këtë pyetje u përgjigj pa u menduar: Kam jetuar si një Komnen dhe po mendoj se si do të vdes si i tillë. Kur linda unë, fshati kishte dy herë më pak shtëpi sesa sot. Babai drejtonte pleqësinë, e cila kryesisht përbëhej nga kushërinj ose krushqi të tij sepse siç e thashë, ky fshat u themelua nga stërgjyshi im dhe njerëzit e afërt të tij, prandaj shumica këtu jemi të një gjaku. Por babai vuajti gjithë jetën nga frika e shuarjes së fisit tonë, i cili sipas tij do rrezikohej një ditë në qoftë se ne vazhdonim të jetonim të izoluar në këtë vend. Ai pati pesë djem dhe unë isha më i vogli prej tyre. Im atë jetonte gjithë kohën me lajmet që vinin nga betejat mes të krishterëve dhe turqve, por ato vite ishin kohët kur turqit u forcuan shumë dhe pothuajse e pushtuan gjithë Greqinë, Serbinë, Hungarinë dhe shkuan deri në Vjenë falë Kara Mustafa Pashës që ishte shqiptar nga dera e qyprillinjve. Zoti e desh që ky u mund me turp në Vjenë dhe Sulltani ia preu kokën. Mos ishte për meritë të kryevezirëve shqiptarë qyprillinj Perandoria Turke do të kishte marrë tatëpjetën me kohë e me vakt. Historia do shpjegojë se pse shqiptarët e kanë mbajtur në këmbë Turqinë me jeniçerë dhe vezirë të mëdhenj, të cilët kurrë nuk kuptuan se ky përbindësh me trupin në Azi kishte ardhur të ushqehej në Evropë duke mbajtur me thonj vendin e tyre, pa e lënë të rritej. Siç të thashë, babai jetonte në fshat, por mendjen e kishte gjetkë. Kur turqit filluan luftën për pushtimin e Kretës, të cilën e mbajtën të rrethuar për 25 vjet, babai mendoi se nëse thyhej ky front, turqit nuk do të ndaleshin më siç po ndodh në të vërtetë edhe sot. Ai ishte i bindur se krishterimi dhe sidomos Venediku, nuk do ta linte Kretën të binte në duar të turqve dhe kërkoi të kishte pjesën e vet në këtë fitore, prandaj dërgoi atje vëllanë tim të madh në krye të dhjetë burrave nga fshati. Asnjëri prej tyre nuk u kthye i gjallë pasi Kreta u pushtua nga turqit në vitin 1669, njëqind vjet përpara. Si për të bindur tim atë se shqiptarët vrasin shqiptarët për një copë dhe të huaj, Kretën e pushtoi një qyprilli tjetër, Fazil Pashai. Im vëlla atë kohë ishte 18 vjeç dhe bashkë me të në Kretë u vra edhe gjyshi i Ibrahimit që sot është bërë mysliman dhe që nuk kupton se eshtrat e të ndjerit, gjyshit të tij, tani po lëvizin atje ku dergjen. Babai u trishtua nga vdekja e vëllait tonë të madh, por besimi se aleanca e krishterimit mund ta detyronte Islamin të tërhiqej në Azi, aty ku Zoti ka parashikuar territoret e tij, nuk iu venit për asnjë çast. Në vitin 1704 babai vendosi të shkojë në Turqi. Ne nuk e kishim ditur se ai mbante lidhje me një degë tjetër të Komnenëve në Itali. Ata e lajmëruan se në përkujtim të pesëqindvjetorit të rënies së dinastisë Komnene që ndodhi në vitin 1204, të gjithë trashëgimtarët e tyre të shpërndarë nëpër botë kishin vendosur të mblidheshin në Stamboll. Do nisem të takoj kushërinjtë e mi, të cilët, kur turqit të thyhen një ditë, do qeverisin prapë Evropën, thoshte babai dhe kjo ia ktheu gëzimin që kishte humbur prej vitesh. Mirëpo kur po nisej, ai i kishte kaluar shtatëdhjetë vjeç dhe nuk kishte fuqinë e rinisë për të kryer një udhëtim aq të gjatë dhe të vështirë. Nëna këmbënguli që ai të merrte një nga djemtë me vete për ta ndihmuar dhe ai më zgjodhi mua. Pas dy muajsh arritëm në Stamboll pasi u hodhëm nga Janina në Voskopojë e Kostur dhe prej andej përfunduam në Selanik ku i hipëm një anieje tregtare që na çoi në qytetin e shenjtë. Kur anija jonë iu afrua portit, mbi të cilin xhamitë e Stambollit ngriheshin si direkë, sytë jeshilë të babait u errën. Kam ardhur të ta heq perçen e dashur, pëshpëriti babai me vete, sikur t’i drejtohej një gruaje që e kishte thirrur për ndihmë. Takimin e Komnenëve e kishte organizuar Gjergj Brankoviçi, i cili punonte si agjent tregtar në një shoqëri angleze, por që në fakt ishte shumë i lidhur me perandorët e Austrisë. Brankoviçi ishte pinjoll i sundimtarëve të Serbisë, të cilët kishin lidhur krushqi me Komnenët, gjë që e bën krushk me ne, por dhe me Skënderbeun, i cili martoi djalin e tij me Irenën, vajzën e princit Llazar Brankoviç. Kur babai ia shpjegoi këtë lidhje, Gjergj Brankoviçi u mrekullua dhe e quajti babanë një vëlla të rigjetur në mes të detit. Është koha për t’u rikthyer në lavdinë tonë, tha ai në fjalimin që mbajti gjatë meshës së kujtimit të Komnenëve në një kishë të vogël greke që shikonte nga deti. Krishterimi humbi përballë turqve për shkak të përçarjeve të veta, por tani ne duhet të bashkohemi nën një flamur të krishterë pavarësisht se jemi shqiptarë apo serbë, apo grekë. Ky ka qenë ideali i Komnenëve të mëdhenj, të cilët ngritën Perandorinë më të madhe dhe më të ndritur të botës. Perandoria e Bizantit ishte e tillë sepse arriti të bashkojë nën një pushtet tre elementë që në rast se pajtohen prodhojnë qenien perfekte: një shpirt grek, një mendje romake dhe një trup mysliman. Ky është ekuilibri më i përsosur që ka parë historia. Çfarë nuk mund të arrijë një njeri që është i fortë si mysliman, i ndjeshëm si grek dhe i mençur si romak? Gjithçka motra dhe vëllezër, kushërinj dhe pinjollë Komnenë. Me këtë koktej pushtetesh, racash dhe dijesh do të ndërtohet Bizanti i ri, themeli i të cilit pa dyshim do të jetë Ballkani dhe çatia e tij do të jetë Evropa. Ne sot jemi mbledhur këtu në Kostandinopojë për të nisur mbledhjen e gurëve të këtij themeli. Le t’i marrim gurët nga Serbia, nga Moreja dhe Rusia, nga Vjena dhe Venecia, nga Jerusalemi dhe Parisi, nga Athina dhe Janina e t’i bëjmë bashkë sepse kështu shtëpia jonë do ketë vend për të gjithë. Komnenët e mbledhur nga gjithë këto vende u frymëzuan dhe e mbështetën një nga një Gjergj Brankoviçin. Babai i përlotur tha vetëm dy fjalë: Komnenë të nderuar, mirë se erdhët në ëndrrën time! Më vonë, Gjergj Brankoviçi na shpjegoi se me ndihmën e perandorëve habsburgë po mendohej organizimi i një kryengritje të madhe të të krishterëve në Serbi, Greqi, Shqipëri dhe Bullgari, e cila duke u mbështetur nga Austria, Venediku dhe më pas edhe nga Rusia, do të synonte rënien e perandorisë së lodhur turke në pak kohë. në fakt kjo ishte arsyeja e vërtetë e këtij takimi në Stamboll. Të gjithë mendonin se forcimi i Austrisë dhe Rusisë si Fuqi të Mëdha dhe luftërat e brendshme në Perandorinë Osmane e favorizonin ringritjen e krishterimit. Komnenët nisën t’i japin informacione për mundësitë që kishin për të mbledhur para dhe njerëz, ndërsa Gjergj Brankoviçi me një hartë të Ballkanit përpara caktonte me ngjyrë të kuqe pikat ku fillimisht do të ndizeshin zjarret. Ato kohë në Stamboll takuan Komnenë nga të gjitha vendet përfshi edhe një stërnip të Skënderbeut, i cili quhej Anton Kastrioti që ishte një burrë i shkurtër dhe i hollë dhe që jetonte në Itali. Edhe Skënderbeu ka qenë i shkurtër, i tha ai babait kur u takuan. Por si ai, thirrjes së Brankoviçit i ishin përgjigjur edhe shumë kontë italianë dhe dukesha bullgare, pasanike greke dhe princa rusë, pinjollë të familjeve mbretërore transilvane, krushq të familjeve mbretërore franceze dhe suedeze si dhe një dukë i gjatë dhe bukurosh, i cili na tha se rridhte nga Huniadi, mbreti i Hungarisë dhe që megjithëse nuk kishte lidhje me Komnenët kishte ardhur të ndihmonte krishterimin. Kur rrinim me këta njerëz, të cilët kishin humbur lavdinë e dikurshme, por sidoqoftë kishin ruajtur pasuritë dhe pronat që i lejonin ta shijonin luksin e Stambollit, mendoja për fshatin tonë të varfër. Po ne pse nuk jemi me tituj si gjithë këta Komnenët e tjerë, pyeta babanë. Në tokën tonë nuk mbin fisnikëria, m’u përgjigj ai, por dukej se kjo diferencë me kushërinjtë e tij nuk e shqetësonte shumë. Përgjatë një viti, Gjergj Brankoviçi bëri plane për të filluar kryengritjen e tij dhe ndihmat e Austrisë dukej se nuk i mungonin. Në gazetat austriake Brankoviçi ishte shpallur Kont i Perandorisë së Shenjtë. Ai na tregonte se si njerëz të caktuar nga vetë Perandori po rekrutonin me para luftëtarë në gjithë Ballkanin dhe pritej vetëm të ndizej fitili nga Vjena. Atëherë, i thoshte ai babait me sytë që i shkëlqenin, do të nisemi dhe ne dhe ti do të drejtosh kryengritjen në Shqipëri. Disa muaj më parë kishte ardhur në krye të Turqisë Sulltan Ahmeti, i cili njihej si një njeri që harxhonte shumë para për të zbukuruar xhamitë dhe pallatet e tij në stilin francez. Stambolli ndihej më i lirë nga dhuna e sulltanëve të mëparshëm dhe artistë evropianë me gjithë gratë e tyre të pambuluara bridhnin lirshëm nëpër qytet. Nuk e kam parë kurrë tim atë më të qeshur se ato kohë. Stambolli po kthehej në Kostandinopojë, më thoshte dhe pothuajse përditë shkonte në kishë ku lutej për fatin tonë. Por atë vit bëri një dimër i tmerrshëm dhe Stambolli u mbulua nga dëbora dhe ngricat. Duke mos hequr dorë nga rituali i tij i lutjeve në kishë babai mori një plevit. Gjatë një muaji të vështirë unë i shërbeja dhe i jepja çaj të nxehtë, ndërsa ai fliste për betejat e mëdha të Arianitëve dhe më tregonte vende me emra malesh në Shqipëri, në të cilat fillimisht duhet të shiheshin kryengritësit e Gjergj Brankoviçit sipas planeve që ai hartonte nga krevati i Stambollit. Ai ishte një muaj gjeografie për mua. Mësova me dhjetëra emra malesh, luginash, kodrash, lumenjsh dhe fshatrash, të cilat babai më detyronte t’i përsërisja në formën e një itinerari ushtarak. Shqipëria e vogël m’u duk si një dhomë e madhe në të cilën unë dhe babai i zhvendosnim si mobilie malet dhe kodrat e shumta. Shqipëria është e vogël, por është krijuar për të fshehur ushtri, thoshte babai, sytë e çuditshëm jeshilë të të cilit filluan të ngatërronin gjeografinë e mobilieve nga fundi i muajit. Unë nuk kisha ndenjur kurrë aq shumë me tim atë. Besoj se edhe ai zbuloi ato ditë tek unë një djalë, të cilin ëndrrat e tij nuk i kishin dhënë mundësi ta njihte. Sikur të kisha pasur një vajzë do doja ta martoja me një djalë si ty, më tha para se të vdiste. E varrosa me ndihmën e disa grekëve në varrezat e krishtera të lagjes Fanar të Stambollit. Kur mbeta vetëm, Gjergj Brankoviçi, i cili kish shumë miq me influencë në Stamboll më ndihmoi të punoja si pastrues në shtëpinë e Dragomanit të Madh. Dragomanët janë përkthyesit zyrtarë të Portës së Lartë dhe këtë titull gjithnjë e kanë mbajtur grekët. Ky ishte njeri me influencë dhe me sa duket ishte i përfshirë në heshtje, për shkak të frikës nga turqit në komplotin që Gjergj Brankoviçi donte të organizonte në Ballkan. Aty punova dy vjet dhe mësova turqisht, por arrita të shkruaj edhe greqishten, të cilën e dija shumë pak kur u nisa nga fshati. Ndërkohë, shpresat për t’u kthyer në Shqipëri po më linin. Nuk kisha asnjë lajm nga fshati dhe nuk dija si të lajmëroja vëllezërit dhe nënën për vdekjen e babait. Gjergj Brankoviçi më thoshte se gjërat po vonoheshin për shkak se Rusia, që kishte bërë paqe me Turqinë në dëm të Austrisë, po i sabotonte përpjekjet e tij kryengritëse në Ballkan. Një natë, në shtëpinë e Dragomanit u mblodhën në mënyrë sekrete Gjergj Brankoviçi, disa grekë si dhe ambasadori rus, i cili donte të informohej për mundësitë dhe seriozitetin e lëvizjes së Brankoviçit. Paqja mes Rusisë dhe Turqisë ishte vënë në dyshim në Krime dhe rusët kishin nisur të sabotonin stabilitetin e Portës së Lartë. Mirëpo Gjergji, i cili besonte se mund të manovronte mes interesave të Fuqive të Mëdha u gënjye. Rusët e tradhtuan atë te turqit dhe Gjergji u arrestua për gjashtë muaj. Kur u lirua, u kërkuan të largohej si i padëshirueshëm për të mos u kthyer më në Stamboll. Para se të ikte, më tha se rrugës për në Serbi ai mund të kalonte nga Shqipëria dhe në qoftë se doja mund të shkoja me të. Natyrisht që nuk kishte rast më të mirë për mua për t’u kthyer në fshat. U nisëm një ditë të përvëluar korriku kur hurmat djersinin dhe rrushi digjej në pazarin e Stambollit. Unë kisha qarë gjithë natën mbi varrin e babait tim, të cilit i premtova se do të kthehesha ta merrja sa më shpejt. Gjergj Brankoviçi nuk mund të kalonte nëpër territoret e Perandorisë Turke që shtriheshin në tokë nëpër gjithë Greqinë Veriore. Vetëm gadishulli i Moresë ishte akoma nën sundimin venecian dhe fillimisht shkuam atje me një galerë që transportonte pambuk. Brankoviçi kishte miq në More, të cilët i thanë se mund ta ndihmonin të kthehej, por vetëm duke kaluar nëpër Itali pasi rrugët e tjera mund të ishin të pasigurta për një njeri të arrestuar për komplot dhe të padëshirueshëm për turqit. Ballkani i jugut ishte i pasigurt për një komplotist. Kështu që pas disa javësh në More gjetëm një anije që shkonte në Napoli, i hipëm dhe u nisëm. Napoli sapo ishte pushtuar nga austriakët, të cilët kishin ndihmuar Brankoviçin dhe ky u ndie më i qetë nga kjo rrugë. Komandanti i trupave austriake të Napolit e priti mirë Brankoviçin dhe i ha një letër me anë të së cilës ai mund të kalonte territorin italian për të mbërritur në Vjenë. Napoli ishte një qytet që nuk flinte ose më saktë ditën flinin marinarët dhe punonin napolitanët, natën këta flinin, ndërsa marinarët pinin dhe gëzonin. Në Napoli rashë me një grua për herë të parë. Një natë, Gjergj Brankoviçi u zhduk nga hoteli ku ne flinim dhe në të gdhirë u shfaq i dehur bashkë me një grua rreth të dyzetave, e cila e mbante për krahu. Gruaja i kishte lyer sytë me ngjyrë blu dhe mbante një fund të gjerë që e tregonte shumë të shëndoshë. Këtu te ne kësaj femre nuk do ia hidhte njeri sytë, por në Italinë e Jugut kanë shije tjetër për gratë. Ata i duan gratë të shëndosha, me vithe të dala dhe me pak bark mbi të cilin burrat ndihen si mbi një dyshek. Kjo grua, pasi vuri Gjergj Brankoviçin në gjumë në krevatin ngjitur me timin, hoqi fundin e saj të gjerë dhe u fut në krevatin tim. Atë natë m’u duk sikur më doli një zog nga barku dhe puplat e tij më mbuluan të tërin dhe më vunë në gjumë. Një prift që takova njëherë në More më ka thënë se njerëzit përpara se të vdesin kujtojnë ditën e parë që kanë hyrë në kishë sepse ky imazh i afron ata me Zotin. Nuk e di sa është e vërtetë, por di që para se të vdes do doja ta kujtoja edhe një herë ngritjen e fundit të asaj gruaje. Pasi ikëm nga Napoli, unë dhe Brankoviçi kemi fjetur nëpër hanet e Italisë ngarkuar me plaçkat dhe kujtimet e ditëve në Stamboll. Rruga jonë kaloi nëpër Romë dhe duke u endur nëpër kalldrëmet e këtij qyteti kuptova se çfarë e kishte yshtur Arianit Komnenin dhe familjen e tij të linte Shqipërinë dhe të vinin në Itali. Nuk besoj se ishte vetëm frika nga turqit. Italia, dhe mbi të gjitha Roma, është ndoshta i vetmi vend ku mund të jetosh duke ndjekur gjurmët e veprave të mëdha të lashtësisë, por dhe të krishterimit. Natyrisht edhe ato të ndjekin ty. Në Romë mund të kuptosh se si krishterimi ishte lindur për të çuar më tej oreksin për drejtësi të Perandorisë Romake dhe se si kjo perandori nuk do mund të bashkohej me krishterimin në qoftë se nuk do të ishte ushqyer nga pasioni për të bukurën, që kishin grekët e lashtë. Kur arritëm në Italinë e Veriut, Gjergj Brankoviçi trokiti te disa miq, të cilët na ndihmuan të kalojmë kufirin pasi pritëm tre muaj të shkrinte bora mes alpeve të Italisë dhe Austrisë. Disa ditë i kaluam në Milano në qiellin e së cilës nuk pashë asnjë ditë me diell, por në këtë vend pashë një pikturë për herë të parë në jetën time. Ishte një beze e madhe e vendosur në një kornizë druri të trashë dhe me brazda. Tregonte predikimin e Shën Markut në Aleksandri. Shën Marku ka qenë njëri nga apostujt besnikë të Krishtit dhe ndoshta i vetmi që nuk e vuri në diskutim natyrën e tij hyjnore. Pas vdekjes së Jezuit ai shkroi ungjillin e tij dhe themeloi krishterimin në Aleksandri. Në pikturë ai është gjysmë i zhveshur me flokë të verdhë dhe me një hundë të gjatë dhe flet i hipur mbi një shkallare në mes të një sheshi të madh. Pas tij ka disa burra të heshtur dhe të veshur me kapela të zeza që duhet të jenë grekë, çifutë ose romakë. Ndërsa përpara tij qëndrojnë arabë me çallma të bardha dhe mjekra të gjata. Arabët diskutojnë me njëri-tjetrin me sa duket për ato që thotë shenjti. Në mes të këtij sheshi të gjerë ngrihet madhërishëm një tempull i rrumbullakët që i ngjan kishave të sotme, ndërsa pas saj është qyteti i ndërtuar nga arabët e i mbushur me minare të larta. Në cep të sheshit një deve mban kokën lart duke parë nga Shën Marku. E gjithë piktura kishte një ngjyrë pjeshkë, por pasi e pashë me kujdes kuptova se e vetmja ngjyrë që i mungon është jeshilja. Sa do të doja ta kishte parë im atë. Me siguri do ta kishte quajtur: Bota siç duhet të jetë. Myslimanët dhe kafshët mësojnë krishterimin. Pasi shtymë dimrin atje, arritëm në Vjenë në prillin e vitit 1708, por gjërat kishin ndryshuar. Austria nuk kishte më nevojë për Brankoviçin dhe askush nuk denjoi ta priste. Kërkesave të shumta të Gjergj Brankoviçit për të ngjallur interesin e një lëvizjeje ballkanike, e cila do t’i merrte turqve territoret e pushtuara në favor të tyre, austriakët iu përgjigjën me një fletë arresti. Gjergj Brankoviçi mundi ta zbuste arrestin pasi takoi një kushëri të largët të perandorit, i cili kishte ndërmjetësuar përpara dhjetë vjetësh mes tij dhe austriakëve. Arresti u anulua, por jo dëbimi nga Vjena. Përfunduam në një fshat të humbur të Austrisë ku, pas disa muajsh, Gjergj Brankoviçi dha shpirt i zhgënjyer nga lojërat e Fuqive të Mëdha, të cilat ishin tallur me kryengritjen e tij. Gjatë kësaj kohe unë kisha mësuar pak gjuhën gjermane dhe duke u njohur me fshatarët, i punova tokën për gati një vit një familjeje, së cilës i kishte ikur djali në ushtri. Ky ishte kapiten këmbësorie në Bosnjë dhe i binte violinës që unë e pashë për herë të parë kur ai erdhi në shtëpi për pak kohë. i ati i mbyllte veshët kur i biri i binte violinës, ndërsa mua ato tinguj m’u dukën si e qara e djalit tim që nuk kishte lindur akoma, por që me sa duket ishte gati në barkun tim. Kapiteni, kur u kthye në shërbim më mori me vete. Bashkë me ushtrinë austriake u afrova deri në Raguzë. Gjatë ditëve që qëndrova atje mësova notin. Ushtarët austriakë dilnin në breg të detit dhe një peshkatar tullac u mësonte atyre si të notonin. Kur më tregonte se si t’i përplasja krahët dhe këmbët dhe si të nxirrja frymën mbi ujë për të mos u mbytur, peshkatari më pyeti se nga isha dhe kur i thashë se jam nga Shqipëria më tha: Do ta mësoj notin se ju keni det dhe ju duhet, por ti mos ia mëso këtë gjë gruas dhe as vajzës tënde sepse në qoftë se ato lahen njerëzit do t’i quajnë të përdala. Në Raguzë gratë nuk laheshin. Kur i pyeta ushtarët austriakë ata më thanë se peshkatari nuk ua kishte thënë atyre të njëjtën gjë. Ndoshta ai mendonte se gratë e tyre duhej ta mësonin notin. Pas disa javësh në Raguzë, më hipën në një anije, e cila më solli në Shkodër. Atje desh vdiqa nga uria sepse nuk gjeta as punë dhe as strehë për një muaj rresht. Shkodra ishte një vend ku turqit i trajtonin të krishterët si skllevër dhe ku unë pata shumë ftohtë atë dimër. Që të mos zgjatem, në 1709 përfundova në Janinë dhe erdha në fshat ku të gjithë e kishin humbur shpresën se do të kthehesha. Nëna ishte plakur dhe tre vëllezërit e mi ishin martuar dhe kishin bërë fëmijë. Ashtu bëra dhe unë. U martova me Hënën, një vajzë shumë të bukur, por të imët dhe të dobët, stërgjyshi i të cilës kishte ardhur bashkë me stërgjyshin tim nga bregdeti dhe bashkë kishin ngritur fshatin. Ata nuk ishin Komnenë, por gjithmonë kishin jetuar besnikërisht nën hijen e madhështisë së fisit tonë. Është e bukur si diell, por nuk ka shumë mish dhe do të ketë gjithmonë ftohtë si hëna, thoshte nëna për gruan time. Atë vit lindi Gjergji dhe brenda dhjetë vjetësh Hëna lindi dhe dy djem të tjerë, por ajo thoshte se ne duhet të kishim nëntë djem siç kishte Arianiti i Madh nëntë vajza. Nuk mund t’i ngjaj kaq shumë Arianitit, i thosha unë. Fshati ynë është i vogël dhe nuk do gjejmë nuse për kaq shumë burra. Fshati ishte i qetë në ato vite dhe ne kishim ujë, bukë dhe të mbjellat nuk munguan. Unë i gëzohesha familjes sime që shtohej, ndërkohë që nëna ime zvogëlohej nga mosha dhe hidhërimi i humbjes së babait. Para se të vdiste, ime më më tha se e vetmja gjë që do të donte ishte të shtrihej në një varr me babanë, që unë e kisha varrosur në Stamboll. Në vitin 1730, kur djemtë ishin rritur, vendosa të kthehem në Stamboll për të sjellë eshtrat e babait në fshat. Shko merre, më tha Hëna, sepse nëna e pret. U nisa në verë dhe duke kaluar gjithë rrugën që kishim bërë bashkë me babanë përpara 25 vjetësh arrita në Stamboll në shtator, pa e ditur se ç’po ndodhte aty. Stambolli ishte një ferr. Kishte shpërthyer një kryengritje jeniçerësh dhe gjithë qyteti ishte në flakë. Jeniçerët që ishin rebeluar kundër vezirit të madh vidhnin, përdhunonin gra dhe masakronin nëpunësit e shtetit. Në krye të tyre ishte Halil Patrona, një shqiptar. Halil Patrona që kishte punuar disa kohë në një banjë turke si masazhier, sepse i kishte duart e forta, kishte hyrë në ushtri dhe ishte bërë i pari i jeniçerëve për shkak të egërsisë dhe oratorisë së tij të ashpër frymëzuese. Ditët e para, duke përfituar nga fakti që njihja Stambollin ku kisha ndenjur gati pesë vjet, u fsheha te një familje greke që bashkë me mua kishte punuar për Dragomanin. Një natë jeniçerët e bastisën lagjen dhe na rrahën të gjithëve si të dehur. Unë i thashë se nuk isha grek, por kisha ardhur rastësisht në Stamboll nga Shqipëria dhe kështu më shpunë te Halil Patrona në të gdhirë. Në vitin 1730 unë isha një burrë mbi të pesëdhjetat, i gjatë, me shpatulla të gjera dhe me mjekër të errët dhe shumë të dendur. Halil Patrona ishte më i ri se unë, por dukej shumë më i madh. Ishte i shkurtër, por këmbët e tij të trasha dhe të forta e tregonin më të gjatë. Kokën e kishte të rruar, por ngjyra e mjekrës tregonte se qimja e tij duhej të ishte e kuqe. Halil Patrona ishte kuq. I thanë se i kishin sjellë një shqiptar dhe më priti në bodrumin e një taverne të madhe nga ku drejtonte gjithë bastisjen e Stambollit që ai e quante revolucion. Çdo minutë atje vinin jeniçerë të zbathur që sillnin ora muri si dhe argjend e bizhuteri grash që i shtrinin mbi tavolina në mënyrë që Halili të mund t’i shijonte. Më pyeti turqisht në ishte e vërtetë që isha shqiptar dhe i thashë po. nga cili vend je, më tha. I tregova se isha nga një fshat afër Janinës. Unë jam nga Vlora, më tha. Kam ardhur i vogël në Stamboll. Patrona që ishte tmerri i Stambollit, kishte dy sy të vegjël, por të ëmbël. Mua m’u duk njerëzor kur po fliste për origjinën e tij dhe e pyeta shqip nëse ishte mysliman apo i krishterë. Unë jam jeniçer, ma ktheu turqisht dhe pastaj më pyeti se pse isha në Stamboll. Kur i thashë se unë jetoja në Shqipëri, por kisha ardhur për të marrë trupin e tim eti më tha se edhe ai kishte një djalë, por nuk e dinte nëse i biri do arrinte t’ia gjente trupin kur të vdiste, sepse jeniçerët, tha, nuk kanë varr si gjithë të tjerët, ata ose copëtohen, ose mbeten në fushë të luftës dhe ushtria nuk mund t’i tërheqë dot sepse kur vdes jeniçeri, betejën e ka fituar armiku. Unë mbeta gati dy javë në bodrumin e Halil Patronës. Megjithëse ishte zot i atij kaosi më tha se nëse dilja në qytet ndoshta nuk do të kthehesha dot i gjallë. As që bëhej fjalë për të zhvarrosur trupin e babait dhe për ta transportuar nga varrezat në port. Ato ditë, duke fjetur mbi një tavolinë të vogël prej druri kuptova se sa e kalbur ishte nga brenda karrigia e Islamit turk, këmbët e së cilës megjithatë kishin qindra vite që na shtypnin. Halil Patrona dhe shokët e tij, kur u lodhën duke grabitur dhe vrarë kaluan në kërkesa të forta ndaj Sulltanit, të nxitur edhe nga disa islamistë fanatikë, të cilët kishin qenë gjatë gjithë kohës kundër stilit evropian dhe artistik të qeverisjes që kishte ushtruar Sulltan Ahmeti. Vitet e fundit, Ahmeti III, siç e quanin, i kishte shtuar shpenzimet për zbukurimin e Stambollit dhe kishte nisur madje të vizatonte portretet e sulltanëve në muret e xhamive, gjë që islamistët e konsideronin një blasfemi të rrezikshme. Ahmeti ishte i dashuruar me lulet dhe për t’u tallur me jeniçerët, të cilët i urrente, i vuri ata të mbillnin kopshtet e Stambollit me tulipanë që ishte lulja që ai dashuronte dhe e quante simbol të sulltanatit të tij gjithë ngjyra. Do t’ia shkul fletët atij tulipani pederast, bërtiste Halil Patrona, sa herë që i thoshin se trupat e qeverisë kishin marrë lagje të ndryshme të Stambollit nën kontroll. Një natë, kur nuk e zinte gjumi, më tregoi se familja e tij kishte qenë e krishterë dhe Halilin e vogël e kishin marrë turqit si devshirme, siç kishin bërë me qindra djem që i marrin dhe sot si taksë nga familjet e krishtera. Atij i kujtohej deti i Vlorës dhe thoshte se ai ishte më i pastër se deti që lagte Stambollin. Llagapin Patrona ai e kishte marrë kur i kishte shërbyer një gjenerali francez, i cili kishte jetuar shumë vjet në Stamboll duke ndihmuar sulltanin të ngrinte armatën e bombardierëve. Ai më mësoi t’i drejtohesha patron dhe kështu më mbeti ky llagap, tha Halili. Ky njeri u soll shumë mirë me mua deri në fund. Nga dita në ditë unë e shihja sesi egërsohej sepse me sa duket po kuptonte se revolta e tij nuk do mund ta rrëzonte shtetin. Vazhdimisht i vinin habere për marrëveshje nga Sulltani, por Halil Patrona i kërkonte shkarkimin e vezirit të madh, të cilin e konsideronte si armik të perandorisë dhe si një njeri të dështuar. Një ditë në mëngjes më zgjoi nga gjumi dhe më tha të bëhem gati për t’u nisur. Ku të shkoj, i thashë unë. Nisu për Shqipëri, tha ai. Kemi lejuar një anije greke bashkë me konsullin grek që të dalë nga porti, shko dhe ti me ta. Dua të marr eshtrat e tim eti, i thashë, nuk mund të iki duarbosh në fshat. Ik sa nuk është vonë, më tha. Porti do mbyllet dhe unë nuk mund të të strehoj më se duhet të dal dhe të rregulloj ca punë dhe nuk e di a do kthehem më. Kur u ndamë, më dha një nga unazat që jeniçerët e tij kishin vjedhur ato ditë nëpër shtëpitë e qytetit. Unaza ishte shumë e madhe, me fushë të bardhë mbi të cilën skuqte një hurmë prej rubini. Merre këtë, tha, sepse dua që diçka nga unë të kthehej andej nga kam ardhur. Ma futi në gisht dhe iku. Njerëzit e tij më shpunë deri në port dhe pas dy muajsh u ktheva në fshat nga Selaniku dhe Voskopoja. Sulltan Ahmeti dha dorëheqjen për shkak të Halil Patronës pas 27 vjet qeverisje. Sulltani i ri, që erdhi në krye të Perandorisë, në fillim e mashtroi dhe në nëntor të atij viti ia preu kokën Halil Patronës. Por këto unë i mësova kur shkova në Stamboll për herë të tretë.