Pages

Kapitulli 5 - Romani ''Te Jetosh Ne Ishull'' i Ben Blushi

Ditën e dhjetë të rrethimit Ibrahimi ra më herët për të fjetur. Ishte dita e fundit e ramazanit dhe ushqimet pothuajse kishin mbaruar. Edhe sikur të mos agjëroja për ramazan përsëri nuk do të kisha ngrënë këtë muaj, mendoi ai para se ta zinte gjumi. Nga mesi i natës i biri e tundi fort.
Ngrihu, i tha, se ç’po ndodh aty jashtë. U afruan të dy te dritarja dhe panë burrat që po flisnin me një djalë të ri të armatosur, i cili tundte një kërbaç. Pas tij, dhjetëra burra të hipur në kuaj kishin mbushur rrugën përpara shtëpisë. Zjarret nuk ishin shuar ende dhe djaloshit i dukeshin flokët e verdhë. Kush është ky, e pyeti i biri. Është Ali Tepelena, tha Ibrahimi. Megjithëse binte shi, Aliu rrinte serbes majë kalit. Burrat e pleqësisë e kishin rrethuar dhe duke i bërë shenja me duar nga shtëpia e Ibrahimit diçka mundoheshin t’i shpjegonin. Pa i dëgjuar, Aliu i grahu kalit dhe hyri në oborr. Shokët e tij, në fillim i shtynë, pastaj i goditën burrat, të cilët pa kundërshtuar vrapuan dhe humbën në errësirën e fshatit. Ibrahimi hapi derën dhe doli përpara. Mirë se erdhe në shtëpinë time Ali Tepelena. Pa ia kthyer përshëndetjen Aliu i tha; Ç’donin këta burra nga ty? Duan të më zbojnë nga fshati. Kanë dhjetë ditë që më kanë rrethuar. As më flasin dhe as më japin bukë. E ka vendosur pleqësia. Ke vrarë njërin prej tyre, pyeti Aliu. Jo. jo, i tha Ibrahimi duke e ftuar brenda. Jam bërë mysliman. Aliu u drejtua dhe e pa në sy. Nuk e meriton ky fshat këtë nder, tha. Kush të detyroi? Askush, tha Ibrahimi. Bashkë me dimrin po vjen Islami, kjo dihet. Për t’u mbrojtur nga dimri kam dru. Por për t’u mbrojtur nga Islami pyeta imamin. Pranova kushtet e tij dhe u bëra mysliman. Ibrahimi u habit dhe vetë nga shpjegimi që i bëri Ali Tepelenës. Gjatë ramazanit ai ishte menduar shumë të kuptonte se çfarë e kishte shtyrë të shkonte në Islam. Herë pas here mendonte se ditën që ishte bërë mysliman shpirti i tij i rrumbullakët ishte palosur në dysh dhe kishte marrë formën e një gjysmëhëne, që tani varej e paushqyer brenda kafazit të brinjëve të tij. Të kërkoi para imami kur hyre në Islam? Ibrahimi u habit nga pyetje e Ali Tepelenës. Jo, i tha. Po ti i dhe para imamit? As unë nuk i dhashë. Ai më dha një tas me hurma për kalamajtë. Pse më pyet, Ali? Duhet të kisha paguar para që të hyja në Islam? Nuk ma tha njeri. Aliu filloi të qeshte. Islami nuk është cirk jevgjitësh, tha ai. Nuk ka nevojë të paguash për të hyrë atje. Kam dëgjuar se imamët u marrin para shqiptarëve që t’i pranojnë në Islam, ndaj të pyeta. Të dy burrat ishin ulur dhe dukeshin më të shpenguar. Ibrahimi e shikonte. Aliu ishte ulur mbi fustanellë, kindat e së cilës ishin nxirë nga balta. Hoqi shapkën e kuqe që mbante në kokë dhe flokët e lagur iu derdhën mbi jelek. Kur shtriu këmbët, Ibrahimi pa që mbi kundrat e tij të zeza shkëlqente një kopsë argjendi. I paskan vajtur mbarë kusaritë, mendoi. Jashtë, në oborr, kuajt dhe shokët e Aliut lageshin në shi. Sonte do të rri këtu, i tha Aliu. Kuajt janë të lodhur. Hoqi jelekun dhe u mbështet pas murit. Këmisha e lagur i ishte ngjitur pas trupit. Ashtu i zhveshur dukej si një fëmijë. Ibrahimi e shikonte dhe rrinte gojëkyçur. Kam ditë që nuk flas me njeri, i tha si për t’u shfajësuar. Burrat e fshatit nuk më flasin dhe po të rrija dhe ca vetëm, do harroja të bëja muhabet. Ata më thanë se ti ke marrë peng një të krishterë dhe nuk e dorëzon, tha Aliu. Ibrahimi u skuq dhe filloi të tregonte. Kur e morën vesh se isha bërë mysliman u tërbuan. Pleqësia vendosi që fshati mos më jepte më bukë dhe ushqim. Unë shes mish, por ata nuk e pranojnë më mishin e kafshëve të mia. Kur mbeta pa gjë, shkova në qytet dhe mora ushqim tek imami. Natën që u ktheva në shtëpi im bir nuk i kishte duruar sharjet e tyre, e kishte zënë për gryke njërin, që e kemi dhe gjiton, dhe ata vendosën të më rrethojnë derisa ta liroj. Ka dhjetë ditë që flenë jashtë shtëpisë dhe presin që të dorëzohem kur të më mbarojnë ushqimet. Ke më ushqime, pyeti Aliu. Shumë pak miell për bukë ka mbetur. Nuk kam marrë dot as qumësht nga delet e mia, se po të dilja do më kishin qëlluar. Pse nuk e liron të krishterin? Nuk e liroj nëse pleqësia nuk nderon vendimin që kam marrë. Je bërë pishman? Përse, pyeti Ibrahimi. Që u bëre mysliman. Ibrahimi u mendua pak. Akoma, tha. Por më duket se fshatin e kam humbur. Asgjë nuk do jetë më siç ka qenë edhe nëse pleqësia e ndryshon vendimin. Nuk je i pari dhe nuk do jesh i fundit, kërkoi ta qetësonte Aliu. Shumë shqiptarë po bëhen myslimanë. Mua më duket se shqiptarët tani e kanë kuptuar se ata nuk mund të jenë në një shtet me grekët dhe që të ndajnë shtetin duhet në fillim të ndajnë fenë dhe pastaj tokat dhe pasuritë. Aliu, i mbështetur pas murit, dukej sikur fliste me vete. Megjithatë, ne shqiptarët duhet të dimë të zgjedhim. Jo çdo lloj islami i shkon shqiptarëve. Ne nuk jemi as turq dhe as arabë, prandaj duhet të gjejmë islamin që na rëndon më pak dhe na kënaq më shumë. Mushka dhe kali janë nga një familje. Por mushka ngarkohet me dru, ndërsa kali ngarkohet me njerëz. Ibrahimi e shikonte dhe dukej gjithmonë e më i hutuar. Ç’të tha imami për Islamin? Më tha se që të jem mysliman duhet të falem pesë herë në ditë, të mbaj ramazan, të jap zekat dhe të shkoj në Mekë. Jam falur çdo ditë dhe kam agjëruar. Kafshët nuk duhet të mbajnë ramazan, më tha imami. Mushka dhe kali nuk kanë detyrime përballë Islamit. Të pyeta nëse imami të rrëfeu për historinë e Islamit, u nxeh Aliu. Ibrahimi mblodhi supet dhe Ali Tepelena vazhdoi: Islami ka 12 degë që quhen tarikate. Dega më e madhe është ajo e sunitëve. Por mes tyre më e veçanta është dega e bektashinjve. Islam, vërtet do të thotë paqe, por myslimanët nuk e kanë zbatuar kurrë njëlloj Islamin dhe për këtë shkak mes tyre nuk ka pasur kurrë paqe. Bektashizmi ka lindur si një degë e jeniçerëve myslimanë. Më shumë se njëqind vjet përpara pushtimit të Kostandinopojës, që është vepër e jeniçerëve, Sulltan Orhani themeloi urdhrin e jeniçerëve. Këta u betuan se do ishin besnikë deri në vdekje ndaj sulltanit dhe u bekuan nga Haxhi Bektashi, i cili në atë kohë ishte një nga krerët e Islamit. Që nga ajo kohë bektashizmi ka lindur dhe ka udhëtuar nëpër botë bashkë me jeniçerët, të cilët e kanë mbrojtur dhe e kanë ushqyer këtë tarikat. Jeniçerët nuk ishin të gjithë djem të lindur myslimanë. Shumica e tyre ishin fëmijë që turqit ia rrëmbenin familjeve të krishtera ruse, greke, armene apo dhe çifute. Por shumë prej tyre ishin shqiptarë. Ti e di që turqit na quajnë arnaut? A e di ç’do të thotë arnaut? Arnaut, osmanët quanin dikë që nuk di të kthehet prapa. Meqë radhët e jeniçerëve ishin të mbushur me shqiptarë të paepur, të cilët nuk ktheheshin të gjallë pa fitore, ata u quajtën arnautë. Siç të thashë, këta djem edukoheshin për t’u vrarë dhe prandaj trajtimi që u bëhej atyre ishte i ndryshëm. Ata toleroheshin më shumë dhe kishin më tepër liri se gjithë ushtarët e tjerë. Por këta djem kishin nevojë për një besim të ri. Plaçka e luftës dhe besnikëria ndaj Sulltanit nuk u mjaftonte më atyre. Haxhi Bektashi e kuptoi këtë dhe mënyra se si ai e lexonte Islamin u kthye në frymëzim për jeniçerët. Ata mendonin se ishin të ndryshëm në gjithçka në krahasim me njerëzit e tjerë dhe feja e tyre e re e shprehte këtë ndryshim. Kur Haxhi Bektashi iu kaloi atyre bekimin, ai ishte 80 vjeç. Jeniçerët besonin se ai rridhte nga Fatimja, që ishte vajza e Muhamedit dhe kjo i dha më shumë forcë bektashizmit. Kudo ku shkonin jeniçerët merrnin me vete edhe dervishët bektashinj. Në pushimet mes betejave ata ndërtonin teqe. Teqetë e bektashinjve janë gjithnjë 6 orë larg njëra-tjetrës në mënyrë që në fund të çdo rruge udhëtari të çlodhej në një vend që e mban gjithmonë derën hapur. Bektashinjtë janë të butë dhe mikpritës. Turqit e sotëm janë të egër dhe mizorë. Ata janë sunitë dhe nuk i pranojnë bektashinjtë. Por frika që kanë në Stamboll nga jeniçerët i ka detyruar të heshtin dhe të mos i sikterisin dervishët. Jam i bindur se bektashizmi është myslimanizmi që i shkon më shumë shqiptarëve dhe sidomos atyre që kanë qenë të krishterë. Bektashinjtë mund të pinë dhe gratë e tyre mund të dalin zbuluar përpara burrave. Ata besojnë se Jezu Krishti ka qenë i pari që ka predikuar Islamin, dhe, po të mos ishin jeniçerët vetëm për këtë mendim ata do të ishin shkuar të gjithë në hell. Turqit e quajnë bektashizmin si një islam i krishterë dhe prandaj e luftojnë. Skënderbeu ka qenë bektashi dhe prandaj u bë aq kollaj i krishterë për së dyti, megjithëse kishte jetuar shumë vjet si mysliman. Nastradini që tregon histori për të qeshur nga Persia, po ashtu. I pari që e solli bektashizmin ndër shqiptarë ishte Demir Hani. Ky ishte dervish dhe ngrit në Tepelenë teqenë e parë përpara njëqind e kusur vjetësh. Bëri shumë të mira: ndihmoi jetimët, shpërndau para, shëroi njerëz dhe qindra shqiptarë i ktheu në myslimanë. Njerëzit besonin se ai ishte njeri i shenjtë dhe tregonin se e kishin parë që shëronte të sëmurët vetëm duke i prekur. Demir Hani grumbulloi dhe shumë pasuri nga dhuratat që i vinin prej shqiptarëve të krishterë dhe myslimanë që ai ndihmonte. Pasuria e tij u bë aq e madhe, saqë një dervish tjetër, njeriu që Demir Hani i besonte më shumë, u bë lakmitar dhe mendoi t’i zinte vendin. Ai hapi fjalë se Demir Hani ngacmonte gratë dhe fëmijët dhe se natën merrte djem të rinj ën dyshekët e tij. Me një ferman të Sulltanit Demir Hani u dënua me vdekje. Sulltani ngarkoi dervishin që e spiunoi t’i priste atij kokën dhe ky zbatoi fermanin. Ky dervish ishte vëllai i stërgjyshit tim, Hysenit. Më vonë edhe vëllanë e Hysenit e vranë, por që nga ajo kohë ne trashëguam pak pasuri dhe emër në Tepelenë. Aliu pushoi pak dhe kontrolloi këmishën me duar. Më është tharë, tha dhe vazhdoi. Ne shqiptarët nuk besojmë sa duhet, sepse mendojmë më shumë për sot se për nesër. Ne i duam gjërat sot dhe na duket pa kuptim që të falemi gjithë jetën për t’u shpërblyer kur të vdesim. Një fe që të lodh ne e braktisim. Zoti na ka lënë mes grekëve dhe turqve. Këta i vodhën fenë të tjerëve. Grekët ia morën çifutëve dhe turqit ia morën arabëve. Pastaj të dy ngritën perandori për të sunduar popujt e tjerë. Grekët e mbajtën Bizantin një mijë vjet dhe pushtuan turqit, shqiptarët dhe arabët. Tani turqit kanë gati 500 vjet që me perandorinë e tyre po qeverisin grekët, arabët dhe ne shqiptarët. Shumë shqiptarë bëhen myslimanë se nuk duan të kenë fenë e grekëve. Por ata nuk pranojnë kur grekët u thonë se duke u bërë myslimanë në të vërtetë janë bërë turq. Dhe kanë të drejtë. Shqiptarët nuk e njohin mirë Islamin. Islami është një pjatë ku mund zgjedhësh. Unë kam zgjedhur bektashizmin. Jam shqiptar dhe nuk jam grek. Jam bektashi dhe nuk jam turk. Imami nuk t’i ka thënë gjithë këto, sepse ai nuk i pranon bektashinjtë. Por duke mos të treguar të vërtetën mbi Islamin ai nuk të ka dhënë mundësi të zgjedhësh atë që do. Pa e kuptuar ti ke bërë zgjedhjen që ka dashur imami. Të dha një emër? Si quhesh tani? Ibrahim, u përgjigj ai. E zgjodhe ti apo ta dha ai? Ma dha imami. Do ta mbash? Ibrahimi nuk dinte ç’të thoshte. Mbaje, iu përgjigj Aliu. Nuk të beson njeri po të ndërrosh emrin tri herë në muaj. Të dy mbetën gjatë duke u menduar. Nuk kishin gjumë. Para se të flinin Aliu e pyeti se çfarë do të bënte me të krishterin. Kur të iki unë, i tha, ata do ta rrethojnë prapë shtëpinë po nuk e lirove. Nuk e liroj nëse fshati nuk ndryshon vendimin, iu përgjigj Ibrahimi. Mirë, i tha Aliu, nesër njofto pleqësinë. Do shkoj vetë t’i takoj. Kur u zgjua të nesërmen dhe hyri në dhomën e oxhakut, Ibrahimi gjeti aty të birin dhe Aliun. Ky ishte gjysmë i zhveshur dhe kofshët e bardha i kishin dalë nga velenxa. I kishte vënë dorën djalit mbi flokë dhe ky e shikonte si i magjepsur. Djalë trim, i tha Ibrahimit. Më tregoi si e kishte zënë për gryke kaurin që të kishte sharë ty. Thanasi u ngrit në këmbë kur hyri i ati dhe mbeti ashtu, pa ia ndarë sytë Aliut që nuk po vishej. Dërgoje Thanasin të lajmërojë pleqësinë. Ata janë shpërndarë, tha Ibrahimi, ku t’i gjej? Kush është i pari i tyre, pyeti Aliu. Arianit Komneni, u përgjigj Ibrahimi dhe i bëri shenjë djalit. Thuaji që e pret Ali Tepelena, beu i Tepelenës. Thanasi fluturoi. Mbiemër i dëgjuar ky, tha Aliu duke veshur fustanellën. Ibrahimi kishte kthyer kokën nga muri që të mos e shihte lakuriqësinë e Aliut. Thonë që familja e tyre është shquar që në kohën e Skënderbeut. Këtu ku jemi sot, të parët e tij kanë pasur zotërimet e veta që ia kanë marrë turqit. Plaku thotë se kur të ikin turqit, atij do t’i kthehen tokat dhe nderet. Pse është kryetar i pleqësisë, pyeti Aliu. Edhe babai i tij, edhe i gjyshi kanë drejtuar pleqësinë. Fshati i ka respektuar dhe u ka njohur drejtimin, tha Ibrahimi. Kur Ibrahimi ktheu kokën, Aliu i veshur kishte dalë jashtë. Shiu kishte pushuar pas më shumë se një jave dhe dielli i mëngjesit po i thante pellgjet në oborr. Aliu iu afrua kalit të tij të bardhë që ishte lidhur pranë plevicës dhe nisi t’i shkundte jelet e lagura. Kali llastohej nga dora e të zotit dhe tundte bishtin. Qimet e tij të gjata që bëheshin blu nga dielli i mëngjesit i rrethonin supet e Aliut, si një shall. Aliu nuk ishte i gjatë. Koka e tij mbaronte aty ku niste hunda e kalit. Kur kali nxirrte frymë nga hojëzat, flokët e verdhë të Aliut hapeshin në ajër dhe po të mos kishte mustaqe, ai do dukej si një vajzë. Pasi rregulloi shalën prej lëkure, Aliu i kërceu kalit dhe me shpejtësi doli nga oborri dhe u zhduk pas shtëpisë së Mihalit. Rrugët ishin bosh dhe trokitja e potkonjve të kalit ngjante si një muzikë e luajtur mbi kalldrëm. Fshatit akoma nuk i kishte dalë frika nga prishja e dhunshme e rrethimit të një nate më parë. Burrat tymosnin nëpër shtëpi pa folur, gratë gatuanin në heshtje, fëmijët luanin pa zhurmë. Pas shumë ditësh, Ibrahimi dhe e shoqja dolën të lirë në oborr. Rruga e shtëpisë ishte e mbushur me kryqe të djegur dhe me mbeturinat e burrave që kishin rendur nëpër natë. Gruaja filloi të pastronte. Mblodhi mbetjet e bukëve, kuleçve dhe lakorëve që ishin shpërndarë dhe shkelur nga kuajt e njerëzit dhe ua hodhi bagëtive të uritura. Pastaj thirri Ibrahimin dhe të dy bashkë mblodhën kryqet e djegur. Njëri prej tyre nuk ishte shkatërruar dhe gruaja me kujdes ia pastroi blozën që e kishte nxirë deri në majë dhe e mbështeti në murin e shtëpisë. Pjesët e mbetura Ibrahimi i mori dhe i hodhi në vatër dhe ndezi zjarr. Gruaja po e shihte nga prapa kurrizit të përkulur mbi vatër sesi i rregullonte copat e druve duke i kryqëzuar njërin mbi tjetrin. Ibrahimi e ndjeu, u kthye nga ajo dhe me ëmbëlsi i tha: Ata për t’i djegur i prunë këta kryqe. Do e ushqejnë mirë zjarrin. Gruaja nuk foli dhe vazhdoi të pastronte oborrin e lagështitur. Balta ishte e butë dhe e mbushur me gjurmë njerëzish. Po t’i ndiqje ato nuk shkoje asgjëkund. Njëlloj si jeta, mendoi gruaja dhe u lut pa zë, ndërsa një kalë i bardhë po afrohej me shpejtësi në drejtim të shtëpisë. Dita ishte e bardhë dhe gruaja hapi sytë për të kuptuar kush po vinte. Nga larg dukeshin dy figura që kalëronin bashkë. Si dielli dhe hëna mbi kalë, mendoi ajo, kur kali hyri në oborr, gruaja pa të birin që mbante në dorë kapistallet dhe pas tij kokën e verdhë të Aliut që varej mbi supin e Thanasit. Flokët e tyre ishin ngatërruar. Të dy qeshnin dhe Aliu e shtrëngonte Thanasin fort për beli. E gjeta rrugës dhe e mora, i tha ai gruas që vrapoi të ndihmonte të birin për të zbritur. Pleqësia nuk mblidhet, i tha Aliu Ibrahimit kur hyri brenda. Arianit Komneni i tha tët biri se është i sëmurë dhe nuk mund të ngrihet sot nga shtrati. Burrat e tjerë nuk kanë dalë nga shtëpia. I kemi tmerruar Ibrahim. Janë zhdukur kaurët. Ibrahimi nuk tha gjë. Thanasi kishte hyrë brenda në shtëpi dhe duke parë të atin sikur të merrte leje iu drejtua Aliut: Ali bej do ikësh? Aliu iu afrua aq shumë Thanasit, saqë dukej sikur po i merrte erë, dhe tha: Nuk shkoj pa u mbledhur pleqësia. Do pres sa t’i thahen kockat e lagura Arianit Komnenit. Shko prapë në shtëpinë e tij dhe i thuaj që dua ta takoj me çdo kusht. Pyete kur më pret në shtëpi.