Pages

Kapitulli 16 - Romani ''Te Jetosh Ne Ishull'' Ben Blush

Gara e breshkave u përsërit disa të diela. Aliu merrte breshkën e vet shtëpiake, ndërsa Niko me Muhamedin vërtiteshin nëpër pyll dhe sillnin breshka të reja. Një ditë ata u mërzitën nga loja dhe thanë se nuk gjetën më breshka, por Aliu tha se breshka e tij i kishte mundur të gjitha breshkat dhe ato nuk dilnin më nga frika.
Ana çapitej nëpër bar, ndërsa Sara ndryshonte format e kuleçve. Kur ktheheshin, Jani merrte dru në pyll, të cilët i përzgjidhte duke i parë lulen dhe lëkurën dhe kur shkonte në shtëpi i kthente në zbukurime. Ai filloi të bënte enë druri, shishe për raki, gota, okllai me përmasa të ndryshme, kanistra, rosa, pata dhe trekëndësha të vegjël për Anën. Një ditë, Jani i thirri tre vëllezërit e tij dhe i tha se do t’u bënte atyre nga një lodër druri, por ata duhet të vendosnin se çfarë donin. Niko i kërkoi një ushtar, megjithëse nuk kishte parë kurrë ushtar me sy. Çfarë ushtari do, e pyeti Jani. Do një turk me çallmë dhe me jatagan në brez, apo një grek me kapelë të vogël dhe me këpucë me xhufka. Niko u mendua dhe i tha se donte një ushtar me jelek dhe me dy pisqolla në brez si Llambro Xhavella. Por nuk e dua tullac. Dua që ushtari im të jetë më i ri se dajë Llambro. E do me çallmë apo me qeleshe, e pyeti Jani prapë. E dua me flokë të gjata që ia merr era, tha Niko. Aliu që e dëgjoi të vëllanë tha se ai donte një luftëtar mbi kalë si Skënderbeu. Skënderbeu kishte një përkrenare me bri dhie mbi kokë, i tha Jani dhe shpatën e kishte më të gjatë se kalin. Skënderbeu nuk i donte dhitë se ato nuk bëjnë qumësht të mirë më ka thënë babai, u përgjigj i nxehur Aliu. Unë dua që Skënderbeu im të mbajë mbi kokë jo dy, por vetëm një bri të trashë demi që i thyen parzmoret e turqve. Po shpatën, e pyeti Jani. Shpatën e dua të drejtë, por jo më të gjatë se kalin, tha Aliu. Ndërsa Muhamedi pasi dëgjoi i qetë dy vëllezërit tha se ai donte dy lodra. Jo, i thanë vëllezërit, pse ti dy lodra kur ne do kemi vetëm nga një. Po ato janë pjesë e së njëjtës lodër, u përgjigj Muhamedi, por vëllezërit nuk po e kuptonin. Unë dua një gjë të rrumbullakët në qoftë se toka është e rrumbullakët dhe një katror në qoftë se toka është katror. Është njëlloj si ushtari yt që duket edhe nga përpara, edhe nga prapa, i tha ai Nikos. Mirë, i tha Jani, do ta bëj, se lodrat e tua janë më të thjeshta dhe gdhenden shpejt. Po unë dua që t’i bësh me pyje, me lumenj, me dete, me male dhe me fshatra, i tha Muhamedi. Po njerëz nuk do, e pyeti Jani. Jo nuk dua, tha Muhamedi. Njerëzit janë të vegjël dhe nga lart nuk duken. Jani punoi një muaj për kukullat e vëllezërve. Shkoi në pyll dhe zgjodhi lis për ushtarin e Nikos dhe Skënderbeun e Aliut, ndërsa tokat e Muhamedit vendosi t’i bënte me qershi sepse ajo vinte si e murrme dhe ai mendoi se toka e parë nga lart kishte atë ngjyrë. Preu me kujdes katër kuti të vogla të barabarta, në madhësinë e një ikone, por u kujtua se shpata e Skënderbeut do të dilte mbi lartësinë e lodrave të tjera dhe preu një kuti më të gjatë. Vizatoi me brisk hekuri mbi secilën kuti, format e tyre të përafërta dhe filloi t’i priste trashë. Ashtu, lodrat dukeshin si gurë që koha dhe erërat i kishin gdhendur rastësisht, pa asnjë qëllim. Pastaj, me një daltë të vogël filloi të nxirrte ngadalë ashklat e drurëve derisa koka e ushtarit të Nikos u duk si një kokë ariu, pa faqe dhe pa hundë. Jani e la ushtarin e Nikos dhe kaloi te Skënderbeu i Aliut derisa edhe ky u duk si një ari i paushqyer. E la dhe atë dhe filloi të merret me kalin. Faqet dhe hundët e ushtarit dhe të Skënderbeut do t’i bëj në fund, tha me vete duke menduar se duhet t’i bënte të dukeshin si njerëz të ndryshëm sepse përndryshe vëllezërit do të ziheshin. Aliu nuk mund të pranojë që Skënderbeu të ketë fytyrë ushtari, qeshi Jani dhe vazhdoi të rrumbullakoste tokën e Muhamedit. Jani nuk kishte parë ndonjë det dhe nuk dinte nëse ai ishte më i madh dhe apo më i vogël se lumi. Në darkë pyeti Sarën dhe ajo i tha se bota kishte më shumë dete sesa pyje dhe lumenj dhe se çdo lumë bashkohej me detin dhe çdo det bashkohej me një det tjetër. Po pyll në mes të detit ka, e pyeti Jani. Ka, tha Sara. Janë ishujt, por ata janë të vegjël dhe nuk duken nga lart. Me përjashtim të Kretës, tha ajo dhe pa nga Ibrahimi që nuk po e dëgjonte. Jani i gdhendi imët pisqollat e ushtarit, por megjithatë njëra doli pak më e gjatë se tjetra. Ndërsa shpata e Skënderbeut u thye pak në majë dhe Jani ia shkurtoi këmbët e kalit, që t’i sillte në proporcion. Pastaj thelloi lumenjtë që dukeshin si gishta mbi tokën e Muhamedit dhe duke e futur daltën thellë në dru bëri nga të gjitha anët pyje që dukeshin si gjilpëra të ngulura mbi një top leshi. Në mes të një deti të madh, ngriti një gungë të vogël si nishan, që ishte Kreta. Kur mbaroi faqet, hundën dhe sytë e ushtarit dhe të Skënderbeut, njëri dukej si një burrë i hollë me faqe të verdha, ndërsa tjetri si një bullafiqi nën peshën e të cilit kali me këmbë të shkurtra po jepte shpirt. I pastroi nga pluhuri dhe i hodhi pak ujë që të shkëlqenin. Thirri tre vëllezërit dhe ua tregoi. Në fillim ata u habitën, por pastaj filluan të shikonin me qetësi dhe të krahasonin secili kukullën e tij me dy të tjerat. Pse njëra pisqollë është më e gjatë se tjetra, u hodh Niko. Sepse ushtari yt njërën ia ka marrë një turku dhe tjetrën një greku, tha Jani. Po pse ushtari im është më i dobët se Skënderbeu, vazhdoi Niko. Sepse ushtari shkon në luftë dhe nuk ka kohë të hajë, ndërsa Skënderbeu rri majë kalit dhe nuk lodhet. Skënderbeu ka kalë sepse është komandant, tha Aliu duke mbrojtur kukullën e tij. Por pasi e pa mirë u hodh dhe ai. Kali i ka këmbët e shkurtra dhe duket si mushkë. Kali i Skënderbeut ishte ndryshe nga të tjerët, tha Jani. Ai ishte shumë i shpejtë dhe prandaj i ka këmbët më të shkurtra. Çfarë është kjo, pyeti Muhamedi duke treguar ishullin me gisht. Kjo është Kreta, tha Jani. Është një ishull. Po pse ma ke vënë Kretën, unë nuk ta kërkova, tha Muhamedi. Këtë ma kërkoi Sara, tha Jani duke parë nga ajo. Muhamedi u kthye nga Sara, si për t’i thënë se nuk kishte punë me lodrën e tij, por Ibrahimi ndërhyri dhe i tha: Në Kretë është vrarë gjyshi im dhe stërgjyshi yt. Është mirë që e ke futur në botën tënde. Muhamedi nuk foli, por Aliut iu duk se heroizmi kaloi nga shpata e Skënderbeut te bota e Muhamedit dhe duke iu afruar Ibrahimit e pyeti: Me shpatë ka luftuar gjyshi? Po, i tha Ibrahimi. Po pisqollë ka pasur, tha Nikoja. Nuk e di, tha Ibrahimi, por ndoshta e kanë vrarë me pisqollë. Kaq duhej që dy djemtë të fillonin luftën. I afruan kukullat e tyre dhe, duke i ngjitur me njëratjetrën, i shtynin fort. Ushtari yt nuk i nxjerr dot pisqollat nga brezi, thoshte Aliu dhe i fuste shpatën ushtarit në sy. As shpata jote nuk ia pret dot kokën ushtarit tim, bërtiste Niko duke shtyrë Skënderbeun e shëndoshë. Në fillim u thye briri i përkrenares së Skënderbeut, pastaj ushtari mbeti me një krah dhe me krahun tjetër u hakmor duke i thyer Skënderbeut shpatën. Kështu janë më të bukur, tha Sara, duken si statuja antike. Djemtë fjetën atë natë duke e futur secili poshtë krevatit heroin e vet të plagosur. Ushtari me një krah humbi ekuilibrin dhe u rrëzua, ndërsa Skënderbeu rezistoi, por breshka e lëpiu gjithë natën. Muhamedi e futi tokën e tij të rrumbullakët poshtë jastëkut, por ashtu nuk mund të flinte sepse koka i dhembte mbi drurin e fortë. E mori dhe e vuri dhe ai poshtë krevatit, tokën e vet. Para se të flinte i tha Janit: Po të ma kishe bërë tokën katrore tani do më kishte zënë gjumi. Kur u zgjuan në mëngjes, asnjëri nuk e gjeti lodrën poshtë krevatit. Kontrolluan nëpër shtëpi, hapën sirtarët, shkuan në qilar, por nuk i panë kund. Shkuan te dhoma e prindërve, por aty Ana po flinte me një patë në dorë. Dolën në oborr dhe panë që Sara i kishte rreshtuar tre kukullat mbi një plloçe dhe po i shihte. Do t’i lyej, tha ajo kur djemtë e pyetën. Në fillim Sara leu me të kaltër detet, pastaj i dha një jeshile të errët pyjeve, nxiu lumenjtë dhe malet i bëri me bojë kafe. Po Kretën si do e lyesh, e pyeti Muhamedi. Me të kuq, u përgjigj Sara. Aty është derdhur shumë gjak. Me ngjyrë të kuqe u lye dhe fustanella e ushtarit, ndërsa këmisha e tij dhe kali i Skënderbeut u bënë të bardha. Pisqollat dhe përkrenarja e Skënderbeut u lyen me ngjyrë të zezë, ndërsa pjesa e mbetur e shpatës u vesh me një të verdhë ngjyrë ari. Fytyra e shëndetshme e Skënderbeut u lye me rozë, ndërsa pelerina ngjyrë vjollcë. Flokët e gjata të ushtarit u zverdhën, ndërsa faqet dhe hunda u lyen me bojë kafe. Ushtari është nxirë nga dielli nëpër luftëra, tha Sara duke lyer me gri shtëpitë e vogla të botës së Muhamedit. Si mbaroi, i vuri mbi plloçe që të thahen. Ushtarin dhe Skënderbeun përballë njëri-tjetrit, ndërsa tokën e Muhamedit në mes të të dyve. Tani kanë arsye të luftojnë për një copë tokë, tha Sara dhe i mori djemtë për t’u dhënë mëngjes.