Pages

Kapitulli 27 - Romani ''Te Jetosh Ne Ishull'' Ben Blush

Ditën që Petro u mbyt, Ibrahimi u thinj. Mbuloi kokën me duar sikur donte të fshihte plakjen. Djemtë u ulën rreth tij dhe Sara qau duke ndërruar qilimat e shtëpisë. Paridi ishte skuqur, kurse Aliu ishte zbehur. I thashë Petros të mos i besonte kalit të dajë Llambros,
tha Muhamedi, por Jani e pa me neveri dhe ai nuk foli më. Ana luante pa zhurmë me lëmshin e leshit që i ra nga duart dhe ndaloi para këmbëve të Ibrahimit. Ibrahimi u zgjat ta merrte dhe të gjithë u habitën kur ai hoqi duart nga koka. Koka i dukej si një velenxë. Pse të janë zbardhur flokët baba, e pyeti Ana. Ibrahimi e shtrëngoi të bijën fort, i afroi kokën te qafa dhe e puthi. Kam një lëmsh si ky në vend të kokës, i tha Anës. Me një lëmsh si ky mund të gjesh çdo gjë që të ka humbur, i tha Ana. Ibrahimi uli kokën dhe thinjat i zbritën te vetullat. Ka disa gjëra që nuk i gjen dot më, tha dhe u përlot. Sara mblodhi fillin e leshit dhe e çoi në dhomën e saj. Ana e ndoqi pas. Do ta vras Ali Pashën, tha Aliu. Ibrahimi ngriti kokën dhe i tha Janit: Gjej Thanasin dhe i thuaj të më sjellë Petron në shtëpi. Nuk vdes pa varrosur djalin. Jani i bëri shenjë Aliut dhe u nisën. Në Janinë mbërritën në muzg. Dielli ishte ulur dhe hëna ishte ngritur. Hijet e tyre humbën në rrëmujën e qytetit. Njerëzit vraponin për t’u kthyer në shtëpi. Tregtarët po ngrinin mallrat e pashitura nga tezgat. Pazari ishte shtruar me kalldrëm, por në qytet kishte shumë baltë. Batanijet, basmat dhe pëlhurat që binin në tokë, ata i lanin me ujë liqeni, që t’i shisnin prapë të nesërmen. Kur Ali Tepelena ishte bërë Pasha i Janinës kishte dalë në pazar për të takuar tregtarët. Shikonte çdo gjë, por pyeste vetëm për çmimin e mëndafsheve, të cilat i zinte me duart e holla dhe i afronte te faqja, sikur donte që ta puthnin. Atë ditë, kishte nisur një rrebesh dhe Pashai ishte bërë qull deri në lëkurë. Mbulojeni këtë pazar, i kishte thënë sejmenëve të tij. Pas dy muajsh, pazari ishte mbuluar me tjegulla të kuqe dhe tani quhej, kapali carshi ose pazari i mbuluar. Njerëzit nuk dilnin natën në Janinë. Ushtarët e Aliut kontrollonin rrugët dhe jevgjit e dehur i rrihnin. Çifutët mbylleshin herët në barakat e vogla pranë liqenit duke mbushur shishka me vaj bimësh për shërimin e ulcerës dhe duke palosur letrat e fallit. Që kur kishin ardhur në Janinë, çifutët ishin marrë vetëm me këto punë. Grekët kishin tavernat e tyre në lagjen varosh ku mblidheshin dhe pinin verë me pastërma. Liqeni ishte i pari që i ishte bindur Ali Pashës. Në dimër mbulohej me akull dhe kalamajtë rrëshqisnin mbi të me slita të vogla. Kur ndrydhnin këmbët, i çonin në lagjen e të krishterëve ku një doktor gjenovez i hutonte me një papagall memec dhe ua kthente kyçet në vend. Në verë, në breg të liqenit, gatë lanin rrobat me sapun dhe i fërkonin në govata të mëdha prej druri. Ali Pasha nuk linte njeri të peshkonte pa lejen e tij. Taksa mbi peshkun ishte e lartë dhe peshkatarët duhej ta paguanin në fillim të çdo viti. Kur ata peshkonin, njerëzit e Aliut rinin në breg dhe numëronin peshqit e vegjël që tundnin bishtin duke fryrë barkun me ajër. Peshkimi natën ishte ndaluar. Hëna ishte e vetmja që mund të zhytej në liqen pa lejen e Pashait, i cili dilte vetë në dritaret e Kastros dhe shikonte ekzekutimet që kishin urdhëruar. Natën, Pashai u thoshte ushtarëve që të ndriçonin vendin me pishtarë që ai të mund të shihte fytyrën e të dënuarit përpara vdekjes. Mbytja në ujë ishte dënimi i preferuar i Ali Tepelenës. Ka ardhur koha për barazi, qeshte Aliu. Njerëzit ushqehen me peshk, por edhe peshqit duhet të ushqehen me njerëz. Që kur Ibrahimi ishte bërë mysliman, në qytet ishin ngritur katërmbëdhjetë xhami. Minaret e tyre binin mbi liqen, lageshin si koka lejlekësh dhe dilnin prapë duke kënduar pesë herë në ditë. Të krishterët sillnin mall nga gjithë bota dhe myslimanët e shisnin me tezga në pazar. Në Janinë kishte shumë dervishë bektashinj. Ali Tepelena nuk shkonte në xhami dhe shqiptarëve të krishterë u kërkonte të bëheshin bektashinj. Për bajram ai shpinte qengja në xhami dhe para në teqe. Kur lodhej, shtrihej në një divan të gjatë, pinte duhan me nargjile dhe thërriste dervishët që i flisnin për parajsën derisa atë e zinte gjumi. Dervishët mbushnin xhepat me duhan të shtrenjtë trëndafili dhe iknin kur Pashai fillonte të gërhiste. Grekët e Janinës e kishin frikë Aliun. Kur ai kishte ardhur në qytet, shumë prej tyre kishin ikur. Por Aliu nuk i linte më grekët të largoheshin sepse paratë e tyre ishin burimi kryesor i pasurisë së tij. Kush donte të ikte nga qyteti duhej të linte një djalë apo një vajzë peng, në mënyrë që Pashai të ishte i bindur se ata do të ktheheshin. Taksat e mallrave ishin rritur dhjetë herë që kur ai ishte bërë Pasha. Aliu i kishte qejf paratë. Kur nuk e zinte gjumi, zbriste në qilar dhe kalonte nëpër duar qeskat me monedha të arta. Çelësat e qilarit i mbante në brez dhe flinte duke ëndërruar male me florinj. Aliu besonte se në malet përreth Janinës kishte ar dhe argjend. Ai thirri disa gërmues nga Italia, të cilët erdhën në Janinë të pajisur me shufra të gjata, me syze të trasha, me dorëza dhe me thupra magjike, të cilat ia afronin shkëmbinjve apo i zhysnin në përrenjtë malore. Ata morën me dhjetëra fshatarë që me urdhër të pashait i detyronin të hapnin gropa të thella në formë pusi, nga të cilat shpesh shpërthenin burime ujërash që i mbysnin gërmuesit. Fjala u hap shumë dhe për disa kohë kodrat dhe malet e pashallëkut u mbushën me evropianë që kontrollonin gërxhet, grykat dhe shpellat për të gjetur ar. Ali Tepelena i paguante të gjithë, por njëherë, kur i pa që pinin në një tavernë, u mërzit, durimi i shteroi dhe i përzuri që të nesërmen me ushtarë. Gjatë verës, kur përrenjtë zbuteshin, ai ndërtonte ura prej guri, rrugë për fshatrat e shumta të pashallëkut dhe kala me mure të trashë dhe bodrume që i mbushte me barut. Në të dalë të qytetit, ai kishte ngritur një harem me dhoma të vogla ku gratë qëndisnin dhe zbukuroheshin me bojëra dhe parfume duke pritur Pashain. Dhomat e haremit ishin plot me divane dhe jastëkë mëndafshi, ndërsa dyshemeja prej mermeri i ngjante një pylli pranveror ku kafshë dhe zogj me pupla lëpinin këmbët e zbathura të grave. Në korridoret e haremit vendoseshin shporta me fiq, me rrush, me hurma dhe me pjeshkë për të ëmbëlsuar gojët e grave dhe të miqve të Pashait. Aliu organizonte aty gosti të mëdha ku ftonte tregtarë, poetë apo ushtarakë që vinin nga të gjitha viset e botës për ta takuar. Në harem kishte edhe një ndarje për djem të vegjël. Aty nuk hynte askush. Djemtë rinin në dritare si papagaj të vetmuar dhe e hapnin gojën sa herë shfaqej Pashai, i cili mendonte se duke fjetur me djem do jetonte më gjatë. Këtë ia kishte thënë njëherë një dervish që i kishte parë në filxhanin e kafesë një vijë të gjatë dhe të hollë që hynte në një bark dhe dilte prapë për t’u zgjatur deri te buza e filxhanit. Kur dervishi vdiq, Aliu qau dhe i ngriti atij një varr të bukur afër liqenit. Ali Pashai ishte i bindur se do jetonte njëqind e pesëdhjetë vjet dhe se deri atëherë sulltanët e Stambollit do ishin rrëzuar dhe ai do ngrinte një kala në Korfuz ku do të priste mbretërit e Evropës bashkë me gratë e tyre. Nuk ka perandori pa ishuj, i thoshte miqve të tij. Unë dua një ishull ku të qeveris si mysliman dhe të jetoj si i krishterë. Ali Tepelena mbante shumë kuaj. Stallierët ishin grekë, ndërsa kuajt arabë. Një herë në vit në Janinë bëheshin gara me kuaj dhe ai rrinte në një kolltuk të gjerë dhe ndiqte kalorësit që i kapnin kafshët me thonj nga flokët. Fshatarët, e stërvitur me fustanella të shkurtra dhe këmbë të holla, vinin atë ditë në qytet, pasi i ushqenin kuajt për një muaj me tagji të mirë, dhe kush fitonte afrohej te pashai për të marrë si trofe një pisqollë argjendi apo një palë tespihe me rubin të kuq. Kalin që fitonte, Aliu e blinte dhe stallierët ia ndërronin potkonjtë. Kuajt e garave që shëndosheshin ose plakeshin ia jepnin ushtrisë. Shqiptarët ishin ushtarët më të mirë të Aliut, por dhe më të egrit. Ata dinin të luftonin mirë me shpata, ndërsa pisqollat i mësonin me vështirësi. Nëpër trungje pemësh oficerët varnin kuti të mbushura me kashtë dhe i mësonin shqiptarëve të qëllonin. Aliu nuk i linte ushtarët të pinin dhe pisqollat e karabinat mbaheshin të mbyllura në bodrumet e Kastros. Kur Ali Pasha bleu një top me tytë të gjatë, ushtarët e pastruan dhe e nxorën në sheshin përpara kalasë. Hija e tytës zgjatej mbi liqen dhe kalonte deri në bregun tjetër ku ishin shtëpitë e çifutëve. Burrat e Janinës u mblodhën për të parë topin, ndërsa fëmijët matnin me pëllëmbë gjatësinë e tij. Pashai kishte thirrur një kolonel anglez nga Korfuzi, për t’i mësuar ushtarëve mbushjen dhe zbrazjen e topit. Koloneli ishte një burrë i shkurtër, me bark të madh dhe me flokë të zinj kaçurrelë. Ai mbante një palë çizme të kuqe në të cilat kishte futur pantallonat e bardha që i rrinin të ngushta. Anglezi u tha ushtarëve të Pashait të ngrinin një tendë rreth pesëqind këmbë larg topit dhe filloi të rregullonte tytën, të cilën e pastroi me një leckë të kapur në një shkop me nyje. Pastaj nxori një shishe me vaj të verdhë e derdhi brenda dhe e fshiu prapë me leckë. Kur ushtarët e vendosën tendën aty ku duhej, Aliu bashkë me vezirin, disa tregtarë grekë dhe oficerët e tij shqiptarë dolën në bedenat e Kastros për të parë qitjen. Ali Pasha kishte ftuar edhe peshkopin e qytetit dhe disa dervishë të shëndoshë dhe të zhurmshëm. Kur anglezi filloi të mbushte topin me predha, pashai ngriti dorën në ajër dhe të gjithë heshtën. Predha e parë ra disa hapa larg tendës dhe zhurma e saj bëri dallgë mbi liqen. Ky top nuk të vret, por të shurdhon, tha njëri nga dervishët dhe Aliu filloi të qeshte. Anglezi nga Korfuzi e lëvizi shumë pak topin dhe u shtri mbi tytë duke parë tendën me kujdes. Barku i tij i madh u palos dhe këmbët e shkurtra dukeshin si degë të thyera mbi trungun e armës. Predha e dytë ra mu në mes të tendës, e cila u gris, u rrëzua dhe pastaj u dogj. Peshkopi duartrokiti i pari, ndërsa dervishët mbyllën veshët me duar. Atë natë Aliu e çoi anglezin në harem dhe i tha të zgjidhte kë të donte nga gratë e tij. Por anglezi mori një tas me fiq të bardhë, pastaj piu verë, hëngri prapë fiq, piu nargjile dhe e zuri gjumi. Kur u zgjua në mëngjes, takoi Aliun dhe i tha se nuk e dinte që fiqtë e Janinës të vinin në gjumë. Fiqtë e grave nuk ka nevojë t’i qërosh, i tha Aliu dhe i fali një shpatë me gurë të çmuar. Disa muaj pasi iku anglezi, ushtarët e Aliut e lyenin vetë grykën e topit me të cilin filluan të qëllonin edhe në fund të muajit të ramazanit, por edhe për bajram. Peshkopi i kërkoi Ali Pashait ta përdorte topin edhe të dielën e pashkës, por Aliu, duke qeshur, i tha se topin nuk e kishte blerë për të thyer vezët. Kur vendosi të pushtonte Sulin, Ali Pasha kishte një duzinë me topa, të cilëve ushtarët e tij u kishin vënë emra. Topit më të madh, që kishte një grykë të fryrë, si një fuçi hekuri, ata e kishin quajtur Sulltani, ndërsa një tjetër, gryka e të cilit zgjatej si një përkëdhelje e quanin Harem dhe kur nuk ndizej, gjë që ndodhte shpesh për shkak të lagështisë apo shiut, e thërrisnin Haram. Topin e parë që kishte ardhur në Janinë e quajtën Barku i Anglezit sepse nga pesha ai ishte varur dhe dukej sikur do prekte tokën. Topi më i bukur dhe më elegant dhe që e hidhte predhën drejt, pa bërë harqe të panevojshme, u quajt Tepelenasi, për nder të Pashait. Por kishte edhe topa të tjerë me madhësi të ndryshme të cilët u pagëzuan Gjirokastra, Korfuzi, Meka ose I vaisuri dhe të cilin grekët e Janinës e nderonin më shumë dhe në gjuhën e tyre e thërrisnin O Kristos. Kur topat dilnin në mëngjes nga depoja ku mbaheshin, ashtu të përgjumur e të pavajisur, ngjanin me një klasë djemsh që vihen në rresht për të larë fytyrën. Krahina e Sulit ishte disa orë larg Janinës dhe formohej nga aleanca e trembëdhjetë fshatrave që fshiheshin në gryka të thella malesh, të cilat shikonin nga deti. Në dimër rrugët bllokoheshin nga ngricat dhe ortekët, ndërsa në verë burrat zbrisnin në fushë dhe u merrnin bagëtitë dhe ushqimet fshatarëve të varfër. Suljotët nuk kishin fusha dhe ishin të varfër. Fëmijët e tyre rriteshin me përralla në të cilat stërgjyshërit e tyre fitonin çdo luftë me turqit, ndërsa pjesën tjetër të kohës e kalonin duke gjuajtur detin me gurë. Dita në Sul mbaronte shpejt dhe nata ishte e gjatë. Turqit nuk ishin ngjitur dot në malet e tyre të thikta dhe të gjithë suljotët kishin mbetur të krishterë. Ata nuk pranonin të bëheshin pjesë e Pashallëkut të Ali Pashës dhe nuk paguanin asnjë taksë. Luftëtarët suljotë e urrenin Ali Pashën, të cilin e quanin një hajdut mysliman. Përpara se të niste sulmin, Aliu vendosi t’u dërgonte atyre një letër, në të cilën u kërkonte ta ndihmonin për të sulmuar Gjirokastrën. Letrën e shkroi greqisht dhe ua dërgoi dy komandantëve kryesorë Jorgo Boçarit dhe Llambro Xhavellës. Boçarët dhe Xhavellat ishin fiset më të mëdha të Sulit, por shpesh grindeshin për komandën e ushtrisë. Vitet e fundit, Xhavellat kishin marrë më shumë mbështetje nga trembëdhjetë fshatrat dhe Boçarët shfrynin duke pritur ditë më të mira. Ali Pasha e dinte se nëse do t’i drejtohej njërit, fisi tjetër do inatosej duke e prishur paktin dhe prandaj vendosi që letrën t’ua dërgonte të dyve. Kur letra mbërriti në fshat, suljotët u mblodhën dhe e lexuan në kuvendin e burrave. Ali Pashën nuk e donin, por kishin nevojë për para dhe vendosën të dërgojnë në Janinë shtatëdhjetë burra me në krye Llambro Xhavellën. Të tjerët mbetën në male duke pasur frikë nga ndonjë hile e Ali Pashës. Kur u nisën, gratë dhe fëmijët u ngjitën në majë të një kodre dhe panë karvanin e burrave që zbriste poshtë në fushë. Në krye ecte Llambro Xhavella i shëndoshë dhe qimekuq, mbi kalin e tij të bardhë dhe pas tij vinte i biri, Foto Xhavella dhe Petro, djali i Ibrahimit. Të dy mbanin këmisha të bardha, të gjata, që e ëma e Fotos i kishte qëndisur te mëngët e hapura. Rruga ishte e shkretë dhe ata ndalonin buzë përrenjve për t’u freskuar dhe për t’u dhënë ujë kafshëve të etura. Kur mbërritën në Janinë qyteti digjej nga zhegu. Balta ishte tharë dhe pluhuri u ngrit lart deri te veshët e kuajve. Një oficer i Pashait i çoi te kazermat dhe ata u shtrinë nëpër hije dhe kërkuan bukë. Nuk ua kërkoi njeri t’i dorëzonin armët dhe fjetën duke i mbajtur poshtë kokës. Në Janinë vera ishte e lagësht dhe ata nuk i zuri gjumi duke djersitur si kuaj. Të nesërmen, Ali Pasha e priti Llambro Xhavellën në Kastro. Ishte ulur në një divan të mbuluar me kadife dhe në dorë tundte një palë tespihe me gurë jeshilë. Afër tij gurgullonte një nargjile e vizatuar me germa arabe, ndërsa te papuçet e Ali Pashës shtrihej një mace e përgjumur. Nuk lëviz dot se zgjohet macja, tha Ali Pasha dhe i bëri shenjë të ulej, por Llambro Xhavella qëndroi në këmbë. Në fshatin tim macet flenë me gratë, i tha pashait që vuri buzën në gaz dhe fërkoi dorën e hollë mbi kadife. Lëkura iu vesh me mornica dhe papuçja iu zvogëlua në këmbën e vogël. Të kam thirrur për të kapur njerëz dhe jo mace, tha pashai dhe qeshi fort me batutën e vet. Kur i sollën duhan, Llambro Xhavella i mori erë dhe fytyra iu zbut. Ali Pasha filloi të fliste ngadalë dhe sytë e kaltër i rriteshin sa herë që Llambro Xhavella thithte çibukun e tij të shkurtër. I rrëfeu për ushtrinë e tij, për marrëdhëniet me Portën e Lartë, për planet që kishte për të sulmuar Gjirokastrën, Pargën dhe pastaj edhe Korfuzin. Nuk dua luftë me Sulin, i tha në fund. Ju jeni burra të fortë dhe ne kemi një armik të përbashkët, turqit. Kur ata të ikin unë do qeveris dhe Suli nuk do paguajë asnjë taksë. Do ju jap armë për të luftuar dhe në Sul do ngre fortesa, rrugë dhe ura. Llambro Xhavella e dëgjonte dhe kur ai mbaroi i tha: Kur do t’i biem Gjirokastrës? Shumë shpejt, tha Pashai, për disa javë jemi gati. Llambro Xhavella u kthye vonë në kazermë dhe i gjeti burrat në gjumë. Vetëm Foto dhe Petro e prisnin zgjuar. Ata kishin dëgjuar shumë për Ali Tepelenën dhe e pyetën Llambron me një gojë: Si t’u duk Aliu? Llambro Xhavella që përtypte duhan me dhëmbë i pa djemtë në errësirë dhe tha: Si një tigër që sillet si mace. Po Thanasin e takove, e pyeti Petro. Më mirë që nuk e pashë se do ta kisha rrahur, tha Llambro Xhavella dhe fjeti duke gërhitur si një hinkë e mbushur me oriz. Pas dy ditësh Thanasi erdhi në kazermë dhe takoi Petron. Nuk ishin parë që kur kishin varrosur nënën e tyre. Thanasi ishte bërë një burrë i fortë me mustaqe dhe me flokë të gjata, por të drejta. Ngado e nderonin dhe pisqolla e tij ishte me dorezë fildishi që shkëlqente. Petro ishte më i gjatë dhe jeta në mal ia kishte rritur shpatullat. Rrobat e tij ishin më të vjetra se të Thanasit dhe sytë i mbyllte shpesh, si një njeri që mbrohet nga era. Thanasi i tha Petros ta linte armën në kazermë dhe e mori me vete në qytet. Ecnin të dy nëpër kalldrëme dhe hapat e tyre linin gjurmë në pluhur. Thanasi i tregoi liqenin, pazarin, Kastron dhe shtëpitë e çifutëve. Petro shikonte burrat që shisnin duke bërtitur dhe gratë e pambuluara të grekëve që ktheheshin në shtëpi duke djersirë nën sqetulla. Petro pa një shtëpi të bardhë të lyer me gëlqere, të rrumbullakët si një kusi dhe që ndryshe nga gjithë shtëpitë e tjera kishte një oxhak të hollë dhe shumë të gjatë nga i cili nuk dilte tym. Është xhami, i tha Thanasi. Në një xhami më të vogël se kjo, në anën tjetër të qytetit, babai u bë mysliman. Janina kishte shumë lypës. Ata i afroheshin Thanasit, të cilin dukej se e njihnin, por ai i shante dhe ata largoheshin me dorën e zgjatur. Në sheshin përpara Kastros qëndronin disa roja,t ë cilët lëviznin duke parë me bisht të syrit nga dritaret e kështjellës nga ku, me sa duket, dikush i vëzhgonte. Ata i mbanin karabinat mbi sup dhe mustaqet i kishin njëlloj të holla, sikur i prisnin tek i njëjti berber. Po ti si këta je, e pyeti Petro. Thanasi qeshi dhe duke vazhduar të ecte tha: Këta rrinë në diell, kurse unë jam hija e Aliut. Në mes të oborrit të Kastros ngrihej një top i mbështetur në dy rrota dhe poshtë tij ishte një kuti druri e mbushur me predha. Gryka e tij ishte e shkurtër dhe e hollë. Është Foleja e Dallëndyshes, tha Thanasi dhe u afrua te topi. Aliu ka një kazermë plot me topa. Disa i ka rrëmbyer në beteja, por shumicën ia ka blerë turqve dhe anglezëve. Topat kanë emra të ndryshëm. Ky u quajt Foleja e Dallëndyshes sepse kur donin ta provonin, një dallëndyshe që ishte fshehur brenda tytës u ngrit në ajër dhe fluturoi, por pasi bëri disa rrotullime u fut prapë atje dhe rrinte e ulur në bisht, e frikësuar. Ushtarët e lëvizën topin që ajo të ikte, por dallëndyshja nuk dilte. Atëherë futën një shkop për ta trembur dhe dallëndyshja doli, por u kthye prapë dhe u përpoq të hynte, por ushtarët e penguan duke rrahur ajrin me shkop. E drejtuan topin, futën predhën dhe u bënë gati të qëllonin. Dallëndyshja rrotullohej bashkë me topin dhe filloi të kafshonte ajrin duke fishkëllyer si një sharrë e prishur. Kur topi u shkreh, bashkë me predhën, ra në tokë një fole e shkalafitur, kashta dhe puplat e së cilës u endën në ajër për disa minuta. Copat e folesë u shpërndanë gjithandej në oborrin e kazermës dhe ushtarët që i mblodhën thanë se ato ishin përzier me vezë dallëndysheje, të cilat, nga shpërthimi, ishin bërë si një reçel që të ngjiste duart. Dallëndyshja ulërinte duke u sjellë përreth topit të nxehtë dhe i merrte erë ajrit. Kur ia thanë këtë histori, Ali Pasha vendosi ta mbajë topin në oborrin e Kastros dhe i tha topçinjve të tij: Na duhet një fole zogjsh se e kemi mbushur kështjellën me kafshë. Petro pa topin, por tyta e tij ishte e ftohtë dhe e heshtur si një bark beronje. Në një cep të oborrit të shtruar me gurë të dendur ishte një karrocë e mbuluar që shkëlqente në diell. Ajo qëndronte mbi dy rrota të mëdha elegante dhe dy kuaj të lartë biondë, që ishin lidhur pas saj, prisnin me kokën ulur. Është karroca e Pashait, tha Thanasi. E ka blerë në Francë. Në Janinë, përveç tij, askush nuk ka të drejtë të dalë me karrocë. Njëherë, një tregtar i pasur grek, të cilit i ishin fryrë këmbët dhe nuk ecte dot, iu lut Pashait të blinte një karrocë që të mund të dilte në qytet. Nuk më more leje kur u sëmure, iu përgjigj Aliu dhe e dëboi plakun që dy shërbëtorë e ngritën në krahë. Po ti ke hipur në karrocë, e pyeti Petro. Thanasi uli kokën dhe rregulloi brezin e kuq të pisqollës. Karroca është e vogël dhe nuk ka vend për hije, tha. Gënjen Akuym e pyeti Petro. Ç’do të thuash, i tha Thanasi. Petro bëri disa hapa dhe ndaloi. Dajë Llambro ka frikë se Aliu po na gënjen. Na ka thirrur për të sulmuar Gjirokastrën, por daja beson se ai kërkon të sulmojë Sulin dhe duke na joshur me premtime dhe para do të na kapë në befasi. Sido që të ndodhë, do përpiqem të të shpëtoj, tha Thanasi dhe eci përpara duke fshehur sytë. Hija e tij u zvarrit në kalldrëmin e Kastros dhe u fsheh në karrocë. Kuajt lëvizën, por nuk u nisën. Kur Thanasi i tregoi haremin Petro u ndez. Nuk hynë brenda, por ecën deri te dritaret e vogla të mbuluara me pjergull ku vajzat afroheshin sa herë që ndienin erë burrash në oborr. Ato i kishin sytë e lyer dhe flokët e lëshuar dhe të shndritshëm. Në mes të oborrit të haremit ishte një shatërvan i kuq, ndërsa uji dilte nga një çezmë në formën e një femre me gjinj të zhveshur. Ajo shihte vizitorët dhe dukej sikur i thoshte: Shuani etjen para se të vdisni. Haremi ishte një godinë me dy kate dhe me shumë ndarje, të cilat duhej të ishin dhoma. Dritaret ishin me kangjella dhe gratë dukeshin si zogj të mbyllur në kafaza. Në fund të haremit ishte dhe një pjesë me dritare më të vogla të veshura me kortinka jeshile. Ajo është pjesa e djemve, tha Thanasi, që dukej i skuqur. Petro kapërceu pështymën. Ti ke qenë atje, e pyeti. Thanasi u afrua te shatërvani, futi dorën në ujë dhe lagu qafën. Sytë e tij ishin rritur dhe shikonin me ëmbëlsi në drejtim të haremit. Kur ika nga fshati, isha një djalë i njomë dhe flija staneve bashkë me Aliun. Në dimër ishte ftohtë, por në verë lëkura të mbushej me kripë bulmeti. Ndërsa në harem është shumë fresk. Djemtë lyhen me parfum pjeshke dhe nuk mbajnë era djathë i thartuar si bagëtitë e staneve. E megjithatë aty nuk ka ditë, por vetëm net të gjata dhe të lodhshme, tha Thanasi duke parë nga dritaret me kortinka jeshile. Në mbrëmje shkuan në tavernë. Merimangat vareshin nga trarët e thatë, ndërsa në muret me gëlqere ishin ngulur vargje me speca djegës dhe më tutje hudhra të verdha që ishin thurur si gërshet gruaje. Në një cep, varej një pikturë që tregonte liqenin dhe një djalë që bëhej gati të lahej duke parë ujin me frikë. Djali ishte i shkurtër, por fytyra e tij ishte e regjur si e një burri që mendohet. Bedenat e Kastros ishin të holla, ndërsa barakat e çifutëve ishin bërë me dy kate. Piktura ishte vizatuar me karbon dhe dielli dukej si një predhë e zezë,g ati për të rënë mbi qytet. Petro shikonte pikturën dhe Thanasit iu duk sikur ai po mendohej, ashtu si djali me fytyrë burri. po ta vizatoja unë, do bëja një kalë në breg, që djalit t’i dilte frika, tha Petro. Thanasi buzëqeshi dhe thirri kamerierin. Taverna ishte e zhurmshme dhe pis. Aty kishte shumë grekë që pinin verë recine që mbante era rrëshirë dhe përtypnin një pastërma të djegur që ua bënte buzët të zeza. Ata morën speca të skuqur me gjizë, qofte me erëza, patate të pjekura dhe uzo. Grekët pinin dhe flisnin me zë të lartë. Kamerieri, që kishte lidhur kokën me shami, vraponte në mes tavolinave dhe grekët e ngacmonin duke i pickuar të ndenjurat. Djali kërcente dhe llastohej duke lëvizur belin pastaj futej në kuzhinë dhe kthehej me pjata të tjera. Në një tavolinë rrinte një burrë i veshur me kostum të zi, me këpucë të drejta me taka të larta dhe këmishë të bardhë në të cilën kishte lidhur një shall të kuq të gufuar me pika të arta. Herë pas here nxirrte një qostek dhe e shikonte. Të gjithë e njihnin sepse kur ai hyri grekët pushuan dhe filluan të flasin me zë të ulët. Burri ishte i gjatë, me një hundë të drejtë dhe flokët i kishte të krehura me kujdes. Porositi verë dhe peshk të fërguar me vezë. Hante duke qëruar ngadalë halat dhe herë pas here fiksohej mbi pjatë sikur zbulonte ndonjë organ të panjohur në trupin e peshkut. Ky është Tozoni, mjeku i Aliut, tha Thanasi. Nga se vuan Aliu, e pyeti Petro. Pak nga të gjitha, reumatizëm, dhimbje koke, shkurtim kockash, ujë në mushkëri, ngushtim zemre, marrje mendsh, kruarje, lemzë dhe majasëll. Më shumë se çdo gjë ka frikë kolerën dhe mban shumë mace në Kastro se Tozoni thotë që minjtë e sjellin kolerën nga kanalet. Ka frikë, e pyeti Petro duke fshirë gjizën me bukë. Ai thotë se nuk vdes njeriu as nga lemza dhe as nga majasëlli. Është i bindur që do jetojë njëqind e pesëdhjetë vjet, tha Thanasi duke qeshur. Po ky si e shëron, pyeti Petro duke parë Tozonin që kishte mbaruar peshkun. Thanasi u ngrys dhe uli kokën mbi pjatë. Tozoni është italian, foli Thanasi. Ai ka udhëtuar shumë në Turqi, Egjipt, Maltë, More. Këtu erdhi nga Korfuzi. Njëherë e rrëmbyen piratët në Egjipt dhe e mbajtën tre vjet në anije sepse ai dinte të ndalonte rënien e dhëmbëve. Kur erdhi në Janinë u dashurua me një greke dhe mbeti. Mori një shtëpi të vjetër e rregulloi me mobilie italiane, mbolli limona në oborr dhe filloi të punonte për Aliun që e shëroi nga reumatizma. Di shumë gjuhë dhe i përkthen Pashait kur vijnë francezë, italianë ose anglezë. Tozoni është i vetmi që e pa Eminenë, gruan e Aliut, kur vdiq. Ai e di se çfarë ka thënë ajo duke dhënë shpirt. Disa thonë se e vrau Aliu me pisqollë, por disa të tjerë thonë se ajo u çmend dhe vdiq nga frika. Aliu e ka detyruar Tozonin të mos flasë për vdekjen e Eminesë dhe që ai të mos largohet nga Janina ia ka marrë gruan dhe ia ka mbyllur në harem. Një herë në muaj Tozonin e lënë të takojë gruan në një dhomë të veçantë ku ai kalon gjithë natën dhe në mëngjes ikën duke qarë. Sonte duhet të jetë nata e gruas sepse ai gjithë kohën kontrollon orë. Petro e pa Tozonin me keqardhje edhe Thanasi filloi të qeshte. Pas pak Tozoni pagoi dhe doli nga taverna. Grekët u bënë prapë të zhurmshëm ndërsa kamerieri, që ata e thërrisnin Ganimed, tundej duke shërbyer. Kur dolën jashtë, hëna po lahej mbi liqen. Ata ecën në drejtim të kazermës duke i kthyer kurrizin liqenit. Ke qenë në fshat, pyeti Petro. Jo, u përgjigj Thanasi. Babai ka bërë një shtëpi të madhe me shumë dhoma. Ka një dhomë edhe për ne të dy. Petro ktheu kokën nga perëndimi, andej nga duhej të ishte fshati dhe hëna i ndriçoi ballin. Po shkove përpara meje mos e zër krevatin që sheh nga deti, i tha Thanasit dhe u fut në kazermë. Para se të flinte iu kujtua peshku me hala i Tozonit dhe u kollit që të mos mbytej. Dy javë më vonë, një oficer i Ali Pashës erdhi në kazermë dhe takoi Llambro Xhavellën. Biseduan shumë pak në këmbë dhe Llambro hyri brenda dhe u tha burrave: Nisemi në të gdhirë. Bëhuni gati. Do t’i biem Gjirokastrës. Shtatëdhjetë burrat u ngritën dhe filluan të pastrojnë armët. Kur hëna u shua, ata dolën nga kazerma. Në të dalë të Janinës i prisnin pesëqind ushtarë të Aliut, të gjithë të armatosur. Ali Pashë Tepelena nuk ishte, ndërsa Thanasi me një këmishë të kaltër rrinte në rreshtin e dytë, i hipur mbi kalë. Llambro Xhavella takoi oficerin dhe u tha shokëve të tij të ndiqnin kolonën. Dielli digjte dhe kuajt nxirrnin shkumë. Zalli i lumit të tharë anës rrugës zbardhte nga etja. Në mbrëmje, dolën dhe gryka e malit dhe fusha e zezë u hap përpara tyre si vello e vejushës. Nata ishte e pastër dhe nga larg dukeshin dritat e Gjirokastrës që fluturonin si xixëllonja mbi një shkëmb. Kolona ndaloi dhe oficeri thirri Llambro Xhavellën. Petro i pa duke biseduar në errësirë, ndërsa dhëmbët e mëdhenj të Llambros iu afruan fytyrës së oficerit. Thanasi ishte disa hapa më tutje duke dëgjuar në heshtje. Kur u ndanë, oficeri takoi Thanasin dhe të dy hynë në mes të ushtarëve që i kishin zbritur kuajve për t’u çlodhur. Qafiri më tha se do t’i biem nga një rrugë tjetër për t’i dalë Gjirokastrës nga prapa, tha Llambro Xhavella duke kapur kalin e tij fort nga kapistallet. Qimet e kuqe i ishin ngritur dhe mjekra i dridhej. Thotë se na kanë pikasur dhe nga fusha nuk mund të afrohemi në qytet sepse na kanë zënë pritë më tutje. Duhet t’i dalim nga bregu, të hyjmë në luginë dhe t’i ngjitemi malit për t’i kapur në befasi. Edhe tri ditë rrugë, tha Foto Xhavella dhe i zbriti kalit. Llambro nuk foli, por lëshoi kalin dhe u ul në bar. Atë natë mbetën atje. Ushtarët nxorën bukë nga trastat, por oficeri i tha të mos ndiznin zjarr. Pa dalë dielli, u nisën. Rruga ngjitej në një mal të thatë dhe të djegur, i cili gjarpëronte duke iu shmangur një përroi të mbushur me gurë të mëdhenj që binin aty gjatë dimrit. Ecën gjithë ditën duke ndaluar shumë pak dhe fjetën vetëm në mbrëmje, në një livadh të verdhë dhe të lagur nga vesa. Të nesërmen panë detin. Më duket sikur jemi në Sul, i tha Foto Xhavella Petros që kishte ndaluar dhe shikonte bregun nga maja e kodrës. Kali hapte hojëzat sikur thithte kripën e detit, ndërsa Llambro Xhavella ecte përpara. Nga Suli, deti duket më i pastër, tha Petro dhe vazhdoi rrugën. Disa ushtarë të Ali Pashës kishin mbetur prapa dhe po ecnin pas kurrizit të tyre. Thanasi bashkë me oficerin ishin në krye. Në drekë ndaluan afër një fshati, por nuk hynë brenda. Gjetën një burim, u freskuan dhe i vunë kuajt të pinë me radhë. Llambro Xhavella ishte zhveshur deri në brez dhe gjoksi i tij i madh nuk dukej nga qimet e kuqe që kishin nisur t’i zbardheshin. Nga aty, deti nuk dukej. Petro ngriti kokën dhe pa malin që duhej të kalonin për të dalë prapë në det. Ishte i zi dhe i mbushur me shkurre të pluhurosura. Pasdite morën rrugën dhe shumë shpejt e kapërcyen malin. Kuajt ishin të ngopur dhe u ngjitën me galop. Ushtarët e Aliut vazhduan të ecnin pas tyre dhe Petros iu duk sikur i kishin rrethuar. Dielli në perëndim i digjte qafën dhe ai u zgjat mbi det, por iu morën mendtë. Ishin shumë lart. Poshtë tyre bregu ishte plot me shkëmbinj që laheshin, si kockat në çezmë. Pas pak, lartësia u zbut dhe deti dukej më afër. Faqja e malit zbriste si thikë dhe pothuajse nuk kishte breg. Dallgët e lodhura të pasdites lëpiheshin pas malit. Kuajt ndaluan dhe Petro pa oficerin që u afrua nga Llambro Xhavella. Kur i erdhi tre hapa larg, nxori pisqollën dhe ia drejtoi në gjoks. Me urdhër të Ali Pashait, dorëzohuni, tha oficeri dhe të gjithë ushtarët i drejtuan armët drejt tyre. Llambro Xhavella nuk lëvizi dhe të shtatëdhjetë burrat u mblodhën rreth tij duke ngritur armët. Ne jemi pesëqind kundër shtatëdhjetë, tha oficeri dhe iu afrua Llambro Xhavellës që rrinte mbi kalë duke parë detin në perëndim. Ti do vdesësh i pari, bërtiti Foto Xhavella dhe e drejtoi karabinën e tij mbi oficerin. Pas tët eti, foli oficeri dhe djersa i zbriti në faqe. Mos qëlloni, tha Llambro Xhavella dhe iu drejtua oficerit. Çfarë do Ali Tepelena nga unë? Pashai më ka urdhëruar t’ju kthej në Janinë të paarmatosur, u përgjigj oficeri dhe mori frymë thellë. Kjo është pabesi, tha Foto dhe u ngrit mbi kalë, por dora e Llambros e qetësoi. Llambro Xhavella dhe oficeri u afruan duke biseduar, por askush nuk i uli armët dhe ata të dy dukeshin sikur ishin takuar në mes të kallinjve të misrit. Petro ndjeu një të dredhur në trup. Sqetullat i ishin lagur nga djersa, kurse flokët i ishin fryrë nën qeleshe. Mori frymë thellë dhe i lëshoi pak frerët e kalit. Sytë i kishte të skuqur, por deti dukej shumë afër. Pa Foto Xhavellën drejt në sy pastaj kërceu nga kali dhe, pasi bëri një hap të gjatë, fluturoi në det. Foto Xhavellës iu duk si një zog që hidhet në det pa i lëvizur krahët. Ushtarët e Aliut u afruan dhe nisën të qëllojnë. Por Thanasi i thirri dhe ata e pushuan zjarrin. Petro ishte zhytur në ujë dhe nuk dukej. Thanasi hodhi pisqollat, vrapoi si i çmendur derisa gjeti një rrëpirë dhe zbriti deri afër detit e pastaj u zhyt në ujë. Ndërsa Foto u hodh në det njëlloj si Petro, dhe filloi të notonte si i marrë. Llambro Xhavella dhe oficeri u zgjatën duke parë poshtë, ndërsa ushtarët i mbanin armët të drejtuara mbi burrat nga Suli. Thanasi zhytej në ujë pastaj nxirrte kokën të merrte frymë dhe zhytej prapë derisa thirri: E gjeta. Mbi ujë doli koka e Petros që varej si një fole zogu e braktisur. Kur e nxorën nga uji, Petro nuk merrte frymë. Në mes të shpatullave kishte një vrimë plumbi që ia kishte çarë kraharorin. Thanasi qante mbi trupin e të vëllait, ndërsa Foto Xhavella ishte ulur mbi një gur dhe shikonte nga deti. Llambro Xhavella zbriti në rrëpirë dhe oficeri e ndoqi pas duke ia mbajtur pisqollën në drejtim të kokës. Burrat nga Suli shanin ushtarët e Ali Pashës, por këta nuk flisnin dhe nuk i ulën armët. Kali i Llambro Xhavellës ishte afruar në buzë të greminës dhe shikonte trupin e lagur të Petros. Llambro e puthi Petron në ballë dhe nuk ia hodhi sytë Thanasit, të ënjtur nga lotët. Foto thirri dy nga shokët e tij. Oficeri bëri shenjë dhe ushtarët i lejuan të lëviznin. Ata gjetën një copë tokë në mes të shkëmbinjve dhe hapën një gropë. Thanasi e ngriti të vëllanë, e futi brenda dhe e mbuloi duke i hedhur rërë të lagur me duar. Të nesërmen mbërritën në Janinë. Llambro Xhavella ecte mbi kalë me kokën ulur dhe i paarmatosur. Thanasi kishte mbërritur një natë përpara tyre. Jani dhe Aliu e kërkuan Thanasin në Kastro, por ai nuk ishte. U endën rrugëve të zbrazura të Janinës dhe në mesnatë e gjetën në tavernë. Kamerieri i ri që tundej si vajzë, tregoi me gisht një tavolinë në cep ku Thanasi ishte ulur me një gotë përpara. Flokët i kishin rënë mbi ballë dhe dukej sikur kishte ditë që nuk krihej. Kur pa dy vëllezërit, sytë iu thanë. Kaloi dorën mbi mustaqe dhe u mbështet në karrige. Jani dhe Aliu u ulën përballë tij dhe një copë herë nuk folën. Taverna ishte e qetë dhe Thanasi shikonte pikturën e djalit që kishte frikë të lahej në liqen. Babai kërkon trupin e Petros, i tha Jani duke u gëlltitur. Thanasi nuk lëvizi dhe vazhdoi të mbante kokën në drejtim të pikturës. Do ta vras Ali Pashën, tha Aliu dhe shtrëngoi duart mbi tavolinë. Thanasi ktheu kokën. Pse do ta vrasësh, e pyeti duke e parë në sy. Aliu më vrau vëllanë, u përgjigj Aliu. Vëllanë ta kam vrarë unë, tha Thanasi dhe ktheu kokën qetësisht nga piktura. Aliu u ngrit në këmbë me zhurmë dhe kamerieri nxori kokën nga kuzhina. Jani e kapi për dore dhe Aliu u ul prapë. Ku është Petro, pyeti Jani. Thanasi u kthye nga vëllezërit dhe duke parë gotën që kishte përpara filloi të fliste. I tregoi për takimin me Petron, për kazermën, për shëtitjen në qytet, për haremin, për Kastron, për natën në tavernë, për Tozonin, për nisjen nga Janina, për rrugën mes maleve, për oficerin, për ushtarët, për kalin e Llambro Xhavellës dhe për fluturimin e Petros në det. Zëri i tij ishte i butë, por i lartë dhe Janit iu duk sikur kamerieri i dëgjonte pas murit të kuzhinës. E dije që Ali Pasha do ta gënjente dajë Llambron? E dija, tha Thanasi, por nuk mund t’ia thosha Petros sepse ai do t’ia tregonte të gjitha Fotos dhe plani do prishej. Ti tradhtove vëllanë për Ali Tepelenën, bërtiti Aliu. Thanasi dukej i qetë. Kishte tri ditë që mendohej në vetmi dhe në kokën e tij kishte kaluar çdo detaj i vdekjes së Petros. Ai e dinte se Aliu po e gënjente Llambro Xhavellën, por nuk kishte menduar se i vëllai do hidhej në det për t’i shpëtuar rrethimit. Kishte qenë i bindur se, pasi të shtatëdhjetë burrat të burgoseshin në Janinë, ai do arrinte ta lironte Petron dhe do ta kthente në shtëpinë e tyre të re në fshat. Babai do kënaqej dhe Petro do flinte në dhomën e madhe me krevat nga deti. Por këto nuk mund t’ia thoshte dy vëllezërve që e shihnin si një tradhtar të çmendur. Ata ishin rritur dhe e kuptonin se vdekja nuk ishte një lojë kalamajsh që mund të kthehet pas, të zhbëhet dhe të përsëritet duke ndërruar vend mes humbësit dhe fituesit. Kur ishin të vegjël, ai dhe Petro luanin luftash. Ai vritej dhe Petro fitonte, pastaj mërziteshin, ndërronin rolet dhe Petro vritej, ndërsa ai fitonte. Por kjo lojë kishte mbaruar kur Petro kishte vendosur të luante me Ali Pashën. Petro kishte humbur, Aliu kishte fituar, ndërsa ai ishte në mes të të dyve. Qante për të parin dhe luante me të dytin. Iu kujtua koha kur Ali Tepelena kishte ardhur në fshat dhe e kishte marrë me vete. Aliu kishte sy të kaltër, duar të holla dhe një lëkurë vajze nën të cilën dukeshin damarët e mbushur me gjak të kuq. Njëherë, kur ishin shtrirë të dy nën një mollë me lule të bardha, ai e kishte pyetur Aliun se kush nga ata të dy do vdiste i pari. Unë, i kishte thënë Aliu. E kam parë në ëndërr. Do më presin kokën dhe ti do më marrësh për dore e do më shëtisësh nëpër Janinë. Do të të laj në liqen dhe pastaj do të të fshij me peshqir, i kishte thënë ai duke parë lulet e mollës. Aliu ishte ngrysur dhe i kishte dhënë një shpullë në kurriz. Kjo që të thashë është një ëndërr që nuk ka për të ndodhur. Gjethet e mollës i kishin rënë mbi kokë dhe Aliu i kishte larguar me bezdi. A të duket se ai djali i ngjan Petros, pyeti Thanasi duke treguar pikturën pa ngjyra në mur. Jani nuk e ktheu kokën dhe duke e ngritur zërin i tha: Babai pret Petron. Shkojmë ta marrim, foli Thanasi dhe u ngrit. Lindja e diellit i kapi afër detit. Kishin udhëtuar gjithë natën pa folur. Thanasi ecte përpara mbi kalë dhe vëllezërit e ndiqnin në errësirë. Gjirokastra ishte futur në re dhe dritat nuk dukeshin. Kur u afruan te vendi nga ish hedhur Petro, i zbritën kuajve. Thanasi eci në buzë të rrëpirës dhe disa gurë ranë në det duke bërë rrathë të vegjël. Zbritën poshtë dhe filluan të gërmonin në heshtje. Aliu qante, por dallgët ishin të zhurmshme dhe ai nuk dëgjohej. Petro doli nga toka si një kërmill pa guaskë. Ishte bërë gri dhe sytë i ishin mbushur me rërë. Jani ia pastroi me ujë deti dhe e puthi në faqe. Gjaku i ishte mpiksur mbi këmishë dhe plaga ngjante si një mëllagë e tharë. Aliu hoqi këmishën e tij të bardhë dhe ia veshi Petros. Ta çojmë të pastër në fshat, i tha Janit. Mori këmishën e gjakosur, e futi në det dhe e shtrydhi disa herë. Duart iu skuqën dhe ai i shpëlau në det. Pastaj e tundi disa herë këmishën në ajër dhe e veshi. Trupi iu mbush me avull dhe ai ndjeu se këmisha e tërhiqte drejt detit, por këmbët i kishte të mpira dhe duart të rrudhosura nga uji. Këmisha e Petros i rrinte e madhe dhe duart nuk i dukeshin nën mëngët e gjata. Rrinte në breg dhe shikonte rrathët mbi ujë. Ato kriheshin me radhë, por kur prekeshin me njëra-tjetrën prisheshin të dyja, njëlloj si jetët e njerëzve kur takohen. Sa kohë janë të ndara, ecin secila në punë të vet. Do ta vras Ali Pashën, tha me vete Aliu dhe pa Thanasin dhe Janin që e kishin mbështjellë Petron me një çarçaf të madh dhe po e ngjisnin lart, aty ku prisnin kuajt. Thanasi i përcolli deri afër fshatit. Gjithë rrugën nuk kishin folur. Trupi i Petros lëkundej mbi kalë dhe zgjatej nga toka. Aliu e kishte ndihmuar Janin disa herë që ta drejtonin dhe të mos i binte. Kali i Janit ecte me kujdes duke respektuar ekuilibrin e trupit të Petros. Dielli ishte i kuq dhe djersët i pikonin Janit mbi çarçaf. Kur kambanorja e fshatit u shfaq nga larg, Thanasi ndaloi dhe zbriti nga kali. Dukej si një fëmijë që ka ikur nga shtëpia. Unë e kam varrosur një herë. Tani varroseni ju, i tha Janit që e shikonte me qetësi. E hapi pak çarçafin, puthi të vëllanë dhe u zhduk pa e kthyer kokën. Ata vazhduan ngadalë dhe kur hynë në fshat ishte errur. Ibrahimi ishte ulur në oborr dhe po i priste. Thinjat ndriçonin në errësirë. E shtrinë trupin e Petros në dhomën e madhe të djemve dhe ia hoqën çarçafin. Ibrahimi nuk fliste dhe sytë i mbante të mbyllur. Sara zjeu ujë me borzilok dhe Muhamedi me Aliun e zhveshën dhe e lanë të gjithin. I vunë gjethe sipër plagës dhe i veshën një këmishë të re të Ibrahimit. Petro dukej sikur flinte kur dielli i ra në sy në mëngjes. Para se ta fusnin në arkivol erdhi Hana dhe pastaj edhe Ana Komnena që rrinte pas kurrizit të Ibrahimit të përkulur. Petro qenka më i bukur se Muhamedi, tha Ana dhe i shtrëngoi dorën të atit. E varrosën në drekë. Jani, Paridi, Muhamedi dhe Aliu mbanin arkivolin, ndërsa Ibrahimi ecte me Anën përdore. Kur kishte gropa, Ana ndalonte dhe Ibrahimi i kalonte me mundim. Pas tyre vinin Sara, Hana dhe Mihal Komneni. Petron e varrosën pranë të ëmës në varrezat e të krishterëve. Kur u kthyen në shtëpi, Mihal Komneni kërkoi kafe, ndërsa Ibrahimi i tha Sarës t’i ziente një çaj mali. Po Thanasi pse nuk erdhi, pyeti Hana duke i zgjatur kafen Mihalit. Jani dhe Aliu ngritën supet. Thanasi do vijë kur të vdes unë, tha Ibrahimi dhe çaji iu derdh mbi këmishë.