Pages

Kapitulli 26 - Romani ''Te Jetosh Ne Ishull'' Ben Blush

Kur Ana mbushi dhjetë vjeç, Metod Antrakidi vdiq. Muajt e fundit ishte dobësuar shumë, veshët i ishin zgjatur dhe rrudhat i kishin hipur mbi syzet e vjetra. Pothuajse nuk hante, por lëvizte buzët i shtrirë në errësirë dhe kur Mihal Komneni i afrohej ai i thoshte me një zë të fikur që mezi dilte nga labirinti i
ezofagut të tij: Dedalus, a i mbarove krahët? Mihal Komneni vinte buzën në gaz, por Metod Antrakidi nuk e shihte. Do vdesë shpejt, i thoshte Mihali Sarës. Sara gatuante gjalpë mëllage që ia sillte çdo mëngjes dhe përpiqej t’ia hidhte në gojë. Metodi nxirrte gjuhën dhe lëpinte gjalpin ngadalë, si një krokodil i dobësuar që ushqehet me jonxhë. Sara i fshinte buzët, ndërsa Ana mbyllte hundët me dorë nga era e fortë e mëllagës. Pse do vdesë, e pyeste vajza, babai më ka thënë se kush ha mëllagë jeton gjatë? Mihal Komneni shihte me qetësi nga Metodi dhe thoshte: Metodi do vdesë sepse vetëm pyet, por nuk e dëgjon përgjigjen. Po ai është mësues, thoshte Ana duke lëvizur flokët e zinj, dhe mësuesit i bëjnë pyetje nxënësve, ndërsa përgjigjet i dinë vetë. Kur mësuesi nuk e dëgjon përgjigjen, mësimi ka mbaruar dhe mësuesi ikën, thoshte Mihali. Po ty çfarë pyetje të ka bërë, vazhdon Ana me dorën mbi hundë. Mihali shikonte Sarën të përkulur mbi Metodin dhe e nxirrte vajzën në oborr. Uleshin mbi plloça dhe dielli ia shkëlqente flokët të dyve. Mua më pyet a i kam bërë krahët e Ikarit, i thoshte Anës që nuhaste fort nëse era e mëllagës i kishte ndjekur deri jashtë. Po Ikari zog është, pyeste Ana. Jo, thoshte Mihali, Ikari është një djalë që fluturon. Metodi e di që ai fluturon? E di, thoshte Mihali. Prandaj nuk e dëgjon përgjigjen sepse e di, thoshte Ana. Jo, thoshte Mihal Komneni. Metodi do të dije nëse krahët janë bërë gati për fluturim. Po ti çfarë i the, pyeste Ana Komnena. Unë i thashë që krahët akoma nuk janë gati, thoshte Mihali. Po ti pse nuk i ke bërë gati, e pyeste Ana. Mihal Komneni ngrinte dorën e madhe dhe e vinte mbi kokën e Anës si një çadër në diell. Pse nuk i ke bërë krahët gati, e pyeste prapë Ana duke ia larguar dorën. Po pres të rritet Ikari, përgjigjej Mihali dhe zgjaste kokën brenda shtëpisë, por hija e Sarës nuk dukej në errësirën e mbushur me erë mëllage. Çfarë është Ikari, e pyeste Ana. Ikari ishte djali i Dedalit, tha Mihali. Kur ishte i ri, Dedali ishte shumë i zgjuar dhe jetonte në Athinë. Që i vogël, ai mësoi të ndërtonte shtëpi të mëdha dhe të bukura, të cilat i vizatonte në letër dhe pastaj punëtorët i ndërtonin. Dedali dëgjonte zogjtë që këndonin dhe bënte vegla muzikore që këndonin si zogj. Ndiqte kuajt që vraponin dhe bënte këpucë për djemtë e rinj të Athinës që ata të rendnin më shpejt. Shikonte peshqit që notonin dhe bënte varka të shpejta që çanin ujin dhe i çonin njerëzit në brigje të reja. Dedali ndërtoi ura të mëdha mbi lumë, çezma që e merrnin ujin nga thellësia e tokës dhe e nxirrnin lart, oxhakë prej balte ku piqej buka dhe ngrohej qumështi dhe duar të gjata dhe të forta prej druri dhe hekuri që i ngrinin gurët e mëdhenj dhe i sillnin nga mali në qytet. Njëherë, Dedali hipi në anije dhe shkoi në Kretë, në ishullin më të bukur, ku mbretëronte Minosi. Pak kohë më vonë, mbretit Minos i sollën peshqesh një dem shumë të bukur, të bardhë. Njerëzit nuk kishin parë kurrë një dem të bardhë aq të bukur dhe u mblodhën në sheshin e Kretës për ta parë. Demi rrinte drejt dhe i zgjaste brirët e tij të kuq andej nga i thoshin njerëzit, sepse ai ishte një dem i zgjuar dhe i dashur. Gruaja e mbretit Minos, Pasifaja u marros pas demit, të cilin e donte shumë. Ajo e lante, e ushqente dhe e fshinte me peshqir. Por Minosi nuk donte që gruaja e tij të rrinte me demin dhe atëherë gruaja i tha Dedalit që ta ndihmonte. Dedali ndërtoi një lopë shumë të madhe prej druri, të cilën e mbuloi me lëkurë dhe aty u fsheh mbretëresha me demin. Pas disa kohësh, mbretëresha e bukur lindi një fëmijë që ishte gjysmënjeri dhe gjysmëdem dhe njerëzit u habitën dhe u frikësuan. Ky fëmijë u quajt Minotauri dhe kokën e kishte prej demi, ndërsa trupin prej njeriu. Ai ecte si njeri, por sillej si kafshë dhe ushqehej me mish. Minosi e mori vesh lindjen e Minotaurit dhe i kërkoi ndihmë Dedalit për ta fshehur. Ky ndërtoi një labirinth shumë të madh nën pallatin e mbretit dhe aty futën Minotaurin. Labirinthi kishte me qindra korridore, të cilat bashkoheshin pastaj ndaheshin, pastaj bashkoheshin prapë dhe dalja e tij nuk mund të gjendej dot më. Minotauri nuk mund të dilte dhe jetonte atje. Për ta ushqyer i fusnin njerëz, të cilët ngatërroheshin dhe Minotauri i gjente dhe i hante. Por njerëzit në Kretë nuk donin që Minotauri të hante fëmijët e tyre dhe ata e morën inat mbretin, i cili u kërkoi athinasve që çdo vit t’i sillnin shtatë djem dhe shtatë vajza, të cilat do t’i hante Minotauri. Athinasit u frikësuan dhe vendosën t’ia dërgojnë Minosit shtatë vajzat dhe shtatë djemtë. Por djali i mbretit të Athinës, Tezeu, i cili ishte rritur duke ngritur shkëmbinj, tha se do shkonte në Kretë të vriste demin dhe të shpëtonte qytetin e tij nga ky dënim i tmerrshëm që i kishte caktuar mbreti Minos. Tezeu shkoi në Kretë dhe Dedali i dha një lëmsh leshi, si ato që mbajnë gratë e fshatit kur thurin triko. Ky hyri në labirinth e vrau Minotaurin dhe pastaj doli duke ndjekur lëmshin që e kishte lëshuar kur kishte hyrë brenda. I tërbuar nga vrasja e Minotaurit dhe ikja e vajzës, mbreti kërkoi ta vrasë Dedalin që kishte treguar sekretin e labirinthit. Dedali mori djalin e tij, Ikarin, dhe vendosi të largohej nga Kreta. Mirëpo Minosi kishte urdhëruar të gjitha varkat dhe anijet që të mos niseshin nga ishulli derisa ai të kapte Dedalin. Dedali rrinte në majë të një mali, sepse Kreta ka shumë male dhe shihte dallëndyshet që fluturonin mbi det dhe zhdukeshin në qiell. Disa dallëndyshe më të mëdha i ndihmonin të vegjlit e tyre që kishin krahë më të shkurtër duke i mbajtur në ajër me sqep kur ato binin. Duke parë dallëndyshet e lumtura që iknin nga ishulli, Dedali mendoi se e vetmja rrugë për të shpëtuar djalin e tij ishte të bënte si dallëndyshet. Ai mblodhi puplat që dallëndyshet lëshonin në tokë, i bashkoi dhe i ngjiti me dyllë. Bëri një palë krahë për vete dhe një palë për Ikarin dhe u nisën. Fluturuan të dy të lumtur mbi det. Era i shtynte krahët e tyre dhe Ikari i vogël qeshte dhe gëzohej duke parë ishujt në det dhe peshkatarët që kapnin peshq. Dedali i tha djalit që të mos fluturonte shumë ulët që stërkalat dhe dallgët e detit të mos ia lagnin krahët dhe jo shumë lart që nxehtësia e diellit të mos e shkrinte dyllin me të cilin ishin ngjitur puplat. Mirëpo, i hutuar nga lartësia Ikari nuk e dëgjoi. Ai fluturoi lart dhe iu afrua diellit. Dylli u shkri nga nxehtësia dhe Ikari ra në det duke thirrur të atin. Baba, baba më shpëto, thërriste Ikari i ngratë duke çarë ajrin si një dallëndyshe e plagosur. Dedali e shikonte të birin e tij të dashur duke rënë, por ai nuk mund të bënte asgjë. Qante duke fluturuar dhe lotët e tij u mbytën në det bashkë me të birin. Mihal Komneni pa Anën, e cila ishte e ftohtë si dyllë, por nuk qante. Po pse nuk e dëgjoi Ikari babanë, pyeti Ana. Jo gjithmonë fëmijët i dëgjojnë prindërit, tha Mihal Komneni. Kjo është një përrallë, pyeti Ana dhe Mihali pohoi me kokë. Muhamedi më ka thënë se në përralla nuk vdes njeri, pse vdiq atëherë djali i Dedalit? Mihal Komneni qeshi dhe sytë i lotuan në diellin që ngrihej nga plloçat e oborrit. Përrallat e grekëve të lashtë nuk janë si gjithë përrallat e tjera. Këto janë përralla me perëndi dhe me njerëz. Perënditë sillen si njerëz dhe njerëzit sillen si perëndi. Njerëzit gjithmonë duan të bëjnë si perënditë dhe të provojnë gjëra, të cilat atyre nuk iu lejohen dhe për të cilat ata nuk janë krijuar. Perënditë greke iu japin gjithnjë dënime njerëzve. Dedali humbi djalin sepse donte të fluturonte, Paridi humbi Helenën sepse ia rrëmbeu atë një burri tjetër, Akili humbi pavdekësinë kur besoi se ishte perëndi. Ky është ndëshkimi i perëndive për njerëzit: të marrin atë që do më shumë. Po ty, si të kanë ndëshkuar perënditë, pyeti Ana. Mua nuk më lënë të shoh djalin tim, tha Mihali dhe fytyra iu ftoh. Po pse ku është djali yt, pyeti Ana. Në Kretë, tha Mihali, në ishullin e dallëndysheve. Ana filloi të qeshte, u shtri mbi plloça, mbylli sytë, hapi gojën e vogël dhe me një zë të shuar si Metod Antrakidi tha: Dedalus, a i mbarove krahët? Mihal Komnenit i erdhi një shije mëllage nga stomaku dhe i mbeti në gojë. Akoma jo, tha. Ana nuk lëvizi dhe vazhdoi me zërin e Metodit: Po pse nuk i mbaron? Nuk po gjej pupla dallëndyshesh, tha Mihali. Ana lëvizi pak krahët, por sytë nuk i hapi. Era e mëllagës vërtitej në ajër, por ajo nuk e pa. Kur t’i gjesh puplat mos i ngjit me dyllë se e shkrin dielli dhe djali rrëzohet në det. Mihal Komneni u ngrit dhe iu afrua vajzës që rrinte e shtrirë mbi plloçat që digjnin. Unë jam i vjetër, tha Mihali. Edhe po t’i gjej puplat dhe t’i ngjis fort pas trupit, nuk fluturoj dot. Si thua sikur të dërgoj në Kretë një dallëndyshe tjetër? Ana Komnena i lëvizi prapë krahët dhe u gëlltit për të qëruar zërin. Si quhet dallëndyshja që do të çosh në Kretë, e pyeti. Mihali ktheu kokën nga dera e shtëpisë, por aty nuk kishte asnjeri. U afrua nga vajza dhe tha: Quhet Sara, është mamaja e Anës që numëron me gishta. Ana u ngrit me vrull dhe me zërin e saj tha: Pse gënjen, unë nuk numëroj me gishta. Kështu më ka thënë Paridi, tha Mihali. Paridi u përjashtua nga shkolla për mungesa, tha Ana dhe rregulloi fustanin e zhubrosur nga plloçat. Sara kishte dalë te porta dhe po i shikonte të dy. Mama, tha Ana Komnena, Mihali më tha se do të të çojë në Kretë që të marrësh djalin e tij. Sara pa nga Mihali që u ngrit dhe u ul në vendin e tij pranë derës. Po ti si thua të shkoj? Ana pa nga Mihal Komneni që rrinte i menduar. Kreta është në Greqi, apo jo, pyeti Sarën. Po, tha Sara, në Greqi është. Në Greqi ka perëndi të këqija, të cilat u marrin njerëzve atë që duan më shumë. Po fluturove si Dedali, kam frikë se ato do të më dënojnë mua duke të marrë ty. Kush të tha ty që unë do fluturoj si Dedali, e pyeti Sara. Ana bëri me kokë nga Mihali. Dedali humbi djalin sepse iku nga Kreta, kurse unë do shkoj në Kretë, tha Sara. Do kthehesh prapë, e pyeti Ana Komnena. Do kthehem, tha Sara duke parë Mihalin, që i lëvizi lëkura nën këmishë. Pas një muaji, Metod Antrakidi nuk e lëpiu më gjalpin e mëllagës. Gjuha iu var në gojë dhe syzet i ranë mbi jastëk. Sytë i kishte të mbyllur, megjithatë Mihali ia mbylli, duke ia kaluar dorën mbi ballë sikur po i largonte jetën nga trupi. E varrosën në fshat. Djemtë mbanin arkivolin, ndërsa Ibrahimi dhe Mihali ecnin pas tyre. Kur i hodhën dhe, arkivoli prej druri kërciti dhe një erë mëllage u ngrit lart. Në Voskopojë të vdekurit mbajnë era myshk, tha Mihal Komneni. Në Voskopojë do ta kishin lënë pa varrosur, tha Muhamedi. Kur u kthyen në shtëpi gjetën Ana Komnenën që luante me një lëmsh të madh leshi që e kishte shpërndarë në të gjitha dhomat dhe në oborrin e madh të shtruar me plloça të reja, ku Sara kishte mbjellë domate, patate, kastravecë, qepë dhe mëllaga. Filli i leshit ishte ngatërruar disa herë rreth arrës së rritur dhe që andej kishte hyrë në shtëpi. Ana ishte shtrirë në krevat dhe shikonte në tavan. Sara filloi të mblidhte lëmshin nga dhoma në dhomë dhe kur doli në oborr ndjeu se u lodh. U ul në stolin prej dru panje që e kishte bërë Jani dhe që pastaj e kishte lyer në ngjyrë të kuqe. Hija e shtëpisë e mbulonte oborrin. Dy shtëpitë ishin bashkuar nën një çati, si dy natyra brenda trupit të një njeriu. Ato ishin fshehur qetësisht dhe pa kundërshtuar, por të gatshme për të rrëfyer të shkuarën e tyre në çdo gozhdë dhe në çdo gur. Shtëpia është bërë si ty, i kishte thënë Sara Ibrahimit kur Naumi i kishte dorëzuar çelësin në dorë: ti ke dy fe, dy emra dhe dy gra në një trup. Në mes të shtëpisë ishte një dhomë e madhe me oxhak dhe e shtruar me qilima të ndryshëm. Në çati nuk dukeshin më trarët dhe as emrat e djemve që Jani kishte gdhendur në trarin e madh. Mbi portën e rëndë të mbuluar me strehë Andrea kishte shkruar në gur vitin e ndërtimit të shtëpisë: Tetor, 1783. Në tetë vjet Sara e kishte ndryshuar disa herë oborrin si një amvisë që e ndryshon shijen duke gatuar. Ibrahimi kishte bërë një furrë të re me kashtë dhe baltë, në të cilën ajo piqte lakror dhe kuleç me ullinj. Muhamedi me Aliun flinin në një dhomë në pjesën e vjetër të shtëpisë. Mbi krevat Aliu kishte varur një bisht lepuri, si trofe fëmijërie, ndërsa toka e rrumbullakët kishte humbur gjatë gërmimit të themeleve. Bota e vjetër u varros, thoshte Muhamedi. Jani me Paridin kishin rregulluar një dhomë në të cilën varej një pasqyrë e madhe me dru të gdhendur ku Paridi kalonte disa orë të ditës. Fëmijëria kishte mbetur në shtëpinë e vjetër. Nga dhomat e djemve tani vinte erë burrash dhe këpucët ishin lënë jashtë derës së shtëpisë. Gjurmët e tyre, me baltë varrezash, dukej sikur po hynin në shtëpi dhe Sara u ngrit t’i pastronte e frikësuar. Kur hyri, pa të bijën që mbante hundët me dorë dhe faqet i ishin rrudhur nga shtrëngimi. Këtu mban era mëllagë, tha Ana.