Kur Ana mbushi një vjeç e çuan në pyll. Korriku ishte i nxehtë, por pylli ishte i freskët. Sara bëri
bukë të bardhë dhe kulaç me reçel, mbushi çantat me mish të pjekur me pllaqi, vuri djathë,
domate të reja, kastravecë, mollë dhe limona dhe u nisën.
Ibrahimi mbante Anën në krahë,
ndërsa Jani dhe djemtë e tjerë ushqimet. Sara ecte pas tyre me rrobat e Anës. Rrugës, Muhamedi,
që tërhiqte një trastë me domate, iu afrua, i dha dorën dhe i tha: Kam bërë një vjershë, por mos i
thuaj babait. Nuk i them, i tha Sara, po mua do ma thuash? Po, tha Muhamedi dhe ia tha: Dua
hurma dhe në pyll shkoj, Ana rritet, unë fluturoj.
Sara e pa duke qeshur dhe Muhamedi u skuq. Faqja e tij ishte e zbehtë dhe sytë i dukeshin edhe
më të kaltër. Pse do të fluturosh e pyeti Sara. Dua të shoh botën, u përgjigj Muhamedi. Toka
është e rrumbullakët si një hurmë dhe nuk e shikon dot të gjithën vetëm duke ecur. Po të ecësh
nuk rrëzohesh, ia ktheu Sara duke i shtrënguar dorën. Kush fluturon bie prandaj njerëzit kanë
vendosur të ecin.
Si arritën në pyll, zgjodhën një kumbull të egër të mbushur me lule të bardha, që sa kishin çelur,
dhe u ulën rrëzë saj. Sara shtroi një çarçaf dhe vuri aty Anën. Djemtë vrapuan duke u fshehur pas
drurëve, ndërsa Ibrahimi filloi të hapte ushqimet. Anën e zuri gjumi dhe lulet e kumbullës ia
veshën flokët si një kurorë. Kur u zgjua, Jani i solli një breshkë me kurriz të verdhë, e cila i rrinte
Anës përballë, si e trullosur. Vajza nuk fliste, por përplaste dorën mbi kurrizin e breshkës dhe
përpiqej ta ngrinte lart. Kur breshka e kuptoi se fëmija nuk mund t’i bënte keq, filloi të lëvizë
nëpër bar dhe Ana e ndiqte duke ecur me duar. Djemtë u lëshuan nëpër pyll dhe erdhën secili me
nga një breshkë të vetën. Do bëjmë një garë me breshka, i tha Jani tre djemve më të vegjël.
Numëroi dhjetë hapa dhe duke futur një shkop në tokë shënoi një vizë mbi dheun e shkrifët.
Breshka e kujt vjen këtu e para ai fiton, tha Jani. Tre djemtë kërkuan pak kohë për t’u përgatitur,
këputën bar dhe filluan t’i ushqejnë breshkat që nga frika nuk e nxirrnin fare kokën jashtë
guaskës. Aliu u ankua se breshka e Nikos ishte më e madhe se e tij dhe kështu ai do të fitonte,
por Ibrahimi e qetësoi kur i tha se breshka e vogël do ecte më shpejt sepse ishte më e lehtë. Por
Aliu nuk u bind dhe filloi të qante. Kush vrapon më shpejt një derr apo një viç, e pyeti Ibrahimi.
Viçi, u përgjigj Aliu duke fshirë lotët. Po pra, i tha i ati, sepse viçi është më i lehtë se derri.
Ndërkohë, Nikoja e mori breshkën e tij të madhe, u fsheh pas një peme dhe filloi t’i fliste në
vesh. Nuk lejohet t’i flasësh breshkës, i bërtiti Aliu dhe u mërzit prapë. Lejohet, i tha Jani, por
varet se çfarë i thua. E çfarë t’i them, pyeti Aliu duke u afruar që të tjerët mos dëgjonin. Thuaji
që nëse fiton do ta marrësh në shtëpi. Aliu u fut pas një peme dhe nisi t’i fliste breshkës.
Pasi i ngopën breshkat me fjalë djemtë ishin gati për të filluar, por Muhamedi tha se pavarësisht
se breshka e Nikos dukej më e madhe, ato të gjitha ishin njëlloj dhe mund të ngatërroheshin
rrugës. Mund të fitojë breshka ime dhe do duket sikur ishte breshka e Aliut, tha djali. E rregulloj
unë, tha Sara dhe u ngrit duke e lënë Anën të ndiqte breshkën e vet. Mori nga trasta një domate, e
ndau në mes dhe e fërkoi fort pas kurrizit të breshkës së Nikos. Kurrizi u skuq dhe breshka ngriti
kokën si e plagosur. Pastaj Sara mblodhi disa luledele të verdha i fërkoi në duart e veta dhe ato
lëshuan një pluhur të verdhë, që ajo e shpërndau gjithandej mbi kurrizin e breshkës së Aliut.
Breshka teshtiu sikur t’i kishte hyrë pluhur në hundë dhe Aliu tha: Fillojmë se po më ftohet
breshka. Breshkat nuk sëmuren, tha Sara që këputi një degë të njomë kumbulle mbi të cilën
kishte çelur një lule e bardhë dhe ia futi breshkës së Muhamedit poshtë guaskës. Lulja i rrinte
breshkës si një dantellë dhe Muhamedi tha se nuk donte që breshka e tij të ishte femër. Femër
është breshka e Anës, i tha Jani që priste me shkop në vijën e garës. Breshka jote është një burrë
që ka veshur një këmishë me lulka si ajo e dajë Llambros. Muhamedi nuk foli dhe djemtë i vunë
breshkat në një rresht. Nikoja i pari, Aliu i treti dhe në mes lulja e Muhamedit.
Gati, thirri Jani dhe numëroi deri në tre. Nisu. Por asnjëra nga breshkat nuk lëvizi. Djemtë filluan
t’i ndërsejnë tre kafshët e tyre, u fishkëllenin, i gjuanin mbi kurriz me thupra, u vinin bar përpara
gojës, por ato prapë nuk bënin përpara. Vazhduan kështu për një kohë derisa Aliu i futi gishtin
poshtë guaskës breshkës së tij të verdhë, e cila u drodh dhe filloi të ecte. Ashtu bënë edhe Niko
me Muhamedin dhe të tre breshkat filluan të zvarriten, por vija e garës dukej shumë larg.
Ibrahimi me Sarën ishin bashkuar me djemtë dhe ngushëllonin me radhë secilin që vraponte i
djersitur, rreth breshkës së vet. Në mes të rrugës breshka e Aliut ishte një kumbull përpara dy
breshkave të tjera. Aliu filloi t’i thoshte fjalë të ëmbla breshkës së tij që e ruante distancën,
ndërsa Nikoja i fuste vazhdimisht gishtin nga prapa breshkës së tij të kuqe. Muhamedi ia hoqi
fare lulen e bardhë breshkës nga qafa dhe i tha Sarës se ndoshta ajo e pengonte që të gjente
rrugën. Djemtë i rrinin breshkave nga prapa dhe pas tyre edhe Ibrahimi me Sarën dhe askush nuk
e pa Anën që, duke ecur këmbadoras, kaloi përpara breshkave dhe kur arriti te vija e garës u
kthye me fytyrë nga ata dhe filloi të qeshte duke përplasur duart. Breshkat u frikësuan nga vajza
që u doli përpara, futën kokat nën guaskë dhe asnjëra nuk lëvizi më. Mbaroi, tha Jani, garën e
fitoi Ana.
Hëngrën bukë dhe pasdite u kthyen në shtëpi. Ibrahimi eci përpara me Anën në krahë, ndërsa
Sara vinte e fundit me Muhamedin që e pyeste pse toka ishte e rrumbullakët dhe jo katrore. Aliu
e mori me vete breshkën e tij dhe tha se kur gara u mbyll, ajo ishte e para. Niko zihej me Janin që
e kishte mbyllur garën kur breshka e Aliut ishte pak përpara së tijës dhe nuk pranoi të mbante
asnjë nga trastat me ushqimet që tepruan. Para se të shtrihej, Aliu e futi breshkën poshtë krevatit
të tij dhe i hodhi bar. Fli, i tha, se do ketë gara të tjera. Ndërsa Ana Komnena sillej me duar e me
këmbë mbi shtratin e madh të prindërve dhe nuk fjeti deri vonë, duke e lënë dhe Ibrahimin pa
gjumë. Po iki të fle nga djemtë, i tha Ibrahimi Sarës dhe u shtri në krevatin që kishte lënë bosh
Petro. Shko, i tha Sara, po kujdes mos zgjosh breshkën.