Djemtë e Ibrahimit nuk u mësuan dot shpejt me Sarën, e cila, kur erdhi, e ndryshoi gjithë
shtëpinë. Ajo e leu dhomën e oxhakut me ngjyrë rozë dhe i kërkoi Ibrahimit që nga ana tjetër e
shtëpisë, aty ku, deri përpara disa vitesh kishin qëndruar bagëtitë,
të ndërtonin një dhomë të
madhe për djemtë, në të cilën u vunë pesë krevate prej druri me jastëkë të mëdhenj dhe çarçafë të
rinj që ajo i qëndisi me ngjyra të ndryshme kur ishte shtatzënë. Dhomën e saj, Sara e veshi me
perde të thurura me grep dhe e shtroi me qilima të punuar me dorë, ndërsa nëpër mure vendosi
rafte të vogla që i mbushi me libra. Nga shtëpia e Arianit Komnenit solli një krevat të madh prej
hekuri me këmbë të vardha, në të cilin kishte fjetur Arianiti me Hënën. Po ashtu, ajo solli
sëndukë, qëndisma të vjetra, kortinka të bardha leshi, një orë të vjetër muri, jorganë, velenxa,
filxhanë, ibrikë prej bakri dhe shumë enë, të cilat Arianiti i kishte blerë gjatë udhëtimeve të tij.
Në fillim, djemtë u argëtuan me gjërat e rralla që vinin nga shtëpia e Arianit Komnenit, por, kur
ajo e hodhi krevatin e nënës së tyre në oborr, ata u ftohën dhe iu duk se Sara nuk pranoi të flinte
në krevatin ku ata kishin lindur.
Sara ndryshoi dhe regjimin e djemve. Ajo i detyronte të lanin këmbët përpara se të flinin dhe nuk
i linte të hynin në shtëpi pa pastruar këpucët nga balta e fshatit, apo e arave ku vraponin. Djemtë,
të mësuar të bridhnin gjithë ditën nëpër fshat, tani nuk mund të rrinin jashtë kur errej dhe kjo
ishte më e rëndë, sidomos për Petron që ishte gati njëzet vjeç kur Ibrahimi u martua. Petro iu
afrua një ditë Ibrahimit dhe i tha se nuk i pëlqente që Sara e detyronte të vinte në shtëpi kur donte
ajo dhe po ashtu nuk i pëlqente shtëpia e zbukuruar me perde dhe porcelane për shkak të të cilave
nuk vrapoje dot si më parë. Një ditë, Sara kishte dënuar të mbyllej gjithë ditën në dhomë
Muhamedi, që, duke lozur, kishte thyer një nga filxhanët e Stambollit. Por Ibrahimi nuk mërzitej
dhe mendonte se disiplina e Sarës do t’u bënte mirë djemve të tij. Kur Petro u ankua, ai e pa duke
qeshur dhe i tha se kur të rritej do ta kuptonte se çdo grua jeton për të rregulluar shtëpinë dhe
sidomos krevatin që është themeli i familjes së saj. Kur të martohesh do ta kuptosh, tha Ibrahimi.
Këto janë huqe qyteti, ia ktheu Petro i mërzitur që i ati nuk e mbështeti. Ne jetojmë në fshat dhe
jo në Janinë.
Sara ndryshoi dhe mënyrën e gatimit. Në familjen e Ibrahimit ushqimi shërbehej në një magje të
rrumbullakët e të nxirë vende-vende nga enët e djegura, e cila shtrohej përtokë dhe djemtë
bashkë me babanë hanin aty me radhë. Ajo i tha Ibrahimit të gjente një tavolinë druri për dhjetë
veta. Por dhoma ishte e vogël dhe kur e kuptoi se nuk do ta nxinte një tavolinë aq të madhe Sara
porositi një më të vogël për gjashtë veta. Ibrahimi nuk kishte parë ndonjëherë tavolinë dhe Sara e
çoi në shtëpinë e Arianitit ku i tregoi një të tillë të zezë, me këmbë të gdhendura, mbi të cilin
rrinte një vazo jeshile me lule të thara. Kështu e dua, i tha Sara, duke marë lulet e thara që i hodhi
jashtë, pasi e lau vazon dhe e mbushi me ujë të pastër për ta kthyer prapë aty ku e gjeti. Ibrahimi
u ul në një karrige dhe ndenji një copë herë me duart nën tavolinë, duke mos ditur ku duhet t’i
vinte. Por Sara hapi një sënduk dhe mori një pjatë me lules si dhe një lugë të bardhë alumini që
ia vuri përpara dhe duke qeshur i tha: Ha tani. Ibrahimi mori lugën e afroi te pjata, por dorën
tjetër e mbante gjithnjë poshtë tavolinës. Se si më duket, i tha i hutuar. Sikur jam në kishë. Aty
nuk hahet, buzëqeshi Sara. Era e temjanit ta pret oreksin.
Të nesërmen, Ibrahimi mori një sëpatë dhe bashkë me Petron dhe Janin shkuan në pyll për të
bërë dru për tavolinën e re. Zgjodhi një panjë të kuqe, jo shumë të madhe dhe e preu në mes.
Panja ishte e bardhë nga brenda dhe përshkohej nga fillimi në fund nga vija të kuqe që dukeshin
si enë gjaku. Në qendër të trupit kishte një sy të rrumbullakët, por sy më të vegjël kishte
gjithandej. Sikur ndava një njeri në mes, mendoi Ibrahimi kur e preu pemën vertikalisht, ndërsa
djemtë e ngarkuan dhe e sollën në shtëpi. Në fillim, ai bëri katër këmbët e tavolinës që, pasi i
sharroi në mënyrë të barabartë, djemtë i fërkuan me gur duke i rrumbullakosur. Fërkojini derisa
të lëmohen si këmbë njeriu, i thoshte i ati. Ndërsa ashklat e panjës fluturonin si re pluhuri mbi
kokat e tyre. Por disa prej ashklave ishin të gjata dhe të ashpra dhe ia gjakosën djemve duart e
pastërvitura. Petro, që e bënte këtë punë pa qejf, i tha një ditë të vëllait se tavolina ishte shumë e
vogël dhe nuk do ta nxinte të gjithë familjen. Ndoshta, dikush nga ne nuk do jetë kur ajo të
mbarojë, tha Jani.
Ibrahimi, në krahun tjetër të oborrit, punonte për të bërë syprinën. Ai e preu panjën në gjashtë
pjesë të njëjta, nga një pëllëmbë të gjerë secilën, dhe i vuri në tokë ngjitur e ngjitur, për t’i parë.
Thirri dhe Sarën, e cila kur i pa ashtu tha se tavolina nuk mund të përbëhej nga gjashtë copa, të
cilat do fillonin të lëviznin pas pak kohësh dhe nuk ishin të rehatshme gjatë ngrënies. Ti më the
se duhej një tryezë për gjashtë veta dhe unë e ndava në gjashtë pjesë, tha ai i nxehur dhe hodhi
sharrën përtokë. Po, iu përgjigj Sara, por ti ke bërë gjashtë stola dhe jo një tryezë për gjashtë
njerëz.
Ibrahimi shkoi për herë të dytë në pyll dhe ia filloi nga e para. Por Sara e ktheu prapë kur pa se
njëra nga këmbët kishte dalë më e shkurtër se tre të tjerat.
Ibrahimi shkoi për herë të tretë në pyll dhe zgjodhi një panjë më të madhe dhe më të vjetër se dy
të parat. Panja ishte shumë e rëndë dhe meqë nuk mund ta transportonin dot Ibrahimi vendosi të
punonte në pyll. Për tre javë, bashkë me djemtë shkonin në pyll në mëngjes dhe ktheheshin në
mbrëmje. Një ditë ra shi dhe Ibrahimi mori çarçaf nga shtëpia dhe i mbuloi drunjtë e prerë me sy
të kuq. Kur filluan të ngulnin gozhdët e para, për të bashkuar këmbët me syprinën, pylli ushtoi
dhe zogjtë u trembën. Kur nguli gozhdën e fundit, Ibrahimi e pa drejt në sy tavolinën e kuqe dhe
tha: Do Zoti të jesh gjithmonë e ngopur.
Tre burrat e ngritën tavolinën dhe kur kaluan nëpër fshat, gratë dhe fëmijët dolën duke i hedhur
sheqer dhe oriz, siç ia hidhnin nuseve për bereqet. Sheqeri dhe orizi u ra të treve mbi kokë dhe
mbi supe dhe e mbushi tavolinën plot. Paskeni sjellë sytliaç, tha Sara dhe hapi derën e shtëpisë
që të fusnin tavolinën brenda, por, pasi e provuan, kuptuan se tavolina ishte e madhe dhe dera
nuk e nxinte. E rrotulluan nga të gjitha anët, por nuk hynte. Atëherë Ibrahimi mori një çekiç dhe
e prishi qerpiçin anës derës. Kashta e tharë në baltë ra bashkë me derën. Me këtë rast do bëjmë
një derë të re, tha Ibrahimi dhe vazhdoi punën. Pasi e futën tryezën në dhomë dhe e vendosën aty
ku e caktoi Sara, kjo i vuri një qëndismë përsipër dhe i tha Ibrahimit që ishte mbuluar me djersë:
Tani duhet të bëni edhe gjashtë karrige.
Ndërsa Ibrahimi dhe djemtë punonin në pyll për tavolinën dhe pastaj për derën e re dhe karriget,
Sara merrej me oborrin. Në fillim i përzuri pulat nga shtëpia dhe e pastroi oborrin nga ndotjet
dhe puplat e tyre. Pastaj shkuli gjithë barërat, hithrat, lulet e deles, mëllagat e egra, spërëngat dhe
jonxhën që kishin mbirë në liri të plotë. Më pas, hoqi katër rreshta me plloça që i kishte shtruar
Ibrahimi vite më parë dhe dheun e lagësht që doli poshtë tyre e mbolli me majdanoz, me dafina,
me borzilok, me xhenxhefil dhe me sherbelë. Ndërsa në një pjesë tjetër të veçuar, ajo mbolli
domate, kastravecë, patate, patëllxhanë dhe qepë të gjata. Kur Ibrahimi erdhi në mbrëmje nga
pylli dhe e gjeti akoma në oborr me duart me baltë e pyeti se çfarë po bënte. Po shtroj tavolinën, i
tha Sara dhe vazhdoi punën