Sara vendosi të nisej në Kretë kur minareja filloi të ngrihej.
Hana numëronte ditët e muajt duke thurur me grep, ndërsa Muhamedi gdhihej nën muret e
xhamisë që i maste çdo ditë me pëllëmbë. Ana ishte rritur dhe gërsheti i dukej më i shkurtër.
Ibrahimi i afrohej gardhit dhe zgjaste kokën me kaçurrela sa herë që vinte Ana.
Fatimja e
thërriste dhe ai hynte në shtëpi duke u tundur si Bilali. Ana shikonte rrobat e fëmijës që qepte
Hana dhe i thoshte: Po nuk linde, do m’i japësh mua rrobat për djalin tim? Hana ulte sytë jeshilë
dhe psherëtinte. Zbrazëtia që kishte në bark i peshonte si një barrë.
Pasditet në fshat ishin të qeta dhe vetëm çekiçi i Andreas i trembte zogjtë që sapo kishin ardhur.
Dallëndyshet i ktheheshin foleve të vjetra nën çati, por shpesh ato i gjenin të prishura nga dimri,
ose të zëna nga dallëndyshe të tjera dhe pa u mërzitur bënin fole të reja, që i thurnin me sqep. Të
vegjlit, që kishin lindur në udhëtim i fusnin aty dhe pastaj ngriheshin në ajër për t’u gjetur
ushqim. Foshnjat prisnin me gojën hapur duke parë qiellin me durim.
Kur Sara i tha Ana Komnenës se do ikte, ajo u ul në krevat dhe mbuloi këmbët me duar. Faqet e
kuqe iu mbushën me quka, ndërsa gërsheti iu mblodh si bisht. Do kthehesh prapë, e pyeti me sytë
e përlotur. Do kthehem shumë shpejt, i tha Sara, do kthehem përpara dimrit.
Atë natë fjetën të dyja të përqafuara. Ana Komnena kishte mbështetur kokën në supin e Sarës
dhe qukat i vallëzonin në tavan. Dritarja ishte hapur, ndërsa qielli varej si një perde. Sara nuk
flinte. Kishte pesëmbëdhjetë vjet që e shtynte nisjen. Mihal Komneni që vinte gati çdo vit në
fshat, i kujtonte katrorin magjik, historinë e Isakut dhe krahët e Dedalit duke e parë me sytë e tij
me cepa që kishin filluar t’i ngjanin syzeve të Metod Antrakidit. Herën e fundit kishte ardhur pas
vdekjes së Ibrahimit dhe i kishte thënë: Dallëndyshja ime tani është më e lirë. Sa ishte Ibrahimi
gjallë, ajo nuk mund të nisej dhe Mihali e dinte këtë ngërç. Nganjëherë Sara mendonte se Mihal
Komneni priste që Ibrahimi të vdiste dhe ajo të çlirohej, si një dallëndyshe që e mbajnë peng në
tokë duke ia lidhur krahët pas stolit të oborrit.
Ishte e vërtetë se qysh kur Ibrahimi kishte vdekur ajo mendonte gati çdo ditë për Kretën.
Shikonte Anën që zgjatej duke u holluar dhe kujtonte të ëmën që nuk e kishte parë kurrë. Babai i
kishte thënë se Sheba kishte sy të zinj dhe flokë të thurur dhe e shikonte botën nga lart si një zog
që jeton në lartësi. Kur kishin ardhur në fshat, Arianiti i kishte thënë se aty do gjenin një pyll të
mbushur me zogj dhe në mes tyre do ishte dhe Sheba. Në fshat kishte pyll, por ajo kishte gjetur
aty Ana Komnenën që flinte dhe merrte frymë si një pupël.
Arianiti e kishte sjellë në fshat, por po të mos kishte vdekur nëna, ndoshta, as ai nuk do kthehej.
Do kishin jetuar të tre në Kretë ose në Selanik, ose në një ishull tjetër të rrethuar me det ku babai
do t’i mësonte notin. Arianit Komneni do mbante kockat e babait të vet në arkën e vogël, duke
pritur që turqit të ktheheshin në shkretëtirë, ndërsa Ana Komnena nuk do kishte lindur. Ose
ndoshta do kishte lindur për t’i ngjarë një burri tjetër dhe jo Ibrahimit. Mund të kishte flokë të
verdhë, sy jeshilë dhe këmbë të shëndosha dhe çdo mëngjes do ngrihej nëpër gjumë për të shkuar
në shkollën e vajzave. Nuk do kishte gjashtë vëllezër dhe Sheba që do ishte një gjyshe me flokë
të bardha dhe me gushë të mbuluar me shall mëndafshi, do t’i fliste për Testamentin e Vjetër
duke i treguar historinë e vërtetë të Abrahamit dhe të Shebës, që ishte një princeshë biblike e
dashuruar dhe me lëkurë të zeshkët.
Mihal Komneni nuk do vinte në fshat bashkë me Metod Antrakidin dhe djemtë e Ibrahimit nuk
do dinin të lexonin. Ata do ishin martuar qetësisht me gratë e fshatit dhe do kishin më pak
ankthe. Higjiena injorancës do t’i kishte shpëtuar nga nevoja për të krahasuar fshatin me botën.
Të gjithë do kishin zgjedhur fshatin përpara botës dhe Ibrahimi do ishte akoma i ulur në stolin e
tij, ndërsa gratë e djemve do t’i zienin çaj dhe qumësht.
Isaku do ishte duke u endur nëpër botë si një anije që nuk gjen dot një breg, ose ndoshta do ishte
fshehur në fshat derisa Thanasi apo dikush tjetër t’ia kishte dorëzuar Ali Pashës. Mihal Komneni
do ta nxiste të nisej në Kretë, por Isaku do të ishte bërë baba dhe do hezitonte. Katrori magjik do
ishte i paplotë, pa numra dhe Mihal Komneni nuk do ta bindte dot Isakun, por do ulej në oborr
dhe do t’i tregonte përralla fëmijëve të tij.
Po ajo pse duhej të nisej në Kretë?
Edhe ajo kishte një fëmijë që duhej ta linte disa kohë vetëm, në një moshë kur vajzave të vogla u
shfaqen sëmundjet e grave nëpër trup. Arianit Komneni tani duhet të kishte vdekur, sepse po të
ishte gjallë, do duhej të ishte 120 vjeç, gjë që ishte e pamundur sado që t’i ngjante Abrahamit të
vërtetë. Isaku, nëse akoma ishte në Ketë, duhet të ishte një burrë pesëdhjetë e pesë vjeç. Tiparet
prej djaloshi endacak të Marin Kurilës do ishin plakur në fytyrën e tij dhe Isaku duhej t’i ngjante
më shumë Mihal Komnenit, ditën që ajo e kishte njohur. Në qoftë se babai kishte vdekur ajo
duhej ta kthente në fshat duke ia futur kockat në arkën e vogël siç kishte bërë Arianiti me të atin
kur e kishte marrë në Stamboll.
Po Shebën? A duhej ta sillte edhe Shebën në fshat dhe t’i varroste të dy pranë e pranë në varrezat
e krishtera, ngjitur me pyllin ku zogjtë do t’i zgjonin çdo mëngjes? Apo duhej t’i linte të dy atje,
në breg të detit ku dhe ishin njohur dhe ku lindja e saj i kishte ndarë si një perde? Sepse ata ishin
ndarë që ajo të lindte. Ndoshta nëna nuk do kish vdekur nëse ajo nuk do lindte, ose nuk do kishte
vdekur nëse lindte një djalë siç shpresonte. Sara nuk kishte qenë qëllimi i dashurisë së prindërve,
por pa dyshim kishte qenë mjeti për t’i dhënë fund asaj. Arianiti dhe Sheba nuk ishin dashuruar
për të bërë një fëmijë, por ishin ndarë kur ajo kishte vendosur të lindte. Kthimi në Kretë asaj i
dukej si kthim në djep. Një djep, të cilin Arianiti dhe Sheba e përkundnin pa pushim sikur kishin
frikë se ajo do t’i harronte po ta zinte gjumi. Ja pse duhej të shkonte në Kretë. T’i thoshte
prindërve se nuk kishin pse ta tundnin më djepin sepse kështu nuk po e linin të rritej dhe
sigurisht që ata do ta dëgjonin. Ata do qetësoheshin kur të shihnin se nga djepi do dilte një grua
dhe jo një fëmijë. Arianiti do ecte përpara me flokët si dallgë dhe Sheba me këmbë të vogla do ta
ndiqte pas në breg të detit. Kur era e detit të rritej, ajo do ndalonte, do mbulonte flokët e zinj me
një shall mëndafshi dhe Arianiti do ta priste pa lëvizur derisa të bashkoheshin prapë duke u
ngjitur, siç ngjitet një gjysmëportokalli me një gjysmëlimoni duke formuar një diell të nxehtë në
perëndim.
Sara i mendonte të gjitha këto dhe faqja e nxehtë e Ana Komnenës i digjte mbi faqen e saj. Para
se ta zinte gjumi, futi dorën poshtë krevatit dhe preku arkën e vogël të babait. Ajo ishte e ftohtë
dhe e hapur si një varr që priste të mbyllej. E hoqi dorën dhe kur e zuri gjumi nata po mbaronte.
Kur u zgjua p Ana Komnenën që rrinte në këmbë dhe e shikonte. Sytë e zinj i ishin skuqur dhe
dukej sikur kishte qarë. Kishte nxjerrë arkën e vogël poshtë krevatit dhe e mbante te këmbët. Do
ta marrësh me vete, pyeti. Do ta marr, tha Sara që iu duk sikur e bija e kishte përgjuar gjatë natës.
Këtu do ta futësh Arianitin? Sara pohoi me kokë. Po ku do ta varrosësh? Aty ku ai ka varrosur
babanë e tij, tha Sara, në varrezat e krishtera, ku kemi çuar Petron dhe Metodin. Ana kapi
gërshetin me gishta dhe ngriti arkën e vogël për ta nxjerrë në oborr. Sikur ta varrosnim afër
babait, tha duke ecur. Ata kanë qenë të dy Abrahamë.
Sara u ngrit nga krevati dhe bëri gati plaçkat. Kur dolën nga shtëpia Ana mbante arkën e vogël.
Kaluan te kisha dhe dielli që sapo kishte lindur u fsheh pas minares së shkurtër. Andrea që ishte
ngjitur në majë i përshëndeti me dorë. Hana kishte dalë në oborr dhe po i priste, ndërsa nga ana
tjetër e gardhit kaçurrelat e Ibrahimit dukeshin si një ferrë që lëvizte. Hana u përlot kur i pa të
dyja në oborr dhe i rregulloi gërshetin Ana Komnenës. Kthehem shpejt, tha Sara dhe iu kujtua
dita kur babai e kishte lënë në shtëpinë e Hanës. Atë ditë frynte një erë e kuqe, ndërsa sot ishte
një ditë e bukur dhe e qetë. Ajo po bënte të njëjtën gjë si Arianit Komneni, por me një ndryshim
të vogël: Ana Komnena do ta priste, ndërsa ajo e kishte ditur se Arianiti nuk do kthehej dhe nuk
e kishte pritur. Hana e puthi dhe lotët i ranë mbi gjoks. Do të të presim të dyja duke thurur rroba
kalamajsh, i tha. Sara e përqafoi dhe i vuri dorën te barku sikur donte t’ia ngrohte. Kur të
kthehem do jetë rritur, i tha. Hana ktheu kokën nga Muhamedi që rrinte i ulur në stol duke parë
tri gratë që ngjanin si kukullat e Janit të bëra nga i njëjti dru, por në kohë të ndryshme. Edhe
minareja do jetë rritur kur të kthehet Sara, tha Muhamedi duke u ngritur.
E përcollën të gjithë deri në të dalë të fshatit. Hana mbante Ana Komnenën për dore, ndërsa
Muhamedi ecte pas tyre me Janin dhe Paridin. Nga larg ata dukeshin më të vegjël, ndërsa fshati
dukej më i lartë. Minareja ishte ngritur si një shenjë në qiell. Sara ecte në drejtim të babait me
arkën e vogël në dorë.
Ashtu kishte ardhur në fshat përpara dyzet vjetësh.
Selaniku ishte i nxehtë dhe deti digjte tokën. Rrugët e ngushta të qytetit zbrisnin nga kodra në
formë portokalli duke derdhur njerëzit në breg. Ata ngarkoheshin aty me peshq dhe mallra dhe
ktheheshin prapë në kodër më të pasur, por më të plakur. Ajo mbante mend vetëm një dyqan
librash të vjetër ku për herë të parë kishte dëgjuar babanë të thoshte se ajo kishte një nënë, se
nëna quhej Sheba dhe se Sheba kishte vdekur. Dyqani ishte afër portit, në mes të një lagjeje
çifutësh, të cilët ecnin shpejt duke iu fshehur diellit.
Selaniku kishte sinagoga, kisha dhe xhami që dukeshin nga deti si pemë të ardhura nga toka të
ndryshme. Çifutët kishin mallrat, grekët kishin anijet, ndërsa turqit kishin portin. Grekët mbanin
këmisha të gjera, ndërsa çifutët me rrobat e tyre gjysmë otomane dukeshin të gjithë si Sabatai
Zevi. Ata kishin ardhur nga Spanja përpara treqind vjetësh dhe verandat e shtëpive të tyre mbi
det i quanin varandado. Librat e vjetër thoshin se Selaniku ishte toka që mbreti Solomon i
Izraelit i dhuroi mbretëreshës babilonase Sheba, derisa qytetin e mori Aleksandri dhe i vuri
emrin e gjyshes së vet. Mbretëresha u mahnit nga bukuria e gjirit të Selanikut dhe ngriti aty një
fortesë verore të veshur me pëlhura të freskëta mbi krevate që shikonin nga deti. Fortesa ishte
akoma aty, por turqit e përdornin si një fjetore. Në drekë, kur bënte shumë vapë, ata zhvisheshin
lakuriq dhe i fusnin shpatat në det për t’i ftohur.
Sara ecte në breg të detit që nuk lëvizte dhe merrte frymë me vështirësi. Hundët i ishin mbushur
me një përzierje kripe, peshku dhe ulliri, të cilat krijonin një aromë që ajo e kishte humbur
përpara dyzet vjetësh. Nuk do ta merrte vesh kurrë nëse rridhte vërtet nga Sabatai Zevi, siç
thoshte Mihal Komneni, por Selaniku i dukej një vend i njohur, qoftë edhe për këtë arsye.
Selaniku ishte si një trup me skelet grek, me mish turk dhe me gjak çifut, i cili endej nëpër
Mesdhe dhe provonte të gjitha gjellët, kryqëzohej me të gjitha racat dhe i falej të gjitha feve. Çdo
perandori e kishte dashur dhe ai trup i ishte dhënë. Kur perandoritë kishin ikur, Selaniku kishte
mbajtur mallrat dhe kishte dhënë armët. Sara ndihej mirë në këtë qytet që nuk luftonte.
Dyqani i librave dukej i errët dhe kur ajo u afrua, një turk i shëndoshë me çallmë nxori kokën.
Sara ishte djersitur dhe kishte hequr bluzën. Llërët e bardha i ishin zbuluar dhe poshtë sqetullave
i dukeshin disa qime të lagura si leshterikë. Kur e pa të zbuluar, turku mbylli derën duke folur me
vete. Pas kokës së tij vareshin disa qilima të mëdhenj dhe nuk kishte libra. Sarës iu duk sikur
fëmijëria nuk do dilte më nga ai dyqan. Turqit e kishin mbyllur brenda dhe ajo duhet të
vazhdonte rrugën për të kërkuar më tutje.
Hoteli ishte afër. Dhoma e saj shikonte nga deti dhe prandaj ishte gjithë kohën e nxehtë. Sara futi
arkën e vogël poshtë krevatit dhe doli në ballkon. Anijet prisnin si kuaj të rreshtuar mbi një
qilim. Kur vinin,a to sillnin botën në qytet, ndërsa kur iknin e shpërndanin qytetin nëpër botë.
Me njërën prej tyre u nis një mëngjes, pasi kishte ecur gjithë javën në rrugët ku ishte rritur e ëma.
Ishujt e vegjël ngriheshin mbi dallgë, ndërsa anija lundronte ngadalë në një rrugë të njohur. Koha
ishte e qetë dhe peshkatarët nëpër ishuj ishin shtuar. Varkat e tyre të vogla e rrethonin anijen si
peshq, ndërsa peshkatarët lëviznin duart dhe këmbët për t’i treguar kapitenit se po ecte mbi
rrjetat e tyre. Por anija nuk ngecte nëpër rrjeta dhe kapiteni e dinte. Ai i binte borisë për t’i
përshëndetur peshkatarët dhe dallgët shtoheshin nga uturima e saj.
Sara rrinte në kuvertë dhe kujtonte Arianitin. Kur e kishin bërë këtë udhëtim të dy bashkë, koka e
saj nuk dilte mbi parmakun e anijes dhe babai e mbante në krahë për t’i treguar ishujt dhe
peshqit. Natën, hëna kërcente mbi anije dhe vazhdonte udhëtimin me ta, duke nxjerrë kokën nga
çarçafi i qiellit. Selaniku ishte zhdukur pas kurrizit të anijes dhe Azia turke që sa kishte nisur të
dukej e skuqte natën si një zjarr. Ai zjarr i kishte ndryshuar jetën detit, peshkatarëve, brigjeve
dhe tokës që kishin lënë pas. Që kur turqit kishin zbritur në det, çdo gjë ishte më e nxehtë dhe
shpesh ishte edhe përvëluese. Botës do t’i duhej kohë t ftohej dhe Sara mendonte se, edhe kur ai
zjarr të shuhej, gjurmët e tij do t’i dilnin njerëzve në fytyrë, si qukat e Ana Komnenës sa herë që
mërzitej.
Një mëngjes, në mes të atij zjarri, u shfaq një njollë dhe kapiteni tha se ajo ishte Kreta. Dukej si
një dru që nuk donte të digjej. Sara mblodhi plaçkat, mori arkën e vogël dhe u zgjat mbi det.
Anija ngadalësoi lëvizjen dhe brigjet e ishullit u rritën. Kreta u zmadhua. Kapiteni doli në bashin
e anijes për të kontrolluar bregun, pastaj hodhi spirancën në det duke lëvizur krahët me kujdes
sikur donte të ndalonte lëkundjen e një djepi. Kur vuri këmbën në tokë, Sarës iu duk sikur po
kthehej në shtëpi pasi kishte jetuar disa kohë në një pyll me zogj, ku e kishin çuar që të mos
merrte pjesë në vdekjen e prindërve. Kishte menduar gjithë jetën për këtë ditë dhe ndoshta
prandaj ishte e qetë. Babai thoshte se Kreta ishte një vend i shkëlqyer për të lindur dhe për të
vdekur. Ajo kishte lindur këtu dhe nuk mund të ngatërrohej. Porti, rrugët, ullinjtë, turqit dhe
grekët që shkëmbenin mallra duke bërtitur, rëra e përvëluar dhe era e peshkut të djersitur ishin
aty ku i kishte lënë. Shtëpia e Terezës po ashtu.
Kur u afrua, pa arrën e madhe që e kishte mbuluar shtëpinë sikur donte ta mbronte nga zjarri që
vinte nga deti. Sara trokiti dhe arra u gërvisht pas murit. Një grua me flokë të bardha hapi derën
duke mbyllur pak sytë nga dielli. Duhej të ishte Tereza. Sytë i kishte të pastër dhe trupin të fortë
dhe të rregullt. Sara nuk e mbante mend, por, në qoftë se kishte qenë e bukur, tani pleqëria ia
kishte hequr çdo gjurmë duke ia mbuluar fytyrën me një kurorë rrudhash katrore, të cilat e
tregonin të vetmuar. Kur i tha kush ishte, Tereza u përlot. E puthi disa herë në faqe, ia ktheu
kokën nga dielli sikur donte të bindej që ishte ajo dhe duke e shtyrë, sikur po e mbante në krahë,
e ngjiti në një dhomë të madhe që shikonte nga deti. Këtu ke lindur, i tha dhe e puthi prapë. Sara
futi arkën e vogël poshtë krevatit dhe qëndroi ulur mbi shtrat, ndërsa Tereza sillej nëpër dhomë
duke e parë si një kukull që e kishte humbur para shumë vitesh.
Pas pak Tereza doli. Sara hapi dritaren, por deti mezi shquhej. Gjethet e arrës ngjanin si plloça
jeshile të shtruara mbi ujë. Zhurmat e portit vinin të dobëta dhe anija që e kishte sjellë nuk dukej
më. Kreta peshkonte ushqimin e vet të përditshëm, ndërsa në anën tjetër të horizontit, Azia dukej
si një tigan i uritur. Tereza i solli një pjatë të vogël me reçel arre dhe u ul pranë saj. Rrudhat
zbrisnin mbi çarçaf dhe Sarës iu duk sikur po e preknin. Provoi reçelin duke e lëpirë lugën me
gjuhë dhe një pikë ra mbi krevat. E kuptoi se po i dridheshin duart. Qetësia që kishte ndier në
anije kishte mbetur po aty dhe nuk kishte zbritur bashkë me mallrat e tjera. Tereza fshiu reçelin
me dorë dhe qeshi.
Ku është babai, pyeti Sara. Tereza pa nga dritarja dhe sytë i lëngëzuan si reçeli që kishte mbetur
në pjatë. Mori nënën dhe iku në mal, tha duke u ngritur. Sara ndjeu një të ftohtë që vinte nga hija
e arrës. Donte ta pyeste Terezën se ç’do të thotë që babai kishte ikur në mal, në cilin mal, pse e
kishte marrë nënën me vete aty lart dhe ku ishin tani, nëse ishin të dy bashkë. Imagjinoi babanë
me një arkë tjetër, si ajo që kishte poshtë krevatit, duke u ngjitur në mal ngadalë, ndërsa deti
poshtë shtrihej nën këmbët e tij si një qilim dasme. Arianiti ecte mbi qilim duke çuar nusen në
shtëpinë e tij të fundit. Tereza iu afrua sikur donte ta uronte për martesën e prindërve. E mori me
vete që të varroseshin të dy në një vend, tha. Babai erdhi në Kretë për të vdekur pranë nënës
tënde, të cilën e dashuronte. Para se të vdiste na tha se donte të varrosej në mal, aty ku ishte edhe
varri i vëllait të tij që kishte luftuar në Kretë. Do ta mbledh gjithë familjen në një vend, thoshte.
Tani janë aty lart, të dy. Bashkë me vëllanë dhe shokët e tij.
Sara nuk kishte dëgjuar njeri t’i fliste për vdekjen si për një bashkim. Tereza ia kishte treguar
bashkimin e prindërve si një martesë që bëhet pas vdekjes dhe ku ajo kishte qenë dëshmitare. U
mbështet në krevat dhe mbështolli këmbët siç bënte Ana Komnena. Kur vdiq babai, e pyeti.
Tereza rrinte në këmbë, ndërsa hijet e gjetheve të arrës i kishin mbirë si gjurmë në faqe. Vdiq një
vit pasi erdhi këtu, tha Tereza. Jetoi në këtë dhomë dhe ditën merrte një stol të vogël dhe rrinte
poshtë arrës në oborr. Një herë në javë shkonte te varri i nënës tënde dhe i çonte lule. Do kishte
vdekur më herët, por priti sa u martua Isaku.
Sara mori lugën me reçel dhe e lëpiu sikur kishte ardhur nga një varrim që ia kishte lënë gojën të
hidhur. Tereza nuk lëvizte. Rrudhat e saj dukeshin si rrugë në të cilat kishte kaluar babai, nëna,
ajo vetë, por me sa duket edhe Isaku. Ishin të vetmet rrugë që kishin mbetur për të takuar
familjen që i kishte humbur. Sara e shikonte duke ia lexuar fytyrën si një letër që babai ia kishte
lënë para vdekjes. Rrudhat e saj janë pjesë e katrorit magjik, mendoi. Tereza kishte thënë se
babai do kishte vdekur më përpara nëse nuk do priste martesën e Isakut dhe kjo nuk e habiti.
Përkundrazi. Ishte mësuar që e vogël me zakonin që kishte i ati për të parashikuar çdo gjë,
përfshi edhe vdekjen e vet. Vetëm dashuria me Shebën kishte dalë jashtë parashikimit të tij prej
profeti, që nuk merret me gjëra të vogla, por të cilin gjërat e vogla e kthejnë nga rruga, për ta
çuar në një botë që ai nuk e njeh. Kështu i kishte ndodhur Arianit Komnenit. Hunda e vogël e
gruas që njohu në Stamboll, shalli i saj i lidhur fort në qafë, gjellët me erëza që gatuante, vetmia
e saj në Lesbos, arra e shtëpisë në Kretë dhe vdekja e Shebës, ishin disa gjëra të vogla, të cilat i
kishin shmangur Arianitin nga rruga. I kishte marrë në dorë, si një plak që gjen disa lodra në mes
të rrugës dhe ishte hutuar pas tyre kur kishte kuptuar se ato i kishin ndryshuar jetën. Duke bërë
një përpjekje për të mos iu bindur rastësisë, që shkon në të kundërt me natyrën e profetit, i kishte
lënë aty ku i kishte gjetur duke i mbuluar me dhe,q ë të mos ia merrnin dhe kishte ikur në fshat
për të mbaruar rrugën për ku ishte nisur para se të gjente lodrat. Por dashuria, duke qenë një
rastësi e paparashikueshme, ishte po aq e papërballueshme, prandaj ai ishte nisur prapë në
drejtim të atyre gjërave të vogla, të cilat i kishte zhvarrosur dhe i kishte marrë me vete në varr.
Rrugën për atje e dinte Tereza.
Po Isaku ku është, pyeti Sara. Isaku u martua me motrën tënde, tha Tereza, duke e ditur se ajo që
po i thoshte do ta kishte hutuar Sarën, së cilës iu njomën sytë si një reçel arre. Tereza nuk e la të
pikonte dhe vazhdoi. Kur nëna jote vdiq, ti kishe nevojë për gji. Unë gjeta një vajzë të re dhe të
shëndetshme nga familjet e vjetra veneciane që kishin mbetur akoma në Kretë pas pushtimit. Ajo
vinte çdo ditë dhe të jepte gji. Ti e shtrëngoje fort sikur e kishe nënë dhe pije me etje nga
qumështi i saj. Kur fole për herë të parë, the emrin e saj. Ajo u mallëngjye dhe që nga ajo ditë të
thoshte: Vajza ime. Ato kohë ajo kishte shumë qumësht sepse kishte lindur një vajzë disa muaj
përpara se të lindje ti. Vajza e saj quhet Marina dhe është martuar me Isakun. Është e gjatë, me
flokë të verdhë dhe me sy të kaltër si deti i Kretës. Nuk ngjan me ty, por mua më duket sikur
buzët i keni njëlloj sepse kanë marrë formën e të njëjtit gji. Arianit Komneni kur erdhi këtu në
vitin 1769 dhe pa Marinën të rritur, i kërkoi së ëmës që Isaku dhe ajo të martoheshin. Nëna e
Marinës pranoi duke thënë se kështu vajza e saj do martohej në familjen e motrës së vet të gjirit.
Isaku dhe Marina u dashuruan që ditën që u njohën dhe tani jetojnë në shtëpinë e tyre, në anën
tjetër të qytetit. Arianiti erdhi vetë në kishë ditën e dasmës dhe mua m’u duk më i bukur se kurrë.
Flokët e bardhë i kishte lidhur pas kokës dhe fytyra e tij ishte e lëmuar si e një njeriu që e ka
mundur kohën. Qeshte, ngacmonte priftin, i hidhte Marinës lule mbi kokë dhe i thoshte Isakut se
ai dinte një sekret, se si ngjizen djemtë që natën e parë të dasmës. Nuk e kisha parë aq të qeshur
as ditën që doli nga burgu. Pas disa kohësh i tha Isakut se do vdiste. Mori nënën tënde, u ngjit në
mal dhe nuk u kthye më.
Sara, që e dinte si sillej Arianiti nëpër dasma, dëgjonte duke qeshur, por kur Tereza përmendi
burgun u ngrys si një perçe.
Çfarë burgu, pyeti duke u nderuar mbi krevat. Nuk të ka treguar babai për burgun, e pyeti
Tereza. Jo, tha Sara, nuk më ka folur kurrë. Tereza që rrinte në këmbë u mbështet pas dritares
dhe dhoma u errësua. Rrudhat katrore lëvizën dhe ajo mori frymë thellë para se të fliste. Nuk
ishte e lehtë t’i thoshte një vajze që adhuronte babanë e vet, se disa ditë të jetës ai i kishte kaluar
në burg dhe Tereza filloi të fliste ngadalë sikur po shtrydhte një ilaç të hidhur në gotën e Sarës.
Pak javë pasi linde ti, Arianitin e arrestuan për vrasjen e burrit të nënës tënde, Jorgo
Mavromatisit. Jorgo ishte tregtar dhe kishte blerë një ngarkesë me verë që në atë kohë ishte një
pije e ndaluar nga sulltani. Anija me të cilën ata udhëtonin për në Selanik ndaloi në Lesbos për
shkak të kohës së keqe. Turqit kontrolluan anijen, morën verën dhe e futën Jorgon në burg. Duke
pritur që ai të lirohej, nëna jote dhe Arianiti u dashuruan. Por Lesbosi është një ishull i vogël dhe
njerëzit aty nuk i duan të huajt. Një burrë i thinjur dhe një grua tridhjetë vjet më e re se ai që
dashurohen nuk është një ngjarje që ndodh çdo ditë në një ishull të vogël si Lesbosi, ku gratë në
atë moshë mbyllen në shtëpi, ndërsa burrat vdesin shpejt. Ata duheshin si dy fëmijë dhe ecnin
përdore në breg të detit. Ishulli i shikonte me zili. Kur barku i nënës tënde u rrit dikush që e dinte
se Arianiti dhe Sheba nuk ishin të martuar i çoi fjalë në burg Jorgo Mavromatisit. Babai e mori
vesh dhe i tha Shebës se duhej të iknin sa më parë nga Lesbosi. Morën një anije dhe erdhën në
Kretë fshehurazi. Nëna jote e vuajti shumë rrugën e gjatë nëpër det dhe kur erdhi këtu ndenji
gjithë kohën e shtrirë në këtë shtrat. Ishte në një moshë të madhe dhe trupi i saj i pamësuar nuk e
mbante dot barrën. Jorgo Mavromatisi, që kishte paguar njerëz për t’i ndjekur, e mori vesh dhe u
bë si i çmendur. Pas disa kohësh, u pagoi turqve shumë para, u lirua nga burgu dhe erdhi në
Kretë pak pasi nëna jote kishte vdekur. E gjeti Arianitin dhe e akuzoi se ai i kishte vrarë gruan që
t’i merrte pasurinë dhe se vajza që kishte lindur ishte e tij. Arianiti i tha se ai dhe Sheba ishin
dashuruar duke pritur që ai të lirohej dhe vajza ishte e tyre, por Jorgo, i cili kishte gjithë pasurinë
nga familja e Shebës, nuk donte të bindej. Arianiti kërkoi t’ia zbuste marrëzinë dhe i tha se ai
nuk kishte asnjë pretendim për pasurinë dhe pronat e Shebës në Selanik dhe se Jorgo mund t’i
mbante të gjitha, por ai prapë nuk u bind duke e ditur se pasuria do trashëgohej nga ty si vajzë e
vetme. Rrinte në tavernë duke pirë dhe pasi dehej vinte përpara shtëpisë dhe i thoshte Arianitit se
do ta vriste. Babai yt dilte në këtë dritare dhe shikonte të dehurin pa iu përgjigjur, ndërsa ti flije
si një foshnjë e paditur. Unë e kaloja natën tek arra e madhe, duke u dridhur. Nganjëherë Arianiti
më thoshte se në fillim kishte ndier një brerje ndërgjegje, kur i kishte marrë gruan një burri që e
njihte, por tani ishte bindur se Jorgo e donte Shebën vetëm për paratë. Ndoshta Sheba e dinte
këtë dhe prandaj nuk bënte fëmijë me Jorgon, më tha njëherë, por pastaj ndërroi temë dhe më
pyeti se ç’mendoja unë për pushtimin e Kostandinopojës, sepse, sipas tij, edhe nëse nuk do ishte
pushtuar nga turqit, Kostandinopoja do të ishte rrëzuar nga mëkati i vet për shkak të mohimit që i
bëri Romës dhe sidomos Greqisë së lashtë. Kostandinopoja gaboi kur e ndau krishterimin në dy
pjesë dhe prandaj dështoi. Jezu Krishti nuk vdiq në Jerusalem, por në Kostandinopojë, thoshte
duke parë nga deti, pasi aty mori fund ëndrra e tij për një botë të krishterë.
Pas vdekjes së Shebës ai rrinte shumë në shtëpi dhe mua më dukej si një njeri që vdekja e
detyron të ndryshojë mendim për botën. Kur Jorgo vinte në mbrëmje, ai rrinte pas dritares dhe
mendohej gjatë duke të ruajtur, si një ujk që nuk do të rrezikojë asnjë qime në një betejë të
panjohur që mund ta lërë foshnjën e vet jetime. Jam i bindur se po të mos ishe ti, ai kishte dalë në
rrugë dhe do ta kishte vrarë Jorgo Mavromatisin. Dhe Jorgo nuk ia kurseu këtë mundësi.
Një natë ai shtyu fort derën e shtëpisë dhe hyri me forcë. U ngjit nëpër shkallë duke mbajtur në
dorë një thikë të gjatë dhe duke sharë Arianitin si vrasës. Mbante erë të keqe dhe sytë i kishte të
skuqur si gjak. Arianiti doli dhe u përpoq ta qetësonte, por ai i drejtonte thikën dhe i thoshte se
kishte ardhur për të marrë vajzën e tij. Unë hyra në mes të të dyve për t’i ndarë, por Jorgo
shkalloi edhe më keq. Një çast, pashë që ngriti dorën për ta goditur Arianitin dhe e shtyva me sa
fuqi kisha. Ai ra nga shkallët dhe pas një ore dha shpirt në oborr. Vdekja e tij nuk mund të
fshihej sepse, nga zhurma e madhe dhe të thirrurat, komshinjtë kishin dalë nëpër dyer dhe kishin
dëgjuar çdo gjë. Njerëzit u mblodhën përpara shtëpisë dhe pas pak erdhën edhe ushtarët turq.
Unë qaja, por Arianiti nuk më la të flisja. I doli ushtarëve përpara dhe tha se e kishte vrarë ai
Jorgo Mavromatisin. Unë nuk qava më, por atë natë u plaka dhe lotët m’u bënë rrudha.
Turqit e morën Arianitin dhe e mbajtën dy vjet në burg derisa të gjithë komshinjtë dëshmuan se
ai ishte i pafajshëm, pasi Jorgo kishte dashur ta vriste. Arianiti pranoi se e kishte shtyrë Jorgon
në fund të shkallëve, duke më mbuluar mua që isha vrasësja e vërtetë. Ato dy vjet që ai qëndroi
në burg, unë dhe nëna e Marinës të ushqyem derisa babai u lirua, të mori ty dhe të çoi në fshat.
Kur u nis më tha: Do kthehem prapë. Unë e prita duke numëruar rrudhat përpara pasqyrës.
Kur Tereza fliste, Sara ishte shtrirë në krevat nga pesha e fjalëve që dëgjonte. Jastëku ishte i
ftohtë dhe i lagur. Ajo dëgjonte dhe qante pa zë. Në atë dhomë kishte jetuar një baba që ajo nuk e
kishte njohur. Rrudhat katrore në fytyrën e Terezës ishin të thella dhe të dhimbshme. Po të mos
kishte ardhur Arianiti në Kretë ndoshta fytyra e saj do kishte më pak rrudha, mendoi Sara dhe
ktheu kokën nga muri që të thante lotët. Babai dhe nëna ishin ndarë që ajo të lindte, por jo vetëm
kaq. Në fillim nëna ishte ndarë nga një burrë tjetër që kujtonte se ajo ishte vajza e tij e ligjshme.
Babai i kishte thënë se ata të dy ishin dashuruar si dy zogj që dimri i ka braktisur në një ishull të
vetmuar, por nuk i kishte folur për xhelozinë vrasëse të Jorgo Mavromatisit. Mihal Komneni, që
gjithnjë i justifikonte sekretet e Arianitit, do thoshte se ajo nuk ishte një histori që i duhet treguar
një fëmije. Por Mihali nuk i kishte parë rrudhat e Terezës mbi të cilat historia kalonte nga një
brez në tjetrin. Tereza rrinte në këmbë si një dëshmi, ndërsa ajo ishte shtrirë në krevatin ku kishte
lindur, gjë që e kishte çuar nënën në varr dhe babanë në burg. Nuk ndihej fajtore, por e
pafuqishme, si një fëmijë që vret për të lindur, sepse zgjidhje tjetër nuk mund të kishte. Çdo
fëmijë do ta bënte këtë i shtyrë nga nevoja për të lindur. Pafajësia e saj mund të ishte vrasëse por,
para së gjithash, ishte njerëzore. Sara e dinte që kur u nis se Kreta do t’i mësonte një sekret, por
jo në këto përmasa. Katrori magjik tani i dukej si një lule e vizatuar me shkumës, përpara pemës
së rrudhave të egra që ajo dhe babai i saj kishin vizatuar në kokën e Terezës.
Ndjeu keqardhje për këtë grua, së cilës ata ia kishin ndryshuar jetën. Ajo nuk kishte krijuar dot
një familje të vetën, por kishte mbajtur një derë hapur në ishull, që Arianiti të kthehej dhe të
vdiste, në paqe. Por edhe pas vdekjes së tij, Tereza nuk e kishte mbyllur derën e shtëpisë. Kishte
pritur me durim që ajo të rritej, atje larg në fshat dhe që një ditë të vinte dhe ajo t’i tregonte se
babai i kishte fituar betejat e jetës së vet duke humbur njerëzit e dashur herë pas here. Tereza
ishte një prej tyre. Ajo kishte humbur jetën e vet duke pritur që Arianiti të vendoste të vdiste. Ajo
ndoshta e kishte dashur Arianit Komnenin, por edhe nëse nuk e kishte dashur si një grua, nuk i
kishte rezistuar dot magnetit të tij. Nuk ishte e para dhe as e fundit. Sheba kishte vdekur e
tërhequr nga ai magnet, ndërsa Sara rrinte shtrirë në krevat dhe ndiente kokën që i rrotullohej si
një planet rreth yllit të Arianit Komnenit që shkëlqente akoma mbi malet e Kretës.
Ishte errësuar dhe yjet kishin çelur mbi gjethet e arrës. Tereza rrinte si një hije që pret ta shohin.
Sara u ngrit dhe e përqafoi. Nuk mund t’i jepte më shumë sepse Tereza nuk kërkonte më shumë.
Kishte dyzet vjet që e priste. E shtrëngonte me rrudhat e saj dhe Sarës i dukej sikur po ecte në një
pyll, e mbështjellë me lëvore pemësh. Nata kishte dalë nga deti dhe Kreta ishte e errësuar. E zuri
gjumi dhe ndjeu Terezën që e mbuloi me çarçaf, pastaj mori pjatën me reçel dhe iku. Luga, që
ishte ngjitur në pjatë nga lotët e saj, nuk lëvizi. Dritarja ishte e hapur dhe dallgët që vinin deri tek
arra nuk ngjiteshin dot lart. Sara pa në ëndërr Isakun që i mësonte notin duke e mbajtur nga
krahët. Ajo zhytej në det dhe Isaku e ngrinte, pastaj zhytej prapë dhe Isaku nuk e ngrinte. Arianiti
rrinte në breg dhe i thoshte Isakut: Është akoma e vogël, mos e lër vetëm.
Kur u zgjua në mëngjes, pjata e reçelit ishte e mbushur. Sara e kishte gojën të ëmbël nga ëndrra.
U zgjat në dritare dhe pa detin ku kishte notuar gjatë natës. Kreta kishte dalë në port duke pritur
botën që vinte me anije. Tereza hyri në dhomë dhe i solli një gotë ujë. Rrudhat e saj ishin më të
çlodhura dhe ngjanin si rrugë, të cilat mbyllen pasi kalon njeriu i fundit. Dielli që hynte nga
dritarja ngjitej nëpër ato rrugë për t’i shkuar në sy.
Kam lajmëruar Isakun, foli Tereza, duhet të jetë duke ardhur. Sara pa fytyrën e saj dhe ndjeu
lëkurën që iu mblodh si një rrudhë. Dalim ta presim, i tha Terezës. Zbritën të dyja në oborr dhe u
ulën nën hijen e arrës. Tereza e hapi derën e shtëpisë dhe nga rruga dukeshin fëmijët që shkonin
në det. Të gjithë dinin not dhe Sara u ndie e plakur.
Isaku erdhi në drekë. Kishte veshur një këmishë të bardhë me jakë të gjatë dhe pantallona të zeza
që shkëlqenin si luspa peshku. Ngjante si Mihal Komneni, por sytë jeshilë i lëviznin shpejt si
kapriciot e Marin Kurilës.
Sara u ngrit në këmbë dhe mbeti pa lëvizur nën hijen e arrës, si një fëmijë i turpëruar. Isaku u
afrua dhe e përqafoi. Mbetën ashtu të dy, ndërsa Tereza i shikonte dhe po të mos kishte rrudha do
t’i dukeshin lotët. Isaku e largoi Sarën nga vetja dhe i pa fytyrën në diell. Nuk ke ndryshuar, i tha
dhe e përqafoi prapë.
Kur u ngjitën në dhomë hapat e mëdhenj të Isakut shkundën pluhurin e shkallëve të vjetra.
Tereza solli reçel dhe i la vetëm. Isaku hante reçelin duke mos ia hequr sytë Sarës.
Nuk ke ndryshuar fare, tha për herë të dytë dhe Sarës iu duk sikur i tha: Të kam parë. Zgjati
kokën nga ai duke mbledhur buzët dhe Isaku filloi të qeshte. Buzët i ke si të Marinës. Besoj se të
ka thënë Tereza se unë jam martuar me Marinën, motrën tënde të gjirit. Edhe ajo i mbledh buzët
si ty kur habitet. Kur isha në fshat nuk më bënin përshtypje buzët e tua, por tani që i krahasoj me
ato të Marinës bindem se e keni pirë qumështin nga një shishe. Sara u ndie edhe më e vogël.
Gjithë ditën kishte pasur ndjesinë që po plakej, por ardhja e Isakut ia kishte hequr si me dorë. Ky
njeri është pjesë e fëmijërisë sime, mendoi, prandaj ndihem e vogël.
E di që ke qenë në fshat, i tha Isakut, por pse nuk më ke takuar? Nuk donte Arianiti, tha Isaku që
filloi të fliste ngadalë dhe sytë e lëvizshëm të Marin Kurilës iu errësuan pak. Mua më ndiqnin
turqit pasi ika nga Voskopoja dhe erdha në fshat për t’u fshehur. Arianiti më mbajti në bodrumin
e shtëpisë dhe kur ti luaje në oborr, unë dilja në dritaret e dhomave dhe të shikoja. Kishe një
gërshet të gjatë, sy të zinj dhe faqe të kuqe. Doja të të takoja, por Arianiti nuk më la. Po e takove
nuk do ikësh dot, më tha, por unë besoj se ai e dinte se nëse unë do lidhesha me ty dhe me fshatin
as ai nuk do ikte dot, siç e kishte vendosur.
Pse e kishte vendosur, pyeti Sara. Isaku u mbështet fort në karrige dhe këmisha e bardhë iu
mbush me hijet e gjelbra të gjetheve të arrës. Donte të vdiste në Kretë, pranë nënës tënde. Ardhja
ime në fshat e shpejtoi këtë gjë sepse ndoshta ai do kishte ikur më vonë, kur ti të rriteshe edhe
pak. Ato ditë Gjergji u bë mysliman dhe Arianiti e lexoi këtë si një shenjë se koha për të ikur
kishte ardhur. Më bindi që të niseshim të dy, megjithëse ishte i dyzuar për të të marrë me vete
apo jo. por rruga ishte e vështirë dhe ai kishte frikë se mua mund të më arrestonin turqit duke
kaluar nga Janina në Selanik. Nëse ty të arrestojnë, më tha, kur unë të vdes Sara do mbetet
vetëm. U mendua dy ditë. Erdhi në bodrum dhe mua m’u duk si një gjeneral që jepte urdhrat e
fundit. Nisemi nesër në mëngjes, më tha. Sara do rrijë me Hanën. Ti hajde me mua. E pyeta se ku
do shkonim dhe ai më pa i çuditur. Në Kretë, tha, ku tjetër. Do më varrosësh mua dhe do jetosh i
lirë.
Unë dola nga fshati natën dhe e prita pas kodrës. Atë ditë frynte një erë e kuqe. Arianiti të mori
për dore dhe të la te shtëpia e Hanës. Kur erdhi, ishte i bardhë në fytyrë, por i vendosur. Do ecim
shpejt, tha, dua të vdes. Unë e shikoja dhe habitesha se si ai mbante hapin tim. Kaluam në Janinë
dhe pas dy javësh gjetëm një anije në Selanik. Kur hipëm në anije, ndryshoi. Fytyra iu çel dhe
rrinte në kuvertë sikur numëronte ishujt. Tek ai ishulli aty, më thoshte duke treguar një copë tokë
të vogël dhe të shkretë, i mësova Sarës notin. Tek ai ishulli tjetër me pemë të larta, që duket si
një kokë njeriu e paqethur, i thashë Sarës se do shkonim në pyll të takonim nënën. Kurse atë
ishullin atje larg, që duket si një kuti e mbushur me arra, Sara nuk e pa se e kishte zënë gjumi në
krahët e mia. E lidhte gjithë udhëtimin me ty. Edhe po të m’i mbyllin sytë, më thoshte, e gjej
rrugën nëpër këto ishuj si Minotauri në labirintet e Kretës.
Natën, kur ishujt humbnin në errësirë, më tregonte historinë e jetës së vet. Udhëtimet në
Stamboll, kryengritjen e Halil Patronës dhe njohjen me Shebën në Lesbos. Nuk e donte Lesbosin
dhe thoshte se, në qoftë se nuk do kishin ndaluar në atë ishull, Sheba nuk do kishte vdekur. Por
as Sara nuk do kishte lindur, thoshte, dhe unë nuk di kë të zgjedh mes të dyjave. Kur erdhëm
këtu ndryshoi mendje dhe mua m’u duk se iu kthye dëshira për të jetuar. Do pres sa të martohesh
ti, më tha kur e pyeta.
Marina në atë kohë ishte shtatëmbëdhjetë vjeç. Nuk kishte nevojë që ai të më bindte sepse unë u
marrosa kur e pashë dhe ia thashë Arianitit. Në këtë ishull ose vdes, ose lind, më tha. Ai priti sa u
martuam dhe ditën e dasmës sonë qeshte si një fëmijë. Trupi i ishte dobësuar, por këmbët e gjata
e mbanin dhe dukej sikur ecte mbi dy pemë që i kishte sjellë nga fshati. Pas një viti lindi djali im
dhe unë i thashë se doja ta quaja Arianit. Babai yt nuk foli, por unë e ndjeva se kjo gjë i pëlqeu.
Nuk ka vend në Kretë për dy Arianitë, më tha duke qeshur. Është koha për të vdekur.
Arianiti i vogël lindi me flokë të zinj dhe këmbë të gjata. Sot është njëzet e shtatë vjeç sa ç’isha
unë kur erdha në Kretë. I mban flokët e gjata dhe Tereza thotë se i ngjan babait tënd sepse nuk di
vetëm atë që do bëjë vetë, por di edhe atë që do bëjnë të tjerët. Kur Arianiti e pa të mbështjellë
me pelena e puthi dhe tha: Arianit Komneni do jetojë deri ditën që turqit do kthehen andej nga
kanë ardhur. Të nesërmen më thirri dhe më tha: Erdhi koha. Ishte veshur me rroba të reja dhe
flokët i kishte lidhur me një fill të zi.
Shkuam te varrezat ku ishte nëna jote dhe e morëm. U ngjitëm në mal. Poshtë nesh deti dukej si
një gjithësi dhe askund nuk dukej tokë. Në majë të malit ishte një fshat i braktisur dhe afër tij
ishte një pllajë mbi të cilën ishin disa gurë varresh. Ishin njëmbëdhjetë shqiptarët që babai i
Arianitit kishte dërguar në Kretë për të ndaluar pushtimin e turqve. Mes tyre, e dija që ishte edhe
vëllai i tij, që i kishte pasur sytë jeshilë si unë dhe si babai i Arianitit. Kur shkuam në fund të
pllajës, Arianiti ndaloi dhe më tha: Këtu do më varrosësh bashkë me Shebën. U ul në gjunjë dhe
pastroi një nga një dhjetë gurët e varreve që ishin aty. Ia kalonte dorën sipër dhe dukej sikur u
fliste të gjithëve. Njëlloj si ditën e fundit në fshat, m’u duk si një gjeneral që ka ardhur të takojë
ushtarët e vet. Unë rrija në këmbë si i ngrirë dhe ai më tha: Njëri nga këta është vëllai im. Qeshi
pak me vete dhe shtoi: Pati dy herë më shumë fat se unë. I kishte sytë jeshilë dhe vdiq duke
luftuar.
Unë mora lopatën që kisha marrë me vete dhe hapa një gropë të vogël për eshtrat e Shebës dhe
pastaj edhe një gropë më të madhe për trupin e Arianitit. Ai shikonte detin, ndërsa unë djersija në
diell dhe qaja. Nuk e kuptoja nëse po bëja një mëkat apo një detyrë. Sido që të ishte, nuk mund të
kundërshtoja sepse për këtë gjë më kishte marrë me vete. E kundërta do ishte një tradhti. Kurrë
nuk e kisha menduar se do hapja varrin e gjyshit tim që rrinte i qetë duke më pritur dhe herë pas
here kthente kokën nga unë sikur maste përmasat e gropës me sy. Po priste të mbaroja unë që të
vdiste.
Unë punova një kohë të gjatë dhe më dukej sikur çdo vonesë ia zgjaste atij jetën. Kur mbarova, u
ula në buzë të greminës. Nuk ishte lartësia, por ankthi i asaj që po bëja që ma mori mendjen dhe
sytë m’u errësuan aq sa për një çast m’u duk sikur do bija në fund të detit. Arianiti kishte marrë
eshtrat e Shebës të futura në një thes dhe po i vendoste qetësisht në gropën e vogël. Unë shikoja
detin poshtë këmbëve që vareshin në ajër dhe nuk e ktheja kokën. Kisha turp, si një njeri që
përgjon një takim dashurie. Dëgjoja lëvizjen e duarve të Arianitit që pasi kalonin mbi trupin e
Shebës, i ngrinin eshtrat, një nga një. Duart e tyre bashkoheshin si në një përqafim. Kur e mbuloi
varrin e saj më thirri. Ishte i qetë dhe i heshtur si çdo njeri që vdes kur të dojë. Tani ik, më tha,
dhe eja nesër të më mbulosh.
Unë i putha duart, por nuk ika. U fsheha në një nga shtëpitë e braktisura dhe fillova ta shihja.
Arianiti qëndroi gjatë në buzë të greminës. Trupi i thatë i lëkundej nga era dhe unë mendova se
do hidhej në det. Dikur lëvizi dhe eci nëpër pllajë sikur kërkonte diçka. Gjeti një gur të madh
gjithë nyje, e këqyri nga të katër anët, e ngriti dhe e vuri mbi varrin e mbuluar të Shebës.
Pastaj mori një gur tjetër dhe e afroi te varri i tij. U mendua një copë herë duke parë detin. Një
tufë dallëndyshesh kaluan mbi mal. Arianiti ngriti kokën dhe mua m’u duk sikur qeshi.
Dallëndyshet u rrotulluan disa herë dhe pastaj u sulën në drejtim të detit duke u ndarë si copat e
një pasqyre. Ai mori një gur të vogël me majë dhe filloi të shkruante diçka mbi gurin e Shebës. E
mbaroi, i kaloi dorën sipër për t’i hequr pluhurin dhe shkroi diçka edhe mbi gurin e tij.
Kur ra muzgu, u ngrit në këmbë dhe qëndroi disa çaste pa lëvizur. M’u duk sikur po falej. Dielli
ishte ulur shumë në perëndim dhe një hënë e pastër si një pjatë me qumësht po ngrihej mbi
greminë. Arianiti eci në drejtim të varrit të vet dhe u shtri aty bashkë me diellin që u zhyt në det.
Unë u rrëqetha. Doja të ulërija, por kisha frikë mos e ngrija nga varri. E dija që po të më dëgjonte
do dilte që andej dhe do më qetësonte. Mund ta bëja, por nuk kisha guxim t’ia prishja vdekjen.
Mbeta gjithë natën në shtëpinë e braktisur. Që aty, deti shihej pjesërisht, ndërsa hëna e kuqe
dukej si një mollë e kafshuar.
Kur zbardhi, prita sa dielli u ngrit plotësisht dhe u afrova me hapa të vegjël drejt gropës së
Arianitit. Ai kishte kryqëzuar duart mbi gjoks, ndërsa sytë i kishte mbyllur. I vura dorën mbi
ballë, por ai nuk lëvizi. Edhe nëse ishte gjallë nuk do t’i hapte sytë. Mora dhe me duar dhe ia
hodha sipër me kujdes duke i mbuluar në fillim trupin dhe pastaj fytyrën. Ai nuk i lëvizi qepallat
as kur dheu i kaloi mbi sy. Unë nuk qaja dot. Duhet ta mbaroja detyrën time deri në fund. Ai
varrim kishte qenë i tmerrshëm, por Arianiti e kishte parashikuar deri në detaje dhe prandaj ishte
i përsosur. Po të ishte gjallë në ato çaste, ndoshta tallej me mua kur ndiente dorën që më dridhej
duke kaluar ngadalë mbi trupin e tij. Ndoshta thoshte me vete: Pse e mora me vete këtë frikacak?
Pasi e mbulova, ngrita gurin që ai kishte zgjedhur dhe që rrinte aty duke më pritur. Sipër tij
shkruhej: 1770. Ishte viti që kishte zgjedhur Arianiti për të vdekur. Në varrin ngjitur me të kisha
parë një numër të ngjashëm. I hodha një sy. Aty shkruhej: 1670. ishte viti i vdekjes së të vëllait
dhe dhjetë burrave të tjerë që kishin vdekur njëqind vjet përpara në Kretë. Pranë varrit të
Arianitit ishte varri i vogël i Shebës që dukej sikur kishte mbështetur kokën tek ai. Lexova atë që
kishte shkruar: ti më jep nxehtësi. Dukej si një letër dashurie dhe unë e dija ç’do të thoshte. Ishte
një varg i Safos që Sheba ia recitonte Arianitit kur dashuroheshin në Lesbos. Qëndrova dhe pak
në majë të pllajës derisa dielli filloi të më digjte kurrizin.
Arrita në shtëpi pasdite. U shtriva në dhomë dhe fillova të qaja me vete. Marina më pyeste, por
unë nuk dija si t’ia tregoja atë që kisha bërë në mal. Një muaj nuk dola nga shtëpia. Sytë e
palëvizur të Arianitit me dilnin çdo çast përpara. Po sikur të ishte gjallë kur unë e mbulova me
dhe?
Isaku mbaroi dhe futi në gojë një lugë reçel. Ishte i qetë, megjithëse sytë i mbante në tokë sikur
kishte frikë të shikonte Sarën. Ia kishte varrosur babanë, por nuk ia kishte vrarë. Cili djalë apo
nip nuk do ta kishte bërë atë që bëri ai? Në atë rast, detyrën dhe mëkatin i ndante një fill shumë i
hollë si ai që kishte lidhur Arianiti te flokët, por pesha e detyrës ishte më e rëndë se pesha e
mëkatit dhe ajo e kishte shtyrë Isakun të hapte varrin e gjyshit të gjallë me lopatë. Ai shkonte një
herë në vit në mal dhe pastronte varrin duke fshirë me dorë pluhurin që ngjitej nga gremina dhe
duke këputur barin që dilte mbi tokë si flokët e gjatë të Arianitit. Ai nuk besonte se i ngjante
gjyshit dhe kur mbushi pesëdhjetë vjeç iu duk vetja i vjetër. Po të vdiste ai, varri i Arianit
Komnenit do harrohej. Mendoi t’i bënte një pllakë të madhe guri dhe t’ia shkruante emrin sipër,
siç bënin të gjithë me njerëzit e vdekur, por hoqi dorë.
Arianiti kishte zgjedhur të varrosej në majë të malit, jo rastësisht. Mund të varrosej me Shebën
në çdo varrezë të Kretës dhe të rrinin aty sa të donin pranë qindra grekësh apo venecianësh që
shekujt ia kishin caktuar si komshinj. Mes tyre mund të kishte të varfër, të pasur, të rinj, pleq,
fëmijë, gra, marinarë, tregtarë, poetë, princa, luftëtarë apo tradhtarë. Këtë short e hidhte perëndia
dhe të gjithë e pranonin. Por pikërisht këtë gjë nuk donte Arianiti. Perëndia nuk mund t’i
caktonte ditën e vdekjes dhe aq më pak shokët e varrezës. Ai donte t’i zgjidhte të vdekurit me të
cilët do të kalonte pjesën tjetër të jetës. Dhe i zgjodhi. Zgjodhi njëmbëdhjetë shqiptarët që
mbetën në ishull duke mbrojtur krishterimin nga turqit. Koha dhe fati i kishin lënë ata anonimë
dhe Arianiti ishte pajtuar me këtë harrim. Nuk kishte rrugë tjetër për të ndenjur me ata burra në
përjetësi. Ata e pranonin, por pa emër. Arianiti kishte marrë me vete Shebën dhe kishte lënë
emrin. Harresa do ishte më e ëmbël dhe më e durueshme me Shebën aty afër. I kishte vënë vetes
një numër njëqind vjet më të madh se numrin që kishin varret e atyre burrave, si për të thënë se
lufta e tyre e përbashkët kishte zgjatur njëqind vjet.
Arianit Komneni donte që bota ta dinte këtë detaj të jetës së vet. Bora, që kalonte çdo ditë poshtë
varrit të tij hipur në anijet që vinin dhe iknin në Kretë, dikur do ndalej aty, ndoshta kur turqit të
iknin. Nuk ishte pak po t’i nderonin si njerëz që luftuan njëqind vjet si të ishin profetë sepse
vetëm profetët bënin luftëra aq të gjata.
Ndërsa Isakun e kishte marrë atje lart për diçka tjetër. Kishte një njeri që ai duhej ta priste në
ishull dhe t’i tregonte varrin. Bota mund ta harronte profetin, por ajo nuk mund ta harronte
babanë. Kjo ishte Sara dhe ajo kishte ardhur.
Tani rrinte përballë tij me këmbët mbledhur dhe me faqet e skuqura siç e kishte parë për herë të
fundit në oborrin e shtëpisë, duke pritur që Arianit Komneni dhe Ali Tepelena të ndanin fshatin
me marrëveshje mes Krishterimit dhe Islamit. I mungonte vetëm gërsheti i zi që duhej ta kishte
lënë në shtëpi.
Sara lëvizi dhe mori një lugë reçel. Duhej të ishte e hutuar sepse kishte marrë lugën e tij. Fytyra i
ndriçohej nga dielli i fortë i drekës aq sa Isaku mezi e dallonte. E dija që do vdiste kështu, foli
Sara me buzët e ngjitura me reçel. Isaku e pa me habi dhe iu duk se ajo kishte qenë në mendimet
e tij. Babai nuk erdhi rastësisht në Kretë, vazhdoi Sara. Edhe sikur ti të mos vije në fshat nga
Voskopoja, ai do të ikte një ditë për të varrosur veten dhe nënën në atë vend. Bashkë me Mihalin
i kemi bashkuar me dhjetëra herë copat e katrorit të jetës së tij për të kuptuar magjinë e Arianit
Komnenit. Kur babai iku nga fshati unë mbeta në mjegull. Ai nuk më tha ku do shkonte dhe unë
nuk e dija nëse do isha e aftë ta gjeja se ku kishte shkuar. Në qoftë se një ditë do të më gjesh do
të thotë se do të të duhem. Kaq më tha dhe iku. Unë u martova, linda një vajzë dhe babai u largua
edhe më shumë nga unë. Kujtimi i tij filloi të dilte ngadalë nga jeta ime si një hije që del nga
dhoma kur hyn dielli. Vajza, familja dhe fshati e mbushnin gjithë ditën dhe natën time. Por, pasi
erdhi Mihali, filloi të kuptoj se kisha mbetur si një pemë, e cila ushqen gjethet e veta duke
harruar se ushqimi i vjen nga rrënjët. Mihali më fliste për babanë dhe mua m’u duk se në të
vërtetë ai zë vinte nga rrënjët, duke më kujtuar se nga kishte ardhur në fshat trungu i pemës sime.
Mihali më shtynte dhe unë ndihesha e pasigurt deri ditën që zbuluam katrorin magjik që ti dhe
babai kishit vizatuar në kishë. E ndërtuam atë katror duke bashkuar të vërtetat e pjesshme që
dinim dhe çdo gjë u bë e qartë. Ju ishit në Kretë dhe kishit ikur bashkë. Unë zbulova babanë,
ndërsa Mihali zbuloi djalin.
Isaku lëvizi në karrigen ku rrinte. Për cilin katror flet, e pyeti Sarën duke e ndërprerë. Për
katrorin magjik që kishte gdhendur babai në murin e kishës, tha Sara. Na e tregoi ustai që kishte
thirrur babai për të ndërtuar kishën. E kam parë, tha Isaku. Një natë shkuam bashkë me Arianitin
në kishë dhe ai ma tregoi duke e ndriçuar me qiri. Por aty nuk kishte katror. Kishte vetëm një
fjalë, Kreta, që Arianiti e kishte shkruar me dorën e vet për të nderuar kujtimin e burrave të
fshatit që vdiqën këtu. Ai më tha se kishën ia kishte dedikuar atyre burrave si një monument që
fshati ua kishte borxh. Katror nuk kishte deri ditën kur ne ikëm dhe unë nuk kam shtuar asnjë
presje në atë gur.
Sara ndjeu këmbët t’i ftohen kur kujtoi Metodin dhe Mihalin që mbushnin katrorët magjikë duke
plotësuar njëri-tjetrin. Sa herë që bllokohej Metodi, leximin e fjalëve të padukshme e vazhdonte
Mihali dhe anasjelltas. Metodi kishte zbërthyer logjikën e numrave, ndërsa Mihali kishte gjetur
enigmën e emrave të shkruar nga poshtë-lart dhe nga e djathta në të majtë. Në fund të fundit pse
duhej që babai të vizatonte një katror misterioz duke i lënë fjalët bosh sikur donte ta torturonte?
Ndërsa Isaku kishte thënë se ai kishte qëndruar i fshehur në bodrumin e shtëpisë dhe jo në kishë.
Kishën e kishte parë vetëm një natë kur aty e kishte çuar Arianiti për t’ia treguar si një statujë
nderi që e kishte ndërtuar me duart e tij.
Mihali dhe Metodi e kishin mbushur katrorin shpejt pavarësisht se, ndërsa ata flisnin, asaj i ishte
dukur sikur po i kalonte gjithë jeta përpara. Ata ishin sjellë si dy magjistarë që bënin të njëjtin
numër në çdo qytet, përballë fëmijëve që ktheheshin në shtëpi dhe nuk i zinte gjumi nga magjia.
Është e pamundur, tha Sara që dukej sikur foli me vete. Çfarë është e pamundur, e pyeti Isaku që
nuk po e kuptonte. Sara u ngrit dhe shikoi nga dritarja. Mblodhi si në një shportë udhëtimi copat
e kujtesës së saj, duke filluar me fjalët e Naumit, ecjen e shpejtë drejt kishës, pastaj dorën e
dridhur të Mihal Komnenit mbi portik, merimangën që iu ngjit atij pas mjekrës, pastaj katrorët e
vegjël brenda katrorit të madh, fjalët dhe numrat që shkruante dhe fshinte Metodi mbi dërrasën e
zezë dhe drita që vinte nga dritarja ia ndriçoi kokën si një diell. Filloi të qeshte me vete dhe u
kthye nga Isaku që e shikonte i hutuar.
Katrorin e ka vizatuar Mihali me Metod Antrakidin, tha dhe qeshi me zë të lartë. Iu duk vetja e
tallur nga ata dy pleq që me sa duket kishin ardhur në fshat për t’i mësuar asaj rrugën drejt
babait. Por ajo nuk bindej dhe ata ishin sjellë me të si me çdo fëmijë tjetër. Kishin gjetur një
lodër për ta joshur që ajo t’i ndiqte pas. Katrori ishte një lodër. Magjia e tij ishte e vërteta. Mihali
dhe Metodi ia kishin thënë të vërtetën duke luajtur. Por kjo ishte një lojë e domosdoshme dhe
Sara ndjeu që i donte të dy edhe më shumë. Po të ishin aty do t’i kishte puthur dhe syzet e
Metodit me siguri do ishin mbushur me avull. Janë tallur me mua, i tha Isakut dhe filloi t’i
tregonte katrorin me numrin trembëdhjetë që Mihali thoshte se e kishte ndërtuar ai. Sara fliste me
pasion duke lëvizur duart mbi dritaren e hapur që dukej si një katror i mbushur me gjethe arre.
Isaku e dëgjoi deri në fund duke qeshur. Nuk mund të ishte ndryshe, tha kur Sara mbaroi. Metodi
ishte matematicien dhe katrorët e tij në Voskopojë ishin të famshëm. Ai imitonte Pitagorën dhe i
çonte grave katrorë magjikë të mbushur me fjalë dashurie që burat e tyre të mos i zbulonin dot.
Kur isha i vogël, ai vinte në shtëpinë tonë dhe më mësonte katrorë me numra. Katrori me numrin
trembëdhjetë është nga më të thjeshtët dhe besoj se ai dhe babai, nuk janë lodhur shumë për të
përshtatur Kretën me datat dhe emrat e familjes. Kur kanë parë se ti ishe e pavendosur janë
menduar derisa kanë gjetur mënyrën për të të bindur. Kanë ndërtuar katrorin dhe pastaj e kanë
gdhendur mbi portikun e kishës duke e futur fjalën që kishte shkruar Arianiti brenda tij dhe duke
shtuar vetëm numrin 13. këtë gjë e kanë sajuar që të dukej si e vërtetë dhe kur ti ke ikur e hutuar,
duke besuar se kishe zbuluar testamentin e babait tënd, me siguri kanë qeshur, por njëkohësisht
janë çliruar si të kishin përmbushur një detyrë fisnike.
Megjithatë, Mihali e dinte ku ishim ne. Kur ikën nga fshati, ne ndaluam në Korçë natën duke u
fshehur. Unë e dija që do ta gjenim aty dhe Arianiti i tha se do shkonim në Kretë. Atë natë unë
fjeta dhe ata të dy folën gjatë. Ndoshta Arianiti i ka thënë se ai duhej të kthehej në fshat dhe të
vigjilonte rritjen tënde. Ose, ndoshta, Mihaili ka ardhur vetë duke besuar se kështu po çonte deri
në fund dëshirën e babait. Në Voskopojë ai njihej për humorin e tij dhe nuk çuditem që është
sjellë kështu duke ta bërë jetën më të lehtë. Kur bënte shaka të rrezikshme merrte syzet e Metodit
që të mos njihej, derisa gjakrat të zbuteshin.
Sara vuri buzën në gaz dhe u kujtua që për shkak të Mihalit, gratë e Voskopojës i quanin të
dashurit e tyre Mektosyçka. Tani ndihej e çliruar. Reçeli ia kishte ëmbëlsuar gojën njësoj si
Mihali jetën në fshat. Po të mos ishte Mihali ndoshta nuk do vinte kurrë këtu. Në Kretë kishte
zbuluar katrorin e vërtetë. Arianit Komneni, Mihali, Isaku dhe Arianit Komneni i ri ishin brinjët
e të njëjtit katror që qëndronin të bashkuara në një trup, si dy duar dhe dy këmbë. Ata ishin katër
brinjët e një familjeje. I kishte njohur tre prej tyre dhe tani mbetej i katërti. Vështroi Isakun që
rrinte i ulur me këmishën e bardhë si një kujtim nga Voskopoja. Sytë e tij jeshilë ishin çelur
prapë dhe ndriçonin rrugën nga një brinjë e katrorit te tjetra.
Kur do më çosh te babai, e pyeti Sara. Kur të duash, u përgjigj Isaku. Por më parë duhet të takosh
Marinën dhe Arianitin. Ata kanë kohë që të presin. Sara pohoi me kokë. Dielli ngrohte rrugën,
ndërsa Kreta po kthehej nga porti. Njerëzit ktheheshin të ngarkuar dhe Sara mendoi se secili prej
tyre kishte marrë një copë të botës dhe po e çonte në shtëpi. Ndërsa ajo, kur të kthehej, do merrte
copat e humbura të familjes dhe do t’i çonte në fshat.
Kur ata dolën, Tereza ishte ulur tek arra e madhe. Dera e shtëpisë ishte e hapur dhe mbrëmja hyri
brenda si një zonjë e veshur me të zeza. Isaku përqafoi Terezën dhe faqet iu ngjitën pas buzëve të
saj me reçel. Ajo nxori një arrë nga përparësja me shumë xhepa dhe ia dha Sarës që e mbajti në
dorë deri në shtëpinë e Isakut buzë detit.
Shtëpia kishte një verandë të madhe që Marina e kishte mbushur me lule. Në vjeshtë kur lulet
thaheshin fletët e tyre binin mbi det dhe shkëlqenin si luspa peshku. Marina ishte e bukur siç
kishte thënë Tereza. Sytë e saj ishin të kaltër, ndërsa vetullat e holla ngjanin si kurora gruri.
Megjithëse ishte disa muaj më e madhe se Sara, buzët i kishte akoma të fryra dhe dukej sikur që
andej rridhte qumështi. Unë nuk i kam më buzët kaq të freskëta, mendoi Sara kur era e qumështit
i mbeti në faqen që puthi Marina. Ishte e gjatë dhe mbante një fund të shkurtër nga i cili dilnin dy
këmbë të drejta me mish.
Ndërsa Arianit Komneni ishte një gjë tjetër dhe Sara mendoi se po të kishte qenë vajzë nuk do të
ishte aq i bukur sepse në përgjithësi Komnenët i bënin djemtë më të bukur se vajzat. Flokët e
zeza i kishte zgjatur deri te supet dhe shpatullat e gjera e mbulonin detin kur ai dilte në ballkon.
Era që vinte nga deti i hynte në këmishë dhe gjoksi i tij i fryhej si një mushkëri delfini. Arianiti
ngrihej çdo mëngjes dhe shkonte në det. Sara e shikonte nga ballkoni sesi zhdukej, pastaj duart e
tij dilnin dhe kapeshin fort pas ujit duke e ngritur të gjithin lart. Unaza e Halil Patronës, që
Arianiti ia kishte dhënë Isakut dhe ky Arianitit, dilte mbi ujë dhe hurma e saj shkëlqente si një
guaskë prej dielli. Sara kishte parë peshkatarët që notonin në ishujt përreth anijes së Kretës, por
ajo që bënte Arianiti nuk ishte not. Babai i kishte thënë se të notosh do të thotë të puthësh detin
dhe pikërisht këtë bënte Arianit Komneni. Deti pranonte që ai ta puthte dhe përkëdhelej duke u
tundur dhe duke nxjerrë dallgët në breg. Isaku që rrinte në ballkon me Sarën, humbte duke
ndjekur të birin me sy dhe i thoshte Sarës së mrekulluar: E ka mësuar notin para se të lindte. Sara
kthente kokën dhe i dukej sikur zëri i Isakut vinte nga Voskopoja. Kur Arianiti dilte në breg, uji
që i rridhte në trup pikonte mbi gurët e plazhit që shndrisnin si diamante. Ai hynte në shtëpi dhe
Marina i jepte një peshqir, që dukej gjithmonë i vogël, për të tharë detin që ai sillte me vete.
Në mbrëmje uleshin në karriget e verandës. Isaku pinte verë të bardhë, ndërsa Sara hante pjepër
të verdhë që Marina e spërkaste me sheqer. Arianiti rrinte përballë tyre me fytyrën të kthyer nga
deti. Herë pas here shikonte andej, sikur priste të kalonte diçka dhe i thoshte Isakut: Kur turqit të
ikin nga ishulli, do kemi më shumë det për t’u larë dhe për të zënë peshq.
Isaku pinte pak verë nga gota e gjatë si këmbët e Marinës dhe i thoshte: Kështu mendoja edhe
unë kur isha sa ty. Voskopoja më dukej si një ishull që do ta kisha të gjithin për vete kur të iknin
turqit. Por turqit po rrinë shumë gjatë dhe nuk ka shenja se do ikin shpejt. Gjithandej njerëzit
janë lodhur dhe i kanë pushuar luftërat, ndërsa luftëtarët janë rralluar. Shqiptarët, që nuk kanë më
shpresë, po bëhen myslimanë, ndërsa grekët jetojnë duke u shitur turqve peshk. Kam frikë se
turqit nuk do ikin më kurrë sepse tani ne i kemi brenda vetes tonë. Ata na e kanë futur Islamin në
krevat, në shtëpi dhe në shpirt. Si mund të ndahet Sara nga e bija që është vajza e një myslimani,
apo babai im nga i vëllai që u bë mysliman për t’u hakmarrë ndaj babait të vet? Jemi shumë vonë
për t’u ndarë. Ata na kanë futur një kafshë të panjohur brenda në trup dhe ne nuk mund ta vrasim
dot sepse kështu plagosim veten. Jemi të detyruar të gjejmë paqe me trupin që të shpëtojmë
shpirtin. E në qoftë se duam të jetojmë në paqe duhet ta zbusim egërsinë e kafshës duke e
ushqyer me mishin e shpirtit tonë prej Krishti.
Isaku pushonte dhe vera e bardhë ia qetësonte gojën. Marina afronte pjepër me sheqer për të
ëmbëlsuar kujtimet por Arianiti nuk tërhiqej.
Voskopoja nuk kishte det si Kreta dhe prandaj nuk shpëtoi, i thoshte të atit. Turqit nuk kishin nga
të iknin dhe u bënë një me shqiptarët dhe sot nuk e di çfarë race jeton aty.
Isaku skuqej dhe damari i Marin Kurilës i dilte në qafë dhe ir rrotullohej si një shall i kuq.
Voskopoja nuk kishte det, por kishte libra, thoshte Isaku. Deti nuk e ka forcën e librit. Libri
mbetet ndërsa deti ikën. Deti është i të gjithëve, ndërsa libri është i më të diturve, që zakonisht
janë dhe më të fortët. Ne e kishim rrethuar Voskopojën me një ushtri librash dhe besonim se ajo
ushtri do t’i mundte të paditurit, jo duke i vrarë, por duke i bërë të ditur. Në Kretë njerëzit janë të
egër. Ata lindin dhe plaken duke menduar ditën kur do t’i hedhin turqit në det, pasi t’i kenë
therur si bagëti. Ndërsa në Voskopojë ne mendonim se si do t’i mësonim myslimanët të jetonin si
ne.
E di që ka shumë njerëz që thonë se, në qoftë se unë do kisha zgjedhur luftën para paqes,
Voskopoja do shpëtonte. Nuk do pendohem derisa të vdes dhe sikur të kem njëqind jetë do bëj
prapë të njëjtën gjë. Voskopoja nuk do shpëtonte siç nuk shpëton një libër që bie në fund të detit.
Por turqit nuk janë një dimër i përjetshëm dhe ia vlen të durosh duke përsosur artin e të jetuarit
në ishull. Kur ata të ikin ne do ta shkruajmë prapë librin që na humbi, por aty do të ketë edhe
disa faqe për turqit që nuk do vdesin më kurrë në kujtesën tonë.
Marina e priste pjeprin në copa të vogla që dukeshin si ishuj në pjatë. Sara shikonte qiellin me
yje dhe mendonte për Ana Komnenën. Ajo duhet të ishte akoma në oborrin e shtëpisë duke
numëruar të njëjtët yje. Hana qepte rroba fëmijësh, ndërsa Muhamedi me siguri po maste me
pëllëmbë rritjen e minares. Xhamia dhe kisha rrinin përballë si një trup dhe një shpirt. Rruga e
fshatit kalonte midis tyre. Sa herë që njerëzit faleshin, ato merrnin frymë si dy deve me qafa të
zgjatura mbi shkretëtirë. Disa faleshin duke u kthyer nga perëndimi, të tjerët nga lindja dhe
devetë nuk mërziteshin. Ato do bënin çdo gjë që të mbeteshin në shkretëtirë, sepse askund tjetër
nuk mund të jetonin. Duke përcjellë në shtëpi ndonjë vajzë nga fshati, Paridi kalonte aty çdo
natë, pa e pasur mendjen. Ana Komnena rrinte në oborr duke pritur Sarën. Kur të lodhej do ulej
në stolin e Ibrahimit dhe kur të vinte Muhamedi do ta pyeste për lartësinë e xhamisë, ndërsa
Hana do bënte kryqin mbi barkun që nuk i rritej.
Në Kretë, anijet po kalonin mbi ballkonin e shtëpisë dhe pjeprat e prerë e kishin thithur sheqerin
si sfungjer. Marina ishte e lodhur dhe nuk do ngrihej më t’i spërkaste pjeprat. Isaku e kishte
mbaruar verën e bardhë, ndërsa Arianit Komneni ishte ngritur në këmbë dhe kontrollonte detin
sikur priste një sinjal. Përballë tyre, brigjet e Azisë ndizeshin si flakë dhe ai i mbyllte sytë që i
digjnin. Kur Sara shkonte në dhomë dëgjonte Marinën që i thoshte Isakut: Pse i the djalit që
turqit nuk do ikin. Ti e di që ai mërzitet. Isaku lëvizte nëpër dhomë duke parë Azinë nga dritarja,
siç bënte në Voskopojë kur filluan zjarret e mëdha dhe thoshte: Është akoma i ri dhe nuk ka hyrë
në moshën kur burrat fillojnë të mërziten. Sara shtrihej dhe duke menduar për Ana Komnenën e
zinte gjumi. Nata e saj në Kretë kalonte shpejt sepse ëndrrat ishin të gjata. Ajo shkonte në breg
duke ecur me hapa të vegjël dhe futej në ujë. Në fillim, deti i arrinte deri te gjunjët pastaj ngrihej
mbi kraharor derisa i prekte mjekrën. Pas saj vinte Isaku me këmishën e bardhë që i ngjitej pas
trupit. Sara hapte krahët sikur po fluturonte dhe kur binte ndiente dorën e madhe të Isakut që e
mbante mbi ujë, si një varkë. Në breg, Arianit Komneni qeshte dhe thoshte: Lëre të notojë vetë
se tani është rritur. Sara habitej që babai i kishte thënë Isakut ta linte vetëm në mes të detit dhe
dilte me vrap në breg duke përplasur këmbët pas dallgëve si një fëmijë i llastuar. Por, kur
afrohej, kuptonte se babai nuk ishte aty dhe ai që kishte folur ishte Arianit Komneni i ri që
zhdukej si dallgë, në drejtim të anijeve. Atëherë asaj i dilte gjumi, por mëngjesi nuk kishte
ardhur ende.
Sara doli në verandë dhe priti Isakun. Kur ai u ngrit nga gjumi, ajo i tha: Pashë babanë në ëndërr,
po na pret. Isaku veshi këmishën e bardhë dhe pantallonat e zeza, ndërsa Sara mori arkën e vogël
që e mbante poshtë krevatit dhe u nisën.
Deti ishte i qetë sepse qielli ishte i qetë. Rruga për në mal dukej si një litar që i mbante bashkë.
Po të pritej ai litar, bota do ishte një shtëpi pa tavan dhe pa themel.
Isaku ngjitej përpara dhe Sara e ndiqte. Poshtë tyre, Kreta peshkonte në det.
Ishte një ditë e nxehtë dhe njerëzve nuk u hahej peshk. Megjithatë, peshkatarët dilnin në det
sepse nuk mund të bënin ndryshe. Ata jetonin për të peshkuar dhe peshkonin për të jetuar. Ata që
nuk peshkonin, laheshin, sepse në ishull të gjithë dinin not. Sara kaloi arkën e vogël në dorën
tjetër. Arka tundej nga lindja në perëndim dhe peshonte, megjithëse ishte bosh.
Mali ishte i mbushur me pupla dallëndyshesh dhe Sarës iu duk sikur po shkonin në vendin ku
Dedali mblodhi puplat për krahët e të birit. Kur u afruan te pllaja, Isaku ndaloi. Nga humnera
vinte një erë e lehtë që fishkëllente si muzikë meshe. Një tufë dallëndyshesh që kishin ndaluar
aty kërcyen dhe zbritën në det duke i lënë vetëm. Ajo eci me hapa të vegjël në drejtim të varreve.
Prindërit ishin aty, të rrethuar me bar. Sara u ul në gjunjë dhe fshiu pluhurin mbi fytyrat e tyre
prej guri. E kishte marrë malli për babanë, ndërsa nënën nuk e kishte parë kurrë kaq afër. Pa
shkrimin e babait mbi trupin e nënës dhe ndjeu një nxehtësi që i vinte nga sytë. Kishte ardhur t’i
fuste të dy në arkën e vogël, por katër numrat mbi varrin e babait dukej sikur i thoshin të
kundërtën. Jo pa qëllim, mbi varrin e tij, ai kishte shkruar një datë që lidhej, si qielli me detin, me
një datë tjetër. Po të mos ishin katër numrat mbi barin anonim, lufta e Kretës nuk do kishte
fillim, sepse nuk ka lindje pa një datë. Por po të mos ishin katër numrat mbi varrin e babait lufta
nuk do kishte fund sepse nuk ka mbarim pa një datë. Midis atyre dy datave shtrihej Arianit
Komneni. Ai kishte vdekur duke besuar se lufta me turqit do kishte një fund, siç kishte pasur një
fillim.
Sara lëvizi mbi gjunjë dhe pastroi pluhurin e kohës edhe nga varret e tjerë. Luftëtarët nga fshati
kishin qenë njëmbëdhjetë dhe bashkë me nënën dhe babanë bëheshin trembëdhjetë. Ajo ndjeu
Isakun që merrte frymë pas kurrizit të saj dhe iu kujtua trembëdhjeta e katrorit magjik. Sekreti i
atij numri ishte aty. Ndoshta, nga poshtë tokës, babai e shikonte dhe qeshte si një Krisht i lumtur,
i rrethuar nga dymbëdhjetë apostujt e tij. Po ta merrte në fshat do duhej ta ndante nga ata. Ajo do
rrinte me babanë, por apostujt do mbeteshin pa Krishtin e tyre, si luftëtarë pa një prijës. Ktheu
kokën nga Isaku dhe e pa gjatë në sy. Ai shkuli një tufë me bar mbi varrin e Arianit Komnenit
dhe e hodhi në humnerë. Fijet e bari u shpërndanë në ajër dhe Sarës iu duk sikur ato ishin
trembëdhjetë. Ajo ishte mësuar të numëronte dallëndyshet që fluturonin, por jo fijet e barit që
binin në det. Qëndroi edhe pak e ulur në gjunjë, pastaj mori arkën e vogël dhe shkoi në buzë të
humnerës. Isaku e pa dhe fytyra i shkëlqeu. Sara zgjati dorën mbi humnerë dhe kur e lëshoi
arkën u ndie më e lehtë, si një njeri që ka humbur një peshë të tepërt. Arka u rrotullua disa herë
në ajër sikur ishte çliruar nga një dorë që e kishte mbajtur njëqind vjet me vete.
Sara mori frymë thellë dhe pa horizontin që lidhte lindjen me perëndimin. Zjarret në brigjet e
Azisë turke iu dukën më të vogla, sikur po shuheshin. U kthye nga ana tjetër dhe pa një varkë të
vogël që kishte ndaluar në mes të detit. Në atë drejtim ishte perëndimi dhe fshati. Kur të kthehej
në fshat, Ana Komnena do qeshte kur t’i thoshte se e kishte humbur arkën e vogël. Po ta pyeste,
Sara do t’i thoshte se e kishte humbur ngaqë nuk i duhej. Por Ana Komnena nuk do ta pyeste.
FUND