Sara u zgjua herët në mëngjes sepse iu duk sikur po e thërrisnin. Hapi derën e shtëpisë dhe pa dy
burra që po rrinin nën shi. Ishin lagur dhe rrobat i ishin ngjitur pas trupit. Njëri prej tyre ishte i
gjatë, me shpatulla të gjera dhe flokë të bardha, saqë Sarës i kujtoi Arianit Komnenin. Tjetri ishte
më i vjetër, i dobët dhe supet
i kishin rënë edhe më poshtë nga pesha e shiut. Kur e panë, ata nuk lëvizën dhe Sara u afrua. Ti je Sara, e pyeti burri me flokë të bardha. Po, tha Sara, duke e parë në sy. Unë jam Mihal Komneni, vëllai yt, tha burri dhe duke qeshur i afroi kokën e lagur. Kur hynë brenda, Sara i dha të dy burrave një peshqir për të fshirë flokët. Mihali ia dha peshqirin burrit tjetër dhe i tha Sarës: Është mësuesi im, Metod Antrakidi. I kanë mbetur pak flokë dhe do ma kthejë peshqirin të thatë. Metodi e mbështolli kokën me peshqir dhe mbeti për një çast i mbuluar, si një grua në xhami. Kur hoqi peshqirin, Sarës iu duk si një njeri tjetër. Sytë i kishte bojë qielli dhe rrudhat e shumta i dukeshin si kanale të gjata mbi një bukë të pjekur fort. Lëkurën e kishte të verdhë dhe flegrat e hundës të mëdha dhe të mbushura me qime të bardha. Pasi fshiu kokën, teshtiu fort për të nxjerrë ujin nga hundët dhe i tha Mihalit: Sara duket sikur është vajza jote. Mihali qeshi i përkëdhelur, por Metod Antrakidi ngërdheshi fytyrën sikur ia kishte hedhur tjetrit dhe shtoi: Në të vërtetë i ngjan më shumë gruas tënde. Por Mihal Komneni nuk u mërzit dhe vazhdoi të qeshte duke parë pa pushim Sarën që i rrinte përballë. Sara nuk e kishte takuar Mihal Komnenin. Kur ajo kishte ardhur në fshat, ai jetonte në Voskopojë. Arianit Komneni thoshte se Mihali ishte djali që i ngjante më shumë, por, ndryshe nga ai, ishte dembel dhe nuk udhëtonte. Mihali e njihte botën nga leximet në Akademinë e Voskopojës ku kishte ikur kur ishte shtatëmbëdhjetë vjeç. Pse jeni futur në shtëpinë e Mihalit, e pyeti ai Sarën. Duhet ta dijë që jam martuar prandaj m’u drejtua në shumës, mendoi Sara. E blemë këtë shtëpi dhe vendosëm ta bashkojmë me shtëpinë tonë. Mihali vdiq dhe i biri e shiti se i duheshin para. Metodit i dhembin kockat dhe kjo do të thotë se shiu do vazhdojë edhe disa kohë. Nuk do hyni dot në shtëpinë e re përpara tetorit, tha Mihali duke parë rreth e rrotull. Kam qenë në këtë shtëpi. Herën e fundit kam qenë këtu disa ditë përpara se Mihali të martohej me Zoicën. Po Zoica si vdiq, pyeti Mihali. Vdiq nga kolera që ra para tre vjetësh, tha Sara. Në atë kohë vdiq edhe Gjergji. E kam marrë vesh, tha Mihali ftohtë. Do kisha ardhur para tre vjetësh, po të mos mbylleshit në karantinë. I keni groposur thellë bagëtitë që ngordhën nga kolera, pyeti Metodi Antrakidi. Besoj se po, tha Sara. Burrat e fshatit hapën një gropë të madhe, e spërkatën me disa pluhura, e lyen me gëlqere dhe atje i hodhën kafshët. Mihali shikonte Sarën dhe ajo priste që ai ta pyeste për Ibrahimin dhe Anën. Përderisa e di që ka vdekur Gjergji duhet të dijë edhe ç’ka ndodhur më pas, mendonte ajo. Por Mihali kishte mbështetur kokën pas murit dhe dukej sikur nuk ishte në dhomë. Metod Antrakidi, që nuk fliste, rrotulloi sytë nëpër shtëpi dhe pa një kanistër të mbushur me libra. U afrua dhe ngriti njërin. Nxori një palë syze nga xhepi i setrës dhe kur i vuri tha: Aleksiada e Ana Komnenës. Di të lexosh, pyeti Sarën. Po, tha Sara. Ka shkollë në fshat, u habit Metodi duke ngritur vetullat mbi syzet e rrumbullakëta. Jo, tha Sara, mua më ka mësuar im atë të lexoj. Mihali ngriti kokën dhe u përqendrua. Të tha babai se ku do shkonte, pyeti Sarën me një fytyrë që dukej krejt tjetër nga ajo e mëngjesit. Jo, tha Sara, nuk më tha. Nuk besoj të ketë shkuar në ndonjë manastir megjithëse gjithnjë thoshte se do donte të vdiste në manastir, siç bënin shumica e perandorëve të Bizantit. Babai u hidhërua shumë kur Gjergji u bë mysliman dhe ndoshta ndërroi mënyrën e vdekjes, tha Sara. Arianit Komneni nuk ishte nga ata që ndërronte mendje nga myslimanët, tha Mihali. Edhe po të mos bëhej Gjergji mysliman, ai do gjente një vend të panjohur për të vdekur. Besoj se nuk ka dashur ta shihnin se si do vdiste. Momentet e dobëta të jetës së vet nuk i ka ndarë me asnjeri dhe vdekjen ai e quante një dobësi të pashmangshme. Po ti, e pyeti Sara sikur donte t’i thoshte, a ke ardhur për të vdekur në fshat, por e la pyetjen në mes, sepse Mihali e kuptoi dhe i tha: Unë dhe Metodi kemi ardhur për verim në fshat. Në Janinë bënte vapë dhe erdhëm këtu për t’u freskuar, por nuk e dinim se binte shi. Kur u dogj Voskopoja në 1769, ne ikëm të fundit kur humbën shpresën se do mund ta ringrinim Akademinë dhe mund të rifillonim shtypjen e librave. Nxënësit nuk vinin më në shkollë nga frika dhe tregtarët e pasur firaksën sa në Korçë sa në Rumani dhe Vjenë. Para se të iknim, Metodi ishte i vetmi mësues dhe, kur mërzitej duke folur me vete, më ulte në bankë si para dyzet vjetësh. Ai më pyeste dhe unë përgjigjesha. Për ca kohë shkuam në Korçë, pastaj në Rumani dhe katër vitet e fundit u vendosëm në Janinë. Deri para disa muajsh, Metodi jepte mësim në gjimnazin e qytetit, por e pushuan se u plak. Fshati nuk ka ndryshuar shumë. Kishën nuk e kisha parë. Sot në mëngjes shkova në shtëpi, por dera ishte e mbyllur. Shkova në shtëpinë e Gjergjit të kërkoja Hanën, por edhe atje nuk kishte njeri. Hana ishte në shtëpinë e burrit. Ajo më tha se kyçet e shtëpisë sonë i mban ti. Do rrini aty, e pyeti Sara. Prandaj kam ardhur, tha Mihal Komneni. Sara u ngrit e shkoi në dhomën e gjumit. Hapi një nga sëndukët që kishte marrë nga shtëpia e Arianitit dhe mori tre kyçe, të cilët, nga vapa, ishin ngjitur. Kur Sara i nxori në dritë, ata u ndanë nga njëri-tjetri dhe u lëshuan si të çliruar. Ibrahimi që ishte zgjuar, po luante me Ana Komnenën. Ka ardhur njeri, e pyeti. Ka ardhur im vëlla, Mihali. Ibrahimi e pa sikur ta pyeste çne, por Sara i tha të rrinte shtrirë se Mihali do ikte pas pak në shtëpinë e Arianitit. Janë shumë tre kyçe për një shtëpi të braktisur, tha Mihali kur mori kyçet që i djersitën dorën. I pari është i derës së jashtme, i dyti i derës së brendshme dhe i treti i dhomës së babait, tha Sara. Zgjidh njërin nga të tre, i tha Mihali Metod Antrakidit, duke ia afruar kyçet në fytyrë. Metodi vuri syzet e rrumbullakëta dhe preku të parin. Të kisha thënë se do flesh në oborr, i tha Mihali dhe filloi të qeshte. Sara i përcolli deri te gardhi. Metodi eci përpara, ndërsa Mihali ndali hapat dhe i tha Sarës: Nuk e pashë tët bijë. Sarës iu duk sikur fliste me Arianit Komnenin dhe një lëmsh iu mblodh në grykë. Do vij më vonë t’ju sjell drekën dhe Anën, tha dhe i kapi dorën të vëllait. Mihali i buzëqeshi dhe vazhdoi pas Metodit që ecte ngadalë nëpër kalldrëmin e lagur. Sara i ndoqi me sy derisa iu afruan kishës. Nga larg iu dukën si dy ikona që po dilnin nga kisha për të vizituar fshatin. Kur u kthye në shtëpi, Ibrahimi po e priste. Mihali ka ardhur me mësuesin e vet nga Voskopoja, i tha ajo. Të pyeti për mua, tha Ibrahimi. Jo, tha Sara, më pyeti për Anën. Në drekë Sara mori Anën dhe një trastë ku futi lakror, mish të pjekur me pilaf dhe u nis. Shiu vazhdonte dhe dera e madhe e shtëpisë mjaulliu kur ajo e shtyu dhe u fut brenda. Mihal Komneni ishte shtrirë pranë vatrës i mbuluar me një velenxë të kuqe. Flokët e bardhë dhe të lëshuar ishin përzier me thekët e velenxës. Po të prisja, i tha dhe e mori Anën e ngriti në ajër dhe filloi ta shikonte si një pikturë. Vajza u frikësua nga lartësia dhe e kapi Mihalin fort nga flokët. Është e pasigurt si një çifute dhe e kujdesshme si një myslimane, tha Mihali dhe i puthi hundën. Po unë si jam, e pyeti Sara duke qeshur. Mihali uli Anën në tokë dhe e pa të motrën si një libër. Ti je e heshtur si një e krishterë dhe djallëzore si një Komnene. Kurse ti je cinik si një arianit dhe i dashur si një refugjat, tha Sara dhe filloi të shtronte tryezën e madhe me këmbë të gdhendura. Më kishte marrë uria, tha Mihali. Metodi po fle në dhomën e babait dhe unë do ha sa të dua. Ka për të dy, tha Sara. Mihali filloi të hante ngadalë dhe shikonte Anën që fshihej e turpëruar pas këmbëve të tryezës. Pilaf i shkëlqyer me erëza, tha Mihali duke shijuar gjellën. Gatuan si nëna jote. Babai më shkruante se u dashurua me atë grua kur e pa si gatuante. Por unë besoj se ai do ta dashuronte njëlloj edhe sikur ajo mos gatuante. Më thoshte ashtu sepse kishte qejf t’i gjente një motiv artistik gjërave që bënte. Një herë më tha se fjeti me një grua në Napoli vetëm se fundi i saj me bojëra iu duk si bisht palloi. Gjente arsye të vogla sa herë bënte punë të mëdha. Nuk e kam njohur nënën, tha Sara, por Mihali nuk dëgjoi. Kur më mori me vete në Berat, te Sabatai Zevi, më tha: Hajde të shikosh sesi vdiq si mysliman një profet çifut. Të ka folur për Sabata Zevin? Jo, tha Sara, nuk më ka përmendur këtë njeri. Mihali la pjatën, u shtri pranë vatrës dhe u mbulua me velenxën e kuqe. Duhet ta dish këtë histori sepse kështu do kuptosh pse babai nuk u dashurua me nënën tënde vetëm kur provoi gjellët e saj. Sarës iu bashkuan vetullat e errëta, por Mihali kishte filluar. Ti je gjysmë çifute dhe duhet ta dish se çifutët janë një popull që e lexojnë të ardhmen në të shkuarën e tyre. Me Testamentin e vjetër ata i kanë dhënë botës djepin e të gjitha feve të mëdha, por jo vetëm kaq. Testamenti është një hartë e ndarjes së botës nga profetët dhe për shkak se njerëzit i besuan shumicës së tyre, kjo ndarje vazhdon edhe sot. Sabatai Zevi ishte një çifut që bindi miliona njerëz se ai ishte profet, por meqë koha kur ai jetoi nuk ishte si ajo e mijëra vjetëve më parë besimi tek ai nuk solli ndonjë ndarje të madhe, por solli një mënyrë jetese nën një regjim të ashpër islamik. Ai mund të ishte vërtet profet, por kur ai lindi koha e profetëve kishte mbaruar. Sabatai Zevi lindi në ditën e nëntë të muajit të nëntë çifut në vitin 1626 në Izmir të Turqisë. Që këtu, unë besoj se fati i tij i keq ishte i shkruar sepse Turqia e sotme nuk është një tokë që pjell profetë. Kur ishte i ri, Sabatai jetoi i izoluar dhe pati çrregullime të shpeshta psikike për shkak të të cilave u konsiderua një njeri i çuditshëm dhe po aq i frikshëm. Sidoqoftë, ai duhet të ketë qenë një djalë shumë i bukur, orator i përkryer me një zë të fortë muzikor, të cilin e përdorte për të fanepsur vajzat dhe djemtë e moshës së tij. Në shkollë Sabatai Zevi udhëhiqte shokët e tij çifutë në rituale të disiplinuara fizike të frymëzuara nga Libri i Toras së lashtë siç ishin larjet kolektive në det gjatë dimrit, ecje lakuriq në fushat përreth qytetit, këngë mistike etj. Kur mbushi 18 vjeç, Sabatai Zevi u bë rabin. Deri në moshën 24 vjeçare u martua dy herë dhe të dy herët u nda. Për disa vjet udhëtoi në Egjipt, Palestinë dhe sidomos në Greqi e më së shumti jetoi në Selanik ku që nga viti 1400 më shumë se gjysma e qytetit ishin çifutë. Në Selanik ai gjeti një bashkësi çifute të trembur nga të krishterët, por edhe nga myslimanët dhe shumë shpejt u bë frymëzues i tyre. Në vitin 1664 Sabatai u martua me një vajzë jetime që quhej Sara. Sara ishte më pak se 20 vjeç dhe prindërit e saj ishin vrarë në masakrën e vitit 1648 në Ukrainë. Duke qenë jetime, vajza kishte udhëtuar nëpër Evropë ku e kishin rritur bashkësitë e ndryshme çifute dhe për këtë shkak ishte e njohur për lirinë e saj seksuale. Sabatai Zevi kishte dëgjuar se Sara kishte thënë se ishte e shkruar se ajo do martohej me Mesian. Dërgoi njerëz në Itali ku ajo jetonte në atë kohë dhe u martua me të në Kajro. Dasma e tij me Sarën bëri zhurmë, por Sabatai Zevi tha se ai kishte vepruar si profeti Osea, i cili shtatëqind vjet para Krishtit ishte martuar me urdhër të Zotit me një vajzë të përdalë. Bashkimi me Sarën e qetësoi për disa kohë Sabata Zevin nga çrregullimet mendore që i përsëriteshin vazhdimisht dhe ai vendosi ta kuronte marrëzinë e tij. Shkoi në Palestinë për të takuar Natanin, që ishte një rabin i njohur për ritet e tij kabalistike, si dhe për të çliruar shpirtrat e njerëzve përmes praktikave të çuditshme mistike. Kur u takuan, Natani i Gazës pa një ëndërr në të cilën Sabatai Zevi ishte Mesia që prej mijëra vitesh priste populli çifut. Natani i tha Sabatait se ai nuk vuante nga ndonjë sëmundje njerëzore krizat e së cilës mund të kurohen me ilaçe, por shenjat që ai shfaqte ishin cilësi të një vullneti hyjnor. Natani shpalli se Sabatai Zevi ishte Mesia dhe duke qenë një njeri me influencë njerëzit e besuan. Në maj të vitit 1665 Sabatai Zevi, me bekimin e Natanit, u shpall zyrtarisht Mesia dhe zgjodhi 12 apostujt e tij, të cilët përfaqësonin 12 popujt e Izraelit. Ai shkoi në Jerusalem dhe njëlloj si Jezu Krishti i hipi një gomari mbrapsht dhe u rrotullua shtatë herë përqark mureve të qytetit. Fjalët u hapën në gjithë Evropën për një profet që bënte mrekulli dhe i cili do drejtonte çifutët të përbërë nga tributë e humbura të Izraelit. Rabinët e Jerusalemit u shqetësuan, e shanë dhe e kundërshtuan Sabatai Zevin duke e quajtur një profet të rremë. Pas disa ditësh e dëbuan dhe Sabatai u rikthye në Izmir, në qytetin e tij të lindjes, ku njerëzit ia kishin falur marrëzitë e rinisë. Aty ai u prit si një mbret shpëtimtar dhe dalja e njerëzve në rrugë për të parë Sabatain shkaktoi rrëmujë dhe eksitim kolektiv. Sabatai Zevi, i ekzaltuar, e udhëhoqi turmën e mijëra çifutëve drejt një sinagoge dhe aty ai filloi të sillej si Mesia duke ia shpërndarë mbretëritë e botës pasuesve të tij. Sabatai caktoi Ditën e Shpëtimit, e cila do të ishte 18 qershori i vitit 1666. tri gjashtat në traditën e krishterë që rrjedh nga hebraizmi janë konsideruar si numri i djallit dhe i shkatërrimit të botës, apokalipsit. Por Sabatai Zevi bënte një interpretim tjetër duke i bindur pasuesit e tij se dita e tri gjashtave ishte dita e madhe e ndryshimit të botës. Ai zgjodhi muajin qershor që është muaji i gjashtë dhe datën 18 që është shuma e tri gjashtave të vitit 1666. në 1 janar 1666 u nis nga Izmiri me një anije në të cilën kishin hipur qindra dishepuj të tij. Udhëtimi i një anijeje me çifutë, kryetari i marrë i të cilëve thoshte se do t’i merrte kurorën sulltanit dhe se do shkatërronte Perandorinë Otomane, natyrisht që i acaroi turqit. Kur anija u afrua në ngushticën e Dardaneleve, turqit e ndaluan dhe e arrestuan Sabatai Zevin. Atë ditë në Stamboll pati përleshje. Mijëra çifutë, kryesisht gra, që kishin dalë në port për të pritur Sabatain u goditën nga turqit. Gratë ulërinin dhe thoshin se ato ishin thirrur nga një zë hyjnor, i cili kishte muaj që u fliste për mbërritjen e Mesias. Asnjë çifut tjetër që nga koha e Moisiut nuk i kishte frymëzuar aq shumë çifutët që sipas Testamentit ëndërronin prej shekujsh shpëtimtarin e Izraelit. Në vitin 1666, kryevezir i Perandorisë Turke ishte një shqiptar, Fazil Qyprilliu, i cili më vonë pushtoi edhe Kretën. Fazil Pasha nuk ishte aq i egër sa i ati, Mehmet Qyprilliu dhe ishte tolerant ndaj arteve dhe lirive fetare. Fazili u mor vetë me çështjen e Sabatai Zevit, të cilin fillimisht e burgosi në Edrene bashkë me pasuesit e tij. Në burg, Sabatait iu la liri e plotë dhe aty ai vazhdonte të predikonte misionin e tij. Në shtator të atij viti, Fazil Qyprilliu e nxori Sabatai Zevin përpara një gjykate perandorake në Edrene duke e akuzuar për kërcënim të rendit otoman. Me urdhër të Fazil Pasha Qyprilliut, Sabatait iu tha se kishte dy mundësi: ose të vdiste si çifut, ose të jetonte si mysliman. Sabatai Zevi pranoi të dytën. E dërguan përpara Sulltanit dhe u bë mysliman, vuri një çallmë në kokë dhe u quajt Aziz Mehmet Efendi. Dragomani i Madh, në shtëpinë e të cilit jetoi babai kur ishte në Stamboll, i kishte treguar atij se në atë ceremoni konvertimi merrte pjesë edhe Fazil Qyprilliu. Fazili duke qeshur i kishte thënë Sabatai Zevit: Islami e mësoi synetllëkun nga çifutët, kështu që ti u bëre mysliman pa dhimbje. Kishte të drejtë, sepse Sabatai Zevi, si gjithë çifutët, ishte synet dhe prerja e lëkurës iu kursye. Lajmi se Sabatai Zevi u bë mysliman i tronditi pasuesit e tij në gjithë botën. Shumë prej tyre e mohuan dhe rabinët që e kishin luftuar në Jerusalem, në Selanik dhe Izmir thanë se kjo provoi se Sabatai ishte një mashtrues. Mirëpo Sabatai nuk hoqi dorë. Ai tha se kishte marrë një porosi hyjnore për të ndërruar identitetin e tij dhe se tani ai do të vazhdonte misionin duke vepruar në zemrën e armikut. Sabatai Zevi, megjithëse mysliman, vazhdonte të shkonte nëpër sinagoga ku ai ndiqte ritet e tij fetare siç kishte bërë gjithmonë. Shumë çifutë që jetonin nën Perandorinë Turke e besuan dhe ndoqën shembullin e tij. Në Selanik, qytet që Sabatai e kishte shpallur të shenjtë, të paktën 400 familje çifute u bënë myslimane. Shumë shpejt lindi një sekt i ri çifutësh të konvertuar, të cilët u quajtën Dönme, që në shqip do të thotë “ata që u kthyen”. Për shumë vjet Sabatai Zevi udhëtoi me çallmë në kokë duke vizituar bashkësitë çifute në shumë qytete të Perandorisë. Ai hiqej si mysliman, por zhvillonte një aktivitet prej çifuti heretik. Sabatai e ktheu në një fe të re Dönmen e tij. Ai i ndryshoi dhjetë urdhëresat e librit të Moisiut, të shenjta për çifutët dhe ndërtoi një urdhër që bazohej në 18 rregulla. Këto rregulla i përfshijnë dhjetë urdhëresat bazë, por disa prej tyre i zbusin si dhe shtojnë disa norma që rregullojnë bashkëjetesën mes sabatistëve, turqve dhe çifutëve. Sabatai Zevi kishte praktikuar gjithmonë praktika seksuale të lira gjatë jetës së vet, për të cilat ai ishte i famshëm. Ndryshe nga dhjetë urdhëresat e ashpra të librit, në rregullat e tij ai nuk e konsideronte tradhtinë bashkëshortore një mëkat që duhej ndaluar. Në Selanik, ku Sabatai ndenji disa vjet pasi u bë mysliman, ai krijoi festën e qengjit, e cila, sipas riteve të lashta, mbahej në pranverë. Në këtë ditë, dy ose më shumë çifte të martuara hanin mish qengji dhe pastaj zhvisheshin dhe përziheshin pa dallim me njëri-tjetrin duke bërë dashuri. Fëmijët që lindnin nga këto bashkime të panjohura konsideroheshin të shenjtë. Në Selanik shumë fëmijë janë ngjizur nëpër këto mbrëmje dhe kur më vonë disa prej tyre kërkuan të bëheshin prapë çifutë, rabinët i kundërshtuan sepse atësia e tyre ishte e pasigurt. Shumë shpejt Sabatai Zevi u bë i padëshirueshëm për turqit dhe i urryer për çifutët. Të parët e kuptuan se ai nuk e praktikoi dhe nuk e besoi kurrë Islamin, ndërsa të dytët Sabatai i fyente vazhdimisht duke i rekrutuar me praktika të padenja. Turqit dhe çifutët i kërkuan Portës së Lartë të ndalonte veprimtarinë e Sabatait dhe Fazil Qyprilliu e internoi atë në Berat ku dhe vdiq më 1676. Në Berat kishte një bashkësi shumë të vogël çifute, por babai thoshte se Fazil Qyprilliu e degdisi Sabatain në Berat për ta shpëtuar. Shqiptarët nuk ishin as të krishterë dhe as myslimanë të devotshëm dhe asnjëra palë nuk do t’ia kishte kërcënuar jetën Sabatai Zevit. Por në Turqi Sabatai u kthye në një mit, sidomos për të rinjtë e shkolluar myslimanë, të cilët besonin te një shoqëri më e lirë. Për shumë turq të rinj sabatizmi ishte një islam i reformuar, që mund ta ndryshonte shpejt Perandorinë e ndryshkur, duke e afruar me Evropën e kulturuar. Këto rrethe ishin të forta dhe të organizuara në formën e shoqërive të fshehta në Stamboll, kur babai shkoi në vitin 1704. Ai u njoh me disa turq sabatistë që ishin miq të Dragomanit të Madh, në shtëpinë e të cilit ai qëndroi. Dragomani i Madh e kishte takuar vetë Sabatai Zevin dhe njihte shumë nga pasuesit e tij. Arianiti besonte se Sabatai Zevi, në fund të fundit, ishte përpjekur për rrëzimin e rendit islamik dhe në qoftë se kjo realizohej bota do të ishte më e qetë me një ndarje mes çifutëve dhe të krishterëve, fetë e të cilëve kishin rrënjë të njëjta. Babai tregonte se në ato vite Stambolli ishte një qytet i mbushur me shoqëri të fshehta që frekuentoheshin nga të rinj myslimanë, por edhe nga artistë evropianë dhe çifutë, nga shkrimtarë dhe teologë gjithfarësh. Dragomani e kishte prezantuar babanë si pasardhës të një familjeje fisnike shqiptare dhe kjo i dha atij mundësi të njihej me kapriciot fetaro-kulturore të Stambollit. Njëherë ai ishte ftuar në një prej takimeve të fshehta të sabatistëve, të cilët bënin plane për të rekrutuar sa më shumë myslimanë turq që punonin në administratë dhe sidomos në ushtri. Arianit Komneni u bë edhe më interesant kur sabatistët morën vesh se ai ishte nga Shqipëria, vend në të cilin kishte vdekur Mesia i tyre. Ata i kërkuan babait që kur të shkonte në Shqipëri t’i dërgonte të dhëna për ditët e fundit të Sabatai Zevit në Berat si dhe të pyeste nëse dorëshkrime të tij kishin mbetur gjëkundi. Në një nga këto takime, Arianit Komneni duhet të ketë takuar edhe nipin e Sabatai Zevit që jetonte në Selanik, por vinte shpesh në Stamboll i ftuar nga ithtarët e gjyshit të tij. Siç të thashë, Sabatai u martua me Sarën dhe patën një djalë. Kur Sabatai u bë mysliman ai jetoi pjesën më të madhe të kohës në Selanik, ku u rrit i biri. Pas vdekjes së të atit, ai u martua me një çifute greke dhe patën dy djem. Arianiti ka njohur më të madhin prej tyre që nuk ishte bërë rabin si gjyshi, por merrej me tregti. Ky i kërkoi Arianitit që ta ndihmonte për të marrë eshtrat e gjyshit në Berat dhe për ta varrosur atë në Izmir ku varri i tij do të kthehej në një qendër pelegrinazhi për gjithë sabatistët e Perandorisë. Shoqëria sabatiste e Stambollit, me lidhje të forta në shtetin turk, i përkrahte këto plane sepse mendonte se rikthimi i Sabatai Zevit në Turqi do t’i shtonte radhët e sabatistëve. Në këtë mënyrë babai u bë pjesë e dy grupeve të fshehta që vepronin në Stamboll në atë kohë. Njëri ishte një grup Komnenësh me në krye Gjergj Brankoviçin, të cilët kishin shpresë në një kryengritje antiotomane në Ballkan. Shumica e Komnenëve të ardhur nga Evropa ishin nga familje fisnikësh nga Italia dhe Franca dhe një pjesë prej tyre, bashkë me Gjergj Brankoviçin, ishin masonë të rregullt që besonin se bota duhej të drejtohej nga një rreth familjesh të mëdha që kishin lidhje gjaku me njëra-tjetrën. Grupi tjetër ishin sabatistët, të cilët ishin myslimanë turq dhe çifutë që donin një Turqi më të fortë dhe më tolerante të ngritur mbi normat e Sabatai Zevit. Babai thoshte se këta të dytët ishin më të organizuar, ndërsa të parët ishin më romantikë. Por të dy grupet ishin kundër Islamizmit të ashpër dhe kjo duhet t’i ketë shijuar Arianit Komnenit. Kur iku nga Stambolli dhe erdhi në fshat, babai duhet të ketë shkuar në Berat dhe ka mbajtur lidhje me sabatistët e Stambollit dhe sidomos me nipin e Sabatai Zevit që jetonte në Selanik. Herën e dytë që babai shkoi në Stamboll ka qenë i ftuar në një mbledhje sabatistësh, e cila nuk u bë për shkak të rebelimit të Halil Patronës. Shumë sabatistë atëherë u burgosën dhe u vranë dhe shoqëria u shpërbë pasi me rënien e Ahmetit III, radikalët islamikë u forcuan dhe vepruan kundër shoqërive të fshehta që kërkonin një islam më tolerant. Gjëja e parë që bënë ata ishte shkulja e tulipanëve që kishte mbjellë në kopshtet e Stambollit, Ahmeti III, për të cilat besohej se ishin një simbol sabatist. Sabatistët e konsideronin veten si masonë myslimanë dhe mënyrën e organizimit dhe simbolet i kishin përshtatur nga ata, duke i ndryshuar. Masonët kishin si simbol të tyre trëndafilin, ndërsa sabatistët zgjodhën tulipanin. Thonë se kishte qenë një këshilltar çifut i Sulltanit, ai që e kishte bindur ta zbukuronte qytetin me tulipanë. Kur u nis në vitin 1730, babai kaloi nga Selaniku dhe bashkë me nipin e Sabatait udhëtuan të dy në Stamboll. Kryengritja e Halil Patronës i kapi në befasi dhe babai shpëtoi duke i thënë jeniçerëve se ishte shqiptar, ndërsa nipi i Sabatait humbi dhe duhet të jetë vrarë në ato ditë rrëmuje. Ky çifut ishte babai i Shebës, të cilën Arianit Komneni e kishte takuar kur shkoi në Selanik në shtëpinë e mikut të tij, nipit të Sabatai Zevit. Sheba, nëna jote është stërmbesa e Sabatai Zevit. Velenxa e kuqe i kishte rënë Mihal Komnenit te këmbët dhe kur pushoi ai e ngriti pak. Vetullat e zeza të Sarës ishin kryqëzuar dhe sytë i ishin skuqur. Kur Mihali fliste, ajo mendonte se pse po ia tregonte ai atë histori, por kurrë nuk kishte besuar se fundi i saj ishte ajo vetë. Nuk e besoj dot, tha Sara, babai do ma kishte treguar. Mihal Komneni buzëqeshi, largoi velenxën dhe u afrua tek ajo. Fytyra e tij ishte e qetë dhe e bardhë. Babai nuk të ka fshehur gjë. Ai të ka thënë se është dashuruar me nënën tënde në Stamboll dhe se babai i saj ishte një tregtar çifut nga Selaniku. Kjo është e vërtetë. Sa të thashë, babai m’i ka treguar kur shkuam bashkë në Berat për të gjetur varrin e Sabatai Zevit. Por kjo ndodhi përpara se ai të shkonte në Stamboll për herë të tretë në 1753. ndoshta, kur u kthyem nga Berati ai mund t’i ketë shkruar Shebës, vajzës së mikut të tij, për t’i thënë se nuk arritëm dot ta gjenim varrin mbi të cilin ishin ndërtuar shtëpi dhe shumë pak ishin ata që e mbanin mend, ku ishte varrosur Sabatai përpara shtatëdhjetë vjetësh. Sabatai kishte jetuar në një shtëpi jashtë qytetit, sepse si një i internuar nuk ishte pranuar brenda në Berat. Fshati i tij quhej Bilce dhe ishte pas një kodre që ngrihet mbi lumin që ndan të krishterët me myslimanët e Beratit. Ne nuk e gjetëm dot varrin, por babai mendoi se fshatarët nuk donin të na e tregonin. Myslimanët e Beratit nuk e kishin gëlltitur kurrë faktin që një heretik si Sabatai ishte internuar në qytetin e tyre, i cili gjithmonë kishte pasur grindje fetare. Disa vjet para se të shkonim në Berat, ishte vrarë një murg, i cili më parë kishte qenë mysliman dhe pastaj ishte bërë prapë i krishterë. Të krishterët e konsideronin shenjt Shën Nikodhimin, të cilit iu pre koka pasi refuzoi të mohonte Krishtin. Disa të krishterë thoshin se çifutët donme të Beratit kishin folur kundër tij dhe se Nikodhimi kishte qenë për vete një donme gjatë kohës që ishte një mysliman i martuar me një grua nga fshati ku kish jetuar Sabatai. Edhe të krishterët, edhe myslimanët nuk i honepsnin donmet, të cilët ishin izoluar pas vdekjes së Sabatait. Një plak na tha se Sabatai disa kohë kishte udhëtuar deri në Ulqin, por gjatë kohës që qëndroi në Berat rrinte në shtëpi dhe shkruante. Kur mësuan se ne ishim të krishterë donmet e Bilces u frikësuan dhe nuk na lejuan të hyjmë në shtëpinë ku kishte jetuar Sabatai dhe ku besohet se kanë mbetur disa dorëshkrime si dhe sende të tij. Për të gjitha këto babai duhet ta ketë njoftuar Shebën me letra dhe ajo duhet t’i jetë përgjigjur. Por siç të thashë, kur ne shkuam në Berat, ai nuk kishte asnjë marrëdhënie me Shebën përveçse e kishte parë në shtëpinë e babait të saj në Selanik. Çfarë do ndodhte më vonë ai nuk e dinte. Pasi linde ti, unë bëra lidhjen me ato që dija. Kur e pyeta se si dhe pse u dashura me Shebën, ai më tha se ajo i kishte kërkuar atij ta ndihmonte për të gjetur eshtrat e humbura të babait të saj në Stamboll. Edhe vetë Arianiti e kishte amanet nga nëna e tij, që të sillte në fshat eshtrat e babait të vet dhe kështu vendosi të shkonte me vajzën e mikut të tij. Ajo shkoi në Stamboll bashkë me burrin e saj, i cili administronte biznesin e familjes, gjë që provon se babai dhe Sheba nuk kanë pasur asnjë lidhje mes tyre përpara këtij udhëtimi. Në kohën që ai dhe Sheba kërkonin eshtrat e baballarëve nëpër Stamboll, Jorgo Mavromatisi, burri i saj,u njoh me disa tregtarë turq, të cilët i ofruan atij verë me çmim shumë të lirë. Shitja e verës në atë kohë ishte e ndaluar me një ferman të Sulltanit dhe magazinat e Stambollit ishin plot. Babai i mori eshtrat e gjyshit tonë, ndërsa Sheba nuk gjeti asnjë gjurmë të babait të vet të humbur gjatë revoltës së Halil Patronës. Kur u kthyen, pas disa muajsh, për në Selanik, Jorgon e arrestuan për kontrabandë pijesh të ndaluara në Lesbos dhe atje babai qëndroi me Shebën për të mos e lënë vetëm. Duke pritur lirimin e Jorgos, ata u dashuruan dhe shkuan në Kretë ku linde ti. Aty vdiq dhe nëna jote. Ti i di të gjitha këto me siguri. Babai nuk ta ka treguar prejardhjen e Shebës duke e ditur se ti do ta gjeje vetë një ditë, kur të kërkoje rrënjët e tij. Megjithatë, kjo pjesë nuk ishte shumë e rëndësishme sepse ai nuk u dashurua me stërmbesën e Sabatai Zevit, por me një grua që i pëlqeu, në një ishull ku nuk njihte asnjeri tjetër. Pavarësisht se mua më tha se u dashurua me një grua që gatuante shumë mirë, ai u dashurua me një grua të palumtur nga martesa e saj, e cila, me sa duket, e gjykonte botën njëlloj si ai. Kur babai iku nga fshati, ti ishe jo më shumë se pesëmbëdhjetë vjeç dhe ai nuk donte të të tregonte anët e errëta, të cilat, vetëm rastësisht, ushqyen dashurinë e tij me nënën tënde. Hija e Sabatai Zevit do ta kishte prishur shijen e asaj dashurie njëlloj si një piper që prish shijen e një ëmbëlsire. Po ashtu babai nuk të tha se ku do shkonte të vdiste, duke qenë i bindur se kur të rriteshe, ti do të ndiqje udhëtimin e fundit të tij, siç bëri edhe ai me gjyshin tonë dhe siç bëri nëna jote me babanë e saj. Po nëse nëna ime rrjedh nga Sabatai Zevi, pse nuk duhej të ma tregonte ai këtë gjë, ngulmoi Sara që fliste shpejt duke pritur arsyetimin e Mihalit. Sepse ajo nuk është një histori për fëmijë, e dashur motër, tha Mihali. Megjithëse në rininë e tij Arianiti, nën ndikimin e shokëve të tij, mund të jetë ngazëllyer nga aventura e Sabatait, ai mendonte se në fund të fundit Sabatai Zevi ishte një mashtrues dhe nuk donte që ti të ngrije botën tënde mbi këtë model marrëzie. Unë nuk gjej një arsye tjetër. Ose ndoshta babai e ka ditur që një ditë ne do takoheshim dhe unë, si i vetmi njeri që dija lidhjen e tij me sabatistët dhe për shkak të tyre edhe me Shebën, do ta ballafaqoja pjesën time të së vërtetës me tënden. Ndoshta e ka menduar kështu, tha Mihal Komneni që pushoi pak sikur po mendohej. Kur ta takosh Sarën do kuptosh se një Komnene e mbjellë në një vazo hebraike, del më e bukur se fara që e mbolli. Kështu më thoshte para se të nisej. Tani më duket sikur babai më shtynte drejt një qëllimi: se si të takohesha me ty kur ai të mos ishte më. Ja pse erdha tani. Prita, sa u rrite, sepse doja të shihja një Komnene që ka çelur, pasi im atë e mbolli në një vazo çifute. Tani ke çelur, tha Mihali dhe i vuri Anës dorën mbi kokë, sikur po e ujiste. Po ti ke ardhur ta krisësh këtë vazo, e pyeti Sara që i kishte sytë e përlotur. Aspak, tha Mihali me zë të ëmbël, kam ardhur të të them se nga cila farë ke mbirë. Duke e ditur, do rritesh më e fortë dhe do jesh gati për të ndjekur rrënjët e tua. Më duket sikur ti e di ku është babai, e pyeti Sara që ishte ngurtësuar dhe kishte mbledhur duart mbi kraharor. Jo, tha Mihali. Ndoshta ai nuk do që ne ta marrim vesh se ku ka shkuar, tha Sara. Mihal Komneni ngriti kokën dhe e pa Sarën sikur donte t’i vidhte një sekret. Erdha mbrëmë në fshat, foli ai. Shtëpia ishte e mbyllur dhe shkova te Hana. Ajo më tha se çelësat e shtëpisë Arianiti t’i kishte lënë ty. Doja të vija që mbrëmë t’i merrja, por kur ajo më tha se yt shoq është bërë mysliman, ndërrova mendje dhe fjeta tek ajo. Unë nuk e kisha parë kurrë Hanën. Babai e donte shumë dhe luante me të. Por ai thoshte se ndryshe nga gjithë Komnenet, kur ajo humbte, e linte lojën pa u ankuar. Ashtu m’u duk dhe mua. Është shumë e bukur, si nëna e vet, por është pa humor, si i ati. M’u duk sikur e përdor bukurinë që ka si një mobilie për të dekoruar shtëpinë. Nuk mendon shumë dhe kjo e mban ende të freskët. Flet shkurt dhe përgjigjet vetëm kur e pyesin. Kur e pyeta për babanë ajo më tha se ditën që iku ai kishte thënë se ti e dije se ku do të shkonte. Hana është e bindur se ti e di, por nuk e thua. Por ajo beson ato që dëgjon pa u përpjekur të gjejë kuptimin e vërtetë të fjalëve. Hana ka luajtur, por nuk ka biseduar me Arianitin dhe prandaj nuk mund ta kuptoje se çfarë ka thënë ai. Sipas teje, çfarë ka thënë babai, pyeti Sara. Ka thënë që ti duhet ta zbulosh se ku ka shkuar, duke ecur mbi gjurmët e jetës së tij. Ti më provove se unë nuk i di të gjitha gjurmët, tha Sara. Unë të dhashë një gjurmë dhe ato që kanë mbetur duhet t’i gjesh duke ndjekur shenjat. Unë jam një shenjë, por nuk jam e vetmja dhe as e fundit, tha Mihali. Cilat shenja, pyeti Sara. Shenjat që ai ka lënë mbi njerëzit dhe veprat që krijoi, ia ktheu Mihali. Po më thua të lexoj një nga një gurët e kalldrëmeve që shtroi në fshat, apo të shikoj si rrjedh uji në çezmat pre guri që ndërtoi dhe të përpiqem të kuptoj se në cilin breg të botës mbaroi udhëtimi i Arianit Komnenit, pyeti Sara me nerv dhe iu kujtua Ibrahimi, që thoshte se Arianiti i kishte trajtuar më mirë kalldrëmet se njerëzit. Kaq shpejt u lodhe, e cyti Mihali që kishte marrë pamjen e një njeriu që e ka tërhequr gjahun aty ku do. babai të ka treguar për prejardhjen e Komnenëve dhe dashurinë e tij me nënën tënde, por kjo është njësoj si të kënaqesh me rrotullimin e dallëndyshes në një ditë vere, pa e kuptuar se sa shumë rrugë ka bërë për të ardhur mbi qiellin tënd, se nga cilët dimra ka ikur, se si ka humbur shoqet nëpër cikna, se si i ka shpëtuar rrebesheve mbi oqeane, se si ka plagosur krahët në stuhi, se si i ka dredhuar zogjve grabitqarë, se si në lartësi është dashuruar, duke harruar se mund t’i merreshin mendtë, se si është çlodhur nga dashuria duke u mbështetur mbi krahët e të dashurit, se si e ka ngritur folenë e vet duke i ngjitur tullat e saj me gojë, se si i ka ushqyer të vegjlit duke këputur mish nga mishi i saj, se si ka rënë, është ngritur dhe prapë ka rënë dhe prapë është ngritur, derisa ka vendosur të niset për udhëtimin e fundit, pasi mjeshtërinë e jetës ia ka mësuar edhe foshnjave të veta. Dallëndyshja e di që nuk mund të vdesë pa i rritur fëmijët e vet dhe kur është e sigurt se kjo ka ndodhur zgjedh një vend për të vdekur, të cilin askush nuk e di. Kush më thotë ku është varri i dallëndyshes? Askush. Vetëm të vegjlit mund ta gjejnë atë nga shenjat që ka lënë në ajër, nga aroma e kashtës së folesë, nga puplat që kanë rënë rrugës, nga drejtimi i erës, nga gjethet e pyllit që imitojnë krahun e nënës së tyre dhe pa dyshim nga nevoja që ka çdo qenie e gjallë për të kuptuar se aty ku mbaron udhëtimi i prindit fillon udhëtimi yt, sepse bota jeton përmes vazhdimësisë së trashëgueshme. Unë erdha që në mëngjes për të fjetur këtu por nuk më lanë shenjat e tij. Hija e babait, gjurma e tij në oborr, shija e arrave që hante, flokët e bardhë mbi velenxë, një cep i përthyer libri, palosja e çarçafit dhe plloça e ciflosur nga këmba e tij nuk më lanë të flija. I ndoqa gjithë ditën për të kuptuar më shumë. Nuhata, shijova, preka, pashë dhe dëgjova. Do isha nisur duke ecur pas këtyre shenjave deri në fund të botës, po të mos e kuptoja se Arianit Komneni nuk më pret mua, por ty. Ai të pret ty, sepse ti i ndryshove drejtimin jetës së tij dhe ai ka vazhduar në atë drejtim, si një dallëndyshe që e di se, po ndryshoi rrugën, të vegjlit që i vijnë pas, do ngatërrohen. Kam kohë që e mendoj, por sot, kur shtriva trupin tim aty ku babai është shtrirë për herë të fundit, kuptova se unë nuk jam udhëtari, por jam shenja. Kam ardhur si një shenjë që ti të më lexosh dhe të vazhdosh rrugën, dallëndyshja ime. Mihal Komneni kishte marrë një ngjyrë purpuri dhe flokët i ishin shpupuritur, si në një fluturim. I rregulloi me ngadalë me dorën e madhe si krehër dhe e pa Sarën me sy të çmallur. Babai më mësoi të eci, ti po më mëson të fluturoj, tha Sara dhe u ngrit. Do donte të rrinte akoma me të vëllanë, ta përqafonte ashtu siç nuk kishte pasur rast ta bënte kur ishte e vogël, por e dinte që në krahët e tij do qante duke derdhur lotët e gjithë fëmijërisë së vet që kishte kaluar shumë shpejt, duke u mbajtur në krahët e babait që fluturonte nga dimri në verë dhe nga furtuna ën qetësi. Mori Anën për dore dhe, duke dalë, iu duk sikur dëgjoi zërin e Mihalit që thoshte: Dallëndyshja i lë shenjat në ajër. Ngriti kokën lart, por shiu i rrëshqiti mbi faqe. Si lot. Duke ecur, këmba iu pengua në një gur kalldrëmi që ishte më i madh se të tjerët. Nuk jam akoma gati t’i ndjek të gjitha shenjat, tha Sara me vete dhe shtrëngoi fort dorën e Anës që ishte zgjuar drejt saj në errësirë.