Kur pellgjet jeshile u thanë, Naumi dhe Andrea erdhën në fshat. Naumi kontrolloi gropën e
gëlqeres, ndërsa Andrea hoqi katramanë dhe u zhvesh në dhomën e gjumit të Sarës. Trupi i tij me
muskuj dukej si një pemë brenda shtëpisë pa çati.
Paska rënë shumë shi, i tha Naumi Ibrahimit
duke nxjerrë një dërrasë të lagur nga gropa e gëlqeres. Kur mbaron, e pyeti Ibrahimi që rrinte në
mes të oborrit. Po hodhëm çatinë deri në fund të gushtit, në shtator i bashkojmë dy shtëpitë dhe
në tetor secili nga djemtë e tu do ketë dhomën e vet.
Pas disa ditësh mbi shtëpi u dukën trarët e çatisë. Naumi i sharronte, pasi i maste me pe të kuq,
kurse Andrea i ngulte mbi njëri-tjetrin. Trarët ngriheshin dhe pastaj kryqëzoheshin mbi çatinë që
i ngjante një kafazi për njerëz. Kur Andrea thërriste të atin dhe i kërkonte gozhdë, honi i shtëpisë
e kthente zërin në jehonë. Andrea kishte lidhur litarë të trashë me të cilët i tërhiqte trarët deri lart.
Një ditë, në çati hipi dhe Jani duke u kacavjerrë me litarë. Ibrahimi e shikonte nga poshtë djalin
lakuriq, trupi i të cilit dukej si një muskul i Andreas. Jani i mbante trarët dhe Andrea i godiste
fort me çekiç. Naumi i drejtonte dy djemtë nga oborri duke thirrur dhe duke lëvizur duart në erë,
sikur drejtonte një orkestër. Kur trarët formuan një kasolle prej druri mbi muret e shtëpisë,
Ibrahimi thirri Sarën. Ajo nxori një stol të gjatë dhe të dy u ulën e nisën të shohin shtëpinë e tyre.
Dielli hynte nëpër trarët e ngulur dhe formonte katrorë të barabartë brenda shtëpisë. Herë pas
here nga katrorët dilte koka e qethur e Janit apo shpatulla e djersitur e Andreas. Kur i pa të ulur
në stol, Jani nxori kokën dhe i përshëndeti me dorë. Si dukemi që atje lart, e pyeti Sara. Jani u
ngrit edhe pak, vuri dorën mbi sy dhe thirri: Si dy zogj që presin të hyjnë në kafaz. Ibrahimi
qeshi, ndërsa Sara u çua dhe u fut në shtëpi. Mori Anën në krahë dhe filloi t’i tregonte shtëpinë
që ndërtohej. I fliste me zë të ulët, por vajza lëvizte kokën nga ana tjetër dhe shikonte Naumin që
me çekiç rrumbullakoste cepat e plloçave që kishte rreshtuar në oborr. Jani e nxori prapë kokën
dhe kur pa Anën i tha: Hajde dallëndyshe të shohësh si ta kam thurur folenë. Ana vazhdonte t’i
mbante sytë nga Naumi dhe tingulli i rregullt që dilte nga plloçat e thyera, pas pak e vuri në
gjumë. Mbështeti kokën në supin e Sarës dhe mbylli sytë. E zuri gjumi, tha Ibrahimi. Edhe mua
më flihet kur vëllai më thotë dallëndyshe, tha Sara.
Pasdite, kur djemtë u kthyen nga shkolla, ndaluan përpara shtëpisë dhe filluan të numërojnë
trarët. Dyzet e tetë, tha Paridi. Jo, janë dyzet e nëntë, tha Aliu. Muhamedi, që vazhdonte të
numëronte me gisht, ktheu kokën nga Aliu dhe i tha: Nuk mund të jenë dyzet e nëntë sepse
numri i trarëve është çift dhe jo tek. Po pse është çift numri i trarëve, pyeti Paridi. Sepse përballë
çdo trari vendoset një tra tjetër dhe pjesa e përparme është e barabartë me pjesën e prapme,
ndërsa faqja e majtë është e barabartë me faqen e djathtë. Çdo faqe ka aq trarë sa ç’ka faqja
përballë dhe prandaj numri në çdo rast është çift, tha Muhamedi duke e drejtuar gishtin nga koka
e Janit që i shikonte nga çatia.
Numri i trarëve është tek, foli Naumi që i kishte dëgjuar duke lënë punën. Muhamedi uli gishtin
në tokë dhe Aliu i shkeli syrin Paridit. Shtëpia është në formë drejtkëndëshi dhe faqet nuk janë të
barabarta. Faqja ballore dhe ajo mbrapa, që janë më të mëdha, kanë nga gjashtëmbëdhjetë trarë
secila. Dy faqet e tjera, njëra në lindje dhe tjetra në perëndim janë më të vogla dhe ato kanë nga
dhjetë trarë. Kur vihen të gjithë trarët dhe shtrihen njëri mbi tjetrin duke u ngulur me gozhdë, në
majë të çatisë, në pikën më të lartë, vendoset trari i madh, i cili i bashkon të gjitha faqet. Ky
quhet trari i madh ose kulmi i shtëpisë, tha Naumi me një zë të butë si mësues.
Djemtë shikonin trarët, ndërsa Andrea me Janin i kishin lënë çekiçët dhe qeshnin nga lart. Sa
trarë ka e gjithë shtëpia, pyeti Ibrahimi djemtë, duke i bërë shenjë Naumit që të mos fliste. Paridi
filloi të mblidhte me zë, ndërsa Aliu u ul në gjunjë dhe numëroi me gishta. Muhamedi qëndroi
drejt duke mos i hequr sytë nga çatia. Pesëdhjetë e tre, thanë me një gojë Paridi me Aliun. Aq ka,
tha Naumi.
Unë thashë që janë çift sepse trari i madh nuk është vënë akoma, u mbrojt Muhamedi duke parë
drejtkëndëshin e shtëpisë, të cilit i mungonte një vizë. Kur të zgjohesh nesër në mëngjes, trarët
do jenë tek, tha Naumi dhe u përkul mbi plloça.
Dy ditë më vonë qielli u nxi dhe retë u frynë duke u varur mbi kafazin prej druri. Dielli u fsheh
dhe Andrea veshi një bluzë të ngushtë dhe muskujt iu mbuluan. Ibrahimi shikonte qiellin, ndërsa
Naumi shtroi prapë katramanë mbi dhomën e gjumit ku flinte, bashkë me të birin. Andrea e
kishte ngulur me gozhdë trarin e madh që rrinte i shtrirë si një vijë horizonti. Mbi trupin e tij të
lëmuar, Jani gdhendi emrat e gjithë djemve të Ibrahimit. Thanas, Petro, Jani, Niko, Muhamed,
Ali. Nuk dinte të shkruante dhe i tha Sarës t’ia vizatonte emrat në letër. Sara i shkroi një nga një
në letër dhe Jani i mori me vete në lartësi. Pasi i gdhendi me radhë me një daltë të mprehtë, mori
bojë të kuqe dhe filloi t’i lyente. Furça hynte në brazdat e germave si në një kanal. Ibrahimi e
shikonte i ulur në stol dhe i dukej sikur i biri po vizatonte në qiell. Kur mbaroi i tha: Shto edhe
emrin e Ademit. Janit iu drodh dora dhe furça i ra brenda në shtëpi. Nxori kokën mbi trarë dhe pa
të atin e kërrusur mbi stol, sikur po falej mbi një kujtim. Mos zbrit, i tha Sara, ta tregoj që këtu
sesi shkruhet emri i Ademit. Andrea e lidhi furçën në litar dhe Jani e tërhoqi, e futi në brez dhe
nxori daltën nga xhepi i pantallonave. Jam gati, i tha Sarës dhe ndjeu dorën që vazhdonte të
dridhej. Vizato germën e parë të emrit të Aliut, thiri Sara dhe dëgjoi çekiçin e Janit që ra mbi
daltë. Jani punonte shpejt dhe kur mbaroi i fryu kanaleve që kishte hapur mbi tra dhe pa germën
e parë të emrit të Aliut të gdhendur. Tani merr germën e parë të emrit të Petros dhe vizatoje me
kokë mbrapsht, ndërsa barkun ktheja nga lindja, tha Sara. Jani e nguli daltën fort dhe bëri një vijë
të gjatë dhe pastaj i shtoi vizatimit një bark të madh të kthyer nga shtëpia e vjetër e Mihalit.
Shumë mirë, tha Sara. Tani merr edhe germën e dytë të emrit të Petros dhe vizatoje. Naumi dhe
Andrea kishin lënë punën dhe po shikonin Janin që godiste me përpikëri mbi tra. Nuk e dija që
historia e familjes mund të shkruhet mbi dërrasë, tha Naumi, ndërsa Jani po i frynte pluhurit të
germës së tretë. Merr germën e pestë të emrit të Muhamedit dhe vëre në fund, tha Sara. Jani e
punoi më gjatë këtë vizatim dhe kur mbaroi, Sara i tha Ibrahimit se germa m dukej si dy shtëpitë
e tyre të bashkuara kurriz më kurriz. Ibrahimi nuk foli dhe vazhdoi të shikonte Janin që po e
lyente emrin e Ademit me ngjyrë të kuqe. Dukej i lodhur dhe i menduar. Pas pak i tha Sarës: Po
unë mund të mësoj të shkruaj? Sara iu afrua dhe i lëmoi flokët që kishin nisur të thinjeshin. Ti i
ke shkruar emrat e djemve në barkun e gruas tënde, ndërsa Jani po i kopjon, tha Sara. Ibrahimi
uli kokën dhe thinjat iu shtuan. Eh, kallamari im po zbrazet, tha me zë të mekur.
Kur tre djemtë erdhën nga shkolla, Jani ishte në oborr duke larë duart e skuqura. Ke vrarë ndonjë
lepur, e ngacmoi Aliu. Jani qeshi dhe tregoi me gisht trarin e madh. Muhamedi filloi të lexonte
emrat me zë, ndërsa Paridi e ndiqte me vështirësi dhe emrin e Petros e lexoi: Detro.
Petro nuk ka hyrë akoma në det, i tha Muhamedi që e kishte mbaruar leximin. Por Paridi nuk e
dëgjoi. Pse ma ke ndryshuar emrin, i bërtiti Janit kur lexoi emrin e tij të vjetër. Shtëpia filloi të
ndërtohej përpara se ti të bëheshe Parid, ia ktheu Jani. Paridi mori një gur dhe e hodhi me forcë
drejt shtëpisë. Guri u përplas te trari i madh dhe humbi me zhurmë në honin e shtëpisë. Niko dhe
Ademi kanë vdekur, tha Paridi dhe u fut me vrap në shtëpinë e re. Jani foli me Sarën dhe hipi
prapë mbi çati. Retë ishin ulur shumë poshtë atë pasdite dhe ai mezi i shquante germat. Në fillim
i hoqi bojën emrit të Nikos duke e kruar si lëkurë me një thikë të vogël. Pastaj, i thelloi kanalet
duke i zgjatur dhe duke i shkurtuar. Emri i ri kishte një germë më shumë se i vjetri dhe Jani i bëri
vizatimet më të holla. Gdhendjen e mbaroi kur u err. Zhurma që bënte dalta e tij në muzg ngjante
me ecjen e një maceje të uritur mbi çati. Kur mbaroi, i leu germat me bojë, por errësira nuk e la
ta shijonte vizatimin të plotë. Fjeti dhe u ngrit herët në mëngjes qielli ishte i pastër dhe retë ishin
fshirë gjatë natës, si germat e emrit të Nikos. Jani i kaloi edhe një bojë germave të reja që
shkëlqyen më shumë nga dielli i freskët i agimit. Kur vëllezërit u nisën në shkollë, ai ishte akoma
mbi çati. Parid, i thirri të vëllait. Paridi nguli sytë mbi shtëpi dhe lexoi ngadalë emrin e vet.
Fytyra iu çel dhe flokët e tij të ngrirë dukeshin si të vaisura për pagëzim. Tani zbrit, i tha Janit,
që të mos biesh edhe ti nga çatia siç ra Niko. Pse emri i Paridit shkëlqen më shumë se emri im, u
ankua Aliu. Paridi ishte një djalë elegant që lyhej me parfum kurse Aliu është një luftëtar i fortë
dhe i thekur në diell, tha Jani. Ç’do të thotë elegant, pyeti Aliu, që nuk ishte bindur nga përgjigjja
e Janit. Elegant do të thotë t’u pëlqesh grave, tha Andrea duke nxjerrë kokën mbi kafazin e
trarëve. Paridi eci përpara duke mbajtur kokën lart, ndërsa Muhamedi i tha Aliut që i mbante
buzët e mbledhura: Gratë joshen me parfum, por fitohen me shpatë.
Ke një kazan të madh, e pyeti Naumi, Sarën, një mëngjes. Kam, tha Sara, pse të duhet? Për të
ngritur plloçat mbi çati, tha Naumi dhe mori kazanin prej bakri. E lidhi me litar në të dy veshët
dhe e mbushi me plloça. Jani zbriti nga çatia, tërhoqi kazanin e rëndë brenda shtëpisë dhe Andrea
filloi ta ngrinte me litarë. Kur plloça e parë rrëzëlleu mbi çati, Ibrahimi i ngazëllyer iu afrua
Naumit. Po ecën shpejt, i tha. Po më fole kur punoj, do eci me ngadalë, tha Naumi dhe vuri
buzën në gaz. Andrea i shtroi plloçat me kujdes duke nisur nga faqja perëndimore e shtëpisë.
Kazani u boshatis dhe Jani e mbushi prapë, ndërsa Andrea e ngriti lart. Muskujt e tij dukej sikur
shtronin një qilim prej guri mbi shtëpi. Në drekë, Sara gatoi mish me presh, bëri një sallatë me
qepë dhe domate, preu bukë me feta të mëdha, kurse Ibrahimi nxori një shishe me raki. Vuri
tepsinë mbi tavolinën e madhe që rrinte në oborr dhe thirri Naumin, Andrean dhe Janin. Filluan
të hanin në këmbë, ndërsa shishen e rakisë Ibrahimi ia kaloi Naumit dhe ky Andreas. Rakia
avullonte nga krahët e fortë të Andreas, ndërsa Naumi u ngop, shkoi të shtrihej nën hijen e
katramasë ku e zuri gjumi. Kur ai u zgjua, Andrea i kishte shtuar edhe një shirit qilimit të
plloçave mbi çati. Jani mbushte kazanin, ndërsa në stol ishte ulur Sara bashkë me një burrë me
mjekër të bardhë dhe flokë të lëshuara mbi supe. Rrinin ngjitur me njëri-tjetrin dhe shikonin
shtëpinë që rritej. Naumi fërkoi sytë e përgjumur dhe pyeti Janin. Është akoma gjallë Arianit
Komneni? Nuk e di, tha Jani. Ky është i biri, Mihal Komneni, vëllai i Sarës.
E paskeni ndërtimin në gjak, tha Naumi duke u afruar . në gjak kemi padurimin, tha Mihali dhe,
duke e përshëndetur, e pyeti: Kur mbaron? Një shtëpi ndërtohet më shpejt se një kishë, u përgjigj
Naumi. Njerëzit janë të paduruar kurse perëndia pret. Perëndia është e përjetshme kurse ne nuk
kemi shumë kohë, tha Sara. Fole si Arianit Komneni, tha Naumi. Kur u martua Ibrahimi me
gruan e parë, ai na tha ta mbaronim kishën një muaj përpara afatit. Filluam në qershor dhe
punuam në mes të vapës, si tani, duke ngritur gurët me thonj dhe duke i veshur me vezë q ëtë
ngjiteshin fort. Ishte viti 1752 dhe Andrea nuk kishte lindur. Unë i ngrija muret vetë kurse
Arianit Komneni, me këmishën të zbërthyer, më drejtonte duke i lëvizur qoshet e kishës si gurë
shahu. Natën ai rrinte zgjuar dhe e maste kishën me këmbë duke pritur mëngjesin. Kur hëna
ndriçonte, hija e tij e madhe zgjatej si kambanore. Unë flija i drobitur dhe kur zgjohesha në
mëngjes e gjeja aty. m’i zgjaste veglat e punës sikur po më jepte armë. Më dukesh si një prift që
nxjerr armët nga kisha, i thashë një herë. Mua nuk më duhen armë për t’u mbrojtur nga perëndia,
thoshte ai.
Në fillim të tetorit, i gjithë fshati erdhi për të dëgjuar kambanën e parë. Arianiti e tundi
kambanën fort me litar dhe i tha njerëzve duke u gajasur. E dëgjuat? Perëndia erdhi në fshat!
Gratë bënë kryqin, ndërsa fëmijët mbyllën veshët nga gjëmimi. Atë natë mblodha veglat dhe u
nisa. Ishte një mbrëmje e thatë dhe para kishës pashë Arianitin që ishte ulur në një gur dhe
shikonte nga kisha. Ç’bën këtu, i thashë. Po pres sa të futet hëna në kambanë, më tha. Ishte një
plak i çuditshëm. Fjalët që thoshte kishin gjithmonë dy kuptime dhe ai eglendisej kur të tjerët
habiteshin. Kur e ndamë më tha: Ti do vish përsëri në fshat, por unë nuk do jem këtu. Thuaji
fëmijëve të mi që rruga kalon nga kisha.
Mihal Komneni dhe Sara dukeshin si dy fëmijë të vegjël që presin babanë të ulur në stol. Mjekra
e Mihalit ishte zbutur, ndërsa Sara kishte mbledhur duart mbi gjunjë. Shikonin Naumin me sy të
lutur, sikur i kërkonin ta vazhdonte përrallën. Nuk e dija që ti ishe vajza e Arianit Komnenit, tha
Naumi. Tani e kuptoj pse shkruani emra në trarët e shtëpisë. Mihali ngriti kokën, ndërsa Sara pa
Naumin e habitur. Edhe babai juaj e kishte këtë zakon. Kur mbarova kishën ai më kërkoi ta
lëmoja portikun mbi derën e madhe të hyrjes. Unë e krova gjatë gurin e ashpër derisa u bë si një
pjatë e pastër dhe aty Arianiti shkroi diçka. E keni parë besoj, pyeti Naumi. Sara ngriti supet,
ndërsa Mihal Komneni u ngrit nga stoli dhe duke e parë Sarën në sy i tha: Fluturimi kalon nga
kisha, dallëndyshe.
I rrahu shpatullat Naumit dhe u nis me hap të madh. Sara e ndoqi pas, ndërsa Naumi u kthye dhe
filloi të mbushte kazanin me plloça. Ku ikën ata, e pyeti Jani. Po kërkojnë Arianit Komnenin, u
përgjigj Naumi dhe tundi kokën si kambanë.
Kisha ishte e ftohtë dhe Mihal Komneni u drodh. Një merimangë e butë që varej mbi derë iu
ngjit në mjekër, por Mihali nuk e pa. këmbët e vogla të Sarës jehuan mbi altarin e zhveshur. Nga
katër dritaret e vogla hynin rreze të holla drite që bashkoheshin në qendër të kishës. Mihali bëri
disa hapa dhe u kthye duke parë mbi portik. Portiku ishte i mbuluar me pluhur dhe ai e fshiu me
dorë. Pluhuri i ra Mihalit mbi flokë dhe disa katrorë të vegjël nxorën brinjët dhe morën frymë
nën gishtat e tij të mëdhenj. Sara lëvizi për të shmangur pluhurin dhe zgjati kokën. Një katror,
pak më i madh se pëllëmba e Mihalit, djersiti mbi gur. Mihali bëri një hap prapa, ngriti sytë dhe
u përqendrua. Katrori ishte i rregullt dhe i ndarë në shumë katrorë të vegjël. E lexon dot çfarë
shkruhet, i tha Sarës që u ngrit mbi majat e këmbëve dhe lexoi germat një nga një: KRETA.
Natyrisht, tha Mihali dhe kaloi dorën mbi mjekër. Ka edhe një numër, tha Sara. Çfarë numri,
pyeti Mihal Komneni duke picërruar sytë në errësirë. Trembëdhjetë, tha Sara. Numri është
shënuar në katrorin e mesit, poshtë germës E.
Mihal Komneni u lëkund mbi këmbët e veta dhe Sarës iu duk sikur do rrëzohej. Rrezet e dritës i
vinin nga prapa kurrizit, i hynin ndër flokë dhe fytyra iu zbeh si një ikonë. Isaku ka qenë këtu,
tha dhe preku portikun me dorë duke e përkëdhelur. Sara e pa në sy, por nuk foli dot. Numri
trembëdhjetë është shtuar më vonë se Kreta. Shiko kanalet e gdhendjes. Nuk janë bërë nga e
njëjta dorë. Numri është më i hollë dhe më i freskët dhe duket i shkruar nga një dorë e re dhe e
lehtë. Ndërsa brazdat e Kretës janë të thella, të ashpra dhe të gdhendura në gur nga një dorë e
lodhur dhe e pasigurt. Naumi tha se ai pastroi gurin, ndërsa babai shkroi diçka që ai nuk kishte
ditur ta lexonte. Por Naumi nuk tha nëse kishte parë ndonjë numër, që do të thotë se numri është
shkruar më vonë dhe patjetër ka një kuptim. Çfarë kuptimi ka, pyeti Sara që dukej e frikësuar
sikur e kishin lënë vetëm në një labirinth logjik. Iu kujtua Metod Antrakidi që thoshte se njohja e
botës është e mbyllur në një derë që hapet me një numër dhe me një germë. I hodhi sytë nga
katrori që djersinte i zbuluar nga pluhuri.
Kuptimi i parë që më vjen në mend është Voskopoja, foli Mihal Komneni. Isaku ka dashur të
lërë një gjurmë të jetës së tij këtu, por katrorët bosh fshehin numra të tjerë që duhet të lidhen me
njëri-tjetrin me një shpjegim. Po Kreta, pyeti Sara. Mihali lëvizi pak kokën si për të thënë se ky
shteg mund të kalohej më lehtë. Kreta është shkruar nga babai. Ai e ndërtoi këtë kishë për
heronjtë e Kretës dhe ditën që kisha u hap, këtu u mbajt një meshë për ta. Kreta ishte pjesa më e
dhimbshme dhe njëkohësisht më e bukur e jetës së tij. Aty iu vra vëllai i madh, aty vdiq gruaja
që dashuronte dhe aty linde ti. Por katrorët e tjerë mund të japin shpjegime të tjera dhe të
ndriçojnë gjëegjëzën e jetës së Arianit Komnenit, tha Mihali duke marrë frymë thellë. Si do t’i
hapim këto kuti, e pyeti Sara. Mihal Komneni kaloi edhe një herë dorën mbi katror sikur donte të
regjistronte në kujtesën relievin memec të gurit, apo sikur donte të takonte dorën që kishte qenë
aty përpara dorës së tij. E afroi dorën te buzët e veta sikur maste temperaturën, pastaj i mori erë
dhe tha: Metodi mund të ketë një çelës.
I hodhi një sy kishës, hapi derën me forcë dhe doli në diell. Merimanga, që i varej si një jargë e
moçme në mjekër, u verbua. Mihal Komneni vrapoi si fëmijë në rrugën e shtëpisë dhe Sara e
ndoqi pas. Loja filloi, mendoi me vete.
Paridin, Muhamedin dhe Aliun i gjetën të ulur në tri karrige. Përballë tyre, në këmbë, rrinte
Metod Antrakidi. Shkolla mbaroi për sot, thirri Mihali kur hyri brenda. Djemtë u çuan duke parë
Metod Antrakidin, por Mihali i shkeli syrin dhe ata dolën të kënaqur. Nuk pranoj pleq në
shkollën time, tha Metod Antrakidi që qëndronte akoma në këmbë. Pranoj unë, tha Mihali dhe i
bëri shenjë Metodit që të ulej në karriget e djemve. Pas tij u ul dhe Sara. Karrigia ishte e ngrohtë
dhe ajo mblodhi këmbët. Mihali fshiu dërrasën e zezë dhe vizatoi një katror. E ndau në pesë
pjesë vertikalisht dhe horizontalisht dhe në rreshtin e parë, lart shkroi: KRETA. Në katrorin
poshtë germës së mesit vuri numrin 13.
U kthye nga Metodi dhe i tha: Ja një detyrë për ty. Gjej numrat dhe fjalët e padukshme në këta
katrorë dhe të jesh i sigurt se bota do të të duket më e bukur.
Metod Antrakidi rregulloi syzet mbi hundë, pa katrorin dhe tha: Ky është një katror magjik. Ku e
gjete?
Ma ka lënë trashëgim babai, tha Mihali dhe mori shkopin e mësuesit në cep të dërrasës. Nuk e
dija që Arianit Komneni ka qenë një mason, tha Metodi. Sara ktheu kokën, por Mihali ngriti
shkopin dhe ajo nuk nxori zë.
Katrorët magjikë janë shumë të hershëm dhe disa mendojnë se janë me origjinë parakristiane,
filloi Metodi. Në traditat e lashta hebreje dhe greke njerëzit e ditur përdornin katrorë të tillë për
të fshehur apo për të dhënë sinjale të ndryshme. Me kalimin e kohës, katrorët magjikë u
shndërruan në një sport për matematicienët sofistë që luanin me to duke habitur princat dhe
madje i përdornin edhe si letra dashurie, të cilat askush përveç të dashurës, nuk mund t’i lexonte.
Katrorët magjikë nuk formohen vetëm me numra, por edhe me fjalë. Sekreti i katrorit magjik
është ky: numrat që e përbëjnë duhet të jenë të ndryshëm, pra të mos përsëriten dy herë, të jenë të
njëpasnjëshëm, pra një, dy, tre, katër, apo njëzet, njëzet e një e me radhë dhe sido që t’i
mbledhësh, vertikalisht, horizontalisht apo diagonalisht ato duhet të japin të njëjtën shumë.
Ndërsa katrorët e fjalëve formohen me vështirësi për shkak të natyrës së pambledhshme që kanë
fjalët, të cilat mund të kombinohen duke u lexuar vetëm nga një anë, pra ose majtas, ose djathtas,
ose poshtë, ose lart, por jo edhe anasjelltas. P.sh. fjala Kreta në katrorin e Arianitit mund të
lexohet nga e majta në të djathtë, por jo në të kundërtën. Kjo bën që katrorët e numrave të jenë
shumë më të përdorur në të gjitha traditat që përpiqen të shpjegojnë botën përmes numrave.
Mjeshtri i këtyre magjive matematike ka qenë Pitagora, i cili thoshte se në këtë botë çdo gjë
është një numër. Pitagora arriti të hutojë gjindjen në Italinë e Jugut, ku jetonte, që në atë kohë
ishte koloni greke, aq sa rregullat e tij u kthyen në një lloj feje, e cila, nëse nuk do lindte
Krishterimi, ndoshta do vazhdonte ta shpjegonte botën përmes numrave. Pitagora e quante veten
një hyjni dhe një herë tha: në këtë botë ekziston Zoti, ekzistojnë njerëz, por dhe qenie si unë. Siç
thashë, rregullat e tij u kthyen në normë me mbështetjen e disa princave që i besuan dhe u bënë
dishepuj të tij. Pitagora thoshte: Mos hani fasule, mos kaloni mbi një kryq, mos trazohet zjarri
me hekur, mos shkelen dafinat, mos hahet zemra, mos lihen dallëndyshet të ndërtojnë fole nën
çati, mos u shiko në pasqyrë kur je pranë një qiriu, etj. Teoria e Pitagorës, si një kombinim i
matematikës me teologjinë, ndikoi në gjithë mendimin grek parakristian, por edhe shumë më
vonë. Më pas, Krishterimi e mohoi Pitagorën, sepse nuk mund të pranonte që Zoti ishte një
numër dhe që pas çdo numri fshihej një sekret që duhej zbuluar nga mendja njerëzore. Unë
mendoj se Pitagora do kishte qenë më i suksesshëm në rast se nuk do t’i kërkonte njerëzve që të
mos hanin fasule, sepse në atë kohë fasulja përbënte ushqimin bazë të grekëve. Ai i ka përçmuar
grekët dhe ka qenë cinik. Edhe unë do bëja zgjedhjen që bënë grekët: më mirë një fe që nuk më
lejon të martohem dy herë, si Krishterimi, sesa një fe që më pengon të ha fasule. Mes dy të
këqijave do zgjidhja më të voglën.
Po me dallëndyshet ç’kishte Pitagora, pyeti Mihali që qeshte duke parë Sarën.
Nuk e di, tha Metodi. Grekët e lashtë ishin shumë tokësorë dhe qiellin ua kishin lënë perëndive.
Por le të kthehemi te katrorët magjikë. Nga grekët ato u morën dhe u përpunuan nga çifutët që
kanë shkencën e tyre të numrave, e cila quhet Kabbala. Kabbala mendohet se është një libër që iu
dha Abrahamit nga perëndia dhe që shpjegon lindjen, ndërtimin dhe ecurinë e botës përmes
kombinimit të numrave dhe germave. Kabbala e ndan dijen njerëzore në pesëdhjetë shkallë
inteligjence dhe thuhet se vetëm Moisiu arriti deri te shkalla e dyzetenëntë sepse tek e fundit nuk
mund të arrinte, pasi ai nuk ishte profeti i fundit. Shkalla e pesëdhjetë e dijes është vetë Zoti dhe
vetëm Jezu Krishti ka arritur deri aty.
Çifutët kanë një katror të dashur me 36 numra duke filluar nga njëshi. Shuma e çdo rreshti është
111 dhe shuma e të gjithë rreshtave është 666. Ka njerëz që besojnë se ky është numri i djallit,
por për çifutët ai ka një kuptim mistik dhe hyjnor që lidhet me ardhjen e Mesias. Sabatai Zevi
ishte kabalist dhe një nga arsyet që njerëzit e besuan ishin pikërisht tri gjashtat e vitit 1666, kur ai
u shpall si Mesia.
Edhe myslimanët kanë një katror magjik me tri rreshta. Numrat e këtij katrori janë nëntë dhe
fillojnë nga tetëmbëdhjeta dhe mbarojnë në njëzet e gjashtë. Shuma e tyre është 66 që përbën
vlerën numerike të fjalës Zot në arabisht.
Më vonë, lojën e katrorëve magjikë e morën masonët, të cilët u shfaqën në kohën e kryqëzatave
dhe fillimisht shërbyen si mbrojtës të Jerusalemit kur ai u pushtua nga myslimanët. Masonët e
parë kishin gërmuar në tempujt e Jerusalemit dhe besohet se atje kanë gjetur sekrete të mëdha
nën rrënoja. Disa nga kodet e tyre të fshehta ata i kaluan dorë më dorë me anë të katrorëve
magjikë.
Babai nuk ka qenë mason, e ndërpreu Mihal Komneni duke drejtuar shkopin. Kur ishte në
Stamboll mund të ketë njohur disa prej tyre dhe ndoshta aty ka mësuar katrorin magjik.
Nuk ka bërë keq, tha Metodi dhe i nguli sytë dërrasës. Ky katror duhet të ketë dy pjesë. Ai
përbëhet edhe nga fjalë edhe nga numra. Rreshti i Kretës është me fjalë që do të thotë se edhe
rreshti i parë vertikal dhe i pesti vertikal që lidhen me të, duhet të kenë fjalë të fshehura. Ndoshta
edhe rreshti i fundit horizontal që lidhet me dy rreshtat anësore duhet të jetë një fjalë. Ndërsa
numri trembëdhjetë është pjesë e një katrori brenda katrorit të madh. Katrori i madh ka njëzet e
pesë katrorë të vegjël. Ndërsa katrori i vogël ka nëntë katrorë të mbushur me numra. Po filloj me
këtë të voglin sepse është më i lehtë.
Metodi u çua dhe vizatoi një katror më të vogël se katrori i Arianitit që rrinte përbri dhe priste të
zbulohej. E ndau katrorin me dy viza nga lart-poshtë dhe pastaj hoqi dhe dy viza të tjera
horizontale. Dërrasa e zezë qau nga shkumësi dhe Sarës iu ngjeth mishi. Nëntë katrorët e vegjël
dukeshin si nëntë gojë të hapura. Metod Antrakidi shkroi një trembëdhjetë në katrorin e mesit, në
rreshtin e parë lart dhe filloi të numëronte duke lëvizur buzët. U mendua pak dhe në katrorin e
parë, në të majtë të trembëdhjetës, vuri një tetë. Poshtë tetës vuri një shtatë dhe poshtë shtatës një
dymbëdhjetë. Rreshti i parë vertikal u plotësua. Mihali pa nga Sara dhe filloi të qeshte.
Mektodysyz Prapakidi po i hap portat e Komnenëve, tha.
Poshtë trembëdhjetës Metodi shkroi një nëntë dhe poshtë nëntës një pesë. Ndërsa në rreshtin e
tretë nga lart-poshtë vuri një gjashtë, pastaj një njëmbëdhjetë dhe pastaj një dhjetë.
Katrorët u plotësuan dhe Metodi bëri një hap prapa duke i parë.
Mblidhi nga të duash, i tha Mihal Komnenit. Mihali filloi të numëronte duke prekur çdo numër
me shkop. Shkopi u end nga e majta në të djathtë, pastaj nga poshtë-lart, dhe pastaj përshkoi
ngadalë diagonalen duke filluar nga numri tetë, kaloi te nënta dhe qëndroi te dhjeta. Shuma është
njëzet e shtatë, tha dhe Sarës iu kujtua Aliu që numëronte trarët e shtëpisë me gishta. Po, tha
Metodi. Por t’i mbledhësh numrat është e thjeshtë. E vështirë është t’i kuptosh.
Trembëdhjeta është numri simbol i Voskopojës, që Marin Kurila thoshte se vjen nga numri i
Krishtit dhe dymbëdhjetë profetëve të tij. Këtë numër, besoj se e ka shkruar Isaku sepse një gjë
është e qartë: nuk ka qenë e njëjta dorë ajo që ka shkruar fjalën dhe ajo që ka shkruar numrin.
Nga e kupton ti këtë, e pyeti Metodi. E pashë gurin, e preka, e shijova dhe e nuhata. Guri kishte
erën e tim biri dhe unë këtë erë nuk mund ta ngatërroj me asgjë tjetër. Sado inteligjente, e
përsosur dhe e stërvitur të jetë shqisa, dëshmia e saj nuk përbën provë, tha Metodi. Aq më tepër
që shqisa jote e vjetër ka qenë e djegur nga malli. Sytë e tu kanë qenë të përlotur, hunda ka qenë
e zënë, gjuha e tharë dhe dora e drunjtë. Si mund t’i besoj një zemre që dridhet nga kujtimet duke
prishur muzikën e shqisave që komandon?
Mihal Komneni e uli shkopin dhe Sarës iu duk si një dirigjent i plakur. Por rënia e tij zgjati
vetëm një çast. Ngriti dorën dhe ia afroi Metodit në hundë. Merri erë, i tha. Mban era myshk, tha
Metodi dhe teshtiu. I fshiu hundët me mëngë dhe u kthye nga Mihali. Isaku ka pasur nëntë
katrorë bosh. Më thua dot pse është vënë numri trembëdhjetë pikërisht në këtë katror dhe jo diku
tjetër? Mund ta kishte shkruar trembëdhjetën në rreshtin e fundit, apo në katrorin e parë lart, ose
në katrorin e mesit, ose ku të donte sepse fushën e shahut e kishte bosh dhe mund ta vendoste ku
t’i pëlqente mbretin e tij trembëdhjetëvjeçar.
Kjo është çështje metode, Metod, u përgjigj Mihali dhe pa Sarën që e shikonte si një nxënëse në
ditën e parë të shkollës.
Pa dyshim që është një çështje metode, përsëriti Metodi dhe vazhdoi:
Isak Komneni, gjithmonë nëse është ai që e ka mbushur këtë katror memec, ka dashur të
dëshmojë diçka përmes pozicionit të numrave. Unë besoj se ai ka dashur të lërë një gjurmë dhe
këtë mund ta provoj. Ja, se si. Po ta kishte vënë trembëdhjetën në katrorin e parë lart, shuma e të
gjithë numrave të njëpasnjëshëm do të ishte dyzet e dy. Po ta kishte vënë numrin e tij në katrorin
e mesit të rreshtit të mesit, pra në qendër, shuma e të nëntë katrorëve do ishte tridhjetë e nëntë.
Mund ta kishte shkruar në katrorin e parë të rreshtit të fundit dhe mbledhja e të gjithë numrave
do të ishte tridhjetë. Me pak fjalë, Isaku ka pasur nëntë mundësi për të ndërtuar një katror me
numrin trembëdhjetë. Pse ka zgjedhur pikërisht këtë kombinim numrash? Pse ka kërkuar
njëzeteshtatën dhe jo tridhjetën apo tridhjetenëntën apo dyzetedyshin?
Mihal Komneni mendohej duke kruar mjekrën.
Kur ka lindur Isaku, pyeti Metod Antrakidi. Në 13 janar 1742, tha Mihali. Kur iku Isaku nga
Voskopoja, pyeti Metodi. Në gusht të vitit 1769, tha Mihali dhe mjekra iu drodh. Metod
Antrakidi u kthye nga Sara. Kur u largua Arianit Komneni nga fshati? Në tetor 1769, tha Sara që
u mblodh në karrige.
Dëshmia e shqisës së grisur të Mihal Komnenit ndoshta mund të merret si provë, shpalli Metodi
dhe tha: Isaku ka qenë 27 vjeç në vitin 1769 dhe duke i kombinuar katrorët në këtë mënyrë
ndoshta ka dashur të na thotë se në cilin vit ka qenë këtu. Me fjalët e numrave ai ka thënë: Kur
mbusha njëzet e shtatë vjet shkova në fshat. Ose: Isha në fshat në vitin 1769. Ndërsa numri
trembëdhjetë tregon se ai ka ardhur nga Voskopoja. Isaku ishte i bindur se njerëzit që do lexonin
katrorin e tij do ta lidhnin simbolikën e numrit trembëdhjetë me qytetin e Voskopojës ku ai bëri
histori. djalë i zgjuar, tha Metodi. I ka ngjarë më shumë gjyshit se babait. Deri tani na ka thënë se
nga vjen dhe ku qëndron, por ne duhet të gjejmë se ku ka shkuar.
Po Kreta, pyeti Sara.
Nëse Kretën e ka shkruar Arianit Komneni, Isaku e ka gjetur fjalën këtu dhe është përpjekur të
kombinojë numrat me fjalët e fshehura. Kjo është një teknikë e vështirë dhe unë nuk kam parë
kurrë një katror magjik, ku bashkohen fjalët me numrat, tha Metodi duke bërë një hap prapa. Po
nëse Isaku ka ardhur në fshat në gusht të vitit 1769 ai është takuar me Arianitin dhe ky i ka
treguar sekretin e katrorit të madh. Kjo është e pamundur, tha Sara. Unë do ta kisha parë Isakun
po të vinte në shtëpinë tonë atë vit. Isaku u arratis nga Voskopoja dhe turqit e kërkonin për ta
burgosur, tha Mihali. Ai duhet të ketë qëndruar i fshehur që mos pikasej. Kush i mbante kyçet e
kishës, pyeti Metod Antrakidi. Babai, u përgjigj Sara, ai e ndërtoi kishën. Ndoshta Isaku është
fshehur në kishë sepse aty nuk hynte njeri, tha Metodi. Ndoshta, tha Sara. Kur Ibrahimi u bë
mysliman prifti nuk erdhi më nga Janina dhe për shumë kohë nuk u mbajtën më mesha. Kisha
rrinte e mbyllur.
Po të isha unë në vendin e Isakut nuk do gjeja strehë më të sigurt se një kishë e braktisur për t’u
fshehur, foli Metodi. Ai mund të ishte fshehur edhe në shtëpinë tonë, në bodrum ose në çati, tha
Sara. Arianit Komneni nuk mund të ishte kaq naiv, u përgjigj Metodi. Ai e dinte se, nëse turqit
do ta kishin ndjekur Isakun, vendi i parë ku do të kërkonin do të ishte shtëpia e tij dhe ai sigurisht
që nuk donte ta bënte të nipin kurban. Në këtë shtëpi, Isaku do ishte i zbuluar dhe njerëzia mund
ta kishin parë.
Përpara se babai të ikte, në fshat erdhi Ali Tepelena me disa njerëz të armatosur që kontrolluan
shtëpitë dhe rrahën burrat e fshatit. Ndoshta Arianiti ka menduar se Aliu erdhi në fshat për të
kërkuar Isakun dhe e ka fshehur në kishë, tha Sara dhe pa nga Mihali. A erdhi Ali Tepelena në
shtëpinë tuaj, e pyeti Metodi. Po, tha Sara. Ai bisedoi gjatë me babanë dhe u largua në të gdhirë.
Babai u mbyll në shtëpi dhe pas tri ditësh u nis vetëm dhe më la mua në shtëpinë e Hanës.
Sekreti i Arianitit tani është më i qartë, ngriti zërin Metodi. Ai quhet Isak Komneni. Arianiti ka
ikur nga fshati për të shpëtuar të nipin, të cilin e kishte fshehur në kishë. Kur ka ardhur Ali
Tepelena, Arianiti ka besuar se qëllimi i tij ka qenë kapja e Isakut. Kanë ikur të dy nga fshati.
Po pse nuk më morën dhe mua me vete, pyeti Sara e mbledhur në karrige si një fëmijë. Udhëtimi
i tyre duhet të ketë qenë i vështirë dhe i pasigurt. Rruga kalonte nga Janina, Voskopoja dhe
Korça, të cilat kontrolloheshin nga turqit. Arianiti nuk mund të rrezikonte vajzën e vetme në këtë
udhëtim, tha Metodi. Edhe unë do kisha bërë të njëjtën gjë, po të kisha një vajzë.
Po pse babai nuk donte që unë ta njihja Isakun, pyeti prapë Sara.
Ti ishe e vogël dhe nuk do ta mbaje dot sekretin e tij, tha Mihal Komneni që ishte ulur në
karrige. Ata e kanë shtyrë të vërtetën në kohë, por nuk e kanë fshehur. Nëse do të donin të
zhdukeshin pa lënë gjurmë, këta katrorë nuk do ekzistonin. I kanë lënë shenjat të gdhendur mbi
gur, të bindur se një ditë ti do t’i zbuloje. Nuk të kanë fshehur gjë, dallëndyshe, por vetëm kanë
pritur që të rritesh. Dhe të kuptosh.
Ndoshta jeta ime do ishte ndryshe po ta kisha njohur Isakun, foli Sara me zë të shuar. Babai e
dinte këtë, tha Mihali. Ai ka dashur që ti të rritesh në fshat dhe të bësh gjërat që ke bërë. Ka
dashur që unë të martohesha me një mysliman, pyeti Sara. Këtë ai nuk mund ta dinte, por po ta
kishte mësuar do ta kishte quajtur një fat të pashmangshëm, tha Mihali dhe hodhi sytë nga katrori
i madh. Po Isaku çfarë do thoshte po ta dinte se unë jam martuar me një mysliman, pyeti Sara.
Mihali u mbështet në karrige dhe ngriti kokën lart sikur po lexonte në tavan. Do thoshte se, që të
shpëtosh ishullin, duhet t’u mësosh të huajve notin, i tha Sarës.
Metod Antakidi rrinte në këmbë si një mësues. I bëri një shenjë Sarës dhe ajo u ngrit nga karrigia
dhe u afrua te dërrasa e zezë. Pluhuri i shkumësit i mbushi flegrat. Nuk teshtiu, por bashkoi
këmbët sikur donte të mbyllte gjithë vrimat e trupit.
Rruga kalon nga Kreta, tha Metod Antrakidi dhe tregoi me gisht katrorin e madh. Sara pohoi me
kokë dhe ai vazhdoi. Katrori i madh ka njëzet e pesë katrorë të vegjël. Nëntë katrorët e mesit janë
mbushur me numra. Në pesë katrorët e rreshtit të parë horizontal është shkruar Kreta. Mbetën
edhe njëmbëdhjetë katrorë për t’u zbuluar, të cilët, meqë lidhen me rreshtin e Kretës, duhet të
jenë formuar me fjalë dhe jo me numra. Në kolonën e parë vertikale duhet të jetë shkruar një
fjalë, e cila fillon me germën k, njëlloj si Kreta sepse ky është rregulli i një katrori magjik. Të
gjitha fjalët duhet të lidhen me njëra-tjetrën përmes një germe.
Më thuaj një fjalë që fillon me k, tha Metodi. Koha, tha Sara. Ka katër germa, foli Metodi. Duhet
të ketë pesë. Kaos, tha Mihal Komneni që rrinte i ulur në karrige dhe shikonte në tavan. Të
thashë që duhet të ketë pesë germa, iu kthye Metodi, por Mihali nuk e kishte mendjen.
Krahë, tha Sara. Ndoshta, tha Metodi dhe shkroi një r, poshtë k-së së Kretës, pastaj një a një h
dhe poshtë saj në katrorin e fundit një e. Megjithatë nuk e kuptoj çfarë e lidh Kretën me krahun.
Para së gjithash, katrori duhet të jetë logjik që të jetë magjik.
E lidh, tha Sara dhe pa nga Mihali që dukej sikur nuk ishte aty. Mihali thotë se mua më janë
rritur krahët dhe duhet të fluturoj si dallëndyshe që të shkoj në Kretë. Metodi vuri buzën në gaz
dhe e pa Sarën me dhimbsuri. Në ditën e parë të shkollës gjithë fëmijët tregojnë përralla, i tha.
Sara u skuq dhe i mblodhi më fort këmbët. Mihali gjithmonë i ka joshur gratë duke i përshkruar
si zogj. Në Voskopojë e quanin zbutësi i zogjve. Arianit Komneni nuk ka qenë një poet
melankolik, por burrë kokëfortë dhe racional. Do ishte një çudi sikur jetën e vet ta përshkruante
si një letër dashurie. Ky katror magjik është një letër që i drejtohet së bijës dhe jo një gruaje
çfarëdo. Nëse arsyetimi im është i drejtë, kjo do të thotë se në këto kuti fshihet një histori e
vërtetë që ai ka dashur të mësohet pa gabime, por saktësisht, deri në detaje, ashtu siç ka ndodhur.
Po të ishte ndryshe, do mbetesha i zhgënjyer nga një burrë që e kam adhuruar, duke i njohur të
birin dhe të bijën. Megjithatë, le të fluturojmë pak në errësirë dhe të besojmë se Arianiti ka
shkuar në Kretë me krahë. Kalojmë në rreshtin e fundit për së gjati, që lidhet me germën e fundit
të fjalës, Kreta. Duhet të gjejmë një fjalë që fillon me a, tha Metodi.
Athos, tha Sara. Mihali thotë se babai mund të jetë nisur në malin Athos për të vdekur aty siç
bënin perandorët bizantinë. Mihali ka kërkuar aty, por nuk e ka gjetur. Ndoshta babai ka ndërruar
mendje rrugës dhe ka vendosur të vdesë në një vend tjetër. Katrorin e kishte shkruar në vitin
1752, kur u ndërtua kisha dhe në vitin 1769 nuk mund ta ndryshonte më.
Metod Antrakidi uli syzet dhe e pa Sarën me qetësi. Ti e ke njohur Arianitin në pleqëri kur
kujtimet e lodhshme, mëkatet e shpirtit dhe dobësia e trupit, e bëjnë çdo njeri të duket si murg.
Por jeta e Arianitit ishte një betejë për të gjetur paqe me njerëzit dhe jo me Zotin. Të vdesësh si
murg, do të thotë t’i dorëzohesh Zotit, pasi ke dështuar me njerëzit. Por ai ka jetuar si një prijës
dhe njerëzit i janë bindur. Ka folur dhe njerëzit e kanë dëgjuar. Ai ka ndërtuar dhe njerëzit kanë
punuar. Ka dashuruar dhe e kanë dashuruar. Ka urryer dhe njerëzit e kanë tradhtuar. Ka besuar
dhe njerëzit janë lutur. Ka kërkuar dhe Zoti e ka ndihmuar. Arianit Komneni mendonte se Zoti i
kishte ngarkuar një mision. Kur iku nga fshati, misioni i tij nuk ishte kryer dhe ai nuk mund të
shkonte te Zoti e duke kërkuar falje t’i thoshte: Zoti im më fal, unë dështova. Sinqeriteti i dobët i
murgut, është vetëvrasës. Arianit Komneni donte të vdiste, por nuk donte të vriste veten. Një
njeri që vret veten nuk lë gjurmë. Atij i mjafton vetëvrasja për të dëshmuar dobësinë dhe
dëshpërimin e tij. Nëse ti mendon se babai yt jetoi për të vdekur si murg, do të thotë se zbulimi i
të fshehtave të këtij katrori, është një detyrim për t’i provuar vetes të kundërtën. Gjithmonë nëse
e kundërta ekziston.
Megjithatë, ne do t’i shkojmë ushtrimit deri në fund, tha Metodi dhe mbushi katrorët e vegjël
poshtë germës a, me tepricën e fjalës Athos. Ja ku jemi. Kreta, Krahë, Athos. Këto tri fjalë mund
të bëjnë një magji, por së pari duhet të bëjnë një kuptim. Po të thërrisnim për ndihmë poetin e
Voskopojës ai do thoshte se Arianit Komneni ka fluturuar për në Kretë dhe kur krahët e thinjur i
janë lodhur ka ndaluar në manastirin e malit Athos, ku dhe ka vdekur. Apo jo, pyeti Metod
Antrakidi duke folur me vete.
Sara dukej e ngurtë, por e vëmendshme, si një zog që kërkon një pemë për t’u ulur.
Tani na duhet të bashkojmë me një fjalë të vetme germën e, të krahut të Arianitit, me germën s,
të malit Athos, vazhdoi Metodi.
Eros, tha Mihal Komneni.
Sa do t’i pëlqente poetit të Voskopojës, u gajas Metod Antrakidi dhe veshët e gjatë iu afruan te
buzët. Arianit Komneni fluturon nga Kreta në Athos në kërkim të dashurisë. Po ta kishte shkruar
këtë varg, ndoshta myslimanët e Sali Benishit nuk do ta kishin vrarë dhe Aishja do t’i kishte
gatuar patëllxhanë me mish të grirë kur ai recitonte lakuriq duke mbajtur një kurorë me lule
myshqesh mbi kokë.
Sarës i doli një aromë nga sqetullat dhe hapi pak këmbët.
E përkryer, vazhdoi të fliste Metod Antrakidi që dukej si një magjistar, i cili, duke përzier barëra
me shurup dhe sheqer të djegur i ndryshon jetën një njeriu. E çon në luftë, pastaj e plagos, e nis
për në shtëpi, e shëron, vendos ta martojë, e ndan, bëhet pishman, pastaj e marton prapë, djeg
pak sheqer, e bën me fëmijë, pastaj i hedh bar mbi kokë dhe njeriu niset për të vdekur, por ai e
kthen nga rruga dhe e mbyll në një manastir. Magjistari kënaqet kur shikon njeriun që i lutet ta
lërë të vdesë, sepse është i lodhur dhe nuk ka më fuqi të jetojë, por ai pret, ndalon, vrojton, tallet
dhe pi pak shurup, ndërsa njeriu vazhdon të lutet, pastaj magjistarit i mbyllen sytë nga pija dhe
para se ta zërë gjumi i hedh një grusht bar mbi kokë dhe njeriu vdes nën atë peshë.
E përkryer, tha prapë Metod Antrakidi. Edhe Arianit Komneni nuk do donte një fund më të
lavdishëm se ky. Të vdesësh si një murg nga dashuria. Ose të dashurosh si një murg në prag të
vdekjes. Ose të fluturosh në krahët e erosit duke u nisur nga Kreta në Athos. Ose të dashurosh në
ajër duke fluturuar nga Kreta në Athos. Sikur ta takoja Arianit Komnenin do t’ia kërkoja këtë
katror magjik borxh për epitafin tim. Sa do doja të vdisja në një manastir, pasi ta kem kaluar
gjithë jetën duke bërë dashuri në ajër. Duhet të jetë një akt fizik që nuk të lodh sepse nuk ka
rëndësi. Nuk ka gravitet. Por edhe nëse ka gravitet, njeriu është i qetë sepse e di që do bjerë mbi
malin Athos, në pëqi të perëndisë. E përkryer, tha Metod Antrakidi për të tretën herë dhe veshët
iu zvogëluan dhe morën përmasën katrore që kishin zakonisht. E përkryer, por e pamundur,
sepse fjala eros ka katër germa dhe dashuria që kërkojmë duhet të konsumohet në pesë katrorë.
Sara ishte ende në këmbë dhe faqet i ishin ftohur. Metod Antrakidi po kënaqet duke ecur në
kthesat e jetës së babait, mendoi. A nuk kishte thënë Metodi disa herë: Sikur unë të isha në vend
të Arianit Komnenit, sikur të jetoja si ai, sikur të kisha një vajzë si ai, sikur të vdisja si ai? Nuk
mund të jesh si babai, tha Sara me vete, sepse zgjuarsinë nuk e përdor për të zbuluar botën, por
për të gjetur gabimet atyre që e kanë përshkruar atë rrugë. Kjo duket sikur të kënaq, por në të
vërtetë të vonon. Vonohesh duke numëruar gabimet e të tjerëve dhe nuk ecën. Jeta jote është e
mbushur me vonesat e atyre që kaluan para teje. Nuk mund të jesh si babai, përsëriti Sara, pa zë.
Për më tepër, je i shëmtuar.
Metod Antrakidi rrinte në këmbë dhe shikonte Mihalin. Pastaj Sarën. Asnjëri nuk e kishte
mendjen. Janë lodhur duke ndjekur babanë, mendoi dhe erdhi keq.
Nuk ka asnjë fjalë që bashkon krahun me Kretën dhe me malin Athos, tha me zë të ulët dhe e
fshiu katrorin me një leckë të zhubrosur. Pluhuri i shkumësit u ngrit si re dhe mbeti një copë herë
mbi kokat e të treve.
Ti the se në ndryshim nga katrorët magjikë me numra, katrorët e fjalëve mund të shkruhen nga
lart-poshtë ose anasjelltas, apo nga e majta në të djathtë, ose anasjelltas, por asnjëherë në të dyja
drejtimet njëkohësisht, foli Mihali duke u drejtuar mbi karrige. Po, tha Metodi i përqendruar.
Kreta lexohet nga e majta në të djathtë, por jo anasjelltas sepse fjala aterk nuk ka asnjë kuptim.
E kuptoj, u përgjigj Mihali duke e miratuar. Por kjo nuk do të thotë se fjalët e tjera, në mënyrë që
të lidhen me fjalën Kretë, duhet medoemos të respektojnë këtë rregull. Nuk është e detyrueshme,
tha Metodi dhe rregulloi syzet për të ndjekur shpejtësinë e buzëve të Mihalit. Dua të them se nëse
një fjalë në kolonën e parë shkruhet nga poshtë-lart, magjia e katrorit nuk prishet. Edhe nëse
prishet, ekuilibri logjik i fjalëve e kompenson këtë devijim nga rregulli, u përgjigj Metodi.
Natyrisht, tha Mihali, ekuilibri i të kundërtave është më i përkryer se ai i të ngjashmeve. Ç’do të
thuash, e pyeti Metodi dhe veshët iu ulën poshtë.
Mihali u ngrit në këmbë dhe zgjati shkopin drejt dërrasës së zezë. Trokiti lehtë sikur kërkonte t’i
hapej një portë dhe tha: Ta provojmë kolonën e parë me një fjalë tjetër, të shkruar nga poshtë-
lart, e cila duhet të mbarojë me germën k, në mënyrë që të lidhet me Kretën. Ma thuaj atë fjalë,
tha Metodi dhe ngriti shkumësin.
Isak, tha Mihali dhe ndjeu një lëvizje ajri që erdhi nga krahët e Sarës, të cilët u hapën sikur do
fluturonin. Është me katër germa, tha Metodi. Shkruaje sipas Biblës me dy a, u përgjigj
menjëherë Mihal Komneni: Isaak.
Metod Antrakidi shkroi ngadalë mbi dërrasë dhe u kujdes që dy germat a të ishin sa më të
ngjashme. Magjia funksionin, por logjika mbetet për t’u provuar, tha duke bërë një hap prapa dhe
e pa katrorin si një pikturë që mbetet për t’u plotësuar.
Kjo do të thotë se babai dhe Isaku e kanë bërë katrorin bashkë, pyeti Sara.
Njëri ka plotësuar tjetrin, si një punë që e fillon i ati dhe e vazhdon biri, tha Mihali.
Po Naumi tha që babai e ka bërë katrorin në vitin 1752 dhe në atë kohë Arianiti nuk e dinte se
Isaku do vinte në fshat në vitin 1769, tha Sara duke marrë frymë thellë sikur sa kishte nxjerrë
kokën nga një tunel.
Isak do duhej të ishte emri yt, tha Mihali. Babai më ka thënë se nëna jote priste një djalë që
kishte vendosur ta quante Isak, sipas djalit të Abrahamit. Djali nuk u lind kurrë dhe nëna jote
vdiq duke të dhënë ty emrin e gruas së Abrahamit. Që do të thotë se Isaku, ishte një premtim i
pambajtur i babait.
Po ti pse e quajte djalin Isak, e pyeti Metod Antrakidi. Mihal Komneni uli kokën dhe u mendua
një copë herë. Asnjëherë nuk e kam ditur, por tani e kupto se me sa duket ka qenë një destin që
unë t’i marr djalin babait tim. Nëna e Sarës e quante babanë Abraham sepse ai gjithë jetën
udhëtoi duke kërkuar të zbulonte botën dhe përmes botës veten e tij. Familja e Abrahamit nuk
mund të mos kishte një djalë me këtë emër.
Mihal Komneni dukej i përlotur si një plak që lexon fundin mbi dorën e një fëmije.
Nëse ecim sipas këtij arsyetimi, mund ta gjejmë Abrahamin, tha Metod Antrakidi. Pra, nëse
Arianiti ka shkrua emrin e djalit që nuk u lind dot, atëherë ai duhet ta ketë mbushur katrorin e
dashurisë së vet me emrat e tjerë të familjes. Si quhej nëna jote? Sheba, tha Sara. Metodi nguli
shkumësin e ashpër në katrorin e fundit të kolonës së pestë për së gjati dhe duke nisur nga
poshtë-lart shkroi katër germat: s, h, e, b. Germa a e Kretës ishte në vend dhe ai nuk kishte
nevojë ta shkruante në mënyrë që emri i nënës së Sarës të plotësohej në boshllëk. Fytyra e Mihal
Komnenit u ndriçua dhe gjoksi i tij energjik u fry dhe u ngrit mbi katror.
Ka mbetur edhe rreshti i fundit horizontal, tha Metodi duke lëmuar shkumësin me dorë. Po të
ishe në vend të Arianit Komnenit, çfarë do shkruaje në këtë rresht, e pyeti Mihali, Metod
Antrakidin. Çfarëdo që të shkruajë, ai mbetet njëlloj i shëmtuar, mendoi Sara dhe mblodhi
sqetullat e lagura. Metodi pa Sarën sikur donte t’i merrte leje që të sillej si Arianit Komneni, për
pak kohë dhe tha: Ky katror i përket Kretës dhe tregon familjen që Arianit Komneni do kishte
pasur në atë ishull. Pra, Kreta është familja dhe ai vetë. Sheba është gruaja. Isaku është djali.
Mungon vetëm vajza.
Sara u përtyp sikur kishte një lule në gojë.
Emri im ka katër germa, tha me keqardhje si ta kishin nxjerrë nga shtëpia.
Metod Antrakidit i shkëlqyen syzet dhe veshët iu skuqën. Emri yt biblik ka pesë germa dhe është
Sarai, që do të thotë princeshë, tha dhe ngriti shkumësin duke e drejtuar te katrori bosh që vinte
pas germës s të nënës së Sarës. Duke mbushur katrorët nga e djathta në të majtë doli Sarai dhe
bashkoi Isakun me Shebën.
Familja ideale e Arianit Komnenit u bashkua, tha Metod Antrakidi dhe u ul në karrige. Mihali
dhe Sara mbetën në këmbë me katrorin magjik në mes.
Sara shikonte numrat dhe iu kujtua dita që babai e la te shtëpia e Hanës. Do e marrësh arkën e
vogël, e kishte pyetur ajo. Arianiti e kishte parë me sytë e tij të thellë ku bota dukej më e pastër.
Tani nuk më nxë, i kishte thënë. Mbaje ti që kur të më gjesh, të më futësh ty. Po si do të të gjej, i
kishte thënë Sara. Ka vetëm një mënyrë për të gjetur diçka, kishte thënë Arianiti. Cila është ajo
mënyrë, e kishte pyetur ajo duke ngritur arkën e vogël. Njeriu e gjen një gjë në qoftë se i duhet,
kishte thënë babai. Po ti mund të më duhesh më shumë tani dhe jo kur të të gjej, kishte thënë
Sara. Arianiti kishte parë mbi kokën e saj, aty ku qielli takohej me tokën dhe bëhej i kuq, sikur
plagosej nga ai takim. Sytë e tij kishin marrë ngjyrën e qiellit, ndërsa trupi i ishte zvogëluar sikur
bëhej gati për të hyrë në arkën e vogël. Bota po ndryshon, i kishte thënë Sarës. Unë jam i vjetër
dhe i ngadaltë. Nëse rri me ty, ti do ecësh me hapin tim dhe do vonohesh. Po pse mendon se do
të të gjej, e kishte pyetur ajo. Në qoftë se nuk më gjen, do të thotë se nuk të duhem, kishte thënë
ai dhe ishte nisur.
Rruga ishte e shkretë, por bota nuk dukej shumë e pastër se po ndryshonte. Babai kishte të drejtë,
mendoi Sara. Tani më duhet më shumë se atëherë.
Ata kanë ikur në Kretë, foli Mihal Komneni që rrinte në këmbë si një kolonë e mbetur jashtë
katrorit magjik. Po pse duhet të shkonin në Kretë, pyeti Sara dhe hapi krahët. Njëri për të vdekur,
tjetri për të jetuar, tha Mihali që uli kokën e bardhë dhe pyeti: Po ti, kur do fluturosh?
Kur të kem një folje të sigurt për dallëndyshen time të vogël, u përgjigj Sara dhe doli.
Kur arriti në shtëpi, ishte muzg. Plloçat në perëndim të shtëpisë ishin shtuar dhe dukeshin si një
lëkurë që zgjatej duke mbuluar një skelet trarësh. Ibrahimi ishte ulur mbi krevat dhe po luante
me Anën. Ku ishe, e pyeti. Sara përqafoi Anën dhe i kontrolloi kokën, pastaj barkun, pastaj
këmbët dhe krahët që iu dukën më të rritura që kur ajo kishte ikur.
Isha në një botë katrore si ajo e Muhamedit, tha dhe qeshi duke ngritur lart krahët e Anës.