Në fillim të marsit dëbora nisi të shkrinte. Akujt u lëngëzuan mbi çatitë që kullonin si çezma.
Fshati u mbush me baltë e megjithatë Aliu nuk e hoqi leckën e Akilit nga thembra. Kur hynte në
shtëpi, lecka linte një gjurmë kafe pas vetes dhe ai e afronte këmbën pas vatrës që balta të thahej.
Sara mezi e bindi një
ditë që ta hiqte leckën duke i thënë se Akili i hiqte pajimet e luftës kur
flinte. Rrugët u hapën dhe Ibrahimi shkoi në qytet për të shitur bagëti. Ai merrte me vete edhe
Janin, i cili një ditë i tregoi se në Janinë kishte takuar Thanasin, i cili mbante një pisqollë në brez
dhe kur ecte njerëzit e kishin frikë. Pylli ishte kthyer prapë në ngjyrën e tij jeshile dhe zogjtë
kishin nisur të zgjonin Anën që në mëngjes. Një natë, kur ata kishin rënë për të fjetur, dera e
shtëpisë trokiti fort dhe Ibrahimi u ngrit të shihte. Kur u kthye, i tha Sarës se Mihali, komshiu i
tyre, kishte vdekur. Qysh se i vdiq gruaja Zoica, Mihali nuk dilte shumë nga shtëpia. I biri i tij,
Aleksi, merrej me tokat, blinte ushqime dhe Mihali gatuante për të dy. Gjatë muajve të dëborës,
Mihali nuk ishte parë fare. Aleksi që lajmëroi fshatin për vdekjen e të atit tha se ai kishte marrë
një të ftohtë dhe javën e fundit villte gjak. Ditën që Mihali u varros, Aleksi e thirri Ibrahimin në
oborr dhe i tha se ai donte të ikte në qytet dhe ta shiste shtëpinë. Nuk kam çfarë të bëj më këtu, i
tha Aleksi Ibrahimit që e shikonte i çuditur. Do shes shtëpinë dhe do shkoj në Janinë të zë një
punë dhe një grua. Ibrahimi u fut brenda dhe pyeti Sarën. Blije, tha Sara, djemtë po rriten dhe kur
të martohen këtu nuk ka vend për katër nuse. I bashkojmë dy shtëpitë dhe bëjmë një shtëpi më të
madhe. Pas disa ditësh, Ibrahimi u mor vesh me Aleksin për çmimin. Ky mori paratë, bëri të
shtatat e Mihalit dhe iku.
Kur hyri në shtëpinë e Mihalit, Sara i mori çarçafët, jastëkët, perdet, rrogozat dhe rrobat e vjetra
të Mihalit dhe Zoicës dhe i dogji në oborr. Një qilim të madh që Zoica e shtronte për pashkë në
dhomën e bukës dhe që kishte disa katrorë të verdhë të mbushur me katrorë më të vegjël me
ngjyra të tjera, Sara e lau dhe, pasi e shkundi fort me okllai, e nderi të thahej mbi plloça. Ibrahimi
e prishi gardhin që ndante dy shtëpitë dhe dy oborret u bashkuan.
Shtëpia e Mihalit ishte e para shtëpi që shitej në fshat. Familja e Ibrahimit dhe ajo e Mihalit
kishin jetuar si gjitonë qysh se stërgjyshi i Ibrahimit erdhi në fshat nga Suli. Ndërsa familja e
Mihalit kishte ardhur në fshat nga një fshat tjetër nga i cili i kishin përzënë kur stërgjyshi i
Mihalit kishte rrëmbyer një vajzë, me të cilën pastaj ishte martuar. Pleqësia e fshatit tjetër iu lut
babait të Arianit Komnenit që të mos e pranonte në fshatin e tij stërgjyshin e Mihalit. Por ishte
koha e Kretës dhe babait të Arianitit iu deshën burra për në luftë. Stërgjyshi i Mihalit kishte një
vëlla më të vogël që babai i Arianitit ia kërkoi për ta nisur në Kretë. Ai pranoi dhe babai i
Arianitit i dha një copë tokë nga të tijat në gjysmën e së cilës stërgjyshi i Mihalit ndërtoi
shtëpinë. Aty kishin lindur babai i Mihalit, një vëlla më i vogël dhe një motër. Kur familja e
Ibrahimit erdhi nga Suli, stërgjyshit i pëlqeu ai vend në cep të fshatit ngjitur me shtëpinë e
Mihalit. Ia kërkoi tokën ngjitur stërgjyshit të Mihalit, por ai nuk deshi t’ia jepte. Babai i Arianitit
i thirri të dy dhe i tha se, meqë djemtë e të dyve kishin vdekur në Kretë, ata duhej të ishin gjitonë,
në kujtim të tyre. Stërgjyshi i Mihalit nuk u bind dhe babai i Arianit Komnenit i kujtoi se tokën ia
kishte dhënë ai dhe po ashtu mund t’ia merrte. Megjithatë, stërgjyshi i Mihalit i kërkoi para
stërgjyshit të Ibrahimit. Ky ia dha dhe aty ndërtoi shtëpinë. Familjet ishin të ftohura, por kur
xhaxhai i Mihalit vrau vëllanë e gjyshit të Ibrahimit, sepse të dy u dashuruan me gjyshen e
Hanës, për pak kaluan në gjak. Ndërhyri prapë babai i Arianitit dhe i pajtoi duke e dëbuar
përgjithnjë nga fshati xhaxhanë e Mihalit. Gjakrat u ftohën, por nuk u harruan. Familjet nuk
shkonin dhe nuk vinin te njëra-tjetra. Pasi Ibrahimi e liroi Mihalin, ata nuk folën, megjithëse e
ndihmuan njëri-tjetrin gjatë muajve të kolerës. Ibrahimi e kishte ndihmuar Mihalin kur u sëmur
Zoica, por nuk pranoi të mjekonte familjen e vëllait të Mihalit, i cili kishte dashur ta vriste kur ai
u bë mysliman. Pasi vdiq Zoica, djali i madh i Mihalit, të cilit i kishte vdekur vajza e sapolindur,
iku nga fshati. Bashkë me të shkoi edhe vëllai i Mihalit, të cilit i kishte vdekur gruaja dhe jetonte
vetëm.
Ibrahimi nuk kishte hyrë më në atë shtëpi që kur kuronte Zoicën nga kolera. Kur hyri në shtëpinë
që kishte blerë, ajo iu duk e vjetër. Ka tre vjet që këtu nuk ka pasur dorë gruaje, i tha Sara që po
shkundte gjithë shtëpinë nga pluhurat dhe pezhishkat. Ibrahimi mori dru, ndezi vatrën dhe u ul
përballë zjarrit. Pse e ndeze atë zjarr, e pyeti Sara. Të djeg sëmundjet e kësaj shtëpie, tha
Ibrahimi dhe filloi të mendohej përballë zjarrit që lëpihej mbi muret e ftohta. E kemi blerë dy
herë këtë shtëpi, i tha Sarës, një herë stërgjyshi dhe tani unë.
Shtëpia kishte një dhomë buke dhe tre dhoma më të vogla. Sara i pastroi të gjitha dhe i tha
Ibrahimit se shtëpitë duhej të bashkoheshin që të dukej si një shtëpi e madhe. Po kur të martohen
djemtë, si do t’i ndajnë, e pyeti Ibrahimi. Do prishim derën që i bashkon dhe do bëjmë një mur,
por shtëpia do mbetet një dhe kjo do t’i mbajë vëllezërit të bashkuar, tha Sara. Kur djemtë erdhën
të shikonin shtëpinë e re, Aliu i tha Ibrahimit se kjo shtëpi nuk i pëlqente dhe se ai do rrinte
gjithmonë në shtëpinë e vjetër. Do t’i bashkojmë, tha Ibrahimi dhe do bëjmë një shtëpi më të
madhe me një dhomë për secilin nga ju. Nuk do kemi dy shtëpi, por një shtëpi të madhe. Unë e
dua dhomën time te shtëpia e vjetër, këmbënguli Aliu. Si do t’i bashkosh baba, e pyeti Niko. Do
afrojmë pullazet dhe do shtojmë një dhomë në mes të dy shtëpive, tha Ibrahimi. Atëherë do ketë
një dhomë edhe për Thanasin, tha Niko. Unë dua të rri në një dhomë me Thanasin dhe kur ai të
flejë unë do mbaj pisqollat poshtë jastëkut. Shtëpia do ketë shumë dhoma dhe ka vend për të
gjithë, edhe për Petron, edhe për Thanasin, tha Jani. Të thashë se këto dy shtëpi do bashkohen, i
tha Muhamedi. Jani e shikoi me sy të shuar dhe doli jashtë.
Në prill, Ibrahimi shkoi në një fshat disa orë larg dhe foli me usta Naumin për shtëpinë e re.
Naumi kishte punuar me Arianit Komnenin për ndërtimin e kishës së fshatit. Ai i tha Ibrahimit se
deri në fund të majit nuk mund të vinte sepse po punonte në Janinë për të zgjeruar një kishë, buzë
liqenit. Unë bëj kisha, i tha Naumi, por tani ndërtohen më shumë xhami dhe puna ka rënë. Ne e
kemi një kishë në fshat dhe na duhen shtëpi, i tha Ibrahimi.
Në fund të majit, Naumi erdhi në fshat bashkë me djalin e tij Andrean. Ibrahimi i tregoi dy
shtëpitë dhe i tha se donte t’i bashkonte për të bërë një shtëpi më të madhe. Kjo shtëpi është më e
lartë se shtëpia jote, tha Naumi duke mbledhur një spango me të cilin i biri kishte matur murin,
nga rrëza deri në majë të plloçave të çatisë. Duhet ta shkurtoj njërën ose të zgjas tjetrën që të
duket si një shtëpi. Ibrahimi pa nga Sara. Ne duam ta zmadhojmë shtëpinë dhe jo ta zvogëlojmë.
Mbaj lartësinë e shtëpisë së re dhe zgjat shtëpinë tonë, tha Sara. Bëhet, por ka më shumë punë,
foli ustai duke parë Ibrahimin. Sa kohë do, pyeti Ibrahimi. Në qoftë se nuk bien shira, në shtator
mbaron, tha Naumi.
Të nesërmen, Sara i mblodhi të gjitha plaçkat. Sëndukët, qilimat, perdet dhe enët i çoi në
shtëpinë e re, ku u vendos të rrinin përkohësisht. Tavolinën e madhe të bukës, dera e shtëpisë së
re nuk e nxinte dhe Ibrahimi me Janin e vunë në oborr dhe Sara e mbuloi me rrogoza të vjetër.
Krevatet e djemve u hoqën dhe u futën në dy dhoma, ndërsa në dhomën tjetër Sara solli krevatin
e saj të hekurit bashkë me perdet dhe qilimat. Niko tha se donte të flinte me Janin, ndërsa Aliu
me Muhamedin morën Skënderbeun, breshkën dhe tokën katrore dhe i strehuan në dhomën
tjetër. Oborri filloi të mbushej me plloçat që Andrea dhe Jani i hoqën një nga një nga shtëpia e
Ibrahimit dhe i rreshtuan përtokë. Duhet ta prishim furrën, i tha Naumi, Ibrahimit, sepse është në
mes të dy oborreve dhe na pengon. Andrea i ra me qysqi furrës dhe ajo u thërrmua, si bukë e
thekur. Do bëjmë një të re, mendoi Ibrahimi dhe në hundë i erdhi era e lakrorit me fasule që Sara
kishte pjekur atë mëngjes. Naumi dhe Andrea rregulluan një qoshe në dhomën e Sarës dhe
Ibrahimit që shikonte nga arra e vogël dhe fjetën atje. Ata punonin gjithë ditën duke rrëzuar
mure, duke matur, dhe duke thyer gurë që Andrea i fuqishëm i mbante me lehtësi në majë të
shkallëve, aq sa djemtë habiteshin. Kush është më i fortë, Andrea apo Thanasi, pyeti Niko.
Thanasi i përdor muskujt për njerëzit, ndërsa Andrea për gurët, tha Jani duke hipur në majë të
çatisë.
Qershori ishte i nxehtë dhe Andrea punonte i zhveshur. Djersët i binin mbi lëkurën e nxirë nga
dielli dhe trupi i tij dukej si një statujë bronzi mbi shtëpi. Naumi e drejtonte nga poshtë dhe i
thoshte ku duhet të ngulte trarët e rinj, mbi të cilat më pas do viheshin plloçat. Në mes të oborrit,
Naumi gërmoi me lopatë një gropë të madhe ku ziente gurë të thërrmuar që i bënte gëlqere. Jani i
merrte me një kovë, hipte mbi shkallë dhe Andrea i lyente gurët dhe mbi ta vinte gurë të tjerë.
Perimet që Sara kishte mbjellë një vit më parë në një pjesë të oborrit ishin shkelur dhe Sara i tha
Ibrahimit ta rrethonte me plloça bahçen e saj të vogël që domatet, patatet, qepët dhe kastravecët
që mos prisheshin. Kur muri filloi të ngrihej nga perëndimi, një gur i ra Andreas nga dora dhe i
theu arrës së vogël një degë të njomë. Ibrahimi e ngriti si një foshnjë dhe Sara i tha ta vinte në
një vazo që kur të mbaronte shtëpia të mbillnin një arrë tjetër në pjesën e djemve. Ibrahimi mori
një enë të madhe balte, e mbushi me dhe, nguli degën e thyer dhe e la në diell.
Në fillim të korrikut muret e dy shtëpive ishin në një lartësi. Ibrahimi e shikonte shtëpinë si rritej
çdo ditë nga pak dhe i tha Sarës se kur të mbaronte kjo do ishte shtëpia më e madhe në fshat. Ke
gjashtë djem dhe një vajzë, tha Sara, gjithmonë do të të duket e vogël. Nuk jemi gjashtë djem,
tha Muhamedi. Petro nuk do të kthehet se këtu nuk ka det. I ati nuk e dëgjoi, ndërsa Niko e pa
me inat dhe i tha: Ti do që të gjithë ne të ikim dhe shtëpinë ta kesh për vete. Jo, iu përgjigj
Muhamedi, ti do ikësh vetë nga kjo shtëpi.
Kur Andrea vendosi plloçat e para mbi skeletin e trarëve, filloi shiu. Sara me Ibrahimin e
mbuluan tavolinën me plloça të mëdha, të cilat i shtrinë mbi rrogoz, ndërsa Naumi me Andrean u
futën në shtëpi dhe mbuluan me katrama vendin ku flinin. Shirat vazhduan dhe të nesërmen dhe
puna u ndërpre. Nuk do ta kapim dot shtatorin, tha Ibrahimi dhe shkoi të bisedonte me Naumin.
Po shkojmë disa ditë në fshat. Kthehemi sa të pushojë shiu, tha Naumi dhe bashkë me Andrean u
nisën që pa gdhirë. Shtëpia pa çati e fuste ujin nga të gjitha anët dhe natën kur frynte erë, muret
ia përcillnin zhurmën njëri-tjetrit si një kor kishe. Oborri, i mbushur me plloça, drurë, gurë të
thyer, çekiçë, vegla, mistri, shkallë dhe plot mbeturina që kishin mbetur nga ndërtimi, i ngjante
legjendës së Kaosit që Sara u kishte treguar djemve. Shiu u plotësoi rrëmujën e oborrit duke
hapur gropa me baltë gjithandej. Ibrahimi u mbyll në dhomë dhe prej andej shikonte retë e zeza
mbi shtëpi që dukeshin sikur mbanin radhë për t’u hedhur në një pus. Jani shkoi në qilarin e
shtëpisë së vjetër, mori një copë dru dhe filloi të gdhendë një shtëpi të madhe që do t’i ngjante dy
shtëpive kur ato të bashkoheshin. Shtëpinë e re ktheje nga dielli, i tha Niko. Do ta kthej nga deti
që ta shohë Petro, i tha Jani dhe e futi daltën thellë në dru, sikur po kërkonte ujë në tokë. Para se
të flinin, Aliu e pyeti Muhamedin se kur do të mbaronte shiu sepse ai donte të kthehej në
shtëpinë e vjetër. Shiu do pushojë kur të fillojë shkolla, tha Muhamedi dhe u kthye nga muri
duke e lënë Aliun të çuditur. Muhamedi ka filluar të flasë prapë me vete, mendoi Aliu dhe fjeti.