Pages

Kapitulli 11 - Romani ''Te Jetosh Ne Ishull'' Ben Blushi

Kur u bë mysliman, Ibrahimi kishte katër djem. Thanasi që ishte më i madhi, ishte 15 vjet, ndërsa më i vogli ishte 15 muaj. E shoqja nuk pranoi të ndërronte fenë dhe as t’ia ndryshonte emrat të bijve apo t’i bënte ata synet. Kështu që djemtë vazhduan të thirreshin
me emrat e pagëzimit Thanas, Petro, Jani dhe Niko. Kur imami erdhi në fshat për bajramin e parë dhe dëgjoi emrat e djemve, e pyeti: Sa myslimanë ka kjo familje e krishterë Ibrahim? Megjithëse ai i tha se i kishte bërë një premtim të shoqes dhe nuk mund ta thyente, imami nuk u bind. Në bajramin e dytë, imami ia përsëriti pyetjen dhe Ibrahimi i dha të njëjtën përgjigje. Por imami u nxeh dhe për ta vënë në sedër i tha se kjo ishte hera e fundit që vinte në një shtëpi, të cilën e komandonte një grua dhe jo një burrë. Pas ramazanit të tij të dytë, gruaja mbeti shtatzënë. Mrekulli, i tha ai, do lindësh një mysliman. Ajo i kujtoi premtimin, por ai i tha se premtimi ishte dhënë për të gjithë fëmijët që kishin lindur para se ai të bëhej mysliman, ndërsa për të palindurit, ai nuk ishte në fuqi. Pesë ditë e pesë net e shoqja as piu, as hëngri. Gratë q e vizitonin i thanë se ajo ishte dobësuar dhe kjo nuk i bënte mirë, madje mund t’i rrezikonte jetën. Ditën e gjashtë ai dërgoi në qytet Vasilin që të thërriste priftin. Çfarë t’i them, it ha Vasili, ti e di që ai nuk të do. Thuaji se duhet të vijë patjetër për t’i shpëtuar jetën një gruaje të krishterë. Në qoftë se nuk vjen kjo do të vdesë, kështu thuaji. Prifti erdhi të nesërmen dhe ai i tha: Imzot unë u bëra mysliman, por gruaja dhe katër djemtë e mi mbetën të krishterë. Tani ajo është rëndë prapë. Unë i thashë që fëmija që do të lindë do të jetë mysliman, si babai i vet. Por ajo nuk pranon dhe ka shtatë ditë që nuk fut gjë në gojë dhe unë nuk duroj dot që të vdesë bashkë me fëmijën tim në bark. Fol me të dhe i thuaj që unë i dua njëlloj fëmijët e mi qofshin të krishterë apo myslimanë. Por nuk mund të pranoj që të jemi i vetmi mysliman në një familje të krishterë. Fol me të dhe më ndihmo, u lut Ibrahimi. Prifti u ngrit dhe u fut në shtëpi. Nuk kaloi shumë dhe doli. Rasa e tij e zezë nuk shquhej fare natën. Ai e kuptoi që prifti po afrohej, vetëm kur një duhmë e rëndë prej njeriu që ka ngrënë me tepricë, ia bllokoi hundët. Ajo do vazhdojë të mos hajë dhe të mos pijë në qoftë se ti nuk bën një zotim të ri, tha prifti. Jam gati, tha Ibrahimi. Do mbaj çdo premtim siç kam bërë deri më sot. Prifti ngriti kokën dhe tha: Gruaja jote do vazhdojë të jetojë si e krishterë. Katër djemtë e tu po ashtu. Ata do të shkojnë në kishë, do ngjyejnë vezë pashke dhe do hanë mish derri. Askush nuk do t’i shtrëngojë ata të ndryshojnë fenë dhe nëse dikush tenton, ti do ta ndalosh. Ti duhet t’i duash njëlloj fëmijët që ke apo ata që do lindin. Pasuria jote do të ndahet në barazi mes djemve të krishterë dhe myslimanë. Gruaja jote do t’i respektojë pa u ankuar të gjitha detyrimet që Islami të ngarkon ty qofshin në ushqim, në udhëtim, në ramazan apo në shtrat. Por ajo nuk detyrohet të mbajë ferexhe apo të ndajë shtratin me gra të tjera. Fëmijët që do lindin pas këtij zotimi do të jenë myslimanë, si ai ati, nëse janë djem dhe të krishtera si e ëma nëse janë vajza. Prifti uli kokën dhe shtoi: kaq kërkon që të mos vdesë. Atij i ishin mbushur sytë. Kurrë në jetën e vet nuk kishte përjetuar një solemnitet të tillë. Gjatë gjithë këtyre viteve, duke u marrë me kafshët dhe Islamin, nuk kishte kuptuar dot se e shoqja kishte fituar pjekurinë për t’ia disiplinuar jetën njëlloj si një institucion, si kadiu, si imami apo si Arianit Komneni në kohën kur ishte kryetar i pleqësisë. E shoqja kishte vendosur barazi mes dy feve nën një çati, gjë që profetët, bashkë me gjithë të urtët e të fortët e botës, nuk ia kishin arritur dot akoma. Ajo e dinte sa e vuante ai që asnjë nga djemtë nuk e kishte ndjekur në Islam. Edhe djemtë ndiheshin keq kur fshati i thërriste: Thanasi i Anës, apo Nikoja i Anës. E si mund t’i quanin ndryshe: Thanasi i Ibrahimit? Shpesh atij i dukej vetja si një deve që ushqehet me vezë pashke. Po mendonte për të gjitha këto, kur prifti e përmendi. Nuk më the a e pranon zotimin? E pse jo, tha ai qetësisht. Që sot nuk do jem myslimani i vetëm në familjen time. Në majin e vitit 1771 lindi një djalë që ai e quajti Muhamed, me emrin e profetit të tij. Muhamedi lindi synet dhe gjithë fshati u shkul për të parë këtë çudi. Natyrisht që kështu do të ndodhte, thoshte Ibrahimi duke mbajtur djalin e zhveshur në krahë. Muhamedi është myslimani i parë i vërtetë në këtë fshat dhe nuk mund të pranonte të bëhej synet nga një baba që ka lindur i krishterë. Dy vjet pas Muhamedit lindi një djalë tjetër që Ibrahimi e quajti Ali, për nder të Ali Tepelenës, ndërsa katër pas tij, u lind Ademi, që megjithëse ishte djali i shtatë i Ibrahimit, mori emrin e njeriut të parë, Adamit, siç i kishte treguar imami. Bashkë me fëmijët u shtuan dhe kafshët. Pas kafshëve edhe paratë. Ai e zgjeroi shtëpinë nga prapa dhe ndërtoi një dhomë të madhe gjumi për vete dhe gruan. Oborrin e zhveshur e mbolli me mollë, ndërsa pranë dritares së dhomës së re mbolli një arrë. Kur ne të plakemi arra do jetë fëmijë, kur ne të vdesim ajo do jetë bërë grua dhe do mbushet me kokrra, i tha Ibrahimi së shoqes. Rrugën përpara shtëpisë e shtroi me gurë kalldrëmi të bardhë duke i varrosur një herë e mirë gropat që kishin lënë kryqet e djegur. I nxori të gjitha kafshët nga shtëpia dhe ndërtoi një stallë të madhe me kallama dhe qerpiç jashtë fshatit. Sëmundjet ngjitëse në kafshë u përhapën shumë ato vite, por vetëm Ibrahimi dukej i kënaqur. Atij i vinin me dhjetëra kuaj, lopë, dhi e dele në javë për të kuruar dhe fshati dukej shumë më i madh, sa herë që tufat e kafshëve të shëruara parakalonin nëpër rrugët e tij, si ushtri. Asnjë ushtri tjetër, që kishte kaluar në fshat, nuk kishte qenë më paqësore