Pages

Kapitulli 19 - Romani ''Te Jetosh Ne Ishull'' Ben Blush

Dëbora e mbajti fshatin të pushtuar deri në fund të shkurtit. Ibrahimi shkoi edhe dy herë për gjah, por kafshët ishin mësuar me hilet e çarkut të tij dhe nuk i afroheshin më patateve dhe mishit të ftohtë. Gjatë ditës, djemtë luanin në dhomën e tyre dhe në darkë i kërkonin Sarës t’i tregonte
histori me perëndi. Sara i tregoi për Akilin e pavdekshëm që kishte mundur trojanët dhe që ishte vrarë nga një shigjetë në thembër. Po ai ishte i pavdekshëm, pyeti Niko, si iu ngul shigjeta në thembër? Akili ishte bir i perëndisë dhe kur lindi ai e ëma, që e donte shumë, vendosi ta bënte të pavdekshëm. E çoi në Had dhe e futi në ujërat e lumit të Hijeve, por, kur e zhyti, e mbajti nga thembra që djalin të mos e merrte lumi. Trojanët e dinin që ai mund të vritej vetëm në thembër dhe aty ia ngulën shigjetën. Akili duhet të ketë qenë me sandale ditën që e vranë, tha Niko. Troja është një vend i nxehtë dhe aty nuk ka dimër si këtu te ne, tha Sara. Dua të jem Akili, thoshte Aliu, por nuk do vesh asnjëherë sandale. Kush e vrau Akilin, pyeti Niko, Akili u vra nga Paridi, u përgjigj Sara, e cila duhet të fillonte një rrëfim të ri sa herë që në rrëfimin e mëparshëm dilte emri i një heroi të ri. Paridi ishte djali i mbretit të Trojës. Para se të lindte, e ëma pa në ëndërr sikur djali që do të lindte do ta shkatërronte Trojën. Kur lindi Paridi, i ati, që e kishte besuar ëndrrën, e dëboi nga qyteti dhe djali u rrit në pyll dhe u bë shumë i bukur. Një ditë tre perëndeshat kryesore greke: Athina – perëndesha e drejtësisë, Afërdita – perëndesha e bukurisë dhe Hera – perëndesha e fuqisë bënin një garë bukurie. Zeusi që i kishte vajza, Athinën dhe Afërditën dhe grua Herën nuk donte të zgjidhte vetë dhe vendosi që burri më i bukur në tokë të përcaktonte kush ishte më e bukura mes perëndive. Burri më i bukur ishte Paridi, të cilit Zeusi i dha një mollë të kuqe. Kështu, një ditë, të tre perëndeshat shkuan te Paridi dhe i kërkuan mollën. Athina i premtoi se në qoftë se do t’ia jepte asaj atëherë Paridi do t’i fitonte të gjitha luftërat. Hera i premtoi ta bënte mbretin më të madh të botës, ndërsa Afërdita i premtoi gruan më të bukur të botës. Paridit i pëlqeu premtimi i Afërditës dhe ia dha asaj mollën, kurse ajo e martoi me Helenën. Kjo mollë u quajt molla e sherrit sepse pas saj filloi lufta e trojanëve me grekët. Unë dua të jem Paridi, tha Niko. Do marr gruan më të bukur në fshat dhe do vras Akilin. Aliu, i nxehur, shkoi në dhomë, e mbështolli thembrën e tij me lecka dhe dy djemtë filluan të luftojnë. Ana luante me trekëndësha, ndërsa Muhamedi i mbuluar me batanije rrinte pranë zjarrit. Po Ana ka qenë perëndeshë, pyeti ai Sarën. Ana Komnena ka qenë princeshë, tha Sara. Djemtë i kërkuan t’i tregonte historinë e Anës dhe Sara, pasi i hodhi dru zjarrit, filloi të fliste. Jani zbriti në qilar, ndërsa Ibrahimi u ul në krye të tavolinës dhe dëgjonte. Ana Komnena ka jetuar në Bizant. Bizanti ishte perandoria më e madhe në botë për një mijë vjet. Bizanti shtrihej në të gjitha tokat e grekëve dhe të shqiptarëve, por edhe në Afrikë dhe Azi. Perandorët e Bizantit në fillim qëndruan në Romë dhe ishin romakë. Por Roma sulmohej nga fise njerëzish të pafe dhe Kostandini, një perandor që kishte lindur në Shqipërinë e asaj kohe, vendosi të ndërtonte një qytet të madh larg Italisë, ku të pafetë nuk shkonin dot. Ai zgjodhi një vend shumë të bukur mbi det ku themeloi qytetin e tij që u quajt Kostandinopojë. Ky qytet tani është Stambolli, sepse turqit kur e pushtuan ia ndryshuan emrin. Përpara një beteje të madhe, Kostandini pa në ëndërr një kryq dhe ai vendosi të bëhet i krishterë dhe pas tij i gjithë Bizanti u bë i krishterë derisa erdhën turqit. Pas Kostandinit, perandoria pati shumë luftëtarë dhe shumë perandorë, Ana Komnena ishte vajza e perandorit dhe ka lindur shtatëqind vjet më parë në vitin 1083, dy vjet pasi babai i saj Aleks Komneni u shpall perandor. Ana mori emrin e gjyshes së saj Ana Dalasena. Qysh kur lindi, nëna e saj tha se Ana duhej të bëhej perandoreshë e Bizantit. Kur ishte katërmbëdhjetë vjeç prindërit e martuan Anën me një gjeneral të shquar. Ana Komnena e vogël nuk donte të martohej dhe një muaj nuk doli nga dhoma e saj ku qante dhe urrente të atin qe e martoi me një plak. Kur babai i saj, Aleks Komneni u sëmur, perandoresha bashkë me Anën menduan të merrnin fronin, mirëpo vëllai i Anës, Jani, u tregua më i zgjuar dhe shkoi në shtratin e babait ku i mori unazën perandorake dhe bekimin për t’u bërë perandor. Ana dhe e ëma u mbyllën në një manastir ku mbetën deri në fund të jetës ku ajo filloi të shkruajë historinë e luftërave të babait të saj dhe ky libër u quajt Aleksiada, sipas emrit të Aleks Komnenit. Ana Komnena vdiq në ishullin Lesbos, por varri i saj nuk dihet me saktësi. Pesëdhjetë vjet më vonë, Komnenët u larguan nga Kostandinopoja dhe qyteti u pushtua nga kryqtarët në kohën kur perandori ishte një nip i saj. Një Komnen tjetër, nip i Ana Komnenës, shpëtoi nga vdekja në Kostandinopojë dhe erdhi në Janinë ku u bë princ i madh. Nga kjo degë e Komnenëve është Arianit Komneni i Madh, i cili luftoi turqit në vitet 1400 dhe pastaj martoi vajzën e tij Donikën me Skënderbeun. Babai im, Arianit Komneni është stërnip i Arianit Komnenit të Madh. Unë e mbaj mend Arianit Komnenin, tha Jani që i kishte hedhur dru zjarrit që digjej në flakën e vet. Si ishte, e pyeti Niko. Ishte i madh dhe me flokë të bardha të gjata, tha Jani. Një ditë, Thanasi më mori me vete te shtëpia e tij dhe Arianiti që hante arra të thata në oborr më dha një arrë. Por unë nuk e çaja dot dhe Arianiti e vuri mbi një plloçe dhe e çau duke i rënë me dorë. Po ti baba e ke njohur Arianit Komnenin, pyeti Muhamedi. E kam njohur, tha Ibrahimi që rrinte i menduar. Po ty çfarë të tha, pyeti prapë Muhamedi. Ibrahimi pa Sarën në sy sikur ta pyeste në duhej ta vazhdonte këtë bisedë apo jo. mua më mësoi si bëhen djemtë, tha Ibrahimi. Po pse ti nuk e dije, pyeti Niko. Ibrahimi vuri buzën në gaz dhe iu kujtua nata e parë e dasmës. Nuk e dija mirë se isha i ri, tha, por Arianiti kishte tre djem dhe e dinte më mirë se unë. E si bëhen djemtë, pyeti Muhamedi. Po ta thashë tani, do ta harrosh. Kur të rritesh do ta mësoj, i tha Ibrahimi, por Muhamedi u mbështoll fort me batanije dhe tha: Unë e di si bëhen, por mësoja Aliut. Aliu dëgjonte bisedën me vëmendje dhe kur iu përmend emri ngriti kokën drejt Ibrahimit sikur priste të dëgjonte formulën mashkullore të Arianit Komnenit. Por Ibrahimi nuk foli dhe Aliu i tha: Po kur lindi Ana ti e kishe harruar atë që të mësoi Arianiti? Sara filloi të qeshte dhe mori Anën në prehër. Nuk e kam harruar, tha Ibrahimi. Kur lindi Ana unë kisha gjashtë djem dhe doja një vajzë. Po si bëhen vajzat, kush ta mësoi, vazhdoi Aliu. Nuk ia mësoi asnjeri, tha Sara. Kur do vajza duhet të bësh të kundërtën e asaj që tha Arianiti. Jani rrinte i ngrysur. Ishte më i madhi nga djemtë dhe dinte më shumë nga ata. Biseda po e vinte në siklet sepse Ibrahimi dhe Sara e dinin që ai nuk bindej nga formula e Arianitit. Ana e ka marrë emrin e nënës sonë, tha Jani duke ndërruar bisedën. Jo, tha Muhamedi, Ana ka marrë emrin e Ana Komnenës sepse edhe ajo quhet Ana Komnena. Të gjithë ne kemi mbiemrin e babait, ndërsa Ana ka mbiemrin e Sarës. Ibrahimi lëvizi këmbët nën tavolinë. Mbiemri i vajzës gjithmonë e kishte vënë në vështirësi. Kur Ana lindi dhe u regjistrua në kishë, prifti e kishte pyetur për mbiemrin dhe Sara i kishte thënë se vajza quhej Ana Komnena. Nuk do marë mbiemrin e të atit, kishte pyetur prifti me zë të ulët, që dukej se kjo gjë i pëlqente. Ibrahimi nuk kishte folur dhe prifti e kishte shkruar mbiemrin sipas Sarës. Familja ime nuk po ndahet vetëm në myslimanë dhe të krishterë, por edhe në emra, mendoi me vete, ndërsa djemtë prisnin një përgjigje. Ata e dinin që motra e tyre kishte një mbiemër tjetër, por kurrë nuk e kishin pyetur Ibrahimin se pse ishte kshtu. Ibrahimi e pa Sarën me inat dhe iu duk sikur ajo e kishte treguar historinë e Ana Komnenës së Bizantit për ta vënë në vështirësi përpara djemve. Ana ka emrin e nënës suaj, ndjesë pastë, foli Sara duke i parë djemtë me qetësi. Sytë e zinj i shkëlqenin nga zjarri, por Ibrahimi mendoi se historia e familjes e kishte ndezur edhe më tepër. Nëna juaj ka qenë një grua shumë e mirë dhe e dashur, e cila rriti shtatë djem, por gjithmonë kishte dashur të kishte edhe një vajzë. Ajo u sëmur dhe nuk lindi më dhe unë besoj se ka ikur nga kjo botë duke pasur një brengë, që nuk solli dot në jetë një motër për djemtë e saj. Babai e ka dashur shumë atë dhe kur lindi Ana më kërkoi që ajo të merrte emrin e nënës suaj. Unë pranova sepse edhe unë e kisha njohur Anën. Kur isha e vogël dhe rrija në shtëpinë e Hanës dhe të xhaxhait tuaj Vasilit, ajo vinte shpesh dhe më mësonte si të qëndisja me grep. Po Ana pse mori mbiemrin Komnena, pyeti Aliu. Kur babai im iku nga fshati unë mbeta e vetmja Komnenë nga dega jonë. Dy vëllezërit e mi kanë ikur dhe nuk e di në do kthehen më. Unë i thashë babait tuaj se fëmija që do lindë duhet të marrë mbiemrin tim në mënyrë që dera jonë të mos shuhet. Babai pranoi dhe ju sot keni një motër të vogël, tha Sara duke parë Ibrahimin në sy. Po në qoftë se babai nuk pranonte, pyeti Niko. Unë nuk do martohesha me babanë tuaj, tha Sara, dhe tani do kisha ikur të gjeja babanë tim. Po babai do martohej me një grua tjetër, pyeti Aliu, por Sara ngriti supet dhe buzëqeshi. Kur nëna vdiq, ju ishit të vegjël dhe kishit nevojë për një grua që t’ju rriste dhe t’ju ushqente, foli Ibrahimi, me sytë ulur mbi tavolinë. Thanasi erdhi një ditë në fshat dhe më kërkoi të martohesha me Sarën, që ai e kishte pasur shoqe kur ishin të vegjël. Unë nuk ia prisha Thanasit dhe ju u bëtë me një nënë dhe me një motër që nuk i kishit. Jani u ngrit të rregullonte zjarrin, ndërsa Aliu iu afrua Ibrahimit dhe iu ul në peqi. Mirë bëre, tha Muhamedi. Sara gatuan shumë mirë dhe na tregon histori që asnjë grua tjetër në fshat nuk i di, sepse gratë nuk lexojnë. Po babai yt ku ka shkuar, pyeti Niko duke u afruar nga Sara. Babai iku nga fshati kur Ali Tepelena mori Thanasin dhe ia ndryshoi emrin vëllait tim Gjergjit që e quajti Ismail. Ai nuk tha ku do shkonte, por më tha që kur të rritesha unë do ta kuptoja vetë se ku ka shkuar dhe do ta gjeja një ditë. Po tani që je rritur e ke kuptuar, pyeti Muhamedi. Nuk jam rritur akoma aq sa duhet, tha Sara dhe shkoi në dhomë për të vënë në gjumë Ana Komnenën që po kotej në duart e saj. Ibrahimi dhe djemtë mbetën vetëm. Baba a do iki Sara të gjejë Arianitin kur të rritet, e pyeti Niko, me zë të ulët që Sara mos ta dëgjonte. Ajo nuk do të iki pa u rritur Ana dhe ju, tha Ibrahimi. Por edhe në qoftë se do të iki do të kthehet prapë. Kur djemtë shkuan të flenë, një copë herë nuk i zuri gjumi. Aliu nuk pranoi ta zgjidhte leckën që kishte lidhur pas thembrës, ndërsa Muhamedi tha: Sara do iki sepse ajo e di ku është babai i saj. Do ta marrë dhe Anën me vete, e pyeti Niko. Jo, tha ai, Ana Komnena do rrijë këtu.