Të nesërmen ishte duke mbjellë kur dëgjoi një zë të fortë që thërriste: Ana, Ana. U ngrit dhe pa
në rrugë një burrë të shkurtër të shëndoshë, me mjekër të kuqe dhe të veshur si malësor. Në kokë
kishte një qeleshe të gjatë me majë, dhe nën jelekun e qëndisur pa mëngë, dalloheshin dy
pisqolla të bardha.
Fustanella e gjatë nuk ia fshihte dot këmbët e trasha gjithë nyje. Ana po fle, i
tha Sara duke mbajtur një rrënjë patëllxhani në dorë. Mos është gjë sëmurë, e pyeti burri. Jo, i tha
Sara, nuk është zgjuar akoma. Ishte mesditë dhe burrit i lëvizi fustanella, sikur po kërcente nga
habia. Po ti kush je, i tha. Jam gruaja e Ibrahimit, u përgjigj Sara. Mos kam ngatërruar gjë shtëpi,
pyeti burri dhe ktheu kokën nga rruga si një njeri që ka humbur adresën. Po zotrote kush je, pyeti
Sara. Jam Llambro Xhavella, daja i Anës, tha burri duke u drejtuar. Nuk je ngatërruar, i tha Sara
dhe e ftoi të hynte në shtëpinë pa derë. Burri u ul dhe Sara i tha: Ngushëllime, të rroni vetë. Ana
ka dy vjet që ka vdekur.
Llambro Xhavella mori frymë thellë dhe mustaqet e kuqe i lëvizën, por nuk foli. Hoqi qeleshen
dhe dy pisqollat dhe i la mbi tavolinën e re. Sa i ngjan Halil Patronës, mendoi Sara kur pa kokën
e tij të rruar, pas së cilës zgjatej një gërshet i kuq që kishte filluar të thinjej. I dha një gotë ujë dhe
i tregoi për kolerën, për humbjet e fshatit, për urinë dhe etjen e atyre ditëve, për vdekjen e
Vasilit, të fëmijëve, të bagëtive dhe për Anën dhe djalin e saj të vogël, Ademin që vdiqën njëri
pas tjetrit. Pastaj i tregoi sesi pas vdekjes së Anës ajo ishte martuar me Ibrahimin, por Llambro
Xhavella, që rrinte mbështetur pas murit, e ndërpreu dhe i tha se nuk e kishte martuar mbesën me
ndonjë Ibrahim. Kur Sara i tregoi se si Ibrahimi ishte bërë mysliman qysh se Ana ishte gjallë,
Llambro tha se jo vetëm mbesa, por dhe i shoqi paskan vdekur. Ku janë djemtë, t’i ngushëlloj për
humbjen e prindërve, tha dhe kërkoi me sy nëpër shtëpi. Janë me të atin në pyll, po bëjnë derën e
shtëpisë, tha Sara. Një copë herë mbetën të dy në heshtje pa ditur ç’të thoshin. Sara kishte
dëgjuar pak për Llambro Xhavellën. Ibrahimi nuk fliste për të, por Petro i kujtonte me mall ditët
kur e ëma e çonte në Sul, te daja i vet. Që atje lart dukej deti, thoshte Petro, që i mburrej
vëllezërve më të vegjël, të cilët nuk e kishin parë kurrë detin.
Njëherë, Llambro kishte marrë Petron dhe Foton, djalin e tij të madh, dhe i kishte çuar në det.
Vetë rrinte në breg dhe lante me sfungjer kalin e tij, ndërsa djemve u tha t’i hiqnin rrobat dhe të
futeshin në ujë. Nuk dimë not, i kishte thënë i biri, do mbytemi. Futuni, i kishte urdhëruar
Llambro Xhavella, suljoti mbytet vetëm me thikë. Duke ecur në majë të gishtave për të
shmangur gurët e bregut, dy djemtë ishin hedhur në ujë. Pas disa metrave, aty ku jeshilja bëhej
blu, kishin zgjatur këmbët, por në atë thellësi nuk kishte më tokë për t’u mbështetur. Djemtë
filluan të bërtisnin dhe të mbaheshin te njëri-tjetri, por kjo i tmerroi edhe më shumë sepse sa herë
që njëri rëndonte, tjetri zhytej. Llambro i shihte nga bregu dhe duke qeshur mjekra e kuqe i
lëvizte si sfungjer. Pasi i la dhe pak ashtu, të kapur si leshterikë pas flokëve të njëri-tjetrit,
Llambro Xhavella i ra kalit fort në ije dhe ky u nis në drejtim të djemve. Kali notonte sikur
vraponte dhe u afrua shumë shpejt te djemtë. Ata e kapën fort nga bishti, e pastaj i hipën sikur po
e kalëronin. Kur dolën në breg, kali i Llambro Xhavellës u ul dhe dy djemtë zbritën si nga një
shkallë anijeje. Kur u qetësuan, Petro e pyeti Llambro Xhavellën: Po ti dajë, a di not? Llambro
ktheu kurrizin dhe, duke e fshirë kalin me sfungjer, tha: Unë nuk jam kalë, o biri i Anës.
Po ty si të quajnë, e pyeti pas pak Llambro Xhavella, Sarën. Më quajnë Sara, tha ajo. E kujt je ti
Sara? Jam e Arianit Komnenit, tha ajo dhe vuri dorën te gërsheti i zi, siç kishte bërë edhe në vitin
1769 kur kishte takuar Ali Tepelenën, i cili i kishte bërë të njëjtën pyetje.
Llambro Xhavellës i shkëlqyen sytë. E kam njohur Arianitin, tha ai dhe u zgjat për të folur. Kur
Martuam Anën, mua më dërgoi babai në këtë fshat për të biseduar me familjen e Ibrahimit. Pasi
ramë dakord për datën dhe ceremoninë, unë doja të njoftohej pleqësia për të marrë masa, sepse
ne do vinim me shumë krushq nga Suli. Suljotët shkojnë nëpër dasma të armatosur dhe unë
kërkova të bisedoj me kryetarin e fshatit për ta lajmëruar dhe për t’i thënë që të mos shqetësohej
kur të shikonte një ushtri me krushq të mbathur si për luftë. Pyeta dhe më çuan tek yt atë.
Në vitin 1752 unë isha një djalë 28 vjeç, ndërsa ai një burrë i madh me flokë të bardhë, të cilët
atë ditë i kishte mbledhur pas koke dhe mua m’u duk si një prift që drejton një kryengritje. Edhe
kur e kam takuar herën e dytë, Arianit Komneni më është dukur sikur bëhej gati për kryengritje,
sepse sytë e tij të mëdhenj, shihnin sipër kokës sime dhe fjalët e tij dukeshin si urdhra. Atë ditë,
Arianiti ishte në mes të fshatit dhe po i jepte dorën e fundit ndërtimit të kishës. Duart i kishte me
pluhur dhe nuk më takoi. I thashë se vija nga Suli për të martuar mbesën time
gjashtëmbëdhjetëvjeçare. E di, më tha, keni zgjedhur një fshat të ngrohtë për t’u martuar. Kur i
thashë se për dasmë do vinin shumë krushq nga Suli dhe ata do ishin të armatosur, më pa nga
koka te këmbët dhe duke qeshur më tha: Në qoftë se i lini armët këtu kur të ikni, ejani sa të doni.
Unë doja ta kundërshtoja, por Arianiti më tha se kishte bërë shaka dhe se fshati kishte armë, por,
duke qenë i vogël, nuk kishte shumë burra. Uroj që mbesa jote të jetë e shëndetshme dhe t’i
shtojë djemtë e këtij fshati, më tha duke më parë me bisht të syrit si çdo njeri që flet për punë
grash. Unë e pyeta se kur mbaronte kisha dhe kur më tha se donte dhe nja dy muaj i thashë, si me
të lutur, se a mund të shpejtohej pak puna në mënyrë që mbesa ime të martohej në kishë. Nëse ti i
sjell krushqit nesër që të punojnë me mua, kisha mbaron për dhjetë ditë, tha Arianiti. Ishte fundi i
qershorit dhe ne kishim rënë dakord që dasma të mbahej të dielën e parë të shtatorit. Po nëse e
shtyjmë dasmën një muaj, a mund ta mbarosh kishën, e pyeta unë. Besoj se po, tha Arianiti duke
parë qiellin e pastër. Të dielën e parë të tetorit kambanorja është gati.
Unë bisedova me familjen e dhëndrit dhe dasma e Anës u shty në tetor. Kur u ndamë Arianiti më
pyeti se nga cila familje e Sulit isha. Kur i thashë se isha nga Xhevallat, ai më mori në qafë dhe
më puthi. Rron gjyshi, më pyeti. Jo, i thashë, na la, ka pesë vjet. I çuditur, unë e pyeta se a e
kishte njohur gjyshin, por Arianit Komneni më tha që babai i tij e kishte pasur mik dhe më tregoi
një histori nga e cila unë dija shumë pak.
Babai i Arianitit, gjyshi yt, vuante sa herë që dëgjonte se turqit pushtonin fshatra dhe shqiptarët
ktheheshin në myslimanë. Ai besonte se nëse të gjithë të krishterët grekë, shqiptarë, sllavë,
bullgarë dhe të tjerë bashkoheshin, turqit do të thyheshin dhe do zmbrapseshin duke e lënë
Ballkanin të krishterë. Kur filloi lufta e Kretës, gjyshi yt mendoi se ky ishte rasti për t’i mundur
turqit. Rrethimi i Kretës zgjati 25 vjet dhe një herë fitonin turqit e një herë grekët. Nga vitet e
fundit, lajmet që vinin nga Kreta thoshin se grekëve po u mbaronin burrat dhe fuqitë e tyre po
shteronin. Babai i Rianitit vendosi t’i shkojë në ndihmë të krishterëve atje dhe mblodhi disa djem
nga fshati me në krye djalin e tij. Meqë fshati juaj nuk ishte shumë i madh dhe nuk kishte shumë
burra, siç thoshte Arianit Komneni, yt gjysh vendosi të thërriste djem edhe nga fshatra të tjerë.
Ai shkoi vetë gjithandej, por shumë pak iu përgjigjën sepse fshatrat e fushës kishin shumë frikë
nga turqit në atë kohë. Një ditë, ai erdhi në Sul dhe takoi gjyshin tim që sa ishte bërë kryetar i
pleqësisë. Gjyshi im i tha gjyshit tënd se fitorja e Kretës duhej të ishte një fitore e krishterimit
dhe se Suli, i cili për qindra vjet i kishte luftuar turqit, nuk mund të mos merrte pjesë në këtë
betejë. Gjyshi ishte rreth tridhjetë vjeç në atë kohë, por, meqë ishte i martuar dhe ishte zgjedhur
kryetar i fshatit, vëllezërit e tij nuk e lanë. Gjyshi kishte dy vëllezër më të vegjël beqarë, të cilët
ishin binjakë. Ata i kërkuan që ai të rrinte në fshat, ndërsa ata do shkonin në luftë në emër të
Sulit. Bashkë me ta kërkoi të shkonte edhe gjyshi i Ibrahimit, i cili ishte vëlla me njërin nga
binjakët dhe nuk donte ta linte atë vetëm. Babai i Arianitit u nis nga Suli një ditë të akullt nëntori
të vitit 1667, bashkë me tre djemtë, që gjithë fshati doli t’i përcjellë. Gratë qanin, por acari ua
ngriu lotët. Dimri i atij viti bëri shumë i ashpër dhe rrugët u bllokuan gjithandej. Deri në mars,
djemtë nuk u nisën dot në Kretë. Ata katër muaj gjyshi yt i mbajti tre djemtë në shtëpinë e tij. Dy
binjakët ishin të urtë dhe të heshtur, por gjyshi i Ibrahimit ishte një djalë i hedhur dhe i gojës.
Shumë shpejt ai e njohu fshatin dhe ra në dashuri me një vajzë, e cila, duke qenë komshie me
familjen e Arianitit, hynte dhe dilte në shtëpinë ku ai rrinte. Djali dhe vajza u dashuruan dhe
gjyshi i Ibrahimit i premtoi vajzës se do martoheshin sapo ai të kthehej nga Kreta. Edhe familja e
vajzës u bind dhe për disa javë e mbajtën djalin në shtëpinë e tyre, si dhëndër. U nisën në fillim
të prillit, por asnjëri nuk u kthye. Vajza kishte mbetur me barrë dhe pas disa muajsh lindi babanë
e Ibrahimit. Familja e tyre në Sul e mori vesh disa muaj më vonë që djali ishte vrarë dhe kishte
lënë një djalë në fshatin tuaj. Kur mori vesh lajmin, nëna e gjyshit të Ibrahimit erdhi duke
ulëritur në shtëpinë tonë dhe e akuzoi gjyshin tim si fajtor për humbjen e të birit. Dy familjet
tona u ftohën për disa kohë. gjyshi ishte kryetar i pleqësisë dhe fshati mori anën e tij. Atëherë
stërgjyshi i Ibrahimit mori gruan dhe një vajzë më të vogël dhe erdhi në fshatin tuaj ku ai kishte
nipin e sapolindur. Mori gruan e pamartuar të të birit të vrarë, bashkë me nipin që ishte babai i
Ibrahimit. Në këtë fshat ai ndërtoi një shtëpi në të cilën shumë vonë atij i lindi një djalë tjetër që
edhe ai u vra, siç më kanë thënë. Shtëpia e tyre është kjo dhe këtu ka lindur edhe Ibrahimi, ta
Llambro Xhavella dhe pasi i hodhi një sy mureve rozë, vazhdoi:
Babai jetim i Ibrahimit u martua shumë vonë, këtu në fshat, por para se të vdiste e ëma i tha se
ajo donte që në qoftë se atij do t’i lindnin djem, ata t’i martonte me vajza nga Suli, sepse kështu
raca do të vazhdonte. Babai i Ibrahimit ia mbajti amanetin të ëmës dhe një ditë erdhi në Sul dhe
kërkoi nuse te babai im. Im atë donte që prishja mes dy familjeve të mbyllej dhe prandaj duke i
dhënë dorën e mbesës së vet, Anës, që është vajza e vogël e vëllait tim. Në dasmën e Anës, ne
erdhëm me njëqind krushq të veshur bukur, me fustanella dhe jelekë të zinj. Kisha kishte
përfunduar. Në krye të dasmës qëndronte babai i Ibrahimit, babai im dhe babai yt. Pasi morën
bekimin në kishën e re, që mbante era dru të njomë, Arianit Komneni e nxori Anën dhe
Ibrahimin jashtë, ndërsa ne të tjerëve na tha të mos lëviznim. Ne u hutuam sepse nuk po e
kuptonim, por kur pamë Arianitin që ndezi një qiri dhe u ngjit mbi altar nuk folëm. Ju kërkoj të
gjithëve të ndizni një qiri dhe të luteni për shpirtrat e djemve që luftuan dhe vdiqën në Kretë, tha
ai me një zë të fortë që akoma më bën të dridhem. Ai nuk ishte prift dhe ne nuk ishim
kryengritës, por me një fjalë të tij, jam i sigurt se të gjithë do e linim dasmën dhe do niseshim për
në Kretë. Por Arianiti nuk dha asnjë urdhër. Ai e ngriti qiriun e tij lart dhe ne të gjithë thamë një
lutje pas tij dhe i mbajtëm qirinjtë për një kohë të gjatë mbi kokat tona. Kisha e re rënkoi si njeri.
amin, tha Arianit Komneni. Amin, thamë të gjithë pas tij. Tani vazhdojmë dasmën, tha ai dhe
filloi të qeshte me babanë tim. Atë natë, gjithë fshati mori pjesë në dasmën e Ibrahimit dhe të
Anës. Suljotët qëllonin me pistoleta dhe kërcenin me opingat e tyre të bukura, duke i ngritur
xhufkat mbi qeleshet e shokëve. Kur e pyeta Arianit Komnenin për përshpirtjen e shkurtër në
kishë, ai më tha se që në fillim kishte menduar ta përuronte Kishën e re, me një meshë për të
rënët e Kretës. Ata janë dëshmorët e parë të fshatit dhe kjo dasmë nuk do ishte ngjizur pa
trimërinë e tyre. Por ti m’i ngatërrove gjërat, tha Arianiti duke pirë raki. Vure dasmën para
meshës dhe mirë bëre, se unë kisha vënë dhjetorin para gushtit. Tani jam më i qetë, më tha,
gushti mbaroi dhe unë po pres dhjetorin. M’u duk sikur më tha se po bëhej gati të shkonte në
Kretë, si një prift që bekon heronjtë pas vdekjes, përfundoi Llambro Xhavella, duke parë nga
Sara.
Babai shkoi në Kretë dy vjet më vonë dhe atje linda unë, tha Sara dhe i tregoi për Shebën dhe për
udhëtimin me Arianitin, i cili i tha se do shkonin në pyll të kërkonin nënën, për ishujt që shihnin
nga anija, për Selanikun dhe mbërritjen në fshat. Llambro Xhavella dukej i mallëngjyer, por ai
burrë nuk dinte të qante dhe emocionet i dilnin si djersë mbi mustaqet e kuqe. Kur Sara mbaroi,
ai i fshiu mustaqet dhe e pyeti: Kur vdiq babai? Ndoshta nuk ka vdekur, akoma, tha Sara duke
ulur sytë. Ai iku nga fshati ditën që vëllai im, Gjergji, u bë mysliman. Llambro Xhavella u zgjat
nga Sara sikur donte ta pyeste se ku kishte ikur Arianiti, por ajo nuk e la të vazhdonte, e kapi nga
dora dhe i tha: Eja të shohësh Anën, duhet të jetë zgjuar.
Kur Ibrahimi me djemtë erdhën në shtëpi, Sara dhe Llambro Xhavella po loznin me Ana
Komnenën. Llambro i vuri vajzës dorën te koka dhe i preku flokët e dendur dhe të zinj. M’i jep
një palë balluke t’i çoj në fshat te njerëzit e mi, i tha Sarës, e cila mori një gërshërë, i preu vajzës
disa flokë mbi ballë dhe ia dha Llambros. Ky, pasi i mori erë, e futi cullufen në një xhep të
jelekut. Ana filloi të qante kur pa që i morën diçka nga koka, ndërsa Llambro doli jashtë si fajtor
dhe u ul përballë tavolinës, në kohën që hyri Ibrahimi.
Mirë se erdhe, iu drejtua Ibrahimi i habitur kur e pa, ndërsa Petro dhe Jani iu hodhën në qafë.
Djemtë e tjerë nuk e kishin parë kurrë Llambro Xhavellën dhe filluan të hapin sytë nga pisqollat
që rrinin si të papuna mbi tavolinë.
Unë kam ardhur për gëzim, por mora vesh se i zoti dhe e zonja e kësaj shtëpie paskan vdekur, tha
Llambro Xhavella. Ngushëllime. Unë jam Llambro Xhavella, daja i Anës, zonjës së shtëpisë. Ju
kush jeni, iu drejtua ai Ibrahimit duke ngritur mjekrën e kuqe si një sqep kërcënues. Llambro
Xhavella ishte i ftohtë, sikur kishte takuar një njeri të panjohur në majë të malit. Ibrahimi u step
dhe pa Sarën në sy si të kërkonte ndihmë. Djemtë rrinin në këmbë të shushatur dhe nuk kuptonin
në ishte koha e përshtatshme për ta pyetur Llambron, për Sulin, për Foton, për kushërinjtë, për
kuajt dhe për detin. Është babai, dajë Llambro, foli Petro me zë të ulët, siç i flitet një njeriu që do
ta zgjosh nga gjumi pa e trembur. Derisa në këtë shtëpi shpjegimet i jep i biri, do të thotë që unë
kam të drejtë të besoj se babai ka vdekur, përsëriti Llambro Xhavella duke lëvizur pak mjekrën
në drejtim të Petros, si dikush që noton dhe herë pa shere kthen pak kokën për të parë shokun që
e ndjek.
Jam unë, foli Ibrahimi. Nuk mund të mos më njohësh. Ti ke qenë krushk i parë në dasmën time
dhe të Anës. Unë doja të martohesha në shtator, por ti e shtyve dasmën në tetor dhe më the se
Ana nuk i kishte mbushur akoma 16 vjeç. Nuk mbaj mend t’ju kem takuar në atë dasmë, por
mund të më thuash si quhesh, se mbase kujtohem. Unë jam Ibrahimi, tha Ibrahimi. Të thashë që
nuk njihemi, tha Llambro Xhavella duke parë si fitimtar nga Sara. Në dasmën e mbesës sime nuk
u ftua asnjë mysliman. Vajza e mikut tim, Arianit Komnenit më tregoi me shumë dhimbje se si
vdiq mbesa ime e shtrenjtë. Por në qoftë se ti Ibrahim do të më tregosh se si vdiq burri i krishterë
i Anës unë jam gati të të dëgjoj. Jam bërë mysliman dhe kam ndërruar emrin. Ana e pranoi kur i
thashë se nuk do merrja gra të tjera siç thotë Islami, tha Ibrahimi.
Unë e martova mbesën me një të krishterë dhe djemtë e saj lindën të krishterë, u kthye me një zë
të fortë Llambro dhe duke parë nga Petro e pyeti: Ku është Thanasi? Petro pa nga Ibrahimi de ky
e miratoi me kokë, si për t’i dhënë leje. Thanasi ka ikur me Ali Tepelenën në Janinë, tha Petro.
Llambro Xhavellës iu fry mjekra dhe koka e tij e rruar u skuq si një domate e plasaritur. U ngrit
në këmbë, mori pisqollat, i futi në brez dhe tha: Po ta kishte babanë gjallë, ai djalë nuk do
shkonte pas një kusari mysliman që vjedh bagëti dhe përdhunon gra të krishtera. Ti paske dëbuar
një jetim nga shtëpia dhe ky është mëkat, iu drejtua Ibrahimi me zë të çjerrë dhe pastaj duke parë
nga Petro tha me ton urdhërues: Vishu ti djalë, do vish me mua që mos përfundosh dylber i
ndonjë kusari tjetë. Petro nuk lëvizi nga vendi, por pa nga i ati, i cili dukej i humbur. Nisemi, tha
Llambro Xhavella, por u kthye dhe iu drejtua Sarës që rrinte si e ngrirë: Babai yt ka qenë njeri i
besës. Të lutem t’i mbash këta jetimë si të ishin djemtë e tu. Ndoshta, vij vitin tjetër dhe i marr
edhe këta. Llambro Xhavella doli dhe pas tij edhe Petro, të cilit i foli vetëm Muhamedi. Kujdes
kur të notosh Petro, se kali i dajë Llambros m’u duk i plakur. Petro kapërceu pragun pa derë,
ndërsa Ibrahimi, i cili gjithë kohën kishte qëndruar në këmbë, u afrua te tavolina dhe mbështeti
duart. Mbi syprinën e saj të shkëlqyer vetja iu duk si një njeri tjetër.
Karriget dhe dera e re u bënë pas disa javësh. Ibrahimi dhe Jani punonin me ngadalë, pasi Petro
iku me Llambro Xhavellën. Ibrahimi sharronte në pjesë të vogla drurët e panjës, ndërsa Jani i
fërkonte me shtuf. Niko, Muhamedi dhe Aliu luanin në pyll dhe numëronin këmbët e karrigeve.
Derën Ibrahimi e bëri me dru të fortë lisi. E mban lagështirën, i tha të birit. Shpatullat iu
mavijosën të dyve duke sharruar lisin e gjatë me lëkurë të ashpër, që nuk donte të binte dhe
prandaj ata thirrën disa burra nga fshati, për ta rrëzuar. Jani i qëroi si peshk luspat e mëdha të lisit
dhe ndezi zjarr për të tharë njomësinë që avullonte si frymë njeriu.
Kur karriget rrethuan tavolinën e re dhe Ibrahimi mbylli derën e shtëpisë, Sara i tha djemve të
laheshin dhe filloi të bënte darkën. Preu marule dhe i mbushi me gjizë, poqi patëllxhanë që pastaj
i futi në vaj ulliri, ndau në mes gjashtë patate të mëdha dhe i mbushi me mish, zieu oriz që e
zbukuroi me pluhur kanelle dhe përgatiti një tavë balte me mëlçi dhe zorrë të grira që kur e pyeti
Ibrahimi ajo i tha se quhej koranik. Sara rrahu kos dhe kur ky u bë si krem ajo i hodhi sipër
mjaltë, pastaj preu në feta të vogla gjithë lëng disa hurma, mollë dhe dardha dhe i leu me sheqer
e i poqi dhe ato. Nga sëndukët e Arianitit, Sara nxori një takëm me lugë të dredhura dhe thika të
gjata, të cilat Ibrahimi i mprehu duke i fërkuar me ujë dhe me gur, sepse vitet ua kishin thinjur
tehun. Ajo pastroi një shandan të pluhurosur me shtatë krahë që Arianitit ia kishte dhënë Sheba
dhe në secilën prej kupave të vogla nguli një qiri. Shtëpia nuk kishte qenë kurrë më e ndriçuar.
Sara nuk e vuri Anën në gjumë dhe e mori djepin e saj në dhomën e bukës. Ana nuk ia ndante
sytë flakës së qirinjve dhe qeshte. Ibrahimi u ul në krye të tryezës dhe Sara në fund, përballë tij.
Jani dhe Niko u ulën majtas, ndërsa Muhamedi dhe Aliu djathtas. Përpara se të fillonin, Sara tha
amen dhe ashtu bënë edhe Jani me Nikon, por dhe Aliu që i imitoi. Ibrahimi uroi me një gotë
raki, ndërsa Muhamedi futi një hurmë të pjekur në gojë. Në fillim nuk folën sepse të gjithë e
kishin mendjen tek ushqimet, një pjesë e të cilave ishin të panjohura për ta. Ibrahimi pinte raki
dhe i gëzohej tavolinës e karrigeve të reja dhe u fliste djemve sa herë që këta rrëzonin pilaf dhe
copa mishi mbi syprinën e kuqe. Mendova se nuk do na nxinte, tha Ibrahimi. Po të ishte Petro do
dukej më e vogël, tha Jani duke provuar orizin me kanellë dhe mendoi se Sara kishte pasur të
drejtë kur kishte porositur një tavolinë për gjashtë veta. Djemtë i zuri gjumi menjëherë, sapo
tavolina u zbraz nga ushqimet. Ibrahimi vazhdoi të pinte raki dhe kur Sara iu afrua për të
mbledhur enët, ai e kapi për beli dhe e puthi. Duro të marr shandanin, i tha Sara dhe të dy shkuan
në dhomën e gjumit. Ibrahimi mbante era kanellë, ndërsa Sara e kishte gojën të mbushur me lëng
hurme. Qirinjtë u lëngëzuan mbi shandan deri në mëngjes. Para se ta zinte gjumi, Sara mendoi se
dhe e ëma duhej ta mbante ndezur atë shandan kur bënte dashuri me Arianitin.
Djemve iu shijoi kuzhina e Sarës dhe çdo ditë i kërkonin gjëra të reja. Ajo piqte bukë dhe kuleç
të vegjël që i mbushte me arra dhe i spërkaste me mjaltë ose me reçel. Dhoma e oxhakut mbushej
me tym kur kuleçtë digjeshin dhe Sara i tha Ibrahimit se duhej të bënin një furrë të madhe jashtë
shtëpisë. Ibrahimi pyeti nëpër fshat dhe një ditë filloi të ndërtonte skeletin e furrës në oborr. Mori
disa drurë që pasi i kryqëzoi si një kube, i veshi nga lart me baltë dhe i la disa kohë të thaheshin.
Balta u forcua dhe u kap fort pas drurëve që mos binte. Por Ibrahimi i vuri flakën dhe drurët u
dogjën të parët dhe ranë si prush në folenë e furrës. Balta u bë si kërcu dhe mbeti aty lart si një
tavan i ngrirë. E ke gati, it ha Sarës. Në furrën e re kuleçtë dilnin më të fryrë dhe Sara filloi t’i
priste ato në forma të ndryshme që djemve u dukeshin si lodra. Një herë nga furra dilte një ushtri
me kuaj, pastaj dilte një tavë me zogj prej brumi, pastaj disa dele apo edhe katrorë e diej të
rrumbullakët. Djemtë ia bënin sytë kafshëve me lajthi dhe bajame dhe kur i vinin kafshët të
ziheshin me njëra-tjetrën askush nuk fitonte, sepse zënka përfundonte në thërrime të verdha prej
gruri. Jani i bëri Sarës një okllai të re dhe të lëmuar me të cilën ajo e shtypte fort miellin dhe
pastaj i jepte formën e lodrës, me një thikë të mprehtë. Niko kërkonte vetëm kuaj, Aliu donte
katrorë, ndërsa Muhamedi pëlqente kuleç në formë hëne, të cilat i ngjyente në reçel kumbulle.
Pas kuleçve të mëngjesit dreka hahej me lakror që Sara e mbushte me gjizë, me vezë dhe me
presh. Ibrahimi donte lakror me petë të holla dhe të mbushur me pllaqi, ndërsa Jani ngrihej herët
në mëngjes, shkonte në pyll dhe sillte një thes me hithra që ia përcëllonin duart. Djali i lante
hithrat vetë dhe i thoshte Sarës t’ia mbushte me to, pjesën e tij të lakrorit.
Një ditë, kur Ibrahimi u nis në qytet për të marrë paratë e disa bagëtive që kishte shitur, Sara i tha
të blinte peshk. Peshk, pyeti Ibrahimi i habitur, nuk kam ngrënë kurrë peshk. As unë, tha Sara,
por ta provojmë. Pyet si pastrohet.
Ibrahimi solli tre peshq të mëdhenj që gjithë rrugës kishin rrjedhur gjak dhe i vuri mbi tavolinë.
Era e peshkut e mbushi shtëpinë dhe djemtë dolën jashtë duke mbyllur hundët. Edhe Ibrahimit i
vinte ndot duke i treguar Sarës se si pastroheshin. Në Pazar më thanë se i pritet koka, pastaj
hapen nga barku dhe i hiqen të gjitha rropullitë. Mbaji në ujë të zier sa t’u dalë era dhe pastaj
shtroi në tavë të piqen, tha ai dhe doli nga dhoma. Peshqit rrinin të shtrirë mbi tavolinë dhe kur
Sara i ngriti për t’i nxjerrë në oborr, tre gjurmë uji të kuq mbetën mbi syprinë. I preu kokat dhe i
pastroi, siç i kishte thënë Ibrahimi. Pastaj i shtroi në tavë, i mbushi me majdanoz dhe i bëri secilit
një kurorë me domate dhe qepë. Djemtë vuajtën shumë me halat e peshkut dhe Ibrahimi mezi e
nxori një halë të vogël që i mbeti Aliut në fyt. Muhamedi nuk e preku peshkun, ndërsa Jani, pasi
i qëroi halat një nga një, e hëngri me bukë. Është shumë i mirë, tha Sara, por herën tjetër do t’ia
pastroj halat dhe do t’ia mbush barkun me patate dhe oriz.