Ibrahimi i vogël eci shpejt. Pinte shumë qumësht duke kafshuar gjinjtë e fryrë të Fatimes.
Këmbët e shkurtra i ishin bërë me vija, ndërsa kaçurrelat i ishin zgjatur mbi supe sepse Bilali
thoshte që foshnjave nuk duhet t’i priten flokët derisa të bëhen tre vjeç. Bilali dhe e shoqja
vinin çdo pasdite dhe rrinin në dhomën e Fatimes. Gruaja i sillte vajzës kabuni me sheqer, ndërsa Bilali merrte Ibrahimin dhe e shëtiste në oborr. Kur vinte Bilali shtëpia kumbonte. Zëri i tij ishte i fortë dhe çdo gjë e thoshte me të bërtitur, aq sa Paridi besonte se ai nuk dëgjonte mirë nga veshët. Jani shkonte në bodrum dhe priste dru sikur donte t’i shpëtonte zërit të Bilalit. Një ditë, Bilali solli një iriq për Ibrahimin. Iriqi i kishte gjembat e zinj dhe turirin e kuq. Nuhaste tokën dhe kërkonte të hynte në mes të plloçave. Bilali e kapte nga gjembat dhe ia vinte përpara Ibrahimit, që e prekte dhe pastaj qante nga dhimbja. Pas disa ditësh, iriqi u zbut dhe sa herë që dilte Bilali me Ibrahimin në oborr drejtohej nga ata dhe rrinte pa lëvizur, si një kukull e bindur. Kur Bilali ikte, iriqi ndihej i lirë dhe fillonte të gërmonte në oborr. Hynte nën plloça dhe hante barëra me krimba që i gjente me shumicë. Një natë, Paridi erdhi vonë në mesnatë dhe nuk e pa iriqin që rrinte përballë derës me kokën të fshehur nën gjemba. E shkeli dhe ndjeu një therje të fortë në gishtin e madh të këmbës. Këmba i rridhte gjak dhe ai nuk ecte dot. Një javë qëndroi në shtëpi i shtrirë, duke mbajtur këmbën lart mbi krevat. Gruaja e Bilalit i solli një përzierje hithrash dhe lule basami që i kishte shtypur në havan dhe i kishte bërë si pure. Paridi lyente këmbën dhe shikonte rrugën nga dritarja. Kur Bilali luante me Ibrahimin në oborr, Muhamedi ulej në stol dhe i shikonte. Kur keni ardhur nga Egjipti, e pyeste Bilalin që ndiqte iriqin duke bërtitur. Nuk e di, thoshte Bilali. Stërgjyshi im ka lindur këtu. Mblidhte hekurishte dhe gjëra të hedhura dhe i shiste. Gruaja e tij hidhte fall dhe shikonte filxhan. Njëherë ajo i pa filxhanin pashait turk të Janinës dhe i tha se liqeni do thahej kur pashait të Janinës t’i prisnin kokën. Kur jeni bërë myslimanë, e pyeste Muhamedi. Bilali ulej pranë tij në stol dhe i thoshte: Jevgjit u bënë myslimanë përpara Muhamedit. Në Jerusalem kishte shumë jevgj që vinin nga Egjipti dhe mblidhnin hekurishte, i drejtonin, i prisnin, i shkurtonin, bënin shufra, thika të vogla, hekura parvazesh dhe gozhdë për të ndërtuar shtëpitë. Ata bënin edhe gozhdët me të cilat kryqëzoheshin njerëzit. Këto gozhdë ishin të ndryshme nga ato që përdoren për shtëpitë dhe vetëm jevgjit mund ta bënin këtë zanat të vështirë. Gozhdët e kryqëzimit kanë kokë të madhe, që çekiçi t’i gjejë dhe të mos dalë huq, janë të gjata dhe shumë të drejta, me majë të mprehtë sepse ato duhet të hyjnë menjëherë në mish dhe nga mishi në dru. Maja e gozhdës bëhet me kanale të holla, që gjaku të kalojë nëpër to dhe të dalë jashtë pa bllokuar çarjen e lëkurës. Gozhdët nuk duhet të thyhen apo të shtrembërohen sepse kjo i sjell shumë dhimbje njeriut dhe i lodh ushtarët. Romakët i rrihnin jevgjit sa herë që gozhdët shtrembëroheshin nga goditjet dhe ata u bënë mjeshtër të këtij zanati nga frika. Përpara kryqëzimit, jevgjit i lyenin këto gozhdë me një vaj të veçantë prej ulliri të verdhë, i cili nuk hahej në atë kohë nga çifutët. Kur u kryqëzua Jezu Krishti, romakët urdhëruan jevgjit e Jerusalemit të bënin gati gozhdët për ta shpuar. Një jevg punoi gjithë ditën, por kur i thanë se pse duheshin ai e fshehu gozhdën e katërt dhe u zhduk nga qyteti. Bashkë me Krishtin, atë ditë u kryqëzuan për vjedhje edhe dy çifutë të tjerë, por vetëm ai u shpua me tri gozhdë. Që atëherë të gjithë na kanë poshtëruar padrejtësisht. Ne i kemi kursyer dhimbjen Jezu Krishtit sepse po të mos zhdukej një nga gozhdët, ai do të ishte shpuar katër herë dhe jo tre. Të krishterët thonë se ne nuk duhet të kishim bërë asnjë gozhdë, ndërsa çifutët thonë se ne nuk duhet ta mëshironim Jezu Krishtin. Që nga ajo kohë populli ynë është shpërndarë si rëra në shkretëtirë duke kërkuar gozhdën e katërt, e cila nuk u gjet kurrë. Romakët e kërkuan për disa orë dhe prandaj kryqëzimi i Krishtit u bë të premten në muzg, kur duhej të ishte bërë të paktën në drekë. Unë i kam parë ikonat e kryqëzimit në kishat e Janinës. Të gjitha e vizatojnë Krishtin mbi kryq me duar të hapura dhe me këmbë të mbledhura dhe asnjeri nuk e di se atij ia mblodhën dy këmbët bashkë, sepse kishin vetëm tri gozhdë. Nga një për secilën dorë dhe vetëm një për të dy këmbët. Kurse dy të kryqëzuarit e tjerë, që i rrinë Krishtit majtas dhe djathtas, i kanë këmbët e hapura dhe të varura në gozhdë të ndryshme. Kemi qenë gjithmonë të dhembshur, thoshte Bilali dhe mbante Ibrahimin në prehër. Muhamedi e shikonte duke buzëqeshur dhe e pyeste: Po pastaj si u bëtë myslimanë? Nuk kishim rrugë tjetër, thoshte Bilali duke kaluar dorën e gjatë mbi flokë. Kur na përndoqën nga Jerusalemi, shumë nga ne u shpërndanë në shkretëtirë dhe shkuam në Arabi. Edhe aty kishte çifutë, por ne u shtuam më shumë se ata sepse lëkura jonë e duron diellin dhe vapën pasi është më e trashë se ajo e të bardhëve. Muhamedi ka qenë i zeshkët si ne. Në qoftë se jevgu nuk do ta kishte fshehur gozhdën e Krishtit bota nuk do të kishte myslimanë, e ne do ishim bërë të krishterë siç u bënë romakët. Por unë them se më mirë që u bë kështu pasi edhe ne duhej të kishim fenë tonë, e cila e ndalon kryqëzimin e njeriut me gozhdë dhe nuk e pranon kryqin si shenjë. Muhamedi shikonte Bilalin dhe mendonte se që kur kishte ardhur ai fshati ishte bërë më i zhurmshëm, por edhe më i pasur. Një fshat pa myslimanë dhe pa jevgj do ishte shumë monoton. Paridit i ishte shëruar plaga, por megjithatë ecte duke çaluar me një palë pantofla të leshta nëpër shtëpi. Fatimja pastronte shtëpinë me fshesë dhe në drekë gatuante musaka pa mish dhe sallatë me karota të ziera. Jani mbante Ibrahimin dhe kur vinte Bilali shkonte në bodrum. Sara i hekuroste këmishët Paridit, ndërsa Ana shikonte Ibrahimin e vogël dhe i thoshte Muhamedit: Ky i ngjan më shumë Bilalit se babait. Muhamedi qeshte dhe duke ngritur kokën nga qielli i thoshte: Jo të gjitha degët e arrës janë njëlloj të gjata. Në darkë, shtëpia ishte e qetë. Jani dhe Fatimja flinin herët, ndërsa Bilali merrte gruan dhe shkonte në kasolle. Një natë, Paridi trokiti fort në shtëpinë e Arianit Komnenit dhe Sara u zgjua nëpër gjumë. Këtu është Muhamedi, e pyeti. Jo, tha Sara. Ka dalë që në drekë dhe nuk është kthyer, tha Paridi duke djersitur në këmishë. Muhamedi nuk u duk në shtëpi as të nesërmen. Jani me Paridin shkuan në pyll, por nuk e gjetën. Bilali doli në fushë dhe e thirri fort. Zëri i tij mbuloi hapësirën, u përplas në pemë dhe u kthye prapë. Muhamedi nuk u përgjigj, ndërsa Paridi nuk fjeti gjithë natën. Rrinte ulur në stil dhe shikonte nga rruga. Sa herë lëvizte ndonjë hije, ngrihej në këmbë. Kur u gdhi, shkoi të flinte dhe Ana Komnena e zgjoi afër drekës kur i solli kulaçin me mjaltë dhe një këmishë të pastër. Paridi ishte i uritur dhe hëngri edhe kulaçin e Muhamedit. Ana Komnena e shikonte nga pasqyra duke i varur këmishën në karrige. Pse e hëngre kulaçin e Muhamedit, e pyeti. Paridi hante pa e pasur mendjen. Edhe po të vijë sot do jetë i lodhur dhe nuk do ketë fuqi të hajë, i tha dhe u afrua te pasqyra. Muhamedi nuk erdhi as të nesërmen. Paridi dukej i këputur dhe flokët i ishin bërë si gjembat e iriqit kur bie shi. Bilali erdhi në shtëpi pasdite, mori Ibrahimin në prehër dhe u ul në stolin ku rrinte Muhamedi. Dielli i binte në kurriz dhe lëkura shpërndante erën e thartë të rrëshirës. Ku mund të jetë Muhamedi, e pyeti Paridi duke u afruar. Fytyra e tij ishte e verdhë dhe dukej si një njeri që i bën të njëjtën pyetje kujtdo që takon. Në moshën e tij, përveç vdekjes, vetëm një grua mund të të largojë nga shtëpia, i tha Bilali me zë të ulët. Paridi e pa i habitur. Ibrahimi nuk donte të rrinte në prehrin e Bilalit dhe vrapoi mbi plloça kur pa turirin e iriqit që doli duke nuhatur. Bilali e ndoqi nga pas duke bërtitur me zërin e tij të zakonshëm dhe Paridi u fut në shtëpi. Në mbrëmje, shtëpia u qetësua. Ai doli në oborr dhe u ul në stol. Fshati flinte dhe asnjë hije nuk kalonte përpara shtëpisë. Iriqi vrapoi ngadalë nëpër plloça, i mori erë këmbës së Paridit që nuk lëvizte dhe pastaj shkoi tek arra e vogël dhe fjeti duke mbuluar turirin e kuq në tokë. Paridi mbështolli këmbët në stol dhe u fsheh në errësirë. Iu kujtua se si numëronte me gishta duke pritur babanë dhe Aliun, ditën që kishin vajtur në pyll për të kapur lepuj. Po të vijë Muhamedi do t’i dukem si një iriq që numëron gjembat e veta, mendoi dhe ndjeu këmishën e lagur nga vesa. Në mëngjes, Jani e gjeti atje. Sytë i kishte të mbyllur dhe i ngjante Ibrahimit në vitet e fundit. Dukej i bardhë dhe i menduar. Shko të flesh, tha Jani, do ta pres unë Muhamedin. Paridi nuk i hapi sytë, por lëvizi këmbët e mpira dhe i shtriu në tokë. Ti beson se do të vijë, e pyeti. Jani ngriti kokën nga rruga. Ana Komnena po vinte me një trastë me kuleç dhe një këmishë të pastër që e mbante me kujdes. Jam i bindur që do të vijë, foli Jani. Ka thënë se do të ndërtojë një xhami për babanë dhe nuk mund të zhduket pa mbajtur premtimin. Paridi hapi sytë kur ndjeu erën e kulaçit që afrohej. Mua nuk ma ka thënë këtë, por e besoj, tha Paridi. Muhamedi është marrë gjithnjë me gjëra të panevojshme. Jani u ul pranë tij në stol dhe trupat e tyre u prekën. Muhamedi e dinte që unë do martohesha me një jevgë, tha me zë të ulët. Paridi ktheu kokën. Kur bëra ushtarin prej druri që doje ti dhe një Skënderbe për Aliun, ai më kërkoi një tokë të rrumbullakët, së cilës unë i dhashë formën e fshatit. Ai e pa gjatë fshatin e gdhendur, pastaj e ktheu nga të gjitha anët dhe më tha se disa njerëz të zinj me çanta të mëdha do të ngrinin shtëpi te fusha e bagëtive dhe unë do të shkoja atje, siç shkova. Jani e kishte zërin të shuar dhe gryka i ngjante me një ibrik të bllokuar. Po tjetër çfarë të tha, e pyeti Paridi. Më tha se shtëpia jonë do bashkohej me shtëpinë e Mihalit, se shtëpia e Arianitit do bëhej shkollë dhe se Petro do mbytej në det. Paridi pa shtëpinë e madhe dhe ndjeu trupin e Janit që po djersinte shumë dhe u ngrit. Djersa rridhte si një rrëshirë nga një trung i vetmuar. Donte ta pyeste Janin akoma për Muhamedin dhe tokën e rrumbullakët, por Ana Komnena ishte afruar dhe po hynte në oborr. Iriqi që kishte dalë në diell ngriti kokën, kur Ana e puthi Janin në faqe. Mban era rrëshirë, tha ajo dhe rrudhi hundët. Jani qeshi, ndërsa Paridi mori kulaçin dhe filloi të hante. Mos e ha më kulaçin e Muhamedit, i tha Ana dhe hyri në shtëpi të varte këmishën e ngrirë. Në drekë, Hana shkoi te shtëpia e Arianitit. Sytë jeshilë i shkëlqenin. Kishte veshur një fund të gjatë dhe të ngushtë dhe flokët i kishte krehur me kujdes. Në vesh kishte varur dy vathë të vegjël ngjyrë ulliri, të cilët e tregonin më të dobët, por dhe më të zbehtë. Sara po priste trëndafilat në oborr. Duart i kishte mbathur me lecka që të mos ia shponin gishtat. Hana i rrinte pas kurrizit duke ngritur nga toka degët e këputura të trëndafilit dhe Sara ndjeu që ajo donte t’i thoshte diçka. Pse je veshur kështu, e pyeti duke i parë vathët. Hana u skuq dhe ktheu kokën nga dera sikur donte të sigurohej se asnjeri nuk po i dëgjonte. Muhamedi është në shtëpinë time dhe do të martohet me mua. Sarës iu dobësuan duart dhe ndjeu një gjemb që i shpoi gishtin. Je çmendur, e pyeti duke hapur sytë. Muhamedi është njëzet vjet më i vogël se ty. Edhe ti ishe njëzet e pesë vjet më e vogël se Ibrahimi kur u martove, tha Hana duke folur shpejt. Sara thithi gishtin e gjakosur dhe u ul në oborr, aty ku rrinte Mihal Komneni dhe përpara tij edhe Arianiti. Hana mbeti në këmbë si një nxënëse që mezi pret të largohet me vrap për në shtëpi, pasi t’i kenë dhënë leje. Jakën e këmishës e kishte të ngrirë dhe në qafë i shtrëngohej një shall i hollë, i tejdukshëm. Damarët i ishin fryrë, ndërsa sytë jeshilë i ishin errësuar si një pyll në një ditë pa diell. Muhamedi është nipi i burrit tënd, tha Sara dhe kjo e bën këtë martesë edhe më të papranueshme. Hana u ul dhe sytë iu varën nga ënjtja. Ti ke jetuar shumë vjet me mua dhe me Vasilin dhe e di shumë mirë se sa kam vuajtur për të pasur një fëmijë. Vasilit i vinte turp që nuk më mbarste dot, ndërkohë që i vëllai i tij u bë me shtatë djem. Muhamedi më tha se ai do martohet me mua dhe në moshën time kjo është mundësia e fundit për të pasur një familje. Sara e shikonte se si i dridhej qafa nën shall dhe ndjeu që u përlot. Kur babai kishte ikur ajo kishte jetuar mbi dhjetë vjet në një shtëpi me Hanën dhe Vasilin. Dashuria e tyre, nëse kishte ekzistuar, ishte shuar qetësisht si një mangall në dhomën e një të sëmuri të pashpresë. Mungesa e fëmijës i kishte bërë si një vëlla dhe një motër që jetonin nën një çati duke pritur një kukull për të shtyrë kohën. Vasili kishte shkuar disa herë në Janinë për të takuar një doktor dhe gjithmonë kthehej me fytyrë të çelur, mbyllej në dhomë me Hanën dhe numëronte ditët. Kur Hana kontrollonte të brendshmet në fillim të muajit, ai e priste pas derës, si një fajtor dhe pastaj shkonte në pyll nga ku kthehej i shkatërruar. Shija e vezëve të prishura të Hanës i rrinte gjithë kohën në gjuhë. Hana qante në dhomën e saj, ndërsa Sara lexonte në kuzhinë duke bërë sikur nuk kuptonte. Njëherë Vasili i tha Hanës se kishte vendosur të bëhej mysliman sepse ndoshta kjo e ndihmonte të pillte si gjithë burrat e tjerë, por pastaj kishte ndërruar mendje dhe kishte thënë se perëndia është një dhe jo dy, prandaj, nëse ajo e kishte ndëshkuar, ai nuk kishte shpëtim, pavarësisht se do falej nga perëndimi apo nga lindja e shpirtit. Fetë janë pozicionet që zgjedhin njerëzit për të parë perëndinë, i kishte thënë Hanës. Të krishterët i rrinë perëndisë në perëndim, myslimanët në lindje. Ç’ndryshim ka nëse ne të dy bashkohemi në dhomë apo në qilar? Pulën dhe gjelin lëri në rrugë apo shtriji në krevat njëlloj do ta bëjnë vezën. Çoji në kishë apo mbylli në xhami prapë njëlloj do ta bëjnë atë që kanë për të bërë. gruaja e Ibrahimit donte një vajzë, por Ibrahimi bëri vetëm djem edhe si i krishterë, edhe si mysliman. Vasili vdiq përpara se të lindte Ana dhe ndoshta kishte të drejtë, mendoi Sara duke shtrënguar gishtin që i rridhte. Ibrahimi bëri një vajzë, por jo kur ndërroi fenë, por kur ndërroi gruan. Hana ishte ulur në gjunjë dhe priste. Ishte tre vjet më e madhe se Sara, por vetmia ia kishte mbushur cepat e syve me rrudha të imëta, të cilat ajo i fshinte me pudër. Megjithatë ishte akoma e bukur dhe e freskët, ndonëse fliste pak dhe sillej si një mobilie, siç thoshte Komneni. Sara qeshi me vete duke menduar se, po të martoheshin, Hana do dukej si një mobilie dhe Muhamedi do t’i rrinte sipër si një tas me hurma. Hana ishte halla e saj, por atë ditë dukej si një çupëlinë që kërkon leje të martohet. I vuri dorën mbi kokë dhe e pyeti: Ia kërkove ti Muhamedit të martoheshit? Jo, tha Hana. Ai erdhi në shtëpinë time një pasdite. Ka ardhur Bilali në shtëpi, më tha, dhe dola se ai bën shumë zhurmë. Biseduam derisa u err, por ai nuk po lëvizte dhe më pyeti nëse mund të flinte në shtëpinë time. Ai është nipi i Vasilit dhe unë nuk mund t’i thoshja jo. mirë, i thashë, por a i ke lajmëruar vëllezërit. Nuk e kanë mendjen tek unë, më tha, njëri ngrohet me Fatimen, tjetri me vajzat e fshatit. Fillova të qesh dhe i rregullova krevatin. Natën m’u duk sikur dikush m’u fut në dhomë dhe po më shihte. Në mëngjes, Muhamedi ishte zgjuar përpara meje dhe e gjeta duke parë nga dritarja. I bëra për të ngrënë dhe pimë kafe me sheqer. Mendova se në drekë do ikte, por ai mori një nga librat e Arianitit dhe filloi të lexonte i ulur në divan. Unë fshija shtëpinë dhe herë pas here hyja në dhomë. Ai ngrinte kokën, më buzëqeshte dhe lexonte prapë. Mendova se do hante drekë dhe pastaj do ikte dhe bëra fasule me pastërma dhe një kek me mollë. Kur u ulëm në tavolinë, Muhamedi hante ngadalë dhe më shikonte në sy. Unë ngrija sytë dhe ai qeshte. Gjithmonë e kisha parë si një fëmijë të çuditshëm dhe të urtë, por atë ditë m’u duk si një burrë dhe u skuqa duke menduar. Kur mbaruam drekën, Muhamedi u ul prapë në divan dhe mori librin. Unë shkova në dhomë dhe dëgjoja pas derës fletët e librit që lëviznin në heshtje. Lëvizja e fletëve nuk ishte rregullt dhe dora e Muhamedit më dukej e shqetësuar. Qëndrova në dhomë deri në muzg. U vesha dhe shkova te Muhamedi, i cili rrinte në errësirë me librin në prehër. Do dal pak, i thashë duke menduar se edhe ai do ikte. Muhamedi ngriti kokën dhe më tha: Unë do lexoj edhe pak. Ndeza qirinjtë një nga një dhe e afrova shandanin pranë tij. Sytë e kaltër të Muhamedit më shikonin, por unë u përpoqa të tregohem e sigurt dhe i thashë duke qeshur: Vajti vonë, edhe ty të presin në shtëpi. Në këtë fshat njeriun e pret vetëm gruaja ose fëmijët, tha Muhamedi qetësisht. Unë nuk kam as grua, as fëmijë. Unë u skuqa, por qirinjtë ishin larg meje dhe ai nuk e shikonte pështjellimin tim. Dola dhe erdha deri afër shtëpisë tënde. Doja të hyja brenda, por nuk ndihesha mirë dhe e dija që fytyra do më tradhtonte. Kisha pranuar në shtëpi një fëmijë dhe tani atje më priste një burrë. E ndieja që kur të kthehesha diçka do të ndodhte dhe kisha frikë. Më dukej sikur për herë të parë në jetën time kisha lënë takim me një burrë. Me Vasilin nuk e kisha provuar këtë dobësim të trupit sepse ne na martuan familjet dhe u takuam vetëm në dhomën e gjumit ku ai më priste duke u dridhur nga turpi dhe unë u zhvesha siç më kishin mësuar. Çdo gjë që kam bërë me Vasilin ma kishte mësuar nëna më parë, por askush nuk më kishte thënë si duhet të sillesh me një burrë që të vjen në shtëpi. Mbeta një copë herë përpara derës, por nuk trokita. Ishte errësuar dhe hëna ecte si një hap mbi kalldrëm. Edhe unë eca, pa e ditur se ku po shkoja. Kalova nga kisha dhe pashë kambanën që ishte mbushur me yje. Kur u afrova te shtëpia e Ibrahimit, në oborr dallova Paridin, i cili ishte ulur në stol dhe kishte mbledhur këmbët poshtë vetes. Oborri ishte i qetë, ndërsa Paridi priste në errësirë. Pret Muhamedin, mendova dhe u fsheha pas një muri duke e parë. Herë pas here Paridi kthente kokën dhe unë i shikoja fytyrën e zbehtë dhe të lodhur. Flokët i kishte të pakrehur dhe mjekra kishte nisur t’i nxinte. Një herë vendosa t’i afrohem dhe t’i them se Muhamedi ishte në shtëpinë time, por kjo m’u duk si tradhti. Nuk isha mësuar të tradhtoja një burrë që ditën e parë. Kisha pak ftohtë dhe u ngjesha pas gëlqeres së murit për t’u ngrohur. Kur qirinjtë në dhomën e Janit dhe të Fatimes u shuan, Paridi u ngrit dhe shkoi tek arra e vogël. Zgjati dorën dhe që aty lëvizi diçka. Ishte iriqi. Paridi ia ngacmonte turirin me një degë të thyer dhe iriqi ngrihej në të dy këmbët si një lepur i uritur. Kafshonte degën dhe përplaste kokën pas gjembave kur e kuptonte se dega nuk hahej. Paridi ia afroi degën disa herë, por më në fund iriqi u struk dhe nuk u zgjat më nga gënjeshtra e tij. E kuptova se Paridi donte të vriste kohën dhe vendosa të kthehem në shtëpi. Muhamedi ishte në divan dhe kur unë hyra ai u ngrit dhe më tha: Mirë se erdhe. Mua m’u duk e pasjellshme që ai më uronte mirëseardhjen në shtëpinë time dhe i thashë se kisha parë Paridin që po priste në oborr i shqetësuar. I the që unë jam këtu, më pyeti Muhamedi që dukej sikur kishte shtatë hije pas degëve të shandanit. I tregova që nuk i kisha thënë, por ai duhej të ikte sepse unë nuk mund të bëja sikur nuk dija gjë, ndërkohë që të gjithë ishin në merak. Muhamedi afroi kokën te shandani dhe sytë e tij të kaltër morën shkëlqim prej guri. Unë kam ardhur për të mos ikur, më tha. Unë qesha si një njeri që nuk e kupton atë që ka dëgjuar, por me sa duket e qeshura ime atij iu duk si shprehje kënaqësie dhe i dha më shumë siguri. Por, tani që e mendoj, atë çast më duket sikur Muhamedi nuk kishte nevojë për guxim sepse ai kishte ardhur të më thoshte diçka që e dinte prej kohësh. Dua të martohem me ty, më tha dhe unë pashë flakët e qirinjve që ngatërroheshin me njëra-tjetrën si gishta që më mbulonin fytyrën. Mbeta pa frymë dhe i thashë: Je çmendur, unë nuk martohem me kalamaj. Muhamedi filloi të qeshte dhe u ul në divan. Unë për këtë kam ardhur. Kam vite që pres të rritem dhe nuk jam më një kalama, siç nuk je ti një plakë. Unë jam burrë dhe ti je një grua që duhet t’i japësh fund vetmisë dhe të kesh familjen që të është mohuar nga fati. Unë ndjeva një të skuqur në faqe dhe në sqetulla dhe m’u duk sikur ai po tallej me jetën time. U afrova dhe i bërtita të dilte jashtë, por Muhamedi nuk lëvizi. Më shikonte qetësisht dhe unë u ndjeva shumë e dobët. Shkova në dhomë dhe u shtriva në krevat. Hijet e qirinjve më ndoqën nga pas duke hyrë nën derë. Fillova të qaj sepse m’u duk vetja një plaçkë e lagur që e kanë varur në mes të fshatit për t’i treguar kalimtarëve se vetmia është një sëmundje që nuk shërohet në diell. Gjithë jeta ime më kaloi përpara syve. Kisha menduar gjithmonë të martohesha, por vitet kishin ikur pa kuptuar dhe unë e kisha humbur besimin se fshati mund të më jepte një burrë, i cili ishte shfaqur atëherë kur ndoshta nuk më duhej më. Trupi im ishte flashkur si një i zier gjatë dhe ndoshta aftësinë për të bërë fëmijë e kisha humbur, si një gjë të panevojshme. Përse mund të më duhej një burrë, përveçse për të kaluar ditët e mbetura? Shkova te dritarja dhe pashë rrugën. Nga dhoma tjetër nuk dëgjohej asgjë, por fryma e Muhamedit i lëvizte qirinjtë që hynin në dhomën time, duke u lëkundur. U afrova te pasqyra dhe pashë veten. Në errësirë rrudhat përreth syve dukeshin më të thella. Flokët më ishin hapur si leshterikë të tharë dhe pa e pasur mendjen mora një krehër dhe nisa t’i rregulloj. Pastaj u shtriva dhe më zuri gjumi duke mos menduar. Sot në mëngjes ndihesha më mirë. Lëkurën e kisha më të qetë dhe rrudhat kishin humbur lartësinë. Nuk ia vlen të mërzitesh, thashë me vete. Pavarësisht se Muhamedi është njëzet vjet më i vogël, prapë është një burrë. M’u kujtua nëna ime që thoshte se një grua nuk plaket deri ditën që djemtë e vegjël në rrugë kthejnë kokën për ta parë. U vesha shpejt dhe dola. Muhamedin e gjeta atje ku e kisha lënë. Fytyra e tij ishte e bardhë, por nuk dukej i lodhur. Nuk e pyeta nëse kishte fjetur, por bëra mëngjesin me çaj dhe e shtrova në tavolinë. Hëngrëm të dy pa folur. Nuk e shikoja në sy, ndërsa ai pinte çajin ngadalë si një njeri që nuk e pret asgjë jashtë shtëpisë. Kur do ikësh, i thashë. Muhamedi dukej edhe më i qetë dhe nuk u ngut të përgjigjej. Kur të martohem me ty, më tha. Vendosa ta përballoja atë bisedë qetësisht, pa u skuqur dhe pa u nervozuar si një grua e pjekur, e cila duhet të arsyetojë propozimet që i vijnë. Pse do të martohesh me mua, e pyeta. Muhamedi la gotën e çajit dhe kaloi dorën mbi mbulesë sikur donte të më tërhiqte vëmendjen për ato që do të thoshte. Unë nuk kam më një familje, më tha. Jani u martua, dy vëllezër kanë vdekur dhe dy të tjerë ikën në Janinë. Babai vdiq, ndërsa Paridi jeton në legjendat greke. Ditën që Sara iku nga shtëpia e kuptova se isha rritur dhe duhet të krijoja familjen time. Ti më ke pëlqyer që kur kam qenë i vogël. Një ditë, kur po hanim drekë me Mihalin dhe Metodin në shtëpinë e Arianitit ti u mërzite kur unë thashë se ditën që njerëzit nuk do mund të lindin më njerëz, si ti, atëherë nuk do ketë më as njerëz dhe as perëndi sepse perëndia nuk jeton dot pa njerëzit kurse njerëzit jetojnë pa perëndinë, por jo pa njëri-tjetrin. Ti u ngrite nga tavolina dhe më the se ti nuk kishe lindur për faj të Vasilit, xhaxhait tim, por me një burrë tjetër ndoshta do të lindje. Që atë ditë kam menduar se ai burri tjetër duhet të isha unë. Kishe veshur një fustan të ngushtë ngjyrë vishnje që të tregonte të qartë dhe hyjnore si një perëndeshë e palumtur me njerëzit. Dole jashtë duke fshirë lotët dhe unë të ndoqa me sy. Kanë kaluar shumë vjet që atëherë dhe bukuria jote është pasuruar. Tani je e bukur si një grua dhe e pjekur si një nënë. Unë e njoh veten time. Grave në moshën tënde mund t’u ngjaj i vogël, por vajzave të reja i dukem si një plak që rri në stolin e shtëpisë dhe lexon qiellin si një filxhan. Nuk dua të martohem si një plak, por si një fëmijë që rritet në krevatin e gruas së vet. Muhamedi pushoi dhe unë kalova dorën mbi rrudhat e mia, por nuk i gjeta. Ai më kishte përkëdhelur me fjalë dhe vajza që jetonte brenda së kaluarës sime u ngrit nga tavolina dhe shkoi në dhomë të provonte fustanin ngjyrë vishnje që kisha vite pa e veshur. U zhvesha, dola lakuriq përpara pasqyrës, pashë gjinjtë e mi të fryrë me një thith të zi në mes, lëshova flokët mbi supe, pashë një nishan në supin e majtë, këmbët e bashkuara te kofshët e forta dhe u ngopa me erën e freskët të sqetullave të mia me push të zi. Vesha fustanin dhe kuptova se trupi im nuk kishte marrë ujë të tepërt, si një barkë që kalon rininë duke u endur nëpër një det të vetmuar. Isha e re dhe e bukur si një mobilie që zbukuron shtëpinë e kujtimeve të veta. Sytë jeshilë rrinin mbi trup si mbi një livadh dhe isha gati të dilja në rrugë që të gjithë ta shijonin rininë time. Sigurisht që nuk i bëra të gjitha këto marrëzi në prani të një burri që donte të më bindte se nuk ishte një fëmijë, por imagjinoja veten time me fustanin vishnje, ndërkohë që Muhamedi më shikonte me sy të hapur si një gotë profetike e mbushur me qiell. Sikur të ishe aty, do të dukesha si një nuse që e kanë mbajtur për pesëmbëdhjetë vjet nën duvak dhe që më në fund ia heqin për t’ia çuar burrit në dhomën ngjitur. Plakat e shtëpisë e kontrollojnë dhe habiten kur shohin se duvaku ia ka mbajtur fytyrën të paprekur nga pluhuri i viteve. Unë u skuqa mbi tavolinë siç do skuqej çdo nuse që pret ta zbulojnë dhe pastaj ta përdorin. U drodha lehtë dhe mora ngjyrën e çajit në gotën e Muhamedit. Megjithatë, e ndalova të skuqurën që më vinte nga këmbët dhe e kuptova se Muhamedi kishte të drejtë kur thoshte se mund të isha një nënë e pjekur. Të ndalosh të skuqurën kërkon një teknikë të caktuar, e cila fitohet vetëm me përvojë. Ti je nipi i burrit tim, i thashë Muhamedit dhe kjo quhet një martesë brenda familjes që askush nuk e pranon. Muhamedi qeshi sepse e kuptoi që kisha filluar të shoshitja anët e bardha dhe të zeza të martesës, si një jelek, i cili në stinë të ndryshme mund të vishet nga të dyja anët. Kisha tradhtuar veten, gjë që më pëlqeu, sepse kjo mungesë përvoje më bënte të ndihesha më e re. Në këtë fshat kanë ndodhur çudi më të mëdha se kjo, tha Muhamedi. Babai yt u martua me hallën e vet, ndërsa Sara u martua me babanë tim që ishte njëzet e pesë vjet më i madh se ajo dhe kishte gjashtë djem. unë ula sytë dhe flokët më shpuan kokën. Muhamedi kishte të drejtë, por fataliteti i asaj që tha më ngurtësoi. M’u duk vetja si një kukull, e cila imiton kukulla të tjera që janë kalbur në bodrum. Pse ndodh kjo me ne, e pyeta Muhamedin. Ai më pa gjatë në sy dhe e ngrohu dorën mbi gotën e çajit. Vijat e pëllëmbës iu veshën me avull që ai e fshiu sikur po largonte një mjegull. Ne të gjithë jetojmë si heronj të fantazisë njerëzore, më tha. Unë jetoj si profet, Arianiti besonte se ishte Abraham, Isak Komnenit i dukej vetja si Jezu Krishti, Sali Benishi besonte se Aishja e tij i ngjante gruas së Muhamedit, Bilalit i duket vetja si jevgu që vodhi gozhdën e kryqëzimit, Ana është e bindur se do bëhet princeshë si Ana Komnena e vërtetë dhe Niko ndryshoi emrin që të jetojë si Paridi. Bota rri në vend sepse ne besojmë se shpirti i dikujt tjetër jeton në trupin tonë dhe kjo na bën dembelë. Bota ka mijëra vjet që nuk ndryshon sepse secili nga ne kujton se një shpirt më i ndritur do t’i tregojë rrugën e duhur. Na duket sikur ecim, por në fakt ndjekim hapat e dikujt që ka kaluar përpara nesh dhe kthehemi aty ku u nisëm. Por fshati ynë është i vogël për të mbajtur gjithë këta heronj dhe disa duhet të ikin që të vijnë disa të tjerë. Arianiti iku që babai im të bëhej Ibrahim, pastaj iku Isaku që të vinte Bilali me gozhdën e tij. Edhe martesa jonë është pjesë e këtij cikli, prandaj është e paarsyeshme ta shmangim, tha Muhamedi që dukej sikur po lexonte në fytyrën time. Unë nuk e mbajta dot të skuqurën që më doli mbi lëkurë dhe u ngrita nga tavolina. Doja të qaja dhe shkova në dhomë, por nuk nxora lot. Avulli i çajit më kishte veshur faqet. U kreha dhe vura vathët e ullirit që më freskuan trupin. Qafën e kisha qull dhe vura një shall. Dola nga dhoma. Muhamedi ishte në tavolinë. Çfarë do për drekë, e pyeta. Ai më pa me ëmbëlsi dhe sytë e tij m’u dukën si dy hurma. Oriz me kanellë si ai që bën Sara, më tha. Unë u ftoha, si një nuse e re pa duvak dhe erdha te ti të pyes si bëhet orizi me kanellë. Sara qëndronte në diell dhe lëkura i ishte thekur, ndërsa Hanës i ishte hapur shalli duke folur dhe i kishin dalë damarët që zgjateshin nën mjekër duke u zgjeruar dhe zbrisnin poshtë në kraharor. Sara kishte mbetur pa frymë duke lexuar hartën e zemrës së saj të ftohtë. Kishin jetuar bashkë për një kohë të gjatë dhe ajo kishte menduar se Hana e kishte humbur ndjeshmërinë. Por me sa duket vetëm e kishte fshehur ashtu siç bën një mobilie, që tregon lustrën, por jo drurin që e ka bërë. i kujtohej dita kur Hana ishte martuar me Vasilin. Ajo rrinte në krah të nuses, ndërsa Thanasi në krah të dhëndrit. Kur kishin dalë nga kisha, Arianit Komneni ishte afruar, e kishte puthur Hanën dhe i kishte thënë diçka në vesh. Gjergji që vinte pas çiftit kishte ndalur hapat dhe Arianiti kishte ikur duke parë Vasilin. Çfarë i the Hanës në vesh, e kishte pyetur ajo në mbrëmje. I thashë që ishte e bukur si një hënë që ndriçon ditën, kishte thënë babai. E si ndriçon hëna ditën, e kishte pyetur Sara. Hëna ndriçon kur dielli që i rri përballë është i dobët, kishte thënë babai duke parë Vasilin. Hana rrinte në oborr dhe rrezatonte mbi plloçat e verdhë të mesditës. Ç’do bësh, e pyeti Sara. Do bëj oriz me kanellë, u përgjigj Hana. Sara qeshi dhe mendoi se nuk kishte më arsye ta pyeste se ç’do bënte me martesën. Hana mezi priste të kthehej në shtëpi duke i çuar Muhamedit pajën me oriz në një pjatë të zbukuruar me kanellë. Thirri Ana Komnenën që erdhi duke tërhequr gërshetin e zi nëpër shtëpi. Shko thuaji Paridit se Muhamedi është në shtëpinë e Hanës dhe nuk do vonohet. Çfarë bën Muhamedi në shtëpinë tënde, pyeti Ana duke parë vathët prej ulliri. Hana u përtyp, por Sara nuk e la të fliste. Muhamedi është kthyer në tokën katrore, it ha Sara. Ana u nis me vrap duke e parë Hanën me bisht të syrit. Muhamedi shkoi në shtëpi të nesërmen. Dukej i menduar dhe ecte ngadalë. Paridi i kishte krehur flokët dhe mbante një këmishë të hekurosur. Iriqi kishte dalë në oborr, ndërsa kokën pa qafë e mbante të zgjatur nga rruga. Bilali sapo kishte ardhur. Kur pa Muhamedin, doli nga shtëpia dhe thirri me zë të lartë: Muhamed, të trashëgohesh! Muhamed, të trashëgohesh! Iriqi u shurdhua nga zëri i tij i lartë dhe gjembat iu shkurtuan, ndërsa Muhamedi u ul në stol. Jani dhe Paridi erdhën ta takonin. Jani kishte përveshur mëngët duke punuar në bodrum, ndërsa Paridi ishte i zbehtë dhe i ftohtë. E shikonin Muhamedin në sy dhe prisnin. Pse nuk na the ku do shkoje, e pyeti Paridi. Muhamedi vuri duart mbi gjunjë dhe shikoi thonjtë, siç bënte kur ishte i vogël. Po t’u kisha thënë se ku do shkoja nuk do më linit të martohesha. Po Hana ka pranuar të martohet me ty, vazhdoi Paridi që rrinte në këmbë. Hana do vijë të jetojë në shtëpinë tonë, u përgjigj Muhamedi. Jani pa Paridin dhe i bëri shenjë të qetësohej, por ai dukej si një kalë që nuk ndalon dot. Pse nuk jetoni në shtëpinë e Hanës, e pyeti. Muhamedi ngriti kokën dhe pa Janin në sy. Shtëpia e Hanës do shembet dhe do bëhet xhami. Paridi u ngurtësua, iu afrua stolit dhe i tha Muhamedit: Kjo është njëlloj sikur të ndërtosh shtëpi në det. Kjo është njëlloj sikur të mos ndërtosh një varkë në det, tha Muhamedi. Bilali që dëgjonte pas kurrizit të tyre erdhi dhe e puthi Muhamedin në faqe. Do më lësh mua të këndoj ezanin e parë, e pyeti me sytë që i ndrisnin. Muhamedi e pa me qetësi dhe duke u ngritur i tha: Pse jo? Zëri yt është më i fortë se kambana e kishës. U fut në shtëpi, ndërsa Bilali i shkoi pas, deri te dera. Jani me Paridin mbetën në këmbë duke e ndjekur Muhamedin me sy. Ai dukej si një pemë që shëtiste në oborr. Iriqi ishte afruar te stoli dhe i merrte erë vendit ku ishte ulur Muhamedi. Paridi uli kokën dhe flokët i ranë mbi sy. Po iki, i tha të vëllait, nuk ka më vend për mua këtu. Jani i hodhi dorën në sup, por nuk foli. Fatimja kishte dalë në oborr me një pjatë kabuni që ia dha Bilalit dhe ky ia çoi Muhamedit duke kënduar, sikur po bënte prova. Kur Hana erdhi në shtëpi, Paridi iku të jetonte në shtëpinë e Arianitit. Sara dhe Ana Komnena u gëzuan që ai vendosi të jetonte me to dhe në darkë e prisnin të dyja në oborr, ndërsa çdo mëngjes i bënin kulaç me mjaltë. Sara i tha se mund të kthehej kur të donte në shtëpi, por nuk duhej të sillte vajzat e fshatit aty. Paridi pranoi. Nganjëherë shkonte në pyll dhe kur kthehej, Sara ia pastronte pantallonat e mbushura me gjethe. Hana solli në shtëpi krevatin e madh ku kishte fjetur me Vasilin dhe bashkë me Sarën e vunë në dhomën që shikonte nga arra e vogël. Hana kishte sjellë me vete edhe një palë perde të rënda që e mbulonin dritaren dhe degët e arrës binin aty duke vizatuar hije. Bilali bashkë me djalin e tij ngarkuan të gjitha plaçkat dhe sëndukët e mbushura me enë, me qirinj e peceta dhe shtëpia e Hanës u boshatis për disa ditë. Natën e parë që Hana dhe Muhamedi fjetën bashkë, Fatimja dëgjoi një zhurmë dhe doli në oborr. Muhamedi rrinte i ulur në stol dhe shikonte hënën. Ishte i mbuluar me djersë dhe dukej sikur qante. Iriqi ishte zgjatur nga ai duke lëpirë buzët. Pas pak, Hana doli me një këmishë nate të bardhë dhe e thirri Muhamedin që u ngrit dhe i shkoi pas duke e mbajtur kokën nga rruga. Ajo i kishte lëshuar flokët dhe dukej e ashpër, si një nënë që thërret djalin në shtëpi. Fatimja u kthye në dhomë dhe i tha Janit: Muhamedi po qante në oborr. Jani i vuri dorën mbi bark dhe e afroi nga vetja. Ngrohtësia e trupit të Fatimes ia fryu lëkurën. Burri e kupton moshën e gruas në krevat, i tha dhe ia kaloi dorën poshtë barkut të freskët dhe të lagur. Pas disa javësh, Muhamedi thirri Andrean, djalin e Naumit që erdhi duke djersitur. Tëmthat i ishin thinjur, ndërsa muskujt i ishin shëndoshur. Muhamedi e priti në oborr. Andrea shikonte shtëpinë që kishte ndërtuar me të atin duke e matur me sy. Më duket më e vogël, i tha Muhamedit duke ecur përmbi plloça. Është ndërtuar për një familje, tani jemi dy, tha Muhamedi. Kur u afruan te shtëpia e Hanës, Andrea ndaloi. Shtëpia ishte shumë afër kishës dhe ai e mati largësinë me hapa. Muhamedi rrinte në diell dhe shikonte hapat e gjatë të Andreas, i cili pasi ecte pak, ngrinte kokën nga kambanorja dhe pastaj nga çatia e shtëpisë së Hanës. Nuk kam ndërtuar kurrë një xhami përballë kishës, sesi më duket, tha Andrea duke u futur nën hijen e kambanores sikur donte të mbrohej. Si të duket, e pyeti Muhamedi. Andrea u mendua dhe ngjeshi shpinën pas murit të kishës duke e parë Muhamedin në sy. Më duket sikur po e ndajmë fshatin në mes si një bukë misri, i tha. Drita i hyn njeriut nga dy sytë dhe zëri nga dy veshët. Edhe Zoti kërkon dy dyer për të ardhur në fshat, tha Muhamedi. Andrea tundi kokën dhe doli nga hija e kishës. E kujt është kjo shtëpi, e pyeti. E gruas time, u përgjigj Muhamedi. Andrea ngriti vetullat dhe i erdhi afër. Çfarë i ke premtuar që ta dha për xhami? Muhamedi shtyu derën e shtëpisë dhe dhoma e madhe e oxhakut u hap përpara tij si një bark gruaje i boshatisur. Eci dhe hapat ngritën pluhur mbi çimento. I kam premtuar një fëmijë, i tha Andreas duke hapur dritaren. Andrea, që ishte pas kurrizit të Muhamedit, ndali hapat dhe qetësia doli nga dritarja në rrugë. Po nëse nuk lind ai fëmijë? Nuk e di, foli Muhamedi. Nuk ka profet që nuk gënjen. Andrea u zgjat nga dritarja dhe kambanorja e kishës iu duk shumë afër, aq sa hijen e saj prej peme nuk e nxinte dhoma. Babai i kishte thënë se ajo kambanore nuk ngjante me asgjë tjetër sepse kishte përmasat e trupit të Arianit Komnenit. Zakonisht Naumi i bënte kambanoret dy herë më të larta se kisha, por Arianit Komneni nuk bindej. Ai kishte vizatuar disa lloj kambanoresh, të gjata dhe të holla, pastaj më të ulëta dhe të trasha, me zgavër të rrumbullakët ose katrore, me shkallë nga jashtë dhe nga brenda, derisa kishte gjetur një të mesme, e cila besonte se do t’i pëlqente Arianitit dhe që mund të ndërtohej duke hipur në skela jo shumë të larta, si ato që përdorte David Selenica në Voskopojë. Ia kishte vënë Arianitit përpara, por ai kruante mjekrën dhe nuk vendoste. Për disa ditë punimet u ndërprenë. Arianiti ecte me hapa të mëdha përpara mureve të pambaruara të kishës, e cila i ngjante një beli pa trup. Naumi e shikonte dhe thyente gurë nga mërzia. Një natë, Arianiti i kishte thënë Naumit se e kishte gjetur formulën e gjatësisë së kambanores. Ma thuaj, kishte pritur Naumi. Mendo sikur kambana të jetë një shishe me ujë e kthyer nga toka. Po e mendoj, i tha Naumi duke parë poshtë. Në qoftë se shishen e lidhim si kambanë, por me grykën poshtë dhe pastaj e tundim majtas-djathtas, atëherë uji do të derdhet nga të dy anët duke u hapur si krahë në ajër. Lartësia e kambanores duhet të jetë sa largësia mes pikës së fundit të ujit nga e djathta dhe pikës së fundit nga e majta. Bukur, tha Naumi, por nuk e provojmë dot sepse duhet të ngremë një skelë dhe të derdhim ujë, duke mos pasur një pikë në ajër ku të lidhim shishen. Por edhe nëse vendosim ta bëjmë këtë eksperiment, sa e lartë do të jetë skela? Arianit Komneni kishte kaluar dorën mbi flokët e bardhë siç bënte zakonisht kur donte të thoshte diçka që e kishte vendosur me kohë. Bëjmë një provë në përmasa më të vogla, tha. Skela do jetë e gjatë sa unë. Të nesërmen ndërtuan një skelet dërrasash në lartësinë e Arianit Komnenit dhe duke i hapur një vrimë lart kaluan aty një litar në të cilën lidhën një shishe. Grykën e shishes e lidhën me spango dhe kur Arianiti bëri shenjë Naumi filloi ta tundte. Uji u derdh majtas, pastaj djathtas duke bërë pellgje të vogla në tokë. Arianit Komneni mati largësinë mes dy pellgjeve dhe duke e mbledhur me gjatësinë e trupit të vet dhe pastaj duke i shumëzuar të dyja bashkë, me disa herë i dha Naumit lartësinë e kambanores. Kur kambanorja mbaroi, Naumi i tha Arianitit: Kjo kishë ka përmasat e tua. Arianiti Komneni hapi krahët në ajër dhe tha: Po ta mbushnim shishen me verë, kambana do tundej si e dehur dhe kisha do ishte më e madhe. Andrea doli jashtë dhomës dhe Muhamedi e ndoqi. Sa të lartë ta bëj minaren, e pyeti. Muhamedi tregoi kambanoren me gisht dhe tha: Aq sa ajo aty. Andreas i kaloi një buzëqeshje mbi fytyrë. Ti je më i shkurtër se Arianit Komneni, i tha. Ç’do të thuash, e pyeti Muhamedi që nuk e dinte historinë e ndërtimit të kambanores. Andrea ngriti kokën lart dhe tëmthat e thinjur u zverdhën në diell. Kjo kishë është bërë si një kostum, i tha. Babai mati përmasat e trupit të Arianit Komnenit dhe e ndërtoi kishën duke qepur gurë me gozhdë. Asnjeri nuk mund ta bëjë dot më këtë ndërtim sepse formulën e ekuilibrit mes lartësisë, gjatësisë dhe gjerësisë e dinë vetëm ata të dy. Muhamedi u afrua dhe filloi të shikonte kishën. Kambanorja kishte një kupolë të rrumbullakët që dukej si kokë njeriu. Suvaja kishte rënë vende-vende edhe trarët skeletikë kishin dalë në diell si damarë që ngrohen. Bëje me përmasat e trupit tim, tha Muhamedi pa e parë Andrean në sy. Andrea u afrua dhe i vuri dorën në gjoks. Zemra e Muhamedit nuk ndihej. E rrotulloi duke e parë nga koka te këmbët dhe duke e vendosur në drejtim të kambanores, e cila i dilte Muhamedit mbi kokë. Ti i ke këmbët e shkurtra dhe minareja do duket si një burrë i parritur, tha Andrea. Kam lindur gjashtëqind vjet më vonë prandaj dukem më i vogël, tha Muhamedi duke i kthyer shpinën kishës. Andrea e shembi shumë shpejt shtëpinë e Hanës. Bilali dhe i biri mblodhën gurët në një cep dhe trarët e thyer i dogjën. Fshati u mbush me hi dhe era e djegur hyri në çdo shtëpi. Kur dolën themelet, djali i Bilalit filloi të gërmonte me duar dhe gjeti një unazë të vjetër që ia dha Muhamedit, por atij nuk i pëlqeu dhe Bilali e vuri në gisht. Andrea vendosi t’i forcojë themelet dhe ditën që u vu guri i parë i xhamisë Bilali theri një qengj. Gjakun e shpërndau nëpër themele duke kënduar me zë të lartë. I biri mbante nga këmbët e lidhura qengjin që jepte shpirt, ndërsa Muhamedi u zverdh dhe shkoi në shtëpi. Çfarë ke, i tha Hana. Muhamedi u ul në stol dhe shtriu trupin. Sytë i ishin zmadhuar dhe ishte mbushur me djersë të ftohta. Më vjen për të vjellë, tha. Hana i solli një limon të prerë dhe ia vuri në hundë. Muhamedi teshtiu fort dhe iriqi u fsheh nën stol. Bilali që punonte me Andrean nuk vinte më pasditeve dhe shtëpia ishte më e qetë. Hana gatuante, lante, hekuroste, spërkaste oborrin dhe ndryshonte vendin e plaçkave të veta në sënduk. Kur i mbaronte të gjitha, ulej mbi krevat dhe thurte rroba fëmijësh. Në darkë vishte këmishën e natës dhe e priste Muhamedin me qirinj të fikur. Sa herë që bashkoheshin, nën çarçafë, ajo shikonte në ëndërr një djalë të vogël me sy të kaltër, i cili rrinte i ulur në stol dhe numëronte gjembat e një iriqi prej druri. Muhamedi ishte i imët, me këmbë të holla, të cilat ishin gjithmonë të ftohta. Hana ia vinte dorën mbi bark dhe gjurma e gishtave të saj mbetej aty, si një njollë e kuqe. Edhe kur Hana e puthte ai mbushej me pulla të kuqe dhe e lyente lëkurën me një vaj karote që ia sillte gruaja e Bilalit. Kam frikë ta puth se bëhet si domate, i thoshte Hana Sarës që qeshte. Unë do doja ta kisha burrin kastravec, por jo domate, thoshte Sara duke e ngacmuar. Domatja nuk po mbin akoma, thoshte Hana dhe sytë i fryheshin duke pritur me barkun bosh. Natën, Muhamedi ngrihej dhe shkonte te xhamia. Hëna hynte në themele dhe dilte prej andej vetëm në mëngjes, kur ai ishte në gjumë. Ibrahimi i vogël luante në oborr duke ndjekur iriqin që ishte plakur dhe gjembat i ishin thinjur. Një mëngjes, Ibrahimi u përplas në stol dhe vetulla iu ça mbi sy. Fatimja erdhi me vrap duke bërtitur, ndërsa Muhamedi u zverdh dhe shkoi të villte tek arra e vogël. Fytyra e Ibrahimit ishte mbushur me gjak. E pastruan, i vunë duhan, ia lidhën kokën me beze dhe djali u bë si një hoxhë i vogël. Kur ia hoqën leckën, mbi ballë i kishte mbetur një shenjë që dukej si një rrudhë me buzë të holla. Fatimja nuk e la më djalin të luante në oborr. Jani ndërtoi një gardh me dru për të ndarë oborrin dhe iriqin e mori në pjesën e tij. Stoli i mbeti Muhamedit. Shtëpia u nda në dysh si në kohën kur Ibrahimi u bë mysliman. Kur pa gardhin, Paridit iu mor fryma dhe i tha Sarës: Babai e bashkoi shtëpinë, ndërsa Muhamedi e ndau. Ana Komnena i zgjati Paridit kulaçin e vet të pambaruar dhe tha: Nuk ka faj Muhamedi. Shtëpinë që bashkoi babai e ndau Ibrahimi. Sara u ul në oborr dhe një pupël dallëndysheje i ra në pëqi. E mori në dorë dhe ngriti kokën nga qielli sikur ta kish thirrur dikush. Erdhën dallëndyshet, i tha së bijës që e kishte gojën të mbushur me kulaç dhe nuk fliste dot.