Pages

Kapitulli 22 - Romani ''Te Jetosh Ne Ishull'' Ben Blush

Në fillim të korrikut, Ana mbushi dy vjeç. Shiu vazhdonte prej dy javësh dhe oborri ishte mbushur me pellgje jeshile. Shtëpia e tyre dukej si një kazan i hapur nga lart që priste të mbyllje, ndërsa shtëpia e re ishte e çrregullt. Për shkak të shiut, djemtë luanin gjithë ditën brenda dhe dhomat i ngjanin një depoje në të cilën një herë sënduku fshihej poshtë krevatit
dhe pastaj qilimi e mbulonte krevatin si çarçaf. Ta festojmë ditëlindjen e vajzës, tha Ibrahimi. Këtu është e pamundur, tha Sara që përpiqej më kot të vinte rregull. E festojmë të dielën në shtëpinë e babait. Ftojmë Hanën, Mihalin dhe Metodin. Duket si një meshë Komnenësh, tha Ibrahimi. Kur u martova, Arianiti më nxori jashtë nga mesha e Kretës, por tani nuk më zbon dot më. Do t’i them Mihalit që të mos vishet me rrobat e babait që të të dalë frika, ia ktheu Sara. Po ne si do vishemi, pyeti Aliu. Unë do vishem si Paridi, tha Niko dhe pyeti Sarën: Si vishej Paridi? Në kohët e lashta ishte ngrohtë dhe njerëzit visheshin lehtë, me një këmishë linoje dhe me sandale. Paridi i kishte flokët e gjatë dhe i mbante të kapura me një lidhëse të kaltër. Sandalet i kam, por flokët si t’i zgjas, pyeti Niko duke i ngritur balluket përpjetë. Lyeji me ujë me sheqer dhe do të ngrijnë e do duken më të gjata, i tha Jani duke qeshur. Do t’i lyej, tha Niko, dhe pastaj nuk do t’i pres derisa të më zgjaten si të Paridit. Po ti Muhamed si do vishesh, e pyeti Ibrahimi. Muhamedi uli kokën dhe duke parë thonjtë e vegjël dhe të bardhë tha: Unë do vë një çallmë që t’i ngjaj Muhamedit. Ibrahimi pa Sarën në sy, por nuk foli. Ti nuk mund të jesh Muhamedi sepse ai u bë mysliman kur u bë burrë. Sa ishte i vogël ai nuk mbante çallmë, foli Jani duke iu drejtuar Ibrahimit, sikur i kërkonte të ndërhynte. Kur ishte i vogël Muhamedi nuk e dinte që do bëhej mysliman dhe prandaj nuk mbante çallmë. Unë kam lindur mysliman dhe do sillem si një Muhamed i rritur, tha Muhamedi. Po pse zgjedh Muhamedin që nuk dinte të luftonte si gjithë burrat e tjerë. Po deshe të jap unë Skënderbeun ose Akilin që kanë bërë luftëra dhe jo muhabet si Muhamedi, tha Aliu. Tani nuk kam ç’t’i bëj, tha Muhamedi që ngriti kokën dhe pa nga Ibrahimi. Këtë e ka vendosur babai kur më vuri emrin. Babai ju ka vënë të gjithëve emra shumë të bukur, por ju nuk mund të jetoni si njerëzit që ju keni marrë emrin, tha Sara. Edhe Ana ka emrin e nënës suaj, por kur ajo të rritet njerëzit do ta kenë gjetur ilaçin e kolerës. Edhe unë kështu dua, tha Aliu. Babai më ka thënë se unë kam emrin e Ali Tepelenës, po unë nuk dua t’i ngjaj atij, se dajë Llambro thotë se ai vjedh bagëti dhe gra. Unë dua të kem edhe dele, edhe gra, por duke luftuar, jo duke vjedhur. Po ti baba emrin e kujt ke, pyeti Niko. Ibrahimi vuri buzën në gaz dhe tha: Unë kam emrin e një burri të mençur, i cili gjithë jetën eci nëpër fusha dhe male duke kërkuar tokë për të ngritur një fshat, për popullin e vet. Po ti nuk ke ecur nëpër male dhe fusha për të gjetur një fshat për ne, sepse fshatin e kishte ngritur babai i Sarës, tha Aliu. Prandaj unë nuk jam ai që më dha emrin dhe po ashtu edhe ju nuk jeni si ata që ju dhanë emrat, tha Ibrahimi. Megjithatë vishuni si të doni sepse është festa e Anës. Kur u bë kisha e fshatit ishte një ditë feste dhe unë u vesha si dhëndër. Po tani që nuk je dhëndër, nuk shkon më në kishë, pyeti Niko duke parë Sarën. Babai shkon prapë në kishë, por vetëm kur vdesin njerëz, tha Muhamedi dhe doli nga dhoma. Të dielën që pa gdhirë, Ibrahimi theri një qengj, i ndau veç këmbët dhe lëkurën, i hoqi të përbrendshmet dhe e shpoi tejpërtej me hell. Binte shi dhe ai i tha Janit ta ndizte prushin brenda shtëpisë, aty ku Naumi dhe Andrea kishin sajuar një si kolibe të mbuluar për të fjetur. Jani rrotullonte hellin, ndërsa tymi fluturonte si i çmendur mbi shtëpinë pa çati. Nga dreka, mishi i qengjit ishte skuqur në hell dhe kishte nisur të pikonte. Është gati, tha Ibrahimi. Sara i futi ushqimet e ngrohta nëpër trasta që ua dha djemve, Jani mori qengjin që Ibrahimi e ndau në copa të mëdha dhe u nisën. Nikoja kishte ngrirë flokët që i mbante me një pe të kaltër, Muhamedi kishte vënë një peshqir mbi kokë që e kishte lidhur si çallmë, ndërsa Aliu me këpucë të zeza, për të mbrojtur thembrën, mbante në brez një shpatë pa majë që Jani ia kishte sajuar duke kryqëzuar dy dërrasa. Djemtë, të ngarkuar, ecnin përpara, ndërsa pas tyre vinte Sara dhe Ibrahimi që mbanin Ana Komnenën për dore. Duken sikur po shkojnë në luftë, tha Ibrahimi duke i parë. Ashtu duken, tha Sara, princi, hoxha dhe ushtari. Një ushtri e kompletuar që lufton pa shkak dhe fiton pa pasoja. Kur hynë brenda, tryeza ishte shtruar dhe Mihal Komneni, që kishte veshur një këmishë të bardhë të qëndisur, ishte ulur në krye, me një gotë verë përpara. Mirë se erdhët, tha Mihali. Ka pesëdhjetë vjet që Komnenët nuk mblidhen as për ditëlindje, as për vdekje. hana filloi të qeshte kur pa djemtë, ndërsa Metodi vuri syzet e rrumbullakëta dhe i drejtoi nga çallma e Muhamedit. U ulën. Mihali në krye dhe Sara përballë tij, në fund të tavolinës. Në të djathtë Ibrahim, Hana, Jani dhe Metodi, ndërsa majtas, Niko, Muhamedi, Aliu dhe Ana që mori një pirun dhe filloi ta përplaste mbi pjatë. Gëzuar, tha Ibrahimi. Filluan të hanin dhe Mihali i tha Ibrahimit: Ushqimi është feja më e bukur sepse nuk ka kufizime. Të lashtët thoshin se fetë kanë lindur në tavolinë, pasi njerëzit hanin dhe fillonin të bisedonin, tha Metodi. Por meqë njerëzit kishin shije të ndryshme, lindën fe të ndryshme. Dikush nuk e donte mishin, dikush donte vetëm një lloj mishi, dikush donte edhe mishin, edhe verën, dikush nuk donte verën, por donte mishin. Kësisoj, fetë që lindën, kufizuan ushqimin sipas shijeve të njerëzve që i krijuan ato dhe njerëzit u ndanë fillimisht nga ushqimi. Po unë që i dua të gjitha, qeshi Mihali duke ngritur një gotë verë, në cilën fe futem unë? Ty nuk do të të kishin pranuar në atë tavolinë sepse ti do t’i kishe ngrënë të gjitha dhe sot do kishim vetëm një fe, tha Metodi. Sikur t’ia kishin lënë këtë gjë në dorë Mihalit, sot nuk do kishim as kisha, as xhami, por do faleshim në kuzhinë përpara një pjate mish dhe një gote me verë, tha Sara duke ushqyer Anën. Sa mirë do ishte, tha Hana, ndërsa djemtë filluan të qeshnin. Si i kanë emrat këta djem, pyeti Mihali. Ky është Jani, tha Ibrahimi. Ky këtu ngjitur me ty është Niko, ai është Muhamedi dhe ai është Aliu. Emra të denjë për një tavolinë ku ka çdo gjë, por ku jo çdo gjë mund të hahet, tha Mihali dhe pyeti: Nga i kanë marrë këta emra? Jani ka emrin e babait tim, tha Ibrahimi. E kam njohur Janin, tha Mihali. Ai u lind në fshat dhe nuk e njohu babanë e tij që u vra në Kretë. Niko ka emrin e vëllait të gjyshit tim, vazhdoi Ibrahimi. Nuk e kam njohur, por thonë se ai ishte një djalë i hedhur që i kishte qejf vajzat dhe prandaj u vra, tha Mihali me një zë të qetë. Unë nuk e kam më emrin Niko, tani quhem Parid, tha Niko që u skuq dhe pa nga Sara. Mihali qeshi fort, ndërsa Metodi picërroi sytë pas xhamave që ishin veshur me avull ushqimesh të ngrohta. Po pse e ke ndërruar emrin Niko, e pyeti Hana. Unë jam Paridi që vrau Akilin, tha Niko. Ai ishte djali më i bukur që caktonte se kush nga perëndeshat ishte më e bukura. Paridi ishte frikacak dhe për një grua e shkatërroi Trojën. Ti je i gatshëm ta shkatërrosh fshatin për një grua, pyeti Mihali. Niko dukej i hutuar, ndërsa Aliu filloi të qeshte. Babai më ka thënë se ne nuk do bëjmë ato që kanë bërë njerëzit që na dhanë emrat, tha Niko. Këtu nuk kanë mbetur më gra për të cilat ia vlen kjo sakrificë, tha Hana duke parë nga Muhamedi që e mbante çallmën të ulur dhe shikonte gishtat e vet. Po ti, Muhamed, kujt ia ke marrë emrin, pyeti Metod Antrakidi. Unë kam emrin e profetit, tha Muhamedi pa e ngritur çallmën. Muhamedi e dinte se çfarë do bënin njerëzit në të ardhmen. Ti çfarë di për ne, e pyeti Mihali. Unë di që Sara do të iki për të gjetur varrin e babait, tha Muhamedi me një zë të ngadaltë që i bëri të gjithë të lënë ushqimin në mes për ta dëgjuar. Dhe ti beson se do ta gjejë, e pyeti Metodi. Një grua që e ka fytyrën të mbushur me rrudha e di dhe ajo do t’ia tregojë Sarës, tha Muhamedi. Të gjithë heshtën, ndërsa Mihali psherëtiu. Në qoftë se kjo është e vërtetë, unë do të të blej një çallmë të re me gurë të çmuar, tha Hana. Nuk dua çallmë, foli Muhamedi duke parë Hanën me sytë e kaltër. M’i jep paratë për të ndërtuar një xhami për babanë. Xhamia do ta lërë gjithë fshatin pa gjumë se myslimanët falen pesë herë në ditë, tha Metodi. Po të jetë pesë herë në ditë unë nuk do shkoj se duhet të ushqej breshkën, tha Aliu dhe ngriti mbi tavolinë dorezën e shpatës që dukej si kryq. Po ti, shpatar i vogël, emrin e kujt ke marrë, iu drejtua Mihali duke parë nga Ibrahimi. Ka emrin e Ali Tepelenës, që më ndihmoi kur u bëra mysliman, tha Ibrahimi dhe e pa Mihalin drejt e në sy. Si të ndihmoi, pyeti Metodi që kishte filluar të hante kuleç me djathë. Ibrahimi u bë gati të përgjigjej, por Mihal Komneni foli i pari. Kur Ibrahimi u bë mysliman, fshati nuk e pranoi dhe pleqësia vendosi ta dëbonte. Do t’ia kishin arritur, po të mos vinte Ali Tepelena që i rrahu burrat e fshatit dhe e prishi rrethimin që ata i kishin bërë Ibrahimit. Ali Tepelena bisedoi me babanë, që në atë kohë ishte kryetar i pleqësisë dhe pothuajse ranë dakord që Ibrahimi të qëndronte në fshat, por me kusht që djemtë e tij të mos merrnin vajza të krishtera për gra. Por të nesërmen Ali Tepelena mashtroi babanë e Hanës, që u bë edhe ai mysliman. Arianit Komneni iku nga fshati dhe pleqësia nuk u mblodh më. Më vonë, Ibrahimi u martua me Sarën. Apo jo Ibrahim, e pyeti Mihali duke përfunduar. Po, tha Ibrahimi, kështu është. Ali Tepelena më ndihmoi në një ditë të vështirë dhe unë i vura emrin djalit për nder të tij. Hakmarrje e zgjuar, tha Metodi duke parë nga Sara, i more Arianit Komnenit atë që nuk donte të a jepte. Po pse nuk donte babai i Sarës që ne të martoheshim në fshat, pyeti Paridi. Arianit Komneni mendonte se myslimanët duhet të martohen me myslimanët dhe të krishterët me të krishterët, tha Ibrahimi. Nuk e kishte keq, foli Mihal Komneni. Pulat martohen me gjelat dhe jo me patat. Po pse gjeli që bëhet mysliman quhet patë, pyeti Aliu. Të gjithë qeshën dhe Muhamedi tha: Kafshët nuk janë as myslimane, as të krishtera sepse ato nuk flasin. Po memecët çfarë janë, tha Paridi. Memecët janë si një orë që e mat kohën, por i mungon akrepi për ta treguar, tha Metodi. Ndërsa kafshët nuk flasin sepse nuk mendojnë. Perëndia e ka shtëpinë në kokat tona. Në qoftë se ne nuk mendojmë, nuk ka perëndi dhe nuk ka fe. Babai thotë se perëndia është shumë e madhe dhe koka ime nuk e nxë, tha Aliu që dukej i hutuar. Perëndia rri në kokën e çdo njeriu. Po të mos ishin njerëzit, nuk do kishte perëndi, tha Sara që gjithë kohën shikonte Mihal Komnenin që argëtohej me pyetjet e djemve. Njerëzit e kanë krijuar perëndinë apo perëndia ka krijuar njerëzit, pyeti Paridi. Pyetje e vështirë, tha Metod Antrakidi dhe u mbështet në karrige. Kush gjen përgjigjen e pyetjes tënde ka zbuluar kuptimin e botës. Të gjithë njerëzit besojnë se ka perëndi, por askush nuk e di ku është, si është, sa e madhe është, si e ka trupin, a ka trup, a ka flokë, sy, veshë, këmbë dhe duar si ne, ku jeton, me se ushqehet, ku fle dhe a fle. Asnjeri nuk e ka parë perëndinë dhe prandaj shumë njerëz besojnë se perëndia jeton në mendimet e tyre dhe në qoftë se ata nuk mendojnë, nuk ka perëndi. Po në qoftë se unë nuk mendoj, atëherë perëndia vdes, pyeti Aliu. Këtë nuk e bën dot sepse edhe kur nuk mendon, ti mendon se si të mos mendosh, tha Muhamedi. Sara i bëri shenjë Mihal Komnenit, si për t’i thënë se kjo nuk ishte një bisedë që duhej vazhduar, por ai dukej më i përqendruar se djemtë. Përgjigjja e pyetjes së Paridit është shumë e thjeshtë Metod, tha Mihali duke qeshur. Njeriu dhe perëndia janë si pula me vezën. Veza bën pulën dhe pula bën vezën. Në qoftë se ke njërën, i ke të dyja, në qoftë se nuk ke njërën, nuk ke as tjetrën. Njeriu është si pula sepse ai ka sy, gojë dhe ecën, tha Aliu. Jo, tha Paridi. Njeriu është si veza, ndërsa perëndia është si pula, sepse veza bën vetëm një pulë, ndërsa pula bën shumë vezë dhe perëndia ka bërë shumë njerëz. Perëndia nuk është as pulë, as vezë, tha Muhamedi, fytyra e të cilit ishte bërë rozë. Perëndia është vetë njeriu. Njeriu mund të bëjë çdo gjë, ndërsa perëndia nuk bën dot çdo gjë që bën njeriu. Njeriu lind njeriun. Në qoftë se gjithë njerëzit nuk lindin më njerëz të tjerë, si Hana, atëherë një ditë nuk do ketë më njerëz dhe nuk do ketë më as perëndi. Perëndia nuk jeton dot pa njerëz, ndërsa njerëzit jetojnë pa perëndinë. Sara thotë se grekët e lashtë kishin shumë perëndi. Myslimanët dhe të krishterët thonë se ka vetëm një perëndi, por ka edhe njerëz që thonë se nuk ka fare perëndi dhe ata jetojnë si gjithë ne të tjerët dhe nuk iu ndodh asgjë. Hana ishte ngurtësuar në karrigen e vet dhe duke iu drejtuar Muhamedit i tha: Xhaxhai yt nuk bënte fëmijë, ndërsa unë mund të bëj po të martohem me një burrë tjetër. Edhe Muhamedi këtë tha. Ti nuk je një pulë pa vezë, por je një pulë pa gjel, tha Mihal Komneni për të qetësuar mbesën. Nuk ka më gjela në këtë fshat, tha Hana dhe u çua e doli në oborr. Fustani i bukur vishnjë i rrinte ngushtë dhe format e drejta të trupit të saj u holluan, pas syzeve miope të Metodit. T’i lëmë të vdekurit në punën e tyre, foli Ibrahimi. Metod Antrakidi e shihte Muhamedin me kureshtje, ndërsa Sara kishte marrë Anën në prehër dhe po i jepte një copë kek. Sa vjeç janë djemtë, pyeti Mihal Komneni. Ibrahimi rrinte i menduar dhe nuk e dëgjoi. Unë jam shtatëmbëdhjetë vjeç, tha Jani. Niko është pesëmbëdhjetë, Muhamedi dymbëdhjetë dhe Aliu dhjetë vjeç. Nuk jam Niko, jam Paridi, tha Niko, ta thashë një herë. Jani nuk foli, por e pa të vëllanë me inat, ndërsa Ibrahimi u përmend dhe u kthye nga i biri. Ti nuk bëhesh dot Parid, po u solle si Niko. Kur njeriu ndërron emrin, ndërron edhe sjelljen, tha Ibrahimi. Unë do ta ndryshoj sjelljen, siç ndryshove ti baba, kur u bëre Ibrahim. Tani je më i urtë dhe e dëgjon Sarën më shumë se nënën tonë. Ibrahimi pa Mihal Komnenin që buzëqeshte nga fjalët e Paridit dhe tha: Djemtë na futën në lojërat e tyre dhe tani nuk dalim dot. Edhe ne i kemi futur në lojërat tona dhe ata nuk do dalin dot asnjëherë, ia ktheu Mihali. Ç’do të thuash, e pyeti Ibrahimi duke mbledhur vetullat. Dua të them se kur ti u bëre mysliman, solle në fshat një lodër të ngatërruar që i zëvendësoi gjithë lodrat e kalamajve, siç e pe dhe sot, tha Mihal Komneni. Këtë lodër nuk e solla unë. Atë e solli Turqia, siç solli ushtrinë, taksat dhe ligjet. Edhe vëllai yt u bë mysliman dhe për këtë nuk e kam fajin unë, tha Ibrahimi. Gjergji nuk besonte në Islam. Ai do të bëhej edhe indian sikur ta dinte se kjo e torturonte babanë e vet. Ai kishte arsye të tjera dhe unë besoj se ai u bë mysliman vetëm për t’u hakmarrë ndaj babait, tha Mihali po pse duhej të hakmerrej yt vëlla ndaj Arianit Komnenit, pyeti Metodi. Histori e gjatë, tha Mihali që u shtriq në karrige, ndërsa këmisha e qëndisur i lëvizi si gjethe në trup. Gjergj Komneni dyshonte se gruaja e tij ishte motra e Arianit Komnenit, tha Jani me zë të ulët. Ibrahimi e pa Janin vëngër, ndërsa Sara e lëshoi Anën mbi qilim dhe, duke u zgjatur mbi tavolinë, e pyeti: Kush ta ka thënë ty këtë? Ma ka treguar Thanasi, tha Jani. Atij ia kishte treguar Ali Tepelena, të cilit ia kishte thënë vetë Gjergji, ditën që ata u takuan në shtëpinë tonë. Ali Tepelena është një mashtrues, tha Sara. Po atëherë vajzë e kujt ishte nëna e Hanës, pyeti Jani. Kjo nuk dihet, por tani nuk ka më asnjë rëndësi, tha Mihal Komneni duke dashur ta mbyllte bisedën. Kjo dihet, tha Hana dhe të gjithë kthyen kokën. Hana ishte futur në shtëpi dhe askush nuk e kishte parë. Ajo e ndiqte bisedën në këmbë, ndërsa fustani i lagur i ishte ngjitur në trup dhe flokët i pikonin mbi qafën e bardhë dhe të gjatë. Nëna ime ishte vajza e gjyshit të babait tim. Ai e mësoi këtë gjë pasi ata u martuan dhe pasi linda unë. Ditën që vdiq, babai erdhi në shtëpi dhe ma tha duke u dridhur nga ethet e kolerës. Ai u martua me hallën e vet dhe këtë nuk ia fali kurrë Arianitit, i cili e dinte por nuk ia kishte thënë. Është e pamundur, foli Sara dhe pa me ngulm nga Mihal Komneni duke pritur që edhe ai të kundërshtonte. Por Mihali ishte mbështetur fort në karrige dhe nuk fliste. Koka i ishte varur mbi qëndisma dhe flokët e bardhë e kishin humbur krehjen. Është e vërtetë, tha Hana dhe u ul në vendin e saj, përballë Muhamedit. Ngriti kokën lart dhe i drejtoi sytë nga Sara. Në këtë fshat vetëm tre veta i kanë pasur sytë jeshilë. Babai i Arianit Komnenit, nëna ime dhe unë. Nëna nuk mund të ishte vajza e xhaxhait të Mihalit sepse ai ishte shterpë. Por ajo nuk ishte as vajza e vëllait të gjyshit të Ibrahimit sepse përndryshe im atë, që e dinte të vërtetën, nuk do më kishte lënë të martohesha me Vasilin që ishte nip i tij. Unë jam një Komnene edhe nga babai, edhe nga nëna dhe për këtë më vjen mirë. Sara nuk fliste dhe e mbante kokën mbi pjatë ku sytë jeshilë të Hana Komnenës mbinin si një gjethe maruleje. Ibrahimi kishte afruar Anën pas vetes dhe mendonte se si fatet e dy familjeve ishin pleksur për të mos u ndarë më. Lindja e Anës ishte një fryt i përbashkët i dy pemëve, që prej shekujsh rrinin pranë e pranë, derisa një ditë kishin vendosur të përqafoheshin, për t’u ngrohur nga acari. Ti je një grua e bukur që nuk duhet të plakesh duke kthyer kokën prapa, tha në mes të heshtjes Mihal Komneni duke e parë me qetësi mbesën e vet. Gratë nuk i plak e shkuara, por mungesa e burrit, tha Hana dhe u përlot. Ti je e re dhe e bukur, tha Sara për ta ngushëlluar dhe e largoi marulen nga pjata e vet. Po të kisha një fëmijë, jeta ime do ishte ndryshe, tha Hana, por me sa duket pulat jeshile të racës sonë nuk bëjnë vezë me gjelat e shtëpisë së Ibrahimit. E provoi nëna ime, e provova dhe unë, por më kot. Ku i dihet, tha Metod Antrakidi dhe Mihal Komneni filloi të qeshte fort dhe u çua nga karrigia e shkoi të përqafonte Hanën. U gabova kur thashë se ti je një grua pa humor, por një Komnene nuk mund të jetë kurrë e mërzitshme, tha ai dhe iu drejtua Ibrahimit: Gëzuar Ibrahim! Mëkatet e tua u lanë ditën që linde një Komnene, e cila sot u bë dy vjeç. Gëzuar, tha Ibrahimi duke ngritur gotën e verës mbi kokën e Anës. Mëkatet tona janë si gurë kalldrëmi, po i shkele të tregojnë rrugën. Gëzuar, tha dhe Sara që shkoi të përqafonte Hana Komnenën, e cila e mbante dorën e Mihalit si një gjerdan mbi qafë. Metod Antrakidi hoqi syzet, i la mbi tavolinë dhe i foli Ibrahimit. Urim i mençur, por jo gjithmonë i vërtetë. Rrugët e Voskopojës ishin të gjitha të shtruara dhe aty ku mbaronte kalldrëmi fillonte balta. Por një ditë balta u fut në qytet dhe e mbuloi kalldrëmin. Ne ikëm dhe balta mbeti e mbushur me gjurmët e mëkatit. Po t’i ndjekësh ato gjurmë, vetëm rrugën e barbarisë mund të gjesh. Çfarë është Voskopoja, pyeti Paridi. Metodit i doli frymë nga gjoksi dhe zhurma e firomës së tij i ngjau një guri që shkëputet nga balta. Ngriti kokën nga Mihal Komneni dhe e pa në sy sikur po i merrte leje. Tregoja, ia bëri Mihali me kokë.