Kur arriti në shtëpi, gjeti Ibrahimin që po e shikonte sikur priste ndonjë lajm. Do të t’i kthejnë të
gjitha, foli Aliu. Do të të respektojnë, do të japin bukë dhe vend për varr. Do blejnë dhe mish nga
kafshët e tua, por me një kusht. Nuk pranojnë që vajzat e tyre të martohen me djemtë e tu.
Ibrahimi donte të thoshte diçka që Aliut iu duk si një pranim, por nuk e la të vazhdonte dhe i tha
se do flisnin kur të zgjohej.
Ali Tepelena fjeti shumë dhe pa një ëndërr të gjatë në të cilën, Arianiti ecte nëpër Stamboll dhe
me një dorë mbante arkën e të atit dhe me tjetrën shtrëngonte nga flokët kokën e tij të verdhë, që
ua tregonte kalimtarëve. Ndërsa ai vetë shëtiste nëpër Janinë, pa kokë, kurse Thanasi, djali i
Ibrahimit, e mbante për dore dhe i tregonte rrugën. U zgjua i lodhur dhe doli në oborr ku Thanasi
po krihte jelet e kalit. Hajde të të mësoj kalin, i tha djalit dhe e mori për dore, si në ëndrrën e tij.
Thanasi ishte dhjetë vjet më i ri se Aliu, por nga shtati vinte i gjatë dhe duart e tij të njoma e
mbani kalin fort. Kur u lodhën, u shtrinë të dy pranë e pranë poshtë hijes së një molle të egër dhe
Aliut iu faneps fytyra e djalit që kishte dashur ta puthte, kur ishte në fshat. Çfarë të tha Arianiti, e
pyeti Thanasi. Më tha që ti nuk do martohesh me vajzë të fshatit. Thanasi qeshi dhe Aliut iu duk
sikur djalit i kishte pëlqyer ky vendim, a thua se e kishte shpëtuar nga një detyrim. Unë nuk dua
të martohem. Dua të luftoj, tha Thanasi. As Sara nuk do të martohet. Ajo thotë se martesa të
pengon të luash. Ti luan me Sarën, e pyeti Aliu. Thanasi i tha po dhe i tregoi se kur ata loznin,
Arianiti rrinte në oborr dhe lexonte libra të vjetër. Kur ai e kishte pyetur një herë Sarën se çfarë
kishte në ato libra, ajo i kishte thënë se babai aty lexonte se si do ishte fshati pas njëqind vjetësh.
Unë i besoj Arianitit, tha djali, sepse ai i ka lexuar të gjitha ato që ndodhin. Njëherë ai më tha se
një ditë do të vinte një djalë trim hipur mbi kalë, dhe do më merrte me vete në luftë, siç mori
vëllai i Arianitit stërgjyshin tim në Kretë. Kur e pyeta se si do vdes, ai më tha se këtë e kisha në
dorë vetë dhe librat nuk mund ta shkruanin. Aliu ngriti kokën lart për të fshehur sytë e tij të
habitur nga Thanasi. Dy mollë të egra që ushqeheshin nga e njëjta degë, rrinin ngjitur sikur nuk
donin të ndaheshin. Po t’i ndaje, secila do vyshkej në vetmi.
Në drekë u kthyen në shtëpi. Ibrahimi ishte në oborr bashkë me një burrë që Aliu nuk e njihte.
Burri kishte një mjekër të dendur, por të shkurtër dhe të zezë dhe një trup mesatar. Dorën e kishte
shumë të ftohtë dhe Aliu u pendua që ia dha të vetën. Është Gjergj Komneni, i tha Ibrahimi, ka
ardhur të bisedojë diçka me ty.
U futën brenda, por burri rrinte i heshtur si një mur. Përse doje të më takoje, e pyeti Aliu. Për
tokat e mia, tha Gjergji. Ky fshat është ngritur nga stërgjyshi im. Kur ai erdhi këtu kjo tokë nuk i
përkiste askujt. Atij i pëlqeu ky vend sepse ka ujë dhe nuk është shumë larg qytetit. Pjesën më të
madhe të tokës e mbajti për vete dhe pjesën tjetër ia ndau në mënyrë të barabartë burrave që
erdhën bashkë me të nga bregdeti. Kur turqit bënë regjistrimin, pas vitit 1600, familja ime e
pagoi rregullisht taksën e tokës. Por tani kam dëgjuar se turqit kanë filluar t’i marrin tokat dhe
t’ia japin bejlerëve dhe pashallarëve të rinj që ndihmuan me ushtarë dhe para nëpër luftërat e
shumta. Në shumë fshatra të tjerë shqiptarëve iu janë marrë tokat dhe ata punojnë si hyzmeqarë
në tokat e tyre. Kam dëgjuar se ti je bej në Tepelenë dhe se ke krushqi me Pashallarët e Delvinës
dhe të Beratit. Unë dua të më ndihmosh që mos ma marrin tokën. Nuk kam pasuri tjetër dhe jam
gati të bëj çdo gjë që mos humb atë që kam.
Gjergj Komneni pushoi dhe ngriti kokën në pritje të Ali Tepelenës. Dukej i qetë dhe nuk i lëvizte
asnjë muskul. Nuk i ngjan fare të atit nga fytyra, por përpiqet ta imitojë në burrëri, mendoi Aliu.
Babai yt nuk e kishte fare këtë shqetësim, i tha ai Gjergjit. Ai më foli për punë të tjera. E ke
takuar tim atë, pyeti Gjergj Komneni si i zënë në befasi. Deri sot në të gdhirë isha në shtëpinë e
tij, tha Aliu. E çfarë të tha? Biseduam për shumë gjëra. Pleqësia e ka ndëshkuar Ibrahimin meqë
u bë mysliman dhe unë shkova t’i kërkoj që ai vendim të ndryshojë. Por ai më foli për udhëtimet
e tij të shpeshta si dhe për historinë e Komnenëve që nga koha e Skënderbeut. Më tregoi dhe për
historinë e familjes suaj, për vëllanë e vrarë në Kretë, për të atin dhe për gjithë fëmijët e tij. Më
tha që ti nuk i flet që kur ai u kthye në fshat me vajzën e tij, që nuk është vajza e nënës tënde.
Gjergj Komneni lëvizi kokën dhe sytë i shkëlqyen mbi ballin e tij të errët. Të ka gënjyer, tha.
Unë nuk flisja me të edhe përpara se të lindte Sara. Që para vdekjes së nënës. Ai më ka martuar
me motrën e vet, por unë këtë e mora vesh shumë vonë. Aliu u habit, por nuk e ndërpreu. Gjyshi
im jetonte me idenë se familja jonë, si degë e Komnenëve bizantinë, duhet të merrte pjesë në
fitoret e të krishterëve mbi turqit. Ai nisi djalin e vet të madh bashkë me dhjetë burra të tjerë nga
fshati në luftën e Kretës, por asnjëri nuk u kthye i gjallë. Mes tyre ishte dhe një burë, i cili la në
shtëpi gruan dhe vajzën e tij të vogël. Pas disa kohësh, nëna e kësaj vajze vdiq dhe ajo mbeti e
vetme. Vajza ishte pesë vjeç dhe nuk kishte kush kujdesej për të. Gjyshi e mori në shtëpi, në
nderim të babait të vrarë në luftë dhe vajza u rrit atje. Kur u bë për t’u martuar e kërkuan
njëkohësisht dy djem nga fshati. Këta ishin xhaxhai i Mihalit dhe vëllai i gjyshit të Ibrahimit, i
cili gjithashtu ishte vrarë në Kretë. I takonte gjyshit tim të vendoste se kujt do t’ia jepte dorën e
vajzës. Dy djemtë pritën një kohë të gjatë, por gjyshi e shtynte nga viti në vit vendimin, por
asnjëri nga djemtë nuk hoqi dorë, përkundrazi rivaliteti i bëri edhe më kërkues. Tani më shumë
se dashuri ishte një garë mes të dyve. Dikur në fshat u hap fjala se njëri nga dy djemtë futej natën
në dhomën e vajzës, por askush nuk e dinte se cili ishte nga këta të dy. Fjalët i bënë xhelozë të dy
djemtë sepse secili mendonte se tjetri po i vidhte të dashurën me pabesi. Një ditë, dy djemtë u
ndeshën dhe xhaxhai i Mihalit e vrau vëllanë e vogël të gjyshit të Ibrahimit. Dy familjet u bënë
gati për gjakmarrje, por gjyshi, si kryetar i pleqësisë ndërhyri dhe i bindi që sherri të mbyllej dhe
xhaxhai i Mihalit të dëbohej nga fshati për mos shkelur më kurrë këtu. Familjet ranë dakord dhe
xhaxhai i Mihalit u largua duke qarë, por njëkohësisht i lumtur që iu kursye jeta.
Ishte viti 1704. disa javë pas ikjes së xhaxhait të Mihalit, gjyshi vendosi të shkonte në Stamboll
ku mori me vete dhe babanë tim që ishte djali më i vogël. Pas shtatë muajsh, vajza lindi një
vajzë. Ajo nuk e tregoi kurrë se me kë e kishte pasur fëmijën dhe për shkak të historisë së saj të
dhimbshme, fshati e mbylli njërin sy. Gjyshja ime e mbajti në shtëpi foshnjën ashtu siç e kishte
bërë me nënën e saj. Gjyshi vdiq në Stamboll dhe babai u kthye në vitin 1709, dhe pak më vonë
linda unë. Që kur fillova të kuptoj u lidha me Kostandinën jetime që ishte pesë vjet më e madhe
se unë. Ajo më mbante pas dhe unë nuk i ndahesha. Kur u rritëm, të dy e kuptuam se nuk mund
të ndaheshim më. U dashuruam dhe vendosëm të martohemi. Nëna ime nuk donte, por unë i
thashë se në qoftë se do më ndalonin të martohesha me Kostandinën do ikja bashkë me të nga
fshati dhe nuk do shkelja më kurrë këtu. Për gjashtë muaj babai nuk më foli, ndërsa unë prisja
miratimin e tij për t’u martuar. Një ditë e nxora Kostandinën jashtë fshatit dhe e zhvirgjërova në
pyll. Kur nëna e mori vesh, i tha babait dhe ky e lejoi martesën tonë. Ato vite babai pothuajse
nuk ishte në shtëpi sepse merrej me tregtinë e letrës. Vëllezërit e mi po ashtu kishin ikur, njëri në
Voskopojë dhe tjetri pas babait. Unë mbeta me nënën, të cilën e doja shumë. Para se të vdiste e
pyeta se pse nuk kishte dashur që unë të martohesha me Kostandinën dhe ajo më tregoi për
dyshimet e saj për të cilat tani jam bindur edhe unë. Kostandina lindi me sy jeshilë, por të tillë
nuk i kishte pasur as nëna e saj jetime dhe asnjëri prej dy djemve që ishin dashuruar me të. Sy
jeshilë në fshat kishte vetëm gjyshi im dhe asnjë burrë tjetër. Kur fillova të interesohem, i shtyrë
nga dyshimet e mia përvëluese, mësova se xhaxhai i Mihalit, megjithëse ishte martuar dy herë,
nuk kishte pasur fëmijë. Vëllai i gjyshit të Ibrahimit, kishte qenë i shkurtër dhe e shkurtër kishte
qenë edhe nëna e Kostandinës, ndërsa kjo u bë e gjatë dhe kockëmadhe. Duke e ndjekur nga pas
këtë ngjarje, kuptova se pse im gjysh nuk kishte dashur t’ia jepte askujt për grua, nënën e
Kostandinës. Ai, me sa duket, e kishte dashur jetimen. Kur ajo u mbars, duke mos pasur mundësi
të dështonte fëmijën, sepse kështu do të merrej vesh, si dhe për të mbuluar gjurmët e mëkatit të
vet, duhet të ketë qenë gjyshi im që hapi fjalët se njëri nga djemtë e vizitonte të dashurën natën.
Nuk e di a është penduar në fund të jetës për këtë krim. Nëna e Kostandinës vdiq pas gjyshes
sime dhe e mori të vërtetën me vete në varr. Babai nuk foli kurrë me njeri për këtë gjë. Ai nuk
foli as me nënën time, por unë jam i sigurt se ai e ka kuptuar të vërtetën dhe prandaj hezitoi ta
miratonte dasmën time. Ndoshta, po të më kishte thënë se Kostandina ishte halla ime unë nuk do
dashurohesha me të, por për këtë nuk jam shumë i bindur. Edhe ime bijë, Hana, i ka sytë jeshilë
si nëna e saj dhe si askush tjetër në fshat. Tani ajo është martuar me Vasilin, vëllanë e Ibrahimit
dhe akoma nuk kanë fëmijë.
Gjergj Komneni pushoi. Fytyra tregonte pamjen e një njeriu të çliruar Aliu nuk e shikonte dot në
sy, por duke lidhur ngjarjet mendonte se si në këtë fshat të vogël ishte përsëritur historia e botës.
Dhe akoma nuk ka mbaruar, tha me vete dhe iu kujtua Arianiti që përpara disa orësh i kishte
thënë, se disa fletë nga historia e tij ishin lagur dhe nuk mund të lexoheshin. E ka lexuar Gjergji,
mendoi dhe duke iu drejtuar e pyeti se kush e dinte tjetër të vërtetën. Unë, Kostandina dhe im
atë. Po pse ma tregove mua? Nuk erdha të të them këtë gjë, por kur më the se im atë të kishte
treguar historinë e familjes e ndjeva se duhej ta plotësoja gënjeshtrën e tij. Ti je kalimtar në këtë
fshat dhe nuk ke kohë t’ia tregosh njeriu. Tani që më njeh siç jam mendoj se do të më ndihmosh
të mos humb tokat që më takojnë. Përpara se të jenë të tuat ato janë tokat e babait tënd, tha Aliu.
Duhet t’ia kërkosh atij jo mua. Gjergj Komneni u errësua, por nuk e dha veten. Pas atyre që
kishte dëgjuar, Aliu e kuptoi se sa më shumë e shtynte drejt të atit, aq më i egër bëhej i biri. Nuk
ishte hera e parë që e bënte këtë lojë me njerëz nevojtarë si Gjergj Komneni. Nuk kam ndër
mend t’i flas tim ati derisa të vdes, tha Gjergji. Dhe në qoftë se unë nuk pajtohem me të, të gjitha
pasuritë ai do t’ia lërë Sarës. Im atë është njeriu më dinak që mund të njohësh dhe duke e ditur se
toka është gjithçka që kam, më mban të lidhur me këtë kërcënim. Atëherë bëj një djalë dhe
martoje me Sarën, që të trashëgosh tokat, u tall Aliu.
Gjergj Komneni u çua në këmbë dhe mjekra e tij e shkurtër filloi të dridhej aq sa Aliut iu kujtua
tërbimi i të atit një natë më parë. Unë nuk jam Arianit Komneni që marton djalin me motrën e
vet. Jetojmë nën të njëjtin qiell dhe do jemi mbi të njëjtën tokë edhe për pak kohë. por mëkati i tij
nuk ka Zot dhe Zoti im nuk i fal mëkatet e tij. Duke u dridhur në këmbë, Gjergj Komneni
pështyu përtokë, por Aliu ia bëri me dorë si për t’i thënë se ishte një shaka dhe u përpoq ta
qetësonte. Në qoftë se nuk pranon t’i trashëgosh tokat nga dora e babait tënd atëherë unë besoj se
ke vetëm një rrugë, foli Aliu prerë dhe seriozisht. Po të dëgjoj, tha Gjergji dhe ia nguli sytë.
Ndiq rrugën e Ibrahimit dhe bëhu mysliman, i tha duke menduar, se Gjergj Arianiti do të
tërbohej më keq dhe do zhdukej duke sharë. Por Gjergji nuk lëvizi nga vendi dhe nuk i ndau sytë
nga të tijat sikur donte të lexonte fundin e fjalisë që kishte dëgjuar. Nëse bëhem mysliman a do
m’i japin turqit tokat e mia, e pyeti me qetësi. Pa dyshim. Turqve do t’u vinte mirë që një djalë i
një dere të madhe të krishterë merr fenë e tyre, pa ia kërkuar kush. Unë do t’i bind se tokat e
Komnenëve të takojnë ty dhe askujt tjetër. Do të më besojnë po t’u them se kur yt atë dhe
vëllezërit e tu ikën nga fshati, ti i punove tokat e tyre për gjithë këto vjet dhe duke qenë se
familja juaj ka drejtuar gjithmonë fshatin mund të të bëjnë bej.
Në qoftë se ti më jep fjalën se do më ndihmosh e pranoj. Në qoftë se nuk ka rrugë tjetër për t’u
shkëputur nga im atë e pranoj dy herë. Në qoftë se Zoti im i ri nuk i fal mëkatet që fal Zoti i tim
ati, e pranoj tri herë, tha Gjergj Komneni sikur po betohej dhe sytë që iu lagën, iu thanë prapë, në
çast.
Aliu iu afrua, e puthi në dy faqet dhe doli jashtë. Thirri një nga trimat e tij, it ha diçka që Gjergji
nuk e dëgjoi dhe hyri prapë brenda në shtëpi. Nisu tani, i tha. Imami do të të presë. Thuaj që të
kam dërguar unë. Gjergj Komneni i dha dorën dhe u nis. Ftohtësia e asaj dore e përcëlloi Ali
Tepelenën. Pasi i tregoi Ibrahimit bisedën me Gjergjin dhe Arianit Komnenin, Aliu u shtri të
flinte herët dhe ëndrra e një nate më parë iu përsërit. Kur u zgjua, pa Gjergj Komnenin që bashkë
me Ibrahimin ishin ulur në oborr duke ngrënë hurma. Gjergji dukej si një njeri tjetër. Ishte më i
zbutur, por dora e tij ishte njëlloj e ftohtë. Si ta vunë emrin, e pyeti Aliu. Ismail, tha ai, Ismail
Abdullahu. Po pse pranove të bëhesh Abdulla, o budalla, e ngacmoi Ibrahimi duke i treguar se si
e kishte refuzuar të njëjtin mbiemër. Nuk ka nevojë ta ndërrosh mbiemrin, qeshi Aliu. Do quhesh
Ismail Bej Komneni. Është më bukur.
Kur Arianit Komneni mësoi se i biri ishte bërë mysliman, mbylli derën e shtëpisë dhe thirri
Sarën. Dy ditë ata nuk dolën nga shtëpia. Ditën e tretë, duke u mbështetur në një shkop me
gunga, bashkë me Sarën, që mbante arkën e mbushur me libra, shkuan te shtëpia e Hanës.
Pavarësisht nga marrëdhëniet mes babait dhe tij, Hana gjithmonë e kishte adhuruar gjyshin e saj.
Hapi derën dhe Arianit Komneni iu duk si një profet që ishte nisur për të vdekur. Duhet të iki
Hanë, tha ai. Zoti nuk ka dashur që Abrahami dhe Ismaili të rrinë në një fshat. Sara e di ku po
shkoj dhe kupton se nuk mund të vijë me mua atje ku do shkoj. Sara do rrijë këtu me ty. Martoje
me një njeri të mirë, por vetëm në qoftë se ajo e pranon. I puthi të dyja dhe u nis. Hana qau,
ndërsa halla e saj, Sara, filloi të lexonte.
Atë ditë, një erë e kuqe shkretëtire e dogji fshatin. Njerëzit u mbyllën brenda dhe nuk e panë se
nga iku Arianit Komneni. Pleqësia nuk u mblodh më dhe të gjitha vendimet që kishte marrë u
harruan. Ibrahimi e liroi Mihalin e Zoicës dhe ky, pasi hëngri, fjeti tri ditë. Ali Tepelena ishte
nisur për në Janinë duke marrë Thanasin me vete.