Ibrahimi qëndroi dy vjet i ulur në stolin e oborrit. Dilte në mëngjes, shikonte diellin dhe mbyllte
sytë. Rrezet i ngrohnin qafën dhe flokët i zbardheshin. Lëkura e tij kishte ngjyrën e grurit në
dimër, ndërsa në verë dukej si kafe e bluar. Njerëzit kalonin aty, e përshëndesnin dhe Ibrahimi
buzëqeshte.
Sara zgjohej pas tij, i bënte çaj dhe në drekë i jepte edhe një gotë qumësht me bukë
të thekur. Jani e zmadhoi stolin, i ngriti mbështetësen dhe nguli një jastëk me gozhdë të vogla që
të mos binte. Kur binte shi, Ana dilte me vrap dhe e fuste babanë në shtëpi. Njëherë, ajo ishte me
Sarën në pyll dhe kur u kthyen Ibrahimi ishte lagur si një kalë që e kanë lidhur pas gardhit dhe
nuk lëviz dot. Qeshte me vete dhe shikonte nga rruga. Uji i kishte rrjedhur në qafë dhe thinjat i
ishin bërë të zeza. Jani vuri katër shkopinj të trashë rreth stolit dhe mbi to lidhi një çarçaf të
bardhë që i rrinte Ibrahimit si një çadër mbi kokë. Dielli e zinte më pak dhe lëkura nuk i rripej
më nga djegia.
Paridi sillej nëpër fshat dhe natën vonohej. Kur ndonjë vajzë nuk kthehej në shtëpi, vinin dhe e
kërkonin në shtëpinë e Ibrahimit. Ky buzëqeshte dhe i tregonte burrave të fshatit historinë e
Paridit, të mollës së sherrit dhe të tri perëndeshave. Burrat e dëgjonin për respekt dhe kur
shkonin në shtëpi u thoshin grave se Ibrahimi ishte çmendur. Paridi vishej me këmishë të bardhë
që ia hekuroste Sara, ngrinte flokët lart me këna dhe hidhte parfum pjeshke që ia dërgonte
Thanasi nga Janina. Kur Sara me Anën shkonin në pyll dhe Muhamedi lexonte, ai i ftonte vajzat
në shtëpi dhe mbyllej me to në dhomën e tij. Ibrahimi hapte sytë dhe pyeste të birin: Kush ishte
kjo, Athinaja apo Afërdita? Paridi i shkelte syrin dhe rregullonte flokët e prishur.
Jani rrinte në pyll, priste drurë, i shiste në qytet dhe kur nuk kishte punë bënte stola, sëndukë,
korniza, ikona dhe tavolina të vogla që Sara i vinte nëpër shtëpi. Kishte rregulluar bodrumin e
shtëpisë së vjetër ku Thanasi kishte lidhur dikur Mihalin e Zoicës dhe aty punonte me sharrë dhe
me çekiç. Muskujt i ishin fryrë dhe gjoksi i ishte gdhendur si Andreas, djalit të Naumit. Herë pas
here shkonte në varrezat e krishtera dhe mbillte lule mbi varrin e Petros dhe të së ëmës e pastaj
shkonte te varrezat e myslimanëve dhe linte një kalë druri ose një zog të gdhendur mbi varrin e
Ademit.
Muhamedi lexonte librat e Arianit Komnenit dhe kur Mihali vinte në fshat, gjatë verës, bisedonin
të dy. Muhamedi nuk mbante mustaqe dhe flokët i priste shkurt. Njëherë i kishte thënë Mihalit se
kishte ndryshuar mendim për Voskopojën. Ç’do të thuash, e kishte pyetur Mihali, duke e parë në
sy. Po ja, kishte thënë Muhamedi, nëse unë do të isha profet në Voskopojë nuk do ta kisha vrarë
Marin Kurilën, por do ta kisha detyruar të martohej me Aishen. Mihal Komneni kishte ngritur
vetullat. Nuk ka rrugë tjetër, kishte vazhduar Muhamedi. Fshati ynë nuk i ngjan Voskopojës, jo
vetëm sepse nuk ka libra, piktorë, myshk dhe taverna, por sepse të krishterët këtu martohen me
myslimanët, siç u martua babai me Sarën. Kjo është e vetmja mënyrë që grindjet mes të
krishterëve dhe myslimanëve të qetësohen sepse fëmijët janë të përbashkët dhe ata e ruajnë
paqen brenda shtëpisë siç kemi bërë ne. Fshati shpëtoi kur Arianit Komneni iku, sepse ai nuk do
lejonte që vajzat e krishtera të martoheshin me burra myslimanë. Po të ishte ai në fshat, babai
nuk do ishte martuar me Sarën dhe nuk do të ishte zbutur. Ne, djemtë e tij, do ishim myslimanë
të egërsuar dhe të gatshëm për t’u hakmarrë duke menduar se po jetojmë në një fshat ku na është
ndaluar ajo që i lejohet të tjerëve, siç mendonte edhe Sali Benishi. Shqiptarët kanë vetëm një
zgjidhje: të martohen të krishterë me myslimanë që të shmangin Voskopojën.
Mihali e shikonte dhe e pyeste. Po ti kur do ta gjesh Aishen? Nuk e di, përgjigjej Muhamedi
duke fërkuar ballin. Aishet e fshatit duan mollën e Paridit.
Aliu kishte ikur në Janinë dhe i kishte thënë Janit se do kthehej kur të vriste Ali Pashën. Thanasi
e kishte ndihmuar të punonte si stallier për kuajt e Aliut. Ai i lante kuajt, i ushqente dhe i
ndërronte potkonjtë. Njëherë i kishte futur kalit të Aliut një gozhdë në potkua që ai të rrëzohej.
Por Ali Pasha ishte shëndoshur dhe nuk i hipte më kalit, por dilte vetëm me karrocë. Kur e
shikonte duke ecur nëpër kalldrëmet e qytetit, Aliu mërzitej, shkonte në tavernë, shikonte
pikturën me djalin që kishte frikë të lahej dhe dehej. Atëherë, rendte përpara Kastros dhe bërtiste.
Rojat që e njihnin, lajmëronin Thanasin dhe ky ia fuste kokën në liqen, pastaj e çonte në shtëpi
dhe e shtrinte në krevat. Të nesërmen kuajt rrudhnin hundët nga duhma e fortë e uzos që lëshonte
goja e Aliut.
Por Thanasi nuk ishte gjithmonë në qytet. Pashai e ngarkonte me punë dhe ai rrinte me ditë në
kalanë e Tepelenës, apo në Prevezë, apo duke u takuar fshehurazi me Foto Xhavellën. Pasi vdiq
Petro, Ali Pasha e kishte liruar Llambro Xhavellën, por kishte mbajtur peng në Janinë, Foton, të
cilin e kishte bërë oficer. Foto dhe Thanasi rrinin bashkë dhe kur dajë Llambro vdiq, Foto shkoi
në fshat dhe u bë kapedan i Sulit. Ali Pasha e kishte rrethuar Sulin në një verë të nxehtë dhe i
kishte lënë tre muaj pa bukë suljotët në majë të malit. Kur rrethimi u bë i egër dhe fëmijët filluan
të dobësohen, ndërsa pleqtë të ënjten nga uria, Thanasi kishte takuar Foton dhe e kishte bindur të
dorëzohej duke i dhënë besën e Ali Pashës se askush nuk do vritej. Foto Xhavella ishte bindur
dhe mijëra burra, gra dhe fëmijë me lot në sy dhe trasta në krahë kishin kaluar në mes të
rreshtave të ushtarëve të Ali Pashës dhe kishin ikur në Korfuz e në qytete të tjera të Greqisë.
Thanasi ishte ngjitur i pari në Sulin e braktisur. Nga maja e malit dukej deti dhe atij i ishte
kujtuar Petro. Kishte hedhur një gur në det dhe flokët ia kishte marrë era.
Sara shihte Anën që rritej dhe ia lidhte flokët gërshet. Hunda e saj ishte e vogël dhe flokët ishin
shumë të zinj. Faqet i kishte të kuqe si shegë, ndërsa këmbët të gjata si hardhi. Kur vraponte
nëpër shtëpi, fustani i ngrihej deri te kofshët e ngrohta dhe gjinjtë e vegjël kërcenin si kuleç me
bajame. Në pranverë shkonin të dyja në pyll dhe Ana gjente breshka, ndërsa Sara lexonte në
rrëzë të një molle të egër. Breshkat fusnin kokën poshtë guaskës dhe Ana i fliste derisa i zbuste,
por nuk i merrte në shtëpi. Nganjëherë e lidhte fillin e leshit pas qafës së shkurtër të breshkës dhe
e lëshonte në livadh. Breshka ecte ngadalë dhe filli i ngatërrohej mbi kurriz derisa ia bllokonte
këmbët dhe ajo ndalonte e hutuar.
Në dimër, rrinin të dyja pranë oxhakut dhe piqnin gështenja. Ana Komnena i qëronte gështenjat
me duart që i digjnin dhe i lyente me reçel për t’i ftohur. Kur binte borë dhe rruga përpara
shtëpisë ngrinte, ajo dilte jashtë dhe shkiste me një slitë të vogël me dy hekura që ia kishte
mbërthyer Jani. Mbante në kokë një kapuç leshi dhe gërsheti i zi e ndiqte pas nëpër dëborë. Në
darkë, Ibrahimi mbështillej me velenxë në dhomën me shikim nga arra e vogël, e cila mbulohej
me borë dhe ia bënte atij gjumin më të rëndë. Ana ulej mbi qilim, me lëmshin në duar dhe pyeste
Sarën: Pse nuk e ke njohur nënën? Sara lëvizte mashën mbi prush dhe fërkonte sytë nga tymi.
Nëna ime vdiq që unë të lindja. Po sikur të mos kishte vdekur, ti do vije në fshat të më lindje
mua? Nuk e di, përgjigjej Sara. Por edhe nëse nuk do të kisha ardhur në fshat prapë do të të
lindja ty. Ana Komnena afrohej më shumë pranë zjarrit dhe pushi i faqeve i piqej në prush.
Lëvoret e gështenjave binin përdhe e ajo i mblidhte dhe i hidhte në zjarr. Ato kërcisnin dhe flaka
e tyre nxirrte xixa. Si do më lindje mua, pyeste Ana duke drejtuar gërshetin. Po të mos vije në
fshat nuk do martoheshe me babanë dhe unë nuk do lindja. Sara qeshte dhe i afronte së bijës
gështenja të tjera, të mëdha, të cilat i çante në mes me thikë që të mos plasnin.
Ti ke qenë brenda meje që kur unë kam lindur, thoshte Sara. Po sikur të kem qenë edhe brenda
babait, ngulmonte Ana duke e parë të ëmën në sy. Sara ulej pranë së bijës dhe i fërkonte këmbët
e gjata. Unë kisha një gështenjë, thoshte ajo. Gështenja ishte e njomë, e rrumbullakët dhe e
shijshme. Unë lozja me gështenjën ngjyrëmjalti, por nuk dija ta qëroja. Një ditë takova babanë
dhe ai më ndihmoi t’ia hiqja lëvoren. Kur u hap gështenja, dole ti.
Ana Komnena qeshte dhe sytë i shkëlqenin. Zjarri i kalonte në trup dhe e zinte gjumi në krahët e
Sarës. Në mëngjes shkonte te stoli i Ibrahimit. Dëbora kishte veshur oborrin, por tenda me çarçaf
e kishte mbajtur stolin të thatë dhe të ngrohtë. Ibrahimi pinte çaj të nxehtë dhe afër stolit, Sara
kishte sjellë një mangall plot me prushin e natës. prushi mbante era gështenjë dhe Ibrahimi i
hapte hundët fort duke thithur diellin e pastër të dimrit.
Ana Komnena ulej pranë tij në stol dhe i thoshte: Di të qërosh gështenja? Di, i thoshte Ibrahimi
me sytë e mbyllur. Po kur unë isha gështenjë si ma hoqe lëvoren? Ibrahimi ngrinte kokën lart dhe
qeshte. Thinjat i dukeshin si një kurorë e mamasë, por ajo nuk e qëronte dot dhe unë e ndihmova.
Po Paridi gështenjë ishte, pyeste Ana. Jo, Paridi ka qenë një mollë, përgjigjej Ibrahimi. Po
Muhamedi? Muhamedi ka qenë një hurmë. Po Aliu? Aliu ka qenë një vezë. Po Petro? Ibrahimi i
shtrëngonte pak sytë dhe dëgjonte dëborën që shkrihej nën mangall. Çaji bënte dallgë në gotën e
tij, por fytyra i çelej nga një buzëqeshje e vjetër dhe e pastër. Petro ka qenë një guaskë, thoshte
pa i hapur sytë. Ne e morëm nga fundi i detit dhe e hapëm. Ishte i vogël dhe nuk dinte not. Kur u
rrit, u kthye prapë në det, aty ku e kishte vendin.
Ana ndiente ftohtë nga këmbët dhe shihte mangallin që ftohej. Kur shkrinte dëbora ajo merrte
lëmshin dhe e lëshonte në oborr dhe nëpër dhoma. Një pasdite ia la lëmshin Ibrahimit dhe hyri në
shtëpi për të gjetur fundin e fillit. Kur u kthye, lëmshi i kishte rënë babait nga dora dhe ishte
rrokullisur deri te kisha në mes të fshatit. I foli, por ai nuk u përgjigj. Hëna e re i kishte zbritur
Ibrahimit mbi thinja. Thirri Sarën që erdhi me vrap dhe pas pak filloi të qante.
Atë natë ra shi dhe stoli i vetmuar u lag. Jani e shkuli jastëkun dhe e futi në arkivolin e Ibrahimit.
Aliu erdhi në mesnatë, ndërsa Thanasi të nesërmen në mëngjes. Jani mbylli arkivolin me gozhdë
dhe dëgjoi Thanasin që tha: Nuk e vrava unë Petron, baba.
E çuan te varreza e myslimanëve, ngjitur me Ademin. Binte një shi i qetë dhe Paridit i rridhte
kënaja në fytyrë. Para se ta mbulonin, Ana Komnena hodhi një gështenjë të egër që u përplas fort
mbi arkivol dhe u nda në dy pjesë.
Kur u kthyen në shtëpi, Sara u ul një copë herë në stolin e Ibrahimit. Tenda e mbante shiun që
binte pa zhurmë. Arra e vogël ishte anuar pak nga dritarja dhe dukej sikur kërkonte dikë në
dhomën e gjumit. Djemtë kishin hyrë në dhomat e tyre. Kali i Thanasit ishte lidhur pas gardhit
dhe me veshët ngritur shikonte nga rruga. Ana Komnena iu afrua dhe mbështeti kokën në supin e
saj. Flokët e lagur iu ngjitën në faqen e Sarës. Mama, çfarë do bëjmë tani që iku babai? Sara mori
frymë dhe pa shtëpinë që iu duk shumë e madhe. Do shkojmë në shtëpinë tonë, u përgjigj. Ana iu
ngjesh në trup dhe i tha me zë të ulët: Nuk dua ta marr lëmshin me vete. Mirë, tha Sara dhe e
përqafoi.
Kur Sara i tha djemve se do kthehej në shtëpinë e Arianitit, Jani nuk foli, por zbriti në bodrum
dhe bëri një krevat të gjatë me dru qershie për Ana Komnenën. Paridi u mërzit dhe u ul para
pasqyrës, por Sara i tha se do t’ia hekuroste prapë këmishët e bardha me niseshte. Po kuleç me
mjaltë do t’i bësh, e pyeti Ana për të qetësuar vëllezërit. Do t’i bëj dhe ti do t’ia sjellësh të
ngrohtë në mëngjes, tha Sara duke mbledhur çarçafët në dhomën e gjumit. Muhamedi ishte ulur
në tavolinën e madhe dhe shikonte sëndukët dhe trastat që mbusheshin me enë, peceta, mbulesa,
qilima dhe kortinka. Sara mblodhi rrobat e Ibrahimit, i palosi, i vuri çdo këmishe një gjethe arre
në thile dhe i vari në dollap. Unë nuk i vesh rrobat e babait, tha Paridi. Do t’i vesh unë, tha
Muhamedi dhe u ngrit të ndihmonte Sarën.
Sara dhe Ana e rregulluan shpejt dhomën e madhe të Arianit Komnenit. Mihal Komneni kishte
muaj që nuk kishte ardhur në fshat dhe dhoma ishte e ftohtë. Sara e leu me gëlqere të re dhe kur
u tha vari dy sixhade në mure. Krevatin e ri të Anës e vendosën afër dritares që shikonte nga
oborri me plloça. Para se të flinin, Sara shoi qirinjtë mbi shandan dhe iu kujtua Ibrahimi. Ana u
zgjua vonë në mëngjes. Sara kishte bërë kuleç me mjaltë dhe me arra dhe ajo vrapoi t’ia çonte
vëllezërve që po e prisnin në oborr. Muhamedi ishte ulur në stolin e Ibrahimit, ndërsa Jani rrinte
në këmbë dhe shikonte nga rruga. Si fjetët, e pyeti Muhamedi. Mirë, i tha Ana, por kam parë
gjithë natën ëndrra me numra dhe me germa. Muhamedi qeshi dhe mjalti i kulaçit i shkau nëpër
gishtërinj. Kështu ndodh kur fle në shkollë, i tha.
Çdo të diel Sara i ftonte djemtë në shtëpi për drekë. Vinte dhe Hana dhe gatuanin mish me
patate, lakror dhe pula të mbushura me oriz. Ditët e javës Ana i çonte vëllezërve kuleç të ngrohtë
dhe një këmishë të hekurosur për Paridin që e mbante me kujdes. Jani punonte në bodrum, kurse
Muhamedi rregullonte shtëpinë dhe në darkë skuqte vezë ose mbushte speca me gjizë që, kur
digjeshin, e mbushnin kuzhinën me tym. Kur Paridi merrte ndonjë vajzë në shtëpi, Muhamedi
vinte veshin te dera e dhomës së tij dhe harronte vezën që digjej në tigan. Çekiçi i egër i Janit, që
kumbonte në bodrum, e pengonte të dëgjonte ritmin e trupit të Paridit.
Në fund të pranverës, në fshat erdhi një familje jevgjish. Ata erdhën një natë pa zhurmë ngarkuar
me bohçe të mëdha dhe të nesërmen, në fushë, aty ku ishin varrosur bagëtitë që ngordhën nga
kolera, u pa një tendë e ngritur mbi shkopinj, nga e cila doli një burrë i zi me flokë kaçurrela dhe
me hundë të kërrusur. Trupin e kishte të fortë dhe duart e gjata i vinin deri te gjunjët. Burri quhej
Bilal dhe kishte ardhur nga Janina. Për shumë vjet kishte punuar për Ali Pashën. Ai kujdesej për
karrocën e Aliut dhe ushqente kuajt. I lante, i jepte tagji, i priste bishtat, i hiqte sklepat në sy dhe
mblidhte bajgat që ata lëshonin në oborrin e Kastros. Bilali kruante baltën, guriçkat, apo
milingonat e ngordhura në rrotat e karrocës duke i fërkuar me gur dhe me bronz, lidhte
kapistallët e kuajve pas karrocës, dhe fshinte me furçë jastëkun e atllasit të verdhë ku ulej Pashai.
Nëpër rrota shpesh gjente qime kafshësh apo flokë të gjata grash, të cilat karroca i kishte sjellë
me vete në kështjellë duke i shtypur. Bashkë me karrocën, nga Franca kishte ardhur edhe një
bojë e zezë me të cilën Bilali lyente mushamanë e trashë të karrocës që plasaritej nga vapa dhe
ngrinte nga dimri.
I kishin thënë se karroca duhej të lustrohej përditë dhe të shkëlqente njëlloj si këpucët e Tozonit,
doktorit të Ali Pashës. Ai zhvishej pa gdhirë dhe e kalonte furçën me qime dhjetëra herë në
kanalet dhe gropat e padukshme të mbulesës prej mushamaje. Kur Kastro zgjohej, karroca
vezullonte mbi kalldrëm. Bojën e mbante në kuti të vogla teneqeje që i mbushte sa herë
zbrazeshin. Një ditë e kishte harruar kutinë mbi ndenjësen e karrocës.
Ishte një ditë e bukur prilli dhe Ali Pasha kishte dalë për të shkuar në harem. Ishte ulur në
karrocë dhe teneqeja i kishte shpuar të ndenjurat. Kur kishte vënë dorën për të parë ku ishte ulur,
boja i ishte derdhur mbi poturet e reja dhe e kishte ndotur të gjithin. Ushtarët e Aliut e kishin
marrë Bilalin dhe e kishin rrahur me shkopinj. E mbajtën dhjetë ditë lakuriq në birucë, duke e
fshikulluar pa pushim, sa lëkura i ishte bërë si kadife e zezë me vija të kuqe. Kur e kishin liruar, i
kishin hedhur një kovë me ujë të përvëluar në kurriz dhe i kishin thënë se të nesërmen duhej të
zhdukej nga qyteti.
Bilali kishte mbledhur plaçkat duke rënkuar, kishte marrë gruan, vajzën e madhe dhe djalin
tetëvjeçar dhe kishte mbërritur pas dy ditësh në fshat. I kishte pëlqyer fusha e zbrazët dhe kishte
ngritur tendën me vrima që i ngjante kurrizit të tij. Kjo fushë mban erë të mirë, i kishte thënë
gruas, që ia lyente trupin me vaj dhe pastaj i vinte mbi plagë kastravec të qëruar. Kur i thanë se
në atë vend ishin varrosur bagëtitë e sëmura, Bilali nuk u mërzit. Kafsha e ngordhur nuk qelbet si
njeriu, kishte thënë dhe kishte shkuar në pyll për dru. Donte të ngrinte një kasolle sepse tenda
ishte e shpuar dhe nuk e mbante shiun. Jani ishte i vetmi që kishte sharra dhe sëpata të mëdha për
dru dhe ai kishte ardhur në shtëpi dhe e kishte takuar. Kur i tregoi se vinte nga Janina, Jani i tha
se kishte dy vëllezërit aty. Thanasin e njoh, kishte thënë Bilali. Rri pas Pashait si hije. Po të ishte
atë ditë në qytet do më kishte rrahur me dorën e vet dhe do ma kishte bërë lëkurën si shalqi.
Ndërsa Aliu pi shumë dhe kur dehet thotë se do vrasë Ali Pashën, por askush nuk e beson. Jani i
dha sëpatën me teh të mprehtë dhe një sharrë të madhe. Bilali shkoi në pyll dhe preu dru.
Një ditë, në shtëpi erdhi vajza e Bilalit dhe i kërkoi Janit gozhdë për të ndërtuar kasollen. Paridi
ishte në oborr dhe kur pa gjinjtë e kërcyer të vajzës dhe belin e hollë i tha Janit: Po të ishte më e
bardhë do ta kisha marrë në dhomën time. Jani mori gozhdët në bodrum dhe ia dha vajzës së
Bilalit. Kur ajo iku, ai pa fustanin e shkurtër që i ngrihej mbi gju dhe sytë i shkëlqyen. Të
nesërmen, vajza erdhi prapë që në mëngjes dhe i kërkoi Janit gozhdë të tjera. Jani ia dha duke
parë lëkurën kafe të duarve të saj, ndërsa Paridi i tha Muhamedit në oborr: Jevgjit ushqehen me
gozhdë.
Jani punonte në bodrum, por mendjen e kishte te duart e vajzës së Bilalit. E la punën dhe shkoi te
kasollja që po ngrihej në fushën e bagëtive. Bilali punonte duke kënduar dhe djersët i binin mbi
kanalet e thella që kishte në kurriz. I qëllonte gozhdët fort dhe kur ato thyheshin i hidhte dhe
merrte të tjera. Gozhdët vallëzonin në ajër dhe binin si gjymtyrë të këputura në tokë. Në drekë u
ulën të dy nën tendën me vrima, ndërsa gruaja i gatoi musaka me kunguj dhe piperka të pjekura.
Vajza e Bilalit solli ujë dhe Jani u gëlltit. Ajo kishte duar të gjata si i ati dhe lëkura e zeshkët
mbante një erë rrëshire të fortë dhe avulluese. Flokët i kishte të shkurtër, kaçurrelë dhe në kokë
mbante një rreth të kuq. Hodhi ujë në gotën e Bilalit dhe e pa Janin në sy. Jani qeshi dhe vajza uli
sytë, por e skuqura u fsheh nën lëkurë dhe nuk iu duk.
Ditën tjetër, kur vajza solli ujë, Jani ia preku gishtat duke i marrë gotën e mbushur. Piu ujin dhe u
ngjit në majë të çatisë duke rregulluar dërrasat. Që atje dukej fusha e shkretë rrëzë fshatit dhe atij
iu kujtua Muhamedi që kur kishte parë tokën në formë katrori kishte thënë se në atë vend do të
ndërtohej një shtëpi nga disa njerëz me çanta dhe ai do shkonte aty.
Kishte hequr këmishën dhe punonte lakuriq, ndërsa Bilali ishte futur brenda tendës dhe gruaja po
i vinte copa kastraveci mbi kurrizin e djegur nga dielli. Vajza ishte ulur në tokë dhe po e shikonte
duke punuar. Këmbët i kishte hapur dhe në mes të tyre Jani pa një mish të fortë ngjyrë kafe që
vinte duke u zbardhur aty ku bashkoheshin kofshët. Vajza qeshte, por nuk i mbyllte këmbët. Jani
ia bëri me dorë, ajo u ngrit dhe u afrua. Si e ke emrin, e pyeti. Fatime, tha vajza me zë të ulët
duke parë nga tenda ku ishin prindërit. Janit iu forcuan muskujt në trup, por goja iu zgjidh.
Fatime, do të vish në shtëpinë time? Dua, tha Fatimja duke qeshur dhe dhëmbët e bardhë i
ndriçuan fytyrën si një filxhan i qëndisur. Jani qëlloi fort me çekiç mbi çati dhe ofshamat e
Bilalit të mbuluar me kastravec nuk u dëgjuan gjithë pasditen.
Kur ra muzgu, shkoi në shtëpi, mbushi një kazan me ujë të ngrohtë dhe u la. U fut në dhomën e
Paridit, hodhi nën sqetulla parfumin e pjeshkës dhe hapi sëndukun të merrte një këmishë të
pastër. Këmishët ishin të gjitha të pahekurosura dhe Jani hapi dollapin me rrobat e Ibrahimit. Pa
një këmishë bojë rozë të qëndisur te qafa, në thilenë e së cilës ishte një gjethe e tharë që ra
përtokë. E veshi dhe shkoi përpara pasqyrës. Iu duk vetja si babai ditën që ishte martuar me
Sarën dhe ai bashkë me Thanasin tundnin kambanën e kishës, ndërsa Paridi me Muhamedin
mbanin fustanin e nusërisë së Sarës. Doli jashtë dhe u ul te stoli në errësirë. Ishte fresk,
megjithatë djersiti në tëmtha, duke pritur. Dëgjoi një hap të lehtë dhe ktheu kokën nga rruga.
Fatimja ecte në majë të gishtave. Kishte krehur flokët dhe i kishte kapur me karfica në dy anët e
kokës, ndërsa buzët i kishte lyer dhe Janit iu duk si një kukull me dru arre të errët. Nuk kishte
bërë kurrë kukulla të veshura si vajza dhe nuk e dinte si dukeshin të zhveshura.
Kur u futën në dhomë, ai shoi qirinjtë. Fatimja u zhvesh shpejt dhe trupi i saj u bë një me
errësirën, por në mes të këmbëve ai dalloi një shegë të kuqe me lëng dhe u drejtua atje duke
mbajtur duart përpara si i verbër. Rrëshira e Fatimes iu ngjit në të gjithë trupin, ndërsa duart e saj
iu kapën me thonj pas kurrizit. Iu kujtua shpina e vizatuar e Bilalit dhe bërtiti nga dhimbja.
Muhamedi, që po lexonte në dhomën tjetër, ndjeu zhurmë dhe u afrua te dhoma e Paridit, por
dera ishte e hapur dhe aty nuk kishte njeri. Një erë e fortë rrëshire i erdhi në hundë dhe mendoi
se Jani po lyente dërrasa poshtë në bodrum. U kthye të lexonte dhe e zuri gjumi.
Jani doli nga dhoma të nesërmen në drekë. Sytë i kishte të ënjtur dhe nuk i pa kuleçtë e Sarës që
ishin ftohur duke pritur. Paridi me Muhamedin ishin në oborr. Do martohem, tha Jani duke
fërkuar sytë. Muhamedi rrudhi buzët dhe i tha: U mërzite me kukullat prej druri? Me kë do
martohesh? Me vajzën e Bilalit, tha Jani. Paridi u afrua dhe filloi të qeshte. Po të ishte e bardhë
do kishe pritur sa të dilte nga dhoma ime, tha dhe i shkeli syrin Muhamedit. Jani bëri sikur nuk e
dëgjoi dhe ktheu kokën nga dera e shtëpisë. Fatimja rrinte në këmbë dhe flokët e shkurtër i kishte
pa karfica. Kaçurrelat i ishin prishur. Duart e gjata i mbante mbi bel dhe fustani i ishte rrudhosur.
Dua një fshesë të pastroj dhomën, tha Fatimja dhe qeshi. E ke pas derës së kuzhinës, i tha
Muhamedi. Paridi iu afrua Janit dhe i tha: Vajzat e bardha nuk ma pastrojnë dhomën.
Jani dhe Fatimja u martuan pas dy javësh. Kasollja e re e Bilalit kishte mbaruar dhe Sara me
Muhamedin shkuan aty për të kërkuar dorën e nuses. Bilali qeshte, ndërsa gruaja e tij nxori një
reçel me manaferra të egra që i kishte këputur në fushë në mëngjes. Kur e sollën Fatimen në
shtëpi, Bilali dhe e shoqja hodhën oriz mbi kokën e Janit dhe të Fatimes. Gruaja qante me lot,
ndërsa Fatimja qeshte. Sara e kishte rregulluar dhomën e tyre në anën e re të shtëpisë dhe kishte
sjellë një palë çarçafë të rinj ngjyrë ari. Jani kishte marrë krevatin e madh ku kishte fjetur
Ibrahimi me Sarën. Ia kishte ndërruar kokën dhe aty kishte gdhendur disa fruta me gjethe që
bashkoheshin si një kurorë.
Ana Komnena e shikonte Fatimen pa ia ndarë sytë dhe para se të iknin e puthi Janin dhe doli në
oborr. Nuk kishte parë kurrë një jevg. Sara e gjeti në stol me sytë nga dhoma e ndriçuar e
Fatimes. Pse ka njerëz të zinj në botë, e pyeti Ana. Ka të bardhë, të verdhë, të kuq, ka dhe të zinj,
tha Sara. Po pse nuk janë të gjithë njerëzit njëlloj ose të bardhë, ose të zinj, pyeti prapë Ana
Komnena. Po të ishin të gjithë njëlloj bota do ishte shumë e varfër dhe e mërzitshme, tha Sara.
Po fëmijët e Janit do jenë të bardhë apo të zinj, e pyeti Ana duke mbledhur këmbët e gjata mbi
krevat. Sara e pa në sy dhe gërsheti i së bijës iu duk se ishte zgjatur. Nuk e di, tha, por fëmijët
janë gjithnjë të bukur, edhe kur janë të bardhë, edhe kur janë të zinj. Ndoshta, tha Ana, por mua
më duket se pleqtë e zinj janë më të shëmtuar se pleqtë e bardhë. Babai ishte i bukur kurse Bilali
është i shëmtuar. Sara nuk foli, por hapi dritaren e dhomës.
Bënte vapë dhe yjet dukeshin sikur kishin zbritur në oborr dhe ishin shtrirë për t’u freskuar mbi
plloça. Ngjyrat e lëkurës së njerëzve u ndanë nga bijtë e Noes, tha. Ana Komnena e shikonte dhe
era që frynte nga dritarja ia kishte ftohur faqet e kuqe. Noeja kishte tre djem, të cilët shpëtuan
bashkë me të nga përmbytja. Ata ishin Semi, Hami dhe Jafeti. Sipas Biblës së vjetër nga Semi
kanë rrjedhur çifutët dhe arabët që quhen semitë. Nga Hami kanë ardhur lëkurëzinjtë, jevgjit
egjiptianë dhe zezakët e Afrikës dhe këta quhen hamite. Kurse nga trungu i Jafetit rrjedhin gjithë
njerëzit me ngjyrë të bardhë, shqiptarët, grekët dhe gjithë evropianët që quhen jafetike. Në fillim
perëndia bëri burrin dhe gruan, Adamin dhe Evën, pastaj ndau racat me tre djemtë e Noes që
ishte pasardhësi i Adamit dhe pastaj ndau fetë me djemtë e Abrahamit, Isakun dhe Ismailin që
ishin pasardhës të Noes.
Noeja i paska ndarë djemtë si babai, tha Ana duke luajtur me gërshetin. Sara qeshi dhe e pyeti
pse. Jani është si Hami, Muhamedi si Semi dhe Paridi si Jafeti, tha Ana dhe u shtri në krevat
duke parë tavanin. Yjet kishin hyrë në dhomë dhe i ishin ngatërruar nëpër flokë.
Pas një viti, Fatimja lindi një djalë të zeshkët me sy të kaltër dhe me flokë kaçurrelë. Jani e mori
djalin në krahë dhe e ngriti në diell. Lëkura mbante erë rrëshirë dhe ai e puthi në ballë. Do ta
quajmë Ibrahim, i tha Fatimes që qeshte e shtrirë në krevat. Ana Komnena iu afrua Sarës dhe i
tha: Pse i vunë emrin e babait? Ky e ka lëkurën si breshkë dhe është me flokë kaçurrelë, ndërsa
babai ishte me flokë të drejtë dhe nuk mbante era rrëshirë. Sytë i kanë njëlloj, i tha Sara duke
luajtur me Ibrahimin e vogël. Kur gruaja e Bilalit i preu Ibrahimit kërthizën, që dukej si një
shkop i shtrembër me nyje të vogla, Jani e mori duke e mbajtur me kujdes e mos thyhej dhe zbriti
në bodrum. Preu disa dërrasa dhe bëri një kuti të vogël që e veshi nga brenda me atllas të verdhë
që Bilali e kishte sjellë nga Janina. Futi kërthizën në kuti dhe ia dha Fatimes që e preku lehtë me
gisht dhe e vuri mbi boro.