Syzet e Metod Antrakidit ishin mbushur me një avull të trashë që ushqehej nga një zjarr që sapo
ishte shuar në gojën e tij. Metodi afroi një cep të mbulesës së rrudhosur të tavolinës dhe i fshiu
xhamat me të. Mihal Komnenit i ishte varur koka e madhe mbi këmishë, si një kambanë e
shurdhët. Në një anë të
këmishës, Sara shqoi dy pisqolla të vogla që rrethonin një K, të drejtë. U
zgjat të pyeste për diçka, por Mihali ngriti kokën dhe asaj i mbeti pyetja në buzë. Pisqollat janë
simboli i lagjes së armëtarëve, ndërsa K-ja, është e Komnenëve, tha Mihal Komneni.
Ana Komnena flinte si një pupël në krahët e Ibrahimit, ndërsa Aliu dhe Paridi kishin dalë disa
herë jashtë duke luftuar me shpata dhe pa e dëgjuar Metod Antrakidin gjatë gjithë kohës.
Muhamedi nuk kishte lëvizur nga vendi dhe herë pas here rregullonte çallmën që i binte mbi sy.
Pjatat mbi tryezën e madhe ishin boshatisur, ndërsa përpara Ibrahimit shtrihej një njollë e kuqe
verë që e kishte derdhur Ana, duke luajtur në gjumë.
Paridi me flokët e ngrira hyri në dhomë, i ndjekur nga shpata e Aliut dhe kur i pa të gjithë të
heshtur i tha Metod Antrakidit: Kush e vrau Marin Kurilën? Po ta dija do t’ia kisha treguar
Isakut, u përgjigj Metodi. Dhe Isaku do ta kishte vrarë, pyeti Paridi. Isak Komneni nuk dinte të
vriste dhe prandaj Voskopoja u shkatërrua, tha Mihali. Po pse nuk dinte të vriste Isaku, tha Aliu
duke ngritur shpatën në formë kryqi mbi tavolinë. Nuk ia kishte mësuar njeri, tha Hana e
menduar. As gjyshi dhe as babai i tij nuk dinin të vrisnin. Mihal Komneni ktheu kokën nga Hana
dhe e pa si një njeri që e takon pas shumë kohësh. Edhe babai nuk na ka mësuar të vrasim njerëz,
por vetëm lepuj, tha Paridi dhe u ul në vendin e tij. Ti je frikacak dhe nuk vret dot as lepuj dhe as
njerëz, tha Aliu me zë kërcënues.
Po ti, a mund të vrasësh një njeri, i tha Metod Antrakidi, Aliut dhe pa nga Ibrahimi që rrinte i
heshtur. Unë mund të vras më kollaj një njeri se një lepur, tha Aliu dhe të gjithë kthyen kokën
nga ai. Aliu e kuptoi që duhet të thoshte diçka më shumë dhe vazhdoi: Nuk i vras dot gjërat që
ha.
Nuk do kesh nevojë të vrasësh njerëz sepse në fshatin tonë nuk ka shkolla dhe askush nuk
vizaton nëpër mure, tha Muhamedi. Po nëse iki nga fshati, mund të vras njerëz, pyeti Aliu. Po ike
nga fshati mund të të vrasin ty, u përgjigj Muhamedi duke parë me bisht të syrit nga Ibrahimi.
Mihal Komneni kishte mbushur gotën e verës që mbante përpara, ndërsa Metod Antrakidi u zgjat
mbi tavolinë dhe tha: Muhamedi ka të drejtë. Voskopoja provoi se dija nuk mjafton për të
shmangur shkatërrimin. Qyteti më i kulturuar, ku kanë jetuar shqiptarët, u dogj. Librat, kishat,
priftërinjtë, shtypshkronja, vizatimet, poetët, përkthyesit, gjeografët, filozofët arkeologët dhe
studentët nuk e shpëtuan dot qytetin e tyre dhe unë pyes veten: Përse na duhej gjithë ajo dituri
kur nuk arritëm dot të shuajmë një zjarr që e ndezëm vetë? Si ka mundësi që shfletuam librat e
gjithë botës dhe nuk gjetëm dot faqen e duhur, atë faqe e cila do na mësonte se si nuk
shkatërrohet një qytet? Mos duhej të kishim studiuar Cezarin në vend të Platonit apo Aleksandrin
në vend të Aristotelit për të mësuar se mirësia nuk mjafton për të ndërtuar paqen dhe paqja nuk
është e përjetshme nëse nuk e mbron me luftë? Ne ndërtuam një qytet për platonë dhe aristotelë,
por jo për cezarë dhe aleksandër, por unë nuk jam i sigurt nëse ata mund të lindnin në
Voskopojë. Qiparisi nuk mbin në shkretëtirë dhe deveja nuk ecën dot në akull. Isaku thoshte se
ishullarët e zgjedhin luftën të fundit, por ai vetë e la ishullin pa luftuar dhe tani kushedi ku noton.
Mihali thotë se nëse Isaku do dinte të vriste, Voskopoja do kishte shpëtuar. As kjo nuk më bind.
Ka raste që mendoj se Voskopoja ishte një qytet i ngritur në vendin e gabuar. Po të kishte qenë
mijëra kilometra larg prej aty ku ishte, ndoshta do kishte shpëtuar siç ka shpëtuar Vjena,
Venediku apo Athina. Voskopoja ishte një qytet ir rethuar nga barbaria dhe injoranca dhe çudia
nuk ishte që një ditë u prish, por çudia është se si u ndërtua, si një lule që mbin midis gurëve.
Unë besoj se Voskopoja ishte një gjë e parakohshme për shqiptarët. Ajo u fshi ashtu siç fshihet
çdo ëndërr e pakuptueshme në trurin e njeriut, i cili ngrihet në mëngjes dhe e vazhdon jetën aty
ku e ka lënë një natë më parë. Punon tokën dhe gruan, ushqen kafshën dhe fëmijët dhe fle prapë
për të parë një ëndërr që të nesërmen e harron. Prandaj ju do jetoni në paqe për sa kohë që nuk
keni as libra dhe as vizatime, siç thotë Muhamedi. Libri ia shton oreksin njeriut dhe e lë më të
uritur. Sa më shumë lexoj, aq më pak di.
Metod Antrakidi u mbështet në karrige dhe syzet filluan t’i vishen prapë me avull. Je shumë plak
për të qenë pesimist, tha Mihal Komneni. Nuk do kesh kohë t’i provosh vetes ato që mendon.
Çfarë është pesimisti, pyeti Paridi. Pesimisti është një njeri që beson se bota nuk ndryshon por rri
në vend, tha Mihali. Atëherë Muhamedi qenka pesimist, tha Aliu. Po pse është Muhamedi
pesimist, pyeti Hana dhe ia nguli sytë jeshilë Muhamedit që rrinte pa lëvizur me frikën se çallma
mund t’i binte mbi tavolinë. Muhamedi ka një lodër prej druri në formën e botës dhe aty dielli
nuk lind, lumenjtë nuk rrjedhin, nuk bie dëborë dhe njerëzit nuk ecin. Në botën e Muhamedit nuk
ndodh asgjë dhe atij kjo i pëlqen, u përgjigj Aliu.
Botën e Muhamedit e kam parë unë, foli Jani duke u drejtuar. Jani është perëndia, kurse unë jam
profeti, tha Muhamedi. Ku ndryshon perëndia me profetin, tha Paridi. Perëndia e krijon botën
dhe njerëzit, ndërsa profeti i thotë njerëzve se çfarë duhet të bëjnë dhe në cilin vend të botës. Po
të ishe ti profet në Voskopojë çfarë do t’u kishe thënë Marin Kurilës, Isakut dhe Sali Benishit, e
pyeti Mihal Komneni. Unë do t’u kisha thënë atyre të bënin tamam ato që bënë, foli Muhamedi
qetësisht. Ti do lije Marin Kurilën të vritej dhe Sali Benishin të martohej tri herë, pyeti Hana. Po,
tha Muhamedi. Do ta lija Marin Kurilën të vritej sepse nëse ai nuk do vritej të krishterët dhe
myslimanët nuk do kishin asnjë mundësi për të bërë paqe dhe Voskopoja do të digjej shumë më
shpejt nga ç’u dogj. Vrasja e Marin Kurilës ishte një paralajmërim i perëndisë, e cila donte që
Voskopoja të ndahej mes të krishterëve dhe myslimanëve, por kur kjo gjë nuk u arrit atëherë Sali
Benishit iu dha urdhër t’i dëbonte të krishterët. Po ti mendon se perëndia ka mbajtur anën e
myslimanëve në Voskopojë, pyeti Jani. Perëndia është gjithmonë me më të dobëtit, tha
Muhamedi.
Nuk më the pse do ta lije Sali Benishin të martohej tri herë, u hodh Hana.
Sali Benishi u martua një herë me një grua që mund të ishte nëna e tij, pastaj me një vajzë që
mund të ishte fëmija e tij dhe pastaj me një të krishterë që mund të ishte armikja e tij, sepse
perëndia thotë se të martohesh, është një detyrë të cilën njeriu duhet ta kryejë me çdo kusht,
pavarësisht nga mosha, bukuria apo feja. Sali Benishi e kreu këtë detyrë dhe prandaj perëndia i
fali atij Voskopojën. Ai u martua me një plakë të pasur, me një fëmijë të bukur dhe me një të
krishterë të tradhtuar nga Zoti i vet, u përgjigj Muhamedi.
Sara pa në drejtim të Ibrahimit, i cili e ndiqte bisedën me kureshtje duke djersirë nën peshën e
Anës që flinte e pashqetësuar, që kur pjatat ishin zbrazur dhe lugët nuk përplaseshin më. Vetëm
gota e mbushur e Mihal Komnenit i kishte rezistuar ngopjes duke mos qëndruar për asnjë çast e
pambushur. Po të isha unë profet, do t’i kisha thënë Isakut të mos e linte hoxhën të hynte në
Voskopojë sepse ai e mësoi Sali Benishin si ta digjte qytetin, tha Aliu. Çfarë do bëje, do ta vrisje
apo do ta burgosje hoxhën, e pyeti Jani. Do ta mbyllja në kishë që të çmendej, u përgjigj Aliu.
Ndërsa unë, po të isha profet, do kisha bërë një gjë tjetër, foli Paridi. Të gjithë heshtën dhe ai tha:
Unë do t’i kisha thënë dy djemve që putheshin me Aishen në livadhin e myshqeve që ta
rrëmbenin dhe ta çonin në Korçë. Po pse duhej ta rrëmbenin Aishen e vogël, tha Hana duke parë
nga Sara me keqardhje. Në qoftë se do të ishte rrëmbyer Aishja, Sali Benishi do ikte nga
Voskopoja duke kërkuar dhe ndoshta nuk do të kthehej më aty për ta djegur qytetin, tha Paridi
dhe ngriti flokët e ngrira lart me krenarinë e njeriut që ka gjetur përgjigjen e të gjitha pyetjeve.
Po sikur ta kishte gjetur dhe të kthehej prapë në Voskopojë, i tha Aliu. Në asnjë rast nuk do të
kthehej më Sali Benishi në Voskopojë, foli Paridi duke ngritur zërin. Edhe sikur ta gjente, edhe
sikur të mos e gjente Aishen, ai nuk do kthehej, se do t’i vinte turp që dy djem të vegjël i kishin
marrë gruan. Atëherë Sali Benishi do shkonte dhe do digjte Korçën, tha Mihal Komneni. Po të
digjte Korçën, Voskopoja do kishte shpëtuar, siç shpëtoi Sparta dhe u dogj Troja, sepse gratë
gjithmonë djegin pasuritë e burrave dhe jo të baballarëve. Helena ishte nga Sparta, por ky qytet
nuk u dogj dhe asnjeri nuk u vra. Po ta kishin lexuar profetët historinë e Trojës do t’i gjenin aty
zgjidhjet për gjërat që nuk i dinin, por me sa duket ata kanë menduar se ajo është një përrallë që
nuk përsëritet.
Profetët nuk i zgjidhin grindjet e botës duke u nisur nga përrallat sepse përrallat kanë gjithmonë
një fund të lumtur dhe aty askush nuk vdes, tha Muhamedi. Nëse Voskopoja do ishte një përrallë
Mihali dhe Metodi mund të ktheheshin prapë atje dhe Marin Kurila me Sali Benishin do t’i
prisnin duke ngrënë patëllxhanët me mish që gatuante Aishja. Nuk do ishte keq, tha Metodi, edhe
mua më pëlqejnë patëllxhanët me mish dhe mund të kisha shkuar në shtëpinë e Sali Benishit. Do
vija edhe unë, tha Paridi, por, kur ju të hanit patëllxhanë, unë do rrija me Aishen dhe do mësoja
si puthet një grua.
Hana filloi të qeshte dhe duke i parë Mihal Komnenin, rregulloi jakën e fustanit të ngushtë dhe i
tha Paridit: Pse duhet të shkosh deri në Voskopojë, mund ta mësosh këtu si puthet një grua.
Paridi donte të përgjigjej, por Aliu, që lëshoi shpatën mbi tavolinë, e ndërpreu dhe tha: Aishja u
puth me dy djem njëherësh, kështu që do vija edhe unë me ty në Voskopojë. Mirë, i tha Paridi,
hajde, por po ia mbajte Aishes dorën poshtë fustanit nuk të marr.
Mihal Komneni e ktheu edhe një herë gotën e verës dhe u kthye nga Muhamedi. Profet, a më
thua dot ku është Isak Komneni?
Muhamedi picërroi sytë ngjyrë blu, priti derisa në tavolinë u vendos qetësia dhe tha: Isaku është
në një ishull ku njerëzit dinë të notojnë para se të lindin, siç tha ai vetë dhe ku duhet ta harrosh
notin që të mos kthehesh më mbrapsht, siç tha poeti.
Ku është ky ishull, pyeti Mihal Komneni. Me siguri në kujtimet e familjes tuaj, u përgjigj
Muhamedi. Mihal Komneni nuk foli më, por u mbështet në karrige dhe pa Sarën drejt e në sy
sikur po i kërkonte ndihmë. Sara uli kokën dhe filloi të mblidhte pjatat mbi tavolinë, si për t’i
thënë të gjithëve se dreka kishte mbaruar. Pas saj u ngrit edhe Hana që mblodhi lugët, gotat,
thikat dhe pecetat e shpërndara, ndërsa ushqimet që kishin tepruar i bashkoi në një pjatancë të
madhe. Jani u ngrit në këmbë dhe pas tij edhe Paridi. Muhamedi rrinte ende ulur duke pritur të
ngrihej Ibrahimi, kurse Aliu futi shpatën në brez dhe kaloi në anën tjetër të tryezës. Metod
Antrakidi dukej i lodhur dhe sytë i kishte gjysmë të mbyllur, por u përmend kur Aliu iu afrua dhe
i tha: Si e gjetën djemtë me shall të kuq sa gurë kishte tespihja e hoxhës? Duke mbledhur shumën
e numrave që ka çdo germë në alfabet, u përgjigj Metod Antrakidi. Fytyra e Aliut ishte e hutuar,
por ai nuk e dha veten dhe pyeti prapë: Po nëse nuk di të lexosh numëron dot? Mund të
numërosh pa ditur germat dhe mund të lexosh pa ditur numrat, por mirë është t’i dish të dyja se
perëndia i ka vënë çdo gjëje një emër dhe nuk ka bërë asgjë që të mos përsërite. Çdo dru, çdo
gur, çdo kafshë, çdo zog, çdo peshk, çdo send, çdo ditë, çdo vit, çdo njeri, çdo mal, çdo det, çdo
lumë, çdo re dhe çdo gjë ka një emër që duhet shkruar dhe duhet lexuar që të dallohet nga një gjë
tjetër. Por asgjë nga këto që thashë nuk është e vetme në këtë botë dhe prandaj nuk ka vetëm një
gur, nuk ka vetëm një ditë, nuk ka vetëm një njeri apo vetëm një peshk dhe të gjitha këto duhen
numëruar që njerëzit të dinë se janë dhe sa pasuri kanë.
Mihal Komneni, që e ndiqte bisedën duke buzëqeshur, i tha Metod Antrakidit: Pse nuk i mëson
këtyre djemve të shkruajnë dhe të numërojnë, Metod? Gjimnazi i Janinës nuk ka më nevojë për
ty, ndërsa shtëpia ime mund të bëhet shkollë djemsh në mëngjes dhe hotel pleqsh në mbrëmje.
Metod Antrakidit iu veshën prapë syzet me avull, ndërsa hidhësia në ngjyrë piperi iu largua
ngadalë nga fytyra, si një re. Në pesëdhjetë vjet ai u kishte mësuar qindra fëmijëve se si të
kuptonin botën, e cila, siç thoshte ai, ishte e mbyllur me një derë që mund të hapej njëkohësisht
vetëm nga dy çelësa: nga një numër dhe nga një germë. Po t’i zotërosh këto dy çelësa hap derën
dhe hyn në një tunel të pafund, ose më saktë, në fund të të cilit është vetëm perëndia. Mijëra
njerëz e kanë hapur atë tunel, por askush nuk ka shkuar deri në fund sepse perëndia nuk i dha
askujt një jetë aq të gjatë, i thoshte ai nxënësve që e pyesnin se si shkohet në fund të botës.
Si thua Metod, e përmendi Mihal Komneni duke e shkëputur nga tuneli i ditëve të shkuara.
Metod Antrakidi ngriti supet dhe pa nga Ibrahimi, i cili dukej i kënaqur. Do të të isha mirënjohës
nëse do t’u mësoje djemve të mi ato që di, tha Ibrahimi dhe u ngrit në këmbë me Anën në krahët
e tij. Kur fillon shkolla, pyeti Muhamedi duke parë Janin nga duart si për t’i kujtuar se tokës
katrore i ishte shtuar një kuti. Nesër, tha Sara. Po ne nuk kemi shall të kuq si nxënësit në
Voskopojë, tha Paridi. Unë nuk mbaj shall se më merr frymën, tha Muhamedi. Hana iu afrua
Mihal Komnenit, e puthi në faqe dhe doli në oborr. Pas Hanës u largua Ibrahimi dhe djemtë u
vunë në rresht pas tij. Sara mbeti e fundit dhe pasi dolën të gjithë iu drejtua Mihal Komnenit: Ku
është Isaku, Mihal? Mihal Komnenit i lëvizi mjekra e bardhë kur u ngrit në këmbë. Nga larg
dukej si një pemë që kishte mbirë mbi tavolinë pasi ishte ushqyer për një kohë të gjatë me mish.
Përgjigjen e kësaj pyetje e pres nga ty, prandaj kam ardhur, tha ai. Unë nuk e di ku është Isaku,
tha Sara që ndjeu një përvëlim në faqe. Fluturo që ta gjesh dallëndyshja ime. Krahët e tu janë
zgjatur dhe mund ta kalojnë detin për të arritur në ishull, tha Mihali dhe këmisha iu fry në anën e
zemrës, aty ku kryqëzoheshin dy pisqollat. Metod Antrakidi, që i shikonte të dy, do t’i thoshte
më vonë Mihalit se Komnenët i drejtohen njëri-tjetrit si personazhe librash bizantinë, të cilët e
zbukurojnë dashurinë e tyre me metafora zogjsh. Në ishull shkohet me not, por babai nuk ma
mësoi, tha Sara e bindur se duke kundërshtuar mund t’i frenonte lotët që i ishin mbledhur në
grykë. Notin do ta mësosh në ishull, foli Mihal Komneni dhe e puthi Sarën me dorë, sikur po
përshëndeste një zog që nuk mund ta përqafosh. Sara hapi krahët dhe doli në ajër të pastër.
Mbrëmja ia ftohu mollëzat e nxehta që u njomën si një lëkurë që mbështetet në re.
Ibrahimi dhe djemtë ecnin përpara dhe Sarës iu dukën si një ushtri e lodhur që kthehej nga
shkolla. Në errësirë shtëpia e hapur nga lart dukej si një kazan që mblidhte ujë. Kur do pushojë
ky shi, tha Ibrahimi dhe ndaloi një çast përpara shtëpisë. Muhamedi thotë se shiu do pushojë kur
të fillojë shkolla, foli Jani pas kurrizit të të atit.
Djemtë u futën nëpër dhomat e shtëpisë së re dhe Muhamedi hoqi çallmën. Pse e heq çallmën, i
tha Aliu që e kishte futur shpatën poshtë krevatit. Muhamedi e shtriu peshqirin e çallmës mbi
jastëk dhe pasi e palosi dy herë, u shtri dhe vuri kokën mbi të. Nuk shkohet në shkollë me çallmë
se nuk jemi në Voskopojë, tha dhe pas pak e zuri gjumi.
Ibrahimi u zgjua kur një rreze drite i shpoi fytyrën. Ana flinte akoma, megjithëse një diell i
verdhë i ecte nëpër flokë si një karficë lulesh. Ngriti kokën në qiell, por asnjë re nuk ia zuri
dritën. Pellgjet jeshile në oborr po thaheshin si një veshkë e nderur në diell. U çua pa zhurmë nga
krevati dhe shkoi të zgjonte djemtë.
Paridi u zgjua i fundit me flokët e ngritur që i zbuti me ujë. Sapuni i ngrirë i rrëshqiti si shkumë
mbi fytyrë dhe ai i fshiu me peshqir sytë që i digjnin. Aliu mori bishtin e lepurit e futi në xhep
dhe tha se do t’ia tregonte Mihalit, ndërsa Muhamedi e palosi peshqirin si çallmë dhe e futi
poshtë jastëkut. Kur u nisën, Ibrahimi dhe Sara dolën në oborr dhe i përcollën me sy. Do kthehen
më të zgjuar, tha Sara dhe i shtrëngoi dorën Ibrahimit. Do kthehen të lodhur duke kërkuar çelësat
e botës, tha Ibrahimi dhe u fut brenda për të fshehur sytë e përlotur.
Kur djemtë hynë në shtëpi, Mihal Komneni po thyente arra në oborr. Flokët e gjatë i kishte
krehur dhe në qafë mbante një shall të kuq. Ky është shalli i Marin Kurilës, pyeti Paridi. Ky
është shalli i Isakut, u përgjigj Mihal Komneni. Po pse nuk e mori Isaku shallin me vete, në
ishull, pyeti Aliu. Shalli është si flamuri dhe nuk merret me vete, por ngulet mbi kështjellë, tha
Mihali dhe theu një arrë mbi plloçe.
Kur hynë në dhomë, panë Metod Antrakidin që i priste në këmbë. Syzet e tij nuk kishin avull dhe
sytë i dukeshin më të mëdhenj. Mbi një karrige tjetër, ishte një dërrasë e zezë që shkëlqente nga
dielli që hynte nga dera e hapur. Mbylleni derën, tha Metod Antrakidi. Paridi mbylli derën dhe
në errësirë dalloi disa shkronja të bardha mbi dërrasën e zezë. Aliu u ul, priti sa Metodi u kthye
me kurriz nga ata dhe i tha Muhamedit në vesh: Metodit i ka ndryshuar zëri. Mësuesit e kanë
zërin më të trashë se pleqtë, pëshpëriti Muhamedi.
Çfarë kam shkruar këtu, pyeti Metod Antrakidi dhe tregoi me një shkop të hollë dërrasën e zezë.
Paridi ngriti supet, ndërsa Aliu bërtiti: Voskopojë. Jo, u përgjigj thatë Metod Antrakidi. Ke
shkruar emrat tanë, i tha Muhamedi. Jo, tha prapë Metod Antrakidi, unë i di emrat tuaj, pse duhet
t’i shkruaj. Ke shkruar që sot është e hënë, tha Aliu duke u ngritur në këmbë. Metod Antrakidi i
bëri shenjë të ulej dhe tha: Jo, nuk kam shkruar që sot është e hënë. Aliu u ul duke parë me frikë
nga Muhamedi që ishte ulur në karrigen e mesit. Metod Antrakidi e mbante shkopin të palëvizur
në dërrasë dhe vetë dukej si një statujë që tallet me kalimtarët. Një rreze drite që hyri papritur
nga fundi i derës i ra Muhamedit në gojë dhe ky tha: Ke shkruar që shtëpia e Arianit Komnenit u
bë shkollë. Metod Antrakidi nuk foli, por tundi kokën duke mohuar. Rrezja e dritës kaloi nga
Muhamedi te Paridi, i cili tha: Ke shkruar që shiu pushoi dhe shtëpia jonë do ndërtohet. Jo, tha
Metod Antrakidi, për mua kjo nuk ka rëndësi.
Djemtë u tulatën në karrige dhe askush nuk foli. Metod Antrakidi kroi zërin dhe Aliu u afrua
edhe më shumë nga Muhamedi. Kam shkruar që shkolla u hap, tha Metodi dhe hoqi shkopin nga
dërrasa e zezë. Djemtë morën frymë dhe Metod Antrakidi qeshi.