Pages

Kapitulli 4 - Romani ''Te Jetosh Ne Ishull'' i Ben Blushi

Pleqësia u shpërnda menjëherë dhe prifti e la fshatin. Kjo është nata e tyre e fundit në paqe, mendoi. Çdo gjë do jetë ndryshe nesër. Mbi qytet hëna e re shtrihej si një kumbull mbi një kadife blu. Kur prifti hyri në shtëpi imami kishte filluar të këndonte majë xhamisë. Ishte dita e parë
e ramazanit. Ibrahimi nuk kishte fjetur gjithë natën duke pritur që Vasili të vinte për t’i treguar vendimin e pleqësisë së fshatit. Por i vëllai nuk u duk. Ulur në oborr vështronte hënën e re. Ishte shenja që lajmëronte ramazanin siç i kishte thënë imami. U ul në gjunjë dhe u fal, pastaj shkoi të flinte vetëm pranë vatrës. Kur u zgjua, e shoqja e pyeti se pse nuk kishte ardhur në shtrat dhe ai i tha se kishte filluar ramazani dhe gjatë këtij muaji myslimani nuk ha, nuk pi dhe nuk e prek gruan me dorë. I mjeri ti, i tha gruaja. Ku e gjete këtë fe që të ndalon gjërat që do më shumë në jetë? Kur dielli u ngrit mbi çati, një zhurmë e madhe dërrasash dhe gozhdësh që nguleshin mbi to e nxori Ibrahimin me nxitim në oborr. Gjitoni i tij, Mihali i Zoicës bashkë me të vëllanë dhe dy të tjerë kishin marrë disa dërrasa të mëdha dhe po ia vinin dritares. Mirëmëngjesi, i tha Ibrahimi dhe u afrua. Asnjëri prej tyre nuk u përgjigj. Mirëmëngjesi, i tha ai prapë, ku i keni lënë veshët, or miq? Sërish as Mihali dhe as të tjerët nuk reaguan. Ç’ju kam bërë, u çor Ibrahimi, ju kam ngrënë bukën? Katër burrat vazhdonin punën. Ibrahimi rrinte pa lëvizur dhe i shikonte. Pas pak dritarja e Mihalit ishte e mbyllur. Atë ditë, gjashtë dritare të fshatit që shikonin shtëpinë e Ibrahimit u zhdukën. Nga rruga e tij nuk kaloi askush. Pasdite, Ibrahimi, i lodhur nga agjërimi dhe i mërzitur nga poshtërimi, doli të bëjë një shëtitje nëpër fshat. Kushdo që rastisi as e pa në sy dhe as i foli. Dy djem të vegjël që luanin cinglash sa e panë, hodhën shkopinjtë dhe hynë në shtëpi duke thirrur në panik: Nënë myslimani, erdhi myslimani. Dera u mbyll me forcë. Kur u kthye në shtëpi, e shoqja po qante. Çfarë ke, pyeti ai. Shkova të marr kripë, nuk më dhanë. Kërkova miell për bukë, nuk më dhanë. Kërkova vaj, po ashtu. Ç’po ndodh me ne Ibrahim? Të folën, i tha ai. Më nxinë, jo më folën, rënkoi gruaja. Më thanë se nuk ka bukë dhe vaj për familjen e myslimanit. Renda te Hana, gruaja e tët vëllai dhe më nxori me duar bosh. Yt shoq na ka turpëruar, më tha. Për ju nuk ka ushqim në fshatin tonë. Asnjë vajzë nuk do t’i jepet djemve të tu. Tani toka i përket Vasilit sepse burri yt ka humbur të drejtën e trashëgimisë. Kur e pyeta se kush i ka vendosur gjithë këto, më tha se këtë vendim e ka marrë pleqësia dhe gjithë fshati e ka pranuar. Ibrahimi mbylli derën e shtëpisë me shul dhe i kërkoi gruas një lugë sheqer. Ka dhe pak për nesër, i tha ajo duke i dhënë sheqerin. Është koha e iftarit dhe imami më tha se duhet të fus në gojë diçka të ëmbël, u justifikua ai. Lëpiu buzët dhe u ul për t’u falur në sy të gruas që e shikonte me dhimbje. Atë natë i vunë fëmijët për të fjetur më herët dhe secili u shtri në dhomën e vet. Kur u zgjua në mes të natës për t’u bërë gati për syfyrin, ndjeu në hundë erën e diçkaje që digjej. Vatra ishte e pandezur dhe ai hapi portën e shtëpisë. Disa metra jashtë oborrit, në mes të rrugës, digjej një kryq i madh i ngulur vertikalisht në tokë. Ibrahimi u frikësua se mos zjarri i merrte drutë që kishte në cep të oborrit dhe u afrua. Katër burra që ishin fshehur pas zjarrit ia dhanë vrapit. Kur u larguan, në një distancë që ai nuk mund t’i shquante, njëri prej tyre ndaloi dhe i thirri: Ibrahim, o derr, Muhamedi të pret në ferr. Tre të tjerët e përsëritën si refren disa herë dhe të gjithë bashkë u zhdukën, pas një muri. Ibrahimi iu avit kryqit, që kërcente pa ritëm mbi kokën e tij. Mendoi ta shkulte nga toka dhe ta shuante zjarrin, por e tërhoqi dorën dhe nuk e preku. Tymi ngrihej lart dhe pas pak e mbuloi hënën si një perçe gri. Kryqi u dogj i patrazuar deri në mesditë. Kur u zgjuan, djemtë filluan të loznin rreth kryqit. Ibrahimi i ndiqte rrotullimet e tyre dhe mendonte me vete se jeta e njeriut duhet të ishte si kjo lojë kalamajsh. I vjen rrotull kryqit gjithë jetës që të mos digjesh në zjarr. Kur djemtë u futën në shtëpi e pyetën Ibrahimi se kush e kishte ngulur kryqin e djegur para shtëpisë së tyre. Fshati, u përgjigj Ibrahimi. Djemtë panë njëri-tjetrin të hutuar. Ishte përgjigjja që prisnin më pak. E ka ngulur fshati që të ruhet nga rrufetë e Zotit, shtoi i ati. Për një javë Ibrahimi nuk doli nga shtëpia. Falej në orët e caktuara, nuk hante, nuk pinte, merrej me kafshët e veta dhe kalonte kohën duke biseduar me djemtë. E shoqja shkoi dhe një herë tek e kunata, por ajo sërish e nxori me duar bosh. Fshati i mbeti besnik vendimit të pleqësisë. Askush nuk kaloi përpara shtëpisë së Ibrahimit. Në kohën që Ibrahimi falej, kambana e kishës së vogël gjëmonte pa pushim. Çdo natë, katër burrat shfaqeshin përpara shtëpisë, ngulnin një kryq të ri që shkëlqente në errësirë dhe pastaj i vinin flakën. Pas një jave, rruga përpara shtëpisë dukej si varrezë me kryqe të rrëzuar. Ushqimet e tyre pothuajse kishin mbaruar. Gruaja i dha djemve kos dhie dhe mollë të pjekura nga të shtëpisë dhe filloi të qante. Do iki në qytet, tha Ibrahimi. Do gjej diçka për të ngrënë. Kthehem në darkë. Thirri djemtë dhe i porositi se pa ardhur ai askush nuk duhej të dilte nga shtëpia. Do vij me ty, i tha djali i madh. Jo, i tha Ibrahimi. Sa kohë nuk jam unë, ti je i zoti i shtëpisë, por mos e kalo derën e oborrit pa u kthyer unë. Po nëse ti nuk kthehesh, e pyeti i biri. Ibrahimi bëri sikur nuk e dëgjoi dhe u nis. Kur hyri në qytet, dielli po perëndonte. Frymën e mbajti te xhamia. Imamin e gjeti të ulur mbi rrogoz me një tas hurma përpara. Selam Alekum, Ibrahim. Bujrum në iftarin tim. Ibrahimi u ul mori një hurmë dhe goja e tharë nga rruga iu ndez më keq. Fëmijët e mi janë pa bukë, i tha Ibrahimi dhe i tregoi javën e tij të tmerrshme. Jam gati të vras për të shuar urinë e tyre. Imami e dëgjoi deri në fund dhe kur mbaroi i tha: Zoti po të vë në provë. Të ka lënë pa bukë, pa miq dhe pa vëlla që të kuptojë se sa mund të sakrifikosh për të fituar dashurinë e tij të mëshirshme. Muhamedi vuajti 20 vjet, më keq se ti, që të fitonte emrin që i njohim sot. Mbaje ramazanin deri në fund që të pastrosh shpirtin tënd nga urrejtja dhe mëkati. Mos harro se gjatë këtij muaji të shenjtë nuk duhet të mallkosh dhe as të vrasësh njeri. Zoti ka gjithmonë bukë për robtë e tij. Imami u ngrit, shkoi në cep të xhamisë dhe i mbushi një torbë me miell, sheqer, vaj, kripë dhe ullinj. Merri dhe këto hurma që aq shumë i pëlqenin profetit dhe çoja fëmijëve të ëmbëlsohen. Po si mund të vazhdoj kështu, i tha Ibrahimi. Këto ushqime nuk zgjasin më shumë se disa ditë dhe djemtë do të m’i marrë prapë uria. Duro, i tha imami. Kur t’i mbarosh këto, Zoti do të të dërgojë një shenjë. Nisu tani se vajti vonë dhe të presin. Ibrahimi u përshëndet me imamin dhe doli nga xhamia. Pas pak u errësua. Dielli perëndoi dhe u fut në torbën e tij të mbushur. Rrugën e bëri thuajse me vrap. Në mesnatë, arriti në fshat i rraskapitur, por i çliruar. Një turmë me burra dhe gra ulërinin përpara shtëpisë. Sapo panë Ibrahimin u bënë si të tërbuar. Gratë filluan ta shanin, burrat e shtynë dhe e goditën. Ibrahimi nuk ktheu dorë, por shtrëngoi torbën fort dhe eci drejt shtëpisë. Nuk po kuptonte gjë, por mendonte për djemtë dhe për gruan. Duke ecur mes grushteve të burrave dhe mallkimeve të grave i doli përpara i vëllai, Vasili. Edhe ti Vasil, e pyeti Ibrahimi. Unë po i mbaj, u përgjigj i vëllai duke mos e parë në sy. Do ishte bërë hataja. Yt bir është çmendur. Thuaji të lirojë Mihalin se ka gjithë natën që e mban brenda dhe thotë se do ta vrasë. Ibrahimi nuk donte të dëgjonte më dhe u sul drejt shtëpisë. Gruaja e kishte parë dhe i hapi derën. Pa e lënë të fliste, i tregoi me zë të fikur ç’kishte ndodhur. Katër burrat kishin ardhur në mes të natës për të djegur kryqin. Atë natë, ata duket se kishin pirë sepse qeshnin dhe shanin me të madhe dhe duke bërë shenja në drejtim të shtëpisë këndonin me sa kishin në kokë: Ibrahim, o qafir, do të zhdukim me pahir, mysliman nga taksirati, nuk ka vend për ty fshati, Muhamedi është synet, Ibrahimi është lanet. Kur kryqi filloi të digjej deri në majë, burrat u larguan si përherë dhe unë u shtriva të fle, tha gruaja. Pas pak, dëgjova të bërtitura në oborr dhe kur dola pashë tët bir, që mbante për zverku njërin nga burrat dhe e tërhiqte për nga shtëpia. Duhet të ketë dalë nga dritarja dhe i është vënë pas nëpër fshat derisa e ka zënë, shtoi ajo. Ku është futur, e pyeti Ibrahimi. Në qilar i ke të dy, bëri me kokë ajo. Kur Ibrahimi hyri në qilar, i biri me një thikë në dorë ishte ulur në shesh. Në fund të qilarit, në errësirë, Mihali i Zoicës ishte i lidhur si bagëti nga këmbët. Gomar, i thirri të birit, të thashë të mos dilje nga shtëpia pa ardhur unë. Djali u ngrit në këmbë dhe faqja e njomë iu djersit. I ati e kishte fyer në sy të presë së tij dhe kjo e kishte zhburrëruar. Ibrahimi e kuptoi dhe iu drejtua Mihalit. Ç’pate me familjen time, o bukëshkalë? Më liro, iu lut Mihali. Për atë Zot nuk kam më punë me ty. Edhe dritaren që zura me dru do ta hap, le të thotë ç’të dojë pleqësia. Mos e beso baba, i foli i biri nga prapa. Po e lirove, ata do të vijnë prapë nesër të djegin kryqin dhe do të të shajnë ty. Ky të ka sharë qafir në mes të fshatit. Unë nuk duroj dot të më thonë djalë qafiri. Po e lirove ti, unë do ta vras nesër, siç na kanë vrarë këta. Ibrahimi u ftoh. Kur kishte ikur, djali ishte një kalama, ndërsa tani ai kishte përpara një burrë, i cili i vinte kushte. Ma jep thikën, i tha të birit. I biri rezistoi një çast dhe pastaj, duke e parë në sy të atin, i tha: Po e lirove fshati do mendojë se jemi frikësuar. Ma lër ta ruaj unë këtë kërmë dhe shko të bisedosh me pleqësinë. Në qoftë se ata duan që të na ngordhin për bukë le të vdesë ky para nesh. Ibrahimi nuk i besonte veshëve. Nga jashtë të thirrurat e turmës po shtoheshin dhe ai nuk kishte kohë të arsyetonte nëse pjekuria e të birit ishte fryt i moshës apo i urisë së ditëve të fundit. Pemët piqen duke u ushqyer, mendoi, njerëzit piqen nga uria. Më jep thikën dhe shko lart, i thirri. Djali i zgjati thikën. Merre, i tha, kryqe dhe thika gjen sa të duash në fshat. Ibrahimi iu afrua Mihalit dhe ia liroi pak litarët. Sonte do flesh këtu, i tha. Liria jote nuk varet më nga unë. Mos luaj me zjarrin dhe më lër të shkoj në shtëpi, u përpoq ta bindte Mihali. Ka kohë për të ikur, iu përgjigj Ibrahimi që shoi qiririn dhe e la tjetrin në errësirë. Doli në oborr dhe të bërtiturat e njerëzve që e prisnin pushuan për një çast, por kur e panë vetëm, familjarët e Mihalit nuk u përmbajtën dot. Ibrahimi ngriti dorën, për t’i lënë të kuptonin se kishte për të thënë diçka, dhe ata pushuan. Mihali do të rrijë në shtëpinë time. Dua të flas me pleqësinë dhe ta zgjidhim gjithçka në paqe, si vëllezër të një fshati. Turmën e përshkoi një mërmërimë, por askush nuk e sulmoi Ibrahimin. Qetësia e tij i kishte ngurtësuar të gjithë. Çfarë do nga pleqësia, pyeti dikush nga turma. Unë nuk ika nga fshati dhe djemtë e mi meritojnë të hanë dhe të martohen aty ku kanë lindur. Iknë në shtëpi dhe mos kini merak. Mihalin nuk e gjen gjë në shtëpinë time, por jeta e tij varet nga ju, më shumë se nga unë. Pleqësia të ndryshojë vendimin dhe ne mbetemi gjitonë siç ishim më parë. Kaq tha Ibrahimi dhe u drejtua nga shtëpia. Turma mbeti jashtë si e ngrirë. Myslimani po i vinte kushte fshatit dhe kjo ishte një situatë që askush nuk mund ta përtypte. Vëllai i Mihalit nuk e mbajti dot zemërimin dhe thirri: Ibrahim, o derr, me dorën time do të ther. Por të tjerët iu hodhën, e kapën nga krahët dhe e detyruan të pushojë. Mendo për tët vëlla, i thanë. Ik qetësohu sonte, nesër mblidhemi në pleqësi. Turma u shpërnda në errësirë dhe atë natë fshati nuk fjeti duke menduar për të nesërmen. Pleqësia u mblodh në mëngjes. Burrat dukeshin të dërrmuar. Plani i tyre nuk kishte ecur. Vëllai i Mihalit i kishte sytë e kuq. Ai u thërriste të gjithëve dhe kundërshtonte çdo propozim që i dukej se e vononte lirimin e Mihalit. Të shkojmë tani, ta nxjerrim me forcë. Ibrahimi dhe kalamajtë e tij nuk mund t’i bëjnë ballë njëzet burrave të armatosur. Burrat dukeshin të heshtur. Frikacakë, i kthehej ai. Im vëlla e ka kokën nën thikë, ju tirrni lesh këtu. Menduat se do ta qëronit Ibrahimin duke e lënë pa bukë dhe pa kripë. Por ai shkoi në qytet dhe myslimanët e tjerë ia mbushën torbën. Por derri nuk zbutet nga uria. Kur ju gërhisnit çdo natë, unë dhe im vëlla shkonim dhe e kërcënonim me zjarr. Ibrahimi do dorëzohej po të mos e zinte ai kalama Mihalin në mes të natës. i zuri pusi, njëlloj si xhaxhai i të atit atëherë. E priti te dera e shtëpisë dhe i vuri thikën në fyt. Do ta vras atë bir bushtre. Vasili, që deri atë kohë nuk e kishte hapur gojën, nuk duroi dhe kërceu nga vendi. Mos i hap plagët e vjetra se nuk ndahemi mirë, iu hakërrye ai. Të dy burrat u shanë dhe desh nxorën thikat, për të tjerët ndërhynë për t’i ndarë. Kryetari i pleqësisë u çua në këmbë dhe mjekra e tij e moçme i bëri të gjithë të heshtin. Ti dhe Mihali nuk keni respektuar vendimin e pleqësisë, tha ai. Ne nuk ju thamë që të digjnit kryqe në oborrin e Ibrahimit. Tani, ai ta ka marrë vëllanë dhe ti na kërkon ne ta lirojmë sepse e di që vetë nuk ia del dot. Por, edhe sikur t’ia dalësh, ne nuk do të lëmë sepse në fund të këtij sherri ka gjak. Nuk duhet të derdhim gjak në fshat sepse hasmëria do të zgjerohet si rrathët e ujit dh e pastaj fshati do të prishet. Vasil, shko fol me tët vëlla dhe na thuaj çfarë kërkon që të lirojë Mihalin që fshati të qetësohet. Çfarë t’i premtoj, pyeti Vasili. Thuaji se do t’ia falim rrëmbimin e Mihalit. Ai është i lirë të lëvizë nëpër fshat dhe askush nuk do ta prekë me dorë atë dhe familjen e tij. Po bukë, tha Vasili. Ai do kërkojë që fshati t’i shesë bukë si më parë. Nuk kemi bukë të tepërt, u hodhën burrat, por ai mund të shkojë sa herë të dojë në qytet të mbushë torbën e tij dhe ne nuk do ta pengojmë. Po nëse nuk pranon? Nëse nuk e dorëzon Mihalin deri nesër, shtëpia e tij do rrethohet dhe as miza nuk do të hyjë më në atë xhami. Ai nuk do lejohet të shkojë në qytet për ushqim dhe bagëtia e tij do ngordhin se ne nuk do t’i lëmë të kullotin. Po qe se nuk pranon, rrethimi fillon nesër në mëngjes dhe ai do dorëzohet që të mos vdesë urie. Vetëm kaq, pyeti Vasili që nuk dukej i bindur. Premtoji edhe tokën që i ke marrë, tha kryetari i vendosur. Vasili donte të thoshte diçka, por ata nuk e lanë dhe ai u nis. Jashtë kishte zënë shi. Kur hyri në oborr, thirri të vëllanë. Ibrahimi hapi derën dhe e ftoi brenda. Je lagur, Vasil, tha ai dhe i kërkoi të shoqes një peshqir. Vasili e mori, fshiu kokën dhe filloi të fliste. Duhet ta lirosh Mihalin, ndryshe ata do të të rrethojnë shtëpinë derisa të dorëzohesh nga uria. Po dole, do të të rrëmbejnë dhe do të të lidhin ty dhe fëmijët. Bagëtinë nuk do ta lënë të kullosë. Duhet ta lirosh deri sot natën. Kaq, pyeti Ibrahimi që rrinte me kokën ulur, ndërsa e shoqja i solli të dyve nga një kafe. Nëse liron Mihalin, pleqësia do të lejojë të lëvizësh nëpër fshat dhe të shkosh në qytet sa herë të duash. Askush nuk ka punë me ty dhe djemtë e tu dhe kurrkush nuk do të djegë më kryqe natën. Nuk mjafton, tha Ibrahimi. Ky fshat nuk do gjejë qetësi në qoftë se çdo gjë nuk kthehet si më parë. Im bir, i madhi është rritur për një ditë. Ai nuk harron fyerjen që na kanë bërë dhe unë kam frikë se ai do vrasë këdo që nuk i jep bukë dhe nuk i flet të atit. Në qoftë se ai vret do ta vrasin, tha Vasili. Në qoftë se ata vrasin dhe unë do të vras. Edhe ty do të të vrasin Ibrahim, i tha i vëllai. Po ti Vasil, iu kthye Ibrahimi me inat. Do shohësh se si unë dhe djemtë e mi theremi si kafshë pa i bërë keq askujt? Unë nuk kam vjedhur dhe nuk kam vrarë, dhe nuk i kërkoj gjë njeriu. Dua të jetoj si gjithë të tjerët. Po ti je mysliman, i tha Vasili dhe kjo i frikëson të gjithë. Prifti thotë se nëse ne lejojmë që djemtë e tu të martohen me vajzat tona, atëherë fara jote do ta kthejë siç ishe më parë, i krishterë? Të gjithë do të ta falin dhe çdo gjë do të kthehet si më parë. Mendohu, i tha Vasili dhe i vuri dorën mbi sup. E shoqja, që e ndiqte bisedën pa folur, lëvizi për herë të parë dhe Ibrahimit iu duk sikur ajo po e miratonte Vasilin. Ai e pa ashpër në sy dhe ajo nuk e hapi gojën. Gjërat kanë shkuar larg, Vasil. Unë nuk jam më ai që isha dhe fshati nuk është më i pari. Kam një muaj që unë i lutem Zotit tim të ri. Nëse unë kthehem i krishterë siç isha as Zoti i parë që e tradhtova dhe as i dyti që ti më kërkon ta tradhtoj nuk do jenë më me mua. Fshati do të tallet njëlloj dhe unë nuk mund t’u lë këtë turp djemve të mi. I thuaj fshatit që Mihali do të lirohet vetëm nëse vendimi i pleqësisë ndryshon. Kush nuk do të më flasë le mos më flasë, por pleqësia nuk duhet të detyrojë askënd të mos më thotë mirëmëngjes. Djemtë e mi do të martohen në fshat aty ku një ditë bashkë me fëmijët e tyre do nderojnë varrin tim. Unë kam lindur shqiptar dhe jo mysliman. Dua që fshati të më respektojë siç kam lindur dhe jo si do vdes. Vasili dukej i përlotur. Ata nuk do pranojnë, tha ai. Mos i bjer murit me kokë, Ibrahim. Do të të kthej edhe tokën që na la babai. Mos m’u lut, i tha prerë Ibrahimi. Thuaj këto që të thashë, përndryshe Mihali do të vdesë këtu bashkë me ne të tjerët. Sa për tokën, nuk po të them faleminderit sepse më ke kthyer atë që e kam pasur. Edhe kur të vdes toka nuk do të jetë e jotja. Vasili u ngrit të dilte, ndërsa e shoqja kishte mbuluar sytë me duar. Djali i madh, që kishte dëgjuar të gjithë bisedën mes vëllezërve, hyri në dhomë dhe i përqafoi këmbët Ibrahimit. Pleqësia e priti Vasilin e mbledhur. Nuk pranon, tha ai sa u duk te dera. Ç’të tha, e pyetën burrat. Do që çdo gjë të kthehet siç ishte. Ai ju jep mish dhe fshati duhet t’i japë bukë. Kush do t’i flasë le t’i flasë, por pleqësia nuk duhet të detyrojë askënd që të mos e përshëndesë rrugës. Kërkon po ashtu që mos ndalojmë vajzat të martohen me djemtë e tij. Përndryshe, më tha që Mihali do të vdesë bashkë me të, sepse ai nuk dorëzohet. Burrat rënduan më shumë mbi jastëkët ku ishin ulur. Ata e ndienin se vendimi i tyre tani do të ishte edhe më i rëndë për fshatin. Nuk kemi rrugë tjetër, tha kryetari duke u ngritur dorën sikur po shpallte luftë. Ibrahimi zgjodhi më të keqen. Bëhuni gati për rrethimin. Asnjeri të mos hyjë me forcë në shtëpinë e tij. Nëse Ibrahimi apo dikush del nga shtëpia do ta marrim dhe do ta lidhim derisa të lirohet Mihali. Bagëtinë po ashtu. Burrat nuk pritën të nesërmen, por e rrethuan shtëpinë e Ibrahimit që në mbrëmje. Shiu nuk kish pushuar gjithë ditën dhe ata kërkuan velenxa të mëdha nën të cilat u shtrinë gjatë natës. gratë u çonin për të ngrënë dhe burrat pinin raki që të duronin lagështinë që i kishte mbërthyer gjymtyrët. Shiu vazhdoi pa pushim. Të nesërmen në mëngjes burrat dukeshin të lodhur, por të vendosur ta vazhdonin rrethimin. Ibrahimi i shikonte nga brenda shtëpisë. I shikonte ashtu të shtrirë në shi dhe mendonte se si i kishte ndryshuar jeta, pasi hyri në Islam. Njerëz me të cilët familja e tij kishte jetuar për qindra vjet, duke ndarë lindje dhe varrime, tani torturoheshin në shi, duke uruar që ai të vdiste sa më shpejt për t’i lënë rehat të ktheheshin në shtëpitë e tyre të ngrohta. Ditën e tretë të rrethimit shumë nga burrat filluan të kolliteshin dhe të teshtinin. Ibrahimi shikonte gratë që vinin dhe i sillnin burrave kupa të nxehura me raki që ata i përpinin për të ngrohur barqet e plevitosura. Shumica ishin ftohur e megjithatë asnjeri nuk e kishte lënë rrethimin. Ditën e gjashtë shiu vazhdonte. Burrat kishin ndërtuar një tendë me kashtë dhe ishin futur poshtë saj për t’u mbrojtur nga uji që derdhej nga qielli me ibrik. Tenda ishte e vogël dhe nuk i nxinte të gjithë burrat. Ata kishin vendosur ta bënin rrethimin me turne. Kur disa shtriheshin nën tendë, të tjerët i vinin rrotull shtëpisë duke parë me inat nga dritaret e Ibrahimit. Natën ndiznin zjarr, mbi të cilin piqnin gështenja që i pinin me raki. Një natë, Ibrahimi hapi derën e shtëpisë dhe burrat brofën në këmbë të alarmuar. Po del, thirrën ata. Kujdes ta kapim. U vunë në pozicion sulmi dhe pritën gjahun. Pas pak një domate kërceu në errësirë dhe u zgërlaq në këmbët e njërit prej burrave. I zënë në befasi, burri u tremb dhe ra përmbys mbi purenë e kuqe të domates. Ibrahimi me të birin filluan të qeshin nga brenda. Le të mendojmë se kemi ushqim më shumë se ç’kanë ata durim, i tha Ibrahimi të birit që rritej çdo ditë. Po tallet me ne myslimani, thanë burrat dhe filluan të këndojnë për të nxjerrë dufin dhe të ftohtin: Ibrahim, o lamash, sot ti qesh, nesër do qash. Ibrahim ha domate, je i skuqur me mëkate.