Pages

Kapitulli 18 - Romani ''Te Jetosh Ne Ishull'' Ben Blush

Në fund të dhjetorit bëri stuhi. Dëbora e mbuloi furrën në oborr dhe Jani i pastroi plloçat me lopatë që të hapte derën e shtëpisë. Rrugët e fshatit u zunë dhe Ibrahimi nuk doli më për gjah. Natën e Vitit të Ri Sara gatoi lepurin tjetër që, pasi e kishte
mbushur me kripë, e kishte mbuluar me lëkurën e vet dhe e mbante në qilar duke i hedhur akull sipër. U ulën të gjithë të hanin, ndërsa Ana Komnena rrinte poshtë duke luajtur me këmbët e tyre nën tavolinë. Gëzuar Vitin e Ri, tha Sara. Një vit i mbarë, tha Ibrahimi dhe i dha Janit një gotë raki që ai e piu me një frymë për t’i treguar të atit se ishte bërë burrë. Por fyti i dogji aq shumë, saqë sytë iu skuqën dhe iu mor fryma. I dhanë një gotë ujë dhe u qetësua, por oreksi iu pre dhe u zverdh. Nikoja hëngri vetëm petanik me fasule dhe nuk e preku lepurin, ndërsa Aliu e uli Skënderbeun në tavolinë dhe i uroi Vitin e Ri. Muhamedi hante ngadalë, i mbështjellë me batanije. E ftohura e kishte bërë më të menduar dhe tokën e rrumbullakët e mbante në mes të këmbëve të mbuluar me batanije. Natën e Vitit të Ri ka lindur toka, e pyeti ai Sarën. Toka duhet të ketë lindur në verë, tha Niko, sepse në dimër nuk mbijnë pemët dhe lulet. Lumenjtë ngrijnë dhe kafshët flenë e nuk lindin fëmijë. Toka ka lindur në rrëmujë dhe data e lindjes nuk dihet, tha Sara. E si lindi toka në rrëmujë, pyeti Aliu. Në fillim bota ishte si shtëpia jonë para se ta rregullonim, tha Sara. Krevati, sëndukët, qilimat, pjatat, tavolina dhe qirinjtë nuk ishin aty ku janë tani, por prisnin në oborr që ne t’i vinim në vendin e tyre. Djemtë nuk po kuptonin dhe Sara filloi të tregonte. Për shumë kohë, bota jetoi në rrëmujë dhe grekët këtë kohë e quajtën Kaos që do të thotë rrëmujë. Nga Kaosi lindi Gjea që do të thotë tokë dhe nga Gjea lindi Urani që është qielli. Nga Urani lindi Kronosi që do të thotë kohë dhe i cili luftoi me babanë e tij siç bëjnë të gjithë perënditë. Lufta mes Uranit dhe Kronit vazhdoi gjatë, aq sa nuk mund të matet, por Kroni fitoi dhe u bë Zot i botës. Atij i lindën tre djem: Zeusi, Poseidoni dhe Hadi. Por Kronosit i kishin thënë se koha e tij nuk do të ishte shumë e gjatë sepse njëri nga djemtë e tij do ta vriste për t’i zënë vendin. Kronosi vendosi të vriste fëmijët e tij, të cilët i hante një nga një. Por gruaja e tij e fshehu Zeusin në ishullin e Kretës dhe në vend të tij i dha Kronosit një gur të mbështjellë me pelena dhe ai e hëngri. Pa e ditur, Kronosi e mori Zeusin si shërbëtor në shtëpinë e tij dhe një ditë ky e helmoi duke i hedhur një bar të keq në gotën e verës. Kronosi u shtri i pafuqishëm dhe Zeusi e sulmoi. Lufta ishte e ashpër dhe bota ishte prapë në buzë të Kaosit, por Zeusi thirri në ndihmë të tij dy vëllezërit e vet, Hadin dhe Poseidonin dhe të tre e mundën babanë. Kur fituan, tre vëllezërit e ndanë botën në tre pjesë: Zeusi u bë perëndia e njerëzve dhe zot i rrufeve, i stuhive, i bubullimave, i nxehtësisë dhe i dritës. Poseidoni u bë mbret i detit dhe ishte shumë hakmarrës. Sa herë që nuk i pëlqente ndonjë gjë ai i përmbyste fshatrat dhe qytetet. Vëllai i tretë Hadi mori mbretërinë e të vdekurve dhe u bë perëndia e vdekjes. Kur Zeusi dhe Poseidoni vendosnin të vrisnin njerëz, ata i merrte vëllai tjetër, Hadi. Kështu që Zeusi mbretëronte në qiell, Poseidoni në det dhe Hadi nën tokë. Sara nuk kishte mbaruar kur Nikoja, për të mos i lënë vëllezërit të zgjidhnin para tij, tha: Unë jam Zeusi, e zgjodha i pari, dhe pa nga Ibrahimi që po shikonte në fund të gotës së rakisë, sikur maste kohën. Unë jam Poseidoni, tha Aliu, e shkatërroj fshatin kur të dua. Po ti Muhamed çfarë do, e pyeti Jani. Muhamedi që e kishte dëgjuar Sarën duke u dridhur, rregulloi velenxën mbi supe dhe tha: Të gjithë njerëzit do vdesin një ditë dhe do vinë në mbretërinë time. Unë jam Hadi. Po nëse njerëzit sillen mirë do t’i lësh të dalin nga mbretëria jote, e pyeti Sara. Anën do ta lë, u përgjigj Muhamedi, ndërsa për ju të tjerët do mendohem. Mihalit, gjitonit tonë dhe dajë Llambros nuk do t’i jap leje sepse ata janë zënë me babanë. Petro iku pa leje nga shtëpia, por në mbretërinë time ka një derë shumë më të madhe se dera e shtëpisë sonë. Çelësat e kësaj dere unë i mbaj vetë dhe Petro nuk do largohet më pa lajmëruar. Ali Tepelenën do ta mbaj përgjithmonë në Had, ndërsa Thanasit do t’i them që, nëse do të kthehet mbi tokë gjatë verës, të ndahet nga Ali Tepelena. Që kur ishte bërë Had, Muhamedi kishte drejtuar trupin dhe nuk shikonte asnjeri në sy, por shtrëngonte fort tokën e rrumbullakët se mos i ikte nga duart. Po Krishtin pse e le të dilte nga Hadi, e ngacmoi Ibrahimi duke qeshur. Muhamedi pa nga Sara i hutuar, sepse nuk dinte si të përgjigjej. Një ditë, ajo i kishte thënë se Krishtin e kishin vrarë në kryq dhe pas tri ditësh ai ishte ngjallur prapë dhe asnjeri nuk e dinte ku kishte shkuar. Krishti iku pa leje sepse e ndihmoi Zeusi, por pas tri ditësh e gjeta dhe e futa prapë në Had, tha Muhamedi. Po çfarë bëri Krishti për tri ditë, pyeti Aliu. Ndoshta u kthye të takojë gruan, tha Niko. Krishti nuk ishte i martuar, tha Jani duke e parë Nikon me inat. Ndoshta ishte, tha Sara, por kjo nuk dihet mirë sepse historitë e jetës së tij janë shkruar shumë vjet pasi ai u zhduk dhe ata që i shkruan nuk i dinin të gjitha ose nuk kanë dashur t’i tregojnë të gjitha. Pse nuk kanë dashur t’i tregojnë të gjitha, pyeti Niko. Sara pa nga Ibrahimi që rrinte i menduar në krye të tavolinës dhe shtrëngonte gotën e rakisë në dorë. Sepse po t’i tregonin të gjitha, Krishti do t’i ngjante gjithë burrave të tjerë që lindin nga martesa e prindërve të tyre, martohen me gra, bëjnë fëmijë me to dhe kur vdesin e kanë një varr. Ata donin që Krishti të mos i ngjante asnjë burri përpara tij dhe prandaj ai nuk ka lindur nga babai i tij, nuk është martuar, nuk ka fëmijë dhe nuk ka varr, tha Sara, e cila fliste ngadalë sikur po bënte një meshë. Në qoftë se këto janë të vërteta, Krishti duhet të ketë qenë një njeri shumë i vetmuar, tha Muhamedi, sepse një njeri që nuk ka fëmijë nuk ka si e shtyn kohën. Krishti nuk ishte një njeri si ne të tjerët, ai ishte biri i Zotit, ndërhyri Jani me zë të rreptë. Zoti e solli në tokë që t’i tregonte njerëzve se çfarë duhet të bënin duke ndjekur rrugën e Krishtit dhe ne duhet ta nderojmë sakrificën e tij. Po, nëse martohesh, nuk je në rrugën e Krishtit, pyeti Niko. Jo, tha Sara, Krishti nuk i tha askujt që nuk duhet të martohet. Edhe unë do martohem, tha Niko, sepse gratë duhen për të bërë bukë dhe fëmijë. Sara qeshi dhe Ibrahimi ktheu pak raki. Djemtë rrinin të menduar, ndërsa Ana i mori Muhamedit tokën e rrumbullakët dhe ai nuk e kundërshtoi. Po Muhamedi ka qenë i martuar, pyeti Jani duke parë nga Ibrahimi. Muhamedi ka pasur shumë gra dhe sillej mirë me to, tha Ibrahimi. Shokët e Muhamedit paskan qenë spiunë, tha Aliu. Ata i treguan njerëzve që Muhamedi kishte shumë gra, kurse shokët e Krishtit nuk i thanë njeriu. Muhamedi nuk ishte djali i Zotit, tha Sara dhe atij i lejohej të bënte si gjithë njerëzit e tjerë. Atij i fliste Zoti në vesh dhe i thoshte se çfarë duhet të bëjë një njeri që të quhet i mirë dhe çfarë nuk duhet të bëjë që të mos quhet i keq. Po fëmijë kishte Muhamedi, pyeti Aliu. Kishte dhe djem dhe vajza, u përgjigj Ibrahimi. Po varr ka, ngulmoi Aliu. Ka varr si gjithë të tjerët dhe vdiq nga pleqëria, tha Ibrahimi duke parë në sy Muhamedin që e kishte mendjen tek Ana, e cila e përplasi fort tokën përtokë. Zoti paska dashur më shumë Muhamedin se Krishtin, tha Niko, sepse Muhamedi ia paska dhënë të gjitha: edhe gra, edhe fëmijë, edhe një varr ku ta qajnë, kurse Krishtin e paska torturuar. Nuk e ka torturuar, por e ka marrë pranë vetes, ndërsa Muhamedin e la në tokë për t’i treguar njerëzve se atë nuk e do sa Krishtin, tha Jani. Përderisa ka një varr dhe ka jetuar si gjithë njerëzit e tjerë Muhamedi nuk e provon dot se Zoti i fliste në vesh dhe i jepte urdhra, tha Muhamedi duke parë nga i ati. Edhe unë mund të bëj sikur dikush më flet në vesh dhe t’ju urdhëroj ju që të më bindeni në emër të Zotit. Ti nuk je gënjeshtar, bëri shaka Ibrahimi. Muhamedit dikush i flet në gjumë, tha Aliu duke u ngritur në këmbë sikur po thoshte diçka me rëndësi. Të gjithë panë nga Muhamedi që nuk u duk i mërzitur nga fjalët e të vëllait. Kush të flet në gjumë Muhamed, e pyeti Sara. Jam në gjumë dhe nuk ia kam parë fytyrën, tha Muhamedi, por nuk besoj se është Zoti se kur ai më flet unë nuk kam frikë. Edhe në qoftë se është Zoti, nuk duhet të kesh frikë, tha Ibrahimi që po e shikonte të birin me sy të ngulur. Njerëzit e kanë frikë Zotin se po të mos e kishin frikë nuk do ta dëgjonin, u përgjigj Muhamedi dhe ul nën tavolinë dhe mori tokën e rrumbullakët. Anën e kishte zënë gjumi mbi qilim. Sara e mori në krahë dhe e çoi në krevat. Të gjithë në gjumë, tha Ibrahimi duke u çuar nga tavolina. Është vonë dhe ka ardhur Viti i Ri. Shkojmë të çlodhemi, tha Muhamedi, këtë vit do ndërtojmë shtëpi. Jani e pa si i hutuar, i tha natën e mirë Ibrahimit dhe shkoi në shtrat duke i marrë vëllezërit me vete. Kur u shtri, Ibrahimi e pyeti Sarën se pse i kishte thënë djemve se Krishti mund të kishte qenë i martuar. Ata po rriten dhe nuk kanë pse besojnë çdo përrallë që dëgjojnë, tha Sara. Shuaji qirinjtë, i tha Ibrahimi duke qeshur. Nuk të mjaftojnë gjashtë djem, ia ktheu Sara duke e parë me bisht të syrit. U fut nën velenxë dhe trupi i Ibrahimit e ngrohu menjëherë. Qirinjtë u dogjën duke parë njëri-tjetrin, deri në mëngjes.