Pages

Shkolla e shkrimi shqip pas Kongresit të Manastirit dhe dhuna xhonturke (dhjetor 1908 - gusht 1909)


Të mbështetur në vendimet e Kongresit të Manastirit, atdhetarët shqiptarë hapën shkolla të reja shqipe dhe i shtuan përpjekjet për të përhapur shkrimin shqip në të katër anët e vendit. Në janar të vitit 1909 klubi i Elbasanit mblodhi të holla të mjaftueshme për të mbajtur me mjetet e tij 4 shkolla shqipe, një në qytet me 100 nxënës dhe tri në fshatra me nga 60 nxënës secila. Klubi kishte caktuar gjithashtu 3 mësues shëtitës në krahinën e Shpatit, të cilët u mësonin gjuhën shqipe fëmijëve e banorëve të rritur të 10 fshatrave. Përveç këtyre, që nga fundi i vitit 1908 në Shpat funksiononin 4 shkolla shqipe, ku mësonin fëmijët e 19 fshatrave.
Në janar-shkurt të vitit 1909 u ngrit një shkollë shqipe në Glinë të Leskovikut, një në Pogradec, dy shkolla shqipe në katundet Kakos e Selenicë të Frashërit (në të cilat mësonin edhe fëmijët e katundeve përreth), një shkollë shqipe në katundin Cakran të Fierit dhe një tjetër në Negovan. Në shkurt të vitit 1909 filloi të funksiononte shkolla shqipe e Kumanovës, që u hap nga klubi shqiptar i këtij qyteti. Në fillim të vitit 1909, pas një lufte të ashpër me oficerët xhonturq, u arrit të çelen shkolla shqipe në qytetin e Ohrit. Në mars të vitit 1909 në Korçë, përveç dy shkollave të hapura menjëherë pas shpalljes së kushtetutës, u çel edhe një shkollë tjetër e pavarur për djem, kurse në verën e atij viti u çel një shkollë shqipe në fshatin Libohovë.
Me përpjekjet e klubeve vijoi të futet mësimi i gjuhës shqipe në shkollat shtetërore turke dhe të huaja. Në dhjetor të vitit 1908 mësimi i gjuhës shqipe ishte futur si lëndë e detyrueshme në të katër shkollat fillore turke të Elbasanit, në atë gjysmë të mesme (qytetëse), si edhe në shkollën e komunitetit ortodoks. Pranë kësaj shkolle ishte ngritur edhe një kurs nate për mësimin e shqipes, që ndiqej nga 60 djem. Pas kësaj qeveria greke i preu kësaj shkolle subvencionimin.
Në fillim të vitit 1909 klubet shqiptare arritën të fusnin mësimin e gjuhës shqipe në shkollat fillore turke të Gjirokastrës, të Frashërit, të Përmetit, të Tepelenës, të Beratit, të Peqinit, të disa fshatrave të Mallakastrës etj., ndërsa klubi i Vlorës e shndërroi shkollën fillore turke të këtij qyteti në shkollë shqipe. Mësimi i shqipes u fut gjithashtu në shkollat turke të fshatrave Qesarakë, Novoselë e Selenicë e Kolonjës dhe në shkollën greke të Fierit.
Në pranverën e vitit 1909, falë përpjekjeve të klubeve e të mësuesve atdhetarë, gjuha shqipe mësohej edhe në shkollat qytetëse (ruzhdie) turke të Vlorës, të Përmetit, të Mitrovicës, të Beratit si dhe në disa gjimnaze (idadie) të vendit, si në atë të Manastirit, të Gjirokastrës, të Beratit, të Korçës, të Janinës, të Durrësit, të Shkupit etj. Në mjaft qytete të Shqipërisë u kërkua që gjuha shqipe të përdorej edhe në gjykata e në predikimet fetare të kishës ortodokse. Në fundin e shkurtit të vitit 1909 klubi i Korçës, së bashku me përfaqësuesit e popullsisë ortodokse të këtij qyteti, vendosi që predikimi në kishat ortodokse të bëhej në gjuhën shqipe. Ky vendim iu njoftua edhe peshkopit të Korçës, Patrikanës së Stambollit dhe valiut të Manastirit. Ndërkaq, atdhetarët korçarë, me nismën e tyre, filluan të futnin gradualisht gjuhën shqipe në kishat e qytetit. Në kishën e Negovanit predikimi filloi të bëhej gjithashtu në shqip.
Edhe përfaqësuesit e popullsisë katolike e myslimane të Kurbinit, në mbledhjen që mbajtën në gusht të vitit 1909, kërkuan nga qeveria turke që të hapte shkolla fillore shqipe në fshatrat e kësaj krahine. Klubi i Elbasanit, për të shmangur pengesat që xhonturqit u nxirrnin shkollave shqipe, u propozoi më 31 dhjetor gjithë klubeve shqiptare që t’i përcillnin parlamentit turk e deputetëve shqiptarë kërkesën për njohjen zyrtare të kombësisë shqiptare, plotësimi i së cilës do t’u siguronte shqiptarëve të drejtat kombëtare në lëmin e kulturës dhe të arsimit. Por kjo kërkesë nuk u miratua nga qeveria turke. Shkolla shqipe qysh në periudhën e parë pas revolucionit u ndesh me përpjekjet e xhonturqve për të penguar përhapjen e saj. Prandaj edhe përkrahja që shqiptarët u dhanë xhonturqve për shtypjen e kundërrevolucionit të prillit të vitit 1909, ishte akti i fundit i bashkëpunimit me ta. Pasi forcuan pozitat në Stamboll, xhonturqit kaluan në përdorimin e masave shtypëse ndaj lëvizjes kulturore të popujve të shtypur në përgjithësi dhe të shqiptarëve në veçanti.
Lëvizja për arsimin e kulturën kombëtare shqiptare u gjend shumë shpejt përballë goditjeve të Komitetit “Bashkim e Përparim”, i cili, meqë paraqitej si mbrojtës i kushtetutës, vepronte më shpesh në mënyrë të fshehtë sesa të hapur. Një nga mjetet kryesore që xhonturqit përdorën për të ndaluar këtë lëvizje, për t’i përçarë shqiptarët sipas dasisë fetare dhe për të penguar ngritjen e ndërgjegjes kombëtare, ishte propaganda e shkrimit të gjuhës shqipe me alfabetin arab, që filloi menjëherë pas Kongresit të Manastirit. Në shërbim të kësaj propagande u vunë disa nga klerikët konservatorë myslimanë dhe elementë të tjerë fanatikë e turkomanë, të cilët, duke shfrytëzuar ndjenjat fetare të popullsisë myslimane shqiptare, u përpoqën të formonin tek ajo bindjen se shkronjat latine janë të të pafeve (të kaurëve), se binin ndesh me fenë islame dhe se shqipja mund të shkruhej vetëm me alfabetin turko-arab, që ishte i shenjtë, sepse me të ishte shkruar Kurani. Në fillim të vitit 1909 u formua në Stamboll “Shoqëria për mësimin dhe për shkrimin e gjuhës shqipe me shkronjat turqishte”, e përbërë kryesisht nga ulematë (klerikët e lartë) myslimanë, që shpërndante thirrje dhe abetare shqipe me alfabetin arab. Një abetare e tillë u përhap në viset e ndryshme të Shqipërisë në muajin janar të atij viti.
Kjo fushatë u shoqërua me orvatjet, që xhonturqit bënë për të provokuar mitingje të elementëve fanatikë e turkomanë kundër përdorimit të alfabetit latin, siç ndodhi në fillim të shkurtit në Manastir, në Dibër, në Follorinë e në Përlepë. Konsulli francez në Manastir, Pisho (Pichon), në informacionin e tij (të 16 shkurtit 1909), shkruante se “në këto tubime, të provokuara në mënyrë të fshehtë nga vetë autoritetet turke, nuk arritën të grumbullohen veçse hoxhallarët dhe turqit fanatikë, ndërsa shqiptarët, thuajse në mënyrë të përgjithshme nuk pranuan të duken atje”. Jo rastësisht këto mitingje u mbajtën në xhami. Po kështu, ulematë dhe disa nga hoxhallarët e Shkodrës, të nxitur nga Komiteti “Bashkim e Përparim” i këtij qyteti, duke përfituar nga fanatizmi i pjesës myslimane të popullsisë, zhvilluan në pranverën e vitit 1909 një agjitacion të fuqishëm për përdorimin e alfabetit arab në shkrimin e shqipes.
Ministria e Arsimit e Turqisë që në fund të vitit 1908 urdhëroi që në shkollat e vilajetit të Kosovës shqipja të mësohej me shkronjat arabe. Një urdhër i tillë iu dha në shkurt të vitit 1909 edhe prefekturës së Elbasanit. Po kështu vepruan autoritetet turke dhe komitetet xhonturke në qytetet e tjera të vendit, në Janinë, në Filat etj. Atdhetarët shqiptarë të këtyre trevave u vunë para një trysnie të dyfishtë, të shovinistëve grekë dhe të xhonturqve, që vepronin të bashkuar në luftën kundër shkollës dhe kundër shkrimit shqip. Në të njëjtën kohë komitetet xhonturke përkrahnin në ato ditë propagandën asimiluese panhelenike që disa profesorë grekë dhe Shoqëria “Etniki Heteria” (“Shoqëria Kombëtare”) zhvillonin në atë kohë në viset shqiptare të vilajetit të Janinës.
Për të fshehur veprimtarinë e tij armiqësore kundër kulturës shqiptare, Komiteti Qendror “Bashkim e Përparim” në mars të vitit 1909 u kumtoi klubeve shqiptare se “do të qëndronte asnjanës dhe nuk do të ndërhynte në çështjen e zgjedhjes së alfabetit të gjuhës shqipe”. Klubet e quajtën këtë deklaratë një përpjekje të re për të mashtruar shqiptarët dhe morën masa për të mbrojtur liritë kushtetuese e për t’i bërë ballë reaksionit xhonturk. Në protestën që klubi “Bashkimi” i Manastirit i dërgoi Komitetit Qendror “Bashkim e Përparim” në javën e fundit të marsit, i shkruante se, duke luftuar alfabetin shqip ky komitet bie ndesh me kushtetutën turke, e cila ua garanton gjithë popujve të Perandorisë të drejtën e mësimit dhe të shkrimit të gjuhës amtare. Në letërkëmbimin e tij të marsit të vitit 1909 me klubet e Filatit, të Korçës etj., klubi “Bashkimi” i Manastirit i quante këto veprime të xhonturqve dhe të turkomanëve shqiptarë për t’u imponuar shqiptarëve alfabetin arab, si veprime armiqësore kundër kombit shqiptar. Ai udhëzonte në ato ditë klubet e tjera kombëtare që “kundër këtyre tradhtarëve të mos vepronin vetëm me penë, por edhe me armë”.
Komiteti “Bashkim e Përparim” u orvat të zhdukte klubet shqiptare dhe atdhetarët më të njohur, që drejtonin luftën kundër reaksionit xhonturk. Në maj të vitit 1909 xhonturqit, pasi arrestuan disa nga veprimtarët e klubit “Labëria” të Vlorës dhe i detyruan të tjerët të arratiseshin jashtë Shqipërisë, e likuiduan këtë klub, që ishte një nga më të rëndësishmit në Shqipërinë e Jugut. Po në atë kohë mbyllën edhe klubin e Ohrit, kryesia e të cilit u çua e lidhur me pranga në Manastir e pastaj në Stamboll.
Në fundin e majit të vitit 1909 vetëm në Ohër, në Pogradec e në Strugë u arrestuan 17 veta, përkrahës të shkollës dhe të shkrimit shqip, që u akuzuan për propagandë reaksionare kundër regjimit kushtetues. Midis të arrestuarve ishin edhe Hamdi Ohri, një nga udhëheqësit më në zë të lëvizjes kombëtare në këtë trevë, që kishte kaluar vite të tëra në burgjet e sulltan Abdyl Hamitit, Xhemaledin Beu, kryetar i klubit të Ohrit dhe Mehmet Beu, sekretar i klubit, intelektual dhe përkrahës i shkollës shqipe. Klubet shqiptare protestuan kundër këtij veprimi të dhunshëm, derisa i detyruan xhonturqit t’i shpallnin të pafajshëm dhe t’i lironin këta atdhetarë.
Ditë të vështira kaloi në verën e vitit 1909 lëvizja kulturore kombëtare në Tiranë. Më 23 korrik, në përvjetorin e shpalljes së kushtetutës, u zhvillua në Tiranë ceremonia e hapjes së klubit të këtij qyteti. Ishte paraparë gjithashtu që më 24 të këtij muaji të çelej një shkollë shqipe e mbrëmjes për të rriturit dhe të fillonte në mënyrë të organizuar mësimi i gjuhës shqipe në të gjitha shkollat shtetërore turke të Tiranës. Por pikërisht në këtë ditë, me nxitjen e komiteteve xhonturke dhe të klubeve të oficerëve të lidhur me ta, nxënësit sulmuan e goditën në të gjitha shkollat mësuesit atdhetarë, sapo këta u njoftuan se nga ai çast do të fillonin mësimin e gjuhës shqipe. Më 27 korrik, po me shtytjen e klubeve të oficerëve, hynë në Tiranë më shumë se 200 fshatarë të armatosur, që demonstruan në rrugët e qytetit dhe para klubit të oficerëve, duke kërkuar mbylljen e klubit shqiptar dhe arrestimin e 64 anëtarëve të tij.
Veprimtarë të tillë të lëvizjes kombëtare në Tiranë, si Refik Toptani e bashkëpunëtorët e tij, ose klerikët atdhetarë Hafiz Ibrahim Dalliu, Beqir Luga etj., u sulmuan drejtpërdrejt dhe u fyen publikisht. Me këto veprime të xhonturqve e të turmave fanatike të këtij rrethi u mbyll klubi kombëtar i Tiranës dhe dështoi orvatja e atdhetarëve tiranas për të futur gjuhën shqipe në shkollat e këtij qyteti. E njëjta gjendje u krijua edhe në Durrës, në kryeqendrën e prefekturës, ku atdhetarët shqiptarë nuk guxonin të hapnin klube e shkolla shqipe, si edhe në nënprefekturën e Kavajës, ku përpjekjet për hapjen e shkollës shqipe e të mësimit shqip ndeshën në kundërshtimin e reaksionit xhonturk dhe të klerikëve fanatikë myslimanë.
Aktet e dhunshme të xhonturqve, sidomos ngjarjet e Tiranës, e bënë gazetën “Dielli” të shkruante në atë kohë se “sot punërat në Shqipëri janë më keq se në kohërat e Abdyl Hamitit. Sot gjuha shqipe ndiqet më tepër se kurrë ndonjëherë” (“Çështja e Tiranës”, 16 shtator 1909). Ishin këto veprime arbitrare të administratës osmane, që i bënë konsujt e huaj, bashkëkohës të këtyre ngjarjeve, të arrinin në përfundimin se turqit e rinj “po mbajnë qëndrim armiqësor ndaj nacionalizmit shqiptar”, se “duke zbatuar traditat hamitiane dhe në kundërshtim me premtimet e tyre solemne, ata po persekutojnë çdo shfaqje të ndjenjave kombëtare shqiptare”, se në Turqi po shkohej drejt një diktature ushtarake dhe se kishte rrezik që kushtetuta të kthehej në një iluzion. Politika turqizuese kundër shkollave e shkrimit shqip dhe konflikti i armatosur me shqiptarët, i nxitur nga administrata ushtarake osmane, zbuloi para popullit shqiptar thelbin reaksionar të regjimit xhonturk.