Pages

6 - Shqipëri: Ku janë dhe ç’bëjnë tani profetët? - Esad Dujaka Deja Vu

http://libratonline.blogspot.com/search/label/Esad%20Dujaka%20Deja%20VuShqipëri: Ku janë dhe ç’bëjnë tani profetët? 
Në Shkodër e vizituam edhe Pallatin e sporteve. Atë mbrëmje sportistët e rinj bënin ushtrime. Ishin djem faqekuq e të zhvilluar mirë. Në sallën tjetër stërvitin ata që ngrehin pesha. Me ta është trajneri i cili i këshillon, i udhëzon, ua mëson rregullat se si më lehtë mund të ngrihet pesha e rëndë 40, 50, 60 kilogramë. Janë të gjithë nxënës të shkollave të mesme të Shkodrës. E kur ushtrimet e parapara të asaj nate dhjetori morën fund, ata me fytyra të mërdhezura e të djersitur, pa bërë zhurmë, dalin nga salla. Na përshëndesin me buzë në gaz. Ne vazhdojmë të vizitojmë edhe sallat e tjera të këtij Pallati. Ndizen reflektorët e mëdhenj. Jemi tani në sallën më të madhe, e cila mund
t’i pranojë gati tre mijë shikues, në karriget (secila me numër) e të renditura në dhjetëra radhë në të katër anët e sallës. Poshtë dyshemeja shkëlqen si pasqyrë e në dy skajet koshat e basketbollit të vendosur në pllaka qelqi. Tavani i lartë mbi njëzet metra, i gastartë e i ngjyrosur me gjithfarë ngjyrash. Dikush i rrah shuplakët ashtu spontanisht, e zëri shpërndahet e rritet. Është kjo sallë akustike... -Dikur këtu i janë lutur zotit; kanë bërë meshë çdo të diele e për festa fetare, në emër të Krishtit që t’ua jep të mbarën, që „t’ua falë gjynahet e kësaj jete”. Atje ku tani është koshi i basketbollit, dikur profetërit më në zë të Shkodrës i derdhnin fjalët më të zjarrta nga „librat e shenjta” dhe jo vetëm nga ato. Tani, kur nëpër atë kosh sa herë përbirohet topi, jehon salla nga duartrokitjet të cilat japin një melodi në vete, kumbuese – ngadhënjim i së resë mbi të vjetrën. Janë këto fjalët e drejtorit të Pallatit të sporteve në Shkodër. Ai na njofton se këtë kishë katolike e kanë riparuar në vitin 1967. Tani, në vend të tingëllimave shurdhuese të kambanave (të cilat nuk janë më) jehon zëri i sportistëve dhe dashamirëve të tyre. Deri më sot nuk na „vrau” Zoti, e as kurrfarë „proteste” nga qielli nuk na ka arritur. Bile tani sportistëve tanë po u shkon më mbarë; në këtë sallë të re po korrin fitore pas fitoreje, - vazhdon fjalën e vetë drejtori i Pallatit, duke u mahitur. Edhe një kishë, të madhe gati sa kjo, shkodranët e kanë riparuar e shndërruar në kinema, e dhënë ia kanë emirin „Punëtori”. * * * Kanë kaluar tri vjet qysh se në Shqipëri religjionit i hyri „uji nën këmbë”, e luhati dhe e prajti përgjithmonë. Atë që i përcolli shekuj me radhë; perdja e predikimeve fetare - që të besojnë në kotësi. E prej atëherë shumë xhamia e kisha anembanë këtij vendi u shndërruan në shtëpi kulture, në shtëpi për pleq, kinema dhe salla të sportit. Të tjerat, ato më të vjetrat, me rëndë si historike, gjenden nën mbrojtjen e shtetit siç është përshembull xhamia në mes të Tiranës, përballë Pallatit të kulturës. Ato më të voglat (xhamia e kisha), i rrëzuan rrafsh me tokën e mbi ato troje u ngritën ndërtesa banimi, parqe të gjelbruara e lule. “Këtë aksion të madh e filloi rinia dhe ajo e pati në duart e saja. Ajo e thoshte fjalën vendimtare. Në Mirditë e rrënuan një kishë të madhe, nga mëllefi që të mos shohin më kryqa e as hënë e yll”... Kështu na njoftojnë shoqëruesit - gazetarë në Tiranë. Si e pritën më të vjetrit këtë gjë? “ Në fillim pak u erdhi keq, po dihet. Është vështirë të shkulësh me rrënjë nga zemrat e tyre xhamitë e kishat, me të cilat ata janë rritur. Por, më vonë grupe-grupe e gjithnjë më shumë pleqtë shkruan letra të hapura „se tani e kemi të qartë sa keqas jemi rrejtur e mashtruar në besime të kota duke u mbajtur në erë”.... Nuk e përjashtojmë mundësinë se gjenden të atillë që ende besojnë! Por, në një gjë jemi të sigurt: breznitë e reja që do të vijnë nuk do të jenë të lidhura me objektet (fetare) e tërë besimin do ta kthejnë në forcën e muskujve dhe të mendjes së tyre. Për ta xhamitë e kishat do të jenë si shenj kujtimi hiq i mirë - për religjionin që na përcolli shekuj me radhë”... Kështu shpreh mendimin e tij shkrimtari i shquar, Dritëro Agolli, në një bisedë spontane lidhur me këtë çështje të tyre. Po ç’ndodhi, ku janë e ç’bëjnë tani profetët? Kuptuam: shumica prej tyre janë nëpunës administratorë (arkëtarë) e në profesione të ngjashme me këto. Por, edhe të atillë që punojnë nëpër kooperativa, pa si janë kthyer në vendlindjet e tyre. Thonë se “kungimin e kryqin, Kuranin e „duatë” i kanë zëvendësuar me lapsa e makina llogaritëse, por edhe me kazmë dhe lopatë. Lutjet dhe ritet fetare - me zotime të reja në punë, në prodhim”... Shtojnë se i janë kthyer “jetës reale”. Janë martuar shumica prej tyre (që dikur ua ndalonte feja) e tani kanë edhe fëmijë. Këtë rrugë po e ndjekin edhe të tjerët... Ngadalë, në Shqipëri po shembet ai „muri” që i ndante myslimanët prej të krishterëve. Në tri vjetët e fundit martesat në mes tyre po rriten...