(Dialog i imagjinuar me 75 vajza fshatare të komunës së Gjakovës, të
cilat sivjet e kryen shkollën fillore, por që nuk janë më nxënëse.)
NDOSHTA NUK PO E NDIENI zërin tonë të shtjerrë, të frikësuar
që del i përzier me dënesje të mëshehta. Të një fjale jemi e një hall të
përbashkët e kemi: si t’ia bëjmë me këto pranga të padukshme të cilat
për ditë e më shumë po na e rëndojnë zemrën? Ju mundeni vetëm t’i
paramendoni se si duken këto pranga, por nuk e dini si të shitojnë, si ta
ndajnë rritën. Nuk kemi forcë e aq guxim të ngrisim grushtat tonë - e
t’i thyejmë xhamat e dritareve pas të cilave janë ditët e bardha, drita e
diturisë - SHKOLLA. Ajo dritë që aq shumë e
deshëm, por DIKUSH na
rrëmbeu, na largoi prej saj nga frika se do të na verbojë -„çika të dala
menç e të delendrisura”. Atë dritë kah e cila na kanë mbetur shikimet e
tretura, duart e shtrira, të mbetura shtang - si dikur kur vraponin livadheve
e grunajave pas fluturave të bardha të cilat iknin atje kah bjeshka...
Ata që ua qitën dorën përpara, ishin baballarët e vëllezërit tuaj - më
të dashurit e zemrës, apo jo? Si nuk patët guxim t’ua thoni troç të gjitha
këto? E keni pasur lehtë pasi në mesin e tyre i njoh do mësues, intelektualë
(i thonë vetit!), të cilët aq fjalë të zjarrta derdhin nëpër mbledhje,
kur diskutohet për emancipimin e femrës shqiptare: „Po, shokë, po -
vajzat tona, motrat tona duhet t’i dërgojmë në shkollë!”
Por, ata në shtëpi janë krejt tjerë. Gufojnë, shpërthejnë shpirtërat e
tyre idhnakë, si të gjyshërve tonë, kur u themi që të na kuptojnë, të na
ndihmojnë. Çele gur gojën - kur atyre ju skuqen syt...
„A nuk të janë mjaft tetë vjet? Rri aty se mirë je! Ndihmoi nënës në
punët e shtëpisë - kështu më thotë vëllai i zemrës.
Jo, nuk është shkolla për ty! Shi sa je rritur, he ty të plaçin sytë, se po
don t’ia qesësh faqen e zezë këtij konaku?!” - kështu më thotë babëloku
im i dashur, babëloku im i mirë.
Si t’ua kthejmë fjalën? Tani nuk po dimë se cila është dashuria e vërtetë
prindore. Jemi ndarë në dysh (gati secila prej nesh: Të pajtohemi
me rrugën e jetës sonë të cilën na e caktoi dikush tjetër e ashtu të mbetemi
me dëshira të zëna pick në zemër. Të pajtohemi se lirinë duhet ta
shijojmë të copëtuar nëpër grilat e dritareve të qilërit të vajzënisë, ku i
njehim ditët kur do te na bëjnë nuse - të shkojmë për ata që kurrë nuk
i kemi parë...
Apo: Të lidhim besë - si një të jemi shumë të vendosura që t’u japim
fund vuajtjeve tona. Të ikim prej shtëpive, as pa lamtumirë e t’i thyejmë
prangat aq të rëndë (të së kalua- rës) - atje është SHKOLLA, mësimi,
jeta jonë e re. E kur pas ca vjetëve do të kthehemi sërish nëpër fshatrat
tona si mësuese të popullit, ata që dikur na kanë mallkuar e për ne kanë
thënë „qe, këto janë ato të pafytyrat”, ndoshta do ta ndërrojnë bindjen
për ne...
Do ta ndërrojnë bindjen edhe përgjegjësit e komunës të cilët (ndoshta)
s’dinë gjë për ne.